ATV

Blog

  • ​PDK kërkon nga Kushtetuesja vlerësim për Ligjin për Fondin Sovran

    ​PDK kërkon nga Kushtetuesja vlerësim për Ligjin për Fondin Sovran

    Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran.

    Ndërsa, avokati Faton Fetahu tha se deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së qysh në fillim kanë paralajmëruar se një nismë e tillë është jokushtetuese, pasi disa ndërmarrje do t’i nënshtrohen kësaj ndërmarrje, duke krijuar kështu pabarazi juridike dhe ekonomike.

    Deputeti i PDK-së Ferat Shala tha se Qeveria po orvatet që me ligje të tilla diskriminuese e të pabarabarta të kapë resurset, asetet dhe ndërmarrjet të cilat de fakto dhe de jure i menaxhon vet.

    “Ne sot po fillojmë këtë proces juridik dhe jemi të bindur që do të duhej të kthehej dhe të suprimohej ky ligj tashmë i miratuar në kuvend dhe t’i kthehemi normalitetit ekonomik të vendit, sepse kjo qeveri po orvatet që me ligje të tilla diskriminuese të pabarabarta të kapë resurset, asetet dhe ndërmarrjet, të cilat de fakto dhe de jure i menaxhon vet. Dështimet ekonomike që ka arritur në këto tri vite në këtë ndërmarrje tash po orvaten të vendos një super strukturë menaxhuese për të krijuar pabarazi dhe për të hapur linja tjera të kontrollit mbi këto asete,” tha Shala

    Shala theksoi se ekipi menaxhues i Fondit Sovran mbi bazën e rregulloreve të parapara, do të rregullojë fatin e mijëra punëtorëve të industrisë së rënë, Trepçës, KEK-ut, PTK-së dhe hekurudhave, i cili sipas tij, do të lë mijëra punëtorë pa asnjë kujdesie ligjore.

    “Një ligj që suprimon dhjetëra ligje, len me mijëra punëtorë pa asnjë kujdesie ligjore, nën mëshirën e një ekipi menaxhues të Fondit Sovran që mbi bazën e rregulloreve të parapara do të rregullojë fatin e mijëra punëtorëve së industrisë së rënë, të Trepçë , të KEK-ut, të PTK-së dhe hekurudhave,” shtoi ai.

    Ndërsa, avokati i PDK-së, Faton Fetahu tha se 11 nene të këtij ligji janë të papajtueshme më së paku me 7 nene të Kushtetueses, dhe i tillë është edhe neni i cili flet për rolin investues të Fondit Sovran, Ai tha se Qeveria në këtë mënyrë krijon monopol në treg , sepse Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private sipas dëshirës së tij , pa kushte dhe pa kritere do të investojë, dhe në raport me këtë do të ketë diskriminime.

    “Në tërësi kemi evidentuar, kemi vlerësuar se 11 nene të këtij ligji janë të papajtueshme me të paktën 7 nene të Kushtetutës dhe i tillë është edhe neni i cili flet për rolin investues të Fondit Sovran, si dhe krijimin e ndërmarrjeve, të cilat janë si ndërmarrje private, të cilat do t’i mbështesë Fondi. Pra, në këtë mënyrë krijon monopol në treg, sepse Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private sipas dëshirës së tij, pa kushte dhe pa kritere, do të investojë , dhe në raport me to do të ketë diskriminim…10:41 një ligj i tillë rrezikon ekonominë dhe sigurinë juridike në vendin tonë ,” u shpreh ai.

    Ky Ligj është miratua ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, me votat e deputetëve të partisë në pushtet.

  • Këto janë pasojat në rast të shkeljeve të rregullave të udhëtimit pa viza

    Këto janë pasojat në rast të shkeljeve të rregullave të udhëtimit pa viza

    Pak ditë para liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës janë duke u informuar në vazhdimësi për dokumentet e nevojshme që duhet pasur para udhëtimit për në zonën Shengen.

    Por, faqja e Integrimit Evropian për Kosovën, ka dhënë edhe detaje të tjera se se cilat do të jenë pasojat në rast të shkeljeve të rregullave të udhëtimit pa viza.

    Nëse ju qëndroni në zonën Shengen për më shumë se 90 ditë (pa leje qëndrimi ose vizë qëndrimi afatgjatë) atëherë ju jeni i/e pranishme në mënyrë të paligjshme, gjë që mund të rezultojë në një ndalim të udhëtimit në zonën Shengen.

    Të punohet në zonën Shengen pa leje pune është gjithashtu e paligjshme (edhe nëse është më pak se 90 ditë) dhe gjithashtu mund të rezultojë në një ndalim të rihyrjes në zonën Shengen.

    Në varësi të shtetit anëtar, mund të zbatohen edhe gjoba administrative dhe financiare.

    Në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të udhëtimit pa vizë, pasojat personale përfshijnë: shqiptimin e gjobës financiare dhe shënim zyrtar në pasaportën dhe dosjen tuaj ku figuron shkelja në sistemin Shengen si dhe ndalimi i hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vite.

  • Vendimi i Serbisë që t’i njohë targat RKS, Stano: BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme

    Vendimi i Serbisë që t’i njohë targat RKS, Stano: BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha sot se BE-ja mirëpret vendimin e Qeverisë së Serbisë për të lejuar lirinë e lëvizjes për automjetet me targa RKS, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Nga Bashkimi Evropian thonë se tani presin hapa të ngjashëm nga Kosova, teksa e shohin këtë vendim si hap që tregon se “është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

    “Ky vendim paraqet një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe angazhimet e mëparshme nga dialogu lidhur me lirinë e lëvizjes. Kjo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai gjithashtu përfaqëson një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit. Ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të stikerasve. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, tha Peter Stano në një deklaratë për N1.

    Qeveria e Serbisë ka vendosur të hënën që të lejojë që veturat me targa RKS të lejohen të qarkullojnë brenda territorit të saj.

    Vendimin e ka shpalosur drejtori per Kosovë në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq duke thënë se po e implementojnë një marrëveshje të nënshkruar nga Borko Stefanoviq, tani opozitar serb.

    Petkoviq ka thënë se me këtë vendim Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se targat s’janë simbol i shtetësisë sipas tij. Ai ka përmendur edhe pajisjen me targa RKS kohëve të fundit duke thënë se përfaqësuesit e Kishës Ortodokse i përdorin ato.

    Petkoviq theksoi se një njoftim se Serbia nuk e njeh Kosovën do të vendoset në të gjitha pikat kufitare dhe administrative.

    Sipas tij, ky vendim “nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në tekstin e mohimit.

  • Pasojat në rast të shkeljeve të rregullave të udhëtimit pa viza

    Pasojat në rast të shkeljeve të rregullave të udhëtimit pa viza

    Meqenëse na ndajnë vetëm pak ditë deri në liberalizimin e vizave për Kosovën, në faqen e Integrimit Evropian për Kosovën, janë dhënë detaje rreth asaj se cilat do të jenë pasojat në rast të shkeljeve të rregullave të udhëtimit pa viza.

    Nëse ju qëndroni në zonën Shengen për më shumë se 90 ditë (pa leje qëndrimi ose vizë qëndrimi afatgjatë) atëherë ju jeni i/e pranishme në mënyrë të paligjshme, gjë që mund të rezultojë në një ndalim të udhëtimit në zonën Shengen.

    Të punohet në zonën Shengen pa leje pune është gjithashtu e paligjshme (edhe nëse është më pak se 90 ditë) dhe gjithashtu mund të rezultojë në një ndalim të rihyrjes në zonën Shengen.

    Në varësi të shtetit anëtar, mund të zbatohen edhe gjoba administrative dhe financiare.

    Në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të udhëtimit pa vizë, pasojat personale përfshijnë: shqiptimin e gjobës financiare dhe shënim zyrtar në pasaportën dhe dosjen tuaj ku figuron shkelja në sistemin Shengen si dhe ndalimi i hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vite.

    Detajet:

  • Vranë dy drerë në Rugovë të Pejës, ndalohen për 48 orë dy persona

    Vranë dy drerë në Rugovë të Pejës, ndalohen për 48 orë dy persona

    Dy persona janë arrestuar në Pejë, për shkak se kishin kryer gjueti të paligjshme në bjeshkët e Rugovës.

    Rasti kishte ndodhur të dielën, ku dy të dyshuarit vranë dy drerë në Rugovë.

    Të njëjtët me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

    “Dy persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të Shtetit për veprën penale ‘Gjuetia e kundërligjshme’”, tha Nikçi.

  • Çmenduri energjetike: Nga 82 në 3700 euro – qytetarit iu rrit për 45 herë fatura e rrymës këtë muaj

    Çmenduri energjetike: Nga 82 në 3700 euro – qytetarit iu rrit për 45 herë fatura e rrymës këtë muaj

    Çmimet e faturave të energjisë elektrike në muajin e fundit kanë tronditur qytetarët e Kosovës.

    Faturat e energjisë elektrike për qytetarët këtë muaj ishin shumëfish më të larta, por një qytetari këtë muaj fatura i erdhi hiç më pak se 45 fish më shumë.

    Në muajin e kaluar, ai kishte paguar 82,93 euro faturë të energjisë elektrike, por këtë muaj, bilanci i tanishëm në faturë për të shënjon hiç më pak se 3701 euro, shkruan Paparaci.

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka dalë me një reagim pas ankesave të qytetarëve për faturat e larta të energjisë elektrike për këtë muaj.

    Nga KMDLNJ i kanë quajtur si “jonormale” faturat e këtij muaji, derisa i kanë kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të nis hetime urgjentisht.

  • India forcon marinën pas sulmeve në Oqeanin Indian

    India forcon marinën pas sulmeve në Oqeanin Indian

    Marina e Indisë tha se ka dislokuar tri luftanije dhe një avion vëzhgues në Detin Arabik – që gjendet në veri të Oqeanit Indian – për të “ruajtur praninë parandaluese” pasi së fundi ka pasur një serie të sulmeve ndaj anijeve.

    Tri luftanije, si dhe avioni vëzhgues i llojit P8I, janë dislokuar “pas sulmeve të fundit në Detin Arabik”, u tha në deklaratën e marinës.

    Uashingtoni ka akuzuar Teheranin se ka kryer një sulm me dron të shtunën ndaj cisternës Chem Pluto, 370 kilometra larg nga brigjet e Indisë, akuza që janë hedhur poshtë nga Ministria e Jashtme e Iranit.

    Kjo ishte hera e parë që Uashingtoni haptazi akuzoi Iranin se po sulmon anije, që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – grupit radikal që mbështetet nga Teherani.

    Anija që u sulmua, e që ishte në pronësi japoneze, të hënën u ankorua në portin indian të Mumbait.

    “Analizat nga zona ku ndodhi sulmi dhe mbetjet që u gjetën në anije tregojnë se sulmi u krye me dron”, tha marina e Indisë, duke shtuar se do të duhet të kryhen edhe analiza të tjera.

    Gjetkë, në Detin e Kuq, rebelët jemenas Huthi, që mbështeten nga Irani, po ashtu kanë kryer një sërë sulmesh me dronë dhe raketa në solidaritet me palestinezët në Gazë, ku Izraeli po lufton me radikalët e Hamasit.

    Rebelët Huthi kanë detyruar kompani të mëdha të transportit detar që të ndryshojnë rrugët e tyre të tregtisë për shkak të sulmeve.

    Nju Deli po ashtu ka rritur përpjekjet për të luftuar sulmet e piratëve në Gjirin e Adeni, pasi piratët somalezë morën anijen MV Ruen muajin e kaluar.

    India tha po ashtu se një anije në pronësi bullgare ishte marrë nën kontroll nga piratët somalezë më 16 dhjetor, teksa po lundronte afër ishullit jemenas të Sokotratit./REL/

  • Shqipëria në turne miqësore para Euro 2024, marrin pjesë edhe këto Kombëtare

    Shqipëria në turne miqësore para Euro 2024, marrin pjesë edhe këto Kombëtare

    Kombëtarja e Shqipërisë pritet të marrë pjesë në një turne miqësor si pjesë e përgatitjeve të skuadrës kuqezi përpara finaleve të Euro 2024.

    Lajmi qarkullon prej ditësh në Algjeri, ku përveç organizatorëve dhe skuadrës shqiptare do të marrin pjesë Afrika e Jugut dhe Bolivia.

    Jo një apo dy ndeshje, por një turne të plotë miqësor. Është ky një opsion për kombëtaren e Shqipërisë në përgatitjet e saj përpara finaleve të Euro 2024.

    Bëhet fjalë për një turne që do të zhvillohet në Algjeri gjatë muajit mars, kur janë edhe datat e lira të FIFA.

    Përveç organizatorëve, do të marrin pjesë Shqipëria, Afrika e Jugut dhe Bolivia.

    Në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk e zyrtarizojnë këtë pjesëmarrjen e skuadrës kuqezi, por mediat algjeriane flasin me siguri për këtë turne, shkruan abcnews.

    E sigurtë është që në federatë po punojnë prej javësh për të siguruar të paktën dy kundërshtarë për skuadrën e Silvinjos përpara aventurës në Euro 2024.

    Duke parë nivelin e kundërshtarëve në Grupin B të Kampionatit Europian, tekniku kuqezi do të preferonte rivalë të fortë për miqësoret e marsit.

    Opsionet për të luajtur me Zvicrën apo Turqinë, dy skuadra gjithashtu të kualifikuara në Euro 2024, u sfumuan shpejt për shkak të axhendës së tyre.

    Në këtë mënyrë, turneu miqësor në Algjeri duket se është një mundësi e mirë në përgatitjet e kombëtares kuqezi përpara Kampionatit Evropian që do të zhvillohet verën e ardhshme në Gjermani.

  • AKB: Rreth 20% kontrata në Kosovë janë të negociuar – vlera arrijnë në 80 milionë euro

    AKB: Rreth 20% kontrata në Kosovë janë të negociuar – vlera arrijnë në 80 milionë euro

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka konstatuar se deri në nëntor 20.08% e kontratave në vend janë negociuar e nuk është shpallur tender.

    Sipas AKB-së vlera arrijnë deri në rreth 80 milionë euro, duke bërë kështu që të humb trendi normal i përcaktuar me Kushtetutë.

    Madje thonë se korrupsioni ka shkuar në mbi 20% dhe se konkurrenca është ngulfatur.

    Reagimi i plotë:

    Konkurrenca e tenderimit në Kosovë po e humbë trendin normal të përcaktuar sipas Kushtetutës, ku garantohet ekonomia e lirë dhe konkurrenca e barabartë në treg, fakti se sipas një studimi të AKB-së deri nëntor të këtij viti 20.08% e kontratave janë të negociuara me operatorët ekonomikë dhe se vlera e tyre është rreth 80 milionë euro.

    AKB-ja dyshon se këtu korrupsioni në Kosovë ka shkuar mbi 20% sepse është ngulfatur konkurrenca e operatorëve tjerë ekonomik, ku kishin me ofruar edhe kualitet edhe çmim më konkurrues.

  • Ankesat për faturat e larta të rrymës, KMDLNJ kërkon që Prokuroria të nis hetime urgjentisht

    Ankesat për faturat e larta të rrymës, KMDLNJ kërkon që Prokuroria të nis hetime urgjentisht

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka dalë me një reagim pas ankesave të qytetarëve për faturat e larta të energjisë elektrike për këtë muaj.

    Nga KMDLNJ i kanë quajtur si “jonormale” faturat e këtij muaji, derisa i kanë kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të nis hetime urgjentisht.

    Faturat për rrymë të muajit dhjetor për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar, janë 100 % e më shumë më të larta. Në ndërkohë askush nuk ka njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike sikur që edhe temperaturat nuk kanë qenë të larta për të shpenzuar energji shtesë. Po në të njëjtën kohë serbët dhe banorët tjerë të veriut të Kosovës vazhdojnë të mos i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sikur që rrymën e shpenzojnë pa asnjë kufizim. Qeveria e Kosovës në rastin konkret po zbaton standarde të dyfishta duke favorizuar serbët e veriut pasi ua paguan rrymën dhe duke i ndëshkuar konsumatorët e rregulltë me një rritje aq të madhe dhe për këtë as që ka reaguar”, thuhet në reagim.