ATV

Blog

  • Të shikosh filma komedi të bën mirë për shëndetin

    Të shikosh filma komedi të bën mirë për shëndetin

    Ndërsa ka ardhur sezoni i festave, nuk ka kohë më të mirë sesa për të parë një listë të filmave bashkë me partnerin/en apo familjen.

    Dhe duke qenë se komeditë janë shumë të preferuara këtë sezon, ju tregojmë se ato edhe ju bëjnë mirë për shëndetin.

    Ja përfitimet që merrni duke parë komedi:

    Lehtëson stresin

    Shumë njerëz përjetojnë stres të përditshëm, qoftë nga puna, jeta në shtëpi ose të dyja. Marrja e kohës për të parë një film qesharak jo vetëm që u jep njerëzve kohë për veten e tyre, por gjithashtu i bën ata të qeshin. Si koha vetëm për relaksim ashtu edhe për të qeshur janë dy metoda të zakonshme për lehtësimin e stresit dhe lehtësimin e ndjenjave të ankthit ose depresionit.

    Djeg kalori

    Megjithëse mund të mos jetë një sasi e konsiderueshme, akti i të qeshurit djeg kalori. Ata që janë në një udhëtim për humbje peshe mund të shohin të paktën disa kilogramë shtesë të humbur në vit thjesht duke qeshur më shumë çdo ditë. Vetëm 10-15 minuta në ditë mund t’i ndihmojnë njerëzit të arrijnë këtë qëllim. Të shikosh një komedi dy-orëshe dhe të shfaqësh shumicën e skenave do ta tejkalojë këtë shumë, duke çuar në një shpërblim edhe më të madh për humbje peshe.

    Përmirëson humorin

    Meqenëse e qeshura është një mënyrë për të lehtësuar stresin dhe për të lehtësuar ankthin, njerëzit që e shohin komedi kanë më shumë gjasa të përjetojnë një humor më të mirë. Ata mund ta ndiejnë veten shumë më mirë dhe më të lumtur pasi të përfundojë filmi se sa para fillimit të tij.

  • “All I Want for Christmas Is You” nga Mariah Carey thyen një tjetër rekord në këto ditë festash

    “All I Want for Christmas Is You” nga Mariah Carey thyen një tjetër rekord në këto ditë festash

    Hiti i përjetshëm i Mariah Carey-t, ‘All I Want for Christmas Is You’, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke siguruar pozicionin e saj në krye të tabelës Hot 100 të Billboard për plot 14 javë mbresëlënëse.

    Kjo arritje është një gurthemel për statusin e Carey-t si artistja me numrin më të madh të hyrjeve nr.1 në historinë e listave të revistës muzikore amerikane.

    “All I Want for Christmas” është tani kënga e tretë e Carey që dominon Hot 100 për të paktën 14 javë, duke e veçuar atë si artisten e parë që ka shënuar këtë arritje të jashtëzakonshme. Pavarësisht se humbi për pak kohë vendin e parë për shkak të “Rockin’ Around the Christmas Tree” të Brenda Lee në dy javët e para të dhjetorit, himni festiv i Carey rimori pozicionin e tij javën e kaluar.

    Për të dytin vit radhazi, “All I Want for Christmas Is You” thyen rekordet në Spotify si kënga më e luajtur në një ditë të vetme, duke grumbulluar 23.7 milionë transmetime marramendëse (krahasuar me 21.2 milionë në 2022).

    Kjo arritje i shtohet “dominimit” të Carey në tabelën e Billboard, ku ajo mban rekordin për shumë javë në vendin e parë, duke grumbulluar një total mbresëlënës prej 93 javësh.

    Kjo e vendos atë përpara emrave të shquar si Rihanna me 60 javë dhe The Beatles me 59 javë.

    Popullariteti i “All I Want for Christmas” ka forcuar statusin e Mariah Carey si mbretëresha e Krishtlindjeve.

    Fillimisht e publikuar në vitin 1994, kënga është bërë një himn i përjetshëm i Krishtlindjeve, duke i sjellë artistes një rrjedhë të vazhdueshme suksesi ndër vite.

  • Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikim të personave të dyshuar

    Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikim të personave të dyshuar

    Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e dy personave të dyshuar për vjedhje të rëndë.

    Në njoftimin e Policisë thuhet se Njësiti i hetimeve të stacionit policor të Fushë Kosovës, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave që shihen në fotografi.

    “Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në një rast ‘Vjedhje e rëndë’ që ka ndodhur me datën 05.08.2023, në Fushë Kosovë.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendndodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në njoftim.

  • Pas Kolorados, edhe shteti Maine e përjashton Trumpin nga gara për president

    Pas Kolorados, edhe shteti Maine e përjashton Trumpin nga gara për president

    Zyrtarja më e lartë e zgjedhjeve në shtetin verilindor të ShBA-së, Maine, ka marrë vendim që ish-presidenti Donald Trump nuk mund të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale në këtë shtet vitin e ardhshëm, duke e cituar pikën për kryengritje në kushtetutë.

    Sekretarja e Shtetit në Maine, Shenna Bellows, tha se Trumpi nuk i plotëson kushtet për shkak të veprimeve të tij që kishin çuar në kryengritjen në Capitol më 2021, raporton televizioni BBC, përcjell Nacionale.

    Maine tashmë i bashkohet Kolorados si dy shtete që ia kanë ndaluar Trumpit pjesëmarrjen në zgjedhje. Ky vendim e shton presionin ndaj Gjykatës Supreme të ShBA-së për t’u përfshirë në çështje.

    Votuesit në Kolorado zakonisht e votojnë Partinë Demokratike, por konkurrenca politike në Maine është më e fortë dhe humbja e mundshme në këtë shtet do të ishte domethënëse për Trumpin.

    Në vendimin me 34 faqe thuhet se Trumpi duhet të hiqet nga fletëvotimi në Maine për shkak të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së ShBA-së, me të cilin i ndalohet mbajtja e postit publik kujtdo që është “angazhuar në kryengritje ose rebelim”.

    Zonja Bellows tha në vendimin e saj se Trumpi “në rrjedhën e disa muajve e duke kulmuar më 6 janar 2021, përdori një narrativë të rreme të mashtrimit në zgjedhje për t’i nxitur përkrahësit e tij dhe për t’i drejtuar ata drejt Capitol-it”.

    Ajo shtoi se “kërkesat rastësore që trazuesit të ishin paqësorë e ta përkrahnin zbatimin e ligjit nuk i imunizojnë veprimet e tij”.

    Duke folur për televizionin BBC, zonja Bellows tha se është detyrë e saj që t’i zbatojë ligjet e zgjedhjeve në shtetin e saj dhe se shpreson që “Gjykata Supreme do ta zgjidhë këtë çështje në nivel vendi”.

    Zyrtarët e fushatës së Trumpit më parë kishin bërë thirrje që kjo zyrtare të qëndronte larg procesit dhe të enjten shpejt e kritikuan vendimin e saj.

    Zëdhënësi i fushatës së Trumpit, Steven Cheung, e quajti zonjën Bellows “demokrate hiper-partizane, përkrahëse e Bidenit” dhe pretendoi se ajo po përfshihej në “ndërhyrje në zgjedhje”.

    Ai shtoi se zyrtarët e fushatës së Trumpit “shpejt do të paraqesin një ankesë ligjore në gjykatën shtetërore për ta parandaluar hyrjen në fuqi të këtij vendimi mizor në Maine”.

  • Arrestohen 4 persona për posedim të narkotikëve

    Arrestohen 4 persona për posedim të narkotikëve

    Në dy raste të ndryshme janë arrestuar katër persona për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

    Sipas raportit të Policisë, në rastin e parë janë arrestuar tre veta në Skenderaj pasi në veturën e tyre i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e marihuanës.

    “Skenderaj / 28.12.2023 – 02:25. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që gjatë kontrollit në automjetin e tyre janë gjetur dhe sekuestruar 8.8 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa në rastin e dytë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një persona, pasi në shtëpi i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e kokainës, një pistoletë dhe para të gatshme.

    “Mitrovicë Jugu / 28.12.2023 – 09:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar 63.9 gramë substancë narkotike e llojit kokainë, një pistoletë Rohm me një karikator dhe dy fishekë, 2600 euro dhe një telefon mobil. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

  • Bosch: Partia e Vuçiqit po luan me vendimet që po merr rreth çështjeve me Kosovën

    Bosch: Partia e Vuçiqit po luan me vendimet që po merr rreth çështjeve me Kosovën

    Autoritetet serbe kanë bërë të ditur se nga janari, makinat në targa RKS do të lejohen brenda territorit të Serbisë.

    Këtë vendim e publikoi, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

    Lidhur më këtë ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili e quajti manovër të Vuçiqit për të ulur presionin nga perëndimi demokratik.

    Edhe diplomati holandez, Robert Bosch, e sheh këtë vendim si taktizim politik nga ana Partisë Progresive Serbe.

    Sipas tij qëllimi i partisë në pushtet është të tregojë se janë konstruktiv para komunitetit ndërkombëtar.

    “Me këto vendime që po marrin, qëllimi i Partisë Përparimtare Serbe, është të tregojë se sa konstruktiv janë ata para ndërkombëtarëve. Partia në pushtet po synon të dëshmojë që janë të gatshëm për bisedime me ndërkombëtarët për çështjen e dialogut me Kosovën. Por, unë konsideroj se pozicioni i tyre po lëkundet për shkak të pakënaqësive të qytetarëve të cilët po protestojnë gjithnjë e më shumë kundër këtij regjimi. Ju mund ta shihni se sa shumë qytetarë kanë dalë nëpër rrugët e Beogradit dhe ata duket se nuk e kanë ndërmend të ndalen derisa diçka të ndryshojë. Mendoj që tani e tutje edhe pozicioni i ndërkombëtarëve karshi Serbisë paksa do të ndryshojë. Tani të presim dhe të shohim se a do të respektohet kjo marrëveshje më 1 janar”, tha diplomati Bosch.

    Mirëpo, ndryshe këtë situatë e vlerëson analisti politik nga Mitrovica e Veriut, Ognjen Gogiq.

    Ai thotë ky vendim nuk u mor për kalkulime politike, po për t’ia lehtësuar udhëtimin qytetarëve serbë.

    “Unë mendoj se këtë vendim autoritet serbe e morën për shkak se shumica e qytetarëve serb në Kosovë i kanë riregjistruar targat e makinave në RKS. Nëse Serbia nuk do të ndryshonte qasje atëherë serbët nga Kosova do të ishin pala e dëmtuar, sepse janë që ata më së shumti udhëtojnë për në Serbi. Prandaj unë mendoj se ky vendim nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet në Serbi. Natyrisht, që nga ky vendim nuk do të përfitojnë vetëm serbët e Kosovës por edhe komunitetet e tjera. Mos harroni se tani Serbia është në një pozitë të vështirë para ndërkombëtarëve për shkak të asaj çfarë ka ndodhur në Banjska, andaj tani qëllimi i Serbisë është që të tregohet sa më konstruktive. Këtë vendim të Serbisë e mbështeti edhe Bashkimi Evropian”, tha analisti politik, Ognjen Gogiq.

    Kujtojmë që Qeveria e Kosovës, disa herë e ka shtyrë afatin për regjistrimin e makinave për t’u dhënë më shumë kohë qytetarëve në veri të Kosovës, të cilët që nga paslufta kanë përdorur targa të lëshuara nga autoritetet serbe.

  • Nënshkruhet marrëveshja me vlerë 13.2 milionë euro

    Nënshkruhet marrëveshja me vlerë 13.2 milionë euro

    Pritet të nënshkruhet marrëveshja e nën-grantit në mes të Ministrisë së Financave, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” me vlerë 13.2 milionë euro për projektin “Klima e Përshtatshme për Zhvillimin Urban të Ujërave të Zeza – Prishtinë”.

    Marrin pjesë ministri i Financave, Hekuran Murati, udhëheqësja e Sektorit për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Ambasadën gjermane Vera Baumann, kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina” Arsim Fetahu.

    Sipas njoftimit, ceremonia e nënshkrimit do të mbahet në objektin e Qeverisë.

  • Osmani: Jam angazhuar të parandaloj masa më të rrepta të BE-së – Borrell më ka premtuar se do ta bëjë propozimin për heqjen e tyre

    Osmani: Jam angazhuar të parandaloj masa më të rrepta të BE-së – Borrell më ka premtuar se do ta bëjë propozimin për heqjen e tyre

    Presidentja Vjosa Osmani ka folur mbrëmë lidhur me masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës, tash e disa muaj,.

    Osmani tha se si presidente e vendit është angazhuar për të parandaluar masa më të rrepta të BE-së ndaj vendit.

    ”Kosova nuk e ka pushtuar askëndë që të meritoj masa te tilla ne nivel të BE-së. Si presidente jam angazhuar që të parandalojë masa më të rrepta, partenerët tanë e dinë shumë mirë se për çfarë masash”, tha Osmani.

    Osmani tha se Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell i ka premtuar se do bëjë propozimin për heqjen e masave ndaj Kosovës.

    ”Në takimin e fundit të BE-se me Ballkanin Perëndimor kam insituar që të përfshihet një rrugë e qartë se si të hiqen masat dhe me këtë kërkesë është përcaktuar ajo rrugë ku ja kanë dhënë këtë të drejtë Borellit që ai ta bëjë propozimin për heqjen e masave dhe pas propozimit të tij ato te hiqen”, tha Osmani.

    Osmani tutje ka shtuar se ”Borrell me ka premtuar që do ta bëjë këtë propozim, në vazhdimisht do të bëjmë preson që ky propozim të vijë shumë shpejt”, ka thënë Osmani në një intervistë për RTV21.

    Duke folur për sanksionet, Osmani tha se nganjëherë kokëfortësia është se shëndetshme.

    Sipas Osmanit interesat e Kosovës, duhet të mbrohen me kokëfortësi.

    “Duhet të zgjidhet edhe momenti i duhur kur një kokëfortësi e tillë përdoret. Duhet të zgjidhen edhe betejat, në rast se ndonjë herë ndokush kërkon që ta zëmë t’i ndryshojmë kufijtë, të ndahet Kosova ose të defunksioanlizohet Kosova, në me kokëfortësi duhet të mbrojmë të drejtën tonë që ta mbajmë Kosovën shtet funskional në kufinjt tonë aktual tonë sovran, Kushtetutën tonë pavarësisht se kush ulet në karrigen tjetër, por në rast se gjërat që kërkohen nga partnerët tanë janë të tilla që nuk i rrezikojnë këto vlera dhe parime unë jam për atë që mos të tentojmë që të bëhemi apo të tregohemi më të fortë se sa që jemi në të vërtetë”, tha Osmani.

  • Analistët: Qeveria Kurti dështoi në vitin 2023, pati progres të limituar

    Analistët: Qeveria Kurti dështoi në vitin 2023, pati progres të limituar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka deklaruar se gjatë viti 2023 ka pasur fusha ku do të dëshironte të kishte më shumë sukses.

    E, pavarësisht kësaj ka thënë se asnjë punë në qeverisjen e tij nuk ka shkuar në drejtim të gabuar.

    Ndërsa, e ka pranuar se si qeveri nuk janë të përsosur.

    Por, se cilat janë dështimet dhe përparimet e kësaj qeverie në këtë vit, për Front Online kanë folur analistë politik.

    Sipas tyre, Qeveria “Kurti” ka pasur shumë dështime e pas progres, madje edhe ky progres sipas tyre ka qenë i limituar.

    Si dështime ata kanë përmendur politikën e jashtme, sektorin e ekonomisë, përfundimin e shumë ligjeve në Kushtetuese e çështje të tjera.

    Arifi: Qeveria “Kurti” me shumë dështime e me progres të limituar

    Analisti politik, Dritëro Arifi, ka numëruar një varg që siç thotë ai janë dështime të kësaj qeverie në vitin 2023.

    Ai ka përmendur edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian, e për të cilat thotë se kjo qeveri nuk arrit t’i heqë ato.

    “Nëse mund të themi dështimet më të mëdha janë pikërisht në sektorin e ekonomisë që nuk kanë arritur ta ringjallin as shpresën por as çështjet ku ekonomia e Kosovës përballet me sundim të dobët të ligjit, me ekonomi joformale. Dështim i radhës këtë vit janë edhe sanksionet apo masa e vendosura nga BE-ja që Qeveria nuk arriti në asnjë mënyrë që të paktën t’i heqë në këtë vit, po ashtu dështim është edhe reforma në drejtësi sepse ende nuk e ka arritur nivelin e duhur të reformës, pra ka suksese shumë të limituara”, ka deklaruar ai për Front Online.

    Si dështim tjetër Arifi po e sheh edhe politikën e jashtme.

    “Sa i përket mosnjohjeve këtu ka dështuar sepse Qeveria nuk ka pasur kapacitet të angazhohet për njohje të reja, por si përparim të limituar mund ta themi kalimin e parë të fazës së Kosovës për anëtarësim në KIE”, është shprehur Arifi.

    Analisti Arifi ka përmendur edhe ligjet të cilat po miratohen në Kuvend, e që pastaj po dërgohen në Kushtetuese dhe po shpallen antikushtetuese.

    Sipas tij, kjo dëshmon dy gjëra.

    “Një problematikë tjetër që këtë qeveri po e përcjell që nga fillimi deri tash janë edhe aprovimi i ligjeve jokushtetuese. Pra në momentin kur ato ligje po shkojnë në Kushtetuese 90% deri tash të ligjeve i ka humbur sepse kanë dalë ligje antikushtetuese dhe kjo dëshmon dy gjëra. E para që kjo qeveri nuk ka kapacitete njerëzore humane për tu marrë në mënyrë profesionale për tu marr me hartimin e ligjeve dhe e dyta është e qëllimshme sepse po tentojnë në forma joligjore në një farë forme ta kontrollojnë tërë pushtetin në Kosovë dhe kjo është shumë e dëmshme”, ka thënë ndër të tjera Arifi.

    Kurse, si përparim e sheh marrjen nën kontroll të veriut, por që edhe për këtë pohon se ende nuk ka përfunduar e gjitha puna.

    “I vetmi përparim që mund ta them është marrja nën kontroll e veriut, mirëpo pikërisht për shkak të këtij përparimi jemi dëmtuar në shumë aspekte tjera, pro sidoqoftë këtë mund ta themi që është përparimi më i madh i Qeverisë Kurti, mirëpo edhe aty ende nuk ka përfunduar puna edhe aty”, ka shtuar ai.

    Demhasaj: Qeveria “Kurti” ka dështuar në aspektin ekonomik, politik e në politikën e jashtme

    Që qeveria Kurti nuk ka pasur përparim në vitin 2023 e thotë edhe analisti tjetër, Arton Demhasaj.

    Ai ka përmendur disa aspekte e që vlerëson që nuk ka pasur lëvizje në to nga kjo qeveri.

    “Jo vetëm në vitin 2023 por prej marrjes së mandatit të kësaj qeverie nuk është që mund të shquhen për ndonjë lëvizje të madhe në aspektin politik, as në atë ekonomik e as në atë të politikave të jashtme. Politika e jashtme ka stagnuar në të gjitha aspektet, pra nuk kemi asnjë njohje që ka arrit me siguru, po ashtu nëse flasim edhe për çështjen e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare nuk ka ndonjë lëvizje përpos një aplikim që e kemi bërë”, ka thënë ai.

    Por, deklaron se në dialog ka pasur një përparim.

    “Në dialog mund të themi se kemi pas pak a shumë përparime, kemi pas marrëveshjen e Brukselit njëkohësisht aneksin e Ohrit por që pastaj ka ngec në implementim. Tash mund të themi se kemi pas një përparim pasi kemi pas edhe një konvertim të targave nga ana e serbëve në komunat veriore dhe vendimi i Qeverisë së Serbisë për t’i njohur ato targa”, është shprehur Demhasaj.

    Kurse fatkeqësi për këtë qeveri e quan atë se shumë ligje pas dërgimit në Gjykatën Kushtetuese po dalin të jenë antikushtetuese.

    “Opozita e ka vlerësimin e saj edhe një pjesë të madhe të ligjeve i ka dërguar në Kushtetuese dhe është fatkeqësi që shumicën prej atyre ligjeve Kushtetuesja i ka vërtetuar që janë antikushtetuese, dje ishte i fundit edhe Ligji i Pagave dhe kjo tregon që në një farë forme Qeveria edhe Kuvendi një pjesë të ligjeve që i kanë votuar janë konstatu se janë kundërkushtetuese”, ka thënë tutje ai.

    Muhaxhiri: Politika e Jashtme në vitin 2023 ka stagnuar totalisht

    Vit të vështirë vitin 2023 për qytetarët e Kosovës e sheh edhe analisti tjetër Artan Muhaxhiri.

    Muhaxhiri, deklaron se kryeministri Albin Kurti shumicën e energjisë së tij e ka shpenzuar në dialog.

    “Viti 2023 ka qenë shumë i vështirë për qytetarët e Kosovës sepse nuk ka pas ndonjë zhvillim substancial ekonomik dhe politik dhe kanë qenë në shpërputhje me tentimet të cilat janë bërë nga qeveria Kurti për përmirësim të shpejtë dhe fundamental të mirëqenies së qytetarëve. Çështja e dialogut e ka dominuar gjithë vitin dhe kryeministri Kurti ka harxhuar shumicën e energjisë së tij politike duke u marrë më tema direkte apo indirekte të procesit të dialogut”, është shprehur Muhaxhiri për Front Online

    Ndërsa, për përfundimin e shumë ligjeve në Kushtetuese, Muhaxhiri thotë se qasja e Qeverisë për këtë çështje më shumë ka qenë partiake.

    “Qeveria e Kosovës ka pasur shumë probleme në aspektin e ligjeve sepse qasja e saj ndaj ligjeve ka qenë partiake e jo shtetërore, prandaj edhe ka has në bllokada të panumërta nga Kushtetuesja për faktin që ligjet që janë propozuar nga Qeveria dhe janë miratuar në Kuvend nuk kanë qenë në harmoni me Kushtetutën dhe kjo është bërë një traditë negative dhe e dëmshme”, ka thënë ai.

    Sipas tij, stagnim ka pasur edhe në politikën e jashtme.

    “Politika e jashtme e Kosovës ka stagnuar në plotëni sepse nuk ka pas as vizion, as plane e as ide që të avancohet pozita ndërkombëtare e Kosovës”, ka pohuar ndër të tjera Muhaxhiri.

    Ndryshe, qeveria e Kosovës në këtë vit ka mbajtur 62 mbledhje me 564 vendime të marra e 78 projektligje të kaluara.

  • A po e refuzon Qeveria draft-statutin e Asociacionit?

    A po e refuzon Qeveria draft-statutin e Asociacionit?

    Partitë opozitare kanë shprehur shqetësim, siç thonë, me ndryshimin e qëndrimeve të kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit Konjufca për draft-statutin e asociacionit. Sipas tyre, qëndrimet e tyre fillimisht për dhe pastaj kundër zbatimit, janë jo serioze dhe do të ndikojnë keq në marrëdhëniet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar. Analistët thonë se Qeveria duhet të ketë kujdes sepse kjo ndikon në prishjen e raporteve me faktorin ndërkombëtar.

    Pas kërkesave të shumta të faktorit ndërkombëtarë se Qeveria duhet ta themelojë asociacionin në bazë të draft-statutit të propozuar nga BE-ja, kryeministri, Albin Kurti Kurti, ka thënë se BE-ja dhe presidenti serb Vuçiq e kanë humbur shansin më 26 tetor në Bruksel, kur ai ishte i gatshëm ta nënshkruajë Asociacionin, ndërsa Vuçiq jo. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dal hapur kundër draft-statutit të Asociacionit. Sipas tij, nuk mund të zbatohet drafti në të cilin ka shumë pika të dëmshme. Partitë opozitare ndërkohë kritikojnë pushtetin për ndryshim qëndrimesh.

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se është jo serioze që njëherë të pranohet e pastaj refuzohet një marrëveshje ndërkombëtare.

    “Qesharake dhe për keqardhje janë deklarimet e udhëheqësve të shtetit për asociacionin. Kryeministri ka pranuar në marrëveshjen e Ohrit asociacionin. Asociacioni është derivat i nenit të 7 të kësaj marrëveshje”, tha Çitaku.

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Qeveria Kurti nuk duhet të merret seriozisht për shkak të ndryshimeve të qëndrimeve që ka treguar në raport me marrëveshjen për Asociacionin. Sipas tij, luhatja e qëndrimeve do të ndikojë për të keq në raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar.

    “Kjo Qeveri nuk duhet të merret seriozisht. Thanë se nuk e pranojnë asociacionin e pranuar në Ohër dhe Bruksel”, tha ai.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk mund të ketë vazhdim të dialogut derisa pala serbe përmes një letre dërguar BE-së ka shprehur hapur se nuk do ta njoh de-facto Kosovën.