ATV

Blog

  • Murati: Afro 12 milionë euro të marra nga katër komunat e Veriut do ti transferohen KOSTT-it për pagimin e borxhit

    Murati: Afro 12 milionë euro të marra nga katër komunat e Veriut do ti transferohen KOSTT-it për pagimin e borxhit

    Ministri i ekonomisë, Hekuran Murati ka deklaruar se është miratuar vendimi që buxheti prej afro 12 milionë eurosh nga katër komunat e Veriut do ti transferohet KOSTT-it për shlyerje të borxhit.

    Sipas tij borxhi duhet paguar.

    Postimi i plotë:

    Energjia elektrike e shpenzuar është borxh, dhe borxhi duhet paguar.

    Andaj me vendimin që morëm sot në mbledhje të Qeverisë, do të merret buxheti i katër komunave në veri të vendit, dhe do të shfrytëzohet për të paguar një pjesë të borxhit ndaj KOSTT-it që është akumuluar nga devijimet deri më tani.

    Shuma totale prej 11,880,246.33 euro, përfshirë edhe mjetet e alokuara të Fondit Zhvillimor në Mirëbesim, merret nga katër komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe i transferohet KOSTT-it për të paguar një pjesë të borxhit për energjinë e shpenzuar.

  • Kjo është metoda se si të llogaritni faturën e rrymës, përfundimi tregon a jeni “mashtruar”

    Kjo është metoda se si të llogaritni faturën e rrymës, përfundimi tregon a jeni “mashtruar”

    Ish kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, në emisionin A LIVE në ATV, ka shpjeguar se si bëhet llogaritja e kilovatëve të shpenzuar të energjisë elektrike.

    Ai shpjegon se fatura e energjisë elektrike përmbanë katër seksione.

    Seksioni A1/B1 tregon kilovatët e shpenzuar gjatë ditës që është prej orës 7:00 mëngjes deri në ora 22:00 mbrëmje, vlera e të cilit është 0.0779 euro për një kilovat.

    Seksioni A2 /B1 tregon kilovatët e shpenzuar gjatë mbrëmjes që është prej orës 22:00 deri në ora 07:00 në mëngjes, vlera e të cilit është 0.0334 euro për një kilovat.

    Seksioni A1/B2 që është llogaritja e shpenzimit gjatë ditës, fillon të llogaritet kur tejkalohet vlera e 800 kilovatëve dhe faturohet më çmimin dyfish, pra nga 0.0779 në 0.1445 për një kilovat.

    Seksioni A2/B2 që është llogaritja e shpenzimit gjatë natës, fillon të llogaritet kur tejkalohet vlera e 800 kilovatëve dhe faturohet më çmimin dyfish, pra nga 0.0334 në 0.0681 për një kilovat.

    Për më shumë detaje se si bëhet llogaritja e kilovatëve të shpenzuar, shikoni videon më poshtë:

  • Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi shpallen “Qytetarë Nderi” të Komunës së Drenasit

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi shpallen “Qytetarë Nderi” të Komunës së Drenasit

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se janë shpallur “Qytetarë Nderi” Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

    “Sot, me propozimin tim, Kuvendi i Drenasit ua dha një mirënjohje simbolike, bijve të denjë të kombit, ish presidentit Hashim Thaçit, ish kryeparlamentarit Kadri Veselit, ish kryeparlamentarit dhe deputetit Jakup Krasniqit dhe ish deputetit Rexhep Selimi, titullin “Qytetar Nderi”.  Mirënjohja nuk ka të bëj me politikën, por, ne këtu, në Kuvendin e komunës së Drenasit, dëshmojmë se ata janë heronj të luftës dhe paqes, për kontributin e tyre jetësor, ata janë edhe “Qytetarë Nderi”, të komunës së Drenasit, për aq sa do të ekzistojmë si komunë.”

    Lladrovci ka thënë se historia lindi në Drenicë.

    “Historia lindi këtu, në Drenicë, dhe ne me një simbolikë të thjeshtë, duam ta japim lajmin se ata edhe si qytetarë nderi, janë krenari e komunës tonë dhe krenari e kombit! Sot, jam shumë krenar, sepse mund të japim së bashku me asamblenë, një titull, titull që flet se ata janë pjesë e jona, janë krenaria jonë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi. Megjithëse jeni me trup larg, ne ju kemi pranë, sot e gjithmonë, juve çlirimtarë, juve liridashës, juve heronj të luftës e paqes! Krenar me asamblistët dhe asamblenë e komunës së Drenasit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit!”.

  • DR. NURIDIN MESTANI, 67 VJET JETË – 42 VJET PËRVOJË AKADEMIKE!

    DR. NURIDIN MESTANI, 67 VJET JETË – 42 VJET PËRVOJË AKADEMIKE!

    Shkruan: Demir Reshiti
    Të martën (26 dhjetor 2023) e ka kremtuar ditëlindjen e 67-të profesori i respektuar opojan, dr. sc. Nuridin Mestani. Doktor Nuridini është intelektual me bagazh të madh njerëzor, profesional, miqësor e shoqëror i cili ka dhënë kontribut të çmuar në të gjitha fushat ku është angazhuar si profesor, ekspert dhe veprimtar.
    Punën e tij të frytshme dhe me vlerë e respekton e gjithë komuniteti intelektual, e respektojnë kolegët dhe studentët e tij të cilët kanë pasur fatin ta kenë bashkëpunëtor dhe profesor.
    Prof.dr. Nuridin Mestani është i lindur me 26 dhjetor 1956 në fshatin Kuklibeg të Opojës. Është fëmija i gjashtë nga tetë fëmijët (tri vajza e pesë djem) i prindërve Mestan e Fatime Mestani.
    Shkollën fillore e ka kryer në fshatin Bresanë ndërsa gjimnazin në Prizren. Në tetor të vitit 1980 ka diplomuar në fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës me ç’rast fiton titullin Inxhinier i diplomuar i Bujqësisë, seksioni i përgjithshëm.
    Studimet postdiplomike i ka përfunduar në fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Zagrebit (Kroaci) ku fiton titullin Magjistër i specializuar në profilin Të ushqyerit e Kafshëve dhe Teknologjia e Prodhimit të Ushqimeve për Kafshë.
    Në dhjetor të vitit 1996, në fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës mbron me sukses temën e doktoraturës dhe fiton gradën shkencore PhD/Dr.sc. i Shkencave Bujqësore. Në po këtë fakultet, më 14 korrik të vitit 2004 merr titullin akademik Profesor.
    42 vjet përvojë akademike
    Në vitet 1981-1984 profesor Nuridini punon si Asistent në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës ku angazhohet në punë hulumtuese në Institutin për Blegtori dhe Veterinari, Katedrën për të ushqyerit e kafshëve.
    Në vitet 1985 -1990 punon në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës si Asistent në lëndën “Anatomia dhe Fiziologjia e kafshëve” si dhe mban ushtrime laboratorike dhe praktike nga Anatomia dhe Fiziologjia e kafshëve.
    Në vitet 1991-2000 punon në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës si Ligjërues i lëndës “Zooteknia I (Joripërtypësit) ku ligjëron në lëmin e teknologjisë së mbarështimit të kafshëve joripërtypëse (Kuajt, Derrat dhe Shpendët) për studentët e vitit të IV të seksionit të Blegtorisë. Në vitin 2021 të njëjtën lëndë e ligjëron për studentët e seksionit të Blegtorisë dhe të Veterinarisë.
    Në periudhën 2002-2011 punon si Drejtor për Kosovë i Organizatës Humanitare Heifer International Kosova me seli në Little Rock, SHBA. Organizata angazhohet në sigurimin e shërbimeve që lidhen me blegtorinë për fermerët e varfër në përputhje me Misionin e Heifer International.
    Në vitet 1989-1990 dr. Nuridini ishte Anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitet 1997 – 1999 ishte Prodekan për çështje materiale në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës.
    Në vitin 2010 zgjidhet Udhëheqës i Departamentit të Bioteknologjisë në Zootekni në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës. Një vit më vonë (2011) dr. Nuridini emërohet Kryetar i Këshillit Shkencor për Prodhim Bujqësor dhe Siguri të Ushqimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës. Në vitin 2016, ishte kandidat për rektor të Universitetit të Prishtinës i propozuar nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.
    Ka kryer një mori specializimesh dhe ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore të organizuara nga institucione të njohura arsimore e shkencore ndërkombëtare (Holandë, ShBA, Kroaci, Gjermani, Turqi, Australi, Greqi, Shqipëri, Maqedoni, etj.) si dhe ka publikuar (si autor dhe bashkautor) dhjetëra punime shkencore në revista të njohura në gjuhë shqipe, angleze e kroate, nga fushat në të cilat është specializuar.
    Profesor Nuridini ka dhënë kontribut të çmuar edhe në periudhën e rezistencës kombëtare gjatë viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ku krahas angazhimit si profesor universitar, ka mbështetur edhe shumë aksione të organizuara nga intelektualë e veprimtarë opojanë, dhe jo vetëm. Falë këtij angazhimi sot çmohet shumë nga të gjithë ata që e njohin e kanë pasur rastin të bashkëpunojnë me të.
    Ndonëse zyrtarisht është pensionuar dy vite më parë, profesor Nuridini vazhdon të jep kontributin e tij në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës ku angazhohet si profesor dhe bashkëpunëtor profesional.
    Aktualisht jeton në Fushë Kosovë me bashkëshorten e tij me të cilën kanë pesë fëmijë (tri vajza e dy djem) dhe janë gjyshër të lumtur të shtatë mbesave e pesë nipave!
    Profesor Nuridinin e urojmë për ditëlindjen e tij të 67-të duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë, dhe suksese në veprimtarinë e tij shkencore e publicistike!
  • KQZ merr këtë vendim për Lëvizjen për Bashkim dhe PSD-në

    KQZ merr këtë vendim për Lëvizjen për Bashkim dhe PSD-në

    KQZ shqyrtoi dhe miratoi ndaras rekomandimet e Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike (ZRCKFPP) për pezullimin e dy partive politike, Lëvizjes për Bashkëveprim dhe Partisë Socialdemokrate, të cilat nuk kanë mbajtur kuvendet e tyre zgjedhore sipas afatit ligjor.

    Afati i fundit për mbajtjen e kuvendit/konventës zgjedhore për partinë politike Lëvizja për Bashkëveprim ka qenë data 8 dhjetor 2023, ndërsa për partinë politike Partia Socialdemokrate ky afat ka qenë më 15 dhjetor 2023.

    Sipas vendimit të KQZ-së, këto dy parti politike obligohen që të mbajnë kuvendin e tyre zgjedhore në një afat shtesë prej 45 ditësh dhe nëse kjo nuk arrihet, atëherë sipas Rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ merr vendim për çregjistrim nga regjistri i partive politike në Kosovë, raporton ATV.

    Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, të gjitha partitë politike të regjistruara janë të obliguara që të mbajnë kuvendin zgjedhore brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partivë dhe pastaj së paku çdo 48 muaj. /atvlive.tv

  • Fëmija nga Gaza shkruan libër për “jetët e tyre të shkatërruara” nga bombardimet izraelite

    Fëmija nga Gaza shkruan libër për “jetët e tyre të shkatërruara” nga bombardimet izraelite

    Palestinezi 15-vjeçar Abdullah Abu Sultan nga tenda ku ai dhe familja e tij strehohen në Rripin e Gazës që ndodhet në sulmet intensive izraelite, po shkruan një libër me tregime për “jetët e tyre të shkatërruara” për shkak të bombardimeve.

    Për shkak të sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, humbjet e jetëve të grave, fëmijëve dhe civilëve po rriten çdo ditë e më shumë. Po shkatërrohen edhe jetët e familjeve palestineze që kanë mbijetuar. Me më shumë se 20 mijë të vrarë dhe mbi 50 mijë të plagosur, janë shpërbërë shumë familje për arsye të tilla si largime nga shtëpitë e tyre dhe migrimi i detyruar.

    Edhe 15-vjeçari Abdullah Abu Sultan që jeton në qytetin e Gazës, është një nga palestinezët që është detyruar të migrojë bashkë me familjen e tij si pasojë e bombardimeve izraelite. Pas zhvendosjes disa herë me familjen e tij, Abu Sultan është strehuar në një kamp në qytetin Rafah dhe nga tenda po shkruan libër me tregime që tregojnë shkatërrimin e jetëve të tyre për shkak të bombardimeve.

    Duke folur për Anadolu, Abu Sultan tha se vazhdon “shkrimin” e librit me tregime si një detyrë (borxh) besnikërie ndaj rekomandimit nga mësuesi i tij i dashur që humbi jetën në sulmin izraelit. Abu Sultan tha se po shkruan tregimet (historitë) e palestinezëve të shkatërruar (copëtuar) me sulmet izraelite në Gaza dhe se veprën e tij e ka emërtuar “të shkatërruarit” (të copëtuarit).

    “Jemi zhvendosur disa herë nga vendi ynë”

    Pasi shpjegoi përjetimet e tyre në sulmet e Izraelit në qytetin e Gazës, Abu Sultan tha: “Jemi zhvendosur nga vendi ynë për shkak të bombardimeve të vazhdueshme të zonës ku ndodhej shtëpia jonë. Shkuam në shtëpinë e dajës, aty ishte shtëpia e parë ku u strehuam. Por, edhe aty situata u përkeqësua. Zona filloi të bombardohej vazhdimisht, shtëpitë përreth bombardoheshin gjithnjë”.

    Më pas familja migroi në lagjen Zahra ku disa ditë më pas edhe ndërtesa në të cilën qëndruan u bombardua, tha Abu Sultan duke shtuar se në zonën Zahra u shenjëstruan dhe u shembën të gjitha ndërtesat shumëkatëshe. “Nga bombardimi i lagjes Zahra, u strehuam në një ndërtesë në sheshin ‘Palestina’ dhe që nga aty u shënjestruam nga avionët luftarakë izraelitë”, tha Abu Sultan i cili ndau informacionin se janë zhvendosur shumë herë.

    Ai tha se si pasojë e shënjestrimit të vendeve ku strehoheshin u detyruan të dalin nga qyteti i Gazës dhe se në kërkim të një vendi të sigurt kanë ardhur në Rafah.

    “Kur mbërritëm në Rafah mësova se mësuesi im Majid Azzam kishte rënë dëshmor. Ishte personi i cili më mbështeste që unë të shkruaja, më inkurajonte për aftësitë e mia në këtë çështje. Më kishte inkurajuar që të shkruaja tregimin tim të parë të emërtuar ‘Mbeta vetëm’”, tha Abu Sultan duke theksuar se bashkë me familjen e tij janë strehuar në “Qendrën e Strehimit Kuds” në Rafah.

    “Duke shkruar largohem nga bota brenda të cilës ndodhem”

    Abu Sultan thotë se pasi mësuesi i tij ndërroi jetë, filloi të shkruajë edhe si detyrë besnikërie ndaj inkurajimit të mësuesit. Ai bëri të ditur se ka filluar të shkruajë tregimin e dytë. “Duke shkruar dhe lexuar përpiqem të largohem nga bota dhe vështirësitë brenda të cilave ndodhem”, u shpreh ai.

    Ai tha se dëshiron përfundimin sa më parë të sulmeve dhe rikthimin në shtëpinë e tij në qytetin e Gazës. “Ashtu si të gjithë fëmijët në botë dëshiroj të jetoj një jetë normale me familjen time larg nga bombardimet dhe shkatërrimet”, tha palestinezi Abu Sultan.

  • Distria Krasniqi, xhudistja numër një në ranglistën botërore

    Distria Krasniqi, xhudistja numër një në ranglistën botërore

    Siç bëhet e ditur nga Federata Evropiane e Xhudos (EJU), Distria Krasniqi është renditur e para në ranglistën botërore të xhudos për vitin 2023.

    Distria është ylli i Kosovës që vazhdon t’i dhurojë vendit të saj suksese të mëdha ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

    Krasniqi morri medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Tokio në kategorinë deri në 48 kilogramë.

    Më pas, Distria filloi një aventurë të re, duke garuar në kategorinë deri në 52 kilogramë, kategori kjo e cila është bërë e njohur në Kosovë nga Majlinda Kelmendi.

    Ishte një start fantastik i vitit për Krasniqin, duke e shtuar edhe një medalje të artë të Grand Slam-it në Paris në koleksionin e saj. Përveç një vendi të vetëm të 5-të në vitin 2023, Krasniqi ka grumbulluar medalje dhe arritje në të gjitha përpjekjet e saj, duke përfshirë një përfundim të veçantë.

    Në inaugurimin e Kampionatit Evropian në Kosovës, Krasniqi iu bashkua Nora Gjakovës në kategorinë deri në 57 kilogramë, dhe të dyja e mbyllën garën me medalje të bronztë.

  • Ish-emsiari amerikan Grenell promovon turizmin shqiptar: Më besoni mua, shkoni në Shqipëri

    Ish-emsiari amerikan Grenell promovon turizmin shqiptar: Më besoni mua, shkoni në Shqipëri

    Ish-emsiari Presidencial i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka promovuar Shqipërinë dhe turizmin shqiptar.

    Në një postim në profilin e tij, Grenell ka ftuar të gjithë që ta vizitojnë Shqipërinë duke dhënë garanci se s’do të pendohen.

    “Më besoni mua. Shkoni në Shqipëri. S’do të pendoheni”, ka shkruar Grenell.

  • Qeveria e miraton Projektligjin për Këshillin e Sigurisë të Kosovës

    Qeveria e miraton Projektligjin për Këshillin e Sigurisë të Kosovës

    Qeveria e ka miratuar Projektligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, me të gjitha votat për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, raporton Ekonomia Online.

    Kryeministri Albin Kurti tha se ky Projektligj ka për synim konsolidimin dhe fuqizimin e sektorit të sigurisë.

    Ai ka shtuar se përmes tij do të rregullohet mënyra e bashkëpunimit të strukturave të sigurisë, duke ngritur nivelin e përgatitjes për t’iu përgjigjur kërcënimeve, rreziqeve dhe sfidave ndaj sigurisë së vendit.

  • Vendos Qeveria – Lehtësohet procesi i marrjes së shtetësisë së Kosovës

    Vendos Qeveria – Lehtësohet procesi i marrjes së shtetësisë së Kosovës

    Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, është miratuar Projektligjit për Shtetësinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online. Kryeministri Albin Kurti tha se ky Projektligj është një kornizë ligjore që synon të rrisë efikasitetin, transparencën, sigurinë dhe drejtësinë e proceseve tona të shtetësisë.

    Ai është shprehur se ky ligj, në veçanti lehtëson fitimin e shtetësisë të personave me lejeqëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme, duke përfshirë edhe shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që jetojnë që shumë vite në Kosovë.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se synojnë të rrisë efikasitetin, transparencën dhe sigurinë e proceseve për shtetësinë.

    Ai ka thënë se ligji përcakton kritere të qarta për marrjen, mbajtjen dhe heqjen e shtetësisë, dhe përcakton një qasje të shkallëzuar për marrje të shtetësisë në përputhje me interesat tona kombëtare dhe objektivat e sigurisë.

    “Në kohën e rritjes së lëvizshmërisë ky ligj afirmon të drejtën për shtetësi të shumëfishtë dhe si prioritet adreson nevojën e kahershme për lehtësimin e kritereve për përfitimin e shtetësisë edhe për qytetarët e Luginës”