ATV

Blog

  • KK i Mitrovicës së Veriut refuzon kërkesën e serbëve për shkarkimin e kryetarit

    KK i Mitrovicës së Veriut refuzon kërkesën e serbëve për shkarkimin e kryetarit

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut e ka refuzuar kërkesën e serbëve të filluar procedurat për shkarkimin e kryetarit të komunës, raporton ATV.

    “Kjo kërkesë nuk pranohet nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, për shkak se kërkesa nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ MAPL nr. 02/2023 për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni”, thuhet në përgjigjen e kryesisë së Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut, të siguruar nga ATV.

    Se kërkesa e grupit inciativ nuk është në përputhje me udhëzimin administrativ të hartuar nga Qeveria e Kosovës, Uglanin e kishte thënë një ditë pas dorëzimit të kësaj kërkese.

    Ai për ATV-në deklaroi të premten se iniciativa për ta shkarkuar Erden Atiqin nga posti i kryetarit, është e dirigjuar nga Lista Serbe. /atvlive.tv

  • Sekuestrohen 500 kilogramë kanabis në Vlorë, arrestohen 7 persona

    Sekuestrohen 500 kilogramë kanabis në Vlorë, arrestohen 7 persona

    Një grup kriminal i trafikimit të kanabisit është shkatërruar në Vlorë, pas një operacioni antidrogë të zhvilluar gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit.

    Sipas burimeve, është sekuestruar rreth 500 kilogramë kanabis dhe janë vënë në pranga shtatë persona. Dy furgona dhe dy automjete janë sekuestruar, gjatë operacionit, ku policisë së Vlorës, iu bashkuan forcat RENEA dhe FNSH.

    Nga hetimet, rezultoi se një grup personash po bëheshin gati për të transportuar nëpërmjet kufirit detar një sasi lënde narkotike drejt shtetit turk, njofton policia.

    Në pranga kanë rënë I.M, R.M, E.M, N.Gj, Xh.Gj, L.L dhe A.M.

    Ndërkohë, në kërkim janë edhe disa shtetas të tjerë, banues në Vlorë dhe Tiranë, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë, për arsye se hetimi është në zhvillim dhe sipër.

    Droga mbahej në magazinën e I.M dhe R.M. Pasi ishte paketuar, po transportohej me mjetin e drejtuar nga N.Gj, që u ndalua në lagjen 11 janari.

    Gjatë kontrolleve të banesave të autorëve, janë sekuestruar dy armë zjarri, katër automjete dhe 8 celularë, sipas policisë.

    Të dyshuarit vepronin në formën e një grupi kriminal, ku secili kishte rolin e tij në paketimin, ambalazhimin dhe transportimin jashtë shtetit të lëndës narkotike./TopChannel/

  • Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë për armëpushim të menjëhershëm

    Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë për armëpushim të menjëhershëm

    Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë sot për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, disa ditë pasi SHBA-ja vuri veton ndaj një rezolute të ngjashme të propozuar në Këshillin e Sigurimit.

    Drafti aktual i propozuar u paraqit nga një grup prej 20 vendeve arabe dhe Organizata për Bashkëpunim Islamik.

    Asnjë vend nuk ka të drejtën e vetos në Asamblenë e Përgjithshme prej 193 anëtarësh. Megjithatë, ndryshe nga Këshilli i Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht të detyrueshme, megjithëse ato pasqyrojnë opinionin global, raporton BBC.

    Që nga fillimi i luftës, Këshilli i Sigurimit ka dështuar gjashtë herë për të miratuar një rezolutë që kërkon një armëpushim për shkak të mosmarrëveshjeve midis 15 anëtarëve të tij.

  • Të githë nën lot për vdekjen e avokatit Strong: Anulohen seancat në Gjykaten Speciale

    Të githë nën lot për vdekjen e avokatit Strong: Anulohen seancat në Gjykaten Speciale

    Të gjitha seancat e kësaj jave për rastin e krerëve të UÇK-së, janë anuluar. Kjo me kërkesën e mbrojtës së Kadri Veselit pas vdekjes së avokatit, Andrew Strong. Të githë në sallën e gjykatës gjatë ditës së sotme kanë qenë të mërzitur, dhe nën lot.

    Avokati Ben Emmerson ka thënë se Strong ishte person i angazhuar, me shpirt të mirë, dhe me vullnet për ta ndihmuar Kosovën.

    “Të gjithë në sallën e gjyqit dhe shumë të tjerë do të vajtojnë vdekjen tragjike të shokut dhe kolegut tonë, Andrew Strong. Mbase nuk jeni të gjithë të qartë, por mund te mos jetë e dukshme, por ai dhe të gjithë në ekipin e tij nuk jemi thjesht kolegë. Kemi qenë miq të ngushtë për 25 vjet. Strong është rritur në periferi të Chicagos, ndoqi studimet në Vermont, dhe fakultetin juridik shkoi në Kosovë. Si student juridiku në fund të vitit 2004. Ishte vullnetar si stazhier me ekipin e mbrojtjes së Ramush Haradinajt ditën që ai u arrestua më 2005. Jetoi në Kosovë për disa vite, u njoh me personat në Kosovë jashtëzakonisht shumë. Fliste ship. Dhe ishte një person shumë i angazhuar për të ndihmuar një Kosovë të pavarur dhe të lirë. Ishte një njeri me shpirt të mirë, plot dije, miku më i ngushtë që mund të ketë një person në këtë jetë”, tha Emmerson, raporton Nacionale.

    Ai bëri kërkesë që bashkëshortja e Strong të realizojë një takim me Kadri Veselin.

    “Shumë persona e duan dhe shumë e respektojnë, qoftë komuniteti ndërkombëtar. Shumë persona e duan në shtetin e tij të lindjes, dhe shumë persona në Kosovë. Ka lënë pas partneren dhe tre fëmijë të mitur. Kanë kerkesën e posaçme të takohen me z. Veseli në mënyrë që t’i percjellë ngushëllimet e tij për Strong”, ka thënë Emmerson.

    “Ai ka lënë pas prindeëit dhe nuk është mënyra se si duhet të ndodhin gjërat në jetë. Është rendi i kundërt në mënyrën se si mund të ndodhin gjërat në jetë. Nie minut heshtje kërkoj dhe pasi të konsultohemi, do të kërkojë të mos ketë seancë sot. Nuk mund t’i kërkojë ekipit tim, të vazhdojmë për këtë javeë. Do iu lutesha që të merrni parasysh kërkesën. Unë do të respektoj të githa kriteret që ka gjykata”, theksoi Emmerson.

    Avokati i Kadri Veselit kërkoi që të gjitha seancat e kësaj jave të anulohen, dhe vendimi u miratua nga trupi gykues. U miratua gjitnashtu vendimi qe bashkëshortja e Strong të takohet me Kadri Veselin.

    “E di që të gjithë në këtë sallë kanë detyra të vështira, dhe të gjithë në punën tonë bëjmë të pamundurën, e dimë që ai ka bërë të pamundurën. E kuptojmë anën njerëzore që të gjithë të kemi parasysh. Nuk kemi vetëm juristë të ulur, Strong ishte i perkushtuar ishte person që do të na mungojë të gjithëve. I kemi përcjellë ngushëllimet tona”, tha giyqtari Smith.

    Një fjalim e pati edhe Alan Tieger nga Prokuroria e Specializuar e Hagës.

    “Dua të shprehim edhe ne ngushëllimet tona në emër të prokurorisë, e kuptojmë që fjalët janë të tepërta në këto momente. Të gjithë ne me Prokurorinë, jemi të tronditur e të trishtuar kur morëm një lajm kaq të trishtë, Ishte avokat i talentuar. Në këto momente të gjithë ne përcjellim ngushëllimet familjes Strong, miqve të tij”, tha Tieger.

    Andrew Strong vdiq gjatë ditës së djeshme. Ai ishte avokat i Kadri Veselit, dhe Ramush Haradinaj kur i njëjti kishte dalur i pafajshëm në Tribunalin e Hagëës.

  • Sekuestrohen mallra pa origjinë në një biznes në Prishtinë

    Sekuestrohen mallra pa origjinë në një biznes në Prishtinë

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut kanë gjetur e sekuestruar një sasi të konsiderueshme të mallrave, pa origjinë.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës ngjarja ka ndodhur të hënën.

    “Njësitet policore në koordinim e bashkëpunim edhe me Inspektoratin e Tregut nga MINT dhe njësitet e doganës, kanë realizuar një operacion policor gjatë të cilit në një subjekt biznesi kanë gjetur e sekuestruar një sasi të konsiderueshme të mallrave (suplemente të ndryshme si; mjaltë për përdorime të ndryshme për potencë e të ngjashme, shampon të ndryshëm etj) pa origjinë”, thuhet në raport.

  • Filmi ‘Barbie’ i mbizotëron nominimet për Globin e Artë

    Filmi ‘Barbie’ i mbizotëron nominimet për Globin e Artë

    Filmi “Barbie” është në krye të listës së nominimeve për çmimet e Globit të Artë të Hollivudit (Golden Globe), pasi u nominua në nëntë kategori, duke e lënë mbrapa dramën historike “Oppenheimer” me tetë nominime.

    Këta dy filma do të garojnë në kategori të ndryshme në Globin e Artë, në ceremoninë me tepih të kuq e cila e nis sezonin e ndarjes së çmimeve të Hollivudit në janar.

    “Barbie”, e regjisores Greta Gerwing, do të garojë për komedinë apo filmin më të mirë muzikor kundër filmave “American Fiction”, “The Holdovers” dhe të tjerëve.

    “Oppenheimer” është në garë për filmin më të mirë dramë.

    “Killers of the Flower Moon” dhe “Poor Things” janë në mesin e favoritëve me nga shtatë nominime secili.

    Emma Stone, Leonardo DiCaprio, Cillian Murphy dhe Da’Vine Joy Randolph janë në mesin e aktorëve të nominuar.

    Fituesit do të shpallet në një ceremoni më 7 janar.

    Filmat më të nominuar:

    9 nominime – Barbie
    8 – Oppenheimer
    7- Killers of the Flower Moon
    7- Poor Things
    5 – Past Lives
    4 – May December
    4 – Anatomy of a Fall
    4 – Maestro

  • Haxhi Shala sot pritet të dërgohet në Hagë

    Haxhi Shala sot pritet të dërgohet në Hagë

    Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, është ndaluar të hënën nga Gjykata Speciale. Haxhi Shala ishte cak i Speciales, në vazhdën e aksioneve të fundit, në kuadër të një procesi hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Shala ndodhet në zyrat e misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë, ku është intervistuar dhe sipas informacioneve që ka Sinjali, ai pritet që të dërgohet sot në Hagë.

    Ndërkohë Avni Shala, vëllai i Haxhi Shalës tha se EULEX ishte në shtëpinë e tyre në orën 07:00, por që sipas tyre nuk kanë marrë asgjë.

    Ai tha se Shala është arrestuar, por sipas tij, ai pritet që të ekstradohet.

    “Forca të shumta të EULEX-it ka pas, por nuk kanë marrë asgjë, nuk është bastise hale kurgjo. Ka zgjatë 30 minuta. Nuk është lejuar që të komunikojmë më ta hiq, ia kanë marrë me telefon me krejtë. Kom fol me vëlla edhe djalë të vllait, ai për momentin është arrestuar, po flitet që kanë me ekstradu”, tha ai.

    Ndërkohë Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, nuk ka dashur të komentojë këtë rast, por ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar operacione në Kosovë.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejme”, kanë thënë nga kjo zyrë.

    Kujtojmë se gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë, disa prej tyre në pronat e ish-këshilltarëve të Thaçit.

    ZPS ka deklaruar se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që i frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.

  • Regjistrimi i popullsisë së Kosovës, diaspora regjistrohet përmes e-Kosova

    Regjistrimi i popullsisë së Kosovës, diaspora regjistrohet përmes e-Kosova

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi dje zyrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për t’u njoftuar me punën e Agjencisë në planifikimin dhe realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë, që do të fillojë në muaji prill 2024.

    I shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Kryeministri pa për së afërmi proceset teknike të përfunduara nga ASK, e që luajnë rol kyç në organizimin e procesit dhe mbarëvajtje e tij.

    Ushtruesi i detyrës së ASK-së, Avni Kastrati, bashkë me ekipin e drejtorëve të ASK-së, njoftoi Kryeministrin për hapat e radhës në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë, përfshirë organizimin e regjistrimit të diasporës përmes platformës e-Kosova.

    “Numri i regjistruesve dhe monitoruesve bashkë me tabletët dhe pajisjet e nevojshme për regjistrim tashmë janë është gati. Kryeministri tha se nuk ka proces më të rëndësishëm për planifikim sesa regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave dhe ofroi mbështetje të plotë për ASK-në, ashtu që censusi të zhvillohet me përpikëri të nevojshme e sipas standardeve të EUROSTAT-it”, thuhet në njoftim.

  • Dita e ndeshjeve në Ligën e Kampionëve, zhvillohet raundi i fundit i grupeve

    Dita e ndeshjeve në Ligën e Kampionëve, zhvillohet raundi i fundit i grupeve

    Sot (e martë) zhvillohet ndeshjet e gjashta apo të fundit në grupet e Ligës së Kampionëve për edicionin 2023/24.

    Grupeve të Ligës së Kampionëve po u vjen fundi dhe sot është momenti i fundit për disa klubet për të siguruar kualifikimin në raundin tjetër.

    Grupi A është më interesanti pasi tri klube janë në garë për vendin e dytë. Manchester Unitedi synon fitore ndaj Bayern Munichut për të pritur pastaj një barazim në ndeshjen Copenhagen-Galatasaray, pasi fitorja në këtë ndeshje do ta dërgonte tutje skuadrën fituese.

    Në Grupin C, Napoli do të tentoj ta mposht ose të luajë baras në shtëpi me Bragën për të siguruar kalimin tutje, ndërsa Union Berlini me një fitore ndaj Real Madridit mund ta marrë pozitën e tretë që i dërgon në Ligën e Evropës.

    Interi synon fitore ndaj Real Sociedadit për t’u bërë ‘kokë’ e Grupit D, ndërsa Salzburg-Benfica luhet për prestigj.

    Ndeshjet e Grupit B në mes të PSV-Arsenal dhe Lens-Sevilla luhen pa pretendime pasi Arsenali dhe PSV kanë siguruar dy pozitat e para, ndërsa Lens vetëm në rast humbje, mund ta humb pozitën e tretë. /Telegrafi

  • Humb jetën një person në vendin e punës, policia jep detaje për rastin në Ferizaj

    Humb jetën një person në vendin e punës, policia jep detaje për rastin në Ferizaj

    Një person 18-vjeçar ka humbur jetën një ditë më parë në Ferizaj, derisa ishte në vendin e punës.

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje për ngjarjen tragjike, duke njoftuar se i riu derisa ishte duke punuar i është keqësuar gjendja dhe ka ndërruar jetë.

    Në raportin 24 orësh policia këtë vdekje e ka cilësuar si të dyshuar.

    “Ferizaj 11.12.2023 – 15:30. Është raportuar se viktima mashkull kosovar është sjellë pa shenja jete në QE-Ferizaj, ku dyshohet se derisa ka qenë në vendin e punës i është keqësuar gjendja dhe ka ndërruar jetë. Sipas mjekëve, vdekja është natyrore megjithatë njësitet policore janë duke kryer hetimet lidhur me rastin. Me vendim të prokurorit trup i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.