ATV

Blog

  • Rama: SPAK-u verifikoi pronësinë e investitorëve të huaj mbi tokën në Zvërnec

    Rama: SPAK-u verifikoi pronësinë e investitorëve të huaj mbi tokën në Zvërnec

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se pas verifikimeve të kryera nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), investitorët e huaj rezultojnë pronarë të një toke ku është planifikuar të ndërtohet një projekt turistik në Zvërnec, pranë Vlorës.

    Sipas të dhënave zyrtare, pronare e zonës së rrethuar me gardh metalik në Zvërnec rezulton të jetë kompania Albania Land Development, e regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Shqipëri, më 27 maj 2025.

    Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë të kësaj kompanie janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

    “Një zhvillim që unë e konsideroj shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec, që do të thotë me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve që tanimë janë dhe pronarë”, tha Rama pas mbledhjes së Qeverisë shqiptare më 3 qershor.

    Ai vlerësoi edhe faktin që SPAK-u ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë te shitësi, për të cilin ka një proces hetimor.

    “Kjo, në këndvështrimin tim, është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, pasi çështja do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur nga SPAK-i, dhe në të dyja rastet rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore dhe do t’i japë fund çdo pretendimi që nuk është i bazuar në ligj”, tha Rama.

    Në lidhje me hetimet për çështjen e pronësisë ndaj tokës në Zvërnec, zyra për mediat e SPAK-ut sërish të mërkurën tha se “çështja ndodhet në një fazë procedurale, detajet e saj nuk mund të bëhen publike në këtë moment”.

    Kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, tha se hetimi do të tregojë nëse shitësi ka një origjinë legjitime të pronës dhe më pas do të marrë paratë. Nëse do të rezultojë e kundërta,“paratë do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe patjetër që ato do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar”.

    Ditët e fundit ka pasur protesta kundër punimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, ku është paraparë të ndërtohet një resort, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

    Kjo zonë është mjedis i mbrojtur dhe konsiderohet si një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata shtegtar, përfshirë flamingot.

    Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner kishte njoftuar se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

    E pyetur lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec, kompania e lidhur me investimet e Kushnerit në Shqipëri, Affinity Partnerm i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe se “është e gatshme të ecë përpara, ndërsa ato zhvillohen”.

    “Fokusi ynë mbetet te kujdesi i përgjegjshëm, përmirësimi mjedisor, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale”, tha për Radion Evropa e Lirë Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC.

    Qeveria shqiptare ka thënë se investimi në Zvërnec është në vlerë prej 4 miliardë eurosh dhe ai synon ta vendosë Shqipërinë në “listën e kampionëve” të turizmit.

  • Kosova përgatitet për Andorrën-Shqetësim për Arijanet Muric

    Kosova përgatitet për Andorrën-Shqetësim për Arijanet Muric

    Kombëtarja e Kosovës ka intensifikuar përgatitjet para miqësores së 7 qershorit ndaj Andorrës, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda dhe stafit të tij, futbollistët dardanë kanë zhvilluar një tjetër seancë stërvitore intensive, me fokus në aspektin taktik, organizimin e lojës dhe përmirësimin e koordinimit mes reparteve.

    Sipas njoftimit nga kampi i kombëtares, atmosfera brenda ekipit mbetet shumë pozitive, ndërsa lojtarët po tregojnë përkushtim dhe disiplinë të lartë në çdo seancë stërvitore. Entuziazmi në grup është i madh, me synimin për një paraqitje sa më të mirë para tifozëve në “Fadil Vokrri”.

    Megjithatë, gjatë stërvitjes së sotme është shënuar edhe një moment shqetësues. Portieri Arijanet Muric ka ndier shqetësim në muskujt e kërdhokullës së djathtë, çka ka ngritur dyshime për gjendjen e tij fizike.

    Stafi mjekësor i kombëtares pritet t’i nënshtrojë ekzaminimeve të nevojshme në orët në vijim, për të vlerësuar shkallën e dëmtimit dhe për të përcaktuar nëse portieri dardan do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Andorrës.

    Kosova do ta shfrytëzojë këtë miqësore për të testuar formën e lojtarëve dhe për të vazhduar ndërtimin e skuadrës para sfidave të ardhshme zyrtare.

  • Granit Xhaka synon Kupën e Botës 2026: “Dua të bëhem kampion bote”

    Granit Xhaka synon Kupën e Botës 2026: “Dua të bëhem kampion bote”

    Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, nuk i ka fshehur ambiciet e tij para Kupës së Botës 2026, duke deklaruar se ëndrra e tij është ngritja e trofeut më të madh në futbollin botëror.

    Në një intervistë për mediumin zviceran Blick, mesfushori shqiptar theksoi se objektivi i tij kryesor është të shpallet kampion bote me Kombëtaren e Zvicrës.

    “Dua të bëhem kampion bote. Ndoshta disa do të qeshin me këtë, por unë gjithmonë kam menduar në këtë mënyrë. Duhet të kesh vizione dhe të mendosh në përmasa të mëdha. Nëse nuk beson në ëndrrat e tua, nuk mund t’i arrish kurrë ato”, deklaroi Xhaka.

    Kapiteni i Zvicrës sqaroi se kjo deklaratë nuk është arrogancë, por një mënyrë të menduari që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij. Ai kujtoi gjithashtu besimin e madh që kishte para triumfit të Zvicrës në Kupën e Botës U17 në vitin 2009, kur skuadra e tij arriti të fitonte turneun.

    Sipas Xhakës, brezi aktual i futbollistëve zviceranë ka cilësitë e nevojshme për të rivalizuar me kombëtaret më të mëdha në botë. Ai theksoi se për të arritur rezultate të mëdha, fillimisht duhet besim se ato janë të mundshme.

  • Luis Enrique kërkon Gavi-n te PSG-Ofertë deri në 80 milionë euro

    Luis Enrique kërkon Gavi-n te PSG-Ofertë deri në 80 milionë euro

    Luis Enrique ka vendosur në qendër të planeve të tij te Paris Saint-Germain mesfushorin e talentuar të FC Barcelona, Gavi.

    Trajneri spanjoll e sheh 21-vjeçarin si një nga elementët kyç për të forcuar projektin ambicioz të kampionëve të Francës dhe ka kërkuar personalisht transferimin e tij në “Parc des Princes”.

    Sipas raportimeve, PSG është i gatshëm të bëjë një investim të madh për të siguruar shërbimet e reprezentuesit spanjoll, me një ofertë që mund të arrijë deri në 80 milionë euro.

    Klubi francez beson se Gavi përshtatet në mënyrë perfekte me filozofinë e ekipit, duke sjellë energji, kreativitet dhe cilësi në repartin e mesfushës.

    Interesimi i Luis Enriques nuk është i rastësishëm, pasi ai e njeh mirë lojtarin nga koha kur kanë punuar së bashku te kombëtarja e Spanja. Ai vlerëson aftësitë e tij në organizimin e lojës, rikuperimin e topit dhe mbështetjen e fazës sulmuese.

  • Aktakuzë ndaj katër personave për grabitje dhe armëmbajtje pa leje në Prizren, Prokuroria jep detaje

    Aktakuzë ndaj katër personave për grabitje dhe armëmbajtje pa leje në Prizren, Prokuroria jep detaje

    Në komunikatë, njoftohet se të dyshuarit, në Prizren, kanë vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të të dëmtuarës L.R., duke përdorur kanosje serioze me armë dhe thikë, dhe se, të njëjtit, të maskuar dhe të armatosur, i janë afruar automjetit ku ndodheshin të dëmtuarit L.R., dhe H.S., dhe nën kërcënim të thikës dhe armës, të dëmtuarve u kanë kërkuar para, ku nga e dëmtuara L.R., kanë marrë të holla kesh, si dhe nga automjeti është marrë një send me vlerë të vogël.

    ‘’ Pas kryerjes së veprimeve, të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin me të cilin kishin ardhur, dhe janë larguar në drejtim të panjohur, ndërsa të dëmtuarit kanë njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Komunikata:

    Aktakuzë për grabitje dhe armëmbajtje pa leje

    Prizren, 03 Qershor 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve K.K., Sh.G., V.S., dhe L.G., të cilët gjenden në paraburgim, për shkak të dyshimit të bazuar mirë së të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317 të KPRK-së, ndërsa K.K., dhe Sh.G., kanë kryer po ashtu edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së.

    Sipas aktakuzës, më datë 03.02.2026, rreth orës 01:05, në Prizren, në afërsi të “Tregut të Gjelbër”, të pandehurit, pas një marrëveshjeje paraprake ndërmjet tyre, kanë vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të të dëmtuarës L.R., duke përdorur kanosje serioze me armë dhe thikë.

    Të pandehurit e lartcekur, të maskuar dhe të armatosur, i janë afruar automjetit ku ndodheshin të dëmtuarit L.R., dhe H.S., dhe nën kërcënim të thikës dhe armës, të dëmtuarve u kanë kërkuar para, ku nga e dëmtuara L.R., kanë marrë të holla kesh, si dhe nga automjeti është marrë një send me vlerë të vogël.

    Pas kryerjes së veprimeve, të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin me të cilin kishin ardhur, dhe janë larguar në drejtim të panjohur, ndërsa të dëmtuarit kanë njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës.

    Gjatë kontrolleve të realizuara nga Policia e Kosovës janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri, përkatësisht një pistoletë e tipit “Zoraki” cal. 9 mm me një karikator dhe një fishek, si dhe një pistoletë e tipit “EKOL” cal. 9 mm me karikatorin përkatës. Po ashtu, është konfiskuar edhe automjeti i markës “Golf VII”, i cili, ka shërbyer si mjet për kryerjen e veprës penale.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • PE miraton raportin e Kosovës, Terras: Shpresoj që Kosova të dalë nga bllokada institucionale

    PE miraton raportin e Kosovës, Terras: Shpresoj që Kosova të dalë nga bllokada institucionale

    Parlamenti Evropian me 47 vota për ka miratuar raportin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Riho Terras, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian ka falënderuar të gjithë bashkë raportuesit dhe tha se shpreson se Kosova do të dalë nga bllokimi institucional.

    “Vetëm një falënderim për të gjithë, të gjithë bashkëraportuesit të cilët janë shumë konstruktivë dhe punojnë mirë së bashku, dhe shpresoj që Kosova të dalë nga bllokimi së shpejti”, tha Terras në Parlamentin Evropian.

  • Kosova mbahet nga importet dhe remitencat: 1.5 mld import, 313 mln nga diaspora

    Kosova mbahet nga importet dhe remitencat: 1.5 mld import, 313 mln nga diaspora

    Deri në mars 2026, deficiti tregtar në mallra ka arritur në 1 miliard e 275 milionë euro. Importet kanë shkuar në mbi 1.5 miliard euro. Kurse, diaspora ka dërguar mbi 313 milionë euro.

    Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar statistikat e Bilancit të Pagesave deri në mars 2026, ku paraqiten të dhëna mbi importet, eksportet, remitancat, investimet dhe lëvizjet financiare në vend.

    Sipas BQK-së, bilanci i pagesave deri në fund të marsit 2026 është karakterizuar nga deficit i llogarisë rrjedhëse prej 239.57 milionë euro.

    “Bilanci i pagesave deri në fund të muajit mars 2026 u karakterizua nga një deficit i llogarisë rrjedhëse prej 239.57 milionë euro, që paraqet një rënie prej 22.21% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në raportin e publikuar nga BQK.

    Sipas raportit, kjo rënie e deficitit lidhet kryesisht me zvogëlimin e deficitit në bilancin tregtar të mallrave dhe rritjen e suficitit në bilancin tregtar të shërbimeve.

    BQK ka bërë të ditur se bilanci tregtar në mallra deri në fund të marsit 2026 ka shënuar deficit prej 1 miliard e 275.76 milionë euro.

    “Eksporti për këtë periudhë shënoi vlerën 233.72 milionë euro, duke përfaqësuar rritje prej 14.03%, ndërsa importi i mallrave shënoi rritje të lehtë 1.27% duke arritur vlerën 1,509.48 milionë euro”.

    Sipas të dhënave, importet kanë kaluar shifrën prej 1.5 miliard euro vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit, ndërsa eksportet kanë mbetur në 233 milionë euro.

    BQK ka bërë të ditur se remitancat vazhdojnë të jenë kategoria kryesore në kuadër të të ardhurave dytësore.

    “Vlera e remitancave deri në mars 2026 shënoi 313.46 milionë euro, e cila paraqet një rritje prej 7.62% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”, thuhet në statistikat e publikuara.

    Sipas vlerësimeve preliminare të BQK-së, remitancat vetëm për muajin prill 2026 kanë qenë rreth 117.6 milionë euro.

    “Duke arritur kështu vlerën 431.07 milionë euro për katër muajt e parë të vitit 2026”, thuhet në raport.

    BQK ka treguar edhe mënyrën përmes së cilës kanë hyrë remitancat në Kosovë.

    “Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit prill kanë qenë përmes IFJB me 59.67%, përmes bankave komerciale me 17.74% dhe kanaleve tjera me 22.59%”.

    BQK ka njoftuar se llogaria e shërbimeve ka vazhduar të ketë bilanc pozitiv.

    “Llogaria e shërbimeve, e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, në fund të marsit 2026 shënoi vlerën e 478.21 milionë eurove, që paraqet nivel më të lartë të bilancit pozitiv për 17.64% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar”, thuhet në raport.

    Në raport përmenden edhe të ardhurat parësore, të cilat deri në fund të marsit 2026 kanë shënuar bilanc pozitiv prej 98.37 milionë euro.

    “Të ardhurat parësore, deri në fund të marsit 2026 shënuan bilanc pozitiv prej 98.37 milionë euro, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte vlerë 112.17 milionë euro dhe tregon rënie prej 12.30%”.

    Sipas BQK-së, të ardhurat dytësore vazhdojnë të mbesin kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse.

    “Në fund të marsit 2026 kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 459.61 milionë euro, e cila paraqet rritje prej 0.16% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar”.

    Në raport përmenden edhe asetet dhe detyrimet financiare.

    “Asetet në llogarinë financiare, deri në fund të marsit 2026 kanë shënuar bilanc pozitiv për 162.08 milionë euro. Ndërsa, detyrimet financiare, kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë prej 368.25 milionë euro”, njofton BQK.

    Sipas raportit, investimet direkte në Kosovë deri në fund të marsit 2026 kanë arritur në 215.55 milionë euro.

    “Investimet direkte në Kosovë, deri në fund marsit 2026 ishin 215.55 milionë euro, e cila paraqet rritje prej 7.81% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar”.

    Ndërsa investimet direkte jashtë Kosovës kanë shënuar vlerën 71.23 milionë euro.

    BQK ka njoftuar po ashtu se asetet rezervë deri në fund të marsit 2026 janë rritur për 130.37 milionë euro.

    “Rritjes së aseteve rezervë i ka kontribuar rritja e depozitave, të cilat gjatë kësaj periudhe u rritën për 153.88 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë u zvogëluan për 23.51 milionë euro për shkak të maturimit”. /Monitor

  • Kurti takon Costan: Kosova e gatshme për statusin e vendit kandidat në BE

    Kurti takon Costan: Kosova e gatshme për statusin e vendit kandidat në BE

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tivat.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti e falënderoi Costan për mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se BE-ja mbetet partneri kryesor zhvillimor i vendit.

    Gjatë takimit, Kurti vuri në pah progresin që Kosova ka shënuar në vitet e fundit në fusha të ndryshme, duke theksuar se vendi ka realizuar “progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon”.

    Ai po ashtu ritheksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që burojnë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e avancimit të Kosovës në rrugën evropiane.

    “Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal”, thuhet në njoftim.

    Qeveria rikujtoi se Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve evropiane kundër Rusisë.

    Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Prishtinë, pas asaj të realizuar në maj të vitit të kaluar.

    Në përfundim, Qeveria vlerësoi se “me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave”. /Telegrafi/

  • ​Arrestohen dy persona të dyshuar për kontrabandim me migrantë

    ​Arrestohen dy persona të dyshuar për kontrabandim me migrantë

    Policia e Kosovës, dje në kuadër të zbatimit të planit operativ “Migrimi Ilegal”, gjatë vëzhgimit të vijës kufitare në afërsi të pikë kalimit kufitar Hani i Elezit, kanë vërejtur një person të dyshuar duke shoqëruar në këmbë tre persona nga fshati Bllacë-RMV, në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës.

    Sipas njoftimit, personat e dyshuar, pasi kanë kaluar ilegalisht vijën kufitare, me të arritur në rrugën ndërmjet dy pikë kalimeve kufitare, kanë vazhduar lëvizjen me një automjet që dyshohej se ishte duke i pritur.

    “Si rezultat i veprimeve të njësiteve patrulluese kufitare është arritur të ndalohet automjeti i dyshuar, në të cilin ndodheshin dy persona të dyshuar meshkuj shtetas të Republikës së Kosovës, si dhe tre migrantë shtetas të Indisë, të cilët janë kapur në flagrancë gjatë kontrabandimit”, thuhet në njoftim, përcjell KosovaPress.

    Më tej thuhet se me urdhër të prokurorit kompetent është iniciuar rasti “Kontrabandim me migrantë”, përderisa njëri nga personat e dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, është liruar në procedurë të rregullt.

    “Tre migrantët janë dërguar në Qendrën e Pritjes për Migrantë, ku janë trajtuar nga njësia për Migrim dhe të Huaj. Gjithashtu, me urdhër të prokurorit, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar automjeti i dyshuar me targa vendore, si dhe një telefon mobil”, thuhet në komunikatë.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimit ndërkufitar, ruajtjen e kufirit shtetëror dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

  • Miratohet nisja e negociatave për heqjen e roaming mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

    Miratohet nisja e negociatave për heqjen e roaming mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

    Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar fillimin e negociatave për heqjen e roaming-ut me shtetet e Ballkanit Perëndimor, është konfirmuar jozyrtarisht nga Këshilli i BE-së.

    Vendimi ka të bëjë me hapjen e negociatave me Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për roaming-un në rrjetet publike të komunikimeve mobile.

    Këshilli i BE-së pritet që të enjten, më 4 qershor, ta miratojë zyrtarisht vendimin, dhe më pas mund të nisin negociatat me secilin shtet të rajonit në mënyrë individuale.

    Nga Presidenca qipriote e Bashkimit Evropian u tha se mbështesin fuqishëm rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

    “Zgjerimi i zonës pa roaming është një shenjë e qartë e përkushtimit tonë ndaj rajonit. Mirëpresim miratimin formal të vendimit me të cilin autorizohet hapja e negociatave për marrëveshjet”, deklaroi një zëdhënës i Presidencës që udhëhiqet nga Qiproja.

    Komisioni Evropian në muajin shkurt kishte propozuar heqjen e roaming-ut për Ballkanin Perëndimor.

    “Roam Like at Home” (Pa tarifa shtesë) zbatohet në shtetet anëtare të BE-së dhe në vendet e Zonës Ekonomike Evropiane. Në janar të këtij viti, rregullorja është zgjeruar edhe për Ukrainën dhe Moldavinë, edhe pse këto vende nuk janë anëtare të BE-së.

    Zyrtarët evropianë presin që negociatat të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Në një skenar ideal, roaming-u midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mund të hiqet që vitin e ardhshëm. Megjithatë, zyrtarët evropianë theksojnë se gjithçka varet nga gatishmëria e vendeve të rajonit për të përparuar në këto negociata.