ATV

Blog

  • Valon Berisha dhe Fidan Aliti pensionohen nga Kombëtarja e Kosovës

    Valon Berisha dhe Fidan Aliti pensionohen nga Kombëtarja e Kosovës

    Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka konfirmuar pensionimin e dy futbollistëve, Valon Berishës dhe Fidan Alitit, nga Kombëtarja e Kosovës.

    Pas shumë vitesh të kaluar me fanellën e “Dardanëve”, dy futbollistët kanë vendosur t’i japin fund aventurës së tyre me përfaqësuesen.

    Valon Berisha, i cili në të kaluarën kishte përfaqësuar Norvegjinë, por më pas zgjodhi Kosovën, e ka cilësuar këtë vendim si një prej vendimeve që do ta bëjë krenar gjatë gjithë jetës.

    “Dhjetë vite më parë mora një prej vendimeve që do të më bëjë krenar tërë jetën. Pavarësisht falënderimit që kam për Norvegjinë, shtetin që mua dhe familjes sime na dha mundësinë për një jetë më të mirë, e lashë dhe vendosa t’i bashkohem Kosovës, sepse ndjeva fuqishëm thirrjen e brendshme për ta përfaqësuar gjakun që më rrjedh në vena dhe për t’i bërë krenarë prindërit e mi”, ka shkruar Berisha.

    Ai e ka përmbyllur aventurën me Kosovën pas 52 paraqitjeve, duke veçuar golin ndaj Finlandës si një moment që, sipas tij, do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit kosovar.

    “Pas shumë vitesh, 52 ndeshjesh dhe disa golash, njëri prej të cilëve, ai kundër Finlandës, do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit të Kosovës, sot ka ardhur koha që periudha ime si futbollist aktiv me Kombëtaren të përfundojë”, ka shkruar ai.

    Edhe Fidan Aliti ka njoftuar se po e mbyll kapitullin e tij me Kombëtaren e Kosovës, duke theksuar se përfaqësimi i vendit ka qenë një prej nderimeve më të mëdha të jetës së tij.

    “Ta vesh fanellën e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prej nderimeve më të mëdha të jetës sime. Sa herë që kam dalë në fushë me këtë fanellë, kam dhënë shpirtin e zemrën për të”, ka deklaruar Aliti.

    Mbrojtësi ka shtuar se largohet nga Kosova si futbollist, por jo si tifoz i saj.

    “Kosova është dhe do të jetë gjithmonë pjesë e imja. Është dhe do të jetë gjithmonë e para, sa herë që të ketë nevojë për mua”, ka shkruar Aliti.

    Me pensionimin e Berishës dhe Alitit, Kosova i jep fund një tjetër kapitulli të rëndësishëm të gjeneratës që kontribuoi në vitet e para të përfaqësimit ndërkombëtar të “Dardanëve”.

  • Kombëtarja e Kosovës publikon listën për ndeshjet e Nations League

    Kombëtarja e Kosovës publikon listën për ndeshjet e Nations League

    Kombëtarja e Kosovës në futboll ka publikuar listën për ndeshjet e Ligës së Kombeve,të cilat pritet të zhvillohen në fund të muajit shtator dhe fillim tetorit.

    Përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar gjithsej 30 futbollistë për ndeshjet kundër Irlandës,Austrisë dhe Izraelit,teksa në anën tjetër ka publikuar edhe listën e zgjeruar prej 10 futbollistëve.

    Në mesin e të futbollistëve të ftuar janë emra të rinj si Dion Kacurri,Erblin Osmani dhe Milot Avdyli,kurse tashmë pjesë e “Dardanëve”nuk janë emra si Amir Rrahmani dhe Florent Hadërgjonaj të cilët konfirmuan largimin nga kombëtarja e Kosovës.

    Në listë nuk janë as lojtarët si: Fidan Aliti, Kreshnik Hajrizi, Elvis Rexhbeçaj dhe Florent Muslija,kurse në listën e Fodas janë përfshirë edhe yjet si Edon Zhegrova,Vedat Muriqi dhe Milot Rashica.

    Kujtojmë që Kosova aventurën në Ligën e Kombeve e nis në Prishtinë kundër Irlandës më 24 shtator teksa tre ditë më vonë luan në udhëtim kundër Austrisë.

    Dardanët më 1 tetor do të luajnë kundër Izraelit në Hungari,kurse sërish do të takohen kundër Austrisë më 4 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri”në Prishtinë.

  • Thomas Tuchel befason me listën e Anglisë, rikthehen dy emra dhe ftohen dy talentet e rinj

    Thomas Tuchel befason me listën e Anglisë, rikthehen dy emra dhe ftohen dy talentet e rinj

    Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve, ku nuk kanë munguar surprizat.

    Në listën e teknikut gjerman spikasin rikthimet e Trent Alexander-Arnold dhe Dominic Calvert-Lewin, të cilët nuk ishin pjesë e skuadrës angleze në Kupën e Botës.

    Tuchel ka vendosur gjithashtu t’u japë hapësirë disa prej futbollistëve të rinj. Në mesin e tyre janë Rio Ngumoha i Liverpoolit dhe Jarrad Branthwaite, të cilët përbëjnë një nga befasitë e kësaj liste.

    Anglia do të ketë një program të ngjeshur, me Spanjën, Republikën Çeke dhe Kroacinë si kundërshtarë. Ndaj Republikës Çeke, anglezët do të përballen në dy raste.

    Me rikthimet e disa emrave të njohur dhe përfshirjen e talenteve të rinj, Tuchel ka bërë të qartë se lista e Anglisë për këtë fazë përmban një kombinim mes përvojës dhe gjeneratës së re.

  • Alexander Isak: Nuk jam penduar për transferimin te Liverpooli

    Alexander Isak: Nuk jam penduar për transferimin te Liverpooli

    Alexander Isak ka bërë të qartë se nuk është penduar për vendimin për t’u larguar nga Newcastle United dhe për t’iu bashkuar Liverpoolit, pavarësisht vështirësive që ka kaluar që nga transferimi.

    Sulmuesi suedez iu bashkua “Reds”-ave në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës në vitin 2025, për një shumë rekord prej 125 milionë funtesh. Megjithatë, aventura e tij e parë në Anfield nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi pati vështirësi nën drejtimin e Arne Slotit.

    Situata u komplikua edhe më shumë në dhjetor, kur Isak pësoi një frakturë në këmbë që e mbajti jashtë fushave për rreth katër muaj.

    Në sezonin e kaluar, suedezi realizoi vetëm katër gola në 22 paraqitje, ndërsa këtë edicion ka nisur në mënyrë më pozitive nën drejtimin e Andoni Iraolas, duke shënuar tri gola në gjashtë ndeshje.

    Liverpooli ende nuk ka pësuar humbje në sezonin 2026/27, ndonëse në katër ndeshjet e para të Premier League ka regjistruar vetëm një fitore dhe tri barazime.

    Pavarësisht periudhës së vështirë, Isak thotë se nuk ka pasur asnjë moment pendese për vendimin e tij.

    “Jo, kurrë. Nuk do të mendoja kurrë në atë mënyrë”, ka deklaruar Isak për BBC Sport, kur është pyetur nëse është penduar për transferimin.

    “Fraktura në këmbë ishte e vështirë. Kushdo që ka pasur një lëndim të gjatë do ta dinte këtë. Por, nga ana tjetër, kur je në një vend të mirë dhe ndihesh mirë, nuk ke prirje të shikosh prapa, sepse kjo nuk të sjell ndonjë përfitim”.

    “Prandaj, thjesht po shikoj përpara dhe ndihem vërtet optimist dhe i emocionuar për sezonin dhe për atë që mund të na sjellë”, ka shtuar sulmuesi suedez.

    Tani Isak dhe Liverpooli do të fokusohen te sfida e radhës në Premier League, ku “Reds”-at do të përballen me Bournemouthin në fundjavë.

  • Alexander Isak: Nuk jam penduar për transferimin te Liverpooli

    Alexander Isak: Nuk jam penduar për transferimin te Liverpooli

    Alexander Isak ka bërë të qartë se nuk është penduar për vendimin për t’u larguar nga Newcastle United dhe për t’iu bashkuar Liverpoolit, pavarësisht vështirësive që ka kaluar që nga transferimi.

    Sulmuesi suedez iu bashkua “Reds”-ave në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës në vitin 2025, për një shumë rekord prej 125 milionë funtesh. Megjithatë, aventura e tij e parë në Anfield nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi pati vështirësi nën drejtimin e Arne Slotit.

    Situata u komplikua edhe më shumë në dhjetor, kur Isak pësoi një frakturë në këmbë që e mbajti jashtë fushave për rreth katër muaj.

    Në sezonin e kaluar, suedezi realizoi vetëm katër gola në 22 paraqitje, ndërsa këtë edicion ka nisur në mënyrë më pozitive nën drejtimin e Andoni Iraolas, duke shënuar tri gola në gjashtë ndeshje.

    Liverpooli ende nuk ka pësuar humbje në sezonin 2026/27, ndonëse në katër ndeshjet e para të Premier League ka regjistruar vetëm një fitore dhe tri barazime.

    Pavarësisht periudhës së vështirë, Isak thotë se nuk ka pasur asnjë moment pendese për vendimin e tij.

    “Jo, kurrë. Nuk do të mendoja kurrë në atë mënyrë”, ka deklaruar Isak për BBC Sport, kur është pyetur nëse është penduar për transferimin.

    “Fraktura në këmbë ishte e vështirë. Kushdo që ka pasur një lëndim të gjatë do ta dinte këtë. Por, nga ana tjetër, kur je në një vend të mirë dhe ndihesh mirë, nuk ke prirje të shikosh prapa, sepse kjo nuk të sjell ndonjë përfitim”.

    “Prandaj, thjesht po shikoj përpara dhe ndihem vërtet optimist dhe i emocionuar për sezonin dhe për atë që mund të na sjellë”, ka shtuar sulmuesi suedez.

    Tani Isak dhe Liverpooli do të fokusohen te sfida e radhës në Premier League, ku “Reds”-at do të përballen me Bournemouthin në fundjavë.

  • Irlanda paralajmëron Kosovën: “Asnjë kombëtare nuk dëshiron të luajë kundër nesh”

    Irlanda paralajmëron Kosovën: “Asnjë kombëtare nuk dëshiron të luajë kundër nesh”

    Përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, ka folur me vetëbesim për formën e skuadrës së tij para përballjes me Kosovën, duke theksuar serinë prej shtatë ndeshjesh pa humbje.

    Kosova do ta presë Irlandën më 24 shtator, në një përballje ku të dyja skuadrat do të kërkojnë rezultat pozitiv. Irlanda po kalon një periudhë të mirë, pasi humbjen e fundit e ka regjistruar më 11 tetor 2025, ndaj Portugalisë, me rezultat 1-0.

    Hallgrímsson ka vlerësuar formën e ekipit të tij dhe ka bërë të ditur se synimi është që kjo seri pozitive të vazhdojë.

    “Jemi në një seri pozitive dhe duam ta vazhdojmë atë. Jemi të pamposhtur në shtatë ndeshjet e fundit dhe mendoj se asnjë kombëtare nuk dëshiron të luajë kundër Irlandës për momentin”, deklaroi Hallgrímsson.

    Ndërkohë, Irlanda ka publikuar edhe listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e radhës. Në mesin e tyre është edhe Roko Vata, djali i ish-kapitenit të Shqipërisë, Rudi Vata.

    Në anën tjetër, lista e Kombëtares së Kosovës pritet të bëhet publike të premten. Përzgjedhësi i “Dardanëve” pritet të ketë disa ndryshime në skuadër, pasi Amir Rrahmani dhe Florent Hadërgjonaj kanë vendosur t’i japin fund karrierës me përfaqësuesen.

    Gjithashtu, në listën e Kosovës pritet të jetë për herë të parë edhe mesfushori Dion Kacuri.

    Përballja Kosovë–Irlandë do të jetë një nga ndeshjet e rëndësishme për “Dardanët”, të cilët do të synojnë të ndalin serinë pozitive të irlandezëve.

  • Prishtina Dental Week 2026 hapet në Kolegjin AAB duke sjellë në Kosovë ekspertizë ndërkombëtare në stomatologji, inovacion digjital dhe përsosmëri klinike

    Prishtina Dental Week 2026 hapet në Kolegjin AAB duke sjellë në Kosovë ekspertizë ndërkombëtare në stomatologji, inovacion digjital dhe përsosmëri klinike

    Tri ditë të shkëmbimit shkencor ndërkombëtar do ta vendosin Prishtinën në qendër të zhvillimeve bashkëkohore në stomatologji, duke mbledhur klinicistë, akademikë dhe profesionistë të shquar të fushës për të diskutuar të ardhmen e endodoncisë, implantologjisë, ortodoncisë, stomatologjisë restauruese, inteligjencës artificiale dhe proceseve digjitale të punës në praktikën klinike.

    Prishtina Dental Weekend 2026 – VISION 5.0 hapet zyrtarisht nesër në Kolegjin AAB në Prishtinë, duke shënuar fillimin e tri ditëve të shkëmbimit shkencor, edukimit klinik dhe bashkëpunimit profesional ndërkombëtar, nga 18 deri më 20 shtator 2026.

    I organizuar në kuadër të bashkëpunimit me Fakultetin e Stomatologjisë të Kolegjit AAB, kongresi bashkon profesionistë të stomatologjisë, akademikë, studiues, studentë dhe përfaqësues të industrisë në një program të fokusuar në një çështje qendrore: si mund të shndërrohen përparimet shkencore dhe inovacioni teknologjik në stomatologjinë bashkëkohore në kujdes më cilësor, më të sigurt dhe më të parashikueshëm për pacientët?

    Hapja e kongresit përbën një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e Prishtinës si një qendër e edukimit stomatologjik dhe e shkëmbimit profesional në rajon.

    Fakulteti i Stomatologjisë i Kolegjit AAB, i themeluar në vitin 2016, e ka vendosur edukimin e bazuar në dëshmi shkencore, trajnimin klinik, kërkimin shkencor dhe inovacionin në qendër të misionit të tij akademik. Programi i studimeve në stomatologji ndërthur formimin teorik me trajnimin praktik klinik dhe të nxënit e orientuar drejt kërkimit shkencor.

    Kjo qasje synon të përgatisë profesionistë të stomatologjisë të aftë për të integruar njohuritë bashkëkohore shkencore, teknologjitë e reja dhe praktikën klinike në funksion të standardeve moderne të kujdesit ndaj pacientit.

    Programi shkencor ndërkombëtar

    Programi shkencor i vitit 2026 sjell në Prishtinë ekspertë të njohur nga Kosova, Evropa dhe komuniteti më i gjerë stomatologjik i rajonit të Mesdheut, duke ofruar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave bashkëkohore. Përmes një sërë ligjëratash dhe prezantimesh, programi trajton disa nga fushat më të rëndësishme dhe me zhvillimin më të shpejtë të stomatologjisë moderne.

    Ndër ligjëruesit e shquar ndërkombëtarë është Dr. Emna Hidoussi, specialiste e endodoncisë, profesoreshë e stomatologjisë konservative dhe endodoncisë, si dhe hulumtuese nga Tunizia.

    Kontributi i saj shkencor në kuadër të kongresit do të përqendrohet në temën “Sfidat endodontike në traumën dentare: nga ruajtja e pulpës deri te menaxhimi i rasteve komplekse.”

    Në prezantimin e saj do të trajtohen qasjet bashkëkohore ndaj traumave dentare, me fokus të veçantë në ruajtjen e pulpës dentare dhe menaxhimin klinik të rasteve komplekse endodontike. Përmes përvojës së saj klinike dhe akademike, Dr. Hidoussi sjell një perspektivë të rëndësishme në programin shkencor, duke kontribuar në pasurimin e diskutimeve profesionale mbi sfidat dhe zhvillimet e fundit në endodonci dhe kërkimin shkencor.

    Në programin e implantologjisë do të marrë pjesë edhe Dr. Tome Piperevaliev, kirurg oral dhe ligjërues ndërkombëtar në fushën e stomatologjisë nga Maqedonia e Veriut.

    Prezantimi i tij, “Implantimi i menjëhershëm në implantologji: nga ekstraksioni i menjëhershëm deri te ngarkimi i menjëhershëm funksional”, do të trajtojë qasjet dhe strategjitë klinike bashkëkohore për vendosjen e menjëhershme të implanteve dentare, duke u fokusuar në kalimin nga ekstraksioni i dhëmbit drejt rehabilitimit të menjëhershëm funksional.

    Kjo temë pasqyron një nga tendencat kryesore të implantologjisë bashkëkohore: shkurtimin e kohës së trajtimit, pa kompromentuar parimet biologjike, saktësinë kirurgjikale dhe parashikueshmërinë e rezultateve klinike.

    Një vëmendje e veçantë në kuadër të kongresit i kushtohet edhe rasteve komplekse ortodontike, me fokus në qasjet bashkëkohore për diagnostikimin, planifikimin e trajtimit dhe menaxhimin klinik të tyre.

    Prof. Assoc. Dr. Donika Ilijazi Shahiqi, specialiste e ortodoncisë, akademike dhe ligjëruese nga Kosova, do të prezantojë temën “Menaxhimi interceptiv i kaninëve maksilarë të impaktuar palatinalisht: nga diagnostikimi i hershëm deri te vendimmarrja klinike.”

    Prezantimi do të fokusohet në rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe ndërhyrjes terapeutike në kohën e duhur në menaxhimin e impaktimit palatinal të kaninëve maksilarë. Në mënyrë të veçantë, do të trajtohet integrimi i vlerësimit klinik dhe imazherik, përcaktimit të diagnozës, vlerësimit të prognozës dhe vendimmarrjes terapeutike, me synim hartimin e një plani të individualizuar dhe afatgjatë të trajtimit.

    Pjesëmarrja e Prof. Assoc. Dr. Ilijazi Shahiqi në programin shkencor pasqyron kontributin e stomatologjisë akademike dhe ekspertizës ortodontike nga Kosova në një platformë ndërkombëtare të shkëmbimit të njohurive dhe përvojës profesionale. Ajo është pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Stomatologjisë të Kolegjit AAB.

    Inteligjenca artificiale dhe teknologjitë digjitale në stomatologji

    Një nga temat më inovative dhe me perspektivë të programit shkencor është integrimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale në praktikën klinike stomatologjike.

    Të shtunën, Dr. Angelo Cardarelli do të prezantojë temën “Kirurgjia implantare e drejtuar, e asistuar nga inteligjenca artificiale: nga rehabilitimi i një dhëmbi të vetëm deri te rehabilitimi i plotë i harkut dentar.”

    Prezantimi do të fokusohet në rolin e inteligjencës artificiale dhe planifikimit digjital në kirurgjinë implantare të drejtuar, duke trajtuar aplikimin e këtyre teknologjive në raste me shkallë të ndryshme të kompleksitetit klinik, nga vendosja e një implanti për rehabilitimin e një dhëmbi të vetëm deri te rehabilitimi i plotë implanto-protetik i harkut dentar.

    Kjo tematikë është veçanërisht relevante në kuadër të zhvillimit të stomatologjisë drejt flukseve të integruara digjitale të punës, ku të dhënat klinike dhe imazherike integrohen në procesin e planifikimit dhe ekzekutimit të trajtimit. Ky fluks përfshin imazherinë tredimensionale, planifikimin virtual të trajtimit, planifikimin e pozicionit tredimensional të implanteve, kirurgjinë implantare të drejtuar dhe rehabilitimin protetik të asistuar nga teknologjitë digjitale, me synim rritjen e saktësisë, efikasitetit dhe parashikueshmërisë së rezultateve klinike.

    Dr. Antonio Linares, specialist në periodontologji, doktor i shkencave me gradë doktorature evropiane, fitues i Çmimit ITI André Schroeder në Implantologji, si dhe ligjërues dhe pedagog ndërkombëtar, do të trajtojë qasjet e reja në terapinë implantare.

    Prezantimi i tij, “Teknologjitë e reja në terapinë implantare: nga navigimi dinamik deri te qasjet e bazuara në skela për rigjenerimin kockor”, do të fokusohet në zhvillimet më të fundit teknologjike në fushën e implantologjisë, duke përfshirë navigimin dinamik dhe qasjet inovative për rigjenerimin e indit kockor.

    Kjo tematikë pasqyron drejtimin më të gjerë shkencor të kongresit: ndërlidhjen e saktësisë kirurgjikale me teknologjitë digjitale, konceptet rigjenerative dhe parimet biologjike, me synim avancimin e planifikimit dhe realizimit të terapisë implantare dhe përmirësimin e parashikueshmërisë së rezultateve klinike.

    Stomatologjia restauruese dhe mikrostomatologjia

    Në kuadër të kongresit do të marrë pjesë edhe Dr. Abdelrahman Tawfik nga Egjipti, specialist në stomatologjinë restauruese të avancuar dhe mikrostomatologji, si dhe ligjërues dhe pedagog ndërkombëtar.

    Kontributi i tij shkencor do të përqendrohet në stomatologjinë mikroskopike dhe qasjet minimalisht invazive, duke trajtuar zbatimin e zmadhimit optik, saktësisë klinike dhe parimeve të ruajtjes maksimale të strukturave të shëndosha dentare në praktikën bashkëkohore të stomatologjisë restauruese.

    Pjesëmarrja e Dr. Tawfik i shton programit shkencor një dimension të rëndësishëm në fushën e stomatologjisë së precizionit, duke vënë në pah rolin e teknologjisë së zmadhimit dhe të teknikave bashkëkohore në rritjen e kontrollit klinik, ruajtjen e indeve dentare dhe optimizimin e rezultateve të trajtimit restaurues.

    Në programin e stomatologjisë restauruese do të jetë i pranishëm edhe Dr. Filippo Cardinali, i cili në prezantimet e tij do të trajtojë koncepte bashkëkohore në endodonci dhe stomatologji restauruese.

    Ndër temat kryesore do të jetë “Obturimi i sistemit të kanaleve rrënjësore për rezultate endodontike të orientuara drejt pacientit: materialet dhe protokollet e kondensimit hidraulik të ftohtë me sealer biokeramik Ceraseal.”

    Programi shkencor trajton gjithashtu marrëdhënien ndërmjet qasjes restauruese direkte dhe asaj indirekte, me sesionin “Restaurimet direkte kundrejt restaurimeve indirekte për rehabilitimin përfundimtar të molarëve: ndjekja afatgjatë klinike, vendimmarrja terapeutike dhe roli i modelimit të bazuar në liner/matricë biokeramike te pacientët në rritje.”

    Në tërësi, këto sesione trajtojnë një çështje themelore të stomatologjisë restauruese bashkëkohore: si mund të përzgjedhin klinicistët materialet dhe protokollet terapeutike në përputhje me karakteristikat individuale të rastit klinik, rezultatet e pritshme dhe afatgjata të trajtimit, si dhe nevojat specifike të pacientit.

    Stomatologjia estetike dhe rezultatet natyrale

    Në kuadër të kongresit do të jetë i pranishëm edhe Dr. Ormir Bushati, dentist estetik dhe ligjërues nga Shqipëria, i cili do të prezantojë temën “‘Dhëmbët tuaj duken bukur’ apo ‘Keni bërë dhëmbët’ — Protokolli im në stomatologjinë estetike.”

    Prezantimi do të trajtojë kërkesën gjithnjë e më të madhe për rezultate estetike natyrale në stomatologjinë bashkëkohore, duke u fokusuar në parimet klinike që mundësojnë harmonizimin e estetikës me funksionin dhe me karakteristikat individuale të pacientit.

    Dr. Bushati është konfirmuar si pjesë e programit ndërkombëtar të ligjëruesve të Prishtina Dental Weekend 2026.

    Më shumë se një kongres: edukim, bashkëpunim dhe shkëmbim klinik

    Programi treditor shkon përtej formatit tradicional të ligjëratave dhe prezantimeve shkencore. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të angazhohen në prezantime shkencore, edukim klinik, rrjetëzim profesional dhe sesione praktike, duke krijuar një mjedis ku njohuritë dhe evidenca shkencore mund të përkthehen në qasje konkrete dhe të zbatueshme në praktikën klinike.

    Programi përmbyllet të dielën, më 20 shtator, me punëtori të dedikuara të udhëhequra nga Dr. Filippo Cardinali dhe Dr. Angelo Cardarelli, të cilat do t’u mundësojnë pjesëmarrësve të thellohen në koncepte të përzgjedhura klinike përmes një qasjeje më praktike, interaktive dhe të orientuar drejt aplikimit.

    Kombinimi i ligjëratave shkencore me edukimin praktik klinik pasqyron qasjen më të gjerë të AAB College ndaj edukimit në stomatologji, e cila synon të ndërthurë formimin teorik me trajnimin praktik, përvojën klinike dhe zbatimin e parimeve të praktikës së bazuar në evidencë.

    Kolegji AAB në Prishtinë si pikë takimi për stomatologjinë ndërkombëtare

    Rëndësia e Prishtina Dental Weekend shkon përtej tri ditëve të zhvillimit të kongresit. Gjatë edicioneve të mëparshme, aktiviteti ka mirëpritur qindra profesionistë të stomatologjisë dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme, duke u konsoliduar si një takim periodik profesional për komunitetin stomatologjik në Kosovë dhe në rajon.

    Sipas të dhënave zyrtare të historikut të kongresit, secili prej edicionit të dytë dhe të tretë ka regjistruar më shumë se 1 200 pjesëmarrës.

    Edicioni i vitit 2026 e zgjeron këtë traditë përmes një programi që bashkon klinicistë dhe akademikë nga disiplina të ndryshme të stomatologjisë dhe nga vende të ndryshme. Në këtë kuadër, kongresi shërben si një hapësirë për shkëmbimin e njohurive shkencore, përvojave klinike dhe praktikave profesionale.

    Për Kosovën, organizimi i këtij aktiviteti krijon një mundësi të rëndësishme për forcimin e lidhjeve me komunitetin ndërkombëtar të stomatologjisë. Njëkohësisht, ai hap perspektiva të reja për bashkëpunim akademik, shkëmbim shkencor, edukim të vazhdueshëm profesional dhe rrjetëzim ndërkombëtar.

    Për profesionistët që vijnë nga jashtë vendit, Kolegji AAB në Prishtinë ofron një mjedis ku ekspertiza e konsoliduar evropiane dhe rajonale ndërvepron me komunitetet akademike dhe klinike në zhvillim. Ky ndërveprim krijon terren për dialog profesional, ndarjen e përvojave dhe zhvillimin e bashkëpunimeve të reja në fushën e stomatologjisë.

    VISION 5.0: Pesë hapa përpara

    Tema e kongresit të këtij viti, “VISION 5.0 – Pesë hapa përpara”, pasqyron orientimin e programit drejt së ardhmes së stomatologjisë dhe zhvillimeve që do të formësojnë praktikën klinike të gjeneratës së ardhshme.

    Inteligjenca artificiale, flukset digjitale të punës, kirurgjia implantare e drejtuar, navigimi dinamik, mikrostomatologjia, procedurat rigjenerative, endodoncia bashkëkohore dhe trajtimet estetike të orientuara drejt pacientit nuk përfaqësojnë më koncepte teknologjike të veçuara. Ato po integrohen gjithnjë e më shumë në praktikën klinike dhe po bëhen pjesë përbërëse e stomatologjisë moderne.

    Në këtë kontekst, kongresi ofron një platformë për të diskutuar jo vetëm çfarë mund të ofrojë stomatologjia sot, por edhe mënyrën se si klinicistët, pedagogët dhe studiuesit mund të përgatiten për kërkesat, teknologjitë dhe qasjet që do të karakterizojnë praktikën stomatologjike të së ardhmes.

    Një urë lidhëse mes akademisë dhe praktikës klinike

    Për Kolegjin AAB, organizimi i një aktiviteti shkencor ndërkombëtar të kësaj përmase përputhet me angazhimin e deklaruar të Fakultetit të Stomatologjisë për zhvillimin e arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe avancimin e kujdesit për shëndetin oral.

    Misioni i Fakultetit mbështetet në edukimin teorik dhe praktik të bazuar në evidencë shkencore, zhvillimin e kërkimit klinik dhe bazë, si dhe në krijimin dhe avancimin e njohurive të reja në fushën e stomatologjisë.

    Në këtë kuadër, kongresi krijon një hapësirë të natyrshme ndërveprimi ndërmjet akademisë, profesionit të stomatologjisë dhe komunitetit shkencor ndërkombëtar.

    Studentët përfitojnë nga ekspozimi ndaj perspektivave klinike dhe qasjeve bashkëkohore të ekspertëve ndërkombëtarë, ndërsa stomatologët praktikues dhe akademikët kanë mundësinë të ndajnë përvojat e tyre, të diskutojnë zhvillimet teknologjike dhe të krijojnë lidhje profesionale që mund të shtrihen përtej kohëzgjatjes së kongresit.

    Tri ditë. Një komunitet ndërkombëtar i stomatologjisë

    Nga ceremonia e hapjes të premten, më 18 shtator, përmes sesioneve shkencore dhe programit profesional të së shtunës, deri te punëtoritë praktike të së dielës, Prishtina Dental Weekend 2026 është konceptuar mbi një parim të thjeshtë:

    E ardhmja e stomatologjisë ndërtohet përmes dijes, bashkëpunimit dhe inovacionit të përgjegjshëm.

    Me ekspertë që trajtojnë fusha të tilla si endodoncia, ortodoncia, implantologjia, periodontologjia, stomatologjia rigjenerative, stomatologjia restauruese dhe estetike, mikrostomatologjia dhe inteligjenca artificiale, kongresi ofron një platformë të gjerë shkencore për profesionistët që synojnë të thellojnë njohuritë mbi teknologjitë, metodologjitë dhe qasjet klinike që po formësojnë praktikën bashkëkohore të stomatologjisë.

  • Virgil van Dijk drejt 100 ndeshjeve me Holandën, bisedë pozitive me trajnerin e ri

    Virgil van Dijk drejt 100 ndeshjeve me Holandën, bisedë pozitive me trajnerin e ri

    Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, është pranë një tjetër arritjeje të rëndësishme me fanellën e Kombëtares së Holandës, teksa aktualisht numëron 96 paraqitje me “Tulipanët”.

    Sipas raportimeve të mediave holandeze, Van Dijk ka zhvilluar një bisedë me trajnerin e ri të përfaqësueses, Xavi, gjatë javës së kaluar në Angli.

    Edhe pse deri më tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar nga palët, raportimet bëjnë të ditur se takimi ka qenë pozitiv dhe se ekziston gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin.

    Van Dijk synon të arrijë kuotën e 100 paraqitjeve me Holandën, një tjetër moment i veçantë në karrierën e tij ndërkombëtare.

    Holanda do të zhvillojë katër ndeshje ndërkombëtare në javët e ardhshme dhe, nëse aktivizohet në të gjitha, mbrojtësi i Liverpoolit mund ta regjistrojë paraqitjen e tij të 100-të që në fillim të muajit tetor.

  • Arijon Ibrahimovic i qëndron besnik Gjermanisë, vazhdon me U21-shin

    Arijon Ibrahimovic i qëndron besnik Gjermanisë, vazhdon me U21-shin

    Sulmuesi i Augsburgut, Arijon Ibrahimovic, ka vendosur të vazhdojë të përfaqësojë Gjermaninë, duke iu bashkuar përfaqësueses U21.

    Futbollisti me prejardhje nga Prizreni ishte përmendur kohët e fundit si një nga emrat që mund t’i bashkohej Kosovës në të ardhmen. Megjithatë, Ibrahimovic ka zgjedhur që për momentin të vazhdojë rrugëtimin me grupmoshat e Gjermanisë.

    Ibrahimovic është ftuar nga Gjermania U21 për ndeshjet e radhës dhe do të jetë pjesë e skuadrës në kuadër të angazhimeve të saj ndërkombëtare.

    Gjermania U21 pritet të zhvillojë tri përballje gjatë këtij muaji dhe në tetor, ndaj Letonisë, Maltës dhe Gjeorgjisë.

    Vendimi i Ibrahimovicit bën që mundësia për ta parë atë me fanellën e Kosovës të mbetet e hapur për të ardhmen, por jo në një të ardhme të afërt.

    Image

  • Harry Kane zbulon bisedimet për një transferim në Spanjë: “Në futboll, gjithçka është e mundur”

    Harry Kane zbulon bisedimet për një transferim në Spanjë: “Në futboll, gjithçka është e mundur”

    Harry Kane ka rrëfyer se gjatë karrierës së tij janë zhvilluar biseda për një transferim të mundshëm në Spanjë, ndërsa sulmuesi anglez ka theksuar se aktualisht është shumë i lumtur te Bayern Munichu.

    Në një intervistë për gazetën spanjolle “Marca”, Kane ka folur për mundësinë që në të kaluarën të transferohej në La Liga. Sulmuesi i Bayern Munichut ka sqaruar se nuk bëhej fjalë për oferta konkrete, por për kontakte dhe diskutime rreth një kalimi të mundshëm në futbollin spanjoll.

    “Ka pasur raste kur një gjë e tillë mund të ndodhte. Nuk mund të them se bëhej fjalë për mundësi konkrete, por më herët janë zhvilluar disa biseda”, ka deklaruar Kane.

    Kapiteni i Anglisë ka shprehur gjithashtu respekt të madh për futbollin spanjoll dhe klubet më të mëdha të La Ligës, duke përmendur Real Madridin, Barcelonën dhe Atletico Madridin.

    “La Liga gëzon respektin tim të madh. Barcelona, Real Madridi dhe Atletico Madridi janë klube ndër më të mëdhatë në botë. Jam rritur duke ndjekur Ronaldon dhe Messin. Kam një respekt të jashtëzakonshëm për këto skuadra”, u shpreh ai.

    Megjithatë, Kane nuk e ka mbyllur derën për një aventurë të ardhshme në Spanjë, duke lënë të hapur çdo mundësi për të ardhmen.

    “Në futboll, siç e dimë të gjithë, gjithçka është e mundur. Nuk përjashtoj asnjë alternativë. Megjithatë, për momentin jam jashtëzakonisht i lumtur në Gjermani, siç e kam thënë edhe më parë”, deklaroi anglezi.

    Ndërkohë, Bayern Munichu po punon për të siguruar vazhdimësinë e Kane, pasi klubi gjerman dëshiron ta mbajë sulmuesin si një nga figurat kryesore të skuadrës edhe në vitet e ardhshme.

    Pavarësisht interesimit të mundshëm nga Spanja, Kane ka bërë të qartë se aktualisht ndihet mirë në Mynih, duke lënë të kuptohet se një largim nga Bayern Munichu nuk është në planin e tij të menjëhershëm.