ATV

Blog

  • Greqia zë vendin e parë – cilët janë njerëzit më të stresuar në Evropë?

    Greqia zë vendin e parë – cilët janë njerëzit më të stresuar në Evropë?

    Nëse ideja jonë për grekët nuk është ajo e një populli të stresuar, ata kryesojnë renditjen e vendeve evropiane, në të cilat stresi perceptohet më shumë.

    Sipas studimit, Greqia është vendi më i stresuar në Evropë, me rezultatin më të lartë të stresit prej 71.8 nga 100, e ndjekur nga Turqia, e cila renditet si vendi i dytë më i stresuar në Evropë për raportet e niveleve të larta të stresit, me prej 71.2 nga 100

    Portugalia renditet si vendi i tretë më i stresuar në Evropë me shkallën e tretë më të lartë të depresionit në Evropë me një rezultat stresi 68.4 nga 100.

    Malta dhe Qipro renditen respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë, pasuar nga irlandezët dhe spanjollët. Italianët renditen në vendin e tetë, para francezëve dhe zviceranëve, që janë respektivisht në vend të 9 dhe të dhjetë.

    Për të klasifikuar stresin, janë përdorur të dhëna nga Barra Globale e Sëmundjeve (një studim i revistës mjekësore Lancet që analizon periodikisht gjendjen e shëndetit të njerëzve në botë, duke përfshirë shëndetin mendor) dhe anketa mbi këtë temë të kryera nga Eurostat dhe Gallup. Në veçanti, u morën shqyrtim stresi, prevalenca e ankthit dhe depresionit, trishtimi dhe gëzimi i perceptuar nga individët për moshat nga 15 deri në 64 vjeç, si edhe orët javore të punës.

    Sondazhi mbuloi të gjitha vendet evropiane, por përjashtoi Rusinë dhe Ukrainën, të dhënat e të cilave do të ishin të vjetruara dhe të pabesueshme për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.

  • “Home Alone” ndodh vërtetë, fëmija 6-vjeçar mbetet i vetëm pasi i ngatërrohet fluturimi pak para Krishtlindjeve

    “Home Alone” ndodh vërtetë, fëmija 6-vjeçar mbetet i vetëm pasi i ngatërrohet fluturimi pak para Krishtlindjeve

    Një djalë gjashtë vjeçar e gjeti veten në një situatë të vërtetë të tipit “I vetëm në shtëpi”, pasi u vendos në fluturimin e gabuar vetë pak para Krishtlindjeve.

    I riu, i quajtur Casper, supozohej të shkonte në Aeroportin Ndërkombëtar të Floridës Jugperëndimore në Fort Myers nga Aeroporti Ndërkombëtar i Filadelfisë për të parë gjyshen e tij. Por u vendos gabimisht në një fluturim për në Orlando – katër orë larg – në vend të kësaj.

    Gjyshja e tij, Maria Ramos, tha se filloi të frikësohej kur nipi i saj nuk zbriti nga avioni në Aeroportin Ndërkombëtar të Floridës Jugperëndimore siç ishte planifikuar.

    Pa asnjë shenjë të djalit, ajo iu afrua një anëtari të stafit për të mësuar se çfarë kishte ndodhur.

    Ajo i tha WINK: “Ata më thanë, ‘Jo, ai nuk është në këtë fluturim. Ai humbi fluturimin e tij.’ I thashë jo, ai nuk mund të humbiste fluturimin e tij sepse unë kam etiketën e check-in-it.

    ”Vrapova brenda në aeroplan te stjuardesa dhe e pyeta: ‘Ku është nipi im? Ai ju dorëzua në Filadelfia?, ajo tha: “Jo, nuk kisha fëmijë me vete”.

    Gjyshja e tmerruar tha se kishte mbetur në panik të plotë, derisa nipi e kishte telefonuar për t’i thënë se kishte zbritur shëndoshë e mirë. Çanta e tij kishte arritur në aeroportin e duhur.

    Ramos tha se Spirit Airlines i kishte ofruar t’i kthente asaj koston e udhëtimit katër-orësh, por ajo i tha WINK-ut se nuk shqetësohej për paratë, por dëshiron të dijë se si ndodhi ngatërresa.

    ”Dua të më thërrasin. Më tregoni se si përfundoi nipi im në Orlando. Si ndodhi kjo? A e zbritën nga avioni?”. tha gjyshja.

    Në një deklaratë, Spirit Airlines tha se Casper ishte mbikëqyrur gjatë gjithë kohës dhe se kishte nisur një hetim për incidentin.

    “Më 21 dhjetor, një fëmijë i pashoqëruar që udhëtonte nga Filadelfia (PHL) për në Fort Myers (RSW) u hip gabimisht në një fluturim për në Orlando (MCO). Fëmija ishte gjithmonë nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e një anëtari të ekipit Spirit dhe sapo zbuluam gabimin, morëm hapa të menjëhershëm për të komunikuar me familjen dhe për t’i rilidhur ato. Ne e marrim seriozisht sigurinë dhe përgjegjësinë e transportimit të të gjithë mysafirëve tanë dhe po kryejmë një hetim të brendshëm. I kërkojmë falje familjes për këtë përvojë”, tha njëri nga zëdhënësit.

  • Lajmërohet nga burgu opozitari rus Alexei Navalny: Mund të quhem një Babagjysh ne regjim special

    Lajmërohet nga burgu opozitari rus Alexei Navalny: Mund të quhem një Babagjysh ne regjim special

    Lideri i opozitës ruse është bërë i gjallë pas disa javësh heshtjeje. Alexei Navalny është rikthyer në rrjetet e tij sociale nga burgu i largët në Arktik ku e kanë transferuar.

    “Mos u shqetësoni për mua, jam mirë”, shkroi kundërshtari i Vladimir Putinit në platformën “X” në një sërë postimesh me anë të të cilave përshkroi transferimin që zgjati 20 ditë dhe kushtet e paraburgimit.

    “Tani jetoj mbi Rrethin Arktik. Në fshatin Kharp në Yamal. Qyteti më i afërt ka emrin e bukur Labytnangi”, shkruan Navalny teksa thotë me ironi se tashmë mund të cilësohet një Babagjysh në regjim special. Për t’i ngjarë Babagjyshit e ndihmon mjekra e rritur dhe rrobat e trasha të dimrit.

    Siç tregon vetë, 20 ditët e udhëtimit kanë qenë mjaft rraskapitëse për të.

    “Por unë jam ende në humor të mirë”, shton ai.

    “Më sollën këtu të shtunën në mbrëmje. U transportova me aq masa paraprake dhe në një rrugë kaq të çuditshme (Vladimir – Moskë – Chelyabinsk – Yekaterinburg – Kirov – Vorkuta – Kharp) sa nuk prisja që të më gjenin para mesit të janarit. Për këtë arsye u habita shumë kur dje u hap dera e qelisë me fjalët: “Ja avokati është këtu për ju.”

    Kushtet e burgimit

    Në postimet e tij, 47-vjeçari përshkruan me detaje edhe kushtet e paraburgimit.

    “Për fat të keq drerë nuk ka, por kemi qen të mëdhenj stani. Hedh sytë nga dritarja nga ku mund të shoh natën pastaj pasditen, pastaj natën sërish. Gardhi është shumë pranë. Bëra dhe një shëtitje në oborrin me borë.”

    Kujtojmë se një ditë më parë, ekipi i liderit të opozitës ruse bëri të ditur se ishin vënë më në fund në kontakt me Navalny-n dhe se ai ndodhej në një burg të largët në veriperëndim të Siberisë./A2

  • Fourth Wave me aksion simbolik në Prishtinë, kundër dhunës në baza gjinore dhe femicidit

    Fourth Wave me aksion simbolik në Prishtinë, kundër dhunës në baza gjinore dhe femicidit

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    26 gra janë vrarë nga të afërm të tyre në Kosovë, në 15 vjetët e fundit, sipas organizatës joqeveritare Fourth Wave.

    Në përkujtim të tyre, kjo organizatë mbajti të martën një aksion simbolik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me mbishkrime kundër femicidit.

    “Duke e parë numrin e rasteve të dhunës, ne sot zaptuam hapësirën publike përmes kukullave, ato mishërojnë idenë se si shteti i sheh qytetarët e tij”, tha Anita Mjeku, organizatore e aktivitetit.

    Nerimane Ferizi, aktiviste për të drejtat e grave, përmendi disa raste të vrasjes së grave, të cilat institucionet dështuan t’i parandalonin.

    “Kemi rastin e gruas e cila para ca javëve u vra nga burri i saj dhe organet kompetente deri vonë nuk ishin askund…”, tha Ferizi.

    Gjatë aksionit, pjesëmarrësit kërkuan më shumë angazhim nga institucionet.

    “Çfarë po na brengos është heshtja institucionale, kinse femrat të vriten është normale, duhet angazhim nga ta në këtë çështje serioze”, tha Ferizi.

    Aksioni simbolik që zgjati deri në orën 18:00 dhe ditët në vijim, pritet të mbahet edhe në qytetet e tjera të Kosovës.

  • Faturat e larta për rrymë, ankohen qytetarët

    Faturat e larta për rrymë, ankohen qytetarët

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Edona Deliu, të martën erdhi në zyrat e Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike në Prishtinë për t’u ankuar për vlerën e lartë të faturës së energjisë elektrike për muajin dhjetor.
    Ajo thotë se këtë muaj i është dyfishuar fatura e energjisë, pavarësisht se shpenzoi njësoj sikurse muajt paraprakë.

    “Më shumë m’ka ardhë rryma se që e marr rrogën, në tetor 102 euro, në nëntor 92 e për këtë muaj 269. Është e papërballueshme. Erdha me bo një ankesë, se nuk është normale”, thotë, Edona Deliu, qyetare.

    Me problem të njëjtë u përballën edhe qytetarë të tjerë, të cilët në Kosovë erdhën për festat e fundvitit.

    “Na nuk jetojmë ktu, jetojmë në Zvicër, gjithë rryma na ka ardhë 20 euro e tash për tri javë 240. Burri është mrena tu e bo ankesën”, tha Nazmije Pacolli, qytetare.

    Megjithatë, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike ka mohuar se ka pasur rritje të tarifave fundore të energjisë elektrike. Nëpërmjet një komunikate sqaruese, KESCO-ja ka përmendur arsyet e ngritjes së vlerës së faturave të energjisë elektrike.

    “Rritja e vlerës së faturave në këtë muaj dimri, është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj, faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë të konsumatorëve. Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”, thuhet në reagimin e KESCO-s.

    Në anën tjetër, Zyra e Rregullatorit për Energji u ka bërë thirrje konsumatorëve që të kontaktojnë KESCO-n, në qoftë se kanë shqetësim lidhur me faturat e tyre. ZRRE-ja në një përgjigje me shkrim për ATV-në ka thënë që momentalisht nuk kanë pranuar ankesa të konsumatorëve për faturimin e këtij muaji.

    Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

    Ky institucion ka kërkuar hetim urgjent nga Prokuroria si dhe trajtim të kësaj çështjeje, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

  • Arrestohet personi që goditi me veturë policin në Pejë

    Arrestohet personi që goditi me veturë policin në Pejë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në këtë rrugë të fshatit Ozdrim, të hënën mbrëma zyrtarë policorë po kryenin kontrolle rutinore. Por, njëri prej ngasësve refuzoi t’i bindej urdhrit për ndalje, e madje edhe e goditi me veturë policin.

    “Nuk u është ndaluar zyrtarëve policorë. E ka sulmuar me veturë, duke i shkaktuar lëndime. Prokurori e ka cilësuar vrasje në tentativë”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

    Mbrëmë, pas kryerjes së veprës, ai arriti të largohej nga vendi i ngjarjes, por vetëm përkohësisht.

    VOX: SHKODRAN NIKÇI, ZËDHËNËS I PROKURORISË SË PEJËS –
    “Prokurori ka dhënë urdhër që të arrestohet. Në këto momente kur po flasim, është arrestu dhe është sekuestru vetura… është cilësu si vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, tha Nikçi.

    Ky person, madje, ishte i njohur për policinë.

    Pavarësisht lëndimeve të marra nga goditja, zyrtari policor është jashtë rrezikut për jetë.

  • Ligji për Zgjedhje mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese

    Ligji për Zgjedhje mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ligji për zgjedhje ka gjasa të përfundojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Sipas avokatit të Popullit, Naim Qelaj, vlerësimi i kushtetutshmërisë është i domosdoshëm, meqë në të nuk është përfshirë Ligji për barazinë gjinore në raport me listat zgjedhore të subjekteve politike.

    Ju e dini se Ligji për zgjedhje ka kaluar në seancë pa ndonjë, si të themi, diskutim publik që kishte me i shtjerrë të gjitha diskutimet në lidhje me temat që mund të jenë konsensuse. Në anën tjetër, ka pasur një konsensus politik, sepse është marrë numri i mjaftueshëm i votave për me kalu si ligj. Ligji ka kaluar pa i përfshirë një prej aspekteve të rëndësishme që e përcakton Kushtetuta, e ai është Ligji për barazi gjinore”, tha Qelaj.

    Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ishte miratuar më 8 qershor në të dy leximet brenda ditës dhe ishte përkrahur edhe nga opozita.

    Ky ligj do të jetë një më shumë, të cilin Avokati i Popullit e dorëzon në Kushtetuese derisa gjatë 2023-s ky institucion ka dërguar pesë raste në këtë gjykatë.

    Këto të dhëna Avokati i Popullit i paraqiti në konferencën e fundvitit për media, ku shtoi se gjatë vitit ka pranuar mbi 1500 ankesa nga qytetarët dhe institucionet e ndryshme.

    “Prej 230 rekomandimeve vetëm 40 janë zbatuar, shtatë rekomandime janë pjesërisht të zbatuara dhe numri tjetër 183 janë në pritje për zbatim. Normalisht qysh në janar, ne kemi me intensifikua angazhimin tonë me pa se cilët kanë qenë faktorët që kanë ndikuar më pas rënie të zbatimit të rekomandimeve”, tha Qelaj.

    Qelaj foli edhe për trajtimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë, duke shtuar se nuk ka komunikim të duhur me Avokatin e Popullit të Gjykatës Speciale.

  • Qeverisë i propozohet krijimi i një zone ekonomike nacionale

    Qeverisë i propozohet krijimi i një zone ekonomike nacionale

    I papolitizuar, por me politikë dhe strategji ekonomike, Instituti Hulumtues për Ekonomi dhe Financa do të jetë në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

    Kështu u tha në një konferencë për media që ky institut e organizoi për fundvit.

    Ish-drejtori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, kërkoi që qeveria të shpallë një zonë ekonomike në nivel nacional, në mënyrë që investitorëve t’iu krijohen kushtet e favorshme.

    “Ne nuk kemi palë që të merremi me të kaluarën, por qëllimi është që t’i identifikojmë problemet dhe t’iu japim zgjidhje atyre. Dy sfidat që i ka pasur Kosova janë papunësia dhe deficiti i lartë tregtar. Prioritetet që duhet t’i ketë Qeveria për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave, janë që qeveria për të pasur zhvillim ekonomik dhe rritje ekonomike, nevojitet që qysh në fillim t’i formojë grupet punuese në nivel nacional të ekspertëve të ekonomisë, që të krijojnë strategjinë e zhvillimit ekonomik në nivel nacional”, tha drejtori ekzekutiv i IHEF-së, Fehmi Mehmeti.

    Pa një strategji të tillë, sipas ekonomistit Medain Hashani, investimet e huaja do të mungojnë.

    Ndërkaq, sfidat që e presin Qeverinë gjatë vitit 2024, vlerësohen të jenë të shumta.

    Ndryshe, roli i Institutit Hulumtues për Ekonomi dhe Financa është kryesisht orientues dhe rekomandues, në kuadër të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik të vendit. /atvlive.tv

  • Komunat po e përmbyllin vitin me përqindje të konsiderueshme të shfrytëzimit të buxhetit

    Komunat po e përmbyllin vitin me përqindje të konsiderueshme të shfrytëzimit të buxhetit

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Për 9 muaj të këtij viti, 5 komuna shpenzuan mbi 50% të buxhetit për investime kapitale. Ndërkohë, dy të tjera, Malisheva e Obiliqi prinin në këtë aspekt me mbi 90%.

    Por, pas gati 3 muajsh deri në përfundim të vitit, sipas Asociacionit të Komunave, 14 komuna kanë arritur ta shpenzojnë buxhetin mbi 80%. Njëra prej tyre, është ajo e Lipjanit.

    “Viti që po e lëmë pas, besoj është një ndër vitet më të suksesshëm e parashikuar me realizmin e buxhetit, edhe pse kemi akoma kohë ditë deri në fund të vitit. Investimet kapitale janë realizuar 80%”, tha kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

    Por disa komuna qëndrojnë akoma më mirë, duke e përmbyllur vitin me shpenzim prej 100% të buxhetit.

    “Apo janë afër 100%, janë Obiliqi, Malisheva, Parteshi, Deçani, Rahoveci, Ferizaj Skenderaj, mirëpo edhe shumica janë që i kanë shpenzuar mbi 80%”, tha : Sazan Ibrahimi nga AKK.

    Sipas Ibrahimit, shumica e komunave të tjera kanë shpenzuar mbi 70% të buxhetit, derisa vetëm 4 komuna anëtare të asociacionit kanë shpenzuar më pak se 50%.

    “Kanë pasur probleme sa i përket shpenzimeve, sepse kanë pranuar buxhetin me vonesë nga niveli qendror ka pasur probleme nga të hyrat vetanake dhe kanë arritur rezultat jashtëzakonisht të mirë në raport me nivelin qendror”, tha Ibrahimi.

    Njëkohësisht, mesatarja e të gjitha komunave arrin në 67% të shfrytëzimit të buxhetit. Megjithatë, sipas institutit GAP, ka mbetur një numër i lartë i projekteve që nuk janë nisur gjatë këtij viti.

    “I kontraktojnë punët në gjysmën e dytë të vitit, çka nënkupton që pagesat e atyre projekteve i bëjnë pas muajit shtator, që nuk reflektojnë në këto përqindje, pra përqindja gjithsesi rritet deri në fund të vitit. Instituti GAP ka gjetur se janë 1700 projekte kapitale që nuk kanë nisur në terren gjatë këtij viti e 1100 janë të komunave”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.

    Ndërkaq, 4 komunat veriore për shkak se nuk i raportojnë shpenzimet, figurojnë me 0% të shfrytëzimit të buxhetit për investime kapitale.

  • Nga java e ardhshme, Serbia do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin të automjeteve me targa të Republikë

    Nga java e ardhshme, Serbia do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin të automjeteve me targa të Republikë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Duke u thirrur në lehtësimin e lëvizjes, Serbia ka vendosur që nga 1 Janari të lejojë hyrjen dhe qarkullimin, në territorin e saj, të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës, pa stikerë që mbulojnë simbolet.

    Njoftimin për vendimin e dha zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkovic.

    Në një interpretim më direkt, Bashkimi Evropian e vlerësoi këtë vendim si hap të rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

    “Bashkimi Evropian mirëpret vendimin e Serbisë që zyrtarisht njeh targat e lëshuara nga Kosova – RKS… Ky vendim shtron rrugën drejt heqjes së regjimit të stikerëve. Tani BE-ja pret që Kosova të përgjigjet njësoj”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

    Këtë veprim të Serbisë, opinionisti Bekim Kabashi e ndërlidh me presionin ndërkombëtar, konkretisht propozimin për kushtëzimin e rrugës integruese të Serbisë në BE, me përfshirjen e marrëveshjes dhe shtojcës në Kapitullin 35.

    “Palët po taktizojnë në këtë proces, duke mos dashur me zbatua thelbin e saj, po zbatojnë copëza, ta quaj kushtimisht kështu, për t’iu shpëtuar sanksioneve apo presionit ndërkombëtar, ose më saktë fajësimit se kush po e bllokon implementimin e marrëveshjes. Edhe kjo për targat, edhe pse është marrëveshje e vjetër më shumë se një dekadë, është në kuadër të kësaj tendencë për të marrë poenë pozitivë karshi BE-së”, tha Kabashi.

    Referuar pajtimit paraprak nga komuniteti serb në veri për pajisje të automjeteve të tyre me targa RKS, profesori Dritëro Arifi, veprimet i sheh në kontekst të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    “Plani franko-gjerman dhe aneksi i Ohrit janë pranuar në heshtje nga të dyja palët, vetëm po duan ta gjejnë mënyrën më të butë, më të mirë sesi ta shesin në publik”, tha Arifi.

    Muajt e fundit, rreth 4000 automjete në komunat me shumicë serbe, konvertuan targat ilegale serbe në RKS. Në Tetor të vitit 2021, Kosova dhe Serbia nisën zbatimin e regjimit të ndërsjellë të vendosjes së stikerëve mbi simbolet shtetërore në targat e automjeteve, në hyrje.