ATV

Blog

  • Krejt çka dihet për shpërthimin nga bombola e gazit në Kçiq ku u lënduan 15 persona

    Krejt çka dihet për shpërthimin nga bombola e gazit në Kçiq ku u lënduan 15 persona

    Dje rreth orës 16:30 një shpërthim ka ndodhur në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku janë lënduar 15 persona.

    Fillimisht rastin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti.

    “Rreth orës 16:30, policia ka pranuar informatë se si pasoj e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, 13 persona kanë pësuar lëndime, të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës”, ka thënë Zahiti.

    Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se të lënduarit janë nga njëjta familje.

    “Isha edhe brenda. Sipas informatave ka prej tyre që e kanë shkallën e lëndimit më të madhe, e disa më të vogël. Uroj që të gjithë të jenë mirë e të mos kenë rrezik për jetë e iu uroj shërim të shpejt dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderoj mjekët për një punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar Hamza për Klanin.

    ShSKUK ka njoftuar se 13 të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim dhe se katër prej tyre janë duke u operuar.

    Sipas njoftimit, pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshme të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.

    “Katërmbëdhjetë pacientët që kanë pësuar lëndime nga djegiet, nga bombola e gazit dhe 1 me lëndime në gjoks, në fshatin Kçiq të Mitrovicës, pas trajtimit në Klinikën Emergjente të QKUK-së, janë transferuar për mjekim të mëtutjeshëm në klinika të ndryshme të QKUK-së. Katër nga ta janë operuar në sallat emergjente, kurse tek të tjerët janë kryer ndërhyrje në sallën e vogël të ndërhyrjeve kirurgjike, Shërbimin e Reanimimit dhe atë Kirurgjik, të po kësaj klinike. 4 pacientë janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror, meqë kanë gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia. 8 pacientë janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku po e vazhdojnë trajtimin dhe mbikqyrjen nga stafi shëndetësorë. 2në Kirurgjinë Abdominale dhe 1 do të transferohet në Kirurgji Torkale”, thuhet në njoftim.

    Mbrëmë, në QKUK kanë shkuar kryeministri Kurti dhe ministri Vitia.

    Kurti tha se ka qytetarë të lënduar lehtë dhe qytetarë që kanë pësuar djegie të shkallës së dytë e tretë nga shpërthimi i bombolës së gazit.

    “Për diç më shumë se një orë, mjekët dhe infermierët kujdestarë në QKUK, i shpëtuan 15 qytetarë të aksidentuar nga shpërthimi i një bombole gazi në Kçiq të Mitrovicës. Disa janë të lënduar lehtë, por ka edhe të lënduar rëndë me djegie të shkallës së dytë e të tretë. E falënderojmë personelin kujdestar për ndërhyrjen e shpejtë dhe angazhimin profesional, ndërkaq të plagosurve ju dëshirojmë shërim të shpejtë e të plotë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ishin po ashtu sonte në Klinikën e Emergjencës dhe atë të Kirurgjisë Plastike ku po vazhdojnë përpjekjet e mëdha për të mënjanuar rrezikun për jetë në një nga rastet”, tha Kurti.

    Më tutje, ai deklaroi se qytetarët duhet të kenë kujdes me përdorimin e bombola e pasi sipas tij ky nuk është aksidenti i parë.

    “Nuk është aksidenti i parë i këtillë, qytetarët dhe familjet duhet të kenë shumë vëmendje te blerja dhe përdorimi i sigurt i gazit, gjithnjë sipas rregullave strikte, për shtëpitë dhe lokalet e tyre. Ndërkaq inspektoriatet dhe organet tjera përkatëse të mbikëqyrin rreptë respektimin e standardeve të duhura të bombolave të gazit në treg”, tha tutje ai.

    Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se 15 anëtarë të një familje kanë pësuar djegie si pasojë e shpërthimit të një bombole me gaz në një shtëpi në Kçiq të Mitrovicës.

    Vitia poashtu konfirmoi se një nga të lënduarit ka pasur lëndime edhe në gjoks.

    ”Të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Mitrovicës janë trajtuar sot gjatë ditës në spitale e QKUK. Ata, 15 anëtarë të familjes, pësuan djegie e një pati lëndime në gjoks. Ende jemi në Klinikën Emergjente në QKUK, bashkë me mjekët, infermierët dhe stafin tjetër. Të gjithë ishin e ende janë në mobilizim e angazhim të lartë prej shumë orësh. Po ofrohet kujdesi i plotë e profesional për të lënduarit” tha ai.

    Vitia deklaroi tutje se katër nga të lënduarit janë në trajtim intensiv.

    “Katër nga të lënduarit pasi që janë operuar nga mjekët në QKUK, meqë kanë shkallë më të lartë të djegieve janë transferuar për mjekim të mëtutjeshëm në Mjekim Intensiv Qendror. Tetë të lënduar janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Dy të lënduar janë në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale. Ndërsa një nga të lënduarit është në Klinikën e Kirurgjisë Torakale. Mjekët janë duke bërë gjithçka për të mënjanuar çdo rrezik për jetën.Përpjekjet vijojnë dhe në këto çaste”, tha Vitia.

  • Arrestohen dy persona në Obiliq pasi u përleshën mes vete

    Arrestohen dy persona në Obiliq pasi u përleshën mes vete

    Dy persona janë përleshur në Obiliq.

    Të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor dhe më pas janë dërguar në mbajtje.

    “LËNDIM I LEHTË TRUPOR- Rr. Isa Boletini, Obiliq / 13.01.2024 – 15:24. Dy meshkuj kosovar janë arrestuar për shkak se janë përleshur ndërmjet vete duke pësuar lëndime trupore. Të dyshuarit pasi kanë pranuar trajtim të nevojshëm mjekësor janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit janë dërguar në mbajtje.”

  • I pamundur shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Kosovë – Analistët kërkojnë Ligj për Mobilizim të qytetarëve

    I pamundur shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Kosovë – Analistët kërkojnë Ligj për Mobilizim të qytetarëve

    Njohësit e rrethanave të sigurisë, vlerësojnë se Kosova e ka të pamundur ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak por që kërkojnë të miratohet Ligji për Mobilizim, pasi në raste të agresionit Kosova nuk i obligon qytetarët e saj të mobilizohen, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tyre, shërbimi ushtarak i obligueshëm pengesë për shkak të mungesës së buxhetit dhe se plani dhjetëvjeçar i tranzicionit të FSK-së

    Ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli në një intervistë për Ekonomia Online tha se Kosova ende nuk i ka arritur kapacitet e saj të plota operacionale ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak, teksa pengesë tjetër e sheh edhe buxhetin.Ai FSK-në e sheh në rrugë të mirë drejtë zhvillimit të një ushtrie profesionale me standarde të NATO-s.

    “Konsideroj që në këtë fazë në të cilët gjenden Forca e Sigurisë së Kosovës ndoshta është e pamundshme. Arsyeja është se në planin tranzitor të saj ajo ende nuk i ka arritur kapacitetet e saj të plota operacionale. Arsyeja e dytë është se nëse vjen deri te ajo, buxheti i tanishëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk mjafton, duhet të rritet buxheti edhe e treta çka konsideroj që është shumë e rëndësishme është se detyrimi i obligueshëm i ushtarak, nuk mund të arrijë kapacitetet e plota për t’u përgatitur për mbrojtje. Pra FSK-ja është në rrugë të mirë me formën e saj të zhvillimit të një ushtrie profesionale me standarde të NATO-s, andaj konsideroj që kjo duhet të vazhdojë dhe ka kohë për ta”, tha Veseli.

    Veseli ka kërkuar nga Qeveria që të hartojë Ligjin për Mobilizim, pasi në raste të agresionit Kosova nuk i obligon qytetarët të mobilizohen.

    “Gjithsesi institucionet e sigurisë sonë kanë marrë masa e nevojshme për ngritjen e gatishmërisë për ndonjë të papritur, mirëpo Kosovës i mungon Ligji për Mobilizim, andaj Qeveria duhet urgjentisht të hartojë ligje për mobilizim të kapaciteteve kombëtare të resurseve njerëzore dhe të kapaciteteve të tjera ekonomike. Ne nuk e kemi atë ligj në rastet emergjence apo të një agresioni të mundshëm, Kosova nuk ka ligj që i obligon qytetarët e saj të mobilizohen për mbrojtje të vendit”.

    Ndërsa Drizan Shala, tha për Ekonomia Online se tranzicioni i FSK-së ka plan më gjithëpërfshirës. Shala përmend edhe kostot buxhetore si një pengesë reale.
    “Mendoj që jemi në fazën transicionit dhjetëvjeçar të planit gjithëpërfshirës të Forcës së Sigurisë së Kosovës po të qëndrojnë forcat e armatosura të Kosovës dhe sipas projeksioneve ne nuk e kemi obligative shërbimin e detyruar ushtarak dhe nuk mendoj që është nën harmonizimin e orientimit strategjik të projeksionit ku dëshirojmë ta kemi forcën e sigurisë së Kosovës respektivisht FAK-un. Pra unë nuk mendoj që kjo në afatmesëm apo afatgjatë do të na kontribuonte që të kemi një shërbim të detyrueshëm ushtarak sepse është edhe një kosto buxhetore e cila është edhe e papërballueshme për sistemin financiar të Republikës së Kosovës”, u shpreh Shala.

    Shala e sheh të rrugës bashkërendimin me nivelin politik ndërkombëtar dhe të arrihet marrëveshje me shtetet mike në rast të ndonjë sulmi.

    “Unë mendoj që Kosova dhe institucionet e saj kanë ndërmarrë veprime të tyre preventive. Ne do të duhej avancim edhe më tutje në bashkëpunim dhe bashkërendim me nivelin politik ndërkombëtar dhe të arrijmë marrëveshje eventuale me partnerët mike të Kosovës në raste se do të cenohet integriteti territorial i Republikës së Kosovës”, u shpreh Shala, teksa përmend edhe shtetet që Kosova duhet t’i ketë afër.

    “Në nivelin taktik me bashkërendua veprimet me Shqipërinë, në nivelin operacional me ushtrinë turke dhe në nivelin strategjik me ushtrinë e Kroacisë”, theksoi Shala.

  • Analistët për Asociacionin: Kurti do të tentojë ta shtyjë deri pas zgjedhjeve, të pranohet vetëm si shmangie e luftës

    Analistët për Asociacionin: Kurti do të tentojë ta shtyjë deri pas zgjedhjeve, të pranohet vetëm si shmangie e luftës

    Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe sulmet e mundshme nga Serbia, janë disa nga veprimet që po e dëmtojnë Republikën e Kosovës. Për këtë të fundit, analistët kërkojnë që të pranohet vetëm nëse vërtetohet si shmangie e luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike.

    Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, do të jetë sërish kryefjala e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për këtë temë, analistët kanë mendime të ndryshme. Disa thonë se ajo duhet të pranohet vetëm si shmangie e luftës, ndërsa shohin mundësinë që kjo të shtyhet deri pas zgjedhjeve të reja në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Ndërsa retorika e krerëve të shtetit mbi sulmet e mundshme të Serbisë, po shihet si e pakuptimtë, ndonëse rrezikun e vërejnë.

    Ndonëse e pranon se ekziston mundësia e ripërsëritjes së rastit të Banjskës, Mehmetajt i duket e pakuptimtë të përmendet termi luftë. Thotë se nuk ekziston asnjë benefit të përmendet ky term.

    Mehmetaj ka kërkuar që Asociacioni të pranohet si kusht për t’u shmangur një luftë e re ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Është e vërtetë që Kosova ndryshe nga shtetet e tjera të cilat rrethojnë me Serbinë është në një farë gjendje të ndryshme në një farë raporti të ndryshëm. Gjithashtu është vërtetu edhe kohëve të fundit që potencialiteti për krijimin e grupeve të caktuara të cilat u qëndron mbrapa Serbia mund të ndërhyjnë vazhdimisht në Kosovë, por cili është benefiti i deklarimeve të njëpasnjëshme të vazhdueshme të krerëve të shtetit se mund të jem në prag të një lufte ky është e pakuptueshme”, thotë Mehmetaj.

    Duke folur për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe pikën më të nxehtë siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, Mehmetaj ka një vlerësim. Thotë se kjo duhet të bëhet për të shmangur luftën. Në të kundërtën, është kompromis i pafalshëm për kryeministrin Kurti.

    “E kemi thënë edhe në të kaluarën që një nga mënyrat që s’do të mund ta paraqes marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe pranimi i Asociacionit komunave me shumicë serbe, Qeveria është krijimi i kësaj paralele pra e këtij dualiteti ‘luftë’ apo Asociacion i komunave me shumicë serbe. Nëse në një gjendje cilësie paqeje në një gjendje të raporteve të mira me Serbinë, Kosova e pranon Asociacionin e komunave me shumicë serbe do të ishte një kompromis i madh i pafalshëm për Kurtin, mirëpo nëse Asociacioni pranohet si shmangie e luftës, atëherë kjo do të ishte një gjetje inteligjente e politikës në Kosovë prandaj bëhen edhe këto deklarime të vazhdueshme për luftë”, thotë tutje Mehmetaj.

    Ndërsa analisti i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, sheh tendencë të kryeministrin Kurti që ta shtyjë themelimin e Asociacionit të komunave e shumicë serbe. Pas zgjedhjeve, Sadiku pret që Kurti t’i pranojë të gjitha marrëveshjet që i ka në tavolinë.

    “Krijimi i Asociacionit ka qenë një prej temave më të nxehta në Republikën e Kosovës dhe natyrisht që Republika Kosovës nuk është që ka interes këtë rast ta krijoj këtë asociacion për faktin që sigurisht ky vit do të jetë një vit zgjedhor dhe natyrisht partia që është në pushtet LVV synon që përmes krijimit të zgjedhjeve ta shtyjë krijimin faktik të Asociacionit në kuptimin e asaj që të fitoj zgjidhjet edhe njëherë edhe pasi që ta krijoj qeverinë, atëherë synon që të bëjë kompromiset dhe gjitha marrëveshjet që i ka në tavolinën e bisedimeve me Serbinë”, u shpreh Sadiku për EO.

  • E rëndë: 13 të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës

    E rëndë: 13 të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës

    13 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi sot në Kçiq të Mitrovicës.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se rasti ka ndodhur rreth orës 16:30 dhe se personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Si pasojë e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, 13 persona kanë pësuar lëndime. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Bazuar në informatat e para dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga një bombolë gazi”, tha Zahiti.

  • William Walker shpallet “Qytetar Nderi” i Vitisë

    William Walker shpallet “Qytetar Nderi” i Vitisë

    Kuvendi Komunal i Vitisë në një seancë të jashtëzakonshme sot, ka shpallur “Qytetar Nderi” ish-ambasadorin e OSBE-së dhe diplomatin amerikan, William Walker. Me këtë rast është zbuluar busti i Walker, si dhe atij i është dhënë Çelësi i qytetit.

    Kryetari i Vitisë Sokol Haliti duke folur mbi kontributin e Walker, tha se diplomati amerikan ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimet dhe transformimet në Kosovë gjatë periudhës së tij të shërbimit.

    Ai tha se një nga kontributet më të rëndësishme ishte monitorimi i situatës në terren dhe raportimi mbi masakrën e 15 janarit 1999 në Reçak.

    Ndërsa, ambasadori Walker tha se ndihet i nderuar për respektin që po i bëhet në Kosovë. Ai shtoi se e viziton Kosovën çdo vit, në veçanti Reçakun dhe kompleksin e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari. Walker tha se Kosova ka arritur progres të madh të zhvillimit brenda një kohe të shkurtër.

    Në ceremoninë e shpalljes “Qytetar nderi” të William Walker, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

    Ndryshe, më 15 janar 1999, 42 civilë të pafajshëm e të paarmatosur shqiptarë vriten e masakrohen barbarisht nga ushtria serbe në Reçak.

    Ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

    Tmerret në Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën dhe shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit serb Sllobodan Millosheviq, që nxiti ndërhyrjen ajrore të NATO-s ndaj forcave ushtarake e policore serbe.

  • KF Dardania organizon turneun e madh të futbollit “Lika Cup”

    KF Dardania organizon turneun e madh të futbollit “Lika Cup”

    Në St. Gallen të Zvicrës këtë të shtunë dhe të diel po mbahet turneu tradicional në futboll , “Lika Cup”, i organizuar nga klubi shqiptar KF Dardania SG.

    Turneu ka nisur sot ku janë luajtur tashmë plot 66 ndeshje, ndërsa do të vazhdojë edhe në ditën e nesërme, e që padyshim ky është një organizim mjaft i madh dhe atraktiv për futbollin.

    Në këtë turne po marrin pjesë mbi 60 skuadra nga e gjithë Evropa, ndërsa turneu në fjalë është mbajtur që nga viti 2015, por që kjo është hera e parë që rikthehet pas periudhës së pandemisë.

    29E38A1A-6EA4-4CA6-8406-39A4CCE67155

     

  • Milan-Roma, Ibrahimovic dhe Cardianle pritet të jenë në “San Siro”

    Milan-Roma, Ibrahimovic dhe Cardianle pritet të jenë në “San Siro”

    Pronari i Milani, Gerry Cardinale pritet të jetë i pranishëm për ndeshjen e radhës së Milanit në Serie A kundër Romas në “San Siro”, së bashku me këshilltarin dhe ish-sulmuesin e klubit, Zlatan Ibrahimovic.

    Kjo do të jetë hera e parë që Cardinale dhe Ibrahimovic do ta shikojnë Milanin së bashku, që prej se suedezi morri rolin e këshilltarit të klubit në fund të vitit 2023, raporton KosovaPress.

    Që nga ajo kohë, Ibrahimovic ka shikuar Milanin duke luajtur, ku ishte i pranishëm në barazimin 2:2 kundër Salernitanas më 22 dhjetor, por Cardinale nuk ka mundur të shkojë në stadium së fundmi.

    Cardinale përshkruhet si njeri i ngjarjeve të mëdha. Këtë sezon, ai ka shikuar Milanin të fitojë 4:1 kundër Torinos, si dhe ishte i pranishëm në fitoren 2:1 kundër Paris Saint-Germain në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

    Cardinale gjithashtu ishte i pranishëm edhe në humbjen 3:1 kundër Borussia Dortmundit në fund të muajit nëntor.

    Udhëtimi i Cardinales drejt Milanit për ndeshjen me Roman thuhet se është rezervuar që moti, sipas “La Gazzetta dello Sport”.

  • Vuçiq: Serbia do t’i shpenzojë 740 milionë euro për pajisje ushtarake këtë vit

    Vuçiq: Serbia do t’i shpenzojë 740 milionë euro për pajisje ushtarake këtë vit

    Serbia do t’i shpenzojë rreth 740 milionë euro vetëm këtë vit për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe armatim, tha të shtunën presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për shtyp në Agjencinë për Siguri Ushtarake.

    Lideri serb i bëri këto komente vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara e pranuan një kërkesë nga Kosova për blerjen e raketave antitanke Javelin, e cila do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan.

    “Serbia aktualisht ka 186 milionë euro në dispozicion, të cilat do t’i shpenzojmë menjëherë për blerjen e mjeteve dhe armëve nga fabrikat vendase të industrisë së dedikuar”, tha Vuçiq.

    Ai njoftoi se gjatë këtij viti do të jenë gati edhe dy pako me nga 150 dhe 400 milionë euro për pajisje shtesë dhe armatim të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ato para janë ndarë përveç 360 milionë eurove të ndara në buxhetin e Serbisë për armatim shtesë, tha Vuçiq.

    “Kur t’i bashkoni të gjitha këto, do të shihni se ky do të jetë viti në të cilin ne do të pajisemi më së miri, më shpejt dhe më fuqishëm”, tha Vuçiq.

    Duke folur për vendimin e SHBA-së për t’i shitur Kosovës 246 raketa antitank të prodhimit amerikan, si dhe pajisje përcjellëse, Vuçiq tha se kjo lëvizje është në kundërshtim me Rezolutën 1244, e cila, shtoi ai, nuk parasheh që Kosova të ketë ushtri.

    “Sipas Rezolutës 1244, nuk guxon të ketë asnjë grup të shqiptarëve të armatosur të Kosovës dhe ata krijuan një ushtri për ta dhe vazhdojnë ta krijojnë atë. A jemi ne të fortë si Amerika, Anglia, Gjermania, Turqia – nuk jemi. Por, mund t’i tregojmë gjithë botës se kjo në mënyrë brutale shkel normat juridike ndërkombëtare”, tha Vuçiq.

    Më herët, më 11 janar, presidenti i Serbisë e ka cilësuar si “zhgënjim të madh” njoftimin e SHBA-së se miratoi Prishtinën për blerjen e sistemit amerikan Javelin, pasi vendimi iu dorëzua nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

    Kosova edhe në të kaluarën ka blerë ose ka pranuar në formë donacioni armë nga Shtetet e Bashkuara.

    Pasi u miratuan ndryshimet në Kuvendin e Kosovës më 2018, Qeveria e atëhershme nënshkroi një kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me 51 automjete të tipit Humvee.

    Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

    Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë.

    Më 2028, kur pritet që FSK-ja të shndërrohet ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç është thënë, “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.

    FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.

    Buxheti për këtë vit i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës është në vlerë prej 153.049.911 eurosh./REL/

  • Onkologjia në renovim, nga e hëna kimioterapia jepet në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive

    Onkologjia në renovim, nga e hëna kimioterapia jepet në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar të premten se për shkak të renovimit të katit përdhes të Klinikës së Onkologjisë, do të ketë disa ndryshime në ofrimin e shërbimeve.

    Sipas njoftimit, aty ku jepen shërbimet ambulantore të klinikës, pra hapësirat ku jepet kimioterapia, nga dita e hënë, 15 janar 2024, do të zhvendosen përkohësisht në objektin e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive, e cila ndodhet në hapësirat e QKUK, hyrja nga lagja e Veternikut.

    Shërbimi i Radioterapisë do të funksionojë normalisht në hapësirat e ekzistuese, kurse shërbimi 24-orësh, për të hospitalizuarit do të vazhdojë akoma në katin përdhes të Ortopedisë së vjetër, aty ku ishte zhvendosur rreth 3 muaj më parë.

    “Me renovim të tërësishëm të Klinikës së Onkologjisë, investim nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK, do të krijohen kushte moderne për trajtim të pacientëve dhe për stafin që i ofron këto shërbime”, thuhet në njoftimin për media.