ATV

Blog

  • Basketbolli kosovar rikthehet në parket, të shtunën dhe të dielën zhvillohet xhiroja e parë

    Basketbolli kosovar rikthehet në parket, të shtunën dhe të dielën zhvillohet xhiroja e parë

    Sezoni i ri i basketbollit kosovar nis me përballje interesante, ndërsa në dy ditët e fundjavës do të zhvillohen katër ndeshje të xhiros së pare ku skuadrat do të synojnë që të nisin mbarë këtë edicion të ri të garave në basketbollin vendor.

    Të shtunën, më 19 shtator, në program janë tri përballje. Në orën 17:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, përballen Prishtina dhe Peja, në një duel që pritet të sjellë interesim të madh që në start të sezonit.

    Dy orë më vonë, në Palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci 029 do të përballet me kampionin aktual Trepçën , ndërsa në orën 20:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, zhvillohet ndeshja mes Boras dhe Vëllaznimit.

    Xhiroja e parë përmbyllet të dielën, më 20 shtator, me duelin mes Bashkimit dhe Yllit, i cili zhvillohet në orën 17:00 në Palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

  • Dalin në shtije biletat për ndeshjen Kosovë-Irlandë

    Dalin në shtije biletat për ndeshjen Kosovë-Irlandë

    Kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen mes Kosovës dhe Irlandës, e cila zhvillohet më 24 shtator 2026, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Takimi, në kuadër të Ligës së Kombeve, nis në ora 20:45, ndërsa tifozët tashmë mund t’i blejnë biletat online.

    Çmimet janë të ndara sipas sektorëve të stadiumit: Veriu dhe Jugu kushtojnë 20 euro, Lindja 30 euro, ndërsa Perëndimi 50 euro. Për sektorin VIP, bileta kushton 150 euro.

    Biletat mund të blihen online në platformën zyrtare të shitjes së biletave.

    Biletat kanë çmime më të larta se në ndeshjet e kaluara. Në tribunat e veriut dhe të jugut, biletat tani kushtojnë 20 euro, ndërsa më herët kishin çmimin prej 10 eurosh.

    Në tribunën e lindjes, bileta më herët kushtonte 20 euro, ndërsa tani çmimi është 30 euro. Ndërkaq, në tribunën e perëndimit, bileta do të kushtojë 50 euro, krahasuar me 30 euro sa kushtonte më parë.

    Biletat VIP kanë çmimin prej 150 eurosh, që është 50 euro më shumë se në ndeshjet e kaluara.

    Kosova i luan dy ndeshje në shtëpi dhe dy si mysafir në shtator dhe janar.

  • Izraeli publikon listën për ndeshjet e radhës, në mesin e tyre edhe përballja me Kosovën

    Izraeli publikon listën për ndeshjet e radhës, në mesin e tyre edhe përballja me Kosovën

    Përfaqësuesja e Izraelit ka bërë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për katër ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve, ku njëra prej sfidave më të rëndësishme do të jetë ajo ndaj Kosovës.

    Përzgjedhësi Ran Ben Shimon ka përfshirë 27 futbollistë në listën e tij, me Kosovën që do ta ketë përballë më 1 tetor në Debrecen të Hungarisë.

    Izraeli do ta hapë këtë seri ndeshjesh më 24 shtator, me duelin ndaj Austrisë në Linz. Më 27 shtator, izraelitët do të përballen me Irlandën në Debrecen, ndërsa katër ditë më vonë, po në qytetin hungarez, do të jetë radha e përballjes me Kosovën. Serinë e ndeshjeve do ta mbyllin më 4 tetor, sërish ndaj Irlandës, por këtë herë në Baçka Topola të Serbisë.

    Në listën e Ben Shimonit janë përfshirë emrat kryesorë të futbollit izraelit. Mes tyre spikasin portierët Daniel Peretz dhe Omri Glazer, mbrojtësi Eli Dasa, si dhe futbollistët Oscar Gloukh, Gabi Kanikovski, Dor Peretz, Manor Solomon, Dor Turgeman, Tai Baribo, Yarden Shua dhe Liel Abada.

    Në grumbullim ka edhe risi. Një prej tyre është 18-vjeçari Noam Shteifman, mbrojtës i Maccabi Haifës, i cili për herë të parë është përfshirë në këtë grup të lojtarëve. Ndërkohë, në skuadër është rikthyer edhe Ilay Feingold.

    Lista e plotë e Izraelit

    Portierë: Daniel Peretz, Omri Glazer, Asaf Tzur.

    Mbrojtës: Eli Dasa, Guy Mizrahi, Roy Revivo, Anan Khalaili, Idan Nachmias, Ilay Feingold, Raz Shlomo, Nikita Stoinov, Noam Shteifman.

    Mesfushorë dhe sulmues: Yarin Levi, Eliel Peretz, Oscar Gloukh, Gabi Kanikovski, Dor Peretz, Omri Gandelman, Eitan Azoulay, Mohamed Abu Fani, Manor Solomon, Dor Turgeman, Idan Toklomati, Tai Baribo, Sa’id Abu Farhi, Yarden Shua, Liel Abada.

  • Babai i Mac Allister zbulon të vërtetën për të ardhmen e tij: Liverpooli vendos për kontratën

    Babai i Mac Allister zbulon të vërtetën për të ardhmen e tij: Liverpooli vendos për kontratën

    E ardhmja e Alexis Mac Allister te Liverpooli ka qenë në qendër të disa spekulimeve ditët e fundit, por babai i mesfushorit argjentinas ka dalë për t’i qartësuar gjërat.

    Carlos Mac Allister ka bërë të ditur se familja e lojtarit nuk po ushtron asnjë presion ndaj klubit anglez për një kontratë të re. Mac Allister aktualisht ka marrëveshje me Liverpoolin deri në vitin 2028.

    Sipas babait të tij, deri tani nuk ka pasur kontakte nga drejtuesit e klubit për një rinovim të kontratës.

    “Askush nga drejtuesit e Liverpoolit nuk na ka kontaktuar ende për rinovimin. Ne kemi një kontratë që është ende në fuqi dhe jemi të përkushtuar ndaj saj me Liverpoolin.”

    Carlos shtoi se Liverpooli është plotësisht në të drejtën e tij nëse vendos të mos i ofrojë menjëherë një marrëveshje të re djalit të tij.

    “Nëse klubi nuk ofron rinovim të kontratës, kjo është e drejta e tyre.”

    Ndërkohë, ai ka mohuar edhe një tjetër raportim që e lidhte Mac Allister me një transferim te Real Madridi.

    “Askush nga Real Madridi nuk na ka kontaktuar në asnjë moment gjatë gjithë karrierës së Alexis”, deklaroi ai.

    Në fushë, argjentinasi po kalon një moment pozitiv. Mesfushori ka realizuar dy gola në dy ndeshjet e fundit në të cilat ka qenë titullar.

    Mac Allister pritet të jetë sërish në dispozicion për Liverpoolin në sfidën e radhës ndaj Bournemouthit në ‘Anfield’.

    Për momentin, kontrata deri në vitin 2028 e mban të lidhur argjentinasin me Liverpoolin, ndërsa çdo vendim për të ardhmen e tij duket se do të merret në tavolinën e drejtuesve të klubit.

  • Zyrtare! Superkupa e Spanjës 2027 zhvillohet në Stamboll

    Zyrtare! Superkupa e Spanjës 2027 zhvillohet në Stamboll

    Superkupa e Spanjës për vitin 2027 do të zhvillohet në një tjetër destinacion spektakolar.

    Stambolli i Turqisë është përzgjedhur si nikoqir i turneut, ndërsa katër skuadra të mëdha të futbollit spanjoll do të zbresin në fushë për trofeun.

    Në edicionin e vitit 2027 do të marrin pjesë Barcelona, Real Madridi, Atletico Madridi dhe Real Sociedad.

    Ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin olimpik “Ataturk”, ndërsa turneu është planifikuar në fillim të muajit shkurt.

    Gjysmëfinalja e parë do të luhet më 2 shkurt, ku Real Sociedad do të përballet me Real Madridin. Po atë ditë, në gjysmëfinalen tjetër, Barcelona do të sfidojë Atletico Madridin.

    Finalja e madhe është programuar për 7 shkurt, ku dy fituesit do të përballen për trofeun e Superkupës.

    Barcelona hyn në këtë garë me synimin për të vazhduar dominimin, pasi ka fituar dy edicionet e fundit.

    Por përveç trofeut, në Stamboll do të jetë në lojë edhe një shumë e konsiderueshme parash.

    Sipas raportimeve, katër klubet pjesëmarrëse do të ndajnë mes tyre 40 milionë euro, në bazë të marrëveshjes së turneut.

    Stambolli u përzgjodh pasi Arabia Saudite, e cila ka organizuar edicionet e fundit, do të ketë një tjetër angazhim të madh sportiv në atë periudhë.

    Superkupa pritet të transmetohet në më shumë se 150 vende të botës, duke e kthyer turneun në një spektakël të madh ndërkombëtar.

    Katër skuadra, dy gjysmëfinale dhe vetëm një trofe. Stambolli po bëhet gati për Superkupën e Spanjës 2027!

  • Foda flet për tërheqjen e Rrahmanit: Nuk ka bojkot nga lojtarët e tjerë

    Foda flet për tërheqjen e Rrahmanit: Nuk ka bojkot nga lojtarët e tjerë

    Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka reaguar pas vendimit të kapitenit Amir Rrahmani për t’u tërhequr nga Kombëtarja, duke mohuar mundësinë që ky vendim të pasohet edhe nga futbollistë të tjerë.

    Foda ka bërë të ditur se Rrahmani e ka njoftuar personalisht për vendimin e tij, i cili erdhi pas zhvillimeve të fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës.

    “Gjithçka është shumë emocionale në Kosovë. Fakti është se Amir Rrahmani ka dhënë dorëheqjen. Ai më informoi personalisht për këtë”, ka deklaruar Foda për CANAL+.

    Megjithatë, tekniku gjerman insiston se pjesa tjetër e futbollistëve do t’i përgjigjet ftesës së Kombëtares.

    “Të gjithë lojtarët që janë në formë dhe që do t’i ftoj, do të jenë të hënën aty dhe do të përgatiten me mua për ndeshjet”, ka shtuar ai.

    Foda ka mohuar gjithashtu raportimet për një bojkot të mundshëm nga futbollistë të tjerë.

    “Ka shumë dramë që po ekzagjerohet. Ideja se edhe më shumë lojtarë duan të bojkotojnë ekipin kombëtar nuk është e vërtetë”, ka theksuar përzgjedhësi i Kosovës.

    Deklaratat e Fodës u raportuan të enjten nga mediumi austriak “Laola1”, ndërsa Kombëtarja e Kosovës pritet të nisë të hënën përgatitjet për ndeshjet e radhës.

    Rrahmani, i cili ka 66 paraqitje dhe shtatë gola me Kosovën, e mbajti shiritin e kapitenit për rreth shtatë vjet, para se të njoftonte për tërheqjen e tij nga Kombëtarja.

  • Rocco Vata në listën e Irlandës për ndeshjet ndaj Kosovës dhe Izraelit

    Rocco Vata në listën e Irlandës për ndeshjet ndaj Kosovës dhe Izraelit

    Kombëtarja e Irlandës ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve, ku është përfshirë edhe Rocco Vata, djali i ish-kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë, Rudi Vata.

    Irlanda do ta nisë këtë cikël pikërisht ndaj Kosovës. “Dardanët” do ta presin Kombëtaren irlandeze më 24 shtator, në ndeshjen hapëse të Grupit B3.

    Vëmendja e tifozëve shqiptarë do të jetë te Rocco Vata, i cili është pjesë e listës së përzgjedhësit të Irlandës, Heimir Hallgrimsson.

    Sulmuesi 20-vjeçar është djali i Rudi Vatës, ish-futbollistit dhe kapitenit të Kombëtares shqiptare.

    Pas përballjes me Kosovën, Irlanda do të luajë ndaj Izraelit më 27 shtator, ndërsa më 1 tetor do të përballet me Austrinë. Cikli i parë i ndeshjeve do të mbyllet më 4 tetor, me një tjetër sfidë ndaj Izraelit.

    Ndërkohë, Kosova pas ndeshjes me Irlandën do të përballet me Austrinë më 27 shtator, Izraelin më 1 tetor dhe sërish Austrinë më 4 tetor.

  • NBA: Biletat për ndeshjen hapëse të Knicks kushtojnë mesatarisht 2,560 dollarë

    NBA: Biletat për ndeshjen hapëse të Knicks kushtojnë mesatarisht 2,560 dollarë

    Të shohësh nga afër natën e kampionëve të rinj të NBA-së nuk do të jetë aspak e lirë.

    Një biletë për ndeshjen hapëse të sezonit të ri mes Kampionit në fuqi Neë York Knicks dhe Philadelphia 76ers po shitet në tregun e rishitjes me një çmim mesatar prej rreth 2 mijë e 560 dollarësh.

    Bëhet fjalë për ndeshjen që do të zhvillohet më 20 tetor në Madison Square Garden, në startin e sezonit të ri të NBA-së.

    Kjo nuk do të jetë një mbrëmje e zakonshme për Knicks.

    Pas triumfit në sezonin e kaluar, ekipi i New Yorkut do ta nisë mbrojtjen e titullit para tifozëve të vet, me ngritjen e flamurit të kampionatit në tavanin e Madison Square Garden, si dhe me ceremoninë e dorëzimit të unazave të kampionëve.

    Knicks e fituan titullin e NBA-së për herë të parë pas 53 vjetësh, duke i dhënë kësaj nate një rëndësi të veçantë për tifozët e skuadrës.

    Përballë do të jetë Philadelphia 76ers, ndërsa kjo ndeshje do të shënojë edhe debutimin e LeBron James me fanellën e Philadelphia-s në sezonin e ri.

    Sezoni 2026/27 i NBA-së nis zyrtarisht më 20 tetor, me një program të trefishtë në natën hapëse.

    Përveç Knicks dhe 76ers, në aksion do të jenë edhe Boston Celtics ndaj Detroit Pistons, si dhe Oklahoma City Thunder kundër San Antonio Spurs.

    Ndërkohë, për ata që duan ta përjetojnë nga afër ceremoninë në New York, çmimi i biletës tregon se festa e kampionëve këtë vit do të ketë një kosto shumë të lartë.

  • Amedspor konfirmon ftesat e Dellovës dhe Krasniqit

    Amedspor konfirmon ftesat e Dellovës dhe Krasniqit

    Një ditë para publikimit të listës zyrtare të Kosovës, Amedspor ka konfirmuar ftesat e dy futbollistëve kosovarë për ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses në Ligën e Kombeve.

    Klubi turk ka bërë të ditur se Lumbardh Dellova dhe Ermal Krasniqi janë grumbulluar nga Kosova, duke i përfshirë të dy në listën e lojtarëve të Amedspor që do t’u bashkohen përfaqësueseve të tyre.

    “Urojmë suksese për lojtarët tanë të ftuar në përfaqësueset kombëtare”, ka shkruar klubi turk në njoftimin e tij.

    Konfirmimi nga Amedspor vjen një ditë para se Federata e Futbollit të Kosovës të publikojë listën zyrtare të futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda.

    Dellova dhe Krasniqi pritet t’i bashkohen Kosovës për një seri prej katër ndeshjesh, të cilat “Dardanët” do t’i zhvillojnë brenda vetëm dhjetë ditësh.

    Kosova do ta nisë këtë cikël më 24 shtator, në Prishtinë, ndaj Irlandës.

    Më 27 shtator, “Dardanët” do të udhëtojnë në Austri, ndërsa më 1 tetor do të përballen me Izraelin në Hungari.

    Cikli i parë i ndeshjeve do të mbyllet më 4 tetor në Prishtinë, sërish ndaj Austrisë.

    Dellova dhe Krasniqi, nëse konfirmohen edhe në listën zyrtare të FFK-së, do të jenë kështu pjesë e skuadrës së Franco Fodës për këto katër përballje të Ligës së Kombeve.

  • Topi i Artë 2026, një garë e fortë mes yjeve të futbollit

    Topi i Artë 2026, një garë e fortë mes yjeve të futbollit

    Topi i Artë 2026 pritet të jetë një nga edicionet më të luftuara të viteve të fundit. Ceremonia do të zhvillohet më 26 tetor në Londër dhe do të shënojë 70-vjetorin e këtij çmimi prestigjioz.

    Votimi do të përfshijë të gjithë sezonin, nga gushti i vitit 2025 deri më 19 korrik 2026, duke përfshirë edhe performancat në Kupën e Botës.

    Sipas rregullores, kriteri kryesor është paraqitja individuale e futbollistit, ndërsa më pas vlerësohen sukseset kolektive dhe trofetë, si dhe klasa dhe loja e pastër sportive. Pra, fitimi i një trofeu madhor nuk garanton automatikisht Topin e Artë.

    Në garë spikasin disa emra të mëdhenj.

    Kylian Mbappe realizoi 25 gola në La Liga, fitoi Pichichin, ndërsa në Ligën e Kampionëve shënoi 15 gola. Në Kupën e Botës, francezi realizoi plot 10 herë dhe fitoi Këpucën e Artë të turneut.

    Harry Kane pati një sezon spektakolar me Bayern Munichun, duke shënuar 61 gola në 51 ndeshje. Ai realizoi 36 gola në Bundesliga dhe fitoi Këpucën e Artë evropiane.

    Lamine Yamal, ndërkohë, kombinoi statistikat personale me sukseset e skuadrës. Talenti i Barcelonës shënoi 16 gola dhe dhuroi 12 asistime në La Liga, ndërsa Barcelona fitoi kampionatin dhe Spanja triumfoi në Botëror.

    Në garë vlerësohet edhe Rodri, i cili u shpall lojtari më i mirë i Kupës së Botës.

    Fituesi do të përcaktohet nga votat e gazetarëve të 100 vendeve të para në renditjen e FIFA-s.

    Përgjigjja përfundimtare do të merret më 26 tetor, kur Londra do të presë ceremoninë e 70-të të Topit të Artë.