ATV

Blog

  • Petkoviq: Kurti tentoi t’ia hidhte topin Beogradit për dështimin e dialogut

    Petkoviq: Kurti tentoi t’ia hidhte topin Beogradit për dështimin e dialogut

    Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha më 27 dhjetor se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “në mënyrë të pasuksesshme tentoi të hidhte topin në fushën e Beogradit për dështimin e dialogut”.

    Kjo deklaratë e Petkoviqit vjen pasi Kurti pyeti Bashkimin Evropian pse në dialogun e Brukselit është diskutuar për disa vjet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “nëse draft-statuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës”.

    Derisa është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në një konferencë për media më 27 dhjetor në Prishtinë, Kurti iu referua deklaratave të ndërmjetësit në dialog, Mirosllav Lajçak, sipas së cilave çështja e draft-statutit është “vetëm çështje e brendshme e Kosovës”.

    Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, dhe Asociacioni do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.

    Një draft-statut për Asociacionin iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

    “Tash përveç letrës së kryeministres [së Serbisë, Ana] Bërnabiq ka edhe një qëndrim tjetër të ri që mbase duhet adresuar, që draft-statuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës, atëherë pse e kemi përmendur në tryezën e bisedimeve në Bruksel pra, nëse draft-statuti na paska qenë çështje e brendshme e Kosovës? Tash e dy vjet ose tash e dhjetë vjet pse e ngrinim këtë në Bruksel, një temë më pak, ecim përpara”, tha Kurti.

    Petkoviq përmes një deklarate tha se Kurti “është ai që shkel të gjitha marrëveshjet e mundshme të arritura në Bruksel dhe shkatërron çdo përpjekje për të normalizuar raportet me Beogradin”.

    Ai theksoi se marrëveshjet e arritura “thonë qartë” se kush e shkruan statutin e Asociacionit, si do të duhej të dukej ai, por Kurti “nuk dëshiron” ta formojë atë.

    Sipas njoftimit, vijat e kuqe të Serbisë nuk kanë ndryshuar: mosnjohja e Kosovës dhe mosanëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare.

    Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, përmes një letre dërguar Brukselit, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, shprehu rezerva për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve që palët arritën në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mars, në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç i referohet në këtë deklaratë, konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin de facto apo de jure njohjen e Kosovës”, u tha në dokumentin përmes së cilit Serbia shprehu qëndrimin e saj.

  • Trump fiton çështjen në Gjykatën Supreme të Miçiganit për pjesëmarrje në zgjedhje

    Trump fiton çështjen në Gjykatën Supreme të Miçiganit për pjesëmarrje në zgjedhje

    Donald Trump ka shënuar një fitore në luftën e tij kundër sfidave për të drejtën e tij për të garuar për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, pasi më 27 dhjetor Gjykata e Lartë e Miçiganit refuzoi të trajtonte çështjen për diskualifikimin e tij nga zgjedhjet e brendshme presidenciale në këtë shtet.

    Gjykata Supreme e Miçiganit tha se nuk do ta dëgjojë apelin nga katër votues të këtij shteti që kërkonin që ish-presidenti të mos lejohej të garonte në zgjedhjet partiake republikane të 27 shkurtit për shkak të rolit të tij në trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan.

    Votuesit argumentuan se Trump, që konsiderohet kandidati kryesor për të fituar kandidaturën e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, nuk mund të shërbejë si president në bazë të një neni të Kushtetutës amerikane që ndalon personat që të shërbejnë në një zyrë federale nëse ata përfshihen në “rebelim apo kryengritje” pasi bëjnë betimin për t’i shërbyer SHBA-së.

    “Ne nuk jemi të bindur që pyetjet e paraqitura të shqyrtohen nga kjo Gjykatë”, tha ky institucion i drejtësisë.

    Trump, përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, tha se gjykata “në mënyrë të drejtë dhe të fuqishme refuzoi” atë që ai e quajti “përpjekje të dëshpëruar të demokratëve” për ta larguar emrin e tij nga fletëvotimet në Miçigan.

    Avokati i votuesve që paraqitën këtë çështje para gjykatës nuk komentoi për vendimin.

    Vendimi i gjykatës në Miçigan është i ndryshëm nga vendimi i gjykatës kryesore në Kolorado, e cila javën e kaluar e diskualifikojë Trumpin, duke u bazuar në po të njëjtin pikë të Kushtetutës, që njihet si pika 3 e amendamentit të 14-të.

    Trump është zotuar se do të apelojë vendimin e Kolorados në Gjykatën Supreme.

  • Vdes ish-presidenti i KE-së, Jacques Delors

    Vdes ish-presidenti i KE-së, Jacques Delors

    Ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jacques Delors, themelues i projektit historik për monedhën e përbashkët të Bashkimit Evropian, ka vdekur në moshën 98-vjeçare.

    Delors, një avokues i madh i integrimit evropian të pasluftës, shërbeu si president i Komisionit Evropian, trupit ekzekutiv të BE-së, për tri mandate – më shumë se çdo zyrtar tjetër në këtë pozitë – nga janari i vitit 1985 deri në fund të vitit 1994.

    Gjatë udhëheqjes së Delors me KE-në, në këtë institucion u ndërmorën hapa të mëdhenj në integrimin e bllokut. Këtu përfshihet edhe themelimi i tregut të përbashkët, marrëveshja për lëvizje e Schengenit, programi i këmbimit të studentëve Erasmus, dhe krijimi i monedhës së përbashkët të BE-së, euro.

    Delors, socialist, ka pasur karrierë politike të nivelit të lartë në Francë, shtet ku ka shërbyer si ministër i Financave, gjatë presidencës së Francois Mitterrand nga viti 1981 deri më 1984.

    Megjithatë, ai refuzoi të garonte për president më 1995, pavarësisht se në sondazhe printe. Ai tha se këtë vendim e mori nga pasi “dëshira për pavarësi ishte shumë e madhe”.

    “Nuk pendohem”, deklaroi më vonë ai lidhur me vendimin për të mos garuar në zgjedhjet presidenciale. “Por, nuk mund të them se kisha të drejtë”.

    Më vonë ai themeloi një institut që synonte avancimin e federalizmit evropian dhe në vitet e fundit paralajmëroi për rreziqet e popullizmit në Evropë.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nderoi bashkëkombësin e tij, i cili tha se ishte “arkitekt i pashtershëm i Evropës sonë” dhe luftëtar për drejtësinë njerëzore.

    Michel Barnier, kryenegociatori i BE-së gjatë negociatave për largimin e Britanisë nga blloku evropian, tha se Delors ishte një inspirim dhe arsye “për të besuar në ‘ide të caktuara’ të politikave të Francës dhe të Evropës”.

  • The New York Times padit kompanitë OpenAI dhe Microsoft

    The New York Times padit kompanitë OpenAI dhe Microsoft

    The New York Times ka dorëzuar një padi federale kundër OpenAI dhe Microsoft, duke kërkuar që të ndalë praktikën e këtyre kompanive që përdorin përmbajtjen e tij për të trajnuar “chatbot-ët”.

    Në padinë e dorëzuar më 27 dhjetor në një gjykatë në Manhatan të Nju Jorkut, gazeta The New York Times tha se OpenAI dhe Microsoft po avancojnë teknologjinë e tyre “përmes përdorimit të paligjshëm të punës së gazetës për të krijuar me të produkte të inteligjencës artificiale”, gjë që “kërcënon aftësinë e The Times për të ofruar atë shërbim”.

    OpenAI dhe Microsoft ende nuk kanë reaguar për këtë çështje.

    Organizatat mediale janë goditur nga lëvizja e lexuesve në platformat online dhe përderisa shumë publikime janë krijuar në hapësirën digjitale online, inteligjenca artificiale ka kërcënuar përmbysjen e shumë industrive, përfshirë mediat.

    Kompanitë e inteligjencës artificiale marrin informacione që janë të qasshme online, përfshirë edhe artikuj të publikuar nga organizatat mediale dhe përdorin këto informacione për të trajnuar “chatbot-ët” gjenerues të inteligjencës artificiale. Këto kompani kanë tërhequr miliarda dollarë investime për një periudhë të shkurtër kohore.

    The Times nuk listoi se çfarë kompensimi kërkon, por tha se veprimi ligjor “për t’i mbajtur ato [kompanitë] përgjegjëse për miliarda dollarë dëme ligjore dhe dëme të tjera për shkak të kopjimit dhe përdorimit të paligjshëm të punës unike dhe të çmuar të The Times”.

    Në padi, The Times tha se Microsoft dhe OpenAi “kërkojnë që të përdorin pa para investimet masive të The Times në fushën e gazetarisë”, duke i përdorur ato për të ndërtuar produkte pa marr leje ose pa paguar.

    Në korrik, Open AI dhe The Associated Press njoftuan për një marrëveshje, sipas së cilës, kompania e inteligjencës artificiale do të merrte licencën për të përdorur arkivin e lajmeve të AP-së.

    Megjithatë, The New York Times tha se asnjëherë nuk i ka dhënë leje askujt që të përdorë përmbajtjen e tij për qëllime të përmbajtjes së prodhuar nga inteligjenca artificiale.

    Padia po ashtu vjen pas ndërprerjes së bisedimeve midis gazetës dhe këtyre dy kompanive.

    The Times tha se në prill kishte kontaktuar Microsoft dhe OpenAI për t’iu shprehur shqetësimin lidhur me përdorimin e pronës së tij intelektuale dhe bisedimet synonin ta zgjidhnin këtë çështje. Gjatë bisedimeve, gazeta tha se ka synuar që të “pranojë një çmim fer” për përdorimin e përmbajtjes së saj.

    “Këto negociata nuk çuan në një zgjidhje”, u tha në padi.

  • ​Ngritet aktakuzë kundër një personi për rastin e Oliver Ivanoviq

    ​Ngritet aktakuzë kundër një personi për rastin e Oliver Ivanoviq

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehuri me inicialet M.M.

    Aktakuza është ngritur për shkak se i njëjti ka kryer veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, ‘’Kanosja” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”.

    Rasti ka të bëjë me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, ku i pandehuri si pjesë e grupit veprimet i ka ndërmarrë pas ndodhjes së vrasjes duke penguar procedurën penale dhe pas hetimit i njëjti ka përdorë dokumente të falsifikuara si dhe ka kanosur personat zyrtarë, të cilët kanë zhvilluar procedurë penale ndaj tij.

  • Policia e Kosovës parandalon garat ilegale në autostradën “Ibrahim Rugova”

    Policia e Kosovës parandalon garat ilegale në autostradën “Ibrahim Rugova”

    Policia ka arritur që ta parandaloj garat e shpejtësisë në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Njësitet policore hasën dy automjete duke zhvilluar shpejtësi prej 225 kilometra në orë dhe 230 kilometra në orë, në zonën ku kufizimi i shpejtësisë ishte 100 kilometër në orë.

    “Të njëjtit janë gjobitur me nga 300€ dhe 3 muaj iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Policët dhurojnë gjak për Vitin e Ri

    Policët dhurojnë gjak për Vitin e Ri

    Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë dhuruar gjak me moton “Dhuro gjak, shpëto jetë”, si dhuratë për Vitin e Ri.

    Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, dhurimi vullnetar i gjakut u organizua në Kampin e Njësisë Speciale “Vrella”.

    “Policia e Kosovës me të kuptuar mungesën e gjakut në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, është paraqitur vullnetarisht për dhurim të gjakut, e që pastaj në koordinim me Drejtorinë e Shërbimeve Shëndetësore është organizuar aksioni i dhurimit të gjakut nga pjesëtarët e Njësisë Speciale Operative! Në këtë aksion humanitar ka marrë pjesë dhe ka dhuruar gjak edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha bashkë me stafin ekzekutiv! Aksionit iu kanë përgjigjur më shumë se 100 pjesëtarë të Policisë në Kampin “Vrella” dhe në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, si dhe zyrtarë të njësiteve të ndryshme të cilët kanë dhuruar gjak në QKTGJ”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit të Policisë, pjesëtarët e këtij institucioni edhe këtë herë kur Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut ka nevojë shumë për gjak, u bë promotor në ofrimin e pjesës më të shtrenjtë nga trupi i tyre-gjakut, duke u bërë shembull për të tjerët! “DHURO GJAK, SHPETO JETË”- është dhurata më e mirë për ata që kanë nevojë.

  • Dyshimet se ora e rrymës nuk po matë mirë, Prestreshi tregon se si ta kontrolloni

    Dyshimet se ora e rrymës nuk po matë mirë, Prestreshi tregon se si ta kontrolloni

    Ish kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, në emisionin A LIVE në ATV, ka treguar se si duhet të kontrollohen njësorët digjital të energjisë elektrike se a po e bëjnë mirë llogaritjen e konsumit.

    Ai tregon se tarifa e lirë e rrymës fillon në ora 22:00 dhe mbaron në ora 7:00.

    Prestreshi thotë se ka dyshime që orët digjitale të energjisë elektrike mund të mos përputhen me kohën reale kur është duke u shpenzuar nga konsumatorët.

    “Dua ta informoj opinionin publik sepse ne si shoqëri, si media, si njerëz të cilët ndikohen nga kjo me qenë se Qeveria s’po ndërmerr masa, dua ta njoftoj opinionin publik që ta shikojnë orën digjitale nëse është në përputhshmëri me kohën reale, sepse unë kam informata, më kanë dërguar qytetarët fotografi të orave të tyre me orën reale, ku ora digjitale është 4 orë përpara se koha reale. Për shembull, nëse koha reale është 18:00 dhe në orë digjitale është 22:00, në këtë rast, konsumimi me tarifën e lirë fillon në ora 18:00 dhe mbaron në 3:00 të mëngjesit, e jo në 7:00. Këtu qytetarët mashtrohen, nuk janë të informuar dhe si për të mirë, si për të keq, ata që e dinë përfitojnë, ata që nuk e dinë mashtrohen dhe faturohen dyfish”, tregoi Prestreshi. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje, shikoni videon më poshtë:

    LEXO EDHE:

    Kjo është metoda se si të llogaritni faturën e rrymës, përfundimi tregon a jeni “mashtruar”

  • Vrasja e Oliver Ivanoviqit, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një personi

    Vrasja e Oliver Ivanoviqit, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një personi

    Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër një personi me inicialet M.M., për rastin e Oliver Ivanoviqit.

    Sipas Prokurorisë, aktakuza kundër tij është ngritur për shkak se i njëjti ka kryer veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, ‘’Kanosja” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”.

    Rasti ka të bëjë me vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku i pandehuri si pjesë e grupit veprimet i ka ndërmarrë pas ndodhjes së vrasjes duke penguar procedurën penale dhe pas hetimit i njëjti ka përdorë dokumente të falsifikuara si dhe ka kanosur personat zyrtar të cilët kanë zhvilluar procedurë penale ndaj tij.

    Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para objekteve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

  • Osmani viziton të vegjlit në Klinikën e Onkologjisë dhe Kirurgjinë e Fëmijëve

    Osmani viziton të vegjlit në Klinikën e Onkologjisë dhe Kirurgjinë e Fëmijëve

    Me rastin e festave të fundvitit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka vizituar të vegjlit në Klinikën e Onkologjisë dhe Kirurgjinë e Fëmijëve.

    Osmani tha se puna që stafi bën në këto dy klinika është e jashtëzakonshme.

    “Jep shpresë e forcë për këta fëmijë dhe për prindërit e tyre që ndiejnë dhimbjen më të madhe të jetës së tyre”, tha Osmani.

    Ajo shprehu mirënjohje për punën e gjithsecilit.

    “Duke ofruar jo vetëm shërbime mjekësore, por edhe dashuri e përkrahje të pafund!”, theksoi ajo.

    E para e shtetit aty bëri edhe shpërndarjen e dhuratave.