ATV

Blog

  • Heqja e vizave nga Izraeli, Rezniqi: Njohja në vitin 2020 – ka hapur kapitull të ri të marrëdhënieve mes dy shteteve

    Heqja e vizave nga Izraeli, Rezniqi: Njohja në vitin 2020 – ka hapur kapitull të ri të marrëdhënieve mes dy shteteve

    Lekë Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, ka folur për marrëveshjen e Kosovës dhe Izraelit për heqjen e vizave.

    Ai ka theksuar se Kosova dhe Izraeli kanë pasur marrëdhënie të mira, sipas tij, ato janë forcuar më së shumti nga viti 2020 kur është bërë njohja e Izraelit nga Kosova.

    “Zyrtarizimi i marrëdhënieve në vitin 2020 me njohjen, dhe në vitin 2021 me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike natyrisht që hap kapitull të ri të marrëdhënieve tona, dhe forcim të marrëdhënieve tona”, ka pohuar Rezniqi.

    “Duhet të dimë që Kosova dhe Izraelit e kanë seriozisht në raportet e tyre, për atë e shohim një zhvillim kaq të hovshëm dhe të fuqishëm në raportet mes dy shteteve tona, për shkak se Kosova me seriozitetin më të madh e mori hapin dhe e vendosi ambasadën në Izrael, u bë vendi i parë evropian”.

    “Megjithatë ky është një vendim i palëkundur i Kosovës, për më tepër ambasadorja izraelite, Tamara Ziv, e di që ka punuar fuqishëm që kjo të arrihet sa më shpejtë, nuk duhet të çuditemi nga kjo. Pasi që nga njohja që nga viti 2020 shohim një kapitull të ri, dhe një energji të re në raportet mes dy shteteve”, ka thënë Rezniqi.

  • Kurti sot pret në takim Lajçakun

    Kurti sot pret në takim Lajçakun

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Ekonomia Online.

    Pas vizitës në Beograd, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak sot do të vijë edhe në Prishtinë.

    Takimi i Kurtit me Lajçakun do të nisë në orën 15:00, njoftoi Qeveria e Kosovës.

  • Sot mbahet mbledhja e parë qeveritare në Maqedoni të Veriut me kryeministër Talat Xhaferin

    Sot mbahet mbledhja e parë qeveritare në Maqedoni të Veriut me kryeministër Talat Xhaferin

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka caktuar seancën e parë të përbërjes qeveritare të sapo zgjedhur.

    Ajo është paraparë të mbahet sot me fillim në orën 12:00, sipas Klan Macedonia.

    Talat Xhaferi, i cili u bë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, dje tha se është dëshmuar që shqiptarët mund t’i menaxhojnë institucionet e shtetit.

    “Kemi verifikuar që mundemi dhe te shqiptarët ka kuadro të denjë, institucionalist që mbi parimet edhe të rregullave ndërkombëtare edhe të rregullave vendore mund të menaxhojnë institucionet”, deklaroi ai.

    “Jo vetëm shembulli i menaxhimit të parlamentit ose Ministrisë së Mbrojtjes, por të gjithë institucioneve, kemi ministrin e Punëve të Jashtme, kemi ministrin e Financave, kemi ministër të Arsimit, dhe fushave tjera, drejtori të veçantë, institucione tjera që kanë verifikuar se ka potencial, ka kapacitet, por në mënyrë të barabartë duhet dhënë mundësi që të verifikohet se po e bëjmë këtë”, tha ai.

    Ai pas pranimit të detyrës tha se kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilës ai do ta mbështes çdo veprim dhe vendim në qeveri, ndërsa pohoi se detyra primare e kësaj qeverie është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike.

    “Shpreh kënaqësinë dhe përgjegjësinë për detyrën që e mora përsipër duke e përsëritur atë që kushtetuta dhe ligji do të jenë baza mbi të cilën do e mbështes çdo vendim dhe veprim që e ndërmarrim si qeveri”.

    “Detyra primare e kësaj qeveria është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike të rregullta presidenciale me 24 prill dhe 8 maj dhe zgjedhjeve të rregullta parlamentare më 8 maj 2024 dhe për këtë qeveria në një procedurë të drejtpërdrejtë, transparente dhe ligjore”.

    “Në bashkëpunim me kuvendin, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, BE dhe ShBA, do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore, institucionale, organizative dhe operative për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve, duke synuar mundësimin e standardeve më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vet zgjedhjeve, që të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë”, ka deklaruar ai.

  • Policia jep detaje për aksidentin me fatalitet në Bresje

    Policia jep detaje për aksidentin me fatalitet në Bresje

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën Prishtinë-Pejë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Siç njoftoi Policia, një person është goditur për vdekje nga një automjet.

    “Me datën 30.01.2024 rreth orës 07:23 është raportuar për një aksident trafiku të ketë ndodhur në rrugën Prishtinë-Pejë (Bresje). Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë kompetente policore dhe ekipi mjekësor të cilët menjëherë kanë dalë në vendngjarje. Bazuar në informacionet e para, si pasojë e këtij aksidenti dyshohet se një person ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar stafi kompetent i QMF”, njoftoi mes tjerash Policia.

    Tutje, Policia njoftoi se lidhur me rastin dhe mjetet e përfshira në aksident, janë duke u kryer hetimet nga njësia e autostradës.

  • SHBA, shqiptari vret gruan dhe arratiset me vajzën e mitur

    SHBA, shqiptari vret gruan dhe arratiset me vajzën e mitur

    Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një 34-vjeçar shqiptar vrau gruan e tij Suela Saliaj.

    Ngjarja ndodhi gjatë ditës së hënës, kur policia u lajmërua për një sherr brenda familjes.

    Pasi autoritetet shkuan në vendngjarje, brenda shtëpisë gjetën të vrarë Suela Saliajn 32 vjeç.

    Por në apartament nuk ishte autori i dyshuar, bashkëshorti Renato Muhaj dhe as vajza e mitur e çiftit. Policia ngriti menjëherë alarmin për rrëmbimin e një fëmije.

    Në banesë ishin vetëm prindërit e autorit, të cilit ishin goditur nga djali i tyre dhe u ishin marrë telefonat që të mos lajmëronin policinë. Ata u treguan autoriteteve dinamikën e ngjarjes.

    Ndërkohë, një aksion për arrestimin e autorit dhe gjetjen e fëmijës nisi në shkallë të gjerë.

    Policia arriti që të lokalizonte makinën e Renato Muhaj. Aty brenda ishte vetë ai së bashku me vajzën e mitur. 34-vjeçari u arrestua, ndërsa vajza 8-vjeçare ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ai akuzohet për vrasje të shkallës së parë dhe rrëmbim të fëmijëve.

    Shkaqet e vrasjes nuk dihen ende, por dyshohet se çifti jetonte në vende të ndara nga njëri-tjetri./tvklan.al

  • Vetura godet një person në magjistralen Prishtinë-Pejë, dyshohet se ka vdekur

    Vetura godet një person në magjistralen Prishtinë-Pejë, dyshohet se ka vdekur

    Një këmbësor dyshohet se ka vdekur pasi është goditur nga vetura në magjistralen Prishtinë-Pejë.

    Njësitet relevante policore janë parë në vendin e ngjarjes, derisa ky aksident ka bërë që të krijohen kolona në të dy anët e magjistrales.

    Policia jep detaje për aksidentin me fatalitet në Bresje

  • Lajçak sot në Kosovë

    Lajçak sot në Kosovë

    I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot do të jetë në Kosovë, ku do të bisedojë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialogun e Brukselit.

    Lajçaku dje ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin përveç tjerash ka diskutuar edhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

    Ai ka shkruar në platformën X se në takimin me Vuçiqin, fokus i diskutimeve ka qenë perspektiva strategjike për vitin 2024, por gjithashtu kanë bërë një bilanc për të arriturat dhe ngecjet në dialog.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë. Ai shtoi se e ka pasur një “takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm” me Lajçakun.

    “E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Evropian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram, pas takimit me Lajçakun.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun po i kryen këto vizita në Beograd dhe Prishtinë në përpjekje për të çuar përpara dialogun.

    “Bisedimet me presidentin Vuçiq në Beograd dhe me homologët kosovarë në Prishtinë, janë pjesë e mandatit të tij, janë pjesë e punës dhe përpjekjeve të tij të vazhdueshme në drejtim të ndihmës së të dyja palëve për të çuar përpara dialogun”, theksoi Stano.

    Ndryshe, Brukseli kërkoi nga autoritetet në Kosovë të hënën që të shtyjnë zbatimin e vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

    Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

  • Kërkohet refuzimi i kërkesës “absurde” të KESCO-s për ngritje tarifash

    Kërkohet refuzimi i kërkesës “absurde” të KESCO-s për ngritje tarifash

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Një ngritje eventuale e tarifave të energjisë elektrike për të tretin vit me radhë, nga qytetarë dhe njohës të fushës, do të ishte e pakuptimtë dhe e dëmshme.

    Në aplikimin e saj në ZRRE, për t’i lejuar më shumë të hyra, KESCO-ja si shkaktare të rritjes eventuale të kostove përmend propozimin e KEK-ut për ngritje të çmimit të furnizimit me shumicë nga 29.5 në 31.5 Euro.

    “Është absurde kërkesa për rritje të tarifave të energjisë elektrike, sidomos tash kur i pamë faturat e dhjetorit dhe të janarit që i befasuan qytetarët… ZRRE-ja do të duhej me automatizëm ta refuzojë për shkak se është kërkesë absurde dhe e pabazuar. Nuk është bazë e mjaftueshme që KEK-u po e rritë koston e prodhimit të energjisë elektrike, sepse nuk reflekton shumë”, tha njohësi i ekonomisë, Zekirja Shabani.

    Po ashtu, krahas ndikimit të importit, duke iu referuar një hulumtimi të një instituti privat vendor, te rritja e kostos KESCO-ja futi edhe propozimin për rritjen e pagave të punëtorëve të saj për 15%, me arsyetimin se ata mund të ikin jashtë vendit.

    “Është absurde për shkak se qytetarët nuk duhet ta paguajnë pagën e një punëtori të KESCO-s, duke e pasur parasysh që KESCO dhe KEDS-i, bashkë, janë dy kompanitë me qarkullimin më të madh në Kosovë, në top 10 kompanitë, KESCO dhe KEDS bashkë qarkullojnë mbi 380 milionë euro në vit”, tha Shabani.

    Një ngritje e re do të ishte tronditëse për shumë qytetarë, të cilët ankohen për papërballueshmërinë e tarifave aktuale.

    “Janari, 476 Euro. Në Emshir jetoj, me rrymë ngrohna. Përpara deri në 200 kurrë s’u shku, 160, të njëjtat sene janë krejt. Çka pusi u bo nuk e di?! Veç për dy muaj po i jap në 900 Euro rrymë! Me i thanë atij dostit atje që do me na rjepë, merre një brisk e rjepna krejt”, thotë Avdi Pollomi, qytetar.

    “Një njeri jam. Në banesë të huaj jam. Unë e paguaj ujin, rrymën, bërllokun, qira nuk paguaj në atë banesë. A rryma shtrenjtë po vjen, 54 euro e gjysmë më ka ardhë dhjetori, a vitin e kaluar e kam pasë 7 euro dhjetorin. Tash janari ka ardhë 45 Euro. Me 100 euro jetoj”, tha Nazlije Shabani, qytetare.

    Pas ngritjes së tarifave të energjisë elektrike dy herë radhazi, në hapje të procesit të rregullt të shqyrtimit KESCO-ja i ka propozuar ZRRE-së një ngritje tjetër.

    Në këtë kompani nuk janë përgjigjur ende lidhur me këtë temë.

  • Lënda “Edukimi për Siguri”, sfidë për drejtoritë e arsimit

    Lënda “Edukimi për Siguri”, sfidë për drejtoritë e arsimit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Nxënësit e klasave të 11-ta e 12-ta do të mund të zgjedhin lëndën edukimi për siguri si lëndë zgjedhore, nëse duan. Por zgjedhja e mësimdhënësve do të jetë pak e vështirë.

    Angazhimi i mësimdhënësve që do ta ligjërojnë këtë lëndë, konsiderohet si sfida kryesore pasi lënda të hyjë në kurrikulën shkollore.

    Në Komunën e Fushë Kosovës ende nuk kanë nisur procedurat për angazhimin e mësimdhënësve, megjithëse e pranojnë se do ta kenë mjaft të vështirë.

    “Do të shohim në bashkëpunim me Ministrinë e financave dhe Ministrinë e arsimit nëse do të na lejohet që të rekrutojmë mësimdhënës adekuatë, por nëse nuk na lejohet, atëherë duhet ta gjejmë formën se si me ofru, ose përmes ekspertëve të jashtëm ose mësimdhënësit që i kemi me i dergu në trajnime sado pak me i aftësu”, tha drejtori i DKA-së në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha.

    Detaje rreth ligjërimit të kësaj lënde nuk dha as Ministria e Arsimit, por as ajo e Mbrojtjes si incizuese e kësaj çështjeje.

    Andaj edhe njohës të sigurisë, vlerësojnë se kujdes të shtuar duhet kushtuar mësimdhënësve që e ligjërojnë lëndën.

    Qëllimi i kësaj lënde, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është që nxënësit të marrin njohuri bazike ushtarake dhe të sigurisë.

  • Në shkurt fillon vendosja e kamerave të sigurisë në Prishtinë

    Në shkurt fillon vendosja e kamerave të sigurisë në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Pasi dëmtuan kamerat e parkingut, disa persona ende të paidentifikuar thyen edhe një veturë në parkun e Gërmisë në Prishtinë.

    Një ditë pas incidentit, vetura jo por pjesët e thyera të saj janë ende në vendin e ngjarjes.

    Me qëllim që të parandalohen raste të tilla, por edhe të identifikohen kryerësit, komuna e Prishtinës nga muaji shkurt do të fillojë vendosjen e kamerave më të sofistikuara.

    “Kamerat për të cilat jemi në pritje do të jenë me prodhim kanadez, nuk mund të thyhen apo të dëmtohen lehtë sikur kamerat e rëndomta, pikërisht ky rast është një shembull se sa të rëndësishme janë këto kamera, dhe besoj që muajin e ardhshëm do të fillojmë me vendosjen e tyre”, tha drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.

    Fushtica thotë se vendosja e kamerave të sigurisë në kryeqytet do të ndikojë pozitivisht edhe në kryerjen e detyrave policore.

    Natyrisht që ne jemi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pasi edhe aty do të përcillet rrjedha e kamerave…”, tha Fushtica.

    Ndërkaq, ekspertë të sigurisë konsiderojnë se komuna e Prishtinës është vonuar në këtë drejtim.

    “Edhe pse jo sipas afateve të parapara, por prapëseprapë i mirëpresim këto kamera, vetëm se vendosja e tyre nuk do të thotë që duhet të jetë e fokusuar vetëm në qytet, por edhe në rrugë nacionale, fshatrat përreth, sepse ne çdo ditë po dëgjojmë fenomene të ndryshme edhe nga atje”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Për projektin e vendosjes së kamerave në kryeqytet, janë ndarë rreth 1.3 milionë euro.