ATV

Blog

  • Zjarri masiv në Valencia, Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave

    Zjarri masiv në Valencia, Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për viktimat nga zjarri masiv në dy blloqe apartamentesh në Valencia.

    “Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga zjarri tragjik në Valencia të Spanjës. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet që humbën më të dashurit dhe u urojmë shërim të shpejtë të gjithë të prekurve”, ka shkruar Osmani në X (ish-Twitter).

    Nga ky zjarr tragjik, raportohet se kanë vdekur 4 persona ndërsa së paku 14 të tjerë, përfshirë gjashtë zjarrfikës dhe një fëmijë, janë lënduar.

    Zjarrfikësit janë parë duke i shpëtuar njerëzit nga ballkonet e banesave.

    Një familje prej katër anëtarësh, duke përfshirë një djalë trevjeçar dhe një vajzë 15 ditëshe janë në mesin e 19 të zhdukurve, sipas raporteve të mediave lokale në Valencia.

    Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka folur nga Valencia, ku falënderoi shërbimet e urgjencës, veçanërisht zjarrfikësit, për punën e tyre thelbësore.

    Qeveria e tij, tha ai, është aty për të ofruar “të gjitha llojet e mbështetjes” për operacionin e menjëhershëm të shpëtimit dhe për të sqaruar se çfarë ndodhi.

    Prioriteti tani është kërkimi i viktimave, tha Sanchez, dhe siguria e atyre që janë përfshirë në shpëtim.

     

  • Sulmi terrorist në Banjskë, Gjykata ua vazhdon paraburgimin tre serbëve të dyshuar

    Sulmi terrorist në Banjskë, Gjykata ua vazhdon paraburgimin tre serbëve të dyshuar

    Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin tre të dyshuarve për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.

    Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

    Sipas saj, atyre u është vazhduar masa e paraburgimit deri më 24 prill.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin. Masa e paraburgimit të njëjtëve iu është vazhduar deri me datë 24.04.2024”, ka thënë Gashi.

    Ndryshe, përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi e ka marrë Milan Radoiçiq, pasi Ministri Xhelal Sveçla kishte publikuar pamje ku dëshmohej se ai kishte marrë pjesë në këtë sulm. Radojiçiq ndodhet tashmë në sistemin për urdhërarrest, të organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL.

  • Hovenier: ShBA qëndron fuqishëm krah KFOR-it për ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes në Kosovë

    Hovenier: ShBA qëndron fuqishëm krah KFOR-it për ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes në Kosovë

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, është takuar sot me Komandantin e KFOR’it, Ozkan Ulutas.

    Për këtë takim ka njoftuar Ambasadori Hovenier, i cili ka thënë se me Ulutas kanë folur për situtën e sigurisë në Kosovë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm krah KFOR-it.

    “Takimi i mirë me Komandantin e KFOR’it, MG Ulutaş. Përsëritëm angazhimin tonë të përbashkët për sigurinë në Kosovë dhe diskutuam për sfidat aktuale. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm me @NATO_KFOR pasi punon për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë”, ka shkruar Hovenier.

  • Lirohet pas intervistimit personi që e goditi me veturë bashkëshortin e Shkurte Fejzës

    Lirohet pas intervistimit personi që e goditi me veturë bashkëshortin e Shkurte Fejzës

    Personi që që goditi me veturë Hajrush Behlulin, bashkëshortin e këngëtares Shkurte Fejza, është liruar pas intervistimit.

    Lajmin për Paparacin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    “Policia ka intervistuar palët e perfshira dhe është njoftuar prokurori kujdestar, me urdhër të prokurorit rasti procedohet me procedurë të rregullt”, ka thënë Bytyqi.

    Sipas Bytyqit, viktima është goditur nga vetura derisa po kalonte rrugën, ku ka marrë lëndime të rënda.

    “Sot me datë 23.02.2024 rreth orës 10:50 eshte raportuar per nje aksident trafiku. Aksidenti ka ndodhur në rrugën Adem Jashari, deri te aksidenti ka ardhur kur kembesori ka qene duke e kaluar rrugën dhe është goditur nga një automjet. Viktima ka pësuar lëndime të rënda por jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Bytyqi.

  • ​“Liverpooli është favorit”, Pochettino flet para finales së Carabao Cup

    ​“Liverpooli është favorit”, Pochettino flet para finales së Carabao Cup

    Këtë të diele do të zhvillohet finalja e Carabao Cup, ku Chelsea dhe Liverpooli do të luftojnë për këtë trofe.

    Chelsea do të synojë triumfin dhe këndelljen nga sezoni dhe kriza aktuale e skuadrës, ndërsa Liverpooli do të kërkojë trofeun e parë të këtij sezoni, sezon ky i cili do të jetë i fundit me trajnerin Jurgen Klopp, raporton KosovaPress.

    Para finales, trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino e cilëson Liverpoolin favorit për ta fituar trofeun e Carabao Cup.

    “Nëse më pyesni mua, favoriti është Liverpooli. Është tejet e qartë. Ata e kanë eksperiencën për të luftuar në këtë lloj të ndeshjeve. Klopp është shumë i mençur për të thënë që është një ndeshje 50-50, por unë mendoj se Liverpooli është favoriti” tha Pochettino.

  • Kompletohet kabineti qeverisës në Prishtinë: Këta janë drejtorët e rinj

    Kompletohet kabineti qeverisës në Prishtinë: Këta janë drejtorët e rinj

    Kabineti qeverisës në Prishtinë duket se është kompletuar, pas largimit të Partisë Demokratike të Kosovës nga koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Të enjten, kryetari Përparim Rama ka prezantuar edhe drejtorin e ri të Sportit, drejtori kjo që kishte mbetur e vetmja pa një drejtues të ri.

    Në fillim të këtij shkurti u konfirmuan edhe mosmarrëveshjet e raportuara për një kohë të gjatë mes LDK-së e PDK-së në koalicionin e tyre ne kryeqytet.

    Pas disa përplasjeve të njëpasnjëshme nëpër rrjete sociale, Partia Demokratike e Kosovës e kishte konfirmuar edhe zyrtarisht largimin nga koalicioni.

    Kush janë drejtorët e rinj?

    Fillimisht, siç kishte bërë të ditur më 5 shkurt vet Rama, ai kishte vendosur për një “restrukturim të kabinetit qeverisës”.

    Kështu, drejtori i ri i Drejtorisë për Transformim do të jetë Ilir Murseli, arkitekt i njohur, sipas Ramës.

    Rama ka bashkuar drejtorinë e Planifikimit dhe atë të Urbanizmit në një drjetori të vetme, duke e emëruar në krye të saj, Arbër Sadikin.

    Drejtoria e Pronës dhe ajo e Kadastrit, po ashtu janë shkrirë në një drejtori të vetme dhe udhëheqëse e saj, tash është Doruntina Maloku.

    Drejtori i ri i Shërbimeve Publike është Bekim Brestovci. Ndërkaq, Rama, me theks të veçantë kishte përmendur edhe shkarkimin e Donjeta Sahatçiut së PDK-së, të cilën e kishte akuzuar për ngecje në projektin e digjitalizimit.

    Pozitën e saj, pra si nënkryetare e kryeqytetit, tash do të mbajë Jehona Lushaku – Sadriu, e cila njëherit do të jetë edhe ushturese e detyrës së Drejtores së Arsimit.

    Gjatë kësaj jave, Rama konfirmoi se e ka emëruar në krye të Drejtorisë së Kulturës, Sibel Halimin. Halimi deri më tani, ka mbajtur pozitën si zëdhënëse politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    “Jam i bindur se përvoja dhe përkushtimi i saj do të nxjerrin në pah potencialin e madh dhe pasurinë e shpirtit artistik të Prishtinës.” – kishte thënë Rama, derisa njoftoi për emërimin e saj.

    Donjeta Dragusha në anën tjetër, e cila deri më tani ka qenë asambliste e LDK-së në kryeqytet, është emëruar Drejtoreshë e Zhvillimit Rural.

    Rama njoftoi përmes një shkrimi në Facebook se e ka emëruar edhe drejtorin e Sportit, Bardh Krasniqi.

    “Bardhi, një ish basketbollist i shquar në skenën vendore e ndërkombëtare vjen në këtë pozitë si profesionist për ta quar edhe më përpara fushën e sportit. Ai do të punojë në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në kryeqytet, për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme e të shumta këtë vit në Prishtinën tonë, e shpallur “Qytet i Sportit”.” – tha kryetari i kryeqytetit.

  • Sveçla priti në takim ambasadorin jorezident të Katarit

    Sveçla priti në takim ambasadorin jorezident të Katarit

    Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim ambasadorin jo rezident të Shtetit të Katarit në Kosovë, z. Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari.

    Ministri Sveçla e njoftoi ambasadorin Al Dosari për mandatin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe prioritetet në sundimin e rendit dhe ligjit, administratës shtetërore efikase dhe shërbime për të gjithë qytetarët pa dallim.

    Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë dhe përkushtimin e institucioneve tona për të garantuar siguri dhe stabilitet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    Në anën tjetër ambasadori Al Dosari shprehu mbështetjen e plotë të shtetit të Katarit në ngritjen dhe forcimin e institucioneve tona dhe gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave më të mira mes zyrtarëve tanë. Me theks të veçantë palët diskutuan edhe për potencialin dhe mundësitë e investimit në fushën e sigurisë në Republikën e Kosovës.

    Ministri Sveçla dhe ambasadori Al Dosari u dakorduan për bashkëpunim të ngushtë dhe konkret mes ministrive të shteteve tona.

  • Ministrat tregojnë sfidat gjatë zbatimit të reformave evropiane

    Ministrat tregojnë sfidat gjatë zbatimit të reformave evropiane

    Koordinimi ndërinstitucional, mungesa e komunikimit në kohë reale, po konsiderohen si pengesë për zbatim të reformave evropiane, nga disa ministra të kabinetit qeveritar, raporton Ekonomia Online.

    Në prezantimin e Barometrit të Reformave Evropiane nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se nga zbatimi i reformave evropiane, veçohet aftësimi i arsimit profesional. Këtë, tha Nagavci po i japin shumë prioritet.

    “Nëse flasim për zbatimin e reformave evropiane, ndonëse ne kemi bërë hapa konsideroj të vlerësuar, në aftësinë e arsimit profesional i cili për herë të parë po implementohet në shkolla tona edhe në këtë pikë mbetemi të kufizuar prej vullnetit komunal përtej angazhimit me kompani dhe biznese. Synimi jonë është të rrisim numrin e profileve më sfiduese se kjo mbetet plotësimi. Rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm edhe këtu mbetemi në sfida serioze në raport me komuna buxheti nuk ka munguar ne nuk kemi asnjë kërkesë nga komuna dhe ajo që po ndodh është se komuna për arsye të llojllojshme nuk arrin të përmbush kërkesa që janë bazike”, tha Nagavci.

    E para e arsimit, tha se prioritet po i japin edhe Qendrave për komunitete, me ç’rast kanë ndarë shuma të mëdha të mjeteve.

    “E gjitha qe duhet të bëjnë komunat është të sjellin kërkesa në Ministri dhe lejet urbanistike. Në Prishtinë nevojat për ndërtim të çerdheve janë të mëdhaja, e njëjta nuk mund të vazhdojë ndërtimin sepse komuna. Digjitalizimin ne si ministri e kemi ndarë buxhetin në këtë linjë po besojmë se do kemi një avancim përpara por edhe këtu përtej angazhimit nuk dihet si do ec, investimet e viteve paraprake, nuk kemi mund të nisim diçka nga fillimit por pastaj kemi parë se ka ngecje. Në Batometrin që pash janë dy fusha që kemi pas lëvizje konkrete, kemi ndarë nga 200 mijë euro për Qendar e komuniteteve të cilët kanë pas mundësi të barabarta me fëmijët nga komunitetet kemi ndarë për ta edhe bursa nga 1 mijë. euro për të gjithë”, tha Nagavci.

    E ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu, tha se reformat evropiane duhet t’i përkthejnë për vete. Tha se në të kaluarën Kosova nuk ka pasur plan për kushte klimatike.

    “Ministria që unë jam i angazhuar e ka mjedisin dhe infrastrukturën. Koordinim kanë me ministritë tjera, kjo ka sjell bashkëpunimin e parë që nuk ka qenë i lehtë. Reformat evropiane duhet t’i përkthejmë për veten tonë jo për integrim ose diçka që ta shpëtojmë botën por bëjmë diçka për gjeneratën tani. Këto situata që Kosova ka qenë në të shkuarën i kanë heq planet se ne duhet të mëremi me kushte klimatike. Fati i mirë është se me qeverisjen tani përdorimi i kushtet klimatike është përmirësuar por ende është sfidë bashkëpunimi me ministritë tjera. Të bëhet një gjë e tillë duhet të ngritët një temë të përfshihemi të gjithë, në aspektin e ventilimit që kemi qenë të suksesshëm dhe ky ka ardh si rezultat i bashkëpunimit me Ministrinë e Ekonomisë”, tha Aliu.

    E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se sfidë e dikasterit të saj ka qenë energjia, ndërsa thekson se prioritet do t’i japin reformave evropiane për energji të ripërtritshme.

    Ajo përmendi edhe paketën financiare të Bashkimit Evropian për Kosovën.

    “Jemi përballë me një krizë deri në vitin e dytë të mandatit jemi marrë me adresimin e kësaj duke marrë masa shtesë, kjo ka pas edhe një të mirë në këtë aspekt, ka qenë përkrahja e Qeverise dhe pakoja e BE-së ka qenë një buxhet në kushte normale, kjo na ka mundësi të kemi financa mangësitë kanë qenë më shumë nga kapacitetet institucionale. Koordinimi ndërinstitucional, mungesa e komunikimit në kohë reale është sfidë jo si pengesë për zbatim të reformave por është diçka që don përpjekje. Jo domosdo përcillet jo tek të gjithë ky është aspekt se duhet të punojmë të gjithë por kur është çështja për vendime strategjike kisha thënë se koordinimi nuk mungon është formal përtej komunikimit të përditshme, aty votojmë për projekte që do financohen qoftë nga Qeveria apo BE”.

  • ​Policia serbe detyron emigrantët në kufirin me Maqedoninë të zhvishen në temperatura të ulëta

    ​Policia serbe detyron emigrantët në kufirin me Maqedoninë të zhvishen në temperatura të ulëta

    Videot që duket se shfaqin grupe të burrave vetëm në të brendshme në temperatura afër zeros dhe duke u detyruar nga Serbia që të kthehen në Maqedoni të Veriut janë dëshmi e keqtrajtimit në eskalim të emigrantëve në kufijtë evropianë, sipas grupeve për të drejtat e njeriut.

    Dy video që i janë treguar gazetës “The Guardian” nga organizata joqeveritare maqedonase, “Legis”, shfaqin një rresht të burrave gjysmë të zhveshur në një rrip rruge afër kufirit Serbi – Maqedoni e Veriut, raporton gazeta “The Guardian”.

    Organizata “Legis” thotë se videot ishin incizuar nga një person lokal afër fshatit Lojane, afër kufirit me Serbinë, dhe iu dorëzua më 10 shkurt. Gazeta “The Guardian” nuk i ka vërtetuar videot në mënyrë të pavarur.

    Sipas kësaj organizate, ky incident është i dyti prej dy kthimeve “degraduese” dhe abuzuese për një periudhë 24-orëshe, kur organizata pretendon se mbi 50 persona ishin detyruar që të zhvisheshin deri në të brendshme nga autoritetet serbe para se të detyroheshin që të ktheheshin në Maqedoni të Veriut.

    Organizata “Legis” thotë se stafi lokal më vonë arriti që të bisedonte me këta burra, të cilët e identifikuan veten si sirianë.

    Jasmin Redjepi, president i Legis, tha se kthimet “shqetësuese dhe degraduese” erdhën menjëherë pas një samiti të bashkëpunimit kufitar BE-Serbi, që synonte forcimin e kufirit serb kundër operacioneve të kontrabandës me njerëz.

    “Këto incidente ndodhin kur BE përgatit kufizime për emigrantët në rrugë, dhe në këtë rast vetëm disa ditë pas një samiti të bashkëpunimit kufitar BE-Serbi. Më pas shohim ndikimin dhe pasojat e drejtpërdrejta”, tha Redjepi.

    Edhe pse ka pasur raportime për zhveshjen e emigrantëve në kufijtë e tjerë evropianë, Redjepi thotë se kjo është hera e parë që raportohet në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

    Rados Gjuroviç, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Mbrojtjen e Azilit në Serbi tha se stafi i saj kishte parë një rritje të llogarive të kthimit nga Serbia në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i vitit. “Mund të themi se tani është një praktikë e rregullt,” tha ai.

  • BE sërish kërkon që çështja e dinarit të zgjidhet në dialog

    BE sërish kërkon që çështja e dinarit të zgjidhet në dialog

    Bashkimi Evropian ka përsëritur se dëshiron t’u ndihmojë Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në shtet.

    Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, megjithatë gjatë konferencës për media më 23 shkurt nuk deshi të japë detaje rreth një takimi të thirrur për javën e ardhshme në Bruksel për këtë çështje.

    “Duhet t’i kthehemi praktikës së deritanishme që të mos flasim në publik dhe konferenca për shtyp për logjistikën e përgatitjeve të takimeve në nivel të grupeve punuese”, tha Stano.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të premten se çështja e dinarit “mund të zgjidhet këtu në Kosovë”, duke shtuar se nuk është dashur që kjo temë të shkaktonte “përplasje me aleatët”.

    Ndërkaq, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, më herët gjatë javës ka konfirmuar se zyra e tij ka pranuar një ftesë nga BE-ja për takim për çështjen e dinarit. Ai ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë takim, duke theksuar se nuk e di se kush mund të marrë pjesë në të nga Kosova.

    “Dërguam letrën për palët dhe sqaruam në detaje se si presim të merren me çështje të caktuara. Ne shpresojmë që të dyja palët do të gjejnë zgjidhje për një çështje që ishte krijuar me një vendim pa afat dhe pa konsultime të njërës palë, që pati ndikim te pala tjetër”, tha Stano.

    “Ne nuk jemi komentues, por lehtësues dhe bëjmë përpjekje t’iu ndihmojmë palëve që të gjejnë zgjidhje”, shtoi ai.

    Duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë pasojash mund të ketë për Kosovën nëse nuk merr pjesë në takim në Bruksel, të cilin e ka thirrur i dërguari i posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Stano tha se “nuk mund të spekulojmë se çfarë do të ndodhë, nëse do të ndodhë”, duke shtuar se ftesat për palët janë dërguar dhe BE-ja vetëm bën përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje.

    Më herët është konfirmuar se Lajçak u ka dërguar ftesë Kosovës dhe Serbisë që të marrin pjesë në një takim në Bruksel më 27 shkurt për të diskutuar rreth çështjes së dinarit.

    Bislimi, gjatë një deklarimi për media, kishte thënë se kjo ftesë e Lajçakut përbënte shkelje të parimeve nga ana e tij sepse, sipas praktikave të mëhershme, asnjë temë nuk mund të vendoset në agjendë të një takimi, pa pajtimin paraprak të të dyja palëve.

    Kosova mendon se çështja e dinarit nuk është një temë që duhet diskutuar në dialog, por autoritetet bankare në Serbi kanë kërkuar që zgjidhja për këtë çështje të gjendet në kuadër të dialogut të Brukselit.

    Më 1 shkurt, në Kosovë ka nisur të zbatohet rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme.

    Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb.

    Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se mospërmbushja e kësaj kërkese veçse ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

    BQK-ja ka thënë se vendimi do të zbatohet përmes një faze transitore jo më të gjatë se tre muaj.