ATV

Blog

  • Sekuestrohen monedha nga dy euro false në Graçanicë e Fushë-Kosovë

    Sekuestrohen monedha nga dy euro false në Graçanicë e Fushë-Kosovë

    Dy zyrtare të një banka komerciale në Preoc të Graqanicës kanë raportuar se kohët e fundit, nga klient të ndryshëm janë deponuar monedha metalike të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, gjithsejtë 3 mijë e 295 nga 2 euro në vlerë 6590 euro, të cilat janë konfiskuar për ekzaminime të mëtutjeshme.

    “Preoc, Graqanicë 27.12.2023-09:20. Dy ankuese femra kosovare-zyrtare të bankës, kanë raportuar se kohët e fundit, nga klient të ndryshëm janë deponuar monedha metalike të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, gjithsejtë 3295 x 2€ në vlerë 6590 €, të cilat janë konfiskuar për ekzaminime të mëtutjeshme. Është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Po ashtu edhe në Fushë Kosovë një zyrtare e një banke komerciale ka raportuar se klient të ndryshëm nga data e cekur kanë deponuar 364 euro monedha të ndryshme metalike, shumica prej tyre në vlerë 2 euro, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

    “Te-Rrethi, Fushë Kosovë 11.12.2023. Me 27.12.2023 ankuesja femër kosovare, zyrtare e bankës, ka raportuar se klient të ndryshëm nga data e cekur kanë deponuar 364 € monedha të ndryshme metalike, shumica prej tyre në vlerë 2 €, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Monedhat janë sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme, është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.

  • Arrestohet një person në Fushë-Kosovë, dyshohet se vodhi rreth 4 mijë euro stoli ari

    Arrestohet një person në Fushë-Kosovë, dyshohet se vodhi rreth 4 mijë euro stoli ari

    Është arrestuar një burrë i cili dyshohet se ka vjedhur bizhuteri/ari në një shtëpi në Fushë-Kosovë që kapin vlerën rreth katër mijë euro.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa malli i vjedhur i është rikthyer pronarit.

    “Rr. Muhamet Behluli- Fushë Kosovë 27.12.2023-19:15. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se afër shtëpisë së tij ka arritur ta zë në flagrancë të dyshuarin mashkull kosovar, i cili në shtëpinë tij kishte vjedhur një sasi bizhuterie /ari, të gjithë në vlerë rreth 4000- mijë € të cilat i dyshuar i kishte hedhur gjatë ikjes. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Malli i vjedhur i është kthyer pronarit”, thuhet në raportin e policisë.

  • Ministri Maqedonci: Tri brigada të ushtrisë serbe, janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovë

    Ministri Maqedonci: Tri brigada të ushtrisë serbe, janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovë

    Kryeminisitri Albi Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë paralajmëruar sulme të reja si ai i Banjkës në veri të Kosovës. Qëndrimin e tyre e përsëriti ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në A2 CNN.

    Me këtë rast, ministri Maqedonci theksoi se Kosova vijon të mbetet e kërcënuar jo vetëm nga studio si ai i Banjskës, por edhe nga qasja hegjemoniste e institucioneve të Serbisë në raport me Republikën e Kosovës.

    Ai solli në vëmendje se tre nga katër brigadat e ushtrisë serbe janë të vendosura përgjatë kufirit jugor të këtij shteti, pra në kufi me Kosovë.

  • Policia e Kosovës prezanton sot të arriturat për vitin 2023

    Policia e Kosovës prezanton sot të arriturat për vitin 2023

    Viti 2023, është karakterizuar me plot zhvillime për Policinë e Kosovës. Shumë sfida, angazhim por edhe suksese, mund të thuhet se ishte ky vit për ta.

    Andaj një nga një ato do të përmblidhen sot.

    Organet e rendit, do të publikojnë të arriturat e tyre për këtë vit.

    Ky prezantim do të bëhet nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha dhe kjo ngjarje do të mbahet me fillim nga ora 11:00, në Drejtorinë e Përgjithshme.

  • Hapen korridoret ajrore Kosovë-Shqipëri: Fluturimet shkurtohen për së paku 15 minuta

    Hapen korridoret ajrore Kosovë-Shqipëri: Fluturimet shkurtohen për së paku 15 minuta

    Ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, e ka bërë të ditur lajmin se Kosova i ka hapur korridoret ajrore me Shqipërinë.

    Përmes një postimi në Facebook, në orët e para të së enjtes, ai ka thënë se fluturimet drejt vendeve të Perëndimit do të shkurtohen për gati 15 minuta.

    “Nga 1 janari, bashkëatdhetarët, përveç që do të udhëtojnë pa viza, do të kursejnë edhe më shumë kohë”, ka thënë Aliu.

    Ai i është referuar liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që hyn në fuqi prej 1 janarit të vitit 2024.

    Qytetarët e Kosovës kanë qenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor, që nuk kanë mundur të lëvizin pa viza në zonën për lëvizje të lirë, Schengen.

    Albion Idrizi, magjistër i aviacionit, ka thënë më parë për REL se pas hapjes së korridorit ajror të Kosovës me Shqipërinë, përveç shkurtimit të kohës së fluturimit, do të zvogëlohet edhe çmimi i biletave.

    Aktualisht, sipas tij, çmimi mestar i një bilete njëdrejtimëshe nga Kosova për në të gjitha vendet e BE-së është 140 euro. Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind, apo 8 euro, thotë Idrizi, ndërmarrës në fushën e udhëtimeve dhe turizmit në Kroaci dhe Kosovë.

    Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

    Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.

    Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.

    Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

    Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.

    Për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” udhëtojnë miliona persona brenda vitit.

    Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë, deri më tani, destinacionet më të shpeshta.

  • Sot certifikohen ushtarët e rinj të FSK-së

    Sot certifikohen ushtarët e rinj të FSK-së

    Ushtarët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të certifikohen sot.

    Ceremonia pritet të fillojë në orën 09:30 dhe do të mbahet në Kazermën e FSK-së ‘Skënderbeu’, në Ferizaj.

    Ndryshe, kjo do të jetë gjenerata e dytë e cila ka përfunduar stërvitjet ushtarake bazë (SUB 02-2023).

  • Sot i jepet lamtumira e fundit gazetarit Turkaj

    Sot i jepet lamtumira e fundit gazetarit Turkaj

    Gazetari kosovar, Arton Turkaj, ka ndërruar jetë dje në moshë te hershme, si pasojë e një sulmi në zemër.

    Familjarë, miq e të afërm do të mblidhen sot për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit.

    Sipas njoftimit mortor nga familja e të ndjerit, ceremonia e varrimit do të mbahet sot në orën 14:00 në varrezat e fshatit Banjë të Istogut.

    Gjatë ditës së djeshme ka pasur reagime të shumta për vdekjen e Turkajt, në mesin e të cilëve ngushëllime ka shprehur edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

  • ShSKUK-ja do të pajiset me autoambulanca të reja

    ShSKUK-ja do të pajiset me autoambulanca të reja

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) do të pajiset me shtatë autoambulanca të reja në vlerë 452 mijë e 193 euro, si pjesë e investimeve në sektorin e shëndetësisë.

    Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka bërë të ditur se shpërndarja e autoambulancave të reja do të bëhet në fillim të vitit 2024.

    “Klinikat dhe spitalet publike janë të pajisura më shumë se kurrë me pajisje, materiale shpenzuese e barna. Rritja e buxhetit për shëndetësi po e transformon shëndetësinë publike. Ministria mbetet e përkushtuar të sigurojë sa më shumë pajisje e mjete që të rritet cilësia në shërbime”, thuhet në një postim në Facebook.

  • ShBA-ja dërgon një batalion të Gardës së Iowas në Kosovë

    ShBA-ja dërgon një batalion të Gardës së Iowas në Kosovë

    Tridhjetë e tre ushtarë të Gardës Kombëtare të Iowas të Detashmentit 1, Kompania C (Medevac), Batalioni 2-211 Mbështetës i Përgjithshëm i Aviacionit, do të vendosen këtë të premte në Kosovë për një turne nëntë-mujor.

    Ky mision është në mbështetje të operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

    “Misioni i tyre primar do të jetë kryerja e operacioneve të drejtpërdrejta ajrore, mbështetja për furnizim me karburant dhe mirëmbajtje për forcat e ShBA-së, koalicionit dhe për forcat e Sigurisë së Kosovës”, ka njoftuar “communitynewspapergroup”.

    Aty thuhet se misioni paqeruajtës ndërkombëtar i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë është një mision i qëndrueshëm që është i përqendruar në stabilitetin lokal dhe rajonal brenda vendit dhe Evropës Lindore.

    Ceremonia e dërgimit të komunitetit do të mbahet në Qendrën e Mbështetjes së Aviacionit të Ushtrisë së Aeroportit Waterloo (2245 W Big Rock Rd, Waterloo, IA 50703) në orën 9 të mëngjesit të së premtes (sipas kohës lokale), 29 dhjetor dhe është e hapur për publikun.

    Njësiti thuhet se do të niset me avion ushtarak menjëherë pas ceremonisë, ndërsa i njëjti shkon në kampin Fort Cavasos, Teksas për të përfunduar stërvitjen para mobilizimit.

  • Mbledhja e fundit e qeverisë për këtë vit, këto janë të gjitha vendimet që u morën

    Mbledhja e fundit e qeverisë për këtë vit, këto janë të gjitha vendimet që u morën

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur dje mbledhjen e rregullt, të fundit për këtë vit.

    Në këtë mbledhje qeveria ka:

    – Miratuar Planin Kombëtar për Zhvillim 2024-2026. Me qëllim të përmbushjes së prioriteteve kryesore të Qeverisë, vitin e kaluar Qeveria ka filluar planifikimin dhe mbikëqyrjen e performancës, përmes platformës së unifikuar të Planit Kombëtar për Zhvillim, i cili përfshinë katër shtylla kryesore: (1) Rritjen e qëndrueshme ekonomike, (2) Zhvillimin e barabartë njerëzor, (3) Sigurinë dhe sundimin e ligjit dhe (4) Qeverisjen e mirë. Ai mbulon 11 sektorë të ndryshëm, duke përfshirë ekonominë digjitale, infrastrukturën, mjedisin, arsimin, punësimin, shëndetin, kulturën, paqen dhe sigurinë, drejtësinë, qeverisjen efektive dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

    – Miratuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. Ligj që do bëjë reformë në fushën e medias e që do trajtojë dhe rregullojë: kompetencat e KPM-së, pronësinë e mediave, mbrojtjen e fëmijëve dhe qasjen e personave me aftësi të kufizuara. Për më tepër, do të përcaktojë politikat e transmetimit dhe ritransmetimit, mbikëqyrjen e përmbajtjes audiovizive të paraqitura në mediat online dhe në platformat për shpërndarjen e videove, duke vendosur standarde të larta edhe në çështjet e sponsorizimit, vendosjes së produktit, reklamimit në televizion e komunikimeve komerciale.
    – Miratuar Projektligjin për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës, që ka për synim konsolidimin dhe fuqizimin e sektorit të sigurisë, duke vendosur themelet e një sistemi të integruar të arkitekturës së sigurisë, i cili do të jetë në shërbim të sigurisë kombëtare, dhe realizimit të synimeve dhe qëllimeve shtetërore.

    – Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentimit Nr. 3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2015. Qëllimi i kësaj marrëveshje ndërkombëtare është zgjatja e afatit për zbatimin e programit vjetor IPA 2015 edhe për 2 vite shtesë.

    – Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa Digjitale” (2021-2027) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja ka rëndësi të veçantë pasi që ofron mundësi të zhvillimit të teknologjive, shërbimeve dhe produkteve për bizneset, qytetarët dhe administratën publike. Në kuadër të këtij Programi janë të ndara 9.2 miliardë euro për shtetet e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.

    – Miratuar Projektligjin për Harmonizimin e Ligjeve të Veçanta me Ligjin për Kundërvajtje. Qëllimi i këtij ligji është ndryshimi dhe plotësimi i 31 Ligjeve me qëllim të harmonizimit të tyre me Ligjin Nr. 05/L- 087 për Kundërvajtje.

    – Miratuar Projektligjin për Statusin, Qëndrimin e Përkohshëm dhe Kalimin Transit të Forcave të Huaja të Armatosura në Territorin e Republikës së Kosovës. Ky ligj ka për qëllim rregullimin e statusit të forcave të huaja të armatosura, personelit civil shoqërues të këtyre forcave dhe vartësve të tyre, gjatë qëndrimit të përkohshëm brenda kornizës së bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe procedurat e kalimit transit të tyre, në territorin e Republikës së Kosovës.

    – Miratuar Projektligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Me këtë ligj garantohet qëndrueshmëria dhe rritja e vlerës së pronës së paluajtshme të komunës për zhvillim ekonomik lokal dhe përmbushjes së interesit të përgjithshëm.

    – Miratuar Projektligjin për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave. Ky projektligj ka për qëllim të forcojë aftësinë e organeve të vetëqeverisjes lokale në përmbushjen e përgjegjësive të tyre përmes këshillimit, mbështetjes dhe ndihmës; të sigurojë ligjshmëri të aktiviteteve të organeve të vetëqeverisjes lokale; si dhe të sigurojë që të drejtat dhe interesat e qytetarëve të respektohen.

    – Miratuar Projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit përmes së cilit do të rregullohet mbrojtja e konsumatorit, përgjegjësitë e tregtarit si dhe përgjegjësitë e konsumatorit në blerjen e produkteve dhe shërbimeve.

    – Miratuar Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Ky ligj rregullon veprimtarinë e Inspektoratit Qendror për Mbikëqyrje të Tregut. Ky projektligj ka për qëllim që të rregullojë veprimtarinë e këtij inspektorati, si dhe që të përcaktojë organizimin dhe kompetencat e mbikëqyrjes inspektuese të tregut, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Një ndër objektivat kyçe të Qeverisë është fuqizimi i rolit të organeve inspektuese, me ç’rast është miratuar në Kuvendin e Kosovës, Ligji për Inspektimet. Ndërsa, me miratimin e këtij Projektligji të veçantë, do të krijohet një bazë ligjore funksionale dhe lehtë e zbatueshme për funksionalizimin e Inspektoratit të Tregut, duke e bërë organ qendror, me shtrirje në 7 rajonet e Kosovës.

    – Miratuar Projektligjin për shtetësinë e Kosovës. Ai lehtëson fitimin e shtetësisë të personave të pajisur me lejeqëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme, duke përfshirë shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit të cilët kanë vite që jetojnë në Kosovë, e të cilët përballen me diskriminimin e autoriteteve të Serbisë përmes fshirjes së adresave. Rregullimi i statusit të tyre është prioritet për Qeverinë tonë.

    – Aprovuar Rregulloren për Procedurat e Punës në Tryezat Multidisiplinare për Ndihmë në Menaxhimin e Rastit. Kjo rregullore trajton çështjet specifike të cilat lidhen me vlerësim të rastit dhe ofrimit të shërbimeve sociale cilësore për çdo fëmijë në nevojë sociale. Ky akt nënligjor është edhe në zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

    – Aprovuar Udhëzimin Administrativ për Licencimin e Profesionistëve të Huaj Shëndetësorë. Ky Udhëzim Administrativ është i rëndësishëm për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe procedurat për licencim të profesionistëve shëndetësorë, me efikasitet më të shtuar e kosto më të ulët.

    – Aprovuar Koncept-dokumentin për trajtimin e fushës së parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Përmes këtij Koncept-dokumenti synohet parandalimi i pastrimit të parave, veprave të ndërlidhura penale dhe luftimit të financimit të terrorizmit, zvogëlimin e ekonomisë informale dhe krijimin e stabilitetit ekonomik.

    – Themeluar Zyrën për Administrimin e Pronës Publike në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Zyra për Administrimin e Pronës Publike në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, themelohet në bazë të Ligjit Nr. 08/L-125 për Pronën Publike dhe Ligjit Nr.06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura.

    – Themeluar Komisionit ad hoc që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera me këtë përbërje:

    1.1. Znj. Lule Isufi, kryesuese;

    1.2. Z. Rafet Zeqiri, anëtar;

    1.3. Znj. Lule Pashku, anëtare;

    1.4. Z. Genc Hundozi, anëtar;

    1.5. Z. Taulant Tanushaj, anëtar.

    – Emëruar Grupin Koordinues Ndërministror kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në bazë gjinore. Grupi Koordinues ndërministror kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në bazë gjinore, do të ketë këtë përbërje:

    1.6. Znj. Albulena Haxhiu – Koordinatore Kombëtare kundër dhunës ndaj grave, kundër dhunës në familje dhe kundër dhunës me bazë gjinore, kryesuese;

    1.7. Znj. Edi Gusia – Agjencia për Barazi Gjinore, zëvendës kryesuese;

    1.8. Z. Blerim Gashani – Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar;

    1.9. Z. Avni Zogiani – Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar;

    1.10. Znj. Nazlie Bala – Ministria e Drejtësisë, anëtare;

    1.11. Znj. Dafina Gexha Bunjaku – Ministria e Shëndetësisë, anëtare;

    1.12. Z. Taulant Kelmendi – Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtar;

    1.13. Z. Arbër Vokrri, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;

    1.14. Z. Sylejman Elshani, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;

    1.15. Z. Arbnesh Ajvazi, Policia e Kosovës, anëtar;

    1.16. Prokuroria e Shtetit, anëtar;

    1.17. Znj. Mirlinda Bytyqi Rexhepi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, anëtare;

    1.18. Znj. Luljete Hetemi, Akademia e Drejtësisë, anëtare;

    1.19. Znj. Zana Hamiti, Koalicioni i Strehimoreve të Kosovës, anëtare;

    1.20. Z. Burhan Maxhuni, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, anëtar, dhe

    1.21. Z. Blerim Shabani, Përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale, anëtar.

    – Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për aprovimin e projektit “Ndërtimi i Qendrës Emergjente – QKUK”

    – Miratuar për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim shtesë për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan -Dheu i Bardhë, Segmenti Banullë-Bresalc.

    – Aprovuar analizën Ex-Post të Mekanizmave të Demokracisë Lokale. Kjo analizë synon të bëjë një vlerësim të zbatimit, pajtueshmërisë dhe rezultateve të arritura nga ana e komunave të të gjithë mekanizmave të demokracisë lokale. Ligji ka hyrë në fuqi në vitin 2008, dhe që nga kjo kohë deri më tani nuk ka pas asnjë ndryshim të kësaj kornize ligjore.

    – Aprovuar raportin për Vlerësimin Ex – Post të Ligjit nr.05/1-134 për legalizimin dhe dorëzimin e armëve, municionit dhe mjeteve eksplozive. Departamenti Ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka vlerësuar nevojën e vlerësimit Ex-post të tij, me qëllim të identifikimit të sfidave kryesore në zbatim, si dhe pajtueshmërisë me legjislacionin tjetër në fuqi. Raporti ndër të tjera rekomandon ndryshimin thelbësor të ligjit me qëllim të rregullimit të substancës dhe strukturës së tij. Analizimi dhe vlerësimi ka për qëllim reformimin dhe avancimin në këtë fushë.

    – Aprovuar Raportin për Vlerësimin Ex – Post të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 10/2017 për Listën e Treguesve për Identifikimin Zyrtar të Viktimave të Trafikimit me Njerëz. Në përmbledhje, Raporti thekson rëndësinë e përfshirjes së treguesve të rinj si rekrutimi dhe shfrytëzimi në internet i viktimave të trafikimit, si dhe ai i emigrantëve të parregullt dhe azilkërkuesve. Raporti rekomandon edhe forcimin e treguesve që kanë të bëjnë me martesa të detyruara të fëmijëve dhe/apo shfrytëzimin për kërkim lëmoshe.

    – Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej gjashtë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë euro (6,550,000.00 €) për mbulimin e obligimeve kontraktuale.

    – Miratuar Strategjinë Shtetërore për Rininë 2024-2032. Ky dokument strategjik mundëson që politika rinore të zbatohet nga të gjitha institucionet publike dhe përkthehet në investim të shumëfishuar publik për të adresuar nevojat e të rinjve. Pra, përveç se është dokument që na orienton drejt zhvillimit, është edhe një mjet reforme për politikëbërje karshi rinisë. Për ta bërë këtë dokument të rëndësisë së veçantë sa më të qasshëm, dokumenti është hartuar në pesë gjuhë – shqip, serbisht, anglisht, turqisht dhe në gjuhën rome.

    – Miratuar Strategjinë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre 2023-2027 dhe planit të veprimit. Strategjia është dokumenti kryesor për zhvillimin e komuniteteve në Kosovë për periudhën 2023- 2027. Qëllimi i kësaj Strategjie është që të forcojë mbrojtjen dhe të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për gjithëpërfshirjen e komuniteteve në arsimim, punësim, mirëqenie sociale, strehim, çështje pronësore, përdorim të gjuhëve dhe shëndetësi.

    ​- Aprovuar Planin e Veprimit 2023-2025, mbështetur në Strategjinë për Transportin Multimodal 2023-2030. Përmes këtij Plani synohet ngritja e kapaciteteve përmes reformave në menaxhim, rritja e sigurisë së transportit, mjedis më i pastër duke shfrytëzuar automjete me emetim zero të gazrave dhe digjitalizimi në fushën e transportit.

    – Aprovuar Projekt Statutin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës synon ofrimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore cilësore, të sigurta dhe të qasshme për të gjithë. Andaj edhe rregullimi i paqartësive dhe mangësive brenda vet strukturës të këtij institucioni është i nevojshëm. Ky Projekt Statut përcakton fushëveprimin, organizimin, organet drejtuese, të drejtat dhe detyrimet, mënyrën e zgjedhjes së organeve drejtuese, si dhe çështje tjera të ndërlidhura me veprimtarinë dhe funksionimin e ShSKUK-s.

    – Aprovuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministres së Drejtësisë, për nënshkrimin e Marrëveshjes për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë. Republika e Kosovës ka arritur të avancojë pozicionin e saj në marrëdhënie ndërkombëtare. Në këtë linjë, tani Republika e Italisë është pajtuar që të thellojë tutje bashkëpunimin në fushën e ekstradimeve, duke u bërë shteti i parë evropian që lejon ekstradimin e shtetasve të vet në Republikën e Kosovës.

    – Aprovuar Koncept Dokumenti për Vendbanim dhe Vendqëndrim. Ky koncept dokument është iniciuar mbi faktet e problemeve të identifikuara në lidhje me adresën e saktë të qytetarit, vështirësitë në ndryshimin e vendbanimit, pengesat në komunikimin e të dhënave për adresë në mes të institucioneve, si dhe në zhvillimet teknologjike.

    – Aprovuar Planin e Reagimit Kombëtar. Plani i Reagimit Kombëtar (PRK).

    – Miratuar Projektligjin për Faturat e Kulturave Bujqësore dhe Fletëmagazinave. Ky ligj rregullon Faturat e Kulturave Bujqësore dhe Fletëmagazinat si instrumente financiare për të siguruar financimin e kapitalit qarkullues për sektorin e bujqësisë dhe përcakton bazën ligjore dhe ekonomike, parimet dhe rregullat e nxjerrjes, regjistrimit publik, vendosjes dhe qarkullimit të tyre në Kosovë.

    – Aprovuar kërkesën për ndarja e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve për ekzekutimin e pagave për muajin dhjetor 2023.

    – Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore, sipas tabelave të bashkangjitura në vendim.

    – Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin Nr. 08/169 të datës 27 tetor 2023 dhe shfuqizuar Vendimin e Qeverisë Nr. 24/178 të datës 13 dhjetor 2023.

    – Aprovuar e kërkesën e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për transfer të mjeteve bazuar në nenin 30.3 të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike.

    – Miratuar vendimin përmes së cilit buxheti i katër komunave në veri të vendit, pra Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Komunës veriore të Mitrovicës, do të shfrytëzohet për të paguar një pjesë të borxhit ndaj KOSTT-it që është akumuluar nga devijimet deri më tani. Shuma totale prej 11,880,246.33 euro, përfshirë edhe mjetet e alokuara të Fondit Zhvillimor në Mirëbesim, merret nga këto katër komuna dhe i transferohet KOSTT-it për të paguar një pjesë të borxhit për energjinë e shpenzuar.