ATV

Blog

  • Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanovicit, shfaqet video incizimi pas momentit të vrasjes

    Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanovicit, shfaqet video incizimi pas momentit të vrasjes

    Përgatiti: Nora Luta

    Kamerat e sigurisë nga objekti i partisë që e udhëhiqte Oliver Ivanoviqi kishin kapur vetëm momentet pas vrasjes së tij, më 16 janar të 2018-s. Pamjet nga ora 8:17 minuta e asaj dite janë shfaqur të premten, në gjykimin për vrasjen e ish-liderit serb, që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Kjo video dhe të tjerat të shfaqura gjatë kësaj seance, sipas Prokurorisë Speciale, vërtetojnë se kamerat e sigurisë nuk kishin punuar nga 4 janari deri më 16 janar të 2018-s. Pas ambulancës, në vendin e ngjarjes arrin edhe policia, në mesin e tyre edhe akuzuari Nedelko Spasojeviq.

    Në video-incizimet shihen lëvizje të qytetarëve në oborrin e objektit të partisë, çka, sipas PSRK-së, dëshmon se Spasojeviq nuk e siguroi vendin e ngjarjes.

    E për veprimet e të akuzuarve, ish-pjesëtarëve të Policisë, është sfiduar me pyetje ish-shefi i Njësisë rajonale Hetimore të Mitrovicës së Veriut, Nenad Simiq, i cili ishte në vendin e ngjarjes së vrasjes së Ivanoviqit dhe pjesë e hetimeve.

    Por, ishte vetëm një video-incizim që Simiq e kishte parë nga kamerat e sigurisë, nga e cila e kishte identifikuar të akuzuarin Dragisha Markoviq.

    Simiq u ftua të dëshmojë në këtë gjykim me ftesë të të akuzuarit Rade Basara, i cili pretendon se në kohën e vrasjes, nuk ishte në Kosovë dhe sipas Simiqit, ai ishte në pushim vjetor.

    Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit do të vazhdojë javën e ardhshme.

  • Sulmi në Banjskë, situata më e rrezikshme që kaloi vendi, që nga pavarësia

    Sulmi në Banjskë, situata më e rrezikshme që kaloi vendi, që nga pavarësia

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në krah me kryeministrin e kryekuvendarin hyri në sallën e Kuvendit.

    Një ulëse e veçantë ishte vendosur për të e më pas mori fjalën.

    Në fjalimin vjetor para deputetëve, presidentja Vjosa Osmani e konsideroi sulmin në Banjskë, të 24 shtatorit, ndër sfidat më të mëdha që kaloi Kosova që nga pavarësia.

    E para e shtetit tha se është punuar shumë në përmirësimin e imazhit të Kosovës, derisa nuk munguan as falënderimet për aleatët.

    Në adresimin e saj, Osmani nuk la pa e përmendur edhe vrasjen e Liridona Ademajt, duke theksuar nevojën për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë.

    Fjalimin vjetor të presidentes e bojkotuan dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, derisa e pranishme ishte Lidhja Demokratike e Kosovës.

  • Spërkatësi kimik që përdor policia, me afat të skaduar

    Spërkatësi kimik që përdor policia, me afat të skaduar

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Është njëra prej pajisjeve që shërben për ta neutralizuar rrezikun pa pasur nevojë të përdoret arma. Por, policët e Kosovës, spërkatësin kimik e kanë me afat të skaduar, dëshmon një raport i Inspektoratit Policor.

    “Policët e Kosovës ishin të pajisur me armë brezi, pranga, elektrik dore dhe spërkatës kimik dhe uniformat ishin të rregullta, por si problematikë u konstatua se spërkatësi në të gjitha rastet ka qenë me afat të skaduar, që nga dhjetori i vitit të kaluar”, thuhet në raportin e AMP & IPK.

    Përdorimi i spërkatësit me afat të skaduar vlerësohet të jetë shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.

    Teksa u kërkua zgjidhje e shpejtë e problematikës, institucionet përkatëse u fajësuan për faktin se pjesëtarët e Policisë kanë mungesë të pajisjeve adekuate.

    Inspektorati Policor edhe më parë gjatë inspektimit në stacione ka hasur spërkatës kimikë dhe jelekë antiplumbë me afat të skaduar.

  • “Model Slovenia” dhe “Prisig” nderohen nga Oda Ekonomike

    “Model Slovenia” dhe “Prisig” nderohen nga Oda Ekonomike

    Oda Ekonomike e Kosovës edhe këtë vit ka ndarë shpërblime e mirënjohje për tatimpaguesit më të mirë për bizneset kosovare.

    Më mesin e 400 bizneseve, ndërmarrja ndërtimore Model Slovenia fitoi shpërblimin si tatimpaguesi më i mirë i vitit në Kosovë. Ky shpërblim kompanisë iu nda nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

    E hapur në vitin 2008, sot, Model Slovenia numëron mbi 100 objekte banesore dhe është lider në tregun e Kosovës për ofrimin e hapësirave të përshtatshme për banim dhe për afarizëm.

    Misioni i Model Slovenisë është që t’iu ofrojë qytetarëve të Kosovës dhe më gjerë, ambient të ngrohtë për jetë të rehatshme familjare, të një standardi ndërkombëtar dhe me çmime të arsyeshme.

    Përveç ndërmarrjes Model Slovenia, mirënjohje për tatimpaguesin e vitit mori edhe kompania e sigurimeve Prisig, madje për të dytin vit radhazi.

    Me liberalizimin e vizave që për kosovarët vlen nga 1 janari i vitit të ardhshëm, PRISIG qëndron si zgjedhja kryesore për sigurimin e udhëtimit në Zonën Shengen, duke ofruar mbulim gjithëpërfshirës të udhëtimit.

    Në mesin e shumë kompanive kosovare që u nderuan këtë vit nga Oda Ekonomike, Model Slovenia e Prisig u nderuan për të disatën herë. /atvlive.tv

  • ​Kurti merr pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gratë e arta të Kosovës

    ​Kurti merr pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gratë e arta të Kosovës

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për gratë e arta të Kosovës, ngjarje kjo e organizuar nga kabineti i zëvendëskryeministres Rexhepi dhe NGO “Lady”.

    Në fjalën e tij, Kurti tha se po nderojmë gra të jashtëzakonshme për përkushtimin e tyre të palëkundur, për të kremtuar arritjet dhe kontributin e 63 grave të shquara në fusha të ndryshme, nga komunitetet tona.

    Duke theksuar mbështetjen e Qeverisë, kryeministri theksoi se për vajzat studente kemi ndarë mbi 4600 bursa në fushat STEM- Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, e cila ka bërë që pjesëmarrja e vajzave në këto fusha, të arrijë në 50% në Kosovë, ndërkohë që mesatarja në vendet e Bashkimit Evropian është 17%.

    Ai përmendi edhe shtesat për fëmijë dhe nënat e reja lehona, duke thënë se deri më tani, kanë përfituar mbi 387 mijë fëmijë dhe 50 mijë nëna të reja.

    Ai përmendi dhe skemën “Qeveria për Familjet” dhe veçorinë e re të shtuar, që ka cak punësimin e të mbijetuarave të dhunës në familje, thuhet në njoftim.

    Në përfundim, ai fuqizoi mesazhin se arritjet e grave janë një dëshmi e fuqisë së unitetit dhe potencialit të jashtëzakonshëm dhe se vlerësimi i merituar për këto arritje, duhet të na shërbejnë si kujtesë për atë që mund të arrijmë së bashku.

    “Le të vazhdojmë të mbështesim njëri-tjetrin, sepse së bashku do të krijojmë një të ardhme më të drejtë për të gjithë. Historitë e juaja do të vazhdojnë të na frymëzojnë, për lartësi të reja në rrugën e barazisë dhe të progresit”, është shprehur Kurti në fjalimin e tij.

  • Mbi 100 të lënduar nga përplasja e trenave në Pekin

    Mbi 100 të lënduar nga përplasja e trenave në Pekin

    Dy trena u përplasën në një metro në kryeqytetin kinez, Pekin, gjatë motit të lig si pasojë e borës së madhe, duke shkaktuar lëndimin e qindra personave, thanë autoritetet kineze të premten.

    Rreth 500 njerëz u dërguan në spital, përfshirë 102 me thyerje eshtrash, sipas zyrtarëve.

    Aksidenti ndodhi të enjten në mbrëmje në perëndim të Pekinit, në një metro nëntokësore.

    Binarët e rrëshqitshëm e shtynë një tren të frenojë në mënyrë automatike. Një tren tjetër që po vinte pas tij nuk qe në gjendje të frenojë me kohë dhe si pasojë u përplas me të, thanë zyrtarët e transportit të Pekinit të premten.

    Policia, emergjenca dhe autoritetet e transportin shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ia dolën t’i evakuojnë të gjithë udhëtarët deri në orën 23:00 të enjten, sipas zyrtarëve.

    Njëzet e pesë udhëtarë mbesin nën vëzhgim, ndërsa 67 mbetën të shtrirë në spital të premten në mëngjes, thanë autoritetet.

    Bora e madhe, që filloi të bjerë të mërkurën, ka shkaktuar pezullimin e udhëtimeve me disa trena dhe mbylljen e shkollave.

    Autoritetet alarmuan për rrugë me ngrica, të ftohtë ekstrem dhe reshje bore. Temperaturat pritet të bien në minues 11 gradë të premten natën.

    Nuk është raportuar për viktima nga stuhitë dimërore që e kanë goditur një pjesë të madhe të Kinës veriore. Dimrat në Pekin janë zakonisht shumë të ftohtë, por rrallëherë me reshje të mëdha bore./REL

  • A po mendon për dorëheqje? Flet Xavi

    A po mendon për dorëheqje? Flet Xavi

    Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka folur për të ardhmen e tij te kampioni i La Ligas.

    Barcelona momentalisht gjendet në pozitën e katërt në La Liga, ku ndeshjen e fundit e humbi kundër Gironas, kështu edhe duke e humbur hapin për ta marrë kreun e tabelës, raporton KosovaPress.

    Ka pasur spekulime se pozita e Xavit te Barcelona mund të jetë në rrezik, dhe se ai po e mendon dorëheqjen, por këtyre zërave iu është përgjigjur tani Xavi.

    “Nuk po e mendoj dorëheqjen. Jam mirë, shumë i emocionuar që ne do të kemi një sezon fantastik. Besoj më shumë se kurrë në projektin dhe lojtarët. Kam një lidhje të shkëlqyer me presidentin, me Decon dhe me Yusten”, tha Xavi.

  • Krasniqi në Mitrovicë: Komunat që udhëhiqen nga PDK-ja, kampione të qeverisjes së mirë

    Krasniqi në Mitrovicë: Komunat që udhëhiqen nga PDK-ja, kampione të qeverisjes së mirë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar Komunën e Mitrovicës, ku së bashku me Kryetarin Bedri Hamza, kanë ndjekur nga afër punimet e rëndësishme infrastrukturore që po zhvillohen në këtë komunë.

    Krasniqi tha se Komuna e Mitrovicës dhe komunat tjera që udhëhiqen nga kryetarët që janë nga radhët e PDK-së, janë shembull i rikthimit të politikës në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim, thuhet në komunikatë.

    “Unë jam krenar si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që kryetarët e komunave që udhëhiqen nga PDK-ja siç është rasti i Bedri Hamzës, janë modeli më i mirë i qeverisjes, janë kampionet zyrtarë të Kosovës në qeverisjen e mirë, në transparencë buxhetore financiare, në realizim të projekteve, në realizimin e projekteve kapitale edhe në përmirësimin e dukshëm jo vetëm të infrastrukturës që tashmë është evidente po edhe në ofrimin e shërbimeve shumë më efikase edhe ndihmës për të gjitha kategoritë e shoqërisë”, theksoi Krasniqi.

    Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza tha se Qeveria Kurti përgjatë mandatit të saj nuk ka mbështetur realizimin e asnjë projekti në këtë komunë.

    “Katër vjet qeverisje, një shirit të një projekti kapital në Mitrovicë mos me e pre si rezultat i financimit të nivelit qendror, nuk është mirë”, shtoi Hamza.

    Gjatë vizitës së tij në Komunën e Mitrovicës, Krasniqi përcolli nga afër punimet për ndërtimin e Ambulantës së Mjekësisë Familjare në Koshtovë, ato në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në lagjen Shipol dhe në rrugën “Mbretëresha Teutë”, hapësirën ku po ndërtohet shëtitorja që lidh shëtitoren e qytetit dhe shëtitoren e Liqenit Akumulues, si dhe punimet e Ballkonit Panoramik të qytetit.

  • ​Kurti: Mosnjohja e integritetit territorial të Kosovës nga Serbia paraqet kërcënim të hapur për ne

    ​Kurti: Mosnjohja e integritetit territorial të Kosovës nga Serbia paraqet kërcënim të hapur për ne

    Kryeministri Albin Kurti, priti sot në takim përfaqësuesin e Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, me të cilin bisedoi për punën e qeverisjes, situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë.

    Kurti shprehu falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Norvegjisë për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në organizatat euro-atlantike.
    Ai tha se luftimi i korrupsionit është përkthyer në zhvillim ekonomik dhe përparim demokratik të vendit, duke u bërë kështu kampione e demokracisë në rajon. Pasi prezantoi strategjinë 2022-2030 në fushën e energjisë, Kurti ftoi për investime të Norvegjisë në Kosovë, të cilat do të forcojnë më shumë marrëdhëniet bilaterale.

    Në takim u bisedua edhe mbi situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me ç ‘rast kryeministri Kurti theksoi se pas sulmit terrorist e paramilitar, të inspiruar, përgatitur e sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë.

    Ndërkaq, për sa i takon dialogut, Kurti vijoi duke i dhënë theks rëndësisë, që marrëveshja e arritur këtë vit në Bruksel dhe Aneksi në Ohër të nënshkruhet, pranohet, respektohet dhe zbatohet nga Serbia në tërësi, sidomos pas deklarimit të hapur tash së fundmi nga Serbia për mosrespektim të tyre e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Kosovës, që paraqet kërcënim të hapur për ne.

  • Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Administratës paralajmëron protestë para Komunës së Prishtinës

    Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Administratës paralajmëron protestë para Komunës së Prishtinës

    Shoqata e Shërbyesve Civilë të Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar protestë.

    Sipas tyre protesta do të mbahet me datë 19 të këtij muaji prej orës 10.

    Ata kanë parashtruar disa kërkesa e që deri më tani nuk janë përfillur nga Komuna e Prishtinës, kurse disa prej kërkesave janë:

    Nxjerrjen – Hartimin e Rregullores për Sistematizimin e Vendeve të Punës në administratën komunale,

    Zbatimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës,

    Zbatimin, ekzekutimin e akteve te Kuvendit te Komunës se Prishtinës, (vendimet për financimin e shujtave ditore për zyrtarë publik të Komunës së Prishtinës) nga Kryetari i Komunës se Prishtinës,

    Sigurimin e kushteve më të mira në punë për zyrtarët publik për të punuar dhe vepruar sipas detyrës zyrtare (ndalimin e ndikimit në punë, detyrë zyrtare të stafit të pranuar si konsulent, ekspertë etj.) e kërkesa te tjera.

    Në njoftim thuhet se protesta do të mbahet para objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës.