ATV

Blog

  • Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim

    Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim

    Sot na pret mot me intervale kohore me diell e vranësira të herëpashershme lokale. Rrallë në disa vise pasdite priten rrebeshe afatshkurtra shiu, ndërsa temperatura maksimale parashihet të arrijë deri në 17°C.

    Në Shqipëri dhe tërë rajonin tonë pritet të mbajë mot me vranësira e intervale kohore me diell. Pasdite në disa zona parashihen reshje dhe rrebeshe afatshkurtra shiu.

    Të Hënën cikloni nga Italia përfshinë fillimisht Shqipërinë me sistemin e tij të fuqishëm frontal i cili vjen nga deti me dendësim të madh të vranësirave dhe reshje e rrebeshe intensive lokale me vetëtima dhe bubullimë.

    Pasdite vonë ose në mbrëmje reshjet dhe rrebeshet e shiut përfshijnë edhe Kosovën, por para Kosovës perëndimin e Maqedonisë së Veriut.

    Të Martën priten vranësira të dendura e reshje të shpeshta shiu. Në viset malore do të fillojnë reshjet e dendura të borës.

    Nga e mërkura do të vazhdojë moti i paqëndrueshëm, me vranësira e reshje të herëpashershme shiu./MeteoBallkan

  • Djaloshi nga Kosova pushton skenën e American Idol me këngën ‘Oj Kosovë, oj nëna ime’ – VIDEO

    Djaloshi nga Kosova pushton skenën e American Idol me këngën ‘Oj Kosovë, oj nëna ime’ – VIDEO

    Me emrin artistik Kim, djali nga Kosova ka mahnitë me zërin e tij jurinë e sivjetshme të American Idol, i cili përpos me zërin ata i mahniti edhe me rrëfimin e tij.

    Kim ka treguar se American Idol e përcjellë qysh prej se ka siguruar kompjuterin e tij të parë, dhe se talentin për muzikë e ka të trashëguar nga nëna e tij.

    Tash e gjashtë vjet jeton në Amerikë, duke ndjekë ëndrrën e tij se një ditë do të jetë në American Idol. Dhe pikërisht ky emocion dhe ky rrëfim ka bërë që juria e American Idol ta shtyjë djalin nga Kosova që ta thërras nënën e tij drejtpërdrejtë nga skena e American Idol, të cilën nuk e ka parë tash e gjashtë vjet.

    Përpos që ka përshëndetur nënën e tij, ai ia ka kënduar edhe këngën e famshme “Oj Kosovë, oj nëna ime’, i cili ishte i mbushur në lot.

    Kim ka kaluar fazën e parë të American Idol, duke u vlerësuar si një talent i madh i muzikës, përcjell KultPlus.

  • 10-vjeçari nuk pranoi të vidhte, kërcënohet nga bashkëmoshatarët e tij, tashmë një muaj s’del nga shtëpia

    10-vjeçari nuk pranoi të vidhte, kërcënohet nga bashkëmoshatarët e tij, tashmë një muaj s’del nga shtëpia

    10 vjeçari F.GJ, nxënës i klasës së dytë në shkollën “Selman Riza” në Fushë-Kosovë, ka më shumë se një muaj që nuk po i vijon mësimet.

    Ai thotë se u rrah e u kërcënua nga disa persona të panjohur.

    I mituri nuk pranoi të bëhej pjesë e një vjedhjeje andaj sipas nënës së tij kjo është arsyeja përse djali i saj u rrah disa herë.

    “E kanë thirr disa persona me vjedh në këtë marketin afër ky I ‘u ka thënë nuk guxoj se më bërtet mami, edhe është largua, për disa ditë rresht e kanë përndjek te shkolla e kanë rreth më ka ardhur djali I përgjakur disa herë, e kanë godit me shishe të xhamit, pe njekin me thika, kur e kam parë ashtu më ka rënë të fikët…”, deklaroi Zylhaje Gjenani, nëna e F.Gj.

    Përveç frikës që ndjen sa herë që del nga shtëpia, djaloshi druan se do të mbesë mbrapa edhe në mësime.

    Por, nga drejtoria e shkollës premtojnë se pavarësisht mungesave, 10-vjeçari nuk do të largohet nga regjistri i nxënësve, derisa organet kompetente ta zbardhin rastin.

    Ndërkohë për rastin është e informuar edhe Policia dhe hetimet tashmë kanë filluar.

    “Ju njoftojmë se informata është duke u trajtuar në koordinim me Qendrën për punë sociale. Marrë parasysh se personat e përfshirë janë të mitur dhe ende jemi në fazën fillestare të hetimit, aktualisht nuk mundemi që me ju të ndajnë më shumë detaje”, njoftoi Policia e Kosovës.

    Siç kupton ATV-ja, disa nga të miturit të cilët sulmuan F. Gj vijojnë mësimet në të njëjtën shkollë me 10 –vjeçarin./atvlive.tv/

  • Tash e pesë muaj prej se filluan punimet, ende nuk ka përfunduar ndërtimi i mbikalimit në lagjen Veternik

    Tash e pesë muaj prej se filluan punimet, ende nuk ka përfunduar ndërtimi i mbikalimit në lagjen Veternik

    Punimet për ndërtimin e një në mbikalimi, të nisura që nga viti i kaluar, ende nuk kanë përfunduar si rrjedhojë qytetarët të vetmen mënyrë për të kaluar në anën tjetër të rrugës nacionale Prishtinë – Gjilan e kanë duke kaluar mbi barrierat e vendosura në mes të rrugës.

    Por edhe barrierat janë dëmtuar pjesërisht.

    Megjithatë, punimet nuk pritet të përfundojnë edhe të paktën dy muaj. Kështu i kanë thënë ATV-së nga Ministria e Infrastrukturës.

    Por njohësit e komunikacionit, vlerësojnë se Ministria është duke i zvarritur punimet, sepse një projekt i tillë do të duhej të përfundonte brenda muajit.

    “Është dashtë me u krye shpejt, është konstruksion metalik, nuk merr kohë të gjatë, në përjashtim derisa të forcohen këmbët e betonit, diku për një muaj ish dashtë me u krye krejt puna, sepse është gjysmë fabrikale dhe vetëm vjen e montohet”, deklaroi Bekim Ahmeti, njohës i komunikacionit.

    Për shkak të mungesës së vendkalimeve për këmbësorë, shpesh në këtë pjesë të qytetit ka pasur aksidente kur qytetarët janë goditur nga veturat./atvlive.tv/

  • Regjistrimi i popullsisë në veri, kush refuzon do të gjobitet prej 2 mijë deri në 20 mijë euro

    Regjistrimi i popullsisë në veri, kush refuzon do të gjobitet prej 2 mijë deri në 20 mijë euro

    Regjistrimi i popullsisë në vitin 2011 ishte shtyrë për 19 ditë, meqë komuniteti serb nuk kishte shprehur gatishmëri të bëhej pjesë e procesit. Afati shtesë asokohe, nuk kishte kryer punë, andaj ishte konsideruar se regjistrimi ishte bojkotuar.

    Mirëpo, kësaj radhe, Agjencia e Statistikave shpreson që në këtë pjesë të vendit ta kryejë me sukses, regjistrimin. Për këtë madje veç i ka zgjedhur regjistruesit.

    Regjistrimi i secilit qytetar në të gjitha pjesët e vendit, konsiderohet i domosdoshëm nga njohësit e çështjeve ekonomike, për disa arsye.

    “Duhet të bëhen përpjekje maksimale që të regjistrohen qytetarët e të gjitha komunave. Mosregjistrimi eventual mundëson informalitetin ekonomik. Këto janë të dëmshme për ekonominë”, thotë Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë.

    Megjithatë, anëtarë të shoqërisë civile në pjesën veriore regjistrimin e popullsisë e konsiderojnë si proces të vështirë në këtë territor.

    “Kujtojmë se para 13 vjetësh procesi I regjistrimit ishte komplet i bojkotuar në këtë pjesë. Por, ne ende kemi tension dhe situate tjera që ngjallin pakënaqësinë e banorëve të veriut me Qeverinë. Andaj, do të jetë vërtetë sfiduese dhe nuk duhet të pritet që ata të bëhen pjesë e këtij procesi të ndjeshëm. Nuk e di nëse ka presion nga Beogradi, por vështirë që të zbatohen proceset e Kosovës sidomos tash pas çështjes së dinarit.”, deklaroi Aleksandar Sljuka, anëtar i shoqërisë civile.

    Sidoqoftë, të gjithë ata që eventualisht refuzojnë të evidentohen si banor të shtetit, mund të gjobiten me shuma të majme të parave.

    “Kushdo që refuzon të deklarohet do të dënohet prej 2 mijë deri në 20 mijë…”, tha Ylli Shala, menaxher i projektit për regjistrimin e popullsisë.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë do të fillojë më 5 prill dhe do zgjasë gjithsej 2 muaj. Agjencia e Statistikave ka angazhuar gjithsej 3400 punonjës./atvlive.tv/

  • Mjekë e profesorë, “të painteresuar për deklarim të pasurisë”

    Mjekë e profesorë, “të painteresuar për deklarim të pasurisë”

    Më pak se 100 profesorë universitarë iu përgjigjen thirrjes për deklarim të pasurisë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Përveç 800 profesorëve, janë edhe mbi 1000 mjekë që për herë të parë duhet ta bëjnë deklarimin e pasurisë.

    Megjithatë, vullnet ka pak meqë nga 11 shkurti, vetëm mbi 100 mjekë nga 1000 e përfunduan këtë proces.Sidoqoftë ata kanë edhe disa ditë kohë që ta bëjnë këtë.

    Megjithatë, disa nga profesorët që mbajnë edhe pozita të tjera janë të liruar nga ky detyrim.

    Por hezitimin e profesorëve për ta deklaruar pasurinë,njohës të fushës po e arsyetojnë me mungesë të fushatave vetëdijesuese.

    Nga 1 marsi, deklarimit të pasurisë do t’i nënshtrohen zyrtarë të tjerë publikë, të cilët kanë kohë deri më 31 mars./atvlive.tv/

     

  • Ndonëse kaloi një vit që nga miratimi i Ligjit për Paga në sektorin publik, zyrtarët nuk morën shtesat e premtuara

    Ndonëse kaloi një vit që nga miratimi i Ligjit për Paga në sektorin publik, zyrtarët nuk morën shtesat e premtuara

    Shtesat e premtuara nuk i morën asnjëherë.

    Tash e një vit zyrtarët publikë vazhdojnë të jenë pa shtesa, të cilat u premtuan se do t’i marrin pas miratimit të Ligjit për Paga në sektorin publik.

    Sipas Ali Sefajt nga Sindikata e shërbyesve civilë, ekzekutim i shtesave në veçanti asaj të tregut duhet të bëhet sa më parë pasi ndryshe paralajmëron ikje të punëtorëve.

    Por, edhe pse me 10 muaj vonesë, shtesat i morën pjesëtarët e Policisë ndonëse sipas Kryetarit të Sindikatës shuma e ndarë është e vogël ndërkaq shtesa për rrezikshmëri, e padefinuar.

    Andaj sipas Imer Zeqirit, kjo do të jetë njëra prej kërkesave në takim e së hënës që do ta mbajnë në Ministrin e Punëve të Brendshme.

    Pas miratimi të ligjit për paga më 5 shkurt të viti të kaluar, punëtorëve të sektorit publik iu premtua se shtesat në pagat do t’i marrin në formë retroaktive./atvlive.tv/

  • Dy investime kapitale në vlerë rreth 90 milionë euro të parapara të kryhen këtë vit në Kosova B janë shtyrë

    Dy investime kapitale në vlerë rreth 90 milionë euro të parapara të kryhen këtë vit në Kosova B janë shtyrë

    Investimet kapitale vlerë të përgjithshme afër 200 milionë euro, të parapara për këtë vit, në termocentralet Kosova A dhe B do të vonohen, përkatësisht shtyhen.

    Projekti për reduktimin e ndotjes, përmes fondeve të BE-së në vlerë 38.5 milionë euro, si dhe ai për modernizimin e turbinave, përmes kontratës në vlerë 56 milionë euro – me General Electric, nuk do të nisin para vitit 2025.

    Shtyrja e realizimit investimeve nuk ndërlidhet me masat ndëshkuese të BE-së.

    “Kontrata për masat për reduktimin e pluhurit dhe oksideve të azotit, në Termocentralin Kosova B tashmë është duke u realizuar, prandaj ajo nuk ndikohet nga masat e BE-së. Masat e BE-së ndikojnë vetëm projektet e reja për të cilat procesi i prokurimit dhe kontraktimit është pezulluar”, thuhet nga Zyra e BE-së në Prishtinë.

    Edhe pse, sipas Ministres së Ekonomisë, KEK-u dhe General Electric janë gati për investime në Kosovën B, shtyrja është e pashmangshme.

    “Për shkak të vonesave në zinxhirin e furnizimit në tregjet globale aktualisht, konsorciumi dhe disa çështje të brendshme të konsorciumit të kontraktuar nga BE-ja, na është komunikuar se konsorciumi nuk mund ta  realizojë projektin gjatë vitit 2024, siç ka qenë e planifikuar. Kjo do të thotë që përveç atij projekti, duhet të shtyhet detyrimisht edhe ky i modernizimit dhe të tjerat, në mënyrë që mos të i ndalim blloqet dy herë’, deklaroi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Vonesa pritet të ketë në investimin për rehabilitimin e thellë të njësisë prodhuese A5, në vlerë 105 milionë euro, pasi ende nuk është shpallur tenderi.

    Krahas vlerësimit se vonesat në investime cenojnë sigurinë e furnizimit, eksperti i energjisë Naim Bujupi tha se punët duhet të nisin më së largu në Maj.

    “Procedurat e prokurimit sigurisht ishte dashtë të fillojnë qysh vitin e kaluar dhe tashmë të ishte dashtë të përfundojnë procedurat e prokurimit dhe kompania e përzgjedhur të fillojë menjëherë me remontet kapitale”, tha Bujupi.

    Me investimet në modernizimin e turbinave parashihet që kapaciteti prodhues i TC Kosova B të rritet për 30 megavat orë.

    Ndërsa, me investimet në vlerë 105 milionë euro, parashihet që kapaciteti prodhues i njësisë A5 të rritet për 50 megavatë orë, nga 130 në 180 megavat orë./atvlive.tv/

  • Arrestohen në Prishtinë tre të dyshuar për shitblerje të narkotikëve

    Arrestohen në Prishtinë tre të dyshuar për shitblerje të narkotikëve

    Policia njoftoi se ka arrestuar tre persona në Prishtinë për trafikim me substanca narkotike.

    Sipas njoftimit, të dyshuarit janë kapur gjatë shitblerjes së narkotikëve.

    “Nga njësiti i DHTN-së janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit janë kapur gjatë shit-blerjes së substancave narkotike”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar 782 gramë substance narkotike e llojit marihuanë, një peshore dhe 942.5 euro.

  • Katër të vrarë dhe tetë të plagosur në Odesa nga një sulm rus me dron

    Katër të vrarë dhe tetë të plagosur në Odesa nga një sulm rus me dron

    Të paktën 4 persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën sot pasi një dron rus u rrëzua një bllok apartamentesh në qytetin port në jug të Ukrainës, Odesa.

    Zyrtarët në Odesa thanë se një person u nxor i gjallë nga rrënojat e një prej ndërtesave.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha në një postim në rrjetin social Telegram se nga rrëzimi i dronit ishin shkatërruar 18 apartamente.

    “Rusia vazhdon sulmet ndaj civilëve. Një dron armik goditi një ndërtesë banimi në Odesa”, shkroi ai.

    Zelenskyy njoftoi të premten se kishte firmosur një marrëveshje në fushën e sigurisë me kryeministrin holandez Mark Rutte, që do të bëjë të mundur një ndihmë ushtarake prej 2.2 miliardë dollarësh gjatë këtij viti.

    Presidenti ukrainas njoftoi hollësi mbi planin, pasi dy udhëheqësit u takuan dhe mbajtën bisedime në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës që është vazhdimisht në shënjestër të sulmeve nga Rusia.

    “Marrëveshja mundëson një ndihmë ushtarake prej 2 miliardë eurosh nga Holanda, gjatë këtij viti si edhe ndihmë në fushën e mbrojtjes gjatë 10 viteve në vazhdim”, shkroi Zelenskyy.

    Ukraina paralajmëroi muajin e kaluar se kishte marrë më pak se 1/ 3 e 1 milion predhave të artilerisë që Bashkimi Evropian ishte zotuar se do t’i ofronte dhe se vendi po përballej me vështirësi për t’u mbrojtur.

    Ukraina tërhoqi trupat nga qytetit lindor Avdiivka në muajin shkurt mes vështirësive për të siguruar municione, duke i mundësuar Moskës një fitore të madhe në territor pas më shumë se 1 viti.

    Presidenti Zelenskyy postoi në rrjetin social X video ku ai dhe kryeministri holandez dukeshin duke vizituar qytetin e Kharkivit, përfshirë disa prej 20 mijë ndërtesave që sipas presidentit ukrainas janë shkatërruar si pasojë e sulmeve ruse./VOA