ATV

Blog

  • ​Tentim vrasje në Fushë Kosovë, i dyshuari ndodhet në arrati

    ​Tentim vrasje në Fushë Kosovë, i dyshuari ndodhet në arrati

    Një person pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht me armë të ftohtë (thikë) dy viktimat vëllezër meshkuj kosovarë.

    Rasti ka ndodhur mbrëmë në Fushë Kosovë, ku viktimat janë dërguar në QKUK, për trajtim, ku njëri është ndalur për trajtim të mëtutjeshëm, ndërsa tjetri është liruar në shtëpi.

    I dyshuari ndodhet në arrati.

  • ​Kjo është skuadra me mbrojtjen më të mirë në Evropë

    ​Kjo është skuadra me mbrojtjen më të mirë në Evropë

    Asnjë ekip në asnjë nga pesë kampionatet më të mira të Evropës nuk ka pranuar më pak gola se Interi deri më tani në sezonin 2032-24, dhe asnjë tjetër portier në ato liga ka mbajtur më shumë portën e paprekur sesa nënshkrimi i verës së “Nerazzurrëve”, Yann Sommer.

    Në Serie A, Interi ka shënuar vetëm shtatë gola nga 16 ndeshje. Kjo shifër është më pak se gjysma e numrit të golave të pësuar nga liderët e Premier League, Arsenali.

    Në Francë, ndërkohë, Nice e Francesco Fariolit ka pranuar më pak gola në Ligue 1, gjithsejtë nëntë, ndërsa Bayer Leverkusen në Bundesligë dhe Real Madrid i Carlo Ancelottit në LaLiga kanë pranuar nga12 gola deri më tani këtë sezon, përcjellë KosovaPress.

    Për krahasim brenda Italisë, Napoli kishte pranuar 13 gola nga 16 ndeshjet e para të sezonit të Serisë A.

    Interi dhe portieri Yann Sommer kanë mbajtur gjithashtu portën të paprekur më shumti herë në pesë kampionate më të mira të Evropës në sezonin 2023-24 në 11 nga 16 ndeshje.

  • Ja si është vjedhur kupa botërore

    Ja si është vjedhur kupa botërore

    Kupa botërore e FIFA-s, Juless Rimet, më 19 dhjetor të vitit 1983, vidhet në Brazil.

    Në vitin 1970, ekipi brazilian fitoi kupën për herë të tretë, duke u lejuar për ta mbajtur përgjithmonë kupën origjinale prej ari, siç ishte përcaktuar nga kryetari i parë i FIFA-s, Jules Rimet, në vitin 1929.

    Kupa mbahej e ekspozuar në selinë e Konfederatës braziliane të Futbollit në Rio de Janeiro në një kabinet me xham rezistent ndaj plumbit.

    Më 19 dhjetor 1983, pjesa e pasme prej druri e kabinetit u ça me një levë dhe kupa u vodh.

    Katër persona u dënuan në mungesë për krimin. Kupa nuk është gjetur, ndërsa besohet se është shkrirë, duke u kthyer në shufra ose pllaka ari.

  • ​Gjermania i quan të papranueshme keqpërdorimet e zgjedhjeve në Serbi

    ​Gjermania i quan të papranueshme keqpërdorimet e zgjedhjeve në Serbi

    Gjermania ka reaguar për procesin zgjedhor të së dielës në Serbi.

    Ministria e Jashtme e këtij vendi i quan të papranueshme keqpërdorimin e burimeve publike dhe frikësimin e votuesve, dhe blerjen e votave.

    “Kjo është e papranueshme për një vend me status kandidat në BE”, thuhet në reagimin e MPJ-së gjermane.

    E anulimin e zgjedhjeve në Serbi e kërkoi opozita serbe.

    KosovaPress, të dielën ka raportuar se gjatë procesit zgjedhor në Serbi ka pasur shkelje të ndryshme.

    Ndryshe, Serbia të dielën i mbajti dy palë zgjedhjesh, qendrore dhe lokal. Sipas rezultateve preliminare, fituese ka dalë lista e kryesuar nga presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

  • Punime në rrjet, në këto vende do të ketë sot ndërprerje të rrymës

    Punime në rrjet, në këto vende do të ketë sot ndërprerje të rrymës

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njofton se sot do të kryhen punime në projekte investive dhe punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat në disa zona do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari:

    Prishtinë

    Nga NS 110/10[kV] Prishtina 5 do të ndërprehet:

    NS 10/0.4[kV] TS Barileve te Xhamia me (kod: 13000002049)   nga ora 10:30 deri 15:30

    Vendet:  TS Barilevë te Xhamia.

    Arsyeja: ndërprerje për siguri, ndërrimi i shtyllave të tensionit të ulët, zëvendësimi i përçuesve me kabllon ABC.

    Vërejtje: Në NS 10/0.4 kV Barilevë te xhamia do të shkyçet vetëm ajo dalje 0.4 kV në të cilën punohet.

    Gjilan

    1.

    Nga TS 35/10 kV Gjilani III do të ndërprehet:

    Dalja 10kV  Industriali (kodi: 60062004) prej orës 10:45 deri në ora 15:30

    Vendet: Rr.Bujanovcit:TS-54-MB Gzimi,TS-55-Ahmeti,TS-56-MB-Agro-Hemerci,TS-64-TS-Privat-Xhevat Bunjaku,TS-101-Tafa Petroll-TS-102-Pro.Eng.Com.TS.104-Remi Petroll.-TS.105-Kosova.Comerc.{Xhelali}.TS.107-Evropa.TS-123.Mb.Progresi.TS-143-TS.Muja.1-Bunari.TS-145-TS-Alushi.TS-146-TS-Kroni.

    Arsyeja: Ndërprerje për shkak të sigurisë- demontimi i shtyllave të tensionit të lartë dhe kyçja e rrjetit nëntokësor prej  rr. Shillovës deri te Bunari i Perlepnicës.

  • Arbnor Morina: Zhdrella e ka kthjellur Llapin, bashkë me Batatinën dyshe e mirë

    Arbnor Morina: Zhdrella e ka kthjellur Llapin, bashkë me Batatinën dyshe e mirë

    Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ Arbnor Morina, ka lavdëruar punën të cilën po bën drejtori Mentor Zhdrella te Llapi.

    Sipas Morinës, emërimi i Mentor Zhdrellës në pozitën e drejtorit të klubi i Llapit e ka kthjellur klubin.

    Morina ka deklaruar se Zhdrella dhe Batatina janë bërë një dyshe e mirë e cila po sjell rezultate pozitive.

    Emisionin ‘EKIPI A’ live mund ta ndiqni në linkun e më poshtëm.

  • Arsim Prepolli tregon pikat e dobëta që i ka Ballkani

    Arsim Prepolli tregon pikat e dobëta që i ka Ballkani

    Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ Arsim Prepolli ka folur për formën fantastike që po e kalon skuadra e Ballkanit.

    Sipas Prepollit, skuadra e Ballkanit është skuadër që të kënaq syrin kur luan futboll, megjithatë sipas tij pikë e vetme ndoshta e dobët e tyre janë ndërprerjet.

    Për më shumë ndiqeni emisionin live në linkun e më poshtëm.

  • Lipjan, objekti i QKMF së dhe urgjencës në gjendje të mjerueshme

    Lipjan, objekti i QKMF së dhe urgjencës në gjendje të mjerueshme

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në këtë hapësirë të ngushtë, me dyer e ulëse të shkatërruara, stafi mjekësor ofron shërbime për pacientët, të cilët i drejtohen Repartit të Urgjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.

    Në këto kushte do të vazhdojnë të punojnë edhe për të paktën dy vite, 233 punëtorët e Qendrës kryesore e Mjekësisë Familjare dhe të urgjencës në Lipjan. Kjo pasi Komuna tashmë ka nisur ndërtimin e objekteve të reja, të cilat nuk pritet të kryhen shpejt.

    “Kështu kanë qenë gjithmonë objektet, hapësirat e reja valla duhet me u bo se këtu ka frekuentim të pacientëve e kjo gjendje s’ka ndryshu tash e sa kohë. Amo stafi mjekësor është shumë i mirë”, tha Enver Rexhepi, mirëmbajtës.

    Për kushte të dobëta infrastrukturore ankohen edhe pacientët.

    “Për shkak të hapësirës së vogël ndodh që presim shumë edhe për një infuzion me marrë në urgjencë, oshtë plan i duhur ndërtimi i objekteve të reja”, thotë një pacient.

    Përpos objektit të Urgjencës, as në Qendrën e Mjekësinë Familjare, që gjendet fare pranë, gjendja nuk është më e mirë.

    “Jemi të stërngarkuar me shërbime mjekësore, brenda javës ofrojmë mbi 5000 shërbime përfshirë emergjencën. Na duhen objektet e reja si në QKMF, ashtu edhe në Emergjencë, sepse ngarkesa e bën të veten. Me objekte të reja do të ofrohen edhe shërbime më cilësore”, tha Dr. Mirëjeta Cakolli-Bajçinca, zv.drejtore e QKMF-së në Lipjan.

    Kryetari i Komunës së Lipjanit thotë se objektet e reja do të jenë gati në fillim të vitit 2025.

    “…… Së fundi kemi fillu punimet për objektin e ri të QKMF-së, bashkë me Urgjencë, por për shkak të disa procedurave të tenderit jemi vonuar me nisjen e punimeve. Në fillim të vitit 2025, pritet të realizohen punimet ndërkohë që gjatë vitit 2024 kemi me punu intesivisht. Është e domosdoshme me u ba objekt i ri sepse objekti i urgjencës është barakë ku merren shërbimet mjekësore”, tha kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.

    Tutje, ai tha se ndërtimi i këtyre dy objekteve do të kushtojë rreth 2 milionë euro, ndërsa objektet e vjetra do të rrënohen tërësisht.

  • Mbahet takimi i dytë i grupit koordinues për anëtarësim të Kosovës në KIE

    Mbahet takimi i dytë i grupit koordinues për anëtarësim të Kosovës në KIE

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Raporti i juristëve eminentë të Këshillit të Evropës nuk parasheh asnjë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. Kështu u tha në takimin e Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Jemi afër përmbylljes së 2/3 të rrugëtimit tonë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Raporti përfundimtar i juristëve eminentë, i cili tashmë është publikuar dhe i cili ka për qëllim që të trajtojë nëse sistemi ligjor i Kosovës është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës e konfirmoj një gjë të tillë. Duke theksuar që përveç së Kosova i plotëson standardet e Këshillit të Evropës, ajo në shumë çështje tejkalon edhe standarde ndërkombëtare. Kjo është fitorja e tretë gjatë këtij procesi të anëtarësimit, fitore e cila tregon që nuk ka asnjë arsye për ta kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.

    Se Kosova qëndron më mirë se shtetet anëtare të KiE-së, e thotë edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

    “Si vend mendoj që kemi dëshmuar mirë, duke filluar nga Kushtetuta dhe ligjet që i kemi në fuqi, qëndrojmë shumë më mirë se edhe plot vende anëtare në Këshillin e Evropës. Edhe gjatë diskutimit që bëhen brenda Asamblesë Parlamentare, shihet se ne qëndrojmë shumë më mirë si vend. Pas aplikimit, natyrisht se kemi qenë të angazhuar vazhdimisht, për të parë se si është disponimi, kështu që nuk ka asnjë dilemë të vetme për rëndësinë, por edhe që e shohin që doemos që Kosova duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës”, tha nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

    Derisa, Këshilltarja e Jashtme e Ministrisë së Punëve të jashtme dhe Diasporës, tha se, sipas këtij raporti, mosnjohja e Kosovës nga disa shtete, nuk e pengon anëtarësimin në KiE.

    “Raporti nuk parasheh asnjë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Raporti konfirmon se Kosova ka kontrolle efektive në gjithë territorin dhe popullatën e saj. Sipas raportit, Kosova po vlerësohet si shtet kandidat për anëtarësim dhe jo si vend”, tha Adelina Hasani, këshilltare e jashtme e MPJD-së.

    Në maj të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa në korrik të këtij viti u mbajt takimi i parë i grupit koordinues për Anëtarësimin e Kosovës në KiE.

  • Qeveria përjashton kategoritë e luftës nga subvencionimi i energjisë

    Qeveria përjashton kategoritë e luftës nga subvencionimi i energjisë

    Përgatiti: Driton Sadku

    Së paku 10 euro më shtrenjtë do ta paguajnë faturën e energjisë elektrike një pjesë e kategorive të dala nga lufta.

    Subvencionimin e rrymës që e gëzonin tash e sa vite, ua hoqi Qeveria, madje siç thonë pa asnjë paralajmërim.

    “Jemi subvencionu për një pjesë të faturës të energjisë elektrike dhe e kemi kuptu që ka nxjerrë një rregullore që na ka largu edhe pse është e përfshirë në ligj, dhe qeveritë e kaluara e kanë zbatu këtë vit ka marrë vendim edhe na ka lënë anash edhe kështu që nuk na ka njoftu as neve që ta njoftojmë anëtarësinë që të aplikojë si rast social”, tha Xhevdet Qeriqi nga OVL-UÇK.

    Subvencionimi i energjisë për këto kategori nga ana e Qeverisë bëhej në baza vjetore në KEDS.

    Kësisoj invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, viktimat e dhunës civile, nuk do të trajtohen si kategori të veçanta, por vetëm si qytetarë të thjeshtë.

    Qeveria thotë se të gjithë këta ish-përfitues kanë mundur të aplikojnë për të qenë pjesë e masës së re për Subvencionimin e Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme.

    “Me fillimin e masës së re për Subvencionimin e Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme është hapur thirrja për të gjitha familjet të cilat kanë të ardhura më pak se 150 euro në muaj për një anëtar, që të aplikojnë për të përfituar nga subvencionimi. Kjo masë e thekson se kategoritë të cilat kanë marrë më herët subvencion duhet të aplikojnë përmes thirrjes që hapet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Të gjitha familjet që janë përfitues të skemave sociale e pensionale, inkurajohen të aplikojnë. Përderisa familja ka më pak të ardhura mujore sesa pragu prej 150 eurosh/muaj për anëtar, atëherë ju kualifikoheni për subvencionim të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

    Ndërkaq, shoqata e invalidëve thotë se me këtë, automatikisht të gjitha kategoritë e luftës janë përjashtuar nga mundësia e përfitimit nga kjo masë.

    “Pensioni më i vogël i invalidit është 225 euro, automatikisht përjashtohemi, aty ka qenë si kriter të jenë nën 150 euro të ardhurat mujore”, tha kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhaj.

    Të drejtën për tarifë më të lirë të energjisë elektrike ua garanton edhe ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre në nenin 9 të tij.

    Andaj duke marrë parasysh këtë, shoqata e invalidëve thotë se po e shqyrton mundësinë që ta paditë Qeverinë për shkelje të ligjit.