ATV

Blog

  • KDI: Trendi në rritje i shkeljes së të drejtave të punëtorëve edhe në sektorin publik

    KDI: Trendi në rritje i shkeljes së të drejtave të punëtorëve edhe në sektorin publik

    Instituti Demokratik i Kosovës, ka shpalosur detaje lidhur me praktikat siç u quajtën selektive dhe shkeljen e të drejtave të punës edhe në sektorin publik, duke u fokusuar veçanërisht në një rast në Komunën e Prishtinës që ka rezultuar në shkelje e të drejtave të punëtorëve të institucioneve arsimore në këtë komunë, raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se në shtator të vitit të kaluar, KDI ka pranuar një raportim nga Edona Berisha, mësimdhënëse në SHML “Ali Sokoli” në Prishtinë, për mohim të së drejtës për pushim mjekësor.

    Albesa Humolli, përfaqësuese e KDI-së, theksoi se viteve të fundit është një rritje alarmante e raportimeve të shkeljeve nga marrëdhënia e punës dhe parregullsive në vendin e punës.

    “Raportimet e qytetarëve që KDI-ALAC pranon në baza ditore paraqesin një pamje të zymtë të sektorit publik dhe privat në Kosovë, ku mohimi i të drejtave të punëtorëve po bëhet gjithnjë e më i përhapur. Këto raportime zakonisht përmbajnë shkelje thelbësore, të tilla si mungesa e kontratës formale të punës, mospagimi i kontributeve pensionale dhe refuzimi i pushimit vjetor apo mjekësor me pagesë apo vonesat në pagë. Këto raportime të shpeshta dhe shqetësuese jo vetëm që nënvizojnë problemet e shumta me të drejtat e punëtorëve, madje edhe në nivelin e tyre më elementar por janë edhe indikator se ku po çalon lufta kundër korrupsionit në vend dhe cilat janë sektorët më të prekur nga korrupsioni”, u shpreh ajo.

    “Ndërsa shumica e shkeljeve të të drejtave të punës raportohen në sektorin privat, KDI-ALAC ka shënuar një rritje të numrit të rasteve të shkeljeve nga marrëdhënia e punës brenda sektorit publik, kështu duke e sfiduar perceptimin e përgjithshëm se punësimi në sektorin publik është më i rregulluar dhe se të drejtat e punonjësve në këtë sektor janë më të mbrojtura. Ndryshe nga sektori privat, ku shkeljet shpesh ndodhin pas punësimit, sektori publik sheh shkelje më së shumti gjatë procesit të punësimit, duke përfshirë edhe rekrutimin. Sidoqoftë, kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet kur punonjësit e institucioneve publike paraqiten në KDI-ALAC me raportime mbi shkeljet e së drejtave të tyre në vendin e punës”, deklaroi ajo.

    Sipas saj, institucioni arsimor në fjalë i kishte hequr asaj mëditjen për shkak të mungesës një-ditore në vendin e punës për shkaqe shëndetësore – duke theksuar në vendim që si vërtetim i vlefshëm është vetëm ai i lëshuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, e jo edhe vërtetimi i lëshuar nga qendrat tjera të mjekësisë familjare në Komunën e Prishtinës.

    “Në shtator të vitit të kaluar, KDI ka pranuar një raportim nga znj. Edona Berisha, mësimdhënëse në SHML “Ali Sokoli” në Prishtinë, për mohim të së drejtës për pushim mjekësor. Institucioni arsimor në fjalë i kishte hequr asaj mëditjen për shkak të mungesës një-ditore në vendin e punës për shkaqe shëndetësore – duke theksuar në vendim që si vërtetim i vlefshëm është vetëm ai i lëshuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, e jo edhe vërtetimi i lëshuar nga qendrat tjera të mjekësisë familjare në Komunën e Prishtinës.
    KDI-ALAC kishte asistuar znj. Berisha që të ankimojë vendimin në fjalë tek Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës. DKA-ja kishte refuzuar ankesën, duke cituar një Qarkore njoftuese (03-646-2023) të shtatorit 2023, sipas së cilës njihen si valide vetëm shenjat mjekësore dhe pushimet mjekësore të lëshuara nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.

    “Kjo qarkore përcakton kufizime për mësimdhënësit sa i përket marrjes së pushimit mjekësor e kështu tejkalon kërkesat ligjore të përcaktuar nga ligji i punës në fuqi, si dhe të vetë kontratave të punës të nënshkruara mes mësimdhënësve dhe komunës. Ndonëse pa mbështetje adekuate ligjore në aktet në fuqi, KDI-ALAC ka zbuluar që kjo qarkore ka krijuar polemika si dhe praktika kontroverse e jokonsistente edhe në implementim. Si rrjedhojë, KDI, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, ka marrë konfirmim zyrtar nga Komuna e Prishtinës që qarkorja në fjalë interpretohet në frymën që valide konsiderohen të gjitha vërtetimet e lëshuar nga të gjitha institucionet publike shëndetësore, përfshirë edhe qendrat e zakonshme të mjekësisë familjare.

    “Ky rast, por edhe të tjerë të kësaj natyre, flasin për praktika selektive të institucioneve publike në raport me administrimin e marrëdhënies së punësimit dhe respektimin e së drejtave nga marrëdhënia e punës në sektorin publik. Trajtimi diskriminues i znj. Berisha, flet për tendencën e institucioneve publike për zbatim të gabuar të akteve në fuqi, moskomunikim brenda niveleve të ndryshme të vendimmarrjes në institucione publike, si dhe ekzistimin e dispozitave të paqarta – që si faktorë mund të qojnë në shkelje të të drejtave bazike në punë.

    “Kjo situatë kërkon një përgjigje urgjente dhe të fuqishme, jo vetëm në drejtim të rishikimit dhe zbatimit të politikave, por edhe në nxitjen e kulturës së llogaridhënies dhe transparencës brenda institucioneve publike në vend. Gjendja e rëndë e punëtorëve në Kosovë, duke luftuar kundër një sistemi të rrënjosur që shpesh shpërfill apo edhe shtyp të drejtat e tyre, kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar.
    KDI-ALAC ju bënë thirrje të gjithë të punësuarve që të raportojnë rastet kur ata kanë qenë subjekte të praktika të padrejta të institucioneve ose kanë qenë viktimë e ndonjë formë të shkeljes së të drejtave të punës. Së bashku, ne mund të punojmë drejt krijimit të një mjedisi në vendin e punës ku çdo punonjës trajtohet me dinjitet dhe të drejtat e tyre respektohen plotësisht”.

  • Zyrtarët e ministrisë së Mbrojtjes dhe ata të FSK-së mund të udhëtojnë pa viza drejt Mbretërisë së Bashkuar

    Zyrtarët e ministrisë së Mbrojtjes dhe ata të FSK-së mund të udhëtojnë pa viza drejt Mbretërisë së Bashkuar

    Ministri i Mbrotjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sot është njoftuar nga nënkoloneli Steve Forrest, këshilltar bilateral në Ministrinë e Mbrojtjes, për vendimin e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar për udhëtim pa viza për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës që zhvillojnë aktivitete ushtarake dhe zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.

    Sipas Maqedoncit, ky vendim vjen si rezultat i thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe angazhimit të Kosovës në aktivitetet e mbrojtjes që udhëhiqen nga Mbretëria e Bashkuar.

    “Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi ka luajtur rol kyç në procesin e shtetëndërtimit në përgjithësi dhe fuqizimin e kapaciteteve të mbrojtjes të vendit tonë, në veçanti”.

    “Kjo është edhe një dëshmi për kredibilitetin që Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gëzon te partnerët tanë”, ka shkruar Maqedonci.

  • Reagon MKRS: S’ka pezullim të procedurave për master-planin e Kompleksit Memorial Adem Jashari

    Reagon MKRS: S’ka pezullim të procedurave për master-planin e Kompleksit Memorial Adem Jashari

    Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ka mohuar se është pezulluar ose ka shkelje të procedurave të zhvillimit të master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz.

    Kjo ministri në reagimin e saj ka përmendur se kjo procedurë është në zhvillim e sipër sipas rrjedhës së përcaktuar me legjislacionin për prokurim publik, dhe deri më tani nuk ka asnjë vendim përfundimtar rreth këtij procesi.

    “Aktualisht, nga data 22.12.2023, ky proces është në fazën ankimore pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe nuk ka konsumuar afatin ligjor për shqyrtim të lëndës”, thuhet në një reagim të gjatë të kësaj ministrie.

    Reagimi i plotë:

    Në disa medie të Kosovës është raportuar për gjoja pezullim dhe shkelje flagrante në procedurën e zhvillimit të master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz.

    Ju konfirmojmë që kjo procedurë është në zhvillim e sipër sipas rrjedhës së përcaktuar me legjislacionin për prokurim publik, dhe deri më tani nuk ka asnjë vendim përfundimtar rreth këtij procesi.
    Aktualisht, nga data 22.12.2023, ky proces është në fazën ankimore pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe nuk ka konsumuar afatin ligjor për shqyrtim të lëndës.

    Duam të sqarojmë opinionin publik që sa herë operatorët ekonomik konkurrues parashtrojnë ankesë pranë OSHP-së, pezullohet procesi i prokurimit dhe nisë të rrjedhë afati ligjor i shqyrtimit të ankesës. Gjithashtu, përfoljet për “shkeljet flagrante” janë pretendime të operatorit ekonomik ankues që nuk është vlerësuar si fitues, dhe në çdo rast janë subjekt i vlerësimit profesional të njësive përgjegjëse institucionale.

    Duam t’i sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që në procesin e zhvillimit të master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz të gjitha veprimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kanë qenë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe standardet profesionale për administrimin e një konkursi ndërkombëtar të projektimit.

    Operatori ekonomik që nuk është vlerësuar si fitues në këtë procedurë ka vendosur të ankohet në OSHP. Ne e respektojmë të drejtën e secilit për të përdorur mjetet ligjore të ankesës, duke siguruar proces demokratik e me integritet.

    MKRS konfirmon që deri më tani nuk ka pranuar asnjë raport të ekspertizës, rekomandim apo vendim nga OSHP rreth pretendimeve të operatorit ekonomik ankues rreth këtij procesi.
    Pretendimet e raportimeve mediale për shkelje dhe publikimi i vendimeve fiktive janë vetëm spekulime dhe në momentin që publikohen lehtësisht mund të lexohen edhe si presion publik ndaj zyrtarëve të OSHP-së, një institucion i pavarur. Çdo komentim publik derisa një lëndë është duke u shqyrtuar në OSHP është shkelje ligjore dhe presion publik.

    MKRS ka qenë transparente nga fillimi i këtij procesi duke e mbajtur publikun të informuar për të gjitha fazat dhe veprimet në këtë proces. Qysh në fillim, me kërkesën e Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, MKRS ka formuar grupin koordinues për vlerësimin e gjendjes fizike të ndërtesave në kuadër të Kompleksit në muajin korrik të vitit 2021. Ky grup koordinues ka rekomanduar hapat që duhet të ndërmerren për trajtimin e Kompleksit Memorial. Një prej rekomandimeve ka qenë edhe vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesave kryesore të kompleksit në aspektin strukturor. Bazuar në këtë raport, MKRS ka lidhur Memorandum Bashkëpunimi me Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës. Profesorët e UP-së e kanë dorëzuar raportin final në të cilin janë identifikuar ndërtesat me rrezikshmëri të lartë brenda Kompleksit Memorial. Nga këto ndërtesa janë identifikuar Shtëpia e Sala dhe Hamit Jasharit, pika vrojtuese – bunkeri, Shtëpia e Sadik Jasharit, muri rrethues i mbetur i shtëpisë se Smajl Jasharit, ndërsa për ndërtesat kryesore, Kullat e Jasharëve, është konstatuar nga ekspertët që nuk janë në gjendje të rrezikut imediat, por që nuk mund të presin gjatë dhe kërkohet hartimi i master-planit ku duhet të parashihet trajtimi i tyre sipas konceptit të përgjithshëm zhvillimor.
    MKRS ka zhvilluar procedurat dhe ka lidhur kontratat për ndërhyrje emergjente në Shtëpinë e Sala dhe Hamit Jasharit, dhe në Shtëpinë e Sadik Jasharit, piken vrojtuese – bunkeri, dhe murin rrethues të shtëpisë së Smajl Jasharit. Të gjitha këto punime janë realizuar me sukses duke e mënjanuar rrezikun që i kanosej këtyre ndërtesave për një kohë të caktuar.

    Si veprim tjetër, Komiteti Ndërministror i Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz ka emëruar Komisionin e Ekspertëve. Komisioni ka bërë hulumtimin, analizën dhe vizionimin për KMAJ dhe ka përpiluar Termet e Referencës për hartimin e Master Planit. Ky dokument i është dorëzuar Komitetit Ndërministror në janar të vitit 2023. Komiteti Ndërministror e ka aprovuar dokumentin final të Komisionit të Ekspertëve, dhe Qeveria e Republikës së Kosovë ka marrë vendim për kriteret, kushtet për shpalljen e konkursit si dhe procedurat e aplikimit për Projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në përputhje me këtë vendim, MKRS e ka shpallur procedurën e hapur të prokurimit për përzgjedhjen e projektit (master-planit) për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” më 25 maj 2023.

    Nga ajo kohë, kjo procedurë e konkursit të projektimit është mbyllur dhe është bërë vlerësimi nga komisioni profesional në përbërje ekspertë të institucioneve shtetërore dhe të pavarur. Pas publikimit të vlerësimit nga komisioni, një operator ekonomik që nuk është vlerësuar fitues ka ushtruar të drejtën e ankesës në shkallën e dytë, pranë OSHP-së.
    MKRS duke u thirrur në rëndësinë kombëtare, por edhe qëndrueshmërinë fizike të ndërtesave brenda Kompleksit, i është drejtuar zyrtarisht OSHP-së me kërkesën për të shqyrtuar me prioritet këtë rast. Ne në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk kemi pretenduar të ndërhyjmë në vendimet e OSHP-së dhe përherë ato i kemi respektuar me përpikëri, edhe kur nuk kanë qenë në favor të institucionit tonë. Kërkesa e parashtruar nga MKRS thërret për konsideratë të shtuar në raport me këtë proces, dhe vjen pasi që çdo vonesë mund të ketë pasoja në ndërtesat e kompleksit, e rrjedhimisht në historinë e popullit tonë që lidhet me rezistencën e Jasharëve dhe Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në të njëjtën kohë, i ftojmë të gjitha palët të tregohen të matura e profesionale, duke u sjellur brenda kornizave të ligjit dhe etikës publike duke shmangur presionet e keqinformimin.

  • Hasani: Rajoni po kërcënohet si asnjëherë më parë – Autorët dhe nxitësit e Banjskës të dalin para drejtësisë

    Hasani: Rajoni po kërcënohet si asnjëherë më parë – Autorët dhe nxitësit e Banjskës të dalin para drejtësisë

    Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka deklaruar se autorët, organizatorët dhe nxitësit e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë, duke shtuar se kjo është domosdoshmëri për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejmë, raporton EO.

    Kryediplomati shqiptar, theksoi se tha se siguria dhe stabiliteti i rajonit është më i kërcënuar se kurrë më parë.

    “Rajoni është duke kaluar një moment delikat, që pavarësisht progresit, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Ne kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm, të orkestruar dhe të armatosur kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë e stabilitetit e të gjithë rajonit tonë me pasoja të drejtpërdrejta për Europën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme. Prandaj, tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende, ato forca që besojnë te pasja e stabiliteti, te bashkëpunimi e integrimi euroatlantik të punojnë se bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tonë”.

    Ministri Hasani tha se shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen e përbashkët dhe shtoi se “padyshim Kosova e Serbia duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekjes – dy vende e një popull që më shumë se kushdo tjetër e mbështesin perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”.

    Pas Kosovës, Hasani tha se do të shkojë në vizita zyrtare edhe në Maqedoninë e Veriut dhe më pas Malin e Zi.

    “Është një tur që ka për qëllim ndarjen e ideve dhe mendimeve mbi punën që duhet të bëjmë së bashku për të mirën e rajonit dhe qytetarëve tonë”.

  • Fryrja e barkut: Ushqimet që ndihmojnë para se të filloni mjekimin me ilaçe apo suplemente

    Fryrja e barkut: Ushqimet që ndihmojnë para se të filloni mjekimin me ilaçe apo suplemente

    Ndjeheni të fryrë? Na ndodh të gjithëve, mos u shqetësoni…

    Fryrja e barkut i ndodh të gjithëve në momente të caktuara, edhe kur bëjmë maksimumin e përpjekjeve për të qenë në formë të mirë fizike.

    Ki parasysh që duhet të tregosh kujdes me ushqimet që e ndjen se të shkaktojnë siklet për të mos i ngrënë.

    Ka raste që fryrja shkaktohet pas një vakti të bollshëm me një ose dy ushqime problematike. Ndonjëherë shkaktar është uji i mbledhur në trup prej ndryshimeve hormonale.

    Ndjesia e parehatisë që shkakton fryrja është sikleti më i madh, ndaj po ju njohim me 8 ushqime që do t’ju ndihmojnë ta lehtësoni veten, pa kaluar te mjekimet apo suplementet.

    Kosi: I pasur me probiotikë dhe bakterie të mira që ndihmojnë procesin e tretjes, kosi e lehtëson shpejt inflamacionin.

    Xhenxhefili: Konsiderohet si një nga mjekimet bimore më të vjetra në botë, xhenxhefili ka veti anti-inflamatore shumë të forta.

    Banania: Kaliumi është arsyeja kryesore pse ky frut jep kontribut në mirëmbajtjen e sistemit tretës.

    Limoni: Po, hilja e vjetër e ujit të ngrohtë me limon ndihmon. Aciditeti i tij është shumë i ngjashëm me të vetë stomakut, ndaj ndihmon në balancimin e tij.

    Avokado: Nëse je duke mbajtur dietë pa karbohidrate, avokadot janë një opsion i mirë për të hequr fryrjen pasi janë pasura me potasium dhe antikoksidantë.

    Kastraveci: Përmban shumë ujë dhe kontribuon në hidratimin e organizmit. Kjo ndihmon në largimin e ujit të tepërt nga qelizat, citon Anabel.

    Kivi: Actinidin është një enzimë që gjendet te kivi dhe shpejton tretjen. /Telegrafi/

  • Arrestohen tre persona në Prizren, dyshohen për dhunim dhe detyrim në prostitucion

    Arrestohen tre persona në Prizren, dyshohen për dhunim dhe detyrim në prostitucion

    Policia e Kosovës njoftoi se janë arrestuar tre persona në Prizren, pasi dyshohen për “Dhunim” dhe “Detyrim në prostitucion”.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se viktimës i është ofruar tretman mjekësor.

    “Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, nën dyshimin se kanë kryer veprat e cekura, ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.

    Tutje, Policia njoftoi se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Ismet Krasniqi emërohet këshilltar i Presidentes Osmani

    Ismet Krasniqi emërohet këshilltar i Presidentes Osmani

    Ismet Krasniqi, ish-sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës për afro 17 vjet, është emëruar këshilltar i Presidentes Vjosa Osmani.

    Kështu ka njoftuar Presidenca e Kosovës, duke theksuar se përgjatë angazhimit të tij, Krasniqi është shquar për përkushtim e profesionalizëm.

    “Këshilltari Krasniqi ka qenë mbështetës profesional i të gjitha proceseve me rëndësi të veçantë për vendin tonë, duke filluar nga Pakoja e ish- Presidentit Ahtisari, përgatitja profesionale e teknike për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë, angazhimi teknik në përcjelljen dhe kompletimin e dokumentacionit për nevojat e delegacionit tonë në GJND, si dhe përgatitjet për amendamentet kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Sipas Presidencës, një kontribut të veçantë Krasniqi e ka dhënë edhe në sigurimin e prezencës së komunitetit të donatorëve në Kuvend dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile në punën e Kuvendit.

    Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje Krasniqit dhe ka theksuar se angazhimi i tij është vlerë e shtuar për Kabinetin, ngase ai bart pas vetes një përvojë të gjatë institucionale e profesionale.

  • Kjo komunë e Kosovës i jep nga 500 euro për çdo lindje

    Kjo komunë e Kosovës i jep nga 500 euro për çdo lindje

    Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi e ka mbajtur premtimin elektoral.

    500 euro për çdo lindje do të ndajë komuna e Rahovecit nga janari i këtij viti.

    “Sot, nënshkrova vendimin e parë të subvencionimit të lindjeve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Fahredin Hoti” në Rahovec. Nga janari i këtij viti, çdo lindje në Repartin e Maternitetit të QKMF-së “Dr. Fahredin Hoti”, do të mbështetet me 500€ nga Komuna e Rahovecit” shkruan Latifi në njoftim.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Gjatë ditës së sotme në vendin tonë parashihet të mbajë mot i vranë.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Prishtina dhe Mitrovica me -2 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja dhe Prizreni me 5 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë Gjilani me -3 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Prizreni me 8 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri dita e sotme do të shoqërohet me mot të vranët.

    Temperaturën minimale do e ketë Korça me 1 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Fier dhe Vlorë me 15 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

  • Zyrtare, Roma shkarkon Jose Mourinhon

    Zyrtare, Roma shkarkon Jose Mourinhon

    Skuadra italian, Roma ka njoftuar se trajneri José Mourinho dhe bashkëpunëtorët e tij teknikë do të largohen nga klubi me efekt të menjëhershëm.

    Ky vendim i skuadrës romake vjen pas rezultateve të dobëta në këtë edicion të Serie-A, e sidomos pas eliminimit nga Kupa e Italisë nga rivali lokal, Lazio, përcjellë KosovaPress.

    Portugezi udhëhoqi Romën deri tek triumfi në Ligën e Konferencës në Tiranë më 25 maj 2022 dhe në finalen e Europa League në Budapest sezonin e kaluar.

    “Falënderojmë José në emër të të gjithë ne në AS Roma për pasionin dhe përkushtimin që ka treguar që nga ardhja e tij në Giallorossi”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Romës.