ATV

Blog

  • Kryeministri Kurti udhëton për në Itali, merr pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropian

    Kryeministri Kurti udhëton për në Itali, merr pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropian

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Romë të Italisë, ku do të mbahet Kongresi i Partisë së Socialistëve Evropian (PES), i përqendruar rreth zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit 2024.

    Aty, kryeministri Kurti do të takohet me kryetarë të partive simotra anëtare të PES-it, me kandidatë të rinj, si dhe me anëtarë të sotëm të grupit të Parlamentit evropianë Socialistë & Demokratë (PES).

  • Kriptomonedhat, drejt një revolucioni në sistemin financiar tradicional

    Kriptomonedhat, drejt një revolucioni në sistemin financiar tradicional

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Nëse ka një element që të gjithë shkencëtarët janë dakord, është fakti se paraja luan rolin vendimtar të zhvillimit të një tregu, nga lashtësia e deri më sot. Forma e saj ka evoluar me kalimin e kohës, nga gjendja primitive (lëndët e para, produktet bujqësore ose artizanale) në monedha metalike të bazuara në metale të çmuara, në kartë monedha dhe në fund paraja bankare (e quajtur edhe paraja skripturale si depozitat, çeqet, transfertat, etj.). Kohët ndryshojnë. Format e parasë evolojnë. Sot, në kohët moderne, ku zhvillimet teknologjike dhe digjitale janë marramendëse, paraja është kryesisht e dematerializuar dhe ku paraja letër përbën vetëm një pjesë të vogël të ofertës monetare. Një shumëllojshmëri monedhash përdoren në mbarë botën ku krijimi dhe emetimi i tyre kontrollohen dhe rregullohen nga shteti ose institucioni që ushtron autoritetin e tij në zonën e përcaktuar (Banka Qendrore). Këto monedha këmbehen me njëra-tjetrën në kuadër të sistemit monetar ndërkombëtar. Por lindja ekriptomonedhave duket se ka tronditur universin monetar që nga ardhja e Bitcoin-it në vitin 2009. Kjo monedhë digjitale, e krijuar nga një person (ose grup njerëzish) të quajtur “Satoshi Nakamoto”, së bashku me fintech dhe pagesat dixhitale, kanë shënuar një zhvillim të ri, revolucionar, që po i çojnë drejt “fundit financat tradicionale. Ndryshe nga monedhat e zakonshme të emetuara nga vendet e ndryshme, kriptomonedhat përfaqësojnë një monedhë të decentralizuar që funksionon falë teknologjive inovative kompjuterike. Mospasja nevojë për Bankat Qendrore, “duket si një revolucion demokratik”. Që nga krijimi i Bitcoin, kriptomonedha të tjera kanë pushtuar universin monetar si Ethereum, USDT, Ripple, Litecoin, etj. Atopo përdoren nga shumë njerëz anembanë botës për shkak të lirisë financiare dhe anonimitetit që këto kriptomonedha iu krijojnë, duke ofruar kështu dallime të dukshme në krahasim me sistemet tradicionale bankare.

    TEKNOLOGJIA KRIPTOGRAFIKE DHE PARAJA E MATERIALIZUAR

    Siç ka filluar të njihet dhe të përdoret, kriptomonedhat bazohen në konceptet e Blockchain dhe kriptografisë. Nëse një përdorues dëshiron të dërgojë Bitcoin te një përdorues tjetër, ai krijon një transaksion. Për të garantuar autenticitetin dhe integritetin e këtij transaksioni, përdoruesi e nënshkruan atë në mënyrë elektronike duke përdorur çelësat kriptografikë që ai mban. Ky transaksion i vërtetuar më pas transformohet në një bllok, në mënyrë që ta shtojë atë në Blockchain. Një Blockchain është si një bazë të dhënash rebele dhe e decentralizuar që ruan në mënyrë të sigurt çdo ngjarje që ndodh atje, pra në rastin tonë, transaksionet me Bitcoin. Pasi të krijohet ky bllok transaksioni, ai transmetohet më pas në rrjetin e decentralizuar të “minatorëve” (në anglisht “Miners” ose më konkretisht të kujdestarëve të rrjetit), të cilët konkurrojnë me njëri-tjetrin për të zgjidhur një problem matematikor, i cili zakonisht quhet “prova e punës”. Ky proces garanton vlefshmërinë e transaksionit. Minatori që zgjidh problemin i pari, ndan rezultatin e tij me minatorët e tjerë. Pasi shumica e minatorëve bien dakord me zgjidhjen, blloku i transaksionit verifikohet dhe më pas shtohet në zinxhirin e bllokut. Ky Blockchain i ri shpërndahet më pas në të gjithë rrjetin. Pasi një transaksion regjistrohet në zinxhir, modifikimi i tij është sfidues. Për të bërë një metaforë alegorike, do të ishte sikur të përpiqesh të shuash diellin me një pistoletë uji. Kjo është për shkak të përdorimit të funksioneve të gjurmëve kriptografike dhe faktit që çdo bllok i ri është i lidhur në mënyrë të sigurt me blloqet e mëparshme. Është sikur çdo transaksion të kishte një targë unike, e cila redukton rrezikun e mashtrimit. Në disa vende të botës, kriptomonedhat po bëhen të zakonshme. Mund të përmendet si shteti i parë në botë El Salvadori, i cili vendosi në vitin 2021 të miratojë Bitcoin si mjet ligjor. Një vendim që shkaktoi sa duartrokitje aq edhe frikë. Megjithatë, dy vjet më vonë, përdorimi i kufizuar i tij nga popullsia lokale dhe natyra e tij e paqëndrueshme (Bitcoin humbi më shumë se 65% të vlerës së tij midis janarit dhe dhjetorit 2022) hodhi një sy pesimist mbi këtë vendim. El Salvadori nuk është i vetmi vend që ka flirtuar me këtë ide, pasi mund të përmendet edhe Republika e Afrikës Qendrore që miratoi gjithashtu Bitcoin si mjet ligjor në prill 2022, vetëm për t’u tërhequr një vit më vonë. Shumë vende të tjera, veçanërisht brenda Bashkimit Europian, kanë legalizuar përdorimin e Bitcoin pa e bërë atë si devizë ligjore. Kriptomonedhat kanë gjithashtu një anë të errët. Pavarësisht nga përdorimet e tyre legjitime, ato shfrytëzohen për aktivitete të ndryshme të paligjshme për shkak të karakteristikave të tyre unike si anonimiteti. Transaksionet në kriptomonedha, megjithëse të regjistruara publikisht, fshihen pas adresave të portofolit që duken më shumë si një varg karakteresh alfanumerike sesa një identitet njerëzor. Mjafton të thuhet se identifikimi i pronarit të tyre të vërtetë është një utopi. Individë të ndryshëm mund të lëvizin fondet e tyre midis shteteve pa kaluar kurrë doganën në institucionet tradicionale financiare. Disa studiues shkencorë pohojnë madje se tregjet Darknet favorizojnë kriptomonedhat, veçanërisht Bitcoin, Monero dhe USDT. Disa studiues të tjerë pohojnë për mashtrime të ndryshme si mashtrimet Ponzi, ku individë ose organizata të ndryshme joshin viktimat e tyre me premtimin e kthimeve të larta në kriptomonedha, ndërsa përdorin investimet e pjesëmarrësve të rinj për të shlyer të vjetrat, derisa ata/ato të arratisen me fondet, duke lënë shumë viktima me humbje (mund të përmendet rasti “OneCoin” në vitin 2017si shembulli më ilustrues).

    SISTEMI FINANCIAR (MONETAR) TRADICIONAL NË SFIDË ME TË ARDHMEN

    Për shekuj me radhë, besimi ka luajtur një rol vendimtar në pranimin e parasë si mjet këmbimi. Kjo sepse besushmëria dhe paraja janë të lidhura në mënyrë shumë të ngushtë gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Qeveritë dhe institucionet financiare po punojnë vazhdimisht për të ruajtur këtë besim. Megjithatë, krizat ekonomike shpesh kanë shkaktuar kriza monetare, ku humbja e besimit rrjedh nga paaftësia e monedhës për të ruajtur bazat e saj ekonomike. Me fjalë të tjera, besimi në monedhë është i brishtë dhe një dështim mund të çojë në pasoja katastrofike për ekonominë dhe shoqërinë në tërësi. Sistemi aktual monetar mbështetet në një grup vendimmarrësish që kanë diskrecionin për të vendosur politikën monetare. Qeveritë mund të përdorin masa ekstreme për të mbajtur ekonomitë e tyre në këmbë, të tilla si krijimi i parave nëpërmjet shtypjes së parave, duke çuar në një rritje të sasisë së parave në qarkullim. Pasojat e vendimeve të tilla janë të dukshme në përkeqësimin e bankave komerciale, duke përfshirë falimentimin e bankës amerikane Silicon Valley Bank vitin e kaluar. Sidoqoftë, asetet e kriptomonedhave kanë sfiduar rrënjësisht këtë operacion të centralizuar, duke ofruar një formë ekuivalente, apo edhe epërore nëse mund të quhet si e tillë, atë të besimit digjital. Kjo, sepse besimi dhe pranimi nga të gjithë i një monedhe është baza e ekzistencës së saj. Prandaj dhe kriptomonedhat si Bitcoin, shihen shpesh si “pionierët e një revolucioni monetar”. Besimi, pra, mbetet një aspekt thelbësor i çdo monedhe. Në ekonomitë e zhvilluara, monedhat e emetuara nga Bankat Qendrore, si Euro, Dollari apo Yuan-i, përfitojnë nga një nivel pothuajse absolut i besimit të popullatës për shkak të qëndrueshmërisë, besueshmërisë dhe stabilitetit të institucioneve që i mbështesin ato. Megjithatë, në vendet ku besimi në monedhat kombëtare është dobësuar, siç ilustrohet nga rënia drastike e dollarit të Zimbabve ose bolivarit venezuelian, adoptimi i kriptomonedhave përfaqëson një fije shprese për qytetarët që dëshirojnë t’i shpëtojnë inflacionit. Bitcoin në veçanti ofron një alternativë revolucionare. Ai i jep fund detyrimit për të përdorur një monedhë specifike në çdo vend të caktuar. Bitcoin i heq këto barriera, megjithëse ka ende një rrugë për të bërë për adoptim dhe përdorim të gjerë. Kjo vënie në pikëpyetje e sovranitetit monetar dhe rolit të institucioneve tradicionale është një realitet që qeveritë dhe institucionet financiare nuk mund ta injorojnë më. Popullariteti në rritje i kriptomonedhave ngre pyetje në lidhje me të ardhmen e këtij sovraniteti. Shtetet më të zgjuara kanë filluar të rishqyrtojnë sistemet e tyre monetare, ndërsa të tjerët po punojnë në monedhat digjitale të emetuara nga Bankat Qendrore. Kina ishte një hap para të gjithëve me lançimin e Yuan-it të saj digjital. Këto nisma tronditin normat e vendosura dhe paraqesin sfida të mëdha për modelet tradicionale monetare. Përballë kësaj gare të furishme drejt kriptomonedhave, shtetet dhe institucionet bankare duket se ndjejnë një shqetësim të caktuar.

    NJOHJA E BITCOIN NGA KOMISIONI AMERIKAN I LETRAVE ME VLERË DHE I SHKËMBIMEVE

    Autoriteti amerikan i tregjeve “Securities and Exchange Commission” (SEC), ose shqip Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve i dha dritën jeshile ETF Bitcoin spot në 10 janar të këtij viti (2024) të saponisur. Një datë që do të mbetet e gdhendur në historinë kriptomonedhës, e cila pas vetëm pesëmbëdhjetë vitesh ekzistence, është quajtur nga Uashingtoni dhe institucionet financiare amerikane si një aset më vete. Produkti i autorizuar ETF (Exchange Traded Fund), ose shqip Fond i Tregtuar në Shkëmbim, është një fond indeksues që u mundëson investitorëve të përfitojnë nga zhvillimet në Bitcoin pa i investuar drejtpërdrejt paratë e tyre në monedhën digjitale. Konkretisht, ata blejnë aksione të fondit, të cilat mund t’i rishesin në çdo kohë. Vlera e aktiveve të tyre mbetet e shprehur në dollarë, kurse asetet e fondit vendosen në kriptovaluta. Një Bitcoin ETF spot mbështetet nga Bitcoin fizik që mbështesin vlerën e ETF. Nëse vlera e monedhave digjitale që mbështesin ETF rritet, vlera e investimit në përgjithësi mund të pritet të rritet. Me fjalë të thjeshta, nëse çmimi i Bitcoin rritet, investimi rritet gjithashtu. Kur investoni në një ETF, ju merrni një paketë aktivesh që mund t’i blini dhe shisni gjatë orëve të tregut – duke ulur potencialisht rrezikun dhe ekspozimin tuaj, pra duke ndihmuar në diversifikimin e portofolit tuaj. Të lançuara në fillim të viteve 1990, ETF-të u popullarizuan në fillim të viteve 2000, duke tërhequr me thjeshtësinë e tyre, e cila ofron mundësinë e gjurmimit të performancës së arit, naftës, një indeksi aksionesh ose një sektori industrial. Deri më tani, blerja e Bitcoin kërkonte adoptimin e një portofoli digjital ose hapjen e një llogarie në një platformë tregtare kriptomonedhash si Coinbase ose Binance. Ky vendim do të lejojë miliona individë amerikanë dhe fondet e pensioneve të kenë akses më të lehtë në kriptovalutat nëpërmjet ETF. Duket se pranimi i ETF Bitcoin spot është një pikë kthese për asetet digjitale dhe sinjalizon një lëvizje drejt adoptimit dhe legjitimitetit financiar digjital në të ardhmen. Megjithëse ky miratim pritej prej disa muajsh, çmimi i Bitcoin është rritur rreth 70% që nga tetori, me investitorët që spekulojnë se përdorimi i gjerë i ETF-ve Bitcoin do të rriste kërkesën për kriptomonedhën. Ndërsa çmimi kishte rënë në 16,000 dollarë në nëntor 2022 pas falimentimit të shkëmbimit të kriptomonedhave FTX, ai po tregtohej me 46,500 dollarë në orët pas njoftimit të 10 janarit 2024. Edhe nëse Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve merr një qasje shumë të kujdesshme, ETF-të mund të ndihmojnë në stabilizimin e çmimeve të kriptomonedhave duke zgjeruar përdorimin e tyre dhe audiencën e mundshme.

    EKONOMIA DHE FINANCAT TRADICIONALE PËRBALLË SFIDAVE TË ARKITEKTURËS SË RE FINANCIARE TË SË ARDHMES

    Bitcoin ka potencialin të prishë infrastrukturën aktuale financiare falë sistemit të tij të decentralizuar që eliminon ndërmjetësit tradicionalë. Kjo lejon çdo përdorues që drejton një nyje të plotë për t’u bërë palë e interesuar në procesin e transaksionit, duke shpërndarë fuqi për të gjithë. Transfertat e fondeve në rrjetin Bitcoin bëhen drejtpërdrejt ndërmjet dy palëve, pa kërkuar ndërhyrjen e ndërmjetësve për menaxhimin dhe shpërndarjen e monedhës. Për më tepër, zinxhiri i besimit tani bazohet në një ndërtim algoritmik brenda rrjetit Bitcoin. Çdo transaksion duhet të miratohet nga të gjitha nyjat e plota në rrjet për t’u vërtetuar. Si rezultat, një gabim ose mosmarrëveshje e vetme mund të rezultojë në refuzimin e transaksionit, duke rritur kështu sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit. Teorikisht, riorganizimi i operacioneve midis individëve dhe aktorëve ekonomikë në blockchain-in e Bitcoin mund të riorganizojë infrastrukturën aktuale financiare. Në të vërtetë, ky konfigurim i ri i decentralizuar bën të mundur që të bëhet pa qeveritë dhe ndërmjetësit e tyre për menaxhimin dhe rregullimin e politikës ekonomike. Fuqia për të rritur ose ulur ofertën monetare nuk i besohet më një autoriteti të vetëm ose grupi autoritetesh, por është në duart e çdo individi në rrjet. Rritja e kriptomonedhave ka ndezur debate dhe polemika të nxehta, duke sfiduar rolet tradicionale të parasë dhe duke minuar modelin e centralizuar ekonomik. Megjithëse paqëndrueshmëria e Bitcoin u pasua nga kritika të forta fillestare, suksesi i saj në rritje si njësi llogarie, instrument pagese dhe gardiane vlere i kanë bërë kritikët të heshtin. Kriptomonedhat ofrojnë një alternativë revolucionare ndaj monedhës tradicionale dhe mund të ofrojnë një fije shprese për qytetarët e vendeve që vuajnë nga inflacioni dhe humbja e besimit në monedhat e tyre kombëtare. Revolucioni është duke u zhvilluar dhe Bitcoin dhe kriptomonedhat mund të tronditin themelet e infrastrukturës financiare tradicionale, siç e njohim ne. A ka ardhur koha për të përqafuar këto sfida dhe për të eksploruar mundësitë që ato ofrojnë për një menaxhim financiar më të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë? Tashmë që po bëhen 80 vite nga krijimi i sistemit monetar ndërkombëtar, i institucioneve të tij, Fondit Monetar Ndërkombëtar e Bankës Botërore, a do të përfshjinë këtë revolucion në arkitekturën e re financiare të tyre të së ardhmes? Le të presim e të shikojmë se si do të zhvillohet ky revolucion.

  • Brenda 24 orëve, Policia e Kosovës shqiptoi mbi dy mijë gjoba në trafik

    Brenda 24 orëve, Policia e Kosovës shqiptoi mbi dy mijë gjoba në trafik

    Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 2 mijë e 14 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 23 kanë qenë me lëndime, ndërsa 43 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 14 persona, ndërkaq 6 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Këto janë frutat që ndikojnë në shkrirjen e dhjamit

    Këto janë frutat që ndikojnë në shkrirjen e dhjamit

    Kur është fjala te humbja e peshës, ushqimi të cilin e konsumojmë është po aq i rëndësishëm sa ai që nuk duhet ta konsumojmë.

    Tanimë dihet se konsumimi i frutave është një mënyrë e shkëlqyeshme për të humbur peshë dhe për të djegur yndyrë.

    Frutat përmbajnë një sasi të ulët të kalorive dhe në të njëjtën kohë përmbajnë një numër të madh të vlerave ushqyese.

    Sipas Food World Blog, disa fruta të cilët ndikojnë në humbjen e peshës si dhe shkrirjen e yndyrës janë:

    Mollët– kanë një sasi të lartë të fibrave, vitaminave dhe mineraleve. Njëkohësisht ndikojnë shumë në shkrirjen e dhjamit.

    Kajsitë – Këto fruta përmbajnë shumë fibra, të cilat e bëjnë thithjen e yndyrës së tepërt në organizëm.

    Avokado – Prania e acideve yndyrore, që janë të kategorizuara si yndyra të mira, ndikojnë në procesimin dhe konvertimin e yndyrës në energji.

    Bananet – janë shumë të mira në humbjen e peshës, për shkak se bëjnë të ndihesh i ngopur nga përmbajtja e magnezit dhe disa përbërësve të tjerë ushqyes.

    Boronicat– krahas efekteve pozitive që këto fruta i kanë për shëndetin, ato ndikojnë gjithashtu edhe në humbjen e peshës dhe përmirësimin e procesit të metabolizmit.

    Pjepri – përmban shumë agjentë antiinflamatorë, të cilët e mundësojnë yndyrën të shkrihet më lehtë.

    Limoni– tanimë është i njohur për ndikimin e tij në shkrirjen e dhjamit. Limoni me ujë, është një nga pijet më të preferuara nga nutricionistët për humbje të peshës.

    Disa fruta të tjerë që kanë veti “magjike” në shkrirjen e dhjamit janë: nektarinat, dardhat, shegat, shalqiri, si dhe kumbullat.

  • Murati: Mbi 61 mijë familje përfituan subvencionim të faturave të energjisë

    Murati: Mbi 61 mijë familje përfituan subvencionim të faturave të energjisë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se edhe gjatë këtij muaji po vazhdon subvencionimi i energjisë elektrike në kuadër të pilotimit të programit për mbështetjen e familjeve të cenueshme.

    “Mbi 61 mijë familje që kanë përmbushur kriteret kanë përfituar në kuadër të të dyja grupeve përfituese. Programi mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian, në kuadër të pakos mbështetëse për tejkalimin e krizës energjetike”, shkroi Murati në ‘Facebook’.

  • ​1 vit nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, sfidë zbatimi i saj

    ​1 vit nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, sfidë zbatimi i saj

    Një vit pas arritjes së Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, implementimi i saj po vazhdon të shihet si vështirë i arritshëm. Njohësit e procesit të dialogut, thonë se ky proces ka hyrë në një ngërç të ri, derisa kritikojnë ndërmjetësit se nuk kanë qasje serioze në dialog. Sipas tyre, pavarësisht miratimit të rezolutës së Parlamentit Evropian, ku kërkohet dinamikë dhe qasje e re në dialog, zbatimi i ujdisë së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, nuk pritet të ndodh gjatë këtij viti, duke marrë parasysh edhe zgjedhjet në Bashkimin Evropian.

    Politologu, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress, se Bashkimi Evropian ka hyrë në një qorrsokak dhe nuk po ka një qëllim si të shkohet tutje në dialog. Megjithatë, ai thekson se Kosova duhet të avancojë në integrimet evropiane, ku forma më e mirë është që jetëson këtë marrëveshje dhe të thyhet izolimi ndërkombëtar i vendit.

    “Vështirë të shohim implementimin e marrëveshjes së Brukselit, respektivisht aneksit të Ohrit. Palët janë të fortifikuara në qëndrimet fillestare, pavarësisht çka ka ndodhur pas asaj marrëveshje, unë mendoj se palët nuk janë të gatshme. Kosova po kërkon sekuencimin, Beogradi po kërkon diçka tjetër, ndërkaq BE-ja, është në mes të këtij zjarri pa një qëllim sesi të shkohet tutje. Mendoj se duhet të thyhet izolimi i Kosovës. Kosova duhet të avancohet tutje në integrime dhe besoj se kjo do të ishte forma më e mirë që kjo marrëveshje të jetësohet dhe të thyhet komplet izolimi. Në këtë formë mund të ketë një ecje përpara të dialogut, pasi përndryshe e shoh shumë të cunguar, të kufizuar dhe pa ndonjë qasje serioze”, thekson ai.

    Skeptik për zbatimin e ujdive të Brukselit dhe të Ohrit është analisti politik, Arbnor Sadiku, i cili thotë se e njëjta do të implementohet vetëm pas zgjedhjeve në BE, madje sipas tij, edhe pas zgjedhjeve në Kosovë.

    “Miratimi i rezolutës nga ana e Parlamentit Evropian për Kosovën është një ultimatum që të zbatohet dialogu i Brukselit dhe të njëjtën kohë të kemi një implementim të shpejtë të marrëveshjes bazë. Sa i përket implementimit të kësaj marrëveshje konsideroj se kjo nuk mund të implementohet jo vetëm pas zgjedhjeve që do të mbahen në BE, por edhe pas zgjedhjeve që do të mbahen në Kosovë, pasi dihet se ky është vit zgjedhor dhe praktikisht deri në viti 2025 s’do të ketë zbatim të marrëveshjes”, deklaron Sadiku.

    Në anën tjetër, politologu, Arifi konsideron se si mundësi për të pasur diçka konkrete në dialog është fundi i muajit mars. Siç thotë ai, nëse deri në këtë periudhë nuk ka diçka konkrete, sidomos në themelimin e Asociacionit, do të jetë e pamundur të zbatohet marrëveshja gjatë këtij viti.

    “Deri në fund të marsit nëse s’ka lëvizje me draft-statutin s’do të ketë këtë vit (zbatim) të marrëveshjes. Koha është aq shumë e kufizuar dhe për implementuar diçka, saqë e shoh të pamundur, duke ditur se që nga fundi i marsit të gjitha institucionet e BE-së janë në zgjedhje apo rizgjedhje, pasi në qershor janë zgjedhjet për parlament, pastaj derivon komisioni dhe kështu me radhë. Kështu që e shoh të pamundur që të realizohet diçka në këtë afat kohor”, thotë ai.

    Parlamenti Evropian më 29 shkurt ka miratuar një rezolutë me të cilën kërkon qasje të re në procesin e dialogut dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

  • Hovenier: Puna e prokurorëve është jetike për të ardhmen e Kosovës

    Hovenier: Puna e prokurorëve është jetike për të ardhmen e Kosovës

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffery Hovenier në konferencën vjetore të Prokurorit të Shtetit, tha se puna e prokurorëve është jetike për të ardhmen e Kosovës dhe roli i prokurorisë ka peshë e ndikim të konsiderueshëm për atë se kush jep llogari dhe kush përfiton kompensim sipas ligjit si në ShBA, po ashtu edhe në Kosovë.

    “Pushteti, ndikimi dhe autoriteti që keni, gjithashtu sjellë edhe një përgjegjësi të madhe për të kërkuar drejtësi në bazë të ligjit dhe jo në bazë të interesave të ndonjë grupi, apo qeverive të caktuara”, tha diplomati amerikan.

    Ambasadori Hovenier ka vlerësuar të arriturat e sistemit prokurorial në Kosovë. Ai ka kërkuar që prokurorët të ruajnë pavarësinë e tyre.

    Kurse shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, tha se prokuroria është gurthemeli i një demokracie funksionale. Ai tha se pavarësia e prokurorisë është e panegociueshme.

  • Prokurori i Shtetit i pranoi mbi 52 mijë raste në vitin 2023, i përfundoi mbi 41 mijë

    Prokurori i Shtetit i pranoi mbi 52 mijë raste në vitin 2023, i përfundoi mbi 41 mijë

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se viti 2023 ishte me sfida. Ai bëri me dije se ky institucion i drejtësisë ka pranuar 52 mijë e 93 raste, ndërsa janë përfunduar 41 mijë e 973, raporton Ekonomia Online.

    Në konferencën vjetore të organizuar nga Prokurori i Shtetit, Kelmendi ka thënë se gjatë kësaj kohe në nivelin e korrupsionit kanë përfunduar 920 raste.

    “Viti i kaluar ishte një vit sfidash por konsideroj mjaft edhe efikas për institucionin e prokurorit të shtetit gjatë vitit 2023. Institucioni i Prokurorit të shtetit ka punuar ose ka pranuar në punë 52 mijë e 93 raste nga të cilat ka përfunduar 41 mijë e 973 raste. Bazuar në raportet kredibile ndërkombëtare, në vitin 2023 Kosova ka shënuar rezultate të konsiderueshme në fushën e sundimit të ligjit. Andaj këto suksese janë argumenti më i mirë se edhe zyrtarët që vazhdimisht që kritikojnë punën e Prokurorit të Shtetit, i pranojnë rezultatet dhe sukseset e punës tonë”, u shpreh Krasniqi,

    “Ne duhet të jemi më proaktiv sa i përket rasteve të korrupsionit, sidomos të korrupsionit të nivelit të lartë, sepse për shoqërinë janë shumë të mëdha. Korrupsioni pamundëson integrimin euroatlantik të Kosovës, dobëson besimin e qytetarëve në vendimmarrje dhe dëmton gjithë sektorin e jetës, përfshirë edhe investimet e huaja”, ka deklaruar Kelmendi.

  • Kryeministri Kurti tregon për vizitat në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Irlandë

    Kryeministri Kurti tregon për vizitat në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Irlandë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë javë ishte në vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar e në Iralndë.

    Ai përmes një postimi ka përmbledhur një nga një takimet, bisedimet dhe arritjet që u bënë në këto vizita.

    Kurti tha se në Dublin u takua me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar dhe ministrin e shtetit për Çështje Evropiane, Peter Burke për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe në Londër u nënshkrua me BERZh-in memorandum mirëkuptimi me vlerë 400 milionë euro për të mbështetur zbatimin e projekteve për zhvillimin e sektorëve prioritarë.

    “Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda ishin destinacionet e radhës të vizitave tona zyrtare. Vizitën që e nisëm në Londër e përmbyllëm në Dublin, ku ishte kënaqësi të kthehem pas 20 vjetëve. Aty fillimisht u mirëpritëm ngrohtësisht nga diaspora jonë në Irlandë, të cilët i falënderoj për mikpritjen dhe bashkëbisedimin. Të nesërmen u mirëpritëm nga Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, ministri i shtetit për Çështje Evropiane, Peter Burke, për takime bilaterale që thellojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona dhe vizituam Universitetin e Qytetit të Dublinit (DUC) për mundësi të reja të bashkëpunimit”, shkroi Kurti.

    “Ndërkaq në Londër, i shoqëruar dhe nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ishim pjesëmarrës në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024. Në panelin diskutimi mes krerëve të gjashtë shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, folëm për mundësitë investuese në rajon dhe format për zhvillimin dhe progresin e Ballkanit Perëndimor. E në kuadër të këtij samiti, nënshkruam me BERZh-in memorandum mirëkuptimi me vlerë 400 milionë euro për të mbështetur zbatimin e projekteve për zhvillimin e sektorëve prioritarë, dëshmi kjo e përkushtimit, maturisë e punës sonë të vazhdueshme në thithjen e fondeve nga institucione ndërkombëtare financiare”.

    Më tutje Kurti tregoi se në Londër u mirëprit po ashtu nga dashamirë e aleatë të Kosovës.

    “Në fundjavë, patëm pritjen zyrtare me rastin e shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të organizuar nga ambasada jonë në Londër ku të ftuar e të ftuar e të pranishëm ishin dashamirë e aleatë të shtetit tonë. Kurse në fillim të javës, u mblodhëm bashkë me Miqtë Laburistë të Kosovës, nismë kjo që do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Të pranishëm ishin dhe baronesha Catherine Ashton, deputetët Laburistë David Lammy, Christian Ëakeford, Stephen Doughty, Luke Pollard, Nia Griffith, Ëayne David, Dan Jarvis, Shabana Mahmood, Liz Tëist, Gill Furniss, Anneliese Dodds e cila është edhe Sekretare në Hije e Shtetit për Gratë dhe Barazitë, si dhe ish-sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson”.

    E në Irlandë ai u takua me përfaqësues të lartë të vendit si dhe ligjëroi në Queen’s University ku dhe ishte i ftuar pikërisht për këtë çështje.

    “Nga Londra, shkuam në Belfastin historik. Zhvilluam takime me Ministren e Parë të Irlandës Veriore, Michelle O’Neill dhe zëvendësministren e Parë, Emma Little-Pengelly, Kryetarin e Parlamentit, Edëin Poots, liderin e opozitës, socialdemokratin Mattheë O’Toole dhe Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris. Bisedat të cilat i patëm me ta ishin inkurajuese dhe pozitive. U njohëm më mirë me përvojat dhe përjetimet e tyre nga historiku i Irlandës Veriore, por edhe ndamë me ta atë se çfarë Kosova përfaqëson, si shtet demokratik, me orientim të qartë pro-perëndimor e politika dhe objektiva progresiste, gjithëpërfshirëse e zhvillimore. Theksuam edhe rëndësinë e thyerjes së barrierave mes komuniteteve dhe nevojën për ballafaqimin me të kaluarën dhe kontributin për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”.

    “Në Irlandën Veriore vizitova edhe shkollën fillore Nettlefield, ku pashë nga afër dhe në praktikë zbatimin e sistemit të “Arsimit të Përbashkët”. Në Queen’s University isha i ftuar për një ligjëratë të cilën me kënaqësi e kisha pranuar dhe me shumë vëmendje iu përgjigja pyetjeve dhe kureshtjeve të audiencës në diskutimin e zhvilluar me temë “Shtetndërtimi në Kosovë: Sfidat dhe Mundësitë”.

  • Mbi 100 persona të arrestuar për pjesëmarrje në homazhet për Navalnyn

    Mbi 100 persona të arrestuar për pjesëmarrje në homazhet për Navalnyn

    Të paktën 120 persona janë arrestuar në Rusi pse kanë marrë pjesë në ceremonitë për t’i dhënë lamtumirën e fundit kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili është varrosur më 1 mars në Moskë, pas vdekjes së tij të dyshimtë më 16 shkurt në një burg në Arktik.

    Navalny është varrosur në varrezat afër shtëpisë ku është rritur në Moskë, teksa dhjetëra mijëra mbështetës kanë rrezikuar që të përballen me autoritetet dhe kanë shkuar për ta nderuar jashtë kishës ku është mbajtur ceremonia lamtumirëse.

    Familjarët dhe ndihmësit e ngushtë janë lejuar të jenë brenda në kishë, para se ai të varrosej.

    Forcat policore kanë qenë në çdo cep të rrugëve të Rusisë, dhe ndonëse nuk ka pasur raportime për incidente, më shumë se 120 persona janë ndaluar më vonë në Moskë, Shën Petersburg, Novisibirsk, Jetakerinburg dhe qytete tjera, pse kanë marrë pjesë në organizimet për të kujtuar Navalnyn.

    Organizata për të drejta të njeriut First Department, ka raportuar se nëpër gjykatat në katër rajonet ruse, emri i Navalnyt është konsideruar “simbol ekstremist”.

    Në rrjetet sociale kanë qarkullaur fotografi të ceremonisë së zhvilluar në kishë, ndonëse aty janë ndaluar kamerat.

    Në to janë parë prindërit e Navalnyt afër trupit të tij, të hapur deri në kraharor, në mënyrë që pjesëmarrësit të mund ta shohin për herë të fundit.

    Shumë njerëz kanë vënë lule në makinën që e ka bartur trupin e tij dhe disa janë dëgjuar duke bëtitur ‘jo luftës’, ‘Putini është vrasës’ dhe ‘nuk do të të harrojmë’.

    Në ceremoninë në kishë kanë marrë pjesë edhe shumë diplomatë perëndimorë që janë të angazhuar në Moskë.

    “Puna e Aleksei Navalnyt e ka shpërfaqur një vizion të një ardhmeje më të mirë për Rusinë dhe gjithë rusët. Në fund, ai e ka dhënë jetën për shërbimin patriotik. Për shumë rusë, ai është simbol i asaj që mundet dhe duhet të jetë Rusia”, ka thënë Ambasada amerikane në Moskë, përmes një postimi në Telegram.

    E veja e Navalnyt, Yulia, e cila jeton jashtë Rusisë, për arsye të sigurisë, nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

    Mirëpo më vonë, ajo e ka publikuar një video shumë emocionuese, duke kujtuar momentet më të mira me burrin e saj.

    “Nuk e di si të jetoj pa ty, por do të tentoj të bëj më të mirën për të të bërë të lumtur dhe krenar për mua. Nuk e di a do të mundem, por do të tentoj”, ka thënë ajo, duke aluduar se do të vazhdojë vizionin e tij për demokraci dhe liri në Rusi.

    Para ceremonisë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka lëshuar një paralajmërim që organizimet e paligjshme në mbështetje të Navalnyt, konsiderohen shkelje e ligjit.

    Ai, po ashtu, ka thënë se Kremlini nuk e konsideron Navalnyn si politikan dhe nuk ka çfarë të thotë për familjen e tij.

    Gruaja e Navalnyt e ka fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin se qëndron mbrapa vdekjes së burrit të saj.

    Të njëjtin mendim ndajnë edhe disa liderë të Perëndimit, ndonëse Kremlini hedh poshtë vazhdimisht këto qëndrime.

    Navalny ka qenë duke vuajtur një dënim me burgim prej 19 vjetësh për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht./REL/