ATV

Blog

  • Instituti pë krimet e luftës, fillon hartimi i rregulloreve, duhen më shumë se 40 punëtorë

    Instituti pë krimet e luftës, fillon hartimi i rregulloreve, duhen më shumë se 40 punëtorë

    Përgatiti: Nora Luta

    Në këtë objekt, në qendër të Prishtinës është përzgjedhur një hapësirë që përkohësisht do t’i takojë Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës.

    Drejtori i parë i këtij Instituti, Atdhe Hetemi, një muaj pas emërimit, thotë të kenë nisur hartimin e rregulloreve që, sipas tij, do t’u hapin rrugë punëve konkrete në mbledhjen e dëshmive.

    Hetemi duke theksuar se synojnë një metodologji shkencore, në një intervistë për ATV-në, thotë se ky institucion do t’i ketë mbi 40 punëtorë.

    Hetemi thotë se dokumentacionet e mbledhura mund t’u shërbejnë edhe institucioneve që merren me hetimin e krimeve të luftës.

    Sipas organizatës Fondi për të Drejtën Humanitare, e cila që nga paslufta i ka dokumentuar krimet dhe dëshmitë e luftës në Kosovë, funksionalizimi i këtij Instituti dhe puna e tij në praktikë janë të domosdoshme, dhe do të jetë në shërbim të memories kolektive.

    Sipas ligjit, Instituti nuk mund t’i ndjekë penalisht krimet e luftës.

    Sipas Fondi për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit janë vrarë mbi 13 mijë persona, derisa më shumë se 1 mijë vazhdojnë të jenë të zhdukur.

    Kosova themeloi për herë të parë me ligj në korrik të këtij viti, Institutin për krime lufte.

    Një i tillë ishte themeluar me vendim të Ministrisë së Drejtësisë në në vitin 2011, por ishte shuar në vitin 2018, po me vendim të këtij dikasteri.

  • S‘ka aplikacione as udhëzime për përdorimin e 100 biçikletave

    S‘ka aplikacione as udhëzime për përdorimin e 100 biçikletave

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Daniel Musollaj, qytetar nga Prishtina, nuk ia ka idenë së si do të përdoren 100 biçikletat, të cilat i bleu komuna e Prishtinës për transport publik 2 muaj më parë.

    Ndonëse, të premten, ato u sollën në Prishtinë, Musollaj thotë se biçikletat nuk do mund të shfrytëzohen siç duhet nga qytetarët, nëse komuna nuk merr hapa konkretë për përdorimin e tyre.

    “Është mirë që i kanë sjellë, por ka pak informacione për to, s’ka aplikacione, s’ka udhëzime, andaj patjetër duhet të bëhen këto dyja”, tha Musollaj.

    Njësoj mendon edhe studenti i fakultetit të edukatës fizike, Aridon Luta, i cili tërë pasditen e kalon duke ngarë biçikletën.

    “Me këtë aktivitet merrem çdo ditë, është mirë për Prishtinën ta ketë këtë lloj transporti, por duhet të bashkëngjiten edhe detaje të tjera se si do të shfrytëzohen”, tha Luta.

    Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, thotë se janë duke punuar që projekti në fjalë të finalizohet shumë shpejt.

    “Natyrisht që ka vend për përmirësime, ne do ta shohim se çfarë është më e lehtë për qytetarët dhe t’i krijojmë ato alternativa”, tha Zogaj.

    Megjithatë, Zogaj dha detaje për vendstacionet e biçikletave.

    Mirëpo, kjo nuk do të bëhet edhe për një kohë.

    Biçikletat, së bashku me procedurat deri në shfrytëzimin e tyre nga qytetarët, Komunës së Prishtinës i kushtuan 500 mijë euro.

  • Specialja vazhdon aksionet, intervistohet Haxhi Shala

    Specialja vazhdon aksionet, intervistohet Haxhi Shala

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    njohur si komandant Topi, për më shumë se 8 orë, është intervistuar nga zyrtarët e zyrës së prokurorit të specializuar, në selinë e EULEX-it në Prishtinë.

    Përveç intervistimit, Zyra e Prokurorit të specializuar, ka kryer bastisje edhe në pronat e tij në Prishtinë dhe në Banjë të Malishevës.

    Ndonëse nuk pranoi të flasë para kamerave, bashkëshortja e Haxhi Shalës, tha për ATV-në, se nuk di detaje rreth intervistimit të tij dhe se Shala ende nuk ka avokat.

    Ndërkaq, sipas vëllait të Haxhi Shalës, Avni Shala, Komandant Topi dyshohet për pengim të drejtësisë.

    “Arsyet po thonë për pengim të drejtësisë, tjetër gjë nuk ka. Ai ka ardhur prej Prishtinës, sepse ka pasë me dergu babën në spital në Prizren, Ka pasur forca të shumta të EULEX-it, ka zgjatur rreth 30 minuta. Nuk kanë konfiskuar ndonjë gjë. Këto arrestime janë të paligjshme. Kjo gjykatë është e padrejtë. Shkojnë dhe i marrin njerëzit, veç pse kanë dhënë kontribut për vendin”, tha Shala.

    Sipas tij, Shala është intervistuar edhe më herët nga Specialja.

    “Telefoni i është konfiskuar verës, në Hagë ka qenë në intervistë më herët, qysh e kanë thirrë, iu është përgjigjë ftesës. Drejtësisë nuk i ikë, nuk kemi pse me ikë”, tha Shala.

    Për këto aksione, ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku. Sipas tij, qëllimi i këtyre bastisjeve, është mbulimi i dështimit të Gjykatës Speciale.

    Në anën tjetër, përveç se aksionet janë të vazhdueshme, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk dha detaje të tjera për ATV-në, lidhur me bastisjet.

    Kjo nuk është hera e parë që Zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë kryer bastisje.

    Muajin e kaluar, ata bastisën në pronat e ish-bashkëpunëtorëve të Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të komunës së Malishevës, Isni Kilaj, derisa ky i fundit është arrestuar nën dyshimin për pengim të drejtësisë.

  • Vdes Andrew Strong, avokat i ekipit mbrojtës të Kadri Veselit në Hagë

    Vdes Andrew Strong, avokat i ekipit mbrojtës të Kadri Veselit në Hagë

    Pasditen e kësaj të hëne, ka ndërruar jetë avokati, Andrew Strong.Andrew Strong qe pjesëtar i ekipit të mbrojtjes në rastin e Ramush Haradinajt në Hagë, njeherit dhe avokat i ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, i cili gjendet në paraburgim nga Gjykata Speciale.

    Për humbjen e avokatit Strong, ka shkruar vet kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa shprehet i pikëlluar.

    ”I pikëlluar nga vdekja e parakohshme e avokatit Andrew Strong, një luftëtar i jashtëzakonshëm për të drejtat e njeriut dhe një mik i çmuar i imi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    ”Ai i’u bashkangjit ekipit tim mbrojtës si student nga Chicago, për t’u bërë më vonë një ndër avokatët më të respektuar për pasionin e tij në mbrojtje të drejtësisë”.”Ngushëllime familjes dhe miqve! Trashëgimia yte do të kujtohet Andy. U prehsh ne paqe”.

    Po ashtu, për ndarjen nga jeta të Strong-ut, janë shprehur të pikëlluar edhe nga ekipi i Fondacionit për Mbrojtjen e Kadri Veselit.

    ”Para pak çastesh ka vdekur Andrew Strong, avokat i z. Kadri Veseli. Andrew për të gjithë ne ka përfaqësuar idealen, besnikërinë dhe njëriun e palodhshëm që lufton për të vërtetën. Andrew Strong me plot meritë e meriton titullin avokat mbrojtës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte mbrojtur edhe z. Haradinaj në Hagë. Andrew ishte amerikan, por me zemër ishte shqiptar. Fliste bukur shqip dhe e donte fort Kosovën. Ai jetoi duke e mbrojtur histrorinë e luftës tonë çlirimtare. Me quante vëlla në shqip, e me trajtonte si të tillë. Do të na mungojë shumë të gjithëve që e njohem dhe punuam me të. Ngushëllime gruas së tij Rachel, dhe tre fëmijeve që la pas. Faleminderit për të gjitha, vëlla!”, shkruan Avni Bytyçi.

  • Tetë të lënduar nga aksidenti mes 14 veturave

    Tetë të lënduar nga aksidenti mes 14 veturave

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Mjegulla dhe ngricat e mëngjesit të së hënës, dyshohet të jenë shkaktarët e aksidentit zinxhiror, mes 14 veturave, në autostradën, “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në aksin rrugor Mazgit – Bresje. Sipas Policisë, të lënduar mbetën tetë persona.

    “Rreth orës 06:50, në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje, sipas informatave fillestare, është shkaktuar një aksident zinxhiror trafiku, ku janë të përfshira 14 automjete dhe si pasojë e aksidentit është raportuar edhe për persona të lënduar, njësitet policore dhe ekipet emergjente kanë reaguar në vendin e ngjarjes për t’u marrë me rastin dhe trajtimin e personave të lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Të lënduarit morën trajtim në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    “Tetë të lënduarit nga ky aksident, kanë ardhur për trajtim në Emergjencë. Të gjithë kanë pasur lëndime të lehta trupore, shtatë prej tyre janë lëshuar për në shtëpi, ndërsa njëri është duke i kryer disa fotografime në kabinetin e radiologjisë”, njoftoi drejtori i emergjencës në QKUK, Naser Syla.

    Si pasojë e aksidentit, u bllokuan edhe dy hyrje në autostradë, ajo në fshatin Trude të komunës së Fushë-Kosovës, si dhe ajo në fshatin Mazgit të Obiliqit.

    Njohësi i komunikacionit tregon edhe shkaqe të tjera që mund të kenë ndikuar në shkaktimin e aksidentit.

    “Stabiliteti i automjetit, kthesa, gomat, janë disa shkaktarë. Neglizhimi i operatorit ekonomik, të cilët nuk po ndëshkohen nga ministria. Për këtë edhe kemi gjendjen qysh e kemi, me gjithë këta të lënduar. Nëse do ta mirëmbajnë rrugën sa ma serioz, të paktën shkaktarët e aksidenteve që vijnë nga rruga do të zvogëloheshin”, tha Bekim Ahmeti, njohës i komunikacionit.

    Policia e Kosovës të hënën ka publikuar edhe një njoftim se si duhet të veprojnë shoferët gjatë motit me mjegull, duke iu bërë thirrje për vëmendje të shtuar gjatë ngasjes.

  • ”Thaçi e të tjerët”, dëshmitari pretendon se ishte arrestuar nga shqiptarë të armatosur

    ”Thaçi e të tjerët”, dëshmitari pretendon se ishte arrestuar nga shqiptarë të armatosur

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pa masa mbrojtëse dhe në një tjetër seancë publike, ka nisur të hënën dëshminë Dejan Jevtiq, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se Jevtiq ishte arrestuar në korrik të 1998-s nga disa shqiptarë të uniformuar, dhe ishte mbajtur në fshatin Budakovë.

    “U arrestua së bashku me dy të afërm të tij afër… nga dy shqiptarë të armatosur me uniforma të zeza. Tre serbët janë dërguar në një shtëpi në Budakovë, ku u janë lidhur sytë dhe i kanë pasur duart e lidhura, më pas ata janë rrahur me pushkë dhe me zinxhirë dhe janë hedhur në një bunker, pas një shtëpie ku janë marrë në pyetje”, tha prokurori special, Cezary Michahlczuk.

    Jeftiq para trupit gjykues ka përmendur dy emra, të cilët pretendon se e arrestuan dy dekada më parë.

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Jevtiq tha se gjatë kohës sa kanë qenë të ndaluar e kanë menduar që të arratisën, mirëpo kjo, sipas tij, ka qenë e pamundur.

    “Në atë kohë Shukri Gashi jetonte në Muhlan sikurse edhe unë ndërkohë Sokol Kabashi jetonte në Krushicën e Poshtme. jo, nuk ishim në gjendje të largoheshim as nga atje. Kam deklaruar se pas keqtrajtimit dhe rrahjeve, ne po përpiqeshim të kuptonim se si mund të arratiseshim përmes oxhakut, por Tahir Kokollari që ishte i ndaluar me ne, na tha që ishte e pamundur që të arratiseshim për shkak se snajperët ishin të vendosur në shtëpinë përballë”, tha dëshmitari Jevtiq.

    Dëshmitari Dejan Jevtiq mohoi të ketë bërë rezistencë në momentin që është arrestuar, teksa për njërin nga personat që e arrestuan, tha se ishin fqinjë dhe kishin shkuar te njëri-tjetri.

    “Jo në asnjë çast nuk kemi rezistuar. Unë thjeshtë e pyeta komshiun tim Shukri Gashin se çfarë po ndodhë, në atë moment ai me tha se nuk ishte në gjendje të iu përgjigjej këtyre pyetjeve pasi ishte komandanti ai që do të vendoste se çfarë të bëhej me ne, nëse do të na mbanin të ndaluar apo do të na ndalonin”, tha ai.

    Paraprakisht, të hënën e ka vazhduar dëshminë zyrtarja e OSBE-së, Sandra Mitchell, e cila dëshmoi edhe javën e kaluar. Ajo në këtë seancë u përball me pyetjet shtesë nga mbrojtja e Thaçit.

    Jevtiq është dëshmitari i 39-të, teksa procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë edhe të martën.

  • I jepet lamtumira e fundit policit që vdiq në Jarinje

    I jepet lamtumira e fundit policit që vdiq në Jarinje

    Sot në fshatin Terllabuq të komunës së Vushtrrisë u mbajt ceremonia e varrimit të zyrtarit policor Rexhep Sejdiu.

    Gjatë ceremonisë së varrimit, policia njofton se aty dy vajzat e policit të ndjerë përmes poezive të dedikuara, me shumë emocion evokuan kujtime për babain e tyre.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    Prishtinë, më 11 dhjetor 2023

    Sot më datën më 11 dhjetor 2023, në fshatin Terllabuq të komunës së Vushtrrisë u mbajt ceremonia e varrimit të zyrtarit policor Rexhep Sejdiu. Në ceremoninë mortore morën pjesë Ministri i Punëve të Brendshme z. Sveçla, drejtori i përgjithshëm i PK-së Kolonel Hoxha, përfaqësues të institucioneve vendore si dhe eprorë e kolegë nga Policia e Kosovës.

    Të pranishmëve në ceremoni me nga një fjalë rasti iu drejtuan Ministri i MBP-së, Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, kryetari i Komunës së Vushtrrisë si dhe një familjar i zyrtarit Rexhep Sejdiu, të cilët folën për shëmbëlltyrën, punën profesionale dhe sakrificën e pakursyer të zyrtarit Sejdiu në ofrim të sigurisë, ruajtjen e rendit dhe mbrojtjen e kufirit shtetëror. Poashtu dy vajzat e kolegut Rexhep Sejdiu përmes poezive të dedikuara, me shumë emocion evokuan kujtime për babain e tyre në ceremoni.

    Lavdi jetës dhe veprës së zyrtarit policor Rexhep Sejdiu!

  • ​Kuleba: Nëse BE-ja nuk është e hapur për anëtarësimin, do të jetë një gabim i madh

    ​Kuleba: Nëse BE-ja nuk është e hapur për anëtarësimin, do të jetë një gabim i madh

    Ukraina ka miratuar tashmë tre nga katër ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian për të plotësuar kërkesat në raportin e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe i fundit i mbetur i është dorëzuar Parlamentit, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

    ”Është një demonstrim i përkushtimit tonë. Ne kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe tani presim që BE të respektojë angazhimet e saj”, shtoi ai.

    ”Përndryshe do të ishte shkatërruese për Ukrainën dhe për Bashkimin Evropian, sepse do të dërgonte mesazhin se Bashkimi Evropian nuk është i aftë për të marrë vendime historike”, deklaroi Kuleba, pas mbërritjes në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së. /ANSA/

  • ​KEDS nuk jep detaje për marrëveshjen e arritur për energji

    ​KEDS nuk jep detaje për marrëveshjen e arritur për energji

    Përkundër që KosovaPress ka kërkuar përgjigje lidhur me zbatimin e marrëveshjes së arritur të shtunën për energji mes KEDS dhe Elektroserverit, KEDS nuk ka dhënë detaje çfarë parasheh marrëveshja e arritur të shtunën.

    Përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPrees, zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi nuk ka dhënë më shumë detaje, përveçse ka treguar procedurat e marrëveshjes.

    “Me nënshkrimin e kontratës, Elektrosever, si furnizues i licencuar nga ZRRE-ja, mund të fillojë operimet për kryerjen e aktiviteteve të furnizimit në pjesën veriore. Kontratat e nënshkruara ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever e mundësojnë këtë, bashkë me rolet dhe përgjegjësitë e rregulluara të secilës palë, konform legjislacionit primar dhe sekondar të aplikueshëm në Republikën e Kosovës”, thotë KEDS përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

    Sipas tij, kjo kontratë i përmbahet ligjit të Kosovës dhe kornizës rregullative.

    “Kjo kontratë i përmbahet ligjit të Kosovës dhe kornizës rregullative, në përputhje me Marrëveshjet e Energjisë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 ( “Marrëveshjet për Energjinë 2015”), si dhe Udhëzuesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të nxjerra më 21 qershor 2022. Rrjedhimisht, me nënshkrimin e kësaj kontrate, Elektrosever, si nën-kontraktor i KEDS-it, duhet të përmbushë detyrimin kontraktual të shërbimeve të shpërndarjes dhe furnizimit bazuar në licencën e furnizuesit në pjesën veriore të Kosovës.Kontrata e nënshkruar meKEDS-in rregullon përdorimin e rrjetit të shpërndarjes sipas marrëveshjes për kyçje, njësoj si për furnizuesit e tjerë që janë aktivë në Kosovë”, thuhet mes tjerash në përgjigjen me shkrim nga KEDS.

    Po ashtu kjo kompani nuk ka treguar se cilat do të jenë përftimet e Kosovës nga kjo marrëveshje.

  • Deliu: I pabesueshëm niveli i hakmarrjes dhe diskriminimit që Qeveria po ia bën Skënderajt

    Deliu: I pabesueshëm niveli i hakmarrjes dhe diskriminimit që Qeveria po ia bën Skënderajt

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu shkroi në Facebook se Qeveria do ta lë Skënderajn pa asnjë projekt të ri për vitin 2024.

    Deliu shkroi se Qeveria po hakmerret dhe po e diskriminon atë rajon.

    “Asnjë projekt i ri për komunën e Skënderajt nga Qeveria për vitin 2024. I pabesueshëm, niveli i hakmarrjes dhe diskriminimit me të cilin po qeverisë ky Kryeministër. Turp i madh!”, shkroi deputetja, duke publikuar një pjesë të raportit të institutit GAP për ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm.