ATV

Blog

  • FFK njofton: Nis shitja e biletave për miqësoren Çeki – Kosovë

    FFK njofton: Nis shitja e biletave për miqësoren Çeki – Kosovë

    Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht tifozët e Kombëtares për ndeshjen miqësore ndaj Republikws Ceke, e cila do të zhvillohet më 31 maj në Pragë.

    Federata e Futbollit e Çekisë ka hapur tashmë shitjen e biletave për këtë përballje, ndërsa tifozët e Kosovës kanë mundësi të sigurojnë vendin e tyre përmes platformës zyrtare të shitjes online.

    Sipas njoftimit, sektorët e rezervuar për mbështetësit e Dardanwve janë F1, F2, F20, F21, si dhe sektorët A20 dhe A21, të cilët janë shtuar pas koordinimit me autoritetet e sigurisë për të akomoduar një numër më të madh tifozësh.

    Ky zgjerim i kapacitetit u jep mundësi edhe më shumë “Dardanëve” që të jenë pranë Kombëtares në këtë test miqësor të rëndësishëm para sfidave zyrtare.

    Tifozët e Kosovës pritet të jenë sërish një mbështetje e madhe për ekipin, në një ndeshje ku atmosfera në tribuna pritet të jetë e zjarrtë në kryeqytetin çek.

  • Fisnik Asllani gjest i madh në Sharban, gëzon fëmijët me dhurata pas Kurban Bajramit

    Fisnik Asllani gjest i madh në Sharban, gëzon fëmijët me dhurata pas Kurban Bajramit

    Fisnik Asllani po qëndron në Kosovë, ku është i grumbulluar me Kombëtaren për dy ndeshjet miqësore të radhës, por sulmuesi kosovar ka gjetur kohë edhe për një vizitë të veçantë në vendlindjen e familjes së tij.

    Ai ka qenë sot në fshatin Sharban të Komunës së Prishtinës, vendi nga ku e ka origjinën familja e babait të tij, ku ka marrë pjesë në faljen e Kurban Bajramit.

    Pas ceremonisë së faljes së festës, Asllani ka vazhduar ditën me një gjest të bukur human, duke gëzuar fëmijët e fshatit me dhurata simbolike, të cilat i ka nënshkruar vetë.

    Ky veprim i sulmuesit të ri është pritur shumë mirë nga banorët, duke reflektuar edhe një herë lidhjen e tij të fortë me vendlindjen dhe njerëzit e tij.

    Fisnik Asllani është kthyer në një nga emrat më të dashur për tifozët kosovarë, falë paraqitjeve të tij të mira me TSG Hoffenheim dhe me Kombëtaren e Kosovës, duke fituar gjithnjë e më shumë respekt dhe simpati në vend.

  • Luka Modriç pranë pensionimit, Botërori mund të jetë fundi i karrierës së tij

    Luka Modriç pranë pensionimit, Botërori mund të jetë fundi i karrierës së tij

    Luka Modrić mund të jetë pranë fundit të një karriere të jashtëzakonshme në futbollin botëror. Sipas mediave spanjolle dhe italiane, legjenda kroate po mendon seriozisht pensionimin pas përfundimit të Kampionatit Botëror.

    Gazeta spanjolle “AS”, duke iu referuar burimeve nga Italia, raporton se 40-vjeçari po shqyrton mundësinë për t’i dhënë fund karrierës së tij si futbollist profesionist. Të njëjtin informacion e kanë publikuar edhe “La Gazzetta dello Sport” dhe gazetari italian Nicolò Schira.

    Sipas raportimeve, eliminimi i AC Milan nga gara për një vend në UEFA Champions League ka ndikuar ndjeshëm në mendimin e Modriçit për të ardhmen. Mediat spanjolle madje e kanë përshkruar situatën me titullin dramatik: “Modriç, game over”.

    Mesfushori kroat u gjend në qendër të kritikave dhe diskutimeve pas humbjes së Milanit ndaj Cagliari Calcio, rezultat që i shoi përfundimisht shpresat e “Rossonerëve” për kualifikim në Ligën e Kampionëve.

    Pikërisht pjesëmarrja në elitën evropiane ishte një nga arsyet kryesore që mund ta bindte Modriçin të vazhdonte edhe më tej karrierën në Itali. Megjithatë, sipas “Tuttosport”, zhgënjimi i tij pas këtij sezoni është shumë i madh.

    Pavarësisht kësaj, drejtuesit e AC Milan ende po përpiqen ta bindin kroatin të mos largohet dhe të vazhdojë edhe një sezon tjetër.

    Ndërkohë, fokusi i Modriçit mbetet te Kombëtarja e Kroacisë në Kampionatin Botëror. Kroatët do ta nisin turneun më 17 qershor kundër England national football team, më pas do të përballen me Panama national football team më 24 qershor dhe fazën e grupeve do ta mbyllin ndaj Ghana national football team më 27 qershor.

    Nëse Modriçi vendos të tërhiqet pas Botërorit, atëherë këto mund të jenë ndeshjet e fundit të një prej mesfushorëve më të mëdhenj në historinë e futbollit modern.

  • Nga Ronaldo te Messi, ja yjet që kanë ndërtuar miliarda nga futbolli

    Nga Ronaldo te Messi, ja yjet që kanë ndërtuar miliarda nga futbolli

    Futbolli vazhdon të mbetet një nga sportet më fitimprurëse në botë, ndërsa yjet më të mëdhenj të këtij sporti po ndërtojnë pasuri marramendëse jo vetëm nga kontratat në fushë, por edhe nga sponsorët, reklamat dhe investimet personale.

    Në krye të listës së futbollistëve më të pasur në planet qëndron Cristiano Ronaldo. Superylli portugez ka arritur një pasuri të vlerësuar rreth 1.4 miliardë dollarë, falë karrierës së jashtëzakonshme, kontratave rekord dhe bashkëpunimeve me marka të njohura botërore.

    Pas tij renditet ish-kapiteni i Anglisë, David Beckham, me një pasuri që kap shifrën e 1.2 miliardë dollarëve. Legjenda angleze vazhdon të jetë një nga figurat më të fuqishme në botën e marketingut sportiv dhe biznesit, edhe vite pas pensionimit nga futbolli aktiv.

    Vendin e tretë e mban kampioni argjentinas Lionel Messi, i cili ka kaluar shifrën e 1 miliard dollarëve. Ylli i futbollit botëror vazhdon të jetë një nga sportistët më të paguar dhe më të kërkuar nga sponsorët globalë.

    Në mesin e dhjetë futbollistëve më të pasur në botë gjenden edhe emra të mëdhenj si Neymar Jr., Kylian Mbappé, Karim Benzema dhe Zlatan Ibrahimović, të cilët përveç suksesit në fushë kanë përfituar miliona euro edhe nga marrëveshjet komerciale dhe projektet personale.

    Pjesë e kësaj liste elitare janë gjithashtu edhe ish-sulmuesi anglez Wayne Rooney, norvegjezi Erling Haaland, si dhe ylli egjiptian Mohamed Salah, të cilët vazhdojnë të rrisin ndjeshëm të ardhurat e tyre nga futbolli dhe partneritetet jashtë tij.

    Kjo listë dëshmon edhe një herë se futbolli modern nuk është vetëm sport, por edhe një industri gjigante financiare, ku yjet më të mëdhenj arrijnë të ndërtojnë perandori ekonomike që shkojnë shumë përtej fushës së lojës.

  • Dembele dhe Hakimi rikthehen në stërvitje para finales së Championsit

    Dembele dhe Hakimi rikthehen në stërvitje para finales së Championsit

    Paris Saint-Germain ka marrë një shtysë të rëndësishme para finales së madhe të UEFA Champions League Final ndaj Arsenal FC, pasi dy nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës janë rikthyer në stërvitje.

    Ousmane Dembélé dhe Achraf Hakimi kanë zhvilluar seancën e plotë stërvitore me ekipin, vetëm katër ditë para sfidës vendimtare që do të luhet në Puskás Aréna në Budapest.

    Dembélé, i cili sezonin e kaluar fitoi Topin e Artë, kishte shqetësuar stafin teknik pas një problemi në pulpën e këmbës së djathtë gjatë ndeshjes së fundit në Ligue 1 kundër Paris FC. Megjithatë, rikthimi i tij i plotë në stërvitje ka larguar dyshimet për paraqitjen në finale.

    Më e komplikuar ishte situata e Hakimit. Mbrojtësi maroken kishte pësuar një dëmtim në muskulin e kofshës së djathtë gjatë gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve ndaj FC Bayern Munich, duke e bërë të pasigurt aktivizimin e tij.

    Megjithatë, fakti që 27-vjeçari e përfundoi stërvitjen pa asnjë problem fizik ka rritur ndjeshëm optimizmin te kampi francez se ai do të jetë gati për përballjen me Arsenalin.

    Finalja e madhe e Ligës së Kampionëve zhvillohet të shtunën nga ora 18:00 në Budapest, aty ku Paris Saint-Germain synon të mbrojë trofeun evropian të fituar sezonin e kaluar.

  • Carvajal nuk mendon pensionimin pas largimit nga Real Madridi

    Carvajal nuk mendon pensionimin pas largimit nga Real Madridi

    Dani Carvajal ka bërë të ditur se largimi nga Real Madrid nuk do të thotë fund i karrierës së tij si futbollist, pasi mbrojtësi spanjoll synon të vazhdojë të luajë edhe pas mbylljes së aventurës së gjatë në “Santiago Bernabeu”.

    34-vjeçari i dha fund një epoke të jashtëzakonshme me klubin madrilen, ku zhvilloi mbi 450 ndeshje dhe fitoi plot 27 trofe, duke u shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të viteve të fundit te Real Madridi.

    Në një intervistë për “El Chiringuito TV”, Carvajal e bëri të qartë se pensionimi nuk është aspak në planet e tij të afërta.

    “Tani dua të shijoj pak pushimet verore, por do të vazhdoj të luaj futboll. Kjo është diçka e sigurt për mua”, deklaroi mbrojtësi spanjoll.

    Megjithatë, ai theksoi se ende nuk ka vendosur për destinacionin e radhës në karrierë.

    “Do të analizoj opsionet më të mira për mua dhe familjen time, e më pas do të marr vendimin përfundimtar”, u shpreh Carvajal.

    Së fundmi, emri i tij është lidhur me një transferim të mundshëm në Arabinë Saudite, por edhe me klubin italian Como 1907. Pavarësisht spekulimeve, lojtari insistoi se asgjë nuk është konkrete në këtë moment.

  • Thunder një fitore larg finales së NBA-së, Spurs dorëzohen në ndeshjen e pestë

    Thunder një fitore larg finales së NBA-së, Spurs dorëzohen në ndeshjen e pestë

    Oklahoma City Thunder hodhi një hap të madh drejt finales së madhe të NBA-së, pasi triumfoi ndaj San Antonio Spurs me rezultat 127:114 në ndeshjen e pestë të finales së Konferencës Perëndimore, duke kaluar në epërsi 3:2 në seri.

    Edhe kësaj radhe, lideri i Thunder, Shai Gilgeous-Alexander, ishte figura kryesore e takimit me 32 pikë të realizuara, ndërsa nga stoli shkëlqeu Alex Caruso me 22 pikë. Një mbrëmje fantastike pati edhe Jared McCain, i cili startoi për herë të parë në playoff për shkak të mungesave të Jalen Williams dhe Ajay Mitchell, duke kontribuar me 20 pikë.

    Thunder reagoi fuqishëm pas humbjes zhgënjyese në ndeshjen e katërt, ku kishte shënuar vetëm 82 pikë. Skuadra vendase dominoi ritmin e lojës, veçanërisht në çerekun e dytë ku realizoi 40 pikë, ndërsa në pjesën e tretë arriti të krijojë epërsi deri në 20 pikë.

    Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Chet Holmgren me 16 pikë e 11 kërcime, si dhe Isaiah Hartenstein që shtoi 12 pikë dhe 15 kërcime.

    Te San Antonio Spurs, më efikasi ishte Stephon Castle me 24 pikë, ndërsa Julian Champagnie realizoi 22. Ndërkohë, ylli francez Victor Wembanyama e mbylli sfidën me 20 pikë, por pati vështirësi të mëdha në gjuajtje, duke qëlluar vetëm katër herë saktë nga 15 tentativa nga loja.

    Spurs hasën probleme serioze edhe nga vija e treshit, duke humbur 29 nga 41 tentimet për tri pikë.

    Pas përfundimit të ndeshjes, në rrjetet sociale shpërthyen reagimet për disa vendime të diskutueshme të arbitrave në favor të Thunder, sidomos në fund të çerekut të tretë, çka shkaktoi pakënaqësi te lojtarët dhe tifozët e Spurs.

    Seria tani zhvendoset në San Antonio, ku të enjten do të zhvillohet ndeshja e gjashtë. Në rast se Spurs arrijnë ta barazojnë serinë, përballja vendimtare do të luhet në Oklahoma City të shtunën. Fituesi i kësaj finaleje do të përballet me New York Knicks në finalet e NBA-së, që nisin më 3 qershor.

  • Ky është parashikimi i motit për ditën e Bajramit

    Ky është parashikimi i motit për ditën e Bajramit

    Sot parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa gjatë orëve të pasditës në ndonjë rajon pritet të ketë rrebeshe të izoluara shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme , me shpejtësi prej 15-35 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 12 deri në 16°C, ndërsa ato maksimale prej 28 deri në 32°C.

  • Mijëra besimtarë falin namazin e Bajramit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë

    Mijëra besimtarë falin namazin e Bajramit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë

    Besimtarët myslimanë në mbarë botën kremtojnë sot festën e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam.

    Në Shqipëri, mijëra besimtarë u mblodhën në orët e para të mëngjesit në sheshin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, por dhe qytetet të tjera të vendit,  ku falën Namazi i Kurban Bajramit nën organizimin e Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, (KMSH).

    Ceremonia u shoqërua me mesazhe paqeje, solidariteti dhe harmonie mes njerëzve. Udhëheqësit fetarë apeluan për më shumë mirëkuptim, ndihmë ndaj njerëzve në nevojë dhe forcim të vlerave familjare e shpirtërore.

    Pas faljes së Namazit, besimtarët shkëmbyen urime për festën, ndërsa shumë familje vijojnë traditën e therjes së kurbanit dhe ndarjes me të afërmit dhe familjet në nevojë. Festa e Kurban Bajramit simbolizon sakrificën, devotshmërinë dhe bamirësinë në fenë islame.

  • Tre të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në sulmin izraelit në qytetin e Gazës

    Tre të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në sulmin izraelit në qytetin e Gazës

    Të paktën tre palestinezë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një sulm i madh ajror izraelit që kishte në shënjestër një ndërtesë banimi në një nga zonat më të frekuentuara të tregut në Gaza City, thanë mjekët lokalë dhe dëshmitarët.

    Sulmi goditi tre katet e sipërme të ndërtesës al-Kayali në qendër të Gaza City, ku rrugët ishin të mbushura me blerës para festës myslimane të Kurban Bajramit.

    Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi më herët se ushtria izraelite kishte në shënjestër komandantin e krahut të armatosur të Hamasit, Mohammed Odeh, vetëm disa ditë pasi paraardhësi i tij u vra në një sulm të ngjashëm, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Ky është sulmi më i fundit vdekjeprurës izraelit në Gaza, pavarësisht se armëpushimi me Hamasin vazhdon të jetë në fuqi.

    As Hamasi dhe as Izraeli nuk kanë komentuar nëse Odeh është vrarë gjatë sulmit.

    Ekipet e shpëtimit nxituan drejt vendit të ngjarjes, por patën vështirësi të arrijnë në katet e sipërme për shkak të dëmeve të mëdha dhe tollovisë në zonë.

    Dëshmitarët thanë se të paktën pesë raketa goditën ndërtesën pothuajse njëkohësisht nga drejtime të ndryshme.

    Një banor tha se dëgjoi zhurmën e helikopterëve që fluturonin mbi zonë para sulmit. Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan ambulanca dhe ekipe të mbrojtjes civile duke kërkuar nëpër ndërtesën e dëmtuar, ndërsa turma njerëzish ishin mbledhur pranë.

    Zyra e Netanyahut tha se Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kishin në shënjestër Mohammed Odeh, duke e përshkruar atë si “një nga arkitektët” e sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.

    “Odeh ishte përgjegjës për vrasjen, rrëmbimin dhe plagosjen e shumë qytetarëve izraelitë dhe ushtarëve të IDF-së”, thuhej në deklaratë.

    Paraardhësi i tij si komandant i krahut të armatosur të grupit, Izz ad-Din al-Haddad, u vra në një tjetër sulm ajror izraelit në fillim të majit.

    Edhe ai sulm kishte në shënjestër një ndërtesë banimi dhe la të paktën tre të vdekur, sipas dëshmitarëve dhe një burimi lokal.

    Izraeli ka kryer sulme të rregullta në gjithë Gazën që nga nisja e armëpushimit më 10 tetor.

    Hamasi ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit dhe sulme ndaj civilëve. Ministria e Shëndetësisë në territorin palestinez raporton për më shumë se 800 viktima nga sulmet izraelite gjatë periudhës së armëpushimit.

    Qeveria izraelite këmbëngul se ka të drejtë të godasë anëtarët e Hamasit dhe, nga ana tjetër, ka akuzuar Hamasin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit duke mos u çarmatosur.

    Fazat e mëvonshme të planit të paqes për Gazën, të udhëhequr nga SHBA-ja, ende nuk kanë hyrë në fuqi, ndërsa progresi është bllokuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën me Iranin në shkurt.

    SHBA-ja njoftoi nisjen e fazës së dytë të planit në janar, ku administrimi i Gazës do të kalonte te një administratë kalimtare teknokrate, së bashku me çmilitarizimin dhe rindërtimin e territorit.

    Megjithatë, bisedimet për çarmatim mbeten të bllokuara, ndërsa Hamasi ka riaktivizuar forcat e tij policore dhe duket se po rikthen autoritetin e tij.

    Në deklaratën e së martës, Izraeli tha se do të “vazhdojë të ndjekë këdo që ka marrë pjesë në masakrën e 7 tetorit”.

    Rreth 1,200 persona u vranë në atë sulm të udhëhequr nga Hamasi dhe 251 të tjerë u morën peng.

    Izraeli u përgjigj duke nisur një fushatë të gjerë ushtarake në Gaza, e cila shkatërroi pjesën më të madhe të territorit palestinez dhe la shumë nga 2.1 milionë banorët e tij të zhvendosur.

    Forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 72,744 persona në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, shifra të cilat OKB-ja i konsideron të besueshme.

    Sulmi i fundit izraelit në Gaza vjen pasi 11 persona u vranë nga sulmet izraelite në Liban.

    Netanyahu është zotuar se do të intensifikojë veprimet ushtarake në atë vend. Ushtria izraelite thotë se sulmet e saj kishin në shënjestër pozicionet e Hezbollahut.