ATV

Blog

  • Lëndohet një punëtor në Mitrovicë, ra nga kati i dytë i një ndërtese

    Lëndohet një punëtor në Mitrovicë, ra nga kati i dytë i një ndërtese

    Një punëtor derisa ishte duke punuar ka rënë nga kati i dytë i një ndërtese, në Mitrovicë.

    Policia ka bërë të ditur se punëtori ka pësuar lëndime trupore, dhe se i njëjti është dërguar prej trajtim mjekësor në QKUK.

    “Viktima mashkull kosovar, përderisa ka qenë duke punuar, nga pakujdesia ka rënë nga kati i dytë i një ndërtese që është në ndërtim. Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftim të policisë.

  • Deklarohen të pafajshëm katër të dyshuarit për sulmin ndaj KKZ-së në veri

    Deklarohen të pafajshëm katër të dyshuarit për sulmin ndaj KKZ-së në veri

    Të dyshuarit për sulmin ndaj Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri të Mitrovicës, Milun Milenkoviq, Aleksandar Vlajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm.

    “Nuk ndihem fajtor”, është fjalia që e kanë përdorur të akuzuarit gjatë seancës.

    Në seancës e shqyrtimit fillestar lidhur me këtë rast, të mbajtur të martën, prokurori Afrim Shefkiu gjatë leximit të aktakuzës, ka thënë se të dyshuarit kanë hedhur granata dore dhe dy shok bomba.

    Sipas prokurorit, qëllim ka qenë frikësimi i popullatës dhe institucioneve me qëllim të tërheqjes së tyre prej organizimit të zgjedhjeve në veri.

    Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, ka thënë se të pandehurit i kanë 30 ditë kohë ankesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

    Pas njoftimit të Kurtajt, shqyrtimi fillestar është përmbyllur.

  • TI: Në Kosovë nuk hiqet dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor

    TI: Në Kosovë nuk hiqet dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor

    Në Kosovë nuk ka gatishmëri politike për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor, dhe ky vend duhet të punojë ende në luftim të korrupsionit.

    Kështu është thënë në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

    Sikurse vitin e kaluar, Kosova ka 41 pikë.

    Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

    Në pjesën për Kosovën, në raport është thënë se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit, sikurse krijimi i procesit të vettingut dhe miratimi i ligjit të ri, që do të mund të fuqizonte integritetin në Këshillin Prokurorial, janë duke lëvizur me ritëm shumë të ngadalshëm.

    “Edhe më keq, ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në çështjet e gjyqësorit, e ilustruar me shkarkim të shefit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, bashkë me ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit, sugjerojnë se nuk ka vullnet politik për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”, është thënë në raport.

    Procesi i vettingut

    Procesi i vettingut është premtuar prej Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, në programin katërvjeçar.

    Megjithatë, ai ende është në fazën fillestare.

    Ky proces nënkupton rivlerësim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, rritjen e tyre profesionale, luftim të korrupsionit dhe ndaljen e ndikimit të politikëve apo elementëve tjerë në drejtësi.

    Koncept-dokumentin për vettingun e ka vlerësuar edhe Komisioni i Venecias.

    Sipas komisionit, vettingu efektiv, në rastin e Kosovës, kërkon kombinimin e masave të ndryshme, që do të kishin efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

    Si pikë e parë është rekomanduar verifikimi i nivele të larta në gjyqësor dhe në prokurori.

    Amendamentet kushtetuese për vettingun në nivele të larta, janë hartuar prej një komisioni ad-hoc të Kuvendit të Kosovës, i mbështetur prej Ministrisë së Drejtësisë.

    Më vonë, në mars të vitit 2023, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i pati dërguar disa ndryshime të amendamenteve në Gjykatën Kushtetuese, për të kuptuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën.

    Gjykata Kushtetuese nuk e ka dhënë ende fjalën e saj në këtë çështje, ndonëse, sipas ligjit, ky grup duhet të japë vlerësim brenda gjashtë muajsh, pas pranimit të kërkesës.

    Sipas raportit të Programit për Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Pulsi Publik, i publikuar këtë vit, vetëm 29 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë./rel

  • Elon Musk thotë se Neuralink ka implantuar çipin e parë të trurit te një njeri

    Elon Musk thotë se Neuralink ka implantuar çipin e parë të trurit te një njeri

    Në një përpjekje për të lidhur trurin e njeriut me kompjuterët, miliarderi i teknologjisë, Elon Musk, ka njoftuar se kompania e tij Neuralink ka realizuar me sukses implantin e çipit me valë te një njeri.

    Sipas Musk, rezultatet fillestare zbuluan “sinjale premtuese” të neuroneve dhe impulseve nervore, pra pacienti po shërohet.Madje, bëhet e ditur se edhe një numër i kompanive rivale të Neuralink kanë realizuar implante të ngjashme.

    Ndryshe, Neuralink iu dha leja për testimin e çipit te njerëzit në maj, moment ky i cilësuar si historik.Ky vendim i dha dritën e gjelbër për një studim gjashtëvjeçar në një robot, në trurin e të cilit po vendosen 64 fije.Këto fije lejojnë implantin të regjistrojë dhe transmetojë sinjalet e trurit me valë në një aplikacion.

    Me anë të një postimi në X, Musk tha se produkti i parë i Neuralink do të quhet Telepathy, dhe do të mundësojë “kontrollin e telefonit dhe kompjuterit përmes pothuajse çdo pajisjeje, vetëm duke menduar”.“Përdoruesit fillestar do të jenë ata që kanë humbur funksionimin e gjymtyrëve”, shtoi Musk.Pajisjet ekzistuese nga kompanitë rivale të Neuralink kanë gjeneruar gjithashtu rezultate.Blackrock Neurotech në vitin 2004 ka realizuar implantin e parë tru-kompjuter, ndërsa Precision Neuroscience synon të ndihmojë njerëzit me paralizë.

  • Disa arsye pse nuk duhet të konsumojmë pije të gazuara

    Disa arsye pse nuk duhet të konsumojmë pije të gazuara

    Konsumimi i pijeve të gazuara është i dëmshëm për shëndetin. Megjithëse përbërësit e pijeve të gazuara vlerësohen të sigurta nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, këto pije mund të shkaktojnë efekte anësore, veçanërisht nëse i konsumoni ato rregullisht.

    Më poshtë gjeni disa arsye pse pijet e gazuara janë të dëmshme:

    Sheqeri – Vetëm një kënaçe me pije të gazuar përmban 10 lugë çaji sheqer. Kjo sasi sheqeri, për më tepër në formë të lëngët, rrit jashtë mase nivelin e sheqerit dhe shkakton reaksion të insulinës në trup. Me kalimin e kohës kjo mund të çojë në shfaqjen e diabetit ose në shfaqjen e rezistencës ndaj insulinës.

    Acidi fosforik – Pijet me gaz përmbajnë acid fosforik, i cili e pengon trupin të marrë kalcium, dhe kjo mund të shkaktojë osteoporozë, kavitete dhe dobësim të kockave. Acidi fosforik gjithashtu prek edhe acidin e stomakut, duke ngadalësuar procesin e tretjes dhe duke bllokuar thithjen e lëndëve ushqyese.

    Ëmbëltuesit artificialë – Në pijet dietike, në vend të sheqerit natyral përdoret një lëndë tjetër, aspartama, e cila është shumë më e dëmshme. Kjo lëndë shkakton shumë sëmundje si, atak kardiak, sklerozë të shumëfishtë, tumore të trurit, diabet dhe çrregullime emocionale.

    Kafeina – Pjesa më e madhe e pijeve të gazuara përmbajnë kafeinë, e cila shkakton disa kancere, deformime të gjoksit, rrahje të çrregullta të zemrës, tension të lartë dhe shumë probleme të tjera.

    Uji – Uji që përdoret për prodhimin e këtyre pijeve është ujë rubineti dhe përmban kimikate si klori, flori dhe grimca metalesh.

    Obeziteti – Studimet e kryera nga universiteti i Harvardit kanë nxjerrë se pijet e gazuara shkaktojnë obezitet. Studimi i bërë mbi persona 12 vjeç, tregoi se personat që pinin pije të tilla kishin më shumë shanse të bëheshin obezë në krahasim me ata që nuk pinin, për çdo pije që konsumonin rreziku për t’u bërë obezë rritej me 1.6 herë.

    Fruktozë e tepruar – Pijet me gaz përmbajnë shurup drithi me nivel të lartë fruktoze, i cili normalisht vjen nga drithërat. Problemi qëndron në faktin se këto drithëra janë të modifikuara gjenetikisht, dhe fatkeqësisht nuk ka studime të kryera për një kohë relativisht të gjatë mbi sigurinë e produkteve të modifikuara gjenetikisht. Për më tepër, procesi i prodhimit të këtij shurupi përfshin edhe përdorimin e merkurit, i cili shkakton shumë sëmundje të rrezikshme.

    Mungesa e lëndëve ushqyese – Pijet me gaz janë substanca jo natyrale qe trupit i shkaktojnë veç dëm.

    Dehidratim – Për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit, natriumit dhe kafeinës, këto pije dehidratojnë trupin dhe pas një kohe të gjatë mund të shkaktojnë dehidratim kronik.

    Të dëmshme për dhëmbët – Pirja e vazhdueshme e këtyre pijeve shkakton formimin e pllakëzave bakteriale tek dhëmbët dhe mund të shkaktojë kavitete dhe probleme me mishrat e dhëmbëve.

  • Arrestohen dy persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Arrestohen dy persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy meshkuj kosovarë nën dyshimin e veprës penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Të njëjtit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë / 29.01.2024 Njësia policore për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit dyshohet se kanë kryer vepren e lartcekur. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin 24 orësh.

  • ​Mbappe merr në dorë situatën për të ardhmen e tij

    ​Mbappe merr në dorë situatën për të ardhmen e tij

    Tashmë është aktivizuar numërimi mbrapsht dhe shumë shpejt do të ketë lajme për të ardhmen e Mbappes. Siç ka mësuar “AS” nga burime të sigurta pranë PSG-së, ylli është angazhuar që klubi parizian të komunikojë vendimin e tij përfundimtar në ditët në vijim, pra do ta thotë brenda jo më shumë se një ose dy javësh.

    Klubi kryeqytetas e konsideron gjithashtu një shenjë të mirë që Mbappé po merr kohë për të shqyrtuar dy opsionet që ka në tavolinë: të vazhdojë te PSG ose të vesh fanellën e Real Madridit. Ata e kuptojnë se ai ka ende shumë dyshime nëse gjëja më e mirë për karrierën e tij është largimi nga PSG, përcjellë KosovaPress.

    Ndryshe nga sa është publikuar, PSG nuk i ka bërë asnjë ofertë rinovimi lojtarit. Ai thjesht ju ka kërkuar që fillimisht të tregojnë nëse dëshirojnë që Mbappe të vazhdojë të jetë pjesë e projektit apo jo.

    Jo më kot ai ka edhe një vit kontratë të nënshkruar, të cilën Mbappé mund ta aktivizojë në mënyrë të njëanshme dhe për të cilën do të fitonte 70 milionë euro bruto.

    Nga ana e tij, Real Madridi i ka përcjellë tashmë lojtarit ofertën e tij. Siç shkruan kjo gazetë, francezi nuk mund të fitonte më shumë se 30 milionë euro bruto për sezon.

  • KDI: Përtej përparimeve në demokraci, Kosova duhet t’i qaset seriozisht luftës kundër korrupsionit

    KDI: Përtej përparimeve në demokraci, Kosova duhet t’i qaset seriozisht luftës kundër korrupsionit

    Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme që ka pasur Kosova në luftën kundër korrupsionit, mbetet në vendin e 41-të sa ka qenë vitin e kaluar, ndërsa në listën botërorë në vendin e 83. Kështu u tha të martën në një konferencë për media, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), raporton Ekonomia Online.

    Teksa është komentuar Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, “Transparency International”, Eugen Cakolli nga KDI, tha se Kosova është poentuar në vendin e 41-të, sa ka qenë vitin e kaluar, ndërsa në listën botërore në vendin e 83-ta.

    Ai tha se Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

    “Për vitin 2023, Kosova është vlerësuar me 41 pikë, po aq sa ishte vlerësuar në vitin e kaluar, ndërsa zë vendin e 83-të në ranglistën botërore. Pozitën e 83-të, Kosova e ndan me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami. Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova sivjet renditet e treta, pas Malit të Zi (në vendin e 63),  dhe Maqedonisë së Veriut (në vendin 76). Pas Kosovës rezultate më të dobëta kanë Shqipëria (në pozitën 98), Serbia (në pozitën 104) dhe Bosnjë e Hercegovina (në pozitën 108). Është për t’u theksuar fakti se përgjatë 12 viteve prej kur Kosova është bërë pjesë e vlerësimit të CPI, është shënuar progres inkremental prej 7 pikësh, nga 34 pikë në vitin 2012 në 41 pikë në vitin 2023”, tha Cakolli.

    “Sidoqoftë, progresi i ngadaltë por i qëndrueshëm i Kosovës në dekadën e fundit është kryesisht rezultat i  progresit demokratik, që i atribuohet mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe transferimit paqësor të pushteteve përgjatë viteve. CPI megjithatë thekson, se ky progres nuk është reflektuar edhe në performancën kundër korrupsionit. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë – përfshirë procesin e vettingut dhe ligjin e mbi Këshillin Prokurorial, po ecin me ritme shumë të ngadalta. Për më keq, ndërhyrjet e vazhdueshme të qeverisë në çështjet gjyqësore, shkarkimi i udhëheqësit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, pasuar nga pengimi i hetimit parlamentar për rastin e dyshuar të korrupsionit për  rezervat shtetërore nga deputetët e shumicës parlamentare, tregojnë që mungon vullneti politik për të hequr dorë nga kontrollimi i gjyqësorit dhe për të forcuar mbikëqyrjen e pavarur”, tha tutje ai.

  • Gastronomët ankohen për gjobat dhe ndalimin e cigares nëpër kafeteri – Puna ka rënë për 50%

    Gastronomët ankohen për gjobat dhe ndalimin e cigares nëpër kafeteri – Puna ka rënë për 50%

    Rreth 50 për qind e punës ka rënë nëpër lokalet e gastronomisë shkak i intensifikimit të aksioneve të inspeksionit dhe gjobave për konsumimin e duhanit në ambiente të mbyllura, janë ankuar ponarë e menaxherë të lokaleve në kryeqytet, me të cilët bisedoi EO.

    Ata kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që të ndryshojë ky vendim.

    Ata kanë arsyetuar se klientët që frekuentojnë këto vende janë kryesisht duhanpirës dhe se institucionet duhet ta lejojnë një pjesë për klientët që pinë cigare.

    Muhamet Brajshori, menaxher në “CheBar” ka thënë për Ekonomia Online se Shoqata e Gastronomëve ka bërë ankesë dhe pret që Ministria të marrë ndonjë vendim të ri.

    “Po na dëmton shumë se ndikon direkt në produktet që i kemi. Na ndikon shumë. Presim ndonjë vendim të ri nga Ministria dhe shpresojmë ta ndryshojë. Shoqata e Gastronomëve ka bërë ankesë, të shohim sa mund të ndikojë. Janë pakësu shumë klientët. Ka ndikim shumë të madh, 50 për qind mundet të ketë më pak klientë”, ka thënë ai.

    Ndërsa Egzon Kaçiu, menaxher në “Derada” ka thënë se vendimi për ndalim të duhanit në ambiente të mbyllura është i arsyeshëm por që pret ndryshim nga Ministria. Ai pret që një pjesë e lokaleve të lejohet për klientët që pinë cigare.

    “Sa i përket klientëve po vërehet shumë që u ndalu cigarja nuk po pihet, çdo restorant ka mungesë të klientëve dhe kështu që Ministria duhet me shqyrtua (këtë vendim), sidomos gastronomet e kanë më problem. Si çdo restorant tjetër edhe tek ne ka ndikuar mospirja e cigares, nëpër lokale është pak ma problem puna ka rënë pak më shumë klientët zakonisht shumica e janë duhanpirës”, ka thënë Kaçiu për EO.

    “Ministria nuk e kanë edhe të lehtë se edhe ata duhet me ditë se çdo qytetarë duhet me ditë që cigarja nuk pihet në çdo vend duhet mu pi në vende të caktuar sikur në Evropë. Është vendim i arsyeshëm edhe mos mu pi pak për neve është problem. Ministria duhet ta tolerojë një pjesë, njërën pjesë të lokalit të pihet dhe njërën pjesë të mos pihet cigarja”, u shpreh ai.

  • Fushë Kosovë, një person futet me forcë në veturë, ia marrin paratë

    Fushë Kosovë, një person futet me forcë në veturë, ia marrin paratë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është futur me forcë në një veturë nga disa persona, ku edhe i kanë marrë para edhe gjësende personale.

    “Fushë Kosovë 29.01.2024 – 22:00. Është pranuar informata se viktima mashkull kosovar është futur me forcë në një veturë nga disa persona të dyshuar dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjate patrollimit nga njësitet policore është hasur në rrugë viktima mashkull kosovar. Dyshohet se të përfshirë kane qenë disa të dyshuar kosovarë, te cilët viktimës i kanë marrë edhe disa gjësende personale dhe disa para”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i policisë:

    GRABITJE

    Fushë Kosovë / 29.01.2024 – 22:00. Është pranuar informata se viktima mashkull kosovar është futur me forcë në një veturë nga disa persona të dyshuar dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjate patrollimit nga njesitet policore është hasur në rrugë viktima mashkull kosovar. Dyshohet se të perfshire kane qenë disa të dyshuar kosovarë, te cilet viktimës i kane marrur edhe disa gjesende personale dhe disa para. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK,kurse lidhur me rastin është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një i dyshuar mashkull kosovar.