ATV

Blog

  • Përfundon dëshminë dëshmitari i 42-të, ZPS thotë se i radhës do të flasë për një vrasje të paligjshme në zonën e Llapit

    Përfundon dëshminë dëshmitari i 42-të, ZPS thotë se i radhës do të flasë për një vrasje të paligjshme në zonën e Llapit

    Pas mbarimit të dëshmisë së dëshmitarit të 42-të, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 43-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), cili mban kodin W04870 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ndonëse seanca ishte private, DhSK ka njoftuar se dëshmia e këtij dëshmitari ka të bëjë me vrasjen e paligjshme të një viktime, e cila pretendohet se është bërë pas arrestimit dhe mbajtjes nga anëtarë të UÇK-së në zonën e Llapit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe është duke u marrë në pyetje nga përfaqësues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Para se të niste dëshmia e këtij dëshmitari, avokati i Veselit, Ben Emmerson kërkoi që të kalohet në seancë private për të diskutuar një çështje që ndërlidhet me dëshmitarin, i cili do të dëshmojë pas këtij të tanishmit.

    Pas kësaj, e vetmja gjë që u bë në seancë publike ishte prezantimi i disa dokumenteve nga ZPS-ja, ku iu kërkua dëshmitarit që të konfirmojë se a qëndron prapa atyre përmbajtjeve.

    Këto material,e u pranuan si prova me urdhër të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III.

    Me arsyetimin që të mbrohet identiteti i dëshmitarit, seanca kaloi sërish në sesion privat dhe si e tillë është duke vazhduar.

  • Kaq do të jetë paga e kryetarit Përparim Rama me koeficientin e ri

    Kaq do të jetë paga e kryetarit Përparim Rama me koeficientin e ri

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nga ky muaj do ta marr pagën me rritje.

    Paga e tij mujore do të rritet për 75 euro.

    Me hyrjen në fuqi të koeficientit të ri të pagave prej 110 euro, kryetari Rama do të marr pagë mujore 1 mijë e 650 euro.

    Deri më tani paga e Ramës ishte 1 mijë e 575 euro.

  • “Ndërhyrja” e QUINT-it për dinarin, reagon Isa Mustafa

    “Ndërhyrja” e QUINT-it për dinarin, reagon Isa Mustafa

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë pezullimi i Rregullores për ndërprerjen e përdorimit të dinarit serb tani është një sfidë shtesë për Qeverinë.

    Mustafa thekson se valutat e tjera përdoren në Kosovë, por të konvertuara në euro dhe, sipas tij, kjo është rregullore që ka ekzistuar kohë më parë.

    “Valutë zyrtare në Kosovë është euro. Valutat tjera përdoren, por të konvertuara në euro. Kjo rregull nuk është se është përcaktuar tani nga Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës, por ka ekzistuar edhe më parë”, thotë Mustafa.

    Mustafa e quan paradoksale pjesën kur thuhet se në një pjesë të vendit mundet edhe euro edhe dinari të jenë mjet pagese.

    “Pezullimi i Rregullores për ndërprerjen e përdorimit të dinarit serb tani është një sfidë shtesë për Qeverinë, sepse është paradoksale të thotë se në një pjesë të vendit mundet edhe euro edhe dinari të jenë mjet pagese”, tha Mustafa.

    Ndërsa për kërkesën e shteteve të QUINT-it, Mustafa thotë se nuk ka qenë e nevojshme të bëhej.

    Sipas tij, çështja e dinarit s’ka vend as në Bruksel në tryezën e bisedimeve.

    “As QUINT s’do duhej ta shtronte një kërkesë të tillë. Mënyra e zbatimit është çështje që do duhej kordinuar me partnerë. Por mendoj se nuk ka vend që kjo çështje të diskutohet në Bruksel”, tha Mustafa për GazetaBlic.

    Kujtojmë se, ditë më parë, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme.

    Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro.

    Pas shumë reagimeve për këtë rregullore që ndalon dinarin serb në Kosovës, shtetet e QUINT-it kanë kërkuar pezullim e zbatimit të kësaj rregulloreje.

    “Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, QUINT-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së”, thuhej në njoftim.

  • ​Dy të arrestuar për sulmin në kishë në Stamboll

    ​Dy të arrestuar për sulmin në kishë në Stamboll

    Policia turke ka arrestuar dy persona në lidhje me sulmin me armë të mëngjesit të së dielës në kishën katolike të Shën Mërisë në një periferi të Stambollit, ku një person mbeti i vrarë dhe disa u plagosën.

    Të dyshuarit janë nga Taxhikistani dhe Rusia dhe besohet se janë të lidhur me ISIS-in, sipas agjencisë së lajmeve Anadolu duke cituar ministrinë e brendshme.

    Ministria tha se në total policia turke ka kryer 30 bastisje dhe ka kapur 47 persona të dyshuar për përfshirje në sulm.

    Të dielën në mëngjes dy persona të armatosur të maskuar thuhet se hynë në kishën në periferi të Stambollit të Büyükdere gjatë meshës dhe qëlluan në ajër përpara se të drejtonin armët e tyre ndaj një shtetasi turk të identifikuar vetëm si C.T. i cili ishte ngritur për të protestuar. /ANSA/

  • Nënshkruhet një marrëveshjeje ushtarake Kosovë-Turqi

    Nënshkruhet një marrëveshjeje ushtarake Kosovë-Turqi

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar se Kosova tashmë ka nënshkruar një marrveshje ushtarake kornizë me Turqinë.

    Maqedonci ka shkruar në Turqi me ftesë të ministrit turk të Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler, me të cilin nënshkruan marrëveshjen “për ta thelluar bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime”.

    “Shkëmbimi i personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimi në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turkiye ishin disa nga çështjet të cilat i diskutuam, e që përmes marrëveshjes së nënshkruar i hapim rrugë procesit për realizimin e tyre”, shkroi ministri kosovar në një postim në Facebook.

    “Krahas lidhjes kulturore ndërmjet dy shteteve tona, tashmë ekziston një bashkëpunim i ngushtë në aspektin ushtarak, me qëllim që së bashku t’i kontribuojmë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, shtoi ai.

    Ky nënshkrim vjen pak ditë pasi Qeveria votoi propozim-vendimin për t’i kërkuar presidentes Vjosa Osmani që ta japë autorizimin për këtë marrëveshje.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i ZPS-së pretendon se është rrëmbyer dhe rrahur nga UÇK-ja

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i ZPS-së pretendon se është rrëmbyer dhe rrahur nga UÇK-ja

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 42-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), cili mban kodin W02082 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesja e ZPS-së, Jasmine Shahabbudin, pretendohet se dëshmitari është rrëmbyer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe është rrahur mizorisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Në qershor të 1999, dëshmitari 02082 u rrëmbye nga anëtarë të UÇK-së që dukej se e njihnin identitetin e personit. Atë e dërguan anëtaret e UÇK-së në një vendodhje që përdorej nga UÇK-ja në Prizren ku pa edhe anëtarë të tjerë të UÇK-së jashtë. Gjatë ndalimit ë atë vend, e morën në pyetje, e kërcënuan dhe e rrahën mizorisht anëtarë të ndryshëm të UÇK-së me orë të tëra”, tha prokurorja.

    Ajo tha se pjesëtarët e UÇK-së përpara se ta lironin dëshmitarin i kanë thënë që të mos i tregonte askujt për faktin se e kanë mbajtur të ndaluar.

    “Dëshmitari me numrin 02082 pa edhe të ndaluar të tjerë që kishin gjak dhe ishin rrahur. Përpara se ta lironin, ushtarët e UÇK-së i thanë dëshmitarit 02082 të mos i tregonte askujt për faktin që e kishin mbajtur të ndalum. Edhe sot e kësaj dite ka probleme shëndetësore për shkak të lëndimeve që i shkaktuan”, tha prokurorja.

    Pas kësaj, prokurorja kërkoi që të kalohet në sesion privat në mënyrë që të ruhet identiteti i dëshmitarit gjatë marrjes në pyetje pasi ai është me masa mbrojtëse.

    Në fillim të seancës prokurorja tha se asaj nuk i ka shkuar ektekspertiza e psikologut për këtë dëshmitarë si dhe ka njoftuar se transkriptet dhe dokumentet që do i prezantohen duhet të iu lexohen nga dikush për shkak që sipas saj ai ka probleme me shikimin.

    Deklaratat e këtij dëshmitari të dhëna më herët për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse u pranuan dhe morën numrat e provave materiale në këtë cështje gjyqësore.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth 5 orë.

    Sipas tij, ZPS-ja ka paraparë 1 orë, mbrojtja e viktimave 15 minuta ndërsa ekipet e mbrojtjes së të akuzuarve kanë paraparë rreth 4 orë për marrjen në pyetje të këtij dëshmitari.

    Ashtu siç u tha në seancë, për shkak të problemeve shëndetësore, gjyqtari Christoph Barthe dhe dy të akuzuarit Thaçi dhe Krasniqi janë duke e ndjekur seancën përmes videolidhjes

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Në këtë qytet turistik do të mund të udhëtoni pa pasaporta dhe viza

    Në këtë qytet turistik do të mund të udhëtoni pa pasaporta dhe viza

    Dubai po prezanton një nismë revolucionare udhëtimi, duke i lejuar udhëtarët të udhëtojnë pa pasaportë dhe vizë, duke përdorur teknologji të avancuar biometrike për të përmirësuar efikasitetin dhe sigurinë në sektorin e udhëtimit dhe mikpritjes.

    Në një zhvillim revolucionar që do të ripërcaktojë udhëtimin ndërkombëtar, Dubai ka njoftuar një iniciativë inovative që lejon udhëtarët të udhëtojnë pa pasur nevojë për pasaportë apo vizë.

    Lëvizja, e cila do të hyjë në fuqi nga marsi 2024, e para në sektorin global të udhëtimit dhe mikpritjes, nënvizon angazhimin e Dubait për të përmirësuar efikasitetin dhe sigurinë e udhëtimit, duke përdorur teknologji të përparuar për të thjeshtuar përvojat e udhëtimit.

    Gjithçka që ju duhet për të kaluar kontrollin e policisë është fytyra juaj.

    Më pas kaloni nëpër një tunel dhe nëse ndizet drita jeshile, do të thotë që jeni regjistruar dhe identifikuar dhe mund të kaloni kontrollin.

  • BE-ja i kërkon Kosovës që përmes dialogut ta zgjidh çështjen e dinarit

    BE-ja i kërkon Kosovës që përmes dialogut ta zgjidh çështjen e dinarit

    Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret në operacionet me para të gatshme.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se këtë çështje palët duhet ta zgjidhin në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.

    Shtyrja e vendimit, që është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt, sipas BE-së, do të mundësonte që të adresohej ndikimi i mundshëm negativ te komuniteti serb në Kosovë.

    Kërkesa e bllokut vjen në ditën kur i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndron në Serbi dhe në ditën pasuese do të vizitojë edhe Kosovën.

    “BE-ja ka marrë në dijeni rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e parave të gatshme, që ka për qëllim zvogëlimin e falsifikimit, të ruajë stabilitetin financiar dhe të rrisë transparencën e qarkullimit të parave të gatshme në Kosovë. Megjithatë, kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”, tha Stano.

    Stano tha se BE-ja bën thirrje “që të ketë një periudhë të mjaftueshme transitore që do të mundësonte gjetjen e një marrëveshjeje të negociuar” lidhur me vendimin e BQK-së.

    Ky vendim i BQK-së nga serbët në Kosovë është parë si vendim që do t’iu pamundësojë atyre të përdorin dinarin.

    “Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano.

    Stano foli edhe për vizitën që Lajçakut në Serbi dhe Kosovë. Ai tha se këto vizita që do të realizohen më 29 dhe 30 janar janë pjesë e punës së tij të përditshme në përpjekje për t’iu ndihmuar palëve që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes tyre. Stano tha se në Beograd, Lajçak do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq në Kosovë me “bashkëbiseduesit e tij”.

    Ndryshe, kërkesë për shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së për operacionet me para të gatshme më herët kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara, por edhe shtetet e tjera të QUINT-it – Italia, Gjermania, Franca dhe Britania.

    Pas vendimit të publikuar nga BQK-ja më 17 janar, BE-ja kishte thënë se ka kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim.

    Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

    Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari./rel

  • Putin zyrtarisht regjistrohet si kandidat për zgjedhjet presidenciale

    Putin zyrtarisht regjistrohet si kandidat për zgjedhjet presidenciale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi ka regjistruar presidentin aktual, Vladimir Putin, si kandidat për zgjedhjet e reja presidenciale.

    Putin do të garojë për mandatin e pestë presidencial. Për shkak të ndryshimeve kushtetuese, që janë kritikuar nga ekspertët, Putini ka të drejtë të bëhet president edhe për dy mandate. Për herë të parë ai u zgjodh president i Rusisë në vitin 2000.

    Putin do të garojë si kandidat i pavarur në zgjedhjet e caktuara për 17 mars. Për t’u regjistruar si kandidat, atij iu kërkua të mblidhte të paktën 300.000 nënshkrime të rusëve nga rajone të ndryshme të shtetit, për të mbështetur kandidaturën e tij. Nga nënshkrimet e dorëzuara, 0.15 për qind e tyre u shpallën të pavlefshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi.

    Gjatë mbledhjes së nënshkrimeve për Putinin u evidentuan një sërë shkeljesh. Në veçanti në Shën Petersburg nënshkrimet u mblodhën nga anëtarët e komisionit të zonës, që drejtpërdrejt përbën shkelje të ligjit.

    Putini është bërë kandidati i katërt i regjistruar për zgjedhjet presidenciale ruse, pas Vladislav Davankovit nga partia Populli i Ri, Nikolai Kharitonovit nga Partia Komuniste dhe Leonid Slutskyit nga Partia Liberale Demokratike. Në përgjithësi, 11 kandidatë po synojnë të garojnë në zgjedhje dhe kandidatët kanë afat të mbledhin nënshkrimet e nevojshme deri më 31 janar.

  • Gjendja e 23-vjeçares që u lëndua nga rënia e kulmit në Prishtinë vazhdon të jetë e rëndë, ende po mbahet aparaturë të frymëmarrjes

    Gjendja e 23-vjeçares që u lëndua nga rënia e kulmit në Prishtinë vazhdon të jetë e rëndë, ende po mbahet aparaturë të frymëmarrjes

    Qytetarja 23-vjeçare, e cila u lëndua nga rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës, po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinik Universitare të Kosovës, në Mjekimin Intensiv.

    Shefi i Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka, ka thënë se pacientja po vazhdon të qëndrojë e fjetur me barna dhe po ashtu me aparaturë të frymëmarrjes.

    “Po vazhdon trajtimin në Mjekimin Intensiv. Gjendja është stabile, por vazhdon të qëndrojë me aparaturë të frymëmarrjes”, tha ai për Telegrafin.

    Uka bëri të ditur se pacientja ka pësuar lëndime të rënda në regjionin e kokës, ajo para disa ditësh i është nënshtruar edhe një ndërhyrjeje kirurgjike.

    Ndryshe, 23-vjeçarja raportohet se është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani.