ATV

Blog

  • Gjyqtarët zëvendësues, departamenti special do t’i caktojë këtë vit në disa raste

    Gjyqtarët zëvendësues, departamenti special do t’i caktojë këtë vit në disa raste

    Përgatiti: Nora Luta

    14 raste të tjera të korrupsionit janë kthyer në pikën zero vitin e kaluar, për shkak të ndërrimit të anëtarit të trupit gjykues.

    Kjo do të mund të evitohej nëse do të ishte i caktuar gjyqtari zëvendësues, i cili parashihet me Kodin e Procedurës penale.

    Këtë dispozitë ka vendosur ta zbatojë këtë vit Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    Në planin e punës të paraqitur nga nënkryetari Mentor Bajraktari, në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të enjten, u theksua që brenda këtij viti synohet të zgjidhen 70 raste.

    Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, caktimi i gjyqtarëve zëvendësues do t’i parandalonte zvarritjen e rasteve dhe parashkrimin.

    Aktualisht, Departamenti Special ka në punë 125 raste të rregullta dhe 167 lëndë të procedurës paraprake, të bartura nga viti 2023.

  • Përplasje mes ministrit të financave dhe opozitës në komisionin për buxhet

    Përplasje mes ministrit të financave dhe opozitës në komisionin për buxhet

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Borxhi publik për vitin 2023, kanë përplasur ministrin e Financave, Hekuran Murati, me deputetët opozitarë, derisa po raportonte në Komisionin për Buxhet.

    Diskutimet filluan pasi Murati deklaroi se për herë të parë në Kosovë ka ulje të borxhit publik.

    Kjo ngjalli reagime tek anëtarët e komisionit, të cilët e kundërshtuan deklaratën.

    Debati vazhdoi edhe kur Hoti pyeti ministrin rreth vlerësimit të kreditorëve, madje i kujtoi atij që nuk do të jetë edhe gjatë në këtë pozitë.

    Kritika pati edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Në këtë komision, përpos ministrit raportuan edhe drejtori i ATK-së dhe i Doganës, të cilët po ashtu u kritikuan nga anëtarët e Komisionit për keqmenaxhim.

  • Rregullorja për kujdestari të barnatoreve nuk po respektohet

    Rregullorja për kujdestari të barnatoreve nuk po respektohet

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Fillimisht, komuna e Prishtinës miratoi rregulloren që obligon farmacitë për mbajtjen e kujdestarisë prej orës 22 e deri në 7 të mëngjesit.

    Më pas, për informata shtesë u vendosën edhe barkode. Por sipas qytetarëve, asnjëra prej tyre nuk kreu punë pasi në raste emergjencash, pas orës 22:00 po detyrohen ta presin mëngjesin për t’i blerë medikamentet e nevojshme, apo krejt në tjetër qytet, meqë rregullorja nuk po respektohet.

    “Dje apo pardje më ra rasti vetë mua, asnjë barnatore çel s’e kom gjet, ku di unë t’i shikoj nëpër dyer këtu mu desh të shkoj në tjetër vend krejt…”, tha Ramadan Kajtazi, qytetar.

    “Sëmundja nuk të pyet, patjetër që duhet mu shtua ose t’i shikoj ndokush se a po punojnë a jo”, tha Emin Ademi, qytetar.

    5 deri në 10 barnatore, sa janë paraparë të jenë të hapura pas mesnatës, sipas farmacistëve, nuk mjaftojnë. Madje, ata po kërkojnë plotësim-ndryshim të rregullores për disa arsye.

    “Kemi raste që deri atje te dera bëhet rendi, edhe sipas rregullores parashihet që barnatoret që nuk janë kujdestare për atë natë, të mbyllën në ora 10, bash në atë kohë vijnë pacientët këtu spitalin afër e kemi, s’mund t’i lëmë në gjysmë… ka parregullsi, kërkojmë dëgjim publik…”, tha Arbnor Alidemaj, pronar i njërës barnatore kujdestare.

    Por ky orar, sipas Drejtorisë së Shëndetësisë në Prishtinë, do të ndryshojë.

    “Do ta shqyrtojmë mundësinë që orari të bëhet deri në orën 11, apo kështu disi…”, tha drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku.

    ATV-ja ka kuptuar se të gjitha pakënaqësitë e qytetarëve dhe farmacistëve do të diskutohen gjatë plotësim-ndryshimit të Rregullores për kujdestarinë e barnatoreve, që do të mbahet ditët në vijim në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

  • S’dihet objekti se ku do të vendoset gjykata administrative

    S’dihet objekti se ku do të vendoset gjykata administrative

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Brenda këtij viti, sistemit të drejtësisë në Kosovë, pritet t’i shtohet edhe një Gjykatë. Megjithatë, akoma nuk dihet se në cilin objekt do të vendoset Gjykata Administrative.

    “Sa i përket objektit të Gjykatës, kjo çështje mbetet të vendoset në të ardhmen apo deri në miratimin e Projektligjit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Drejtësisë.

    Krahas ndryshimeve legjislative, njohës të çështjeve juridike konsiderojnë që Qeveria duhet të punojë edhe në rregullimin e infrastrukturës për funksionim sa më të mirë të gjykatave.

    Juristët shpresojnë që Gjykata Administrative të mos e ketë fatin e njëjtë sikurse ajo Komerciale, e cila përballet me probleme të theksuara infrastrukturore.

    Projektligji për Gjykatën Administrative u miratua nga Qeveria më 14 shkurt. Ajo do të ketë juridiksion në tërë territorin e Kosovës. Do të jetë kompetente në zgjidhjen e kontesteve nga marrëdhënia e punës, mes personit fizik dhe institucionit publik, siç përcaktohet me nenin 5 të projektligjit.

  • Samiti Ekonomik për Euroazinë, Ilir Meta i kërkon Serbisë ta njohë Kosovën

    Samiti Ekonomik për Euroazinë, Ilir Meta i kërkon Serbisë ta njohë Kosovën

    Samiti Ekonomik për Euroazinë / Kryetari i PL, z.Ilir Meta i përgjigjet ndërhyrjes së Boris Tadiç: Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës! Kosova shtet i sukseshëm dhe shembull në rajon për demokraci dhe zgjedhje të lira.

    Dje në panelin e mbrëmjes së Samitit Ekonomik për Euroazinë që u mbajt në Stamboll, Kryetari i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta i është përgjigjur ndërhyrjes së ish-Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç për Kosovën.

    Meta i ka bërë thirrje Serbisë të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

    Ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka theksuar se “Pavarësia e Republikës së Kosovës ka forcuar stabilitetin e rajonit tonë dhe ka ndikuar për integrimin euroatlantik të fqinjëve të saj”.

    Kryetari i Partisë së Lirisë ka theksuar gjithashtu se “edhe pse është shteti më i ri i rajonit tonë, Kosova është shembull për vendet tona për zgjedhjet e lira dhe demokracinë funksionale, dhe po kështu për transparencën dhe llogaridhënien sipas organizatave ndërkombëtare më prestigjioze”.

    Kryetari i PL, z.Ilir Meta ka marrë pjesë në Samitin Ekonomik për Euroazinë në Stamboll, me ftesë të Presidentit të Fondacionit të Marmarasë, z.Akkan Suver, ku të pranishëm ishin shumë ish-kryetarë shtetesh, liderë politikë dhe ekspertë të shquar botërorë në fushën e ekonomisë.

  • BE vendos sanksione të reja kundër Rusisë

    BE vendos sanksione të reja kundër Rusisë

    Bashkimi Evropian ka prezantuar paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, një ditë para përvjetorit të dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

    “Sot, ne po ashpërsojmë edhe më shumë masat kufizuese kundër ushtrisë së Rusisë dhe sektorit të mbrojtjes”, tha shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, përmes një deklarate për media.

    “Ne vazhdojmë të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të goditur makinerinë e luftës së Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën që të fitojë luftën e saj legjitime për vetëmbrojtje”.

    Paketa e 13-të e sanksioneve e bllokut evropian, që lidhet me pushtimin rus të Ukrainës, shënjestron industrinë e mbrojtjes së Rusisë. Sanksionet po ashtu përfshijnë ngrirje të aseteve dhe kufizime të lëvizjes për 106 individë dhe 88 organizata, duke bërë që numri i përgjithshëm i njerëzve dhe grupeve të sanksionuara nga blloku të arrijë në 2.000. Blloku tha se ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe organizatave për shkak të “minimit apo kërcënimit të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”.

    Në listën e të sanksionuarve janë përfshirë dhjetëra zyrtarë rusë, përfshirë “anëtarë të gjyqësorit, politikanë lokalë dhe persona përgjegjës për dëbimin e paligjshëm dhe riedukimin ushtarak të fëmijëve ukrainas”, u tha në njoftim.

    BE-ja po ashtu ka vendosur kufizime ndaj kompanive nga Serbia, India, Shri Lanka, Kina, Kazakistani, Tajvanda dhe Turqia, nën dyshimet se kanë eksportuar produkte në Rusi, që kanë përdorim të dyfishtë, dhe për “mbështetjen e ushtrisë ruse”.

    Kufizimet po ashtu janë zgjeruar edhe ndaj komponentëve që përdoren për zhvillimin dhe prodhimin e dronëve.

    Emrat e kompanive do të publikohen në gazetën zyrtare të BE-së brenda disa ditësh.

    Në përgjigje të lëvizjes së BE-së, Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi më 23 shkurt se do të zgjeronte në mënyrë drastike listën e politikanëve dhe zyrtarëve të bllokut të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi.

    “BE-ja po vazhdon përpjekjet e saj të kota për t’i bërë presion Rusisë përmes masave kufizuese të njëanshme”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate.

  • Kurti takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it

    Kurti takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

    Zyra e kryeministrit njofton se qëllimi i takimit ishte informimi dhe koordinimi për temat aktuale.

    “Fillimisht u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr vendi ynë në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminent. Kryeministri deklaroi se presim avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

    Kryeministri theksoi dhe nevojën që BE-ja të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, pasi arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.

  • Gjermania legalizon kanabisin

    Gjermania legalizon kanabisin

    Gjermania i është bashkuar një grupi të vogël shtetesh dhe juridiksionesh që kanë legalizuar kanabisin, pasi Bundestagu miratoi një ligj që u lejon individëve dhe shoqatave vullnetare për të kultivuar dhe për të poseduar sasi të kufizuar të kësaj droge.

    Ligji, që u miratua nga koalicioni i përbërë prej tre subjekteve politike i kancelarit Olaf Scholz, legalizon kultivimin deri në tri bimë për përdorim privat dhe posedimin e 25 gramëve kanabis.

    Prodhimi i kanabisit në shkallë të madhe, por pa qëllime komerciale, do të lejohet për anëtarët e të ashtuquajturave klube të kanabisit. Këto klube nuk mund të kenë mbi 500 anëtarë dhe që të gjithë duhet të jenë në moshë madhore. Vetëm anëtarët e klubeve mund të konsumojnë produktet e tyre.

    “Ne kemi dy qëllime: të shtypim tregun e zi dhe të përmirësojmë mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve”, tha ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, në nisje të debatit në Parlament.

    Gjatë debatit opozita e akuzoi ministrin e Shëndetësisë se po promovon përdorimin e drogës.

    “Ju po pohoni me gjithë seriozitet se duke legalizuar më shumë drogë, ju do të mund të frenonim të rinjtë që ta përdorin atë”, tha ligjvënësit kristiandemorkat, Tino Sorge.

    “Ky është budallallëku më i madh që kam dëgjuar ndonjëherë”.

    Afër 4.5 milionë gjermanë vlerësohet se përdorin kanabisin.

    Gjermania bëhet shteti i nëntë që legalizon përdorimin rekreativ të kësaj droge, që po ashtu është legal në disa shtete të Shteteve të Bashkuara dhe Australi.

    Shumë shtete lejojnë që kanabisi të përdoret për qëllime shëndetësore.

    Kanabisi vazhdon të jetë i jashtëligjshëm për minorët dhe kjo drogë nuk mund të konsumohet afër shkollave dhe këndeve të lojërave.

    Legjislacioni pritet të votohet më 22 mars në Dhomën e Lartë të Parlamentit gjerman. Nga 1 prilli pritet të hyjë në fuqi lejimi për kultivimin dhe posedimin e sasive të vogla të kësaj droge për përdorim personal për të rriturit, ndërkaq kultivimi jokomercial nga klubet e kanabisit do të jetë legal nga 1 qershori.

  • FFK e licencon KEK-un

    FFK e licencon KEK-un

    Skuadra kosovare, FC Kek-u edhe zyrtarisht është licencuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), dhe tani ka të drejtë përfitimi nga Ligji i Sponsorizimit.

    KEK-u nga sot është zyrtarisht i regjistruar dhe licencuar për garat në ligën e meshkujve në FFK për sezonin 2023/23, kështu duke i plotësuar kushtet dhe kriteret e kërkuara nga Komisioni për Licencim i FFK-së.

  • Vrasja e Marigona Osmanit, Apeli vendos që të rigjykohet rasti edhe një herë në Ferizaj

    Vrasja e Marigona Osmanit, Apeli vendos që të rigjykohet rasti edhe një herë në Ferizaj

    Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Vendimi është bërë i ditur me një njoftim për media.

    “Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin PAKR.nr.677/23, të datës 11.01.2024, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ankesat e mbrojtësve të akuzuarve D.K, av.Admir Salihu dhe A.S, av.Arbnora Shefkiu, av.Avni Ibrahimi edhe sipas detyrës zyrtare, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, 2022:132923 të datës 04.08.2023, ashtu që çështja penale i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim. Në pikën II të dispozitivit të aktvendimit, kjo gjykatë pretendimet ankimore të prokurorisë dhe ato të mbrojtësve për bazat e tjera ankimore si dhe të përfaqësuesit të palës se dëmtuar, i ka konsideruar tani për tani si jo lëndore, ndërsa në pikën III të dispozitivit të aktvendimit, ka konstatuar se të akuzuarit, D.K dhe A.S, të mbeten në paraburgim, deri në një vendim tjetër nga ana e gjykatës së shkallës së parë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

    “Gjykata e Apelit, me aktvendimin PAKR.nr.677/23, të datës 11.01.2024, ka aprovuar, ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ankesat e mbrojtësve të akuzuarve D.K, av.Admir Salihu dhe A.S, av.Arbnora Shefkiu, av.Avni Ibrahimi edhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, 2022:132923, të datës 04.08.2023, e ka anuluar ashtu që çështja penale i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhet më tutje.

    Por, mbi cilat arsye u kthye rasti në rigjykim?

    “Në arsyetim të aktvendimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se pretendimet e prokurorisë dhe të mbrojtëseve lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave procedurale qëndrojnë, ashtu që ekzistojnë shkelje të dispozitave nga neni 384 paragrafi 2.7, lidhur me nenin 369 paragrafi 6 dhe 7 të KPP, si dhe shkelje të dispozitës së nenit 384 paragrafi 2.1, lidhur me nenin 361 paragrafi 2 të KPP, të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit të ankimuar. Kolegji i Gjykatës së Apelit ka gjetur se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale konsistojnë në faktin se dispozitivi I dhe II i aktgjykimit të ankimuar është i pa qartë, i pa kuptueshëm dhe jo në harmoni me dispozitat ligjore të cilët formojnë elementet e veprave penale për të cilat të akuzuarit janë shpallur fajtor, për arsye se dispozita ligjore nga nenit 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 i KPRK, për të akuzuarin e parë i referohet privimit nga jeta të personit tjetër në mënyrë mizore apo dinake dhe jo për motive xhelozie, ndërsa përkitazi me pikën 1.4 të nenit 173 të KPRK, kolegji gjykues i shkallës së dytë ka theksuar se një rrethanë e tillë duhet të vërtetohet nga ekspertet e fushës përkatëse, e që në rastin konkret nuk është bërë nga ana e gjykatës së shkallës së parë”, ka shkruar Gjykata e Apelit.

    “Sa i përket të akuzuarit të dytë A.S, gjykata e apelit ka vlerësuar se, në raport me veprën penale nuk janë dhënë arsye të qarta dhe konkrete nëse veprimet e të akuzuari janë në pajtueshmëri me tiparet e veprës penale për të cilën i njëjti është shpallur fajtor. Mbi bazën e të lartcekurave kolegji i shkallës së dytë, ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale, aktgjykimi i atakuar përmban shkelje esenciale nga dispozitat e procedurës penale, pasi që mungojnë arsyet për faktet vendimtare të cilat janë thelbësore për vërtetimin e përgjegjësisë penale të akuzuarve, për çka gjykata e shkallë së dytë ka dhënë udhëzimet konkretet të cilat do të duhet të eliminohen në fazën e rigjykimit, nga gjykata e shkallës se parë”, thuhet në komunikatë.