ATV

Blog

  • Reforma në KPK, Komisioni i Venecias e hedh poshtë idenë për rritjen e numrit të anëtarëve

    Reforma në KPK, Komisioni i Venecias e hedh poshtë idenë për rritjen e numrit të anëtarëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Dy ditë pasi e prezantoi në Komisionin e Venecias, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, doli në një konferencë për media, ku tregoi se nuk e mori përkrahjen nga ky institucion rreth disa ndryshimeve në projektligjin për Këshillin Prokurorial.

    Ministria ka dështuar të bindë Komisionin rreth idesë për rritjen e numrit të anëtarëve të përkohshëm në 21, duke marrë rekomandim që përbërja e KPK-së të jetë me shtatë anëtarë.

    Komisioni i Venecias nuk e përkrahu rritjen e numrit të anëtarëve për disa arsye.

    Ndryshimet, ministrja Haxhiu tha se do t’i nisin qysh në muajin janar të vitit të ardhshëm.

    Ndër vërejtjet kryesore të shoqërisë civile rreth projektligjit ishte mosbalancimi mes anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë.

    Me përbërjen prej 21 anëtarëve dhe përzgjedhjen e disave prej tyre nga Kuvendi, sipas KDI-së, ekzistonte rreziku nga politizimi i KPK-së.

    Ministria e Drejtësisë hartoi një projektligj të ri për KPK-në, pasi ai paraprak i miratuar nga Kuvendi, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, e cila ndër të tjera kishte dhënë vërejtje për mosbalancimin mes anëtarëve dhe fuqisë vendimmarrëse nga anëtarët prokurorë.

  • Zgjedhjet në Serbi: Fitorja e partisë së Vuçiqit, në dëm të Kosovës dhe të rajonit

    Zgjedhjet në Serbi: Fitorja e partisë së Vuçiqit, në dëm të Kosovës dhe të rajonit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Brengosëse për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor vlerësohet fitorja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi e koalicionit të udhëhequr nga partia e Aleksandar Vuçiqit.

    Në këtë kontekst shihen pretendimet e hapura ndaj Kosovës, të shprehura nga presidenti i Serbisë, teksa shpalli fitoren e partisë së tij.

    Në rrethanat e reja, sipas profesorit Milazim Krasniqi, Vuçiqi do të vijojë me politikën agresive, duke ia bërë të vështirë Kosovës procesin e dialogut.

    “Fitorja e tij, pa dyshim, është dëshmi e kontinuitetit të politikës së tij nacionaliste dhe destabilizuese në drejtim të Kosovës. E dyta, me siguri që do të mbetet partner kredibil i BE-së dhe i Uashingtonit, për shkak të fuqisë reale që ka dhe rolit destabilizues që mund të ushtrojë drejt Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës. Dhe e treta, në dialog, ai do të jetë shumë i fuqishëm, ashtu që Qeveria jonë do të ketë përballë atë Vuçiqin e vjetër, por me një mandat të ri”, tha Krasniqi.

    Krahas konstatimit se Vuçiqi e përdori sulmin terrorist në Banjskë për efekt të brendshëm tek elementet nacionaliste dhe frikësim të perëndimit, profesori Krasniqi pret shtim presioni me synim autonominë.

    “Ai do t’i ruajë vijat e kuqe të Serbisë në raport me Kosovën, që nënkupton taktizime të shumta. Përdorimin e serbëve të Kosovës për lojërat e tij destabilizuese dhe për maksimalizimin e politikës në raport me Kosovën, për të marrë favore në proceset e integrimit të BE-së, për të ruajtur kursin pro-rus e kështu me radhë”, tha Krasniqi.

    Fitorja e Vuçiqit, sipas politologut Fidan Ukaj, nënkupton vazhdimin e politikës destruktive të Serbisë, e cila cenon të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit.

    “Është lajm i keq jo vetëm për procesion dialogues Kosovë-Serbi, por po ashtu edhe për rrugën evropiane të të gjithë rajonit dhe sigurinë nacionale e rajonale, për arsye se Vuçiqi e ka dëshmuar një gjë të tillë, duke rrezikuar sigurinë nacionale qoftë në Bosnjë e Malin e Zi, e po ashtu agresionin e fundit më 24 shtator në veri të Kosovës”, tha Ukaj.

    Rusia, përmes zëdhënësit të presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov, mirëpriti fitoren e partisë së Aleksandar Vuçiqit, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.

  • Zjarri kaploi shtëpinë e kulturës në Sllatinë, renovime në të s’pati që nga paslufta

    Zjarri kaploi shtëpinë e kulturës në Sllatinë, renovime në të s’pati që nga paslufta

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Si pasojë e zjarrit, interieri i Shtëpisë së Kulturës në Sllatinë, pothuajse është shkatërruar i gjithi.

    Ani pse në këtë objekt nuk mbaheshin shpesh organizime, për banorët e kësaj komune, Shtëpia e Kulturës ka rëndësi të madhe.

    “Kjo shtëpi kulture në fshatin tonë qe shumë vite është e lënë anash pavarësisht se këtu mbaheshin shfaqje kulturore, pra edhe e pamë, provoi edhe ta djegë dikush me themel…”, tha Labinot Shala, banor i Sllatinës.

    Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Durim Hajra, thotë se për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, kjo ndërtesë ishte jofunksionale.

    “Si shumë objekte që janë lënë në harresë është edhe kjo që u djeg dje. Ka 20 vite që nuk u investua asnjëherë në të, vërehet që kjo qeverisje nuk e ka prioritet kulturën dhe arsimin”, tha asamblisti i LV-së, Durim Hajra.

    E për mungesën e mirëmbajtjes, drejtori i kulturës në Fushë-Kosovë, Ali Topalli, fajin e hedh tek Agjencia Kosovare Për Privatizim.

    “Ai objekt ka qenë prej objekteve të vjetra, ne kur kemi tentuar të bëjmë renovime na kanë dalë probleme pronësore, sepse ajo është pronë e AKP-së dhe nuk na është lejuar të bëjmë një ndërhyrje të tillë”, tha drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Fushë Kosovë, Ali Topalli.

    Hetimet për shkaktarin e zjarrit janë duke vazhduar.

  • Federata e Xhudos mburret me organizimin e Evropianit të Hapur dhe me medaljet e Kosovës

    Federata e Xhudos mburret me organizimin e Evropianit të Hapur dhe me medaljet e Kosovës

    Federata e Xhudos së Kosovës e kaloi me sukses provimin më të madh ndonjëherë duke e organizuar për mrekulli Kampionatin Evropian të Hapur të xhudos.

    Yjet e xhudos kosovare fituan medalje në evenimentin që u mbajt në Pallatin e Sporteve në Prishtinë, respektivisht Akil Gjakova e fitoi të artën e Dardan Cena, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi të bronztën.

    E Federata e Xhudos sot e bëri një postim, përmes së cilit u shpreh e lumtur për organizimin e Evropianit dhe për sukseset e arritura nga xhudistët kosovarë.

  • Të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian trajnohen mbi luftimin e propagandës përmes Edukimit Medial

    Të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian trajnohen mbi luftimin e propagandës përmes Edukimit Medial

    27 të rinj të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, gjatë vikendit morën pjesë në trajnimin për edukim medial, i cili ka synim identifikimin dhe luftimin e dezinformimit dhe propagandës – projekt i mbështetur me grant nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për gazetën online Reporteri. Nga 27 pjesëmarrësit nga Lipjani dhe Fushë Kosova, rreth 40% ishin vajza.

    Të ndara në pesë module trajnimi, trajnerët ligjëruan në teori dhe në praktikë modulet për: mendimin kritik; identifikimin e burimeve të besueshme të informacionit; verifikimin e fakteve; etikën e mediave dhe sigurinë online.

    Trajnerët e këtyre moduleve ishin: Aurora Popova nga Debate Center; Erjonë Popova – profesioniste e medias; Selamir Qerimi, gazetar i T7; Bekim Kabashi nga Reporteri.net (gazetar dhe drejtor i mediumit); dhe Lavdim Hamidi nga Front Online (kryeredaktor i mediumit).

    “Duke qenë se vet jam pjesëtar i komunitetit Ashkali, e di shumë mirë që shumica prej tyre nuk është që kanë shumë informacione mbi atë së çka u servohet. Po mendoj që është shumë e rëndësishme që të rinjtë e komuniteve Rom, Ashakli dhe Egjiptin me u vetëdijesu dhe me pas sa më shumë trajnime të tilla”, u shpreh gazetari Selamir Qerimi pas trajnimit.

    Sikurse trajneri Qerimi për rëndësinë dhe nevojën e trajnimeve të tilla për të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, theksuan edhe vetë pjesëmarrësit në trajnim.

    “Ky ishte një lloj i trajnimeve që ka munguar tek të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Ne e kemi mirëpritë shumë, dhe shpresojmë që aktivitete dhe trajnime të tilla të vazhdojnë. Na ka ndihmu shumë ky trajnim që t’i identifikojmë lajmet e rrejshme”, tha Ardian Krasniqi, pjesëmarrës në trajnim.

    “Absolutisht pas këtij trajnimi mund ta identifikojë me lehtë se cili është një lajm i rremë apo i vertetë”, tha Besart Arifi pasi mori pjesë në trajnimin “Luftimi i propagandës përmes Edukimit Medial për Komunitetet Rom, Ashakli dhe Egjiptian.

    Trajnimi i parë mbi luftimin e propagandës përmes edukimit medial u organizua në Lipjan, me të rijnë pjesëmarrës nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian nga Lipjani dhe Fushë Kosova.

    Ky projekt financohet me grant nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për Gazetën Online Reporteri.net (R Media L.L.C), dhe implementohet në partneritet me median “Front Online” dhe Institutin për Hulumtime “iFront”.

    Trajnime të ngjashme do të organizohen edhe në katër komuna tjera.

    Gjatë këtij procesi, 6 nga kandidatët më të suksesshëm që dalin nëpërmjet një gare të hapur dhe transparente gjatë zhvillimit të trajnimeve në 5 rajone të ndryshme të Kosovës, do të përzgjidhen për të kryer punë praktike në mediat dhe organizatat partnere të projektit.

  • Kryeprokurori Stefanoviq për sulmin në Banjskë: Verifikimi i dëshmisë së Radoiçiqit dhe mbledhja e provave për armët, është në proces

    Kryeprokurori Stefanoviq për sulmin në Banjskë: Verifikimi i dëshmisë së Radoiçiqit dhe mbledhja e provave për armët, është në proces

    Po kontrollohet dëshmia e Milan Radoiçiqit, i cili ka pranuar se ka organizuar një grup të armatosur në fshatin Banjskë, si dhe po mblidhen prova në bashkëpunim me MPB-në dhe Drejtorinë doganore për të përcaktuar origjinën e armëve dhe kanaleve, përmes së cilës kanë arritur në Kosovë.

    Kështu ka thënë kryeprokurori publik Nenad Stefanoviq nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.

    Në një intervistë për Kurir, ai tha se “presioni as i publikut, as i komunitetit ndërkombëtar nuk duhet të ndikojë në rrjedhën e asnjë procedure, përfshirë edhe këtë që është në fazën e hetimit”.

    I pyetur se çfarë pret nga procedura kundër babait të djalit, i cili vrau nëntë nxënës dhe roje në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, dhe të tjerët të përfshirë në aktakuzën e 10 tetorit, Stefanoviq tha se Prokuroria në bashkëpunim me MPB-ja dhe BIA, siguruan prova të mjaftueshme për dënime.

    “Pres që palët e dëmtuara të marrin së paku një kënaqësi, përkatësisht që të pandehurit të dënohen në përputhje me ligjin me dënimet e propozuara në aktakuzë, sepse besoj se në këtë rast nuk ka rrethana lehtësuese”, tha Stefanoviq.

    Në një intervistë për Kurir, të cilën VJT e publikoi në faqen e saj të internetit, Stefanoviq tha gjithashtu se gjyqtarët dhe prokurorët publikë, si bartës të funksioneve publike, duhet të mbrojnë ligjin dhe reputacionin e gjyqësorit dhe të mos jenë instrument në duart e interesit dhe grupeve politike.

  • MKRS-ja ndan tri çmime për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”, vendin e parë e merr Astrit Kabashi

    MKRS-ja ndan tri çmime për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”, vendin e parë e merr Astrit Kabashi

    Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit (MKRS), në një ceremoni ka bërë ndarjen e çmimeve për dramë origjinale shqipe “Katarina Josipi”, raporton EO. Ndarjen e çmimeve e ka bërë ministri Hajrullah Çeku.

    Çmimi i parë për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”, i është ndarë dramës me titull: “Gërrdia”, e autorit Astrit Kabashi.

    Ndërsa cmimi i dytë për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”, i është ndarë dramës me titull: “Uellsi ka një Mbre”, e autorit autor Jeton Neziraj.

    Përderisa çmimin e tretë e morri drama me titull: “Marshi i hijeve të diellit”, e autorit Florent Kurtalani.

  • Scholz infektohet me Coronavirus

    Scholz infektohet me Coronavirus

    Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka njoftuar se është infektuar me koronavirus.

    Scholz këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në platformën X.

    “Kjo nuk është qartë një surprizë për të cilën jam i lumtur. Testet i im Covid-19 tregon dy rreshta”, tha politikani i SPD të hënën në mëngjes në X.

    Scholz ishte infektuar edhe më herët me koronavirus, në shtator të vitit të kaluar, teksa ishte izoluar në Kancelarinë e Berlinit në atë kohë.

    Sipas mediave gjermane këtë herë nuk dihet nëse Scholz aktualisht është i izoluar në zyrën e tij apo në apartamentin e tij në Potsdam.

  • Kusari-Lila arsyeton mungesën e deputetëve të VV-së: Komisioni Hetimor absurd, s’i dihet synimi

    Kusari-Lila arsyeton mungesën e deputetëve të VV-së: Komisioni Hetimor absurd, s’i dihet synimi

    Shefja e Grupit Parlamentarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, i tha Ekonomia Online, se Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, është duke bërë të kundërtën e asaj që kanë për qëllim Komisionet e tilla.

    Sipas saj, ky është Komision absurd të cilit nuk i dihet synimi, duke shtuar se VV-ja nuk ka për qëllim që ta ndaloj punën e këtij Komisioni me mospjesëmarrje pasi sipas saj, kjo parti vetë e ka votuar formimin. Ajo mungesën e deputetëve të VV-së në këtë Komision në dy mbledhjet e fundit e ka arsyetuar se mbledhjet po bëhen pa u marr parasysh punët e Komisioneve të tjera që janë caktuar më herët.

    Shefja e VV-së në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se formimi i këtij Komisioni është i kotë pasi për dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë filluar hetimet dhe janë arrestuar disa persona.

    “Ne si Grup Parlamentar e kemi votuar formimin e Komisionit në seancë, e natyrisht edhe kemi thënë që përkundrejt që besojmë që është e kotë për faktin se këtu ka një proces hetimorë. Komisionet Hetimore synimin e kanë që të nxjerrin në dritë diçka në raste se besojnë se ka bazë për hetimet penale të mëtutjeshme. Ky ka shkuar e kundërta, do të thotë ka shkuar qerrja para kalit që nuk mund të ndodh kështu. Qe tashmë vetëm kanë filluar hetimet, ka pasur edhe arrestime ndërsa është në dosje enorme materiale të Ministrisë, ato do t’i duhen edhe Komisionit Hetimor në të ardhmen e afërt, do të jenë në pronësi të Prokurorisë që nuk do ti ndaj me ta, për arsye se nuk ndan Prokuroria materiale të cilat i posedon ose të cilat i ka konfiskuar nga Ministria relevante për qëllim të hetimit penal”, tha ajo.

    Ajo tha se nuk e din se cili është synimi i deputetëve të opozitës sa i përket këtij Komisioni, sipas saj, ata po mundohen që të tregojnë që dinw ta bëjnë punë e hetuesit më mirë se vetë hetuesit. Prandaj sipas Kusari-Lilas, ky Komision në një farë forme tregon një qëllim negativ dhe degradim të punës se Kuvendit në raport me mandatin Kushtetues e legjislativ.

    “Në vetvete kjo është një Komision absurd i cili nuk e di se ku dëshirojnë me dalë ose çfarë është synimi apo dojnë me tregu disa prej deputetëve të opozitës që din me bw punë e hetuesit më mirë se vetë hetuesit. Apo kanë përvojën paraprake qoftë të policisë, qoftë të organeve të hetuesisë për të dëshmuar që nuk keni shkuar aq larg sa kërkoheni në këtë proces. Prandaj është tepër kompleks edhe është në një farë forme e tregon një qëllim negativ dhe degradim të punës se Kuvendit në raport me mandatin Kushtetues e legjislativ”, tha ajo.

    Shefja e GP të VV-së, duke iu përgjigjur komenteve të opozitës, tha se VV-ja nuk e ka qëllim që të kundërshtoj këtë Komision edhe pse ka dyshime që serioze se mund të nxjerrët diçka paralel me organet e hetuesisë. Ajo tha se deputet e VV-së nuk janë duke marr pjesë në mbledhjen e këtij Komisioni pasi mbledhjet e saja po behën pa u marr parasysh punët e Komisioneve të tjera.

    “Sido qoftë ne nuk kemi thënë se do të dështojmë punën e Komisionit, Komisioni vazhdon punën e vetë përkundër që kemi hezitime serioze apo dyshime serioze se mund të nxjerr diçka krahas ose paralel me organet e hetuesisë. Por që fatkeqësisht menaxhimi i takimeve të këtij Komisioni po behtë në çakordim apo pa u marr parasysh punët e Komisioneve të tjera. Përshëmbull javën e kaluar ne ishim në Komision për Ekonomi, diskutimi ende vazhdonte ishte vetë ministrja aty, deputetet e opozitës ngritën nga Komisioni, ne kishim kuorumin të vazhdojmë dhe vazhduam dy prej anëtareve të këtij komisioni ishin prezent në Komisioni për Ekonomi dhe natyrisht ata duhet që të jenë pjesë e Komisionit funksional dhe jo pjesë e komisionit Hetimor përderisa puna e Komisionit vazhdon”, tha ajo.

    Kusari-Lila tha se administrata dhe udhëheqësit e Komisionit Hetimor, që janë nga opozita, duhet që të kenë kujdes në momentin kur vendosin kohën për mbledhje, pasi ajo tha se në këtë mënyre pozita po vendoset në lajthitje dhe se primare për deputet e VV-së është agjenda legjislative, përgatitjen e ligjeve dhe miratimi i tyre, raporton EO.

    “E njëjta ka ndodhur sot, në të njëjtën kohë mbahet një Komision tjetër apo një grup punues i cili ka mbikëqyrje të një projektligji, takime të caktuara që prej javës së kaluar, prapë ka takim të Komisionit Hetimor në të njëjtën kohë. Prandaj duhet që të kemi shumë kujdes edhe administrata, por edhe udhëheqësit e komisionit hetimorë të dy nga opozita kur caktojnë takime të këtilla”.

    “Në mënyrë që mos të vihen në lajthitje pastaj edhe deputetet e opozitës se ne primare e kemi agjendën legjislative, përgatitjen e ligjeve, miratimin e tyre, gjë të cilën opozita nuk është duke bërë. Në një farë forme njëanshëm është duke funksionuar puna e Kuvendit veç me opozitën për çështjet të projektligjeve dhe Komisioneve funksionale, përderisa opozita dëshiron që të merret me hetime, letë vazhdojnë deri ku e qojnë nuk e di, por që për ne primarja është puna në Komisionet e përhershme dhe Komisionet funksionale”, tha ajo.

  • Grabitja te ‘ExCoins’, pronari jep detaje: Hajnat u futën me kallashë, morën 45-50 mijë euro

    Grabitja te ‘ExCoins’, pronari jep detaje: Hajnat u futën me kallashë, morën 45-50 mijë euro

    Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot në një këmbimore në lagjen Tophane në Prishtinë. Rasti ka ndodhur te njëra nga pikat e “ExCoins.me” në Prishtinë, ku dyshohet se hajnat kanë marrë një shumë të madhe parash.

    Lidhur me rastin, ka folur pronari i kompanisë, i cili tha se dyshohet se grabitja është kryer nga dy persona, të cilët janë futur në lokal me armë të gjata dhe kanë arritur të marrin 45-50 mijë euro.

    “Ka ndodhur një grabitje, dy persona kanë hyrë me kallashë edhe ju kanë bo presion punëtorëve. Shuma përafërsisht është diku nga 45 mijë deri në 50 mijë që janë marrë. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes.” – tha ai.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme për të zbuluar rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.

    “Sot rreth orës 10:00 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një këmbimore në lagjen Tophane në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se nën kërcënim të armës është grabitur një shumë parash. Policia në koordinim me prokurorinë po ndërmerr veprimet e nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit.” – ka njoftuar Policia