ATV

Blog

  • Sulmet iraniane në Kuvajt lënë mbi 60 persona të lënduar

    Sulmet iraniane në Kuvajt lënë mbi 60 persona të lënduar

    Ministria e Shëndetësisë e Kuvajtit ka njoftuar se 63 persona janë plagosur si pasojë e sulmeve që goditën vendin të mërkurën, duke shkaktuar dëme edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit.

    Sipas autoriteteve, ky është një nga bilancet më të larta të të lënduarve në mesin e shteteve të Gjirit të goditura nga Irani që nga fillimi i luftimeve.

    Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë të ditur se shtatë prej të plagosurve kanë pasur nevojë për ndërhyrje të rëndë kirurgjikale urgjente.

    Ndërkohë, Ambasada e Indisë në Kuvajt ka konfirmuar se një shtetas indian ka humbur jetën gjatë sulmeve.

    Në një deklaratë, ambasada ka bërë të ditur se është “në kontakt me familjen e të ndjerit” dhe se po bashkëpunon me autoritetet kuvajtiane për të “ofruar të gjithë mbështetjen dhe ndihmën e mundshme”.

    Sulmet kanë shkaktuar dëme në Terminalin 1 të aeroportit, ka raportuar Agjencia Shtetërore e Lajmeve të Kuvajtit (KUNA), duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.

    Zhvillimet vijnë në një kohë kur SHBA-ja dhe Irani po kryejnë sulme të herëpashershme ndaj njëra-tjetrës, pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësve për t’i afruar palët drejt përfundimit të konfliktit.

    Intensifikimi i sulmeve izraelite në Liban dhe urdhri i fundit i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të kryer sulme pranë kryeqytetit libanez, Bejrut, kanë nxitur Iranin të shpallë pezullimin e bisedimeve të hënën.

    Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar po atë ditë se kishte biseduar me Netanyahun dhe se nuk do të kishte trupa izraelite në Bejrut.

  • Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

    Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

    Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror.

    Këto deklarata ajo i bëri gjatë takimit në Prishtinë me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, me të cilin tha se bisedoi për një sërë çështjesh, përfshirë për Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor si dhe stabilitetin rajonal.

    “Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror dhe zgjedhje demokratike e qytetarëve tanë”, tha Haxhiu përmes një postimi në Facebook, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Para nisjes së takimeve, Costa shkroi në X se inkurajon udhëheqësit politikë në Kosovë që ta bëjnë prioritet integrimin në BE, “dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët”.

    “Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabile dhe të afta që të zbatojnë reforma, që përfitojnë nga ajo që ofron BE-ja dhe të zbatojnë zotimet që dalin nga dialogu Kosovë-Serbi”, shkroi Costa.

    Ndërkaq, sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, Haxhiu ka kërkuar që të avancohet procesi i integrimit, teksa Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka as statusin e vendit kandidat.

    Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.

    Haxhiu vlerësoi se Kosova ka shoqërinë më “proevropiane në rajon”, duke argumentuar se ky orientim është bazë për rrugën e shtetit drejt BE-së.

    Ndërkaq, sa i përket Planit të Rritjes, Haxhiu tha se Kosova atë e sheh si mundësi konkrete për zhvillim, “për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët”.

    Paketa financiare e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Fondet u ndahen vendeve të rajonit pjesërisht në formë grantesh dhe pjesërisht përmes kredive të favorshme.

    Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Costa takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me udhëheqësit e partive opozitare në Kosovë.

    Vizita e zyrtarit evropian në Kosovë është në kuadër të një turneu në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    “Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: zotimi i Bashkimit Evropian për rajonin është i vërtetë, sikurse është e vërtetë edhe mundësia për zgjerim. Momentumi ekziston. Tani është koha që të japim rezultate”, tha ai përmes një njoftimi para nisjes së vizitave në rajon.

    Costa nisi turneun ballkanik në Sarajevë, ku u takua me anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës dhe udhëheqësen e Këshillit të Ministrave.

    Një ditë më vonë, ai qëndroi në Tiranë ku u takua me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe presdientin, Bajram Begaj. Më pas, në Shkup zhvilloi takim me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski.

    Pas qëndrimit në Prishtinë, Costa do të udhëtojë drejt Serbisë, për takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryetaren e Parlamentit, Ana Bërnabiq, dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.

    Vizitat në rajon, Costa do t’i përmbyllë në Mal të Zi, ku përveç takimeve me zyrtarët malazezë, ai do të jetë bashkëudhëheqës i samitit BE-Ballkani Perëndimro në Tivat.

    Tema e samitit të sivjetshëm, sipas BE-së, është “Prosperiteti i përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

    Vitin e kaluar, ky samit u mbajt në Bruksel dhe Kosova u përfaqësua me tashmë ish-presidenten Vjosa Osmani, ndërkaq Serbia nuk mori pjesë. Në deklaratën e samitit të vitit të kaluar, u tha se “mungesa e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit po mban të dy shtetet të bllokuara në rrugën evropiane”.

    Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat, nën ndërmjetësimin e Brukselit, mbi një dekadë më parë.

    Gjatë procesit janë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.

    Dy vendet nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë politik që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

    Një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një reshter. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon përfshirjen.

    Për sulmin në Banjskë, autoritetet në Kosovë kanë dënuar tre të akuzuar, teksa dhjetëra të tjerë gjenden në arrati.

    Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit, teksa Kosova kërkon vazhdimisht që Serbia ta ekstradojë atë./RE

  • Shefja e BE-së: Kosova ka nevojë për institucione funksionale

    Shefja e BE-së: Kosova ka nevojë për institucione funksionale

    Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka bërë të ditur se Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka mbërritur në Prishtinë për vizitën e tij zyrtare.

    Gjatë qëndrimit në Kosovë, Costa pritet të zhvillojë takime me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore, si dhe me drejtues të subjekteve politike.

    Palatova ka vënë theksin te perspektiva e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë që Kosova të ketë institucione funksionale dhe efektive.

    “Mundësia e zgjerimit të BE-së është reale. Kosova ka nevojë për institucione plotësisht funksionale sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Palatova në rrjetin social X.

  • Presidenti i KE-së në Prishtinë: Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale

    Presidenti i KE-së në Prishtinë: Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se ndodhet në Prishtinë për të riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën.

    Në një postim në rrjetin social “X”, Costa ka bërë të ditur se është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me liderët e partive opozitare.

    Ai ka theksuar se, në prag të zgjedhjeve të kësaj fundjave, partneriteti me BE-në nënkupton edhe përgjegjësi nga ana e institucioneve dhe aktorëve politikë në Kosovë.

    Costa ka inkurajuar liderët politikë që integrimin në Bashkimin Evropian ta vendosin si prioritet mbi ndarjet politike dhe të bashkëpunojnë drejt këtij qëllimi të përbashkët.

    Po ashtu, ai ka theksuar nevojën për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale në Kosovë, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron BE-ja dhe për të përmbushur zotimet në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.

    “Sot jam në Prishtinë për të riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën. U takova me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ushtruesin e detyrës së kryeministrit Albin Kurti dhe me liderët e partive opozitare. Ndërsa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë fundjavë, mesazhi im është i thjeshtë: partneriteti ynë vjen me përgjegjësi. I kam inkurajuar liderët politikë që ta vendosin integrimin në BE si prioritet, përtej ndarjeve politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët. Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reforma, për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian dhe për të përmbushur të gjitha zotimet në kuadër të dialogut”, ka shkruar Costa.

  • Hovenier: Marrëdhëniet ShBA-Kosovë 16 muajt e fundit kanë marrë goditje serioze

    Hovenier: Marrëdhëniet ShBA-Kosovë 16 muajt e fundit kanë marrë goditje serioze

    Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka komentuar zhvillimet politike në vend dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se këto raporte nuk janë në nivelin më të mirë si më parë.

    Ai është shprehur se gjatë 16 muajve të fundit, imazhi dhe reputacioni i Kosovës në Uashington janë dëmtuar ndjeshëm.

    Sipas tij, proceset e vështira politike, përfshirë dështimin për zgjedhjen e presidentit dhe përsëritjen e zgjedhjeve, kanë ndikuar në uljen e besimit për aftësinë e Kosovës që të përmbushë detyrimet e saj institucionale.

    Hovenier ka lënë të kuptohet se SHBA-ja bashkëpunon me partnerë që janë të besueshëm, të qëndrueshëm dhe të aftë për të realizuar zotimet e tyre.

  • Rusia rrëzoi 754 dronë ukrainas gjatë natës

    Rusia rrëzoi 754 dronë ukrainas gjatë natës

    Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se ka rrëzuar 754 dronë ukrainas gjatë 24 orëve të fundit, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.

    Më herët ishte raportuar se Rusia kishte rrëzuar 50 dronë mbi rajonin veriperëndimor të Leningradit gjatë natës, sipas guvernatorit të rajonit, Alexander Drozdenko.

    Shën Petersburgu ndodhet në rajonin e Leningradit, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se dronët ukrainas kanë goditur një terminal nafte në këtë qytet.

    Kievi ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë natës ka kryer një sulm ndaj një anijeje luftarake ruse në bazën detare të Kronstadtit në Shën Petersburg, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës.

    Këto zhvillime vijnë në ditën e parë të Forumit Ndërkombëtar Ekonomik të Shën Petersburgut, i cili do të zgjasë deri më 6 qershor.

    Ky forum shpesh cilësohet si “Davos-i rus”.

  • Mbyllen përkohësisht disa segmente të autostradave më datat 5,6 dhe 7 qershor

    Mbyllen përkohësisht disa segmente të autostradave më datat 5,6 dhe 7 qershor

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se në Kosovë do të zhvillohet Gara Ndërkombëtare e Çiklizmit në datat 5, 6 dhe 7 qershor 2026, e cila do të përfshijë disa akse rrugore në mbarë vendin, përfshirë autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”.

    Sipas njoftimit zyrtar, gjatë zhvillimit të kësaj gare do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullim, ku në segmente të caktuara do të mbyllet njëra korsi, në përputhje me itineraret e përcaktuara për secilën ditë të aktivitetit.

    Më 5 qershor, duke filluar nga ora 13:00, një korsi e autostradës “Arbën Xhaferi” do të jetë e mbyllur përkohësisht. Gara do të nisë nga sheshi “Metush Krasniqi” në Kamenicë dhe do të përfundojë në kilometrin 28 në drejtim të Prishtinës.

    Më 6 qershor, kufizime të përkohshme të trafikut do të aplikohen në disa segmente rrugore, përfshirë rrugën Ferizaj (Bibaj) – Lipjan – Hani i Elezit. Këto ndërprerje do të jenë të shpërndara gjatë ditës, nga ora 09:00 deri në 16:00.

    Ndërsa më 7 qershor, gara do të shtrihet në një itinerar më të gjerë që përfshin disa qytete, përfshirë Ferizajn, Podujevën, Lipjanin, Fushë Kosovën, Llapushnikun dhe Duhlin, ku gjithashtu do të ketë mbyllje të pjesshme të një korsie në orare të ndryshme.

    Për organizimin dhe sigurinë gjatë ngjarjes, Federata e Çiklizmit e Kosovës do të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse.

    Ministria ka apeluar tek qytetarët për mirëkuptim, si dhe për respektim të udhëzimeve të Policisë, stafit organizativ dhe sinjalizimit rrugor përgjatë gjithë itinerarit të garës.

  • Shqipëria nis epokën Maran-Sot miqësorja ndaj Izraelit

    Shqipëria nis epokën Maran-Sot miqësorja ndaj Izraelit

    Kombëtarja shqiptare do të zbresë sot në fushë për ndeshjen e parë miqësore nën drejtimin e trajnerit të ri, Rolando Maran. Kuqezinjtë do të përballen me Izraelin në orën 20:00, në një sfidë që vjen në një moment delikat për ekipin kombëtar.

    Shqipëria synon të lërë pas zhgënjimin e eliminimit në “play-off”-in e Kupës së Botës, rezultat që çoi edhe në largimin e trajnerit Silvinjo. Me emërimin e Maran në krye të stolit kuqezi, objektivi është rikthimi te rezultatet pozitive dhe ndërtimi i një skuadre konkurruese për sfidat e ardhshme.

    Një nga synimet kryesore mbetet paraqitja në Ligën e Kombeve, ku Shqipëria do të kërkojë rikthimin në Ligën B pas zhgënjimit të sezonit të kaluar. Ndërkohë, për këtë ndeshje pritet një numër i kufizuar tifozësh në stadium, me gjasë vetëm në katin e parë të tribunave.

    Sa i përket historikut të përballjeve, Shqipëria dhe Izraeli janë ndeshur gjashtë herë deri më tani. Bilanci favorizon izraelitët me katër fitore, ndërsa kuqezinjtë kanë regjistruar dy suksese. Në këto takime nuk është shënuar asnjë barazim. Izraeli ka realizuar në total nëntë gola, kundrejt gjashtë të Shqipërisë.

    Përballja e parë mes dy skuadrave u zhvillua në nëntor të vitit 2016, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2018, ku Izraeli fitoi 3-0 në Shqipëri. Megjithatë, kuqezinjtë reaguan në ndeshjen e kthimit, duke triumfuar me të njëjtin rezultat në transfertë në qershor 2017.

    Dy ekipet u përballën sërish në edicionin e parë të Ligës së Kombeve në vitin 2018. Shqipëria fitoi 1-0 në shtëpi, ndërsa Izraeli mori revanshin një muaj më vonë me fitoren 2-0 në fushën e vet.

    Në këtë miqësore, kuqezinjtë do të synojnë jo vetëm suksesin për statistikë, por edhe një nisje sa më pozitive të epokës së re me Rolando Maran në krye të Kombëtares.

  • Kosova U21 sot përballet me Turqinë U21 në ndeshje miqësore

    Kosova U21 sot përballet me Turqinë U21 në ndeshje miqësore

    Kombëtarja e Kosovës U21 do të zbresë sot në fushë për të zhvilluar ndeshjen miqësore kundër Turqisë U21. Takimi do të luhet në stadiumin Ümraniye Belediyesi Şehir Stadı në Turqi, me fillim nga ora 19:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

    Dardanët e rinj e kanë pritur këtë përballje pas disa ditësh përgatitjesh intensive nën drejtimin e përzgjedhësit Hekuran Kryeziu dhe stafit të tij. Ekipi ka zhvilluar stërvitjet në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku fokusi kryesor ka qenë përmirësimi i aspektit taktik dhe fizik para sfidës me një kundërshtar cilësor si Turqia.

    Kjo ndeshje do të shërbejë si një test i rëndësishëm për futbollistët kosovarë, të cilët synojnë të tregojnë potencialin e tyre dhe të vazhdojnë ngritjen në prag të sfidave të ardhshme.

    Historia e përballjeve mes Kosovës U21 dhe Turqisë U21 favorizon skuadrën turke. Dy kombëtaret janë përballur katër herë deri më tani, ku Kosova ka regjistruar një fitore, ndërsa Turqia ka triumfuar në tri ndeshje.

    Pas takimit të sotëm, Kosova U21 do të zhvillojë edhe një tjetër ndeshje miqësore. Më 6 qershor, në Hajvali, Dardanët do të presin Luksemburgun U21 në një sfidë që do të nisë nga ora 17:00, duke vazhduar kështu ciklin e përgatitjeve dhe testimit të ekipit për angazhimet e ardhshme ndërkombëtare.

  • FIFA konfirmon rregulla të reja për Kupën e Botës 2026

    FIFA konfirmon rregulla të reja për Kupën e Botës 2026

    FIFA ka konfirmuar një sërë rregullash të reja që do të aplikohen në Kupën e Botës 2026, me synimin për të rritur kohën efektive të lojës dhe për të reduktuar vonesat e qëllimshme gjatë ndeshjeve.

    Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me rivëniet anësore. Futbollistët do të kenë vetëm pesë sekonda në dispozicion për ta futur topin në lojë, ndërsa vonesat e qëllimshme mund të ndëshkohen me kalimin e posedimit te skuadra kundërshtare. I njëjti parim do të zbatohet edhe për goditjet nga porta, ku humbja e qëllimshme e kohës mund të rezultojë me akordimin e një goditjeje këndi për ekipin rival.

    Ndryshime të rëndësishme janë paraparë edhe në procedurën e zëvendësimeve. Lojtarët që largohen nga fusha do të kenë vetëm 10 sekonda kohë për të dalë nga pika më e afërt. Në rast se nuk e respektojnë këtë afat, futbollisti zëvendësues nuk do të lejohet të hyjë në fushë për të paktën një minutë, duke bërë që skuadra e tij të luajë përkohësisht me një lojtar më pak.

    Sipas rregullave të reja, futbollistët që marrin trajtim mjekësor nga stafi mjekësor do të duhet të qëndrojnë jashtë fushës për 60 sekonda para se të rikthehen në lojë. Përjashtim do të bëhet për portierët, dëmtimet serioze dhe rastet kur kundërshtari ndëshkohet me karton të verdhë ose të kuq.

    FIFA ka ashpërsuar edhe masat disiplinore. Lojtarët që mbulojnë gojën gjatë debateve ose përballjeve me kundërshtarët mund të ndëshkohen deri me karton të kuq, në varësi të situatës dhe vlerësimit të gjyqtarit.

    Ndërkohë, sistemi VAR do të ketë kompetenca më të gjera. Për herë të parë, do të mund të verifikohet nëse një goditje këndi është akorduar saktë, për sa kohë kontrolli kryhet shpejt dhe para rifillimit të lojës. Gjithashtu, përjashtimet që vijnë si pasojë e kartonit të dytë të verdhë do të mund të rishikohen pasi të jenë dhënë, megjithëse VAR nuk do të ndërhyjë për të sugjeruar një karton të dytë të verdhë gjatë zhvillimit të aksionit.

    Këto ndryshime pritet të zbatohen për herë të parë në Kupën e Botës 2026, e cila do të organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.