ATV

Blog

  • KQZ hap regjistrimin për votuesit me nevoja të veçanta për zgjedhjet e 7 qershorit

    KQZ hap regjistrimin për votuesit me nevoja të veçanta për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se, në kuadër të organizimeve për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, është hapur periudha e regjistrimit për votuesit me nevoja të veçanta.

    Sipas njoftimit, qytetarët mund të aplikojnë deri më 31 maj 2026, qoftë përmes platformës online në faqen zyrtare të KQZ-së, ashtu edhe fizikisht në zyrat e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.

    Përmes këtij procesi synohet që personave me nevoja të veçanta t’u mundësohet pjesëmarrje sa më e lehtë dhe e barabartë në procesin e votimit.

  • NATO: Avionët e parë luftarakë F-35 kanë mbërritur në Poloni

    NATO: Avionët e parë luftarakë F-35 kanë mbërritur në Poloni

    Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se kanë mbërritur në Poloni avionët e parë luftarakë F-35.

    “Një moment historik për Forcën Ajrore Polake dhe pjesën lindore të NATO-s, që shënon futjen e avionëve luftarakë të gjeneratës së 5-të të stacionuar përgjithmonë në rajon”, thuhet në postimin e NATO-s në Facebook.

    NATO gjithashtu ka publikar edhe disa fotografi.

  • Milot Rashica drejt largimit nga Besiktasi, klube nga Italia dhe Franca në garë

    Milot Rashica drejt largimit nga Besiktasi, klube nga Italia dhe Franca në garë

    E ardhmja e Milot Rashicës te Besiktasi duket gjithnjë e më e pasigurt, me sulmuesin kosovar që pritet të largohet nga gjiganti turk gjatë afatit kalimtar të verës.

    29-vjeçari nga Vushtrria ka ende edhe një vit kontratë me klubin nga Stambolli, por sezoni i fundit nuk ka qenë ndër më të mirët për të, pasi nuk arriti të sigurojë vazhdimisht vendin e titullarit në formacionin bardhezi.

    Megjithatë, interesimi për reprezentuesin e Kosovës mbetet i madh. Sipas mediave turke, disa klube nga Serie A dhe Ligue 1 po monitorojnë situatën e Rashicës dhe janë të gatshme të bëjnë lëvizje konkrete në muajt e ardhshëm.

    Gazeta turke “Takvim” raporton se emri i Rashicës vazhdon të ketë vlerë të lartë në tregun evropian, ndërsa largimi i tij nga Besiktasi mund të varet edhe nga planet e trajnerit të ri të skuadrës për sezonin e ardhshëm.

    Pavarësisht minutazhit jo të qëndrueshëm, Rashica kontribuoi me paraqitje solide këtë edicion. Ai zhvilloi 33 ndeshje me fanellën e Besiktasit, duke realizuar dy gola dhe gjashtë asistime.

    Nëse transferimi realizohet, Rashica mund të rikthehet sërish në një nga pesë kampionatet më të forta të Evropës, aty ku më parë ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij në Bundesliga dhe Premier League.

  • Revolucion te Milani: Allegri, Tare dhe drejtuesit largohen, klubi rrezikon humbje milionëshe

    Revolucion te Milani: Allegri, Tare dhe drejtuesit largohen, klubi rrezikon humbje milionëshe

    Milani ka hyrë në një fazë të re revolucioni, duke marrë vendimin drastik për të shkarkuar trajnerin Massimiliano Allegri, si dhe drejtuesit kryesorë Giorgio Furlani, Igli Tare dhe Geoffrey Moncada. Një lëvizje e bujshme që, sipas mediave italiane, mund t’i kushtojë klubit deri në 22 milionë euro.

    Pas një sezoni zhgënjyes në Serie A, ku “Rossonerët” e mbyllën kampionatin vetëm në vendin e pestë dhe mbetën jashtë Ligës së Kampionëve, drejtuesit e klubit kanë vendosur të nisin gjithçka nga e para në verën e vitit 2026.

    Sipas “La Gazzetta dello Sport”, shkarkimet do të kenë ndikim të madh financiar në bilancin e klubit. Gazeta italiane raporton se këto shpenzime do të regjistrohen si kosto të jashtëzakonshme në pasqyrat financiare që mbyllen më 30 qershor 2026.

    Pesha më e madhe financiare lidhet me largimin e drejtorit ekzekutiv Giorgio Furlani dhe trajnerit Massimiliano Allegri.

    Furlani kishte kontratë deri në vitin 2028 dhe përfitonte rreth 3 milionë euro në sezon, pa llogaritur bonuset. Kjo e çon koston totale të largimit të tij në afro 10 milionë euro bruto.

    Nga ana tjetër, Allegri është ende nën kontratë deri në qershor të vitit 2027, me një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon, ose rreth 9 milionë euro bruto në total.

    Edhe Igli Tare do t’i kushtojë klubit një shumë të konsiderueshme. Ish-drejtori sportiv kishte marrëveshje deri në vitin 2028 dhe paga e tij prej 800 mijë eurosh në vit e çon vlerën e mbetur të kontratës në rreth 3 milionë euro bruto.

    Ndërkohë, Geoffrey Moncada ndodhet në një situatë tjetër. Francezi kishte arritur marrëveshje për rinovim me Milanin, por kontrata e re ende nuk ishte firmosur, çka do të thotë se klubi ka vetëm një muaj detyrime financiare ndaj tij.

    Megjithatë, raporti thekson se këto kosto mund të reduktohen në të ardhmen nëse Allegri, Tare apo Furlani arrijnë marrëveshje të reja me klube ose kompani të tjera.

    Sa i përket Allegrit, emri i tij tashmë përmendet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Napolit, në rast se Antonio Conte largohet nga kampionët e Italisë.

  • Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë, ASK: Çmimet u ngritën me 4.3% brenda një viti

    Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë, ASK: Çmimet u ngritën me 4.3% brenda një viti

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) ka shënuar rritje gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.

    Sipas të dhënave të ASK-së, në TM1 2026, krahasuar me TM4 2025, kostoja e ndërtimit është rritur për 2.5 për qind. Ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë pasur transporti me 5.9 për qind, pagat me 2.8 për qind, kostot tjera me 2.6 për qind, materialet me 2.5 për qind dhe makineritë me 0.5 për qind. Ndërkohë, ulje është regjistruar vetëm te energjia, me 3.9 për qind.

    Po ashtu, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, TM1 2025, Indeksi i Kostos së Ndërtimit është rritur për 4.3 për qind.

    ASK thekson se rritja më e madhe vjetore është evidentuar te transporti me 11.5 për qind, pasuar nga pagat me 8.6 për qind, kostot tjera me 6.2 për qind, energjia me 5.5 për qind, materialet me 3.2 për qind dhe makineritë me 0.7 për qind.

    Të dhënat tregojnë se sektori i ndërtimit në Kosovë vazhdon të përballet me rritje të kostove, të ndikuara kryesisht nga transporti dhe fuqia punëtore.

  • Itali: Babai godet dy herë me thikë djalin 12-vjeçar dhe më pas tenton të vrasë veten

    Itali: Babai godet dy herë me thikë djalin 12-vjeçar dhe më pas tenton të vrasë veten

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një djalë 12-vjeçar u qëllua dy herë me thikë në gjoks në shtëpinë e tij në Napoli nga babai i tij.

    Siç bëjnë me dije mediat, ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një grindje në familje, me tehun e thikës që depërtoi në mushkëritë e të miturit.

    Pasi e kishte goditur të birin me thikë, burri më pas u përpoq t’i merrte jetën vetes duke e qëlluar veten në fyt dhe në fytyrë me thikë.

    Nëna e 12-vjeçarit thuhet se është plagosur gjithashtu në dorë, shkruan Tch.

    Babai dhe djali u shtruan në Spitalin Veçhio Pellegrini në gjendje kritike.

  • Seuli thotë se Koreja e Veriut lëshoi disa predha përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi

    Seuli thotë se Koreja e Veriut lëshoi disa predha përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi

    Koreja e Veriut lëshoi ​​disa predha, përfshirë të paktën një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi, drejt ujërave pranë bregut perëndimor të vendit të martën, tha ushtria e Koresë së Jugut.

    Ato u lançuan rreth orës 13:00 (04:00 GMT) nga afër Chongju në Provincën Pyongan të Veriut të Koresë së Veriut, tha në një deklaratë Shefat e Përbashkët të Shtabit (JCS) të Koresë së Jugut, shkruan Reutres.

    Raketa fluturoi rreth 80 kilometra (49.7 milje), tha JCS, transmeton Sinjali.

    Ky është lëshimi i parë i njohur i raketave nga Koreja e Veriut që nga 19 prilli, kur vendi testoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, të cilat tha se ishin të pajisura me bomba thërrmuese.

    Në fillim të prillit, Pheniani tha gjithashtu se testoi një kokë të re bombë thërrmuese në një raketë balistike dhe një armë elektromagnetike, në një veprim që analistët thanë se ishte pjesë e përpjekjeve për të treguar aftësinë e Veriut për të luftuar një luftë moderne.

    Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha në mars se statusi i vendit të tij si një shtet i armatosur bërthamor ishte i pakthyeshëm dhe se zgjerimi i një “force bërthamore vetëmbrojtëse” ishte thelbësor për sigurinë kombëtare.

    Pavarësisht sanksioneve të OKB-së mbi programet e saj të armëve bërthamore dhe raketave balistike që nga viti 2006, Koreja e Veriut ka përshpejtuar përpjekjet vitet e fundit për të ndërtuar arsenalin e saj nën udhëheqjen e Kim, duke marrë dënimin nga Koreja e Jugut, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut i kërkoi Koresë së Veriut t’u përgjigjet propozimeve të paqes dhe përpjekjeve të Seulit për të ulur tensionet të martën.

    Seuli do të ruajë qëllimin e tij për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, ndërkohë që ndjek një qasje pragmatike dhe me faza për zgjidhjen e çështjes bërthamore të Koresë së Veriut në koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, tha zëdhënësi.

  • Kongresmenët amerikanë në Preshevë, Rexhepi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet

    Kongresmenët amerikanë në Preshevë, Rexhepi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se sot në Preshevë po qëndrojnë kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët u pritën në zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar së bashku me deputetin Shaip Kamberi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

    Gjatë takimit, sipas Rexhepit, u diskutuan në detaje problemet me të cilat shqiptarët e Luginës së Preshevës po përballen prej dekadash, duke përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, mungesën e përfaqësimit institucional dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.
    “Patëm mundësinë të shtjellojmë të gjitha temat dhe çështjet me të cilat, tash e me dekada, përballet Lugina e Preshevës. Pasivizimi, mosnjohja e diplomave, mospërfaqësimi në institucione, varfërimi dhe moszhvillimi i komunave tona kanë një qëllim të qartë: shpopullimin e Luginës nga shqiptarët”, ka deklaruar Rexhepi.

    Ai ka theksuar se mungesa e investimeve dhe moszbatimi i marrëveshjeve të arritura për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore vazhdojnë të mbeten shqetësime serioze për komunitetin shqiptar në jug të Serbisë.

    “Mungesa e investimeve, bllokimi i mjeteve nga Republika e Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar, centralizmi i shtetit në çdo institucion, moshapja e kufirit Miratoc–Llojan, moszbatimi i Planit 7 Pikësh dhe i Planit Aksional për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore janë dëshmi të qarta të një qasjeje diskriminuese”, është shprehur ai.

    Në takim ishte e pranishme edhe Teuta Fazliu, e cila sipas Rexhepit është një nga rastet e shqiptarëve të prekur nga pasivizimi i adresave dhe që çështjen e saj e ka dërguar deri në Gjykatën e Strasburgut.

    “Kongresmenët patën mundësinë që nga ajo personalisht të dëgjojnë shembuj konkretë se si pasivizimi i adresave po i selekton veçanërisht shqiptarët”, ka thënë Rexhepi.

    Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua edhe projektligjit të iniciuar nga kongresmeni amerikan Keith Self, për të cilin Rexhepi tha se po shihet si një shpresë e madhe për mbështetje ndërkombëtare ndaj shqiptarëve të Luginës.

    “Projektligji i kongresmenit Keith Self, i cili ka gjetur mbështetje nga të dy kampet politike në SHBA, mbetet shpresa jonë e madhe për mbështetje ndërkombëtare që do ta detyrojë Qeverinë e Serbisë të ndalojë diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, deklaroi ai.

    Në fund, Rexhepi ka falënderuar kongresmenët amerikanë për vizitën dhe mbështetjen e tyre, duke nënvizuar lidhjen e fortë të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Shqiptarët në përgjithësi, e ata të Luginës në veçanti, mbeten komuniteti më proamerikan në rajon”, përfundoi ai.

  • Kurti pret në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, e falënderon për angazhimin

    Kurti pret në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, e falënderon për angazhimin

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Frédérique Duversin.

    Zyra e Kryeministrit tha se Kurti e ka falënderuar atë  për përkushtimin e saj shumëvjeçar ndaj Kosovës dhe për kontributin në promovimin e kulturës kosovare në Francë.

    “Ai vlerësoi angazhimin e saj të vazhdueshëm që nga vitet ’90, si dhe mbështetjen që ajo u ka dhënë artistëve, studentëve dhe studiuesve të rinj kosovarë përmes krijimit të mundësive për zhvillim akademik e kulturor në Francë”, thuhet në njoftim.

    ZKM tha se gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimit, përmes shkëmbimeve akademike, rezidencave artistike dhe promovimit të artistëve, regjisorëve, shkrimtarëve dhe muzikantëve kosovarë në Francë dhe në hapësirën frankofone.

    “Po ashtu, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me muze, biblioteka, universitete dhe shkolla arti franceze, si një bazë e mirë për zgjerimin e mëtejmë të rrjetit të bashkëpunimit përmes Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris. Në takim u ritheksua rëndësia e diplomacisë kulturore në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe nevoja për vazhdimin e mbështetjes ndaj promovimit të kulturës, artit dhe bashkëpunimit akademik të Kosovës në hapësirën frankofone”.

  • Aksident në Belgjikë, treni përplaset me autobusin e shkollës – disa të vdekur

    Aksident në Belgjikë, treni përplaset me autobusin e shkollës – disa të vdekur

    Disa persona vdiqën pas një përplasje të një treni me një autobus shkolle në Buggenhout të Belgjikës, të martën, sipas raportimeve të Reuters.

    Forca të forta të shërbimeve të emergjencës kanë shkuar me nxitim në vendin e aksidentit, i cili ndodhi afërsisht në orën 08:15 të mëngjesit, në një kryqëzim rrugor.

    Shkaqet e sakta mbeten nën hetim, megjithatë, sipas raporteve fillestare, kalimi ishte i mbyllur në kohën e përplasjes.

    Sipas kompanisë së menaxhimit të hekurudhave, Infrabel, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se barrierat ishin të ulura dhe semaforët ishin të kuq në kohën e incidentit .

    “Ende nuk e dimë se si ndodhi aksidenti. Ky është objekt hetimi nga policia dhe zyra e prokurorit”, tha ajo, duke shtuar se autoritetet po bashkëpunonin plotësisht me hetimin.

    Përplasja ndodhi rreth një kilometër larg stacionit të trenit Buggenhout. Sipas njoftimeve, shoferi aktivizoi frenën e emergjencës, por nuk mundi ta parandalonte përplasjen pasi treni kishte filluar tashmë procesin e ngadalësimit.

    Megjithatë, ka edhe dëme në infrastrukturën hekurudhore, siç theksoi zëdhënësi i Infrabel, “kjo është gjëja e fundit që na shkon ndërmend. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”.