ATV

Blog

  • Tërnava uron për festën e Kurban Bajramit, bën thirrje për unitet: Fushata me akuza e urrejtje s’i shërben të ardhmes

    Tërnava uron për festën e Kurban Bajramit, bën thirrje për unitet: Fushata me akuza e urrejtje s’i shërben të ardhmes

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka bërë thirrje për unitet, dashuri dhe solidaritet gjatë ligjëratës së mbajtur në manifestimin qendror të Kurban Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, duke theksuar se Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik e ekonomik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore.

    Para besimtarëve, Tërnava kritikoi përplasjet politike dhe interesat e ngushta partiake, duke thënë se qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat sipas tij kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.

    “Vendi ka nevojë për stabilitetin ekonomik e politik dhe institucione funksionale e përgjegjësi shtetërore. Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore, përplasjet e pafundme të partive tona, kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional, nuk i shërbejnë Kosovës, por dobësojnë besimin qytetar dhe zbehin shpresën e brezit të rii. Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Nuk mund të ketë armiqësi personale mbi fatin e Kosovës. Stabiliteti i shtetit dhe mirëqenia e qytetarit janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar”, tha myftiu Tërnava.

    Ai u ndal edhe te zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor, duke kërkuar nga subjektet politike që fushata zgjedhore të zhvillohet me maturi, respekt dhe kulturë demokratike.

    “Në këtë fushatë parazgjedhore le të mos ketë vend për gjuhë të urrejtjes, fyerje, linçim, akuza të pabazuara dhe njollosje të njëri-tjetrit me akuza të pavërteta vetëm për një votë. Një fushatë e ndërtuar me përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës dhe as të ardhmes së saj. Le të mbizotërojë dinjiteti dhe kultura demokratike e dialogut. Le të ketë respekt të mendimit ndryshe… Mbesim me shpresë se pas këtyre zgjedhjeve, faktori politik të reflektojë me maturi dhe përgjegjësi shtetërore, që institucionet e vendit të formohen sa më shpejtë dhe të krijohet stabiliteti politik institucional për të punuar bashkërisht për të ardhmen e Kosovës, mirëqenien e qytetarëve dhe të ardhmen e të rinjve… Vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat”, tha ai.

  • Kurti uron festën e Kurban Bajramit: Le të udhëhiqemi çdo ditë nga dashamirësia dhe zemërgjerësia

    Kurti uron festën e Kurban Bajramit: Le të udhëhiqemi çdo ditë nga dashamirësia dhe zemërgjerësia

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke bërë thirrje për solidaritet, mirësi dhe respekt ndaj njëri-tjetrit.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi se shqiptarët duhet të udhëhiqen çdo ditë nga dashamirësia dhe zemërgjerësia, duke synuar gjithmonë më të mirën për tjetrin dhe për shoqërinë.

    “T’i ndajmë të mirat me miq, fqinjët e nevojtarët, si mirënjohje për bekimet që gëzojmë dhe ushtrim për sakrificën si virtyt i lartë njerëzor. Paçim gjithmonë mirësi, begati e mbarësi”, ka shkruar Kurti.

  • Falet namazi i Kurban Bajramit në Kosovë

    Falet namazi i Kurban Bajramit në Kosovë

    Besimtarët myslimanë po festojnë ditën e Kurban – Bajramit. Tashmë edhe ka përfunduar namazi i faljes së së Kurban Bajramit.

    Besimtarë po urojnë njëri-tjetrin për këtë festë.

    Namazi i Kurban Bajramit është falur nga ora 05:40.

    Festa e Fitër dhe Kurban Bajramit përbëjnë dy nga festat më të rëndësishme për myslimanët.

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në mesazhin e tij të martën ka kërkuar nga partitë politike që të zhvillojnë fushatë me dinjitet dhe maturi, për zgjedhjet e 7 qershorit.

  • E ardhmja e Uzunit mund të rikthehet në Europë, Trabzonspor i interesuar

    E ardhmja e Uzunit mund të rikthehet në Europë, Trabzonspor i interesuar

    Klubi turk Trabzonspor po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të sulmuesit të Shqipërisë, Myrto Uzuni, në një lëvizje që mund të rikthejë interesimin e tyre për repartin ofensiv.

    Sipas mediave turke, përfshirë “Habergo”, klubi nga Trabzoni po e ndjek nga afër situatën e 30-vjeçarit, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës amerikane Austin FC në Major League Soccer.

    Raportohet se paraqitjet e mira të Uzunit në këtë sezon kanë bërë që Trabzonspor të rikthejë vëmendjen ndaj tij, duke e konsideruar si një profil ideal për të forcuar sulmin në prag të sezonit të ri.

    Sulmuesi shqiptar ka kontratë me klubin amerikan deri në fund të vitit të ardhshëm, çka nënkupton se çdo transferim i mundshëm do të kërkonte marrëveshje mes dy klubeve.

    Po sipas të njëjtave burime, Trabzonspor kishte tentuar ta sillte Uzunin edhe gjatë afatit kalimtar të janarit, por marrëveshja nuk ishte finalizuar.

    Myrto Uzuni u transferua te Austin FC vitin e kaluar nga Granada CF për rreth 12 milionë euro, duke u bërë një nga blerjet më të shtrenjta në historinë e klubit amerikan.

    Ndërkohë, Trabzonspor në përbërje ka edhe sulmuesin shqiptar Ernest Muçi, i cili u transferua nga Beşiktaş.

  • Muriqi mesazh prekës tifozëve të Mallorcës: Do të rikthehemi më të fortë

    Muriqi mesazh prekës tifozëve të Mallorcës: Do të rikthehemi më të fortë

    Vedat Muriqi ka reaguar me një mesazh të ndjerë drejtuar tifozëve të Mallorcës, duke ndarë me ta dhimbjen dhe zhgënjimin pas një fundi të vështirë të sezonit, ku skuadra do të zbresë në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll nga edicioni i ardhshëm.

    Sulmuesi i Kosovës thekson se në momente të tilla “fjalët peshojnë rëndë”, pasi edhe ai e përjeton njësoj trishtimin që ndiejnë mbështetësit e klubit.

    Ai kujton se gjatë gjithë sezonit, skuadra dhe tifozët kanë ecur së bashku në çdo situatë, duke ndarë si gëzimet ashtu edhe vështirësitë, pa e humbur asnjëherë besimin reciprok.

    Muriqi nënvizon gjithashtu përgjegjësinë që ka ndjerë sa herë ka veshur fanellën e Mallorcës, duke e cilësuar përkrahjen e tifozëve si një shtysë të madhe në çdo ndeshje.

     

    Mesazhi i plotë i Muriqit:

    “Sot fjalët peshojnë vërtet shumë, sepse dhimbjen dhe trishtimin tuaj e ndiej edhe unë thellë në zemër.

    Gjatë gjithë sezonit qeshëm dhe vuajtëm bashkë. Kaluam momente të vështira, por kurrë nuk e humbëm besimin tek njëri-tjetri. Sa herë që zbrisja në fushë, ndieja përgjegjësinë për këtë fanellë dhe mbështetja juaj më jepte gjithmonë forcë.

    Futbolli ndonjëherë është i pamëshirshëm, por kush e njeh shpirtin e Mallorcës e di mirë se ky klub gjithmonë është ringritur më i fortë. Dhe unë besoj në këtë me gjithë zemër.

    Sot jemi të trishtuar dhe të lënduar, por kjo stemë do të rikthehet aty ku e meriton, sepse historia e Mallorcës nuk është histori dorëzimi.

    Faleminderit për mbështetjen tuaj në çdo moment.”

  • Igli Tare largohet nga “Casa Milan”, nis epoka e re te Milani

    Igli Tare largohet nga “Casa Milan”, nis epoka e re te Milani

    Në Milano po nis një kapitull i ri pas ndryshimeve të mëdha në strukturën drejtuese të klubit. Igli Tare është parë të largohet nga “Casa Milan” të martën në mëngjes, vetëm një ditë pas konfirmimit zyrtar të shkarkimit të tij nga “Rossonerët”, së bashku me Giorgio Furlanin, Massimiliano Allegrin dhe Geoffrey Moncadan.

    Vendimi i pronarëve të klubit, RedBird Capital Partners, shënon një riorganizim të thellë te Milani, i cili pritet të hyjë në një fazë të re ndërtimi për sezonet e ardhshme.

    Tare u shfaq në ambientet e selisë së klubit në mëngjesin e së martës, ku përfundoi procedurat e largimit dhe mori me vete sendet e tij personale, përfshirë edhe një fanellë të kornizuar të Milanit.

    Para gazetarëve, ish-drejtori sportiv u shpreh shkurt pas largimit nga klubi ku shërbeu gjatë sezonit 2025/26.

    “Gjithmonë i kam bërë këto gjëra me shumë sakrificë,” deklaroi Tare, duke reflektuar mbi periudhën e tij te kuqezinjtë.

    Sipas raportimeve, kontrata e mbetur e Tares me Milanin vlerësohej rreth 3 milionë euro bruto, pasi marrëveshja e tij ishte e vlefshme deri në vitin 2028 me një pagë vjetore prej rreth 800 mijë eurosh.

    Largimi i tij, së bashku me figurat kryesore të klubit, shënon një ndër ndryshimet më të mëdha të fundit në strukturën drejtuese të Milanit.

  • Barcelona vë në shënjestër Muriqin pas largimit të Lewandowskit

    Barcelona vë në shënjestër Muriqin pas largimit të Lewandowskit

    Barcelona ka nisur përgatitjet për një ndryshim të rëndësishëm në repartin ofensiv, teksa klubi katalanas po kërkon zëvendësuesin e Robert Lewandowskit. Në listën e opsioneve të mundshme ka përfunduar edhe sulmuesi kosovar Vedat Muriqi.

    Futbollisti i Mallorcas po konsiderohet si një alternativë e papritur, por gjithnjë e më reale për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick, sidomos pas sezonit të tij të fortë individual në La Liga.

    Muriqi zhvilloi një edicion mbresëlënës, duke shënuar 23 gola, edhe pse nuk arriti ta ndihmojë Mallorcan të mbijetojë në elitën e futbollit spanjoll. Pikërisht kjo formë ka tërhequr vëmendjen e Barcelonës, e cila kërkon një sulmues me eksperiencë, forcë fizike dhe efikasitet të menjëhershëm para portës.

    Drejtori sportiv Deco raportohet se e vlerëson shumë profilin e sulmuesit kosovar, i cili është i njohur me La Ligan, dominon në duelet ajrore dhe ofron një dimension fizik që aktualisht i mungon repartit ofensiv të katalanasve.

    Plani i Barcelonës nuk e sheh Muriqin si një projekt afatgjatë, por më shumë si një zgjidhje të shpejtë dhe funksionale për të mbushur boshllëkun e lënë nga Lewandowski.

    Rënia e Mallorcas në Segunda Division mund të ndikojë ndjeshëm në negociata, pasi klubi spanjoll pritet të përballet me presion financiar dhe mund të detyrohet të shqyrtojë shitjen e lojtarëve kryesorë.

    Barcelona, nga ana tjetër, raportohet se është e gatshme të ofrojë rreth 15 milionë euro për kartonin e Muriqit, një shifër e konsideruar e menaxhueshme për realitetin aktual financiar të klubit.

    Vetë sulmuesi kosovar, sipas raportimeve, mund ta shohë pozitivisht një transferim në “Camp Nou”, pasi do t’i ofronte mundësinë të garojë për trofe dhe të luajë në nivelet më të larta të futbollit evropian.

    Përveç Barcelonës, për Muriqin interesim ka edhe nga MLS, por opsioni katalanas mbetet më tërheqës në aspektin sportiv.

    Në “Camp Nou” po shqyrtohet edhe mundësia e një kontrate dyvjeçare për sulmuesin, në një operacion që nuk do të kishte bujë të madhe mediatike, por që shihet si një lëvizje praktike dhe e zgjuar për të forcuar repartin ofensiv.

  • Ramadani dominon statistikën e Serie A, lë pas yjet e mëdhenj

    Ramadani dominon statistikën e Serie A, lë pas yjet e mëdhenj

    Ylber Ramadani po vazhdon të tërheqë vëmendje në Serie A me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme, duke konfirmuar sezonin më të mirë të karrierës së tij në futbollin italian.

    Mesfushori shqiptar i Lecces ka lënë pas disa prej emrave më të njohur të kampionatit elitar italian, duke u renditur në krye të statistikës për distancën e përshkuar gjatë sezonit 2025/26.

    Sipas të dhënave zyrtare, Ramadani ka përshkuar plot 421.58 kilometra, duke u bërë lojtari më “punëtor” i Serie A për këtë edicion. Pas tij renditen Bryan Cristante i Romës me 412.44 kilometra dhe Morten Frendrup i Genoas me 403.62 kilometra.

    Ky rekord është një tjetër dëshmi e rolit të madh që 28-vjeçari ka në skuadrën e Lecces. Me intensitetin, disiplinën dhe energjinë e tij të pandalshme në mesfushë, Ramadani është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të ekipit, duke kontribuar si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në ndërtimin e lojës.

    Në një kampionat ku luajnë yje të mëdhenj dhe futbollistë me vlera të larta në treg, fakti që një lojtar shqiptar kryeson një statistikë të tillë ka marrë jehonë të madhe edhe në mediat italiane.

    Ramadani po e konfirmon veten si një prej mesfushorëve më të rëndësishëm të Lecces, ndërsa për skuadrën e tij ai është kthyer në një “motor” të vërtetë që nuk ndalet gjatë gjithë 90 minutave.

  • Hapet aplikimi për studentët për shtesën prej 100 eurove, këtu mund të aplikoni

    Hapet aplikimi për studentët për shtesën prej 100 eurove, këtu mund të aplikoni

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se është hapur aplikimi për studentët për përfitimin e shtesës së njëhershme prej 100 eurove.

    Sipas Muratit, aplikimi është bërë i qasshëm përmes platformës e-Kosova, në kategorinë “Familja”.

    “Hapet aplikimi për studentë për shtesën e njëhershme prej 100 eurove”, ka bërë të ditur ai.

    Murati ka sqaruar se janë publikuar dy formularë aplikimi – një për studentët që janë shtetas të Kosovës dhe një tjetër për studentët që nuk kanë shtetësi të Kosovës, por studiojnë në vend.

    “Aplikimi për student është hapur në platformën e-Kosova tek shërbimet dhe kategoria familja. Njëri formular është për studentët që janë shtetas të Kosovës dhe tjetri është për ata që nuk e kanë shtetësinë, por që studiojnë në Kosovë”, tha ai.

    Afati për aplikim për studentët mbetet i hapur deri më 5 qershor.

    Kujtojmë se Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e fundit ka marrë vendim për ekzekutimin e Pakos për përballje me inflacionin 2.0 e cila parasheh mbështetje për kategori të ndryshme shoqërore si pensionistë, fëmijë, lehona, studentë aktivë, punëtorë privatë e familje në nevojë.

  • Kurti në IPK: Polici më e pastër, shtet më i drejtë

    Kurti në IPK: Polici më e pastër, shtet më i drejtë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar punën e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), duke e cilësuar atë si institucion kyç për ruajtjen e integritetit dhe besimit publik në shtet.

    Gjatë një vizite në IPK, Kurti tha se forca e institucioneve të sigurisë matet jo vetëm me kapacitetin operacional, por edhe me llogaridhënien dhe kontrollin e brendshëm.

    “Në çdo shtet demokratik forca e institucioneve të sigurisë matet jo vetëm me kapacitetin e tyre operacional, por edhe me integritetin, llogaridhënien dhe kontrollin e brendshëm që ato e ushtrojnë mbi veten e tyre”, deklaroi ai.

    Sipas tij, IPK është institucioni që garanton zbatimin e ligjit edhe brenda vetë sistemit të sigurisë.

    “Është mekanizmi, i cili siguron se ligji zbatohet brenda vetë sistemit të sigurisë dhe se askush nuk është mbi ligjin – pa përjashtim, pa privilegje, pa diskriminim”, tha Kurti.

    Ai përmendi edhe operacionet “Pika” dhe “Pika 2”, përmes të cilave janë ndërmarrë veprime ndaj zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës.

    “Janë ndërmarrë veprime ndaj dhjetëra zyrtarëve policorë të përfshirë në raste të korrupsionit apo të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke dërguar kësisoj një mesazh të qartë institucional: Ligji zbatohet pa përjashtim”, u shpreh ai.

    Kurti tha se IPK ka rritur praninë institucionale në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri, duke ndikuar në rritjen e besimit qytetar.

    Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë IPK-në në forcimin e kapaciteteve profesionale, garantimin e pavarësisë funksionale dhe modernizimin teknologjik.

    “Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë”, deklaroi Kurti.

    Në fund, ai tha se ankesat e qytetarëve duhet të konsiderohen si kërkesa për bashkëpunim me shtetin.

    “Ankesat e qytetarëve duhet përherë t’i konsiderojmë si kërkesa për bashkëpunim me shtetin”, përfundoi Kurti.