Një 18-vjeçar u raportua se vdiq dje në vendin e tij të punës në Ferizaj. Lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe nga policia e Kosovës. Sipas policisë, sipas mjekësve ai ka vdekur për shkaqe natyrore.
Megjithatë policia tashmë ka nisur hetime për rastin.
Me urdhër të prokurorit ai është dërguar në IML për obduksion.
“Ferizaj 11.12.2023 – 15:30. Është raportuar se viktima mashkull kosovar është sjellë pa shenja jete në QE-Ferizaj, ku dyshohet se derisa ka qenë në vendin e punës i është keqësuar gjendja dhe ka ndërruar jetë. Sipas mjekëve, vdekja është natyrore megjithatë njësitet policore janë duke kryer hetimet lidhur me rastin. Me vendim të prokurorit trup i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.
Qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm pa viza në zonën Shengen pas 19 ditësh. Nga 1 janari zyrtarisht do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave, duke bërë kështu që qytetarët që kanë pasaporta valide të udhëtojë pa pasur nevojë për vizë.
Ndonëse kanë mundësi të udhëtojë pa u malteratuar nëpër ambasada qytetarët i thanë Ekonomia Online se nuk do të kenë mundësi materiale që të shkojnë në Evropë për pushime.
Madje ata janë shprehur të shqetësuar që pas një janarit do të ketë ikje të madhe të rinjve. Hasan Qerimi, tha se nuk do të ketë mundësi që të udhëtojnë jashtë vendit duke marr parasysh standardin në Kosovë.
Ai si shqetësues e sheh faktin që në Kosovë me dekada sipas tij, nuk është punuar në krijim e vendeve të punës dhe për këtë ai thotë se shumë të rinj mund të largohen nga vendi.
“Nuk kemi me pas pare mu kënaq se nuk e kemi standardin dhe vendi i huaj nuk është si mendon rinia sodit, ajo është një dhimbje e madhe për popullin tonë se po të shkojnë në një e vend të huaj do të duhet ta dish gjuhën, duhet ta dish kulturën e sene tjera nuk është e lehtë qysh mendojnë”.
“Një pjesë kanë me u largu, nuk është punuar që dekada si duhet edhe rinia nuk është e kënaqur me gjendjen, nuk u punua asgjë, nuk u ndërtua asgjë. Po mendoj fabrika vende të punës që ma mirë me kontribuar se kemi një rini të mrekullueshme por për fat të keq e keqja jonë është kjo”, tha ai
Kastrat Halimi, tha se ka mundësi që të udhëtojnë jashtë shteti pas një janari.
“Nuk ka me pas ndryshim këtu të gjithë të rinjtë kanë me shkuar jashtë. Kemi me pas pare me udhëtuar jashtë shtetit qysh kemi shkuar në pushime, do të shkojmë edhe jashtë”, tha ai.
Enver Balaj, tha se do të kenë mundësi që të udhëtojnë në vendet e BE-së pas liberalizimit të vizave, kjo pasi sipas tij, do të ju mundësohet edhe me ndihmën e familjarëve, raporton EO.
“Puna që ka me ndodh liberalizimi i vizave 2024 kena me pas financa na pa viza kemi bërë zgjidhje me udhëtuar e tashmë kur na bëhen vizat na gjithherë bëjmë zgjidhje se kemi njerëz të familjes cilat na dhënë remitanca për me shkuar botën e jashtme”.
“Po disa i sigurojnë vet janë në marrëdhënie këtu dhe shkojnë për shoping, shkojnë edhe me shëtit me ble gardërobë, me vizituar Gjermanin apo Zvicrën, Evropën Perëndimore”, tha ai.
Më 18 prill të këtij viti Parlamenti Evropian miratoi vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në vendet e BE-së nga 1 janari i vitit 2024.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, është parapar që sot të vazhdoj gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Të hënën seanca përfundoi pa ndonjë njoftim paraprak nëse dëshmitari Dejan Jeftiq mbaroi dëshminë e tij apo do ta vazhdojë.
Gjatë kohës sa ishte seanca në sesion publik, ky dëshmitar është marrë në pyetje nga mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Gregory Keohe, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Keohe pyeti dëshmitarin për periudhën kohore para arrestimit të pretenduar të tij së bashku me dy serbë të tjerë nga shqiptarë me uniforma të zeza.
Disa pyetje këtij dëshmitari iu parashtruan pa njoftim paraprak në sesion privat për publikun dhe me përmbajtje të redaktuar.
Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi ka treguar se ditëve të fundi janë kontaktuar nga shumë persona të cilët kanë ofruar informacione rreth vrasjes së Liridonës, por i ka lutur ata që të gjitha informacionet që i posedojnë t’i ndani me policinë dhe prokurorinë dhe jo me ata si familje.
Ai ka shkruar në Facebook se hetimet ua kanë besu atyre dhe presin drejtësi profesionale dhe të shpejtë nga ana e gjykatës.
“Interesi i familjes sonë dhe interesi i përgjithshëm është që hetimet të mos dëmtohen nga askush. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”, ka shkruar ai.
Për vrasjen e Liridona Ademjat, është arrestuar bashkëshorti i saj, i cili dyshohet se ka planifikuar vrasjen, dorasi, si dhe dy persona të tjerë, të cilëve gjykata ua ka caktuar nga një muaj paraburgim.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari raporton sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për nivelin e zbatimit të Ligjit për tregti me jashtë.
Përveç kësaj, komisioni do të shqyrtojë edhe raportin me rekomandime për lexim të dytë për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për metrologji, Projektligjin për regjistrin e pronarëve përfitues dhe Projekt-rezolutës për Raportin vjetor të ZRRE-së për vitin 2022.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Listës Guxo, Jeta Statovci është përzgjedhur që ta përfaqësoj Evropën dhe Azinë qendrore, në mesin e vetëm tetë deputetëve në mbarë botën, për të dialoguar rreth çështjeve zhvillimore, përmes iniciativës globale të deputetëve të rinj (2023-2025 Global Young MP Initiative).
Përveç se do të përfaqësoj një rajon kaq të gjatë, deputetja kosovare do të jetë edhe zëri i Kosovës në një iniciativë kaq të madhe golabale.
Ky është njoftimi i deputetes Statovci:
Shumë e lumtur që Banka Botërore më ka zgjedhur të përfaqësoj rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, në mesin e vetëm tetë deputetëve të rinj nga gjithë bota, për të dialoguar rreth çështjeve zhvillimore, përmes iniciativës globale të deputetëve të rinj (2023-2025 Global Young MP Initiative).
Më vjen shumë mirë që Republika e Kosovës 🇽🇰, ani pse shtet i vogël, dërgon një përfaqësuese në emër të një rajoni kaq të madh, në bashkëpunim me dy institucionet më të mëdha financiare në botë, Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Rreth 38 mijë qytetarë të Prishtinës parashihet që të kyçen në rrjetin e Termokos-it, përmes projektit të ngrohtores solare.
Marrëveshja e këtij projekti u bë mes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe ngrohtores së qytetit Termokos.
“E ky projekt ka një rëndësi të veçantë pasi që përveç që e rrit prodhimin e energjisë termike, që mundëson edhe rreth 38 mijë qytetarë të kyçen në rrjetin e Termokosit, gjithashtu mundëson edhe zgjerimin e rrjetit. Kësisoj siguron që çmimi për ngrohje të vazhdojë të jetë i volitshëm për qytetarët, si dhe të kursehet edhe energjia elektrike”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
Sipas Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, projekti i ngrohjes solare nxit rritjen ekonomike dhe përkrah qëndrueshmërinë mjedisore. Ndërsa, për ngrohje të qëndrueshme, ka folur kryeshefi i Termokosit, Fisnik Osmani.
Rama: Sot po nënshkruhet zotimi ynë që prishtinasve t’iu mundësohet zgjidhje e besueshme
“Impianti i ri diellor dhe zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore do të zvogëlojë dukshëm emetimin e dioksidit të karbonit të lidhura me ngrohjen, do të përmirësojë cilësinë e ajrit dhe do të integrojë furnizimin me energji të rinovueshme”, tha Rama
“Përmes këtij projekti, ne po rrisim sigurinë energjetike dhe qëndrueshmërinë për Prishtinën, duke kontribuar direkt në performancën financiare dhe operacionale të ngrohtores së qytetit e përmes kësaj në lehtësimin e jetës së qytetarëve në Prishtinë”, deklaroi Osmani.
Duke rikujtuar se e gjithë Evropa ka krizë energjetike, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se Kosova përfiton shumë nga kjo marrëveshje. E drejtori i BERZH-it në Kosovë, theksoi se ky projekt do të ketë përfitime në Prishtinë, meqë siç tha ai, ndotja është e lartë.
Projekti cilësohet të jetë më i madh në rajon. ‘Solor for Kosovo’ do të mbulojë me panele solare një hapësirë prej 69 mijë metrash katrorë, me kapacitet termik 50 megavat, duke furnizuar 12 mijë konsumatorë dhe do të kushtojë mbi 80 milionë euro. /atvlive.tv
Tri ditë nga nënshkrimi, Zyra e Rregullatorit për Energji ende nuk e ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale ndërmjet KEDS-it dhe “Elektroseverit”.
Ajo vazhdon të mbahet e pa-publikuar dhe, zyrtarisht, nuk dihet përmbajtja e saj.
Nëse marrëveshja nuk parasheh afate të reja specifike, Elektrosever do të duhej të niste kontraktimin e energjisë në Janar, rrjedhimisht edhe faturimin.
Por, kësaj duhet t’i paraprijë rregullimi i çështjes së njehsorëve dhe regjistrit të konsumatorëve.
Në një përgjigje për ATV-në, ZRRE-ja shpjegoi se çfarë në parim rregullon dokumenti i nënshkruar.
“Me datë 09.12.2023, është nënshkruar Marrëveshja Komerciale mes Elektrosever dhe KEDS-it për ofrimin e shërbimeve të distribuimit (faturim, mirëmbajtje dhe lidhje fizike të konsumatorëve), në katër komunat veriore me shumicë serbe, ashtu siç ishte përcaktuar me Nenin 5 të “Marrëveshjes për Energjinë” të vitit 2013. Kjo marrëveshje komerciale për kryerjen e këtyre shërbimeve nga Elektrosever mbart më vete kostot e shërbimit që duhet të jenë pjesë e marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për ATV-në.
Kompania bijë e ndërmarrjes publike energjetike të Serbisë, e regjistruar dhe licencuar në Kosovë, do të ketë lirinë e plotë të përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
“Për sa i përket tarifave për Elektrosever, Korniza ligjore që rregullon sektorin e energjisë në Kosovë, promovon një treg të liberalizuar të energjisë elektrike. Prandaj, siç është e përcaktuar në kushtet e licencës, ky aktivitet i furnizimit nuk i nënshtrohet rregullimit apo miratimit të tarifave nga ZRRE-ja, si rrjedhojë, Elektrosever nuk ka ndonjë obligim për përgatitje të propozimit për tarifa për konsumatorët të cilët i shërben”, thuhet më tej në përgjigjen e ZRRE-së.
Pa folur për përmbajtjen, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nënshkrimin e marrëveshjes e vlerësoi hap tutje drejt normalizimit.
“Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë. Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës”, tha Bislimi.
Më 24 Qershor të vitit të kaluar, bazuar në Udhërrëfyesin e dakorduar në Bruksel, ZRRE-ja licencoi Elektroseverin.
Sipas afateve në licencë, marrëveshja komerciale do të duhej të nënshkruhej më së largu 10 ditë pas licencimit, ndërsa ofrimi i qasjes në nënstacionin në Vallaq, gjë që nuk ka ndodhur ende, brenda 30 ditësh.
Që nga Korriku 2022, dëmi buxhetor si pasojë e mosfaturimit të energjisë në katër komunat në veri, llogaritet të jetë rreth 60 milionë euro. Ndërkaq, nga paslufta, përfshirë këtë vit, rreth 350 milionë euro.
Prokuroria Speciale e Kosovës do të vazhdojë të drejtohet edhe për katër vjetët e ardhshëm nga Blerim Isufaj.
Isufaj është rizgjedhur edhe për një mandat në këtë pozitë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës me shumicë votash të hënën, pasi nga Komisioni Vlerësues ishte renditur si kandidati me më së shumti pikë.
Nga dhjetë vota, vetëm një ishte kundër për Isufajn, i cili e udhëheq PSRK-në që nga viti 2019.
E para se të vihej në votim emri i tij, nga Komisioni për Rishqyrtim treguan se ankesa patën kundërkandidatët Naim Abazi dhe Atdhe Dema, por u refuzuan.
Isufaj ishte përzgjedhur nga KPK-ja edhe në pozitën e kryeprokurorit të shtetit, por nuk u dekretua nga presidentja.
Ndërkohë, konkursi për pozitën në Prokurorinë Speciale ishte shpallur gjatë tetorit, ndërsa një muaj pas Komisioni kishte përfunduar intervistimin e katër kandidatëve, ku përveç Isufajt, Abazit e Demës, në garë ishte edhe zv.kryeprokurori Valdet Gashi.
Ndërkohë, KPK-ja gjatë mbledhjes, të hënën ka përzgjedhur edhe kryeprokurorët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe asaj të Gjakovës.
Besimin për t’i drejtuar këto dy institucione anëtarët e KPK-së ia dhanë Zejnullah Gashit dhe Enis Gashit.
Sipas ligjit për KPK-në, kryeprokurorët e prokurorive emërohen nga Këshilli për një periudhë katërvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat shtesë.