ATV

Blog

  • Kërkohej nga Interpoli, shtetasi serb arrestohet në Prishtinë

    Kërkohej nga Interpoli, shtetasi serb arrestohet në Prishtinë

    Një shtetas serb është arrestuar dje në Prishtinë.

    Policia bëri të ditur se i njëjti kishte urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli.

    “Prishtinë 15.12.2023-10:20. Në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të Interpolit është arrestuar i kërkuari mashkull shtetas i Serbisë”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes.

  • Mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Një mijë e 596 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë.

    Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 21 aksidente me të lënduar dhe 33 me dëme materiale.

    Ndërkaq,  në  24 orët e fundit, janë arrestuar 11 persona dhe shtatë janë dërguar në mbajtje.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të shtunën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohëpaskohe me reshje shiu dhe bore.

    Sipas institut, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-1 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-7m/s. Të dielën do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -4 deri -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet  1-3 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit”, thuhet në njoftim.

  • Mehmeti: Rritja e normës së interesit, alternativa e vetme për ta kontrolluar inflacionin

    Mehmeti: Rritja e normës së interesit, alternativa e vetme për ta kontrolluar inflacionin

    Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se rritja e normës së interesit është alternativa e vetme për ta ulur normën e inflacionit në vend. Sipas tij, kreditë në vend duhet të rriten por që kërkon kujdes sidomos në sektorë që konsdierohen me rrisk më të vogël, raporton Ekonomia Online.

    Krahas remitencave, sektorin bankar Mehmeti e konsideron si kryesorin për zhvillimin ekonomik. Thotë se aktualisht në Kosovë ka stabilitet financiar dhe se bankat duhet të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

    Ndonëse është pro rritjes së kredive, Mehmeti kërkon kujdes të shtuar e sidomos te sektorët që konsiderohen me rrisk më të vogël, siç është ndërtimi, teksa citon edhe Raportin e Progresit që kërkon kujdes të shtuar ndaj këtij sektori.

    “Realisht, kreditë janë përcaktues të zhvillimit ekonomik në vend. Një pjesë e konsumit financohet përpos remitencave edhe prej kredive konsumuese dhe konsumi është një prej atyre indikatorëve që e ka ndiku pozitivisht rritjen ekonomike në vend, gjithashtu edhe është në mbështetje të bizneseve duke pasur parasysh që sektori privat është bartës i zhvillimit ekonomik të vendit dhe një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm e jep edhe sektori bankar”, thotë Mehmeti.

    “Banka Qendrore sa kam qenë unë Guvernator edhe tani objektivi primar i kësaj është stabiliteti financiar dhe gjithmonë kam kërkuar që bankat të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Me këtë desha të jap mesazhin se jam pro rritjes së kredive por një rritje e kujdesshme dhe e shëndetshme nëpër sektorë të cilët kanë rrisk më të vogël. Këtë çka kisha kërkuar unë. Është mirë që sektori bankar, është mirë që bizneset dhe ekonomitë familjare, të gjithë që konsumojnë produkte financiare në këtë rast kredi, ta bëjnë një analizë vetës për të parë se sa janë të aftë për t’i konsumuar këto kredi. Edhe në Raportin e Komisionit Evropian, rekomandon që duhet të kenë kujdes ose monitorim nga afër për disa sektorë të cilët konsiderohen si sektorë me rrisk e që këtë rast është ndërtimi”, thotë tutje Mehmeti.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Mehmeti është shprehur i bindur se do të ketë edhe më tutje rritje të normës së interesit. Kjo thotë do të varet shumë nga kërkesa e FMN-së ndaj Bankës Qendrore Evropiane.

    “Norma e interesit është rritë, aktualisht norma efektive e interesit në Kosovë është rreth 6.6 për qind nga 5.8 për qind sa ka qenë. Pritet të ketë edhe rritje të mëtutjeshëm të normës së interesit nëse e kemi kërkesën e Fondit Monetar Ndërkombëtarë në adresë të Bankës Qendrore Evropiane që duhet të vazhdojë me rritjen e normave të interesit deri në gjysmën e vitit 2024 për ta kontrolluar inflacionin”, u shpreh Mehmeti, teksa rritjen e normës së interesit e sheh alternativë të vetme për ta kontrolluar inflacionin.

    Sipas Mehmetit, nëse Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon me kërkesë të njëjtë, atëherë edhe në Kosovë do të ketë rritje të mëtutjeshme të normës së interesit në kredi.

    “Veprimet që i merr Banka Qendrore Evropiane janë alternativat e vetme të cilat i kanë në dispozicion për ta kontrolluar inflacionin. Për mua ka qenë i pritshëm rritja e inflacionin për arsye se të shumë faktorëve, në rend të parë kishim një ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe më pastaj rritje të kërkesave pas pandemisë dhe kjo natyrshëm e ndikon rritjen e inflacionit por tash masat që janë ndërmarrë, prej zero për qind sa kanë qenë norma interesit ka shkuar në 3.5 për qind në mars të vitit 2023 dhe kjo me automatizëm i ndikon kreditë e reja dhe kreditë aktive të cilat në referencën e tyre i referohen Euroborit dhe kjo nëse vazhdon rritja e normës së interesit dhe Banka Qendrore Evropiane merr parasysh rekomandimet e FMN-së, me siguri që do të kemi rritje edhe mëtutjeshëm të normës së interesit në kredi”, thotë Mehmeti.

  • Holanda do të legalizojë përdorimin e kanabisit

    Holanda do të legalizojë përdorimin e kanabisit

    Holanda ka nisur procesin e ligjërimit të përdorimit të kanabisit, i cili do të lejojë prodhimin, furnizimin, pirjen e ligjshme si dhe synon uljen e përfshirjes së bandave kriminale në këtë aktivitet.

    Përdoruesit e kanabisit në dy qytete holandeze mund të pinë duhan në mënyrë të ligjshme për herë të parë pasi autoritetet do të bëjnë një provë që do të zgjeronte tolerancën e vendit ndaj marihuanës në ligjshmëri të plotë.

    Ministri i Shëndetësisë Ernst Kuipers e konsideroi një moment historik ndërsa kaloi në skaner kutinë e parë të kanabisit legal në kafenenë Baron në qytetin jugor të Bredës. Prodhimi do të kufizohet në një pjesë të vogël të fermave, kanabisi i të cilave do të monitorohet nga afër përpara se të dërgohet në kafene.

    Konsumatorëve do tu garantohej një produkt me cilësi të lartë, ndërsa më parë ishte e pamundur të dihej se nga vinte kanabisi ose nëse ishte ndryshuar. Niveli i THC dhe CBD, përbërësit aktivë të kanabisit, do të matej, kështu që përdoruesit do të jenë ne dijeni të forcës së tij.

  • Haradinaj: “Qeveria e shpresës” e futi vendin në varfëri e zhgënjim të thellë

    Haradinaj: “Qeveria e shpresës” e futi vendin në varfëri e zhgënjim të thellë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka qëndruar në Junik në vazhdën e takimeve të grupit koordinues të degëve të AAK-së të rajonit perëndimor të vendit.

    Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend.

    “Në Junik, në takimin e radhës së grupit koordinues të degëve të rajonit perëndimor të vendit zhvilluam një diskutim përmbajtësor për zhvillimet politike, aspektet organizative dhe punët që na presin në vitin 2024”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se AAK asnjëherë nuk ka qenë më e fortë si në aspektin organizativ ashtu edhe në pozicionin e vet politik.

    “Ishte konkluzion i përbashkët që Aleanca kurrë nuk ka qenë më e fortë, si në aspektin organizativ e po ashtu në pozicionin e vet politik, duke qenë të vendosur për t’i dhënë fund kësaj qeverie humbëse e cila ishte vetëshpallur qeveri e shpresës, por vetëm shpresë nuk i dha këtij vendi! Kjo qeveri tradhtoi besimin e secilit qytetar, pasi e solli të kundërtën e asaj që ka premtuar, duke e futur vendin në varfëri e qytetarët në zhgënjim të thellë. Është koha për t’i dalë zot vendit!”, është shprehur Haradinaj.

  • Përmbytet fshati Miradi e Epërme në Fushë Kosovë

    Përmbytet fshati Miradi e Epërme në Fushë Kosovë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Reshjet e shiut gjatë së enjtes përmbytën Fshatin Miradi e Epërme. Nën ujë mbeten shtëpitë e nëntë familjeve të cilat jetojnë në rrugën Lumi.

    “Komplet deri te dera ka ardhur uji, si t’ka reshje të mëdha, na jemi t’bllokum, as me kerr nuk mundemi me dal, pe shihni edhe vetë, dëme përgjatë shtëpisë, rrugë, ara…”, tha Xhavit Syla, banor.

    Bllokimi i rrugëve nga rrebeshi i shiut bën që edhe banorët të ngujohen brenda.

    “Sa herë ka reshje të tilla, fëmijët e kësaj lagjeje zor që mund të shkojnë në shkollë, njashtu edhe sot…”, tha Syla.

    I vetmi kontribut nga Komuna e Fushë-Kosovës ishte hedhja e dy kamionëve zhavorr në pjesët e cekëta muaj më parë, por sipas banorëve, nuk kreu punë.

    “Kanë qenë njëherë nuk e di çfarë kanë bërë këtu, diçka me një kompani me zall diçka, por asgjë, përsëri e njëjta situatë”, tha Selatin Syla, banor.

    Duke treguar se nuk është hera e parë që Fushë-Kosova përballet me përmbytje të tilla, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje kërkon më shumë angazhim nga Komuna.

    “Ne po e shohim situatën si po rrjedh, secila lagje, rrugë është më keq se tjetra, ndërkaq Komuna nuk e monitoron situatën asnjëherë, problemi qëndron edhe te ujërat e zeza”, tha asamblisti i LV-së, Durim Hajra.

    Përveç Fushë-Kosovës, telashe me përmbytje pati edhe në të dy anët e magjistrales Prishtinë-Ferizaj, e cila deri në mëngjesin e së premtes ishte e paqarkullueshme. Madje, në të dy komunat pati edhe ndërprerje të ujit të pijshëm, si pasojë e turbullimeve.

  • PDK-ja e ashpër me qeverinë për ndarjet buxhetore

    PDK-ja e ashpër me qeverinë për ndarjet buxhetore

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Ministri i Financave i Qeverisë nën hije të PDK-së, Arben Mustafa, assesi të pajtohet me buxhetin e miratuar nga qeveria për vitin 2024.

    Teksa adresoi një sërë kritikash kundrejt qeverisë, ai tha se me këtë buxhet nuk mund të ketë zhvillim ekonomik e as përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

    Sipas tij, Qeveria po eksperimenton me paranë publike, teksa shtoi se pjesa më e madhe e buxhetit është ndarë për projektet që është dashur të përfundonin deri në këtë kohë.

    Me gjithë këto, Mustafa druan se deri në fund të 2024-tës do të mund të realizohet buxheti i paraparë prej 3.3 miliardë, të cilin gjithashtu e quajti buxhet të varfër.

  • Mirëpritet ligji i ri për shërbimet sociale dhe familjare

    Mirëpritet ligji i ri për shërbimet sociale dhe familjare

    Zhvillimi i shërbimeve me bazë në komunitet, konkretisht zhvillimi i strehimit familjar pas arritjes së moshës 18-vjeçare, është një ndër pikat e reja të Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.

    Pas miratimit të Ligjit të ri, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka kërkuar që të merren veprime për implementim efikas të tij.

    Duke thënë se pritet të ngrihet cilësia e ofruesve të shërbimeve sociale, Remzie Krasniqi, nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, tha se me Ligjin e Ri, fëmijët e kësaj kategorie kanë më shumë mbështetje.

    Po ashtu, sipas Ligjit të Ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, parashihet ndarje e përgjegjësive të institucioneve të nivelit qendror dhe komunal, për të shmangur paqartësitë rreth themelimit të shërbimeve sociale, menaxhimit, monitorimit dhe inspektimit.

    Ky Ligj është aprovuar të enjten nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. /atvlive.tv

  • Letra e Serbisë, BE: Marrëveshja dhe shtojca, ligjërisht obliguese në tërësi

    Letra e Serbisë, BE: Marrëveshja dhe shtojca, ligjërisht obliguese në tërësi

    Raporti: Fatlum Jashari

    Zbatimi në tërësi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës Zbatuese të Ohrit, sipas Bashkimit Evropian, është detyrim ligjor për Kosovën dhe Serbinë.
    Bazë për këtë është neni 11 i Konventës së Vjenës për Traktatet.

    Qartësimi i qëndrimit të BE-së u bë një ditë pas letrës, në të cilën Serbia theksoi se ujditë e 27 Shkurtit dhe 18 Marsit janë të pranueshme vetëm në kontekstin që përjashton çfarëdo lloj njohje të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB.

    “Bashkimi Evropian rithekson se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj është pjesë integrale e rrugës së tyre respektive evropiane. Marrëveshja me shtojcën e saj zbatuese u bë e detyrueshme nëpërmjet deklaratës së shkruar të Përfaqësuesit të Lartë, më 18 Mars 2023”, tha zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

    Pasi letrën e cilësoi goditje për perëndimin, profesori Dritëro Arifi tha se Serbisë iu bë e qartë se pa zbatim nuk mund të integrohet në Bashkimin Evropian.

    “Në njëfarë mënyre ka dalë kundër çfarëdo marrëveshjeje që ka nënshkruar apo që në të ardhmen e afërt çfarëdo që ndodh me këto marrëveshje. Kjo nënkupton një flakaresh i madh për BE-në, por edhe për SHBA-në, që Serbia nuk është e gatshme t’i normalizojë marrëdhëniet me Republikën e Kosovës. Në anën tjetër, BE-ja ka pasur një përgjigje shumë të saktë, të prerë për herë të parë, jo shumë me terma diplomatikë, por ka kërkuar në mënyrë eksplicite që marrëveshja të zbatohet në tërësi nga të dyja palët”, tha Arifi.

    Përkundër rreziqeve eventuale, në këto rrethana, ai vlerësoi se Kosova duhet të bëjë marrëveshje me BE-në për zbatim të njëanshëm të obligimeve të saja, në këmbim të integrimit euro-atlantik.

    “Duhet kuptuar që pesë vendet e BE-së janë edhe katër vendet e NATO-s, që nëse e kemi një pëlqim nga ato vende dhe, po themi, një konfirmim që rruga jonë do të jetë drejt BE-së dhe NATO-s, atëherë nuk shoh pengesa të zbatimit të kësaj marrëveshje, sepse përfitimi i Kosovës si shtet në marrëdhëniet ndërkombëtare do të jetë shumë më i madh sesa marrëveshja, të cilën Kosova është e obliguar ta zbatojë”, tha Arifi.

    Në konkluzionet e miratuara më 12 Dhjetor, Këshilli për Çështje të Përgjithshme kërkoi nga Komisioni dhe Përfaqësuesi i Lartë që të propozojnë shtimin e zbatimit e Marrëveshjes dhe Shtojcës, në Kapitullin 35 në rrugën integruese të Serbisë.