ATV

Blog

  • Guvernatori i BQK-së: Rregullorja e re s’e kufizon këmbimin e çfarëdo valute

    Guvernatori i BQK-së: Rregullorja e re s’e kufizon këmbimin e çfarëdo valute

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka thënë të hënën se rregullorja e re e BQK-së nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në valutën euro në bankat e licencuara, dhe se as nuk e kufizon këmbimin e cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare, ose jo-bankare të licencuara nga ajo.

    “Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet”, tha ai.

    BQK-ja njoftoi se Ismaili i bëri këto komente gjatë një takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier.

    Rregullorja e re e BQK-së, e lëshuar javë më parë, kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen me euro nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka kërkuar guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, që të shtyjë zbatimin e vendimit për përdorimin vetëm të valutës euro sa i përket operacioneve me para të gatshme.

    “Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”, shkroi Hovenier në X, që më herët njihej si Twitter.

    Ismaili theksoi se vetëm në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore.

    “Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”, thuhet në njoftim.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

    Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

    Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

    Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar të hënën anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

    Kërkesa e tij erdhi gjatë një takimi me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Beograd.

    Takimi mes ambasadorit Hovenier dhe guvernatorit Ismaili erdhi një ditë pasi shtetet e QUINT-it – SHBA-ja, Britania, Gjermani, Italia dhe Franca – bënë kërkesën e njëjtë për shtyrjen e zbatimit të vendimit për rregulloren për operacione me para të gatshme.

    Edhe Bashkimi Evropian i ka kërkuar të hënën Kosovës që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret në operacionet me para të gatshme.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se këtë çështje palët duhet ta zgjidhin në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.

    Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”. /rel

  • Kushtetuesja i jep dritën jeshile marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët

    Kushtetuesja i jep dritën jeshile marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët

    Gjykata Kushtetuese ka votuar në favor të marrëveshjes së Shqipëri-Itali për emigrantët, e cila është firmosur nga kryeministrat e të dyja vendeve, Edi Rama dhe Giorgia Meloni.

    Vendimi pritet të bëhet publik në orën 15:30. Do të jetë kryetarja e Gjykatës Kushtetsues Olta Zaçaj ajo e cila pritet të mbajë një konferencë me gazetarët, ku dhe do të komunikoj dhe arsyet ligjore të kalimit të marrëveshjes.

    Partia Demokratike, si ajo zyrtare e Lulzim Bashës dhe e dy grupimeve të tjera, Sali Berishës e Gazment Bardhit, e çuan marrëveshjen në këtë gjykatë, më datë 6 dhjetor.

    Pak ditë më parë, parlamenti italian miratoi me 155 vota pro, 115 kundër dhe 2 abstenime projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët.

    Marrëveshja e firmosur në Romë në 6 nëntor të vitit të kaluar, mes kryeministrave të të dy vendeve, përfshin emigrantët që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane.

    Ajo parashikon ngritjen e një pike në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një qendre në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit. Përgjegjësia mbi çdo veprimtari do të jetë e Italisë, së cilës i njihet dhe juridiksioni i plotë mbi qendrën e pritjes.

  • Osmani: Masakra e Rogovës së Hasit, ndër krimet më makabre në historinë e Kosovës

    Osmani: Masakra e Rogovës së Hasit, ndër krimet më makabre në historinë e Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 25 vjetorin e Masakrës në Rogovë të Hasit.

    Osmani u shpreh se jetët e pafajshme të marra në mënyra mizore nuki do të harrohen asnjëherë.

    Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

    Më 27, 28 dhe 29 janar 1999, ndodhi një nga krimet më makabre në historinë e Kosovës – Masakra e Rogovës së Hasit. Forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, sulmuan brutalisht fshatrat Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës dhe masakruan 9 civilë, teksa në altarin e lirisë ranë edhe 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Nuk do t’i harrojmë asnjëherë jetët e pafajshme të marra në mënyrë brutale, sikurse edhe ata që ranë për lirinë tonë!

  • Nën drejtimin e dirigjentes zvicerane, Orkestra e Filharmonisë nis koncertet për vitin 2024

    Nën drejtimin e dirigjentes zvicerane, Orkestra e Filharmonisë nis koncertet për vitin 2024

    Nën drejtimin e dirigjentes zvicerane Lena-Lisa Wüstendorfer, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës nisi serinë e koncerteve për vitin 2024.

    Pianistja e mirënjohur kosovare Pranvera Hoxha, u mirëprit për interpretimin me shumë finesë të veprës “Variacione Simfonike” për piano dhe orkestër nga Cesar Franck. Në bis, Hoxha për publikun luajti “Lirikë Pranverore” nga Simon Gjoni.

    Kontrabasisti kosovar i cili jeton në Zvicër, Shkodran Osmanaj, mahniti të pranishmit me interpretimin e “Koncert për kontrabas” të Serge Koussevitzky-t. Osmanaj dëshmoi një pjekuri të lartë interpretuese në këtë paraqitje e cila njëherësh shënoi intepretimin e parë të një koncerti për kontrabas nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.

    Në pjesën e dytë, publiku pati mundësi të shijoj tingujt e Beethovenit me Simfoninë Nr.7, duke i shtuar një shtresë tjetër shkëlqimi muzikor kësaj mbrëmjeje koncertale.

  • Projekti NLB Korniza e Mbështetjes këtë herë në kërkim të kompanive rajonale që po përmirësojnë shoqërinë tonë

    Projekti NLB Korniza e Mbështetjes këtë herë në kërkim të kompanive rajonale që po përmirësojnë shoqërinë tonë

    Sezoni i katërt i projektit NLB Korniza e Mbështetjes fillon sot. Grupi NLB po ofron mundësi për kompanitë rajonale të cilat – si ne – po përdorin idetë e tyre për të krijuar gjurmë më të mira. Projekti, i cili ka përfshirë qindra kompani rajonale në tre sezonet e fundit, këtë herë është në kërkim të kompanive të vogla dhe të mesme nga rajoni ynë, që po trajtojnë çështje urgjente sociale me idetë, risitë dhe operacionet e tyre të biznesit.

    Në Grupin NLB, ne besojmë se sfidat kryesore me të cilat po përballemi sot mund të adresohen vetëm së bashku. Secili prej nesh duhet të marrë pjesë dhe të kontribuojë në mënyrë aktive në zgjidhjen e tyre. Por për ta bërë këtë, së pari duhet të krijojmë kushtet sociale në të cilat secili mund të përmbushë potencialin e tij.

    Kjo është arsyeja pse NLB Korniza e Mbështetjes këtë vit po kërkon kompani dhe projekte inovative që përmirësojnë dhe pasurojnë shoqërinë tonë dhe trajtojnë sfida të tilla si: përdorimi i tepërt i teknologjive digjitale tek të rinjtë, dhuna, shkeljet e të drejtave të njeriut, barazia gjinore, varfëria, si dhe sfidat e paraqitura nga demenca apo sëmundjet e tjera të moshuarve.

    NLB Korniza e Mbështetjes është për entuziastët rajonal, vizionarët dhe optimistët e palëkundur që besojnë në rajonin tonë, në njerëzit dhe në një cilësi më të mirë të jetës.

    “Zhvillimi i qëndrueshëm ka pasur një rëndësi të veçantë për Grupin NLB vitet e fundit. Ne po përpiqemi ta integrojmë atë në mënyrë kuptimplote në aktivitetet dhe programet tona – në operacionet tona të përditshme, në zgjidhjet që hartojmë për klientët tanë, në kujdesin që japim për punonjësit tanë dhe në vendimet tona të biznesit. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë dhe duam të japim shembull, kjo është arsyeja pse ne po hapim dhe promovojmë çështje të qëndrueshmërisë në rajon me projekte të tilla si NLB Korniza e Mbështetjes,” theksoi Blaž Brodnjak, CEO në NLB, në fillimin e sezonit të katërt të projektit. “Pasi kemi trajtuar çështjet mjedisore intensivisht në vitet e fundit, çështjet sociale kanë qenë një sfidë në rritje, dhe kjo është arsyeja pse ato meritojnë më shumë vëmendje dhe mbështetje. Idetë dhe projektet me të cilat jemi njohur deri më tani përmes Kornizës së Mbështetjes gjithmonë na kanë bërë përshtypje. Është vërtetë e mahnitshme se sa shumë potencial dhe energji fshihet në rajonin tonë, të cilin ne po e kthejmë gjithashtu në një shtëpi plot me mundësi përmes projekteve të tilla”, shtoi ai.

    Aplikimi është i hapur deri më 10 Mars

    Kompanitë me projekte të suksesshme, si dhe ato kompani që janë ende duke zhvilluar idetë e tyre inovative në fushën e biznesit të qëndrueshëm, ftohen të aplikojnë deri më 10 mars 2024. Formulari i aplikimit me udhëzime gjendet këtu: www.nlb-kos.com/korniza

    Dhjetë idetë më të mira të biznesit nga secili treg ku operon Grupi NLB, Sllovenia, Kosova, Banja Lluka, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, do të përzgjidhen për raundin final. Finalistët në secilin treg do të përfitojnë kushte preferenciale për financim dhe shërbime tjera bankare. Gjithashtu, për finalistët do të ofrohet edhe mbështetje në komunikim.

    Fituesit e sezonit të katërt të projektit NLB Korniza e Mbështetjes do të shpallen dhe do të prezantohen më 9 maj në Ditën e Investitorëve të Grupit NLB në Lubjanë. Projekti më i mirë do të shpërblehet me një çmim prej 50,000€, projekti në vendin e dytë me 30,000€ dhe projekti në vendin e tretë me 20,000€.

    Ju mund të lexoni më shumë për kushtet e përgjithshme këtu.

  • Vuçiq-Lajçakut: Duam Asociacion, zgjedhje ne veri, jo provokime të reja nga Kosova

    Vuçiq-Lajçakut: Duam Asociacion, zgjedhje ne veri, jo provokime të reja nga Kosova

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në Beograd të Serbisë është takuar me presidentin e këtij vendi, Aleksandër Vuçiq.

    Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq takimin me Lajçakun e ka vlerësuar si konstruktiv dhe shumë korrekt.

    “Vura në dukje domosdoshmërinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e BE-së në ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina. Ritheksova gatishmërinë e Republikës së Serbisë për të përmbushur detyrimet e saj, në përputhje me marrëveshjet ligjore ndërkombëtare, duke respektuar Kushtetutën e Republikës Serbe dhe Kartën e OKB-së”, ka shkruar në Vuçiq në Facebook.

  • KQZ vazhdon me verifikimin e peticioneve për komunat veriore, s’dihet kur do përfundoj procesi

    KQZ vazhdon me verifikimin e peticioneve për komunat veriore, s’dihet kur do përfundoj procesi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), tashmë e ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve në peticionin e organizuar në katër komunat veriore, ku kërkohet shkarkimi i kryetarëve aktual.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Dukagjinin ka thënë se po verifikohet nëse personat që janë nënshkruar kanë të drejtë vote në komunën përkatëse.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë këto lista me nënshkrime, pra nëse personat që kanë nënshkruar janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, tha ai.

    Elezi tha se ende nuk dihet se kur do të përfundoj procesi i verifikimit, derisa shtoi se në momentin që përfundohet do ta njoftojnë Ministrinë, kryesuesit e kuvendeve komunale, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare.

    “Sigurisht se ky proces do të na marrë kohë pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë Ministrinë, Kryesuesit e Kuvendeve Komunale, Kryetarët e Komunave dhe Grupet Nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së do të bëhet edhe publike”, tha ai.

  • ​Qeveria e Bullgarisë propozon heqjen e tarifës së shkollimit për studentët dhe doktoraturë

    ​Qeveria e Bullgarisë propozon heqjen e tarifës së shkollimit për studentët dhe doktoraturë

    Qeveria e Bullgarisë propozoi heqjen e tarifave të shkollimit për studentët ende të pa diplomuar dhe studentët e doktoraturës në universitetet shtetërore të regjistruar në vendet e subvencionuara nga shteti. Për këtë qëllim, ndryshimet në Aktin e Arsimit të Lartë do të nisin dhe do të ngarkohen për diskutim publik në strategy.bg më vonë gjatë ditës, tha të hënën zyra e shtypit e qeverisë. Heqja e tarifave do të lehtësojë aksesin në arsimin e lartë për të gjithë qytetarët bullgarë, pavarësisht nga statusi i tyre social dhe mundësitë financiare.

    Shpenzimet e shkollimit do të sigurohen nga shteti, shpjegoi më vonë gjatë ditës kryeministri Nikolaj Denkov. Ndryshime të tilla janë duke u bërë prej disa vitesh, shtoi ai.

    Arsimi ka qenë gjithmonë prioritet kombëtar dhe me ndryshimet e fundit kushtetuese është shpallur vlerë kombëtare, thuhet në komunikatë. Masa është një vazhdimësi e politikës së synuar të qeverisë për të siguruar arsim të aksesueshëm, gjithëpërfshirës dhe cilësor. Masa gjithashtu mbështet luftën e qeverisë kundër krizës demografike.

    Heqja e tarifave të shkollimit në universitetet shtetërore do t’i bënte ato më tërheqëse për studentët që hezitojnë nëse duhet të vazhdojnë shkollimin jashtë vendit apo në Bullgari.

    Duke hequr totalisht tarifat e doktoratës, më shumë të rinj do të zgjidhnin të ndiqnin një karrierë në shkencë dhe të ndërtonin një karrierë akademike.

    Masa do të hyjë në fuqi këtë vit akademik. Ndryshimet e propozuara parashikojnë gjithashtu që Këshillat Akademikë të universiteteve shtetërore të vazhdojnë të përcaktojnë tarifat e aplikimit, por ato nuk do të duhet më të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave./BTA/

  • ​Prodhimet e kompanive nga Kosova do të promovohen në një panair në Suedi

    ​Prodhimet e kompanive nga Kosova do të promovohen në një panair në Suedi

    Prodhimet e dhjetë kompanive nga Kosova do të promovohen në panairin “Stockholm Furniture Fair”, në Suedi.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton se prodhimet nga industria e drurit të dhjetë kompanive nga Kosova nga data 06 – 10 shkurt 2024, do të promovohen në Panairin ndërkombëtar “Stockholm Furniture Fair”, që do të mbahet në Stockholm të Suedisë.

    “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit në Kosovë (SHPDK) dhe projektin Fostering Employment and Groëth Opportunities (FEGO), kanë siguruar hapësirën ekspozuese 290 m2 në këtë panair për kompanitë vendore pjesëmarrëse nga industria e drurit. Ky panair është një mundësi e mirë për kompanitë kosovare që krahas promovimit të produkteve, të njihen me trendet e industrisë ndërkombëtare dhe të lidhin marrëveshje bashkëpunimi me kompani të jashtme, me synim rritjen e eksportit. Prodhimet e dhjetë kompanive nga Kosova nga industria e drurit në Panairin “Stockholm Furniture Fair” do të jenë të ekspozuara në shtandin C07:42, C07:43”, thuhet në njoftim.

  • Kurti viziton për ngushëllime familjen e profesorit dhe akademikut të ndjerë Krasniqi

    Kurti viziton për ngushëllime familjen e profesorit dhe akademikut të ndjerë Krasniqi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me deputetë të Kuvendit e aktivistë, vizitoi për ngushëllime familjen e profesorit dhe akademikut të ndjerë, Feriz Krasniqi.

    Duke shprehur ngushëllimet e tij, kryeministri Kurti tha se profesor Feriz Krasniqi jetoi për arsimin dhe shkencën.

    “Ai do të kujtohet gjithmonë me ndjenja të thella respekti dhe mirënjohje që me aq përkushtim i udhëhoqi proceset e ndërtimit dhe ngritjes së Universitetit të Prishtinës në dekadën e parë të tij, dhe me mbresa pozitiviteti dhe dashamirësie, si një akademik me integritet dhe dinjitet të lartë”, citohet Kurti në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.