ATV

Blog

  • Ferizaj: Njëri tejkaloi shpejtësinë, tjetri përdori telefonin – shoferët gjobiten me nga 500 euro

    Ferizaj: Njëri tejkaloi shpejtësinë, tjetri përdori telefonin – shoferët gjobiten me nga 500 euro

    Dy shoferë janë gjobitur për kundërvajtje të rënda në trafik në rajonin e Ferizajt.

    Në komunikatën e policisë thuhet se në rastin e parë, policia ka ndaluar një 26-vjeçar në fshatin Babush, ku në zonën 50 km/h ai po voziste me shpejtësi 85 km/h. Gjatë verifikimit ai kishte pasur masë mbrojtëse në fuqi deri në gusht të këtij viti. Të njëjtit i është shqiptuar gjobë 500 euro dhe pesë pike negative, si dhe i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për gjashtë muaj tjerë.

    Në rastin e dytë, policia ka ndaluar një 21 vjeçar i cili gjatë vozitjes ka përdorur telefonin. Edhe ndaj tij gjithashtu ishte në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit deri në korrik të këtij viti. Ndaj tij është shqiptuar gjobë 500 euro, pesë pikë negative si dhe i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për gjashtë muaj.

    Në të dyja rastet janë konfiskuar veturat e të shoferëve.

    KOMUNIKATË PËR MEDIA:

    Ndëshkohen dy shoferë për kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor në rajonin e Ferizajt

    Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka vazhduar zbatimin e masave për rritjen e sigurisë në trafik, duke ndërmarrë veprime ndaj dy shoferëve që kanë kryer kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor.

    Rasti i parë:

    Me datën 01.06 2026, në rrugën magjistrale në fshatin Babush, policët e komunikacionit kanë ndaluar shoferin me inicialet A.F. (26 vjeç), i cili drejtonte një automjet të tipit BMW 320 me targa vendore. Gjatë kontrollit është konstatuar se ai po lëvizte me shpejtësi 85 km/h në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h.

    Pas verifikimit të dokumentacionit, është konstatuar se ndaj tij ishte në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për periudhën 08.05.2026 – 05.08.2026. Për këtë arsye, ndaj tij është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 euro, 5 pikë negative, është vazhduar masa mbrojtëse edhe për gjashtë muaj, si dhe i është konfiskuar automjeti.

    Rasti i dytë:

    Po ashtu, më 01.06 2026, rreth orës 18:10, në rrugën magjistrale në Ferizaj, policët kanë ndaluar shoferin E.M. (21 vjeç), i cili drejtonte një automjet të tipit VW Golf me targa vendore, duke përdorur telefonin mobil gjatë ngasjes.

    Gjatë verifikimit të dokumentacionit është konstatuar se edhe ndaj tij ishte në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për periudhën 28.04.2026 – 27.07.2026. Si rezultat, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative, është vazhduar masa mbrojtëse edhe për gjashtë muaj, si dhe i është konfiskuar automjeti.

  • Topat e Kupës së Botës 2026 do të pajisen me sensorë të avancuar për VAR-in

    Topat e Kupës së Botës 2026 do të pajisen me sensorë të avancuar për VAR-in

    Topat zyrtarë që do të përdoren në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, do të jenë të pajisur me një sensor modern të lëvizjes.

    Ky sensor do të mbledhë të dhëna dhe do t’i transmetojë ato drejtpërdrejt në dhomën e VAR-it. Një detaj interesant është se topat do të duhet të karikohen para çdo ndeshjeje. Sipas revistës Newsweek, duke iu referuar informacionit të publikuar nga Adidas, prodhuesi zyrtar i topave për këtë turne, teknologjia e re synon të ndihmojë gjyqtarët në marrjen e vendimeve më të sakta.

    “Topi i ri përmban një çip me sensor të lëvizjes inerciale prej 500 hercësh (Hz), i cili mbledh dhe dërgon të dhëna në sistemin VAR në kohë reale”, njoftoi kompania.

    Sipas raportit, sensorët e integruar do të monitorojnë çdo kontakt me topin. Kjo teknologji do t’i ndihmojë ndjeshëm gjyqtarët në vlerësimin e situatave të diskutueshme, si pozicionet jashtë loje, prekjet me dorë dhe rastet e tjera të dyshimta gjatë ndeshjeve.

    Përfaqësuesit e Adidas-it kanë bërë të ditur se topat do të karikohen në stacione të posaçme. Bateria kërkon rreth 90 minuta për t’u mbushur plotësisht, ndërsa më pas mund të funksionojë për afërsisht gjashtë orë përdorimi aktiv, raportoi agjencia ruse e lajmeve TASS.

    Një zëdhënës i Adidas-it siguroi tifozët se autonomia e baterisë është plotësisht e mjaftueshme dhe se nuk ekziston rreziku që një top të duhet të zëvendësohet gjatë ndeshjes për shkak të shkarkimit të baterisë.

    Kujtojmë se Kupa e Botës 2026 do të nisë më 11 qershor dhe do të përfundojë më 19 korrik. Për herë të parë në histori, në turne do të marrin pjesë 48 kombëtare.

  • Vincenzo Montella publikon listën përfundimtare të Turqisë për Kupën e Botës 2026

    Vincenzo Montella publikon listën përfundimtare të Turqisë për Kupën e Botës 2026

    Trajneri i Kombëtares së Turqisë, Vincenzo Montella, ka shpallur listën përfundimtare prej 26 futbollistësh që do ta përfaqësojnë vendin në Kupën e Botës 2026.

    Për Turqinë, ky është një moment historik, pasi rikthehet në Kampionatin Botëror për herë të parë që nga viti 2002, kur arriti suksesin më të madh në histori duke fituar medaljen e bronztë. Skuadra e Montellës konsiderohet nga shumë analistë si një nga përfaqësueset që mund të befasojë në turne.

    Trajneri italian ka përzgjedhur një ekip ku rolin kryesor e kanë yjet e brezit të ri, 21-vjeçarët Arda Güler dhe Kenan Yıldız. Ndërkohë, lideri dhe figura më me përvojë e skuadrës mbetet Hakan Çalhanoğlu.

    Turqia siguroi kualifikimin për në Kupën e Botës pas një fushate dramatike. Pasi përfundoi e dyta në grupin e saj pas Spanjës, skuadra e Montellës triumfoi në ndeshjet e play-off-it ndaj Rumanisë dhe Kosovës, duke siguruar biletën për në Botëror.

    Një përforcim i rëndësishëm për mesfushën turke është Can Uzun, i cili vjen pas një sezoni të shkëlqyer me 10 gola dhe pesë asistime.

    Nga lista e zgjeruar mbetën jashtë disa emra të njohur, përfshirë Yusuf Akçiçek, Aral Şimşir, i cili shënoi 23 gola sezonin e kaluar, si dhe Atakan Karazor dhe Ahmetcan Kaplan.

    Katër lojtarët e fundit që u eliminuan para finalizimit të listës ishin Şengezer, Eskihellaç, Tinaz dhe Sari.

    Megjithatë, vëmendjen më të madhe të mediave e tërhoqi mungesa e portierit Berke Özer. Në nëntor të vitit të kaluar, ai u largua vullnetarisht nga kombëtarja pasi mësoi se nuk do të ishte në protokoll për ndeshjen ndaj Bullgarisë. Ky veprim nuk u prit mirë nga Montella dhe drejtuesit e Federatës Turke të Futbollit, gjë që duket se ndikoi në vendimin për të mos e përfshirë në listën përfundimtare për Kupën e Botës 2026.

    Image
  • Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” njihet ndërkombëtarisht

    Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” njihet ndërkombëtarisht

    Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” tashmë do të njihet ndërkombëtarisht ka njoftuar Oda Ekonomike e Kosovës duke theksuar se kjo shënon një arritje të rëndësishme për bizneset dhe prodhuesit vendorë.

    Në Paris, Oda Ekonomike e Kosovës është akredituar zyrtarisht nga Oda Ekonomike Ndërkombëtare dhe Federata Botërore e Odave Ekonomike, për lëshimin e Certifikatave të Origjinës me validitet global.

    Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt: fuqizimit të eksportit kosovar, rritjes së besueshmërisë së produkteve vendore në tregjet ndërkombëtare, digjitalizimit të shërbimeve tregtare, mbështetjes më të madhe për eksportuesit dhe prodhuesit e Kosovës

    “Sot, produktet kosovare marrin një dimension të ri në tregjet globale, duke e prezantuar vendin me më shumë besueshmëri dhe dinjitet ekonomik. Një moment krenarie për Kosovën, bizneset tona dhe çdo produkt që mban emrin “Made in Kosova’”, thuhet nga OEK.

  • Gjini takohet me Prattipatin, diskutohet e ardhmja politike e vendit

    Gjini takohet me Prattipatin, diskutohet e ardhmja politike e vendit

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

    Gjini ka njoftuar se gjatë takimit e ka falënderuar Prattipatin për vizitën, si dhe për urimet me rastin e marrjes së detyrës në krye të Aleancës.

    Sipas tij, gjatë bashkëbisedimit janë ndarë pikëpamje për proceset aktuale politike në vend, me theks të veçantë te procesi zgjedhor në Kosovë. Po ashtu, Gjini ka theksuar se e ka siguruar Prattipatin se ndryshimi i fundit në lidershipin e Aleancës nuk nënkupton ndryshim të orientimit strategjik të subjektit apo të bindjeve të tij për rrugën që duhet të ndjekë Kosova.

    “Në takim shpreha mirënjohjen time të thellë për rolin jashtëzakonshëm që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në të gjitha fazat historike dhe shtetndërtuese të Kosovës”, ka deklaruar Gjini.

  • Identifikohen disa persona nga diaspora që kanë incizuar apo fotografuar votën, Prokuroria: Do të mbahen përgjegjës

    Identifikohen disa persona nga diaspora që kanë incizuar apo fotografuar votën, Prokuroria: Do të mbahen përgjegjës

    Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, e shoqëruar nga menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari kanë takuar zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, i shoqëruar nga kolonelë Florie Hajra nga Departamenti i hetimeve nga Policia e Kosovës dhe nga drejtori i departamentit të rendit Publik në Policinë e Kosovës nënkolonel Arbnesh Ajvazi.

    Në këtë takim u diskutua lidhur me planifikimin, vlerësimin dhe angazhimin e Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta.

    Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi se tashmë janë të caktuar ekipet kujdestare nga prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.

    Nga ana tjetër edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti theksoi se edhe Policia e Kosovës ka caktuar ekipet kujdestare policore, të cilët do të kujdesen të ofrojnë siguri dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor.

    Gjatë këtij takimi u potencua se Prokuroi i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë pranuar informacione se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, gjatë procesit të votimit me postë kanë fotografuar dhe incizuar votën e tyre dhe të njëjtën e kanë postuar nëpër rrjete sociale.

    Pas pranimit të këtyre informatave Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës kanë identifikuar disa persona, të cilët kanë kryer veprime të tilla dhe janë në proces të verifikimit dhe trajtimit të të gjitha postimeve eventuale.

    Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët se këto veprime do të trajtohen dhe secili prej tyre do të mbahet përgjegjës për veprimet e tyre.

    Poashtu, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës fton qytetarët, të cilët e shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit, të jenë të kujdesshëm që vota e tyre në asnjë formë të mos bëhet publike.

    Në fund të takimit të dyja palët shprehën përkushtimin e tyre që edhe Prokurori i Shtetit edhe Policia e Kosovës në të gjitha fazat e procesit zgjedhor do të veprojnë në kohë, në parandalimin dhe trajtimin e secilit keqpërdorim të mundshëm.

  • Grabitje brenda bankës në Tiranë, policia në kërkim të autorit

    Grabitje brenda bankës në Tiranë, policia në kërkim të autorit

    Një grabitje ka ndodhur brenda një banke të nivelit të dytë në Tiranë, ku një person që dyshohet se ka qenë i armatosur i ka marrë një klienti të bankës një shumë parash që ai po depozitonte.

    Sipas informacioneve paraprake, autori i maskuar ka hyrë në ambientet e bankës dhe, dyshohet se në kërcënimin e një sendi në dukje armë, i ka marrë paratë qytetarit, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.

    Forca të shumta policore kanë mbërritur në zonë dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

    Njoftimi i policisë

    “Rreth orës 12:26, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, një shtetas i maskuar ka hyrë në ambientet e një banke dhe, dyshohet se në kërcënimin e një sendi në dukje armë, ka marrë një shumë parash.

    Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, për identifikimin dhe kapjen e autorit, shkruan Euronews.al.

    Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e rastit”, njofton policia.

  • Haxhiu pret në takim ambasadorin e Gjermanisë, diskutojnë për partneritetin strategjik mes të dyja vendeve

    Haxhiu pret në takim ambasadorin e Gjermanisë, diskutojnë për partneritetin strategjik mes të dyja vendeve

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

    Haxhiu e falënderoi Ambasadorin Rudolph për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës, në shtetndërtim, zhvillim demokratik dhe integrim evropian.

    Në takim u theksua rëndësia e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe roli i veçantë që Gjermania ka pasur në momente kyçe për vendin.

    Haxhiu vlerësoi se Gjermania mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës dhe theksoi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë integrimin evropian, ekonominë, sigurinë, sundimin e ligjit, arsimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

    Ajo ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, demokracisë dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë si të rëndësishme për avancimin e mëtejshëm të Republikës së Kosovës në proceset evropiane dhe ndërkombëtare.

  • Andoni Iraola pritet të bëhet trajneri i ri i Liverpoolit

    Andoni Iraola pritet të bëhet trajneri i ri i Liverpoolit

    Trajneri spanjoll, Andoni Iraola, pritet të marrë stolin e Liverpoolit, duke pasuar Arne Slot në krye të ekipit të Reds.

    Sipas ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano, klubi ka arritur një marrëveshje në parim me Iraolën, pas përparimeve të mëdha gjatë 48 orëve të fundit. Trajneri 43-vjeçar thuhet se do të marrë përgjegjësitë e projektit të Liverpoolit pas largimit të Slot.

    Iraola fitoi vëmendjen me punën e tij te Bournemouth, ku arriti të siguronte një vend në Ligën Evropiane përmes vendit të gjashtë në Ligën Premier. Ai pritet të sjellë në Anfield stilin e tij karakteristik të lojës me intensitet të lartë dhe futboll sulmues, duke kërkuar të përforcojë performancën e Reds në kampionat dhe në Europë.

  • Kombëtarja e Holandës para Kupës së Botës 2026: Ambicie e madhe, sfida të dukshme

    Kombëtarja e Holandës para Kupës së Botës 2026: Ambicie e madhe, sfida të dukshme

    Kombëtarja e Holandës konsiderohet një nga favoritët për Kupën e Botës 2026, por hyn në turne me një skuadër që përmban pak yje të spikatur dhe pak nga cilësia e përgjithshme që ka karakterizuar paraqitjet e tyre të mëparshme në turnetë e mëdha.

    Holandezët janë nënkampionë tre herë, herën e fundit në vitin 2010, ndërsa në kampionatin e fundit në Katar 2022 u eliminuan në çerekfinale me penallti nga fituesit e atij edicioni, Argjentina. Për edicionin e ardhshëm, objektivi minimal i skuadrës është arritja e gjysmëfinales.

    “Nëse do të mund të ndodhte, të gjithë do të ishin të lumtur të kontribuonin”, tha ish-lojtari Nigel de Jong, tani drejtor teknik i Federatës Holandeze të Futbollit, në një intervistë me gazetën Algemeen Dagblad.

    Megjithatë, trajneri Ronald Koeman ka bërë të qartë ambicien e tij: “Qëllimi ynë është të fitojmë Kupën e Botës”.

    Holandezët do të mbështeten shumë te mesfushori Frenkie de Jong, i cili ka pasur probleme me lëndime te Barcelona gjatë këtij sezoni, dhe Memphis Depay pritet të mbetet sulmuesi kryesor, pavarësisht se karriera e tij te Corinthians në Brazil ka ngecur. Ekzistojnë gjithashtu dyshime rreth lojtarëve të tjerë kyç si Tijjani Reijnders, i cili nuk është më titullar te Manchester City, dhe kapiteni Virgil van Dijk, i cili ka pasur një sezon zhgënjyes me Liverpoolin.

    Lëndimet e kanë përjashtuar nga përzgjedhja yllin e Tottenham Hotspur, Xavi Simons, ndërsa mbrojtësi Jurrien Timber ka pasur probleme me ijët, duke ndikuar edhe te forma e Arsenalit.

    Megjithatë, Koeman beson se skuadra ka një bazë lojtarësh që kanë qenë së bashku për disa vite, dhe kjo përvojë mund të jetë një faktor kyç në favorin e tyre. Kritikat për parashikueshmërinë e tij taktike janë të pranishme, por trajneri ka treguar fleksibilitet në përzgjedhjet dhe formacionet e tij vitet e fundit, duke u larguar nga tradita rigide e futbollit holandez 4-3-3, të cilën e përsosi legjenda Johan Cruyff.

    “Gjithmonë e kam admiruar Cruyffin për vizionin e tij të lojës dhe për futbollin sulmues, por unë isha mbrojtës; më duhej të zgjidhja probleme dhe kjo ndikoi në idetë e mia”, tha Koeman, duke theksuar se fleksibiliteti do të jetë kyç për të arritur objektivat e skuadrës në Kupën e Botës 2026.