Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thirrur për sot konferencë për media.
Sipas njoftimit, konferenca do të mbahet në ora 11:00 në Hollin e Kuvendit.
Derisa nuk është treguar se çfarë do të trajtohet në këtë konferencë.
“Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri mban sot (e premte) konferencë për media. Vendi: Holli i Kuvendit, 11:00”, thuhet në njoftim për media.
Stereotipin që është krijuar ndër ne, se shqiptarët e mërgatës shihen vetëm si punëtorë krahu në vendet ku jetojnë, e kanë thyer shumë shqiptarë sidomos të rinj, të cilët janë inkuadruar dhe kanë arritur suksese mjaft të larta në shkencë, ekonomi, politikë, mjekësi etj. Emra të njohur ata janë bërë nëpër fusha të ndryshme në mbarë botën dhe suksesi i tyre është i padiskutueshëm.
Në kuadër të ciklit të shkrimeve Portrete opojanësh që na bëjnë krenar, sot do ta bëj prezantimin e inxhinierit Faton Piraj, nga fshati Pllavë i komunës së Sharrit i cili jeton e punon në Vjenë të Austrisë. Shkas për ta bërë këtë shkrim është ditëlindja e tij e 58-të të cilën Fatoni këtë radhë do ta kremtojë në Vjenë në një ambient familjar i rrethuar nga tre fëmijët e tij që tashmë kanë dhënë shenja se po ecin gjurmëve të suksesit të babait!
Fatoni është i lindur më 28 dhjetor 1965 në fshatin Pllavë. Është fëmija i dytë i prindërve Jahja e Hyrmete Piraj të cilët linden pesë fëmijë (dy djem e tri vajza).
Faton Piraj
Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje (4 klasë) dhe katër klasë të tjera në Shkollën “Shaban Shabani” në Llapushnik ku është shpallur nxënësi më i mirë i të gjitha kohërave i kësaj shkolle. Këtë të dhënë e gjeta në monografinë e shkollës të shkruar nga ish arsimtari Tafil Krasniqi! Gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm, ka qenë shumë aktiv nëpër gara e kuize të diturisë që organizoheshin nga shkolla dhe institucionet tjera në nivel të komunës e të Kosovës.
Dy vitet e para të shkollimit të mesëm i ka kryer në Sharr ndërsa dy të tjerat në Gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, drejtimi Matematikë-Teknikë. Në periudhën 1985-1990 me sukses të shkëlqyer përfundon Fakultetin e makinerisë, drejtimi Makineri – prodhimtari, në Universitetin e Prishtinës, ku fiton titullin Inxhinier i diplomuar i Makinerisë e njëherësh merr diplomën “Student i dalluar” i këtij Universiteti. Vlen të theksohet se krahas studimeve Fatoni për dy vite ka punuar edhe si gazetar në revistën studentore “Bota e re”.
Pas përfundimit në afat rekord të studimeve, një vit ka punuar si profesor i matematikës në gjimnazin “Emin Duraku” në Sharr.
Me ambicie për njohuri të reja në shkencë të cilat nuk i realizonte dot në vendlindje për shkak të të ardhurave të ulëta që realizonte si profesor, Fatoni vendos të merr rrugën e mërgimit dhe destinacioni i tij ishte Vjena ku fillimisht ka bërë punë nga më të ndryshmet dhe më të vështirat derisa arrin ta bëj nostrifikimin e diplomës dhe të punësohet në fushën për të cilën ishte shkolluar, përkatësisht si inxhinier në industrinë e veturave luksoze. Ka kryer edhe një mori specializimesh në fushën inxhinierike, kompjuterike e të gjuhëve të huaja, të gjitha këto në harkun kohor 1996-2006 në Vjenë të Austrisë.
Njëri nga inxhinierët shqiptarë me më shumë shpikje të patentuara!
Njohuritë e arritura gjatë shkollimit filloi t’i zbatonte me sukses në vendin e tij të punës ku iu krijuan mundësi edhe të bëjë dhjetëra zbulime të reja e të rëndësishme për industrinë automobilistike, disa nga të cilat ka arritur t’i patentojë!
Për rreth 15 vite sa ka punuar në industrinë automobilistike, Fatoni ka bërë shumë projekte për brendet më të njohura të automobilave si Mercedes, Audi, Porsche, Toyota, etj., të cilat ka arritur t’i patentojë ndërkombëtarisht, duke u bërë njëri nga inxhinierët shqiptarë me më shumë shpikje të patentuara!
Është inxhinieri i parë që ka arritur ta konstruktoj një mekanizëm i cili përpunon vrimën e motorit (që e mundëson shpejtësinë e sigurt deri mbi 330 km/h!). “Motori i veturave moderne ‘Porsche’ e ka një vrimë të shkallëzuar, në të cilën është i pozicionuar boshti i kollodokut (boshti ku lidhen manivelat e pistonave të motorit). Kjo vrimë, që përbëhet nga disa pjesë, ka saktësinë (tolerancën) aksiale e cilindrike nën 0,005 mm, pra nën 5 të mijtat e milimetrit (saktësi shumë e lartë shkaku i rrotullimeve të larta të motorit me mbi 6700 rrotullime në minutë). Për ta hapur dhe përpunuar këtë vrimë nuk mjaftonin kushinetat standarde e as ato speciale mekanike, ku do të vendosej vegla boshtore gdhendëse, shkaku i saktësisë së tyre të pamjaftueshme (mbi 0,005mm)”, shpjegon Fatoni duke shtuar se ky zbulim është patentuar dhe është e arritur e madhe, gati e pa imagjinuar në industrinë automobilistike! Fatoni thekson se për ta arritur këtë saktësi shkencore ishte sfidë e rëndë e shoqëruar me tensione të larta nervash, para se cilës gati se u patën dorëzuar stafi udhëheqës i “Porsche”-s. “Ngadhënjimi i kësaj sfide e përmirësoi ‘jetën’ e veturës së sotme moderne “Porsche” (çmimi i saj është mbi 250.000 euro). Një sfidë tjetër ishte edhe shuarja e dridhjeve të veglës, që i shkaktonte materiali jo i bollshëm në ato pjesë” sqaron më tutje Piraj.
Torta e ditëlindjes dhe një kitarë, dhuratë nga fëmijët
Është interesant fakti se rregullat e patentimit e ndalojnë për dhjetë vite bërjen publike të shpikjeve të patentuara dhe u desh të kalonte kjo periudhë kohore për ta njohur opinionin rreth tyre! Disa nga shpikjet e patentuara të inxhinier Fatonit që e kanë kaluar tashmë periudhën e “heshtjes” janë: 1. Pajisja për shndërrimin e lëngut në gas; 2. Njësia absorbuese; 3. Perdja e dritës me rregullim automatik; 4. Dërrasa e lëvizshme për ngjitje në derën e automjetit; 5. Prerësi dhe djegësi saldues; 6. Shtretërit hidraulikë të boshtit të kollodokut; dhe disa tjera që ende nuk e kanë kaluar stazhin e “heshtjes”. Ndërkaq ka realizuar edhe punime tjera si: Përzierësi vëllimor i çokolatës; Transporti me Shirita brenda sallës produktive të kompanisë së njohur “Billa Plus“; Kompresori i shkallëzuar p=800bar; Përpunimi invers i kokës së motorit “Toyota”; Saldimi me Laser gjatë rrotullimit në ambient të izoluar hermetikisht; e shumë të tjera të cilat nuk janë të patentuara.
Pas pesëmbëdhjetë vitesh pune në industrinë e automobilave luksozë, në muajin maj të këtij viti, Fatoni punësohet në kompaninë e njohur “Sonnek Gruppe, Vana Anlagenbau GmbH”, kompani kjo që merret me prodhimin e makinave automatike që prodhojnë ëmbëlsira industriale, çokolata, biskota, bombonë edhe Fontana e çokolatës së lëngshme për qëllime marketingu.
Krahas rezultateve të larta që ka arritur në profesionin e inxhinierit, Fatoni dallohet edhe në shumë fusha tjera si: letërsi, aktrim, këndim, enigmatikë, prova të inteligjencës, sporte të ndryshme, iu bie instrumenteve muzikore (violinës, kitarës…), dallohet në lojëra si Biliard, Bowling, etj.
Ndonëse më tepër se gjysmën e viteve të jetës (32) i ka kaluar në mërgim, Fatoni e flet dhe e shkruan rrjedhshëm gjuhën shqipe e krahas saj e flet edhe gjermanishten, frëngjishten, anglishten, polonishten dhe kroatishten!
Jeton në Bezirkun 11 në Vjenë, me bashkëshorten Gilimseren dhe fëmijët Fleten (21), Fiolen (18) e Learin (15 vjeç). Vajzat janë studente ndërsa djali gjimnazist.
Në përmbyllje të këtij shkrimi, inxhinier Fatonin e uroj për ditëlindjen e tij të 58-të duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë, dhe suksese në punë dhe në jetë, me shpresën që në vitin e ardhshëm të na gëzojë edhe me ndonjë zbulim të ri shkencor!
Anëtarësimi në NATO do të jetë synim i Kosovës edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme që të jetë pjesë e këtij institucioni, megjithatë, pengesë, sipas ministrit, janë shtetet mosnjohëse.
Por, Maqedonci thekson se mbështetja e SHBA-së dhe e vendeve të tjera anëtare e përafron integrimin e ushtrisë kosovare në NATO.
Ministri Maqedonci thotë se FSK-ja ka kapacitete të plota për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit.
I pyetur rreth prezencës ushtarake të Serbisë në kufi, tha se paraqet kërcënim të vazhdueshëm.
Rritja e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës në 201 milionë euro, konsiderohet se ka ndikuar në ngritjen e kapaciteteve dhe furnizimin me armatim.
Dronët bajraktarë janë vetëm një nga llojet e shumta të sistemeve moderne të armatimit, me të cilat është pajisur FSK-ja gjatë këtij viti.
Maqedonci ka folur edhe për ushtrimin “Defender 2023”, duke paralajmëruar se pas dy vjetësh Kosova sërish do të jetë vend mikpritës.
Në mesin e të arriturave të FSK-së gjatë vitit 2023, ai e ka renditur dhe rekrutimin e pjesëtarëve, shkollimin e tyre dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Në projektligjin për rrugët, të miratuar në qeveri, më 13 dhjetor parashihet që autostradat të bëhen me pagesë.
Aktualisht autostrada të gatshme në të cilat mund të fillojë pagesa janë dy, “Arbër Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”, por taksa do të vlejë edhe për autostradat e reja që pritet të përfundojnë në dy vitet e ardhshme.
Ministri i infrastrukturës, Liburn Aliu, thotë se qytetarët e Kosovës, taksat rrugore do t’i paguajnë kur t’i regjistrojnë veturat, ndërsa ata që vijnë nga jashtë do të bëjnë pagesë në mënyrë elektronike.
“Ka qenë kërkesë e kamotshme, por jemi duke e mendu një sistem tjetër, sistem digjital, ku veturat kur regjistrohen e bëjnë atë taksën, ndërsa ato që vijnë nga jashtë e detyrohen të paguajnë nëpërmes sistemit të e-vinjetës, që përdoret nëpër vendet e perëndimit”, tha Aliu.
Sipas njohësve të komunikacionit dhe atyre të ekonomisë, këto autostrada i plotësojnë kushtet që të bëhen me pagesë, por kërkojnë që çmimi të jetë i arsyeshëm.
“Kosova i ka dy autostrada, atë “Arbër Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”, që të dyja i plotësojnë kriteret për me u pagua, mirëpo nuk duhet të vendoset taksa 5 euro se është shumë, taksa nuk duhet të kalojë vlerën më shumë se 1 euro e 50 centë, pra të jetë në proporcion me rrogat në Kosovë”, tha Bekim Ahmeti, njohës i komunikacionit.
“Është e mirëseardhur për buxhetin e Kosovës, edhe për faktin që edhe shtetet e rajonit e kanë një taksë të tillë, si Shqipëria dhe Maqedonia. Uroj që taksa të jetë në proporcion me të hyrat e qytetarëve dhe të bizneseve, që të mos jetë taksë shumë e ngarkueshme”, tha Mustafë Kadrija, ekonomist.
Projektligji mes tjerash, parasheh gjithashtu edhe rehabilitimin e rrugëve, ndërtimin e nënkalimeve, si dhe lidhjen e autostradave me rrugët lokale.
Partia Demokratike vlerëson se Kosova po e përmbyll vitin më të rëndë dhe më të dështuar në politikën e jashtme, që nga shpallja e pavarësisë, pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe pa avancim të agjendës euro-integruese dhe nën sanksione të Bashkimit Evropian.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media, ka thënë se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar nga mungesa e vizionit dhe shumësia e skandaleve.
“Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë, solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut. …Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, tha Çitaku.
Pikërisht draft-statuti i Asociacionit për AAK-në është dështimi më i madh i kësaj Qeverie. Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, u shpreh i bindur se Gjykata Kushtetuese do t’i korrigjojë këto gabime.
“Maja e dështimit të kësaj qeverie është draft-statuti i Asociacionit, i cili është prezantuar dhe njëkohësisht menaxhimi i gjithë procesit të dialogut. Si shtet kemi për obligim që ta ruajmë sovranitetin, lirinë dhe institucionet vitale që i kemi. Kurti si kryeministër ka arritur ta sfidojë seriozisht sistemin një shkallës të Qeverisë së Kosovës”, tha Tahiri.
Shefi i deputetëve të AAK-së foli edhe për Ligjin e Pagave, duke thënë se Qeveria i ka varfëruar zyrtarët publikë.
“Për tri vjet rresht, katër herë e kanë pasur në agjendën legjislative Ligjin e Pagave. Edhe atëherë kur e kanë miratuar, e kanë miratuar një ligj i cili në një numër të caktuar të kategorive e ka zvogëluar pagën, te një numër i madh e ka rritë për 10, 15 apo 20 euro. Vetëm te kategoria e specializantëve ka pasur një ngritje në sektorin e shëndetësisë. Mbi 72 mijë zyrtarë publikë ballafaqohen me sistemin më të ulët të pagave në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Tahiri.
Deputeti i AAK-së në konferencën e fundit për këtë vit tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar edhe në disa sektorë, siç janë ai i arsimit, i shëndetësisë, si dhe në fushën e diplomacisë. /atvlive.tv
Përfundimin e kësaj rruge që është 4.6 kilometra, e pritën gjatë banorët e Shtimes.
“Jemi në rrafsh të Kosovës e sot na erdhi rendi për asfalt, jemi shumë të lumtur, kerret bile nuk na dëmtohen”, tha Zejnullah Mustafa, banor.
Përfundimi i këtij projekti e gëzoi edhe vetë kryetarin e komunës.
“Sot është një ditë e lumtur, e gëzueshme për të gjithë qytetarët e komunës së Shtimes, sepse po përurohet një nga rrugët kryesore vitale të qytetit. Ky është tranziti i Shtimes në të cilin qarkullojnë makineritë e rënda dhe kjo e lehtëson qarkullimin trafikut nëpër qytet dhe liron rrugët që janë për makineritë e lehta. Kjo rrugë do t’u shërbejë qytetarëve të Shtimes, por edhe të gjitha bizneseve dhe qytetarëve të komunës së Suharekës, këtë rast Lipjanit, Ferizajt dhe Prishtinës që lidh kjo rrugë”, tha kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se rruga u krye në afatin e përcaktuar kohor dhe kushtoi 1.3 milion euro.
“Po e ndajmë shiritin për një projekt shumë të rëndësishëm për komunat rreth e përqark, për regjionin përgjithësisht, komunën e Shtimes në veçanti. Projekt i cili është financuar dhe është kontraktuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës. …projekti është i rëndësishëm për shkak se e shkarkon mjaft trafikun në qytetin e Shtimes dhe krijon lidhje të mira për trafikun dhe transportin e rëndë”, tha Aliu.
Aliu, po ashtu, shtoi se gjatë dy viteve të ardhshme do të bëhet lidhja e dy autostradave, “Ibrahim Rugova” dhe asaj “Arbër Xhaferi”, si dhe ndërtimi i autostradës nga qafa e Duhlës deri në Banullë e që ndërlidhet pastaj me autostradën që shkon deri në Gjilan.
Duke marrë mjete financiare të destinuara për Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin Potokun, Qeveria mbuloi humbjet si pasojë e mospagesës së energjisë elektrike në Veri nga qytetarët në këto komuna.
Nga totali prej 11.8 milionë eurosh, 4.7 milionë u morën nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit, i cili të hyrat i grumbullon nga importi në dy pikat kufitare në veri, Jarinjë e Bërnjak.
Mjetet në vlerë 3.5 milionë euro nga ky Fond për ndërtimin e Qendrës së Kulturës në komunën e Mitrovicës së Veriut, përbëjnë shumën më të madhe që u mor nga një kod buxhetor.
Ndërsa, mjete u morën nga gjithsej 132 kode buxhetore, që do të ndikojnë në projekte infrastrukturore, shërbime dhe në të tjera të tilla.
Ndonëse, më ndryshe se herët e kaluara, edhe kjo formë e mbulimit të humbjeve, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka burim taksat.
Në këtë kontekst, profesori i ekonomisë, Medain Hashani, theksoi se Kosova është vendi i vetëm ku qytetarët paguajnë tri herë për energjinë elektrike.
“Hera e parë e paguajmë faturën tonë të cilën e shpenzojmë…// Këto mjete do të duhej të investoheshin në projekte infrastrukturore, në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, mirëpo është paguar fatura e dytë nga ana jonë. Fatura e tretë, është që të gjitha tatimet që ne si qytetarët i paguajmë, janë faturë që Qeveria i jep subvencione KEK-ut”, tha Hashani.
Krahas vërejtjeve për vendimin, profesori kritikoi ritmin e ngadaltë të lëvizjes drejt faturimit të energjisë elektrike në veri.
“Është dashur të bëj mobilizim më të madh në regjistrimin e njehsorëve dhe fillimin e faturimit te këta njehsorë. Mirëpo, ende nuk ka ndodhur diçka e tillë dhe ne si qytetarë, me paratë tona, po detyrohemi t’i paguajmë faturat e rrymës në veri”, tha Hashani.
Më 9 Dhjetor, KEDS-i dhe Elektroseveri nënshkruan kontratën që i hap rrugë faturimit të energjisë elektrike, në katër komunat me shumicë serbe, por ende nuk ka njoftim zyrtar se kur do të nisë diçka e tillë.
Dëmi buxhetor nga mospagesa e energjisë në këtë pjesë të vendit, që nga përfundimi i luftës, llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.
Ish-senatori dhe prokurori zviceran, Dick Marty, vdiq në moshën 78-vjeçare, raportuan mediat. Sipas mediave zvicerane, trupi i pajetë i Martyt është gjetur në shtëpinë e tij.
Vdekjen e Martyt e ka konfirmuar edhe Partia Radikale e qendrës së djathtë, të cilës i takonte. Marty u bë i njohur ndërkombëtarisht si anëtar i Këshillit të Evropës dhe i Komisionit të OSBE-së për të Drejtat e Njeriut.
Ai u zgjodh anëtar i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 1999. Për një kohë edhe kryesoi Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat. Nga këshilli u largua në vitin 2011.
Paraprakisht në vitin 2010 publikoi një raport në të cilin pretendonte trafikimin me organe e në të cilin implikonte ish-pjesëtarë të rangut të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hetimi i tij kishte në fokus pretendimet e mëparshme të bëra nga Carla Del Ponte, ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, të cilat ajo i përmendi në një libër në vitin 2008.
Marty nuk paraqiti dëshmi të fuqishme për pretendimet e tij, megjithatë, raporti i tij u miratua nëpërmes një rezolute të Këshillit të Evropës në janar 2011. Si pasojë e raportit u themelua edhe Gjykata Speciale nga Kuvendi i Kosovës, disa vjet më vonë. E në Hagë tashmë po akuzohen ish-pjesëtarët e UÇK-së për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Në kohën kur raporti u publikua krimet e luftës në Kosovë ende i hetonte EULEX-i, ndërkaq pretendimet e Martyt për trafikim organesh i komentoi si “përrallë bizare”.
Sipas EULEX-it, në atë kohë, pohimet e Martyt vetëm sa tërhiqnin vëmendjen nga detyra e vërtetë për të gjetur trupat e rreth 1.861 personave sa ende ishin të zhdukur atëherë e dy të tretat prej tyre ishin shqiptarë.
Barcelona po mendon të përforcohet gjatë afatit kalimtar të janarit, por nuk do të mungojnë as largimet nga klubi prej “Camp Nou”.
Mediumi britanik “Daily Mail” raporton se dy futbollistë i kanë valixhet gati për t’u larguar nga Katalunia në muajin që po vjen.
Bëhet fjalë për Marcos Alonson dhe Sergi Roberton.
Dy mbrojtësve do t’ju skadojnë kontratat në verën e ardhshme, por që ata pritet të largohen nga “Blaugrana” qysh në afatin kalimtar të janarit, pasi gjiganti katalunas po synon të nxjerrë sadopak para nga shitja e tyre e parakohshme, para se të largohen pa para si lojtarë të lirë gjatë verës.
Interesim për dyshen thuhet se ka shfaqur Atletico Madridi.
Ish-mbrojtësi i Fiorentinës dhe i Chelseat nuk kishte hapësirë në këtë sezon në ekipin e Xavi Hernandezit pasi ka luajtur në kampionat për vetëm 10 minuta.
Ndërkaq, lojtari i krahut të djathtë spanjoll i numëron 5 paraqitje, prej tyre vetëm tri në ligë.
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) ka shtyrë sërish vendimin për dhënien e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në seancën e mbajtur këtë të enjte, GJKKO vendosi që vendimi të jepet ditën e shtunë në orën 11:00.
Shkak është bërë kërkesa e avokatëve të Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
“Seanca shtyhet për ditën e shtunë më 30 dhjetor, për t’i dhenë mundësi avokatëve mbrojtës të depozitojnë kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues”, njofton GJKKO.
SPAK kërkoi që Berishës t’i caktohet masa e sigurisë “arrestit shtëpiak” për ish-kryeministrin të caktohet me mbikëqyrje policore, si dhe të mos i lejohen komunikimet me persona jashtë familjes.
Avokatët e Berishës, kërkuan përjashtimin e gjyqtares Gjoka, me pretendimin se ajo është në konfliktit interesi me ish-kryeministrin.
Si parapërgatitje për këtë vendim të GJKKO, Berisha nga ana tjetër në pesë ditët e fundit ka bërë disa lëvizje. Fillimisht ka nisur një proces riorganizimi të partisë që tashmë do të duhet të funksionojë në këto kushte të reja që Berisha nuk do të mundet të dalë nga banesa. Po ashtu, janë shtuar kontaktet me grupimin e Gazment Bardhit për të mundësuar një koordinim të aksionit opozitar edhe përtej Kuvendit.
Ish-kryeministri akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi sa i takon privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. /EuronewsAlbania