ATV

Blog

  • ​Aktakuzë për arkëtaren e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, përvetësoi afër 5 mijë euro

    ​Aktakuzë për arkëtaren e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, përvetësoi afër 5 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës F.G., nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

    Sipas aktakuzës, e pandehura si person zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së saj, në atë mënyrë që në cilësinë e Zyrtares financiare dhe të arkëtares, në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr Daut Mustafa”, në Prizren, prej periudhës kohore 28.06.2022 e deri me datë 12.08.2022 prej reparteve të Oftalmologjisë, Dializës dhe Emergjencës, në arkë ka inkasuar para në vlerë prej 36,143.38 euro, ndërsa në xhirollogarinë e Spitalit ka deponuar vetëm 31,385.00 euro dhe kësisoj ka përvetësuar shumën prej 4,758.38 euro dhe për shumën e njëjtë i ka shkaktuar dëm financiar Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, në Prizren.

    Sipas një komunikate, Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.

  • OKB: Më shumë se 1 ndër 4 vetë në Gazë vuajnë nga uria për shkak të luftës

    OKB: Më shumë se 1 ndër 4 vetë në Gazë vuajnë nga uria për shkak të luftës

    Një raport i OKB-së arrin në përfundimin se më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gaza vuajnë nga uria për shkak të ushqimit të pamjaftueshëm që nga shpërthimi i luftës më shumë se 10 javë më parë.

    Kryeekonomisti i Programit Botëror të Ushqimit Arif Husain tha se “është një situatë ku pothuajse të gjithë në Gazë vuajnë nga uria”. Ai paralajmëroi se nëse lufta midis Izraelit dhe Hamasit vazhdon në të njëjtat nivele dhe nuk rifillon dërgimi i ushqimit, popullsia mund të përballet me “një zi buke brenda gjashtë muajve të ardhshëm”.

    Nisma për Klasifikimin e Sigurisë Ushqimore (IPC) e mbështetur nga OKB-ja tha në një raport të enjten se luftimet, “përfshirë bombardimet, operacionet tokësore dhe rrethimin e gjithë popullsisë”, kanë shkaktuar “nivele katastrofike” të pasigurisë të mprehtë ushqimore.

    IPC tha se më shumë se 1 në 4 familje përballen me urinë e skajshme dhe ekziston rreziku i urisë nëse nuk rivendoset qasja tek ushqimi i nevojshëm, ujin i pastër, shërbimet shëndetësore dhe sanitare.

    Izraeli thotë se është në fazën përfundimtare të eliminimit të militantëve të Hamasit nga Gaza veriore, por se priten muaj të tërë luftimesh në jug.

    Ndërkohë luftimet u intensifikuan mes Hamasit dhe Izraelit të enjten me bombardime të rënda në Gazën veriore ndërsa avionë luftarakë goditën objektiva në pjesët qendrore dhe jugore të enklavës.

    Katër persona thuhet se u vranë në Gazën jugore në pikën kufitare të Rafahut me Egjiptin, sipas Hamasit.

    Ushtria izraelite tha se nuk kishte dijeni për incidentin.

    Dhjetë javë pas fillimit të luftës, Hamasi, një organizatë që SHBA e konsideron terroriste, tregoi se ka ende aftësinë për të lëshuar raketa ndaj Izraelit, ndërsa u dëgjuan sirena në Izraelin qendror.

    Forcat e Mbrojtjes të Izraelit postuan harta që tregonin alarme raketash nga Ashkeloni, në veri të Rripit të Gazës, deri në zonën e Tel Avivit.

    Nuk pati njoftime për viktima pasi sistemi mbrojtës i Kupolës së Hekurt i ndaloi raketat.

    Ushtria izraelite tha gjithashtu të enjten se forcat e saj kishin kryer sulme kundër 230 objektivave në Gazë gjatë ditës së kaluar.

    Kryeministri Benjamin Netanyahu përsëriti se ushtria e tij do të vazhdojë luftimet derisa Hamasi të eliminohet dhe pengjet e mbetura të lirohen.

    Lufta, që filloi pasi Hamasi kreu një sulm sulmi terrorist brenda Izraelit më 7 tetor që shkaktoi vdekjen e rreth 1,200 vetëve ndërsa rreth 240 të tjerë u morën peng, ka shkaktuar një situatë të tmerrshme humanitare në Gaza, ku ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se janë vrarë 20,000 palestinezë. Gati 2 milionë të tjerë janë zhvendosur.

    Ekspertët thonë se fushata ushtarake izraelite kundër Hamasit tani është ndër më vdekjeprurëset dhe më shkatërrimtaret në histori.

    Në pak më shumë se dy muaj, ofensiva ka shkaktuar më shumë shkatërrim sesa rrënimi i Alepos të Sirisë nga viti 2012 në 2016, Mariupoli i Ukrainës ose marrë proporcionalisht, bombardimet aleate të Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore. Ajo ka shkaktuar vdekjen e më shumë civilëve sesa koalicioni i udhëhequr nga SHBA në fushatën trevjeçare kundër grupit të Shtetit Islamik.

  • 7 muaj burg për afaristin kosovar: Ka çuar mbi dhjetë firma në falimentim

    7 muaj burg për afaristin kosovar: Ka çuar mbi dhjetë firma në falimentim

    Një burrë 36-vjeçar duhet të mbajë shtatë muaj burg, sepse, si një “varrosës kompanish”, ai ka marrë në dorë kompanitë e mbingarkuara me borxhe në kantonin e Lucernit dhe ngadalë i ka çuar ato në falimentim, transmeton albinfo.ch. Duke vepruar kështu, ai ka shkaktuar një dëm prej rreth 1 milion frangash.

    Gjykata Penale e Lucernit e ka dënuar kosovarin, i cili u arrestua në Shqipëri në gusht të vitit 2021 në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe u ekstradua në Zvicër, për keqmenaxhim të shumëfishtë dhe mosmbajtje kontabiliteti, shkruan sda.ch. Gjykata i ka shqiptuar atij një dënim të pjesshëm me burg prej 14 muajsh, nga të cilat ai duhet të vuajë gjysmën.

    Që nga viti 2011, i akuzuari kishte marrë përsipër rreth një duzinë kompanish që ishin në situatë të pasigurt financiare. Për të vonuar hapjen e falimentimit, ai krijonte distancën sa më të madhe hapësinore dhe kohore nga organi i mëparshëm, për shembull duke zhvendosur selinë e kompanisë ose duke ndryshuar emrin e saj.

    Ai merrte nga 2.000 deri në 5.000 franga për blerje, me të cilat, sipas gjykatës, kishte realizuar një fitim deri në 55.000 franga, transmeton albinfo.ch. Ndërsa dëmi i shkaktuar ishte të paktën 900 000 franga, i cili është akumuluar si pasojë e falimentimit ekonomik të kompanive.

    Gjykata vuri në dukje se ai ka anashkaluar sistematikisht rregulloret mbrojtëse që ishin vendosur për të mirën e kreditorëve, për të përmbushur motivin e tij thjesht financiar dhe egoist. Sjellja e tij karakterizohej nga një përbuzje ndaj sistemit juridik dhe një mungesë e theksuar skrupujsh.

    I dënuari ka pasur precedentë penalë përkatës. Aktgjykimi është marrë në procedurë të shkurtuar dhe është tashmë ligjërisht i detyrueshëm, përcjell albinfo.ch. Veç dënimit që do ta mbajë ai duhet të paguajë shpenzimet procedurale prej 9400 frangash.

  • Mariah Carey në Shtëpinë e Bardhë, takohet me Joe Biden

    Mariah Carey në Shtëpinë e Bardhë, takohet me Joe Biden

    Këngëtarja me famë botërore, Mariah Carey ka vizituar Shtëpinë e Bardhë dhe është takuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

    Këtë e ka bërë të ditur ajo përmes një postimi në rrjetin social Instagram ajo ka ndarë disa foto nga vizita ku shihet bashkë me binjakët e saj, me Presidentin Biden dhe Zëvendëspresidenten Harris.

    Po ashtu ajo ka ndarë disa pamje nga rregullimet festive që i janë bërë shtëpisë më të madhe në Amerikë.

    “Javën e kaluar pata kënaqësinë të takoj Presidentin Biden dhe Zëvendëspresidenten Harris në Shtëpinë e Bardhë për të ftuar sezonin e festave! Ndërsa ishim atje, pamë të gjithë dekorin festiv dhe shpërndamë pak gëzim!”, ka shkruar Carey në Instagram.

  • Autori i masakrës në universitetin e Pragës nuk veproi i vetëm, dyshohet se u ndihmua nga e dashura e tij

    Autori i masakrës në universitetin e Pragës nuk veproi i vetëm, dyshohet se u ndihmua nga e dashura e tij

    Të paktën 15 persona u vranë dhe 25 u plagosën nga të shtënat me armë në universitetin Charles në Pragë. Autori, 24-vjeçari David Kozak, u vetëvra pas masakrës që shkaktoi, ndërsa më herët kishte qëlluar dhe vrarë të atin në fshatin Hostun, rreth 20 kilometra larg Pragës.

    Madje policia po shqyrton mundësinë që ai të ketë vrarë edhe dy persona të tjerë para masakrës në Pragë. Gjatë një konference për media, policia njoftoi se po heton nëse 24-vjeçari mund të jetë i lidhur me dy vrasje të ndodhura javën e kaluar.

    Një baba 32-vjeçar dhe vajza e tij dy-muajshe u qëlluan për vdekje në pyllin Klanovicky pranë Pragës të premten e kaluar, tha shefi i policisë Martin Vodrasek, por ende nuk është konfirmuar nëse Kozak në të vërtetë kishte ndonjë lidhje me vrasjet.

    Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë 24-vjeçarin David Kozak duke dalë në ballkon dhe duke hapur zjarr me armë. David Kozak mund të jetë ndihmuar nga e dashura e tij. Policia çeke e konfirmoi këtë për një gazetar holandez, i cili ishte në vendngjarje.

    E dashura, për të cilën nuk janë bërë të ditura detaje të tjera, mësohet se po tenton të arratiset jashtë vendit. Sipas ministrit të Brendshëm çek, Vit Rakusan, policia gjeti “një numër të madh armësh dhe municionesh” në ndërtesën e universitetit.

    Sipas dëshmive, Kozak ka qenë student i zellshëm, por ka pasur edhe probleme psikologjike. Në maj ai fitoi një çmim për tezën e tij. Studenti nuk kishte precedentë penalë, por, si pronar i ligjshëm i armëve, kishte një interes për armët.

    Ai ishte diplomuar për histori dhe studime europiane dhe vazhdoi masterin, duke u fokusuar në historinë e Polonisë. Megjithatë, mesazhet e postuara nga i riu në Telegram javët e fundit japin një pamje krejtësisht të ndryshme të tij.

    Studenti 24-vjeçar i Shkollës Filozofike të Universitetit Charles ishte ankuar për “jetën e tij të mjerueshme” dhe kishte shkruar ndër të tjera se “gjithmonë donte të vriste dikë”.

    Në një mesazh të datës 10 dhjetor, sulmuesi shkroi se ishte “shumë i frymëzuar nga Alina”.Ai i referohej 14-vjeçares Alina Afanaskina. Vajza qëlloi dhe vrau dy persona në shkollën e saj në qytetin rus të Bryansk më 7 dhjetor dhe më pas vrau edhe veten.

    “Dua të sulmoj një shkollë dhe ndoshta të vras veten. Alina Afanaskina më ndihmoi. Gjithmonë kam dashur të vras, kam menduar se në të ardhmen do të bëhem maniak”, dyshohet se ka shkruar ai ndër të tjera.

  • Qeveria miraton vendimin për dërgimin e FSK-së në Shqipëri për operacione humanitare

    Qeveria miraton vendimin për dërgimin e FSK-së në Shqipëri për operacione humanitare

    Qeveria miraton vendimin për dërgimin e FSK-së në Shqipëri për operacione humanitare

    Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje elektronike ku mori disa vendime.

    Në këtë mbledhje u miratua kërkesa e Shqipërisë për dërgimin e një kontingjenti të FSK-së për operacione humanitare me qëllim të dhënies së ndihmës në kërkim-shpëtim.

    “[Është] Miratuar vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacionin humanitar, sipas kërkesës së Republikës së Shqipërisë, me qëllim të dhënies së ndihmës në kërkim-shpëtim”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

    Qeveria nuk dha më shumë informata për këtë vendim.

  • ​Sulmi në Pragë: Policia çeke në kërkim të motivit

    ​Sulmi në Pragë: Policia çeke në kërkim të motivit

    Z. Pavel shprehu “trishtimin e tij të madh” dhe “zemërimin për humbjen krejtësisht të panevojshme” të jetëve.

    Të shtënat filluan rreth orës 15:00 sipas orës lokale (14:00 GMT) të enjten në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Charles pranë sheshit Jan Palach në qendër të kryeqytetit çek.

    Personi i armatosur hapi zjarr në korridoret dhe klasat e ndërtesës, duke vrarë në mënyrë të rastësishme, ndërsa stafi dhe studentët përdorën mobilje për të barrikaduar veten në dhoma, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Në një video shihen turmat e njerëzve të tmerruar duke ikur nga ura historike e Charles të qytetit, një atraksion i madh turistik.

    Brenda ndërtesës, studenti Jakob Weizman përdori karrige dhe tavolina për të barrikaduar derën e klasës ku ishte me një mësues kur filluan të shtënat.

    Menjëherë pasi e bllokoi atë, Weizman tha se dëgjoi dikë që përpiqej të hapte derën. “Ai po kalonte nëpër çdo klasë për të parë nëse njerëzit ishin aty për t’i qëlluar”, tha ai për gazetën Guardian.

    Përfundimisht Weziman dhe mësuesi u evakuuan nga policia. “Ndërsa po dilnim jashtë, kishte vetëm gjak në të gjithë fakultetin”, tha ai.

    Turistja amerikane Hannah Mallicoat tha për BBC se ajo dhe familja e saj kishin qenë në sheshin Jan Palach gjatë sulmit.

    “Një turmë njerëzish po kalonin rrugën kur ndodhen te shtënat e para. Mendova se ishte diçka si një fishekzjarr derisa dëgjova të shtënën e dytë dhe njerëzit filluan të vrapojnë,” tha ajo.

    “Pashë një plumb tek goditi tokën në anën tjetër të sheshit rreth 9 metra larg përpara se të hyja në një dyqan. E gjithë zona ishte e bllokuar dhe dhjetëra makina policie dhe ambulanca po shkonin drejt universitetit.”

    Joe Hyland, 18 vjeç dhe nga Britania e Madhe, i tha BBC-së se kishte dëgjuar katër të shtëna.

    “Të gjithë po vraponin për t’u strehuar. Unë kam një gju të lënduar, jam me paterica. Kështu që u hodha sa më shpejt që të ishte e mundur,” shtoi Hyland, i cili ishte në pushimet e tij të para me miqtë. “Ne arritëm në metro dhe zbritëm atje sepse menduam se do të ishte më e sigurta.”

    Policia thotë se i armatosuri ishte një student 24-vjeçar në universitet dhe nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë, megjithëse shton se u gjet një “arsenal i madh armësh dhe municionesh”.

    Ai është quajtur nga mediat lokale si David Kozak.

    Para të shtënave, policia kishte marrë një raport se i dyshuari besohej se po shkonte në Pragë nga një qytet aty pranë me qëllimin për të vrarë veten.

    Oficerët evakuuan një ndërtesë tjetër universiteti ku personi i armatosur pritej të ndiqte një leksion, por pak kohë më vonë u thirrën në ndërtesën kryesore të fakultetit aty pranë.

    Personi i armatosur, për të cilin policia tha se ishte “eliminuar”, mendohet të ketë vrarë babanë e tij në një tjetër vend.

    Policia tha se kishte informacione të pakonfirmuara nga një llogari e mediave sociale se sulmi ishte frymëzuar nga një incident i ngjashëm në Rusi, megjithëse nuk dha detaje të mëtejshme.

    Ata thanë se personi i armatosur dyshohej gjithashtu për vrasjen e një të riu dhe vajzës së tij dy muajshe, të cilët u gjetën të vdekur në një pyll në periferi të Pragës më 15 dhjetor.

    Nga 25 personat e plagosur në të shtënat, 10 janë plagosur rëndë, tha policia, duke shtuar se asnjë oficer nuk ishte lënduar.

  • ​Vjedhje e rëndë në Veternik, të dyshuarit i konfiskohen disa shok bomba e fishekë

    ​Vjedhje e rëndë në Veternik, të dyshuarit i konfiskohen disa shok bomba e fishekë

    Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në lagjen Veternik në Prishtinë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se pas rastit është arrestuar një i dyshuar (mashkull Kosovar), të cilit në çantë i janë gjetur gjetur dhe konfiskuar disa fishekë, disa shok bomba, dokumente, kartela bankare, monedha, thikë, brisk dhe disa shishe të alkoolit.

    I dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    “Veternik,Prishtinë / 21.12.2023 – 16:40. Ështe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer vjedhje në shtëpinë e viktimës mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në çantën e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar disa fishekë, disa shok bomba, dokumente, kartela bankare, monedha, thikë, brisk dhe disa shishe të alkoolit. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

  • Osmani e pret me ceremoni shtetërore homologun bullgar, Rumen Radev

    Osmani e pret me ceremoni shtetërore homologun bullgar, Rumen Radev

    Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, është pritur me ceremoni shtetërore nga homologia kosovare, Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.

    Pas takimit do të ketë edhe konferencë për media. Pastaj në orën 12:00, Rumen Radev do ta takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

  • Vodhi afër 5 mijë euro nga Spitali i Prizrenit, aktakuzë ndaj zyrtares financiare

    Vodhi afër 5 mijë euro nga Spitali i Prizrenit, aktakuzë ndaj zyrtares financiare

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtares financiare të Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, pasi përgjatë gjashtë muajve të vitit 2022, nga të hyrat e spitalit ka deponuar në llogarinë e saj bankare 4 mijë e 758 euro.

    Sipas komunikatës së Prokurorisë, e pandehura gjatë muajve qershor deri në dhjetor 2022, në cilësinë e zyrtares financiare ka pranuar mbi 36 mijë euro para të gatshme, prej tyre mbi 31 mijë euro i ka deponuar në llogarinë e Spitalit kurse mbi 7 mijë e 700 në llogarinë e saj personale.

    “Sipas aktakuzës, e pandehura si person zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së saj, në atë mënyrë që në cilësinë e Zyrtares financiare dhe të arkëtares, në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr Daut Mustafa”, në Prizren, prej periudhës kohore 28.06.2022 e deri me datë 12.08.2022 prej reparteve të Oftalmologjisë, Dializës dhe Emergjencës, në arkë ka inkasuar para në vlerë prej 36,143.38 euro ndërsa në xhirollogarinë e Spitalit ka deponuar vetëm 31,385.00 Euro dhe kësisoj ka përvetësuar shumën prej 4,758.38 euro dhe për shumën e njëjtë i ka shkaktuar dëm financiar Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, në Prizren”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.