ATV

Blog

  • Punëtorët e mirëmbajtjes në Kuvend hyjnë në grevë, shkak pagat e ulëta

    Punëtorët e mirëmbajtjes në Kuvend hyjnë në grevë, shkak pagat e ulëta

    Punëtorët e mirëmbajtjes në Kuvendin e Kosovës kanë hyrë sot në grevë deri në plotësimin e kërkesave si shkak i pagave të ulëta.

    23 punëtorë të pastrimit kanë nënshkruar një letër ku janë parashtruar kërkesat e tyre për rritje pagash dhe një sosh shqetësimesh janë adresuar si mospagesa për udhëtim, për ushqim, për orë shtesë si dhe mosrespektimi i pushimit vjetor.

    Kompania e Pastrimit “Schafberger”, e cila është në fund të kontratës me Kuvendin e Kosovës shpreson se në tenderin e ri të realizohen kërkesat e tyre dhe të ketë rritje pagash.

    Kjo letër i është drejtuar sekretarit të Kuvendit dhe Ilir Kërçelit, shefit të kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

  • Shpallet aktgjykimi për rastin “Besa Trans”, vdiqën 45 persona pas djegies së autobusit

    Shpallet aktgjykimi për rastin “Besa Trans”, vdiqën 45 persona pas djegies së autobusit

    Në Gjykatën Penale në Shkup sot është shpallur aktgjykimi për rastin “Besa Trans”, i cili ka të bëjë me djegien e autobusit në autostradën “Struma” në Bullgari, ku si pasojë humbën jetën 45 persona, ndërsa 7 të tjerë u lënduan.

    Pronari i “Besa Trans” Bekim Haxhiu, u dënua me një vit e tetë muaj burg, ndërsa kompania “Besa Trans” si subjekt juridik është dënuar me gjobë prej 800 mijë denarëve (12.986 euro).

    Në fjalët përfundimtare, përfaqësuesi i akuzës, Vlladimir Milloshevski, tha se autobusi i cili është aksidentuar në Bullgari e ka kaluar kufirin me licencë të përgjithshme, në vend që me certifikatë licence të posaçme, ashtu siç parashihet me ligj.

    Ndërsa pala mbrojtëse, theksoi se Bekim Haxhiu ka bërë falsifikim të certifikatës së licencës, pasi sipas tyre, për të bërë falsifikim, duhet që të krijohet një dokument i rrejshëm, ose një dokument i vërtetë të korrigjohet dhe më pas të shfrytëzohet si i vërtetë.

    Djegia e autobusit “Besa Trans” ndodhi më 23 nëntor të vitit 2021 në orët e para të mëngjesit, kur autobusi i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek dhe më pas mori flakë. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.

  • PSD-ja shpalos librezën me “dështime” të Nagavcit, e vlerëson me notë negative

    PSD-ja shpalos librezën me “dështime” të Nagavcit, e vlerëson me notë negative

    Aktivistë të Partisë Socialdemokrate (PSD), kanë zhvilluar një aksion në Bibliotekën Kombëtare kundër ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, të cilën e vlerësuan me notë negative, raporton Ekonomia Online.

    Në një librezë të vendosur nga aktivistët e PSD-së, shkruan për “dështimet” e ministres Nagavci.

    Notë negative PSD-ja i ka vendosur në ndërtimin e çerdheve, sjelljen ndaj sindikatave dhe furnizimin me tekste shkollore.

    Ndërsa notë shembullore i kanë vendosur në “shkelje të Kushtetutës”, duke aluduar në rastet kur Nagavci ka bërë shkelje të institucionit më të lartë juridik në vend.

  • Çeku: Komuna e Skenderajt nuk pranoi të përfshihet në organizimin e manifestimit të Epopesë

    Çeku: Komuna e Skenderajt nuk pranoi të përfshihet në organizimin e manifestimit të Epopesë

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, gjatë seancës së Kuvendit, ka deklaruar se Komuna e Skënderajt nuk ka pranuar të përfshihet në organizmin e manifestimit të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Çeku ka thënë se të gjitha dëshmitë që i ka lidhur me këtë refuzim të Komunës së Skënderajt, sipas tij, do t’i publikojë të gjitha.

    “Komisioni shtetëror është themeluar në shtatorin e vitit të kaluar dhe çuditërisht bash tani kur po mbahet Epopeja na qenka bërë problem pse keni pritur kaq shumë muaj për të reaguar, kjo më bën të besoj se nuk e keni sinqerisht, por vetëm për ta shfrytëzuar këtë momentum dhe po e përsëris edhe aktivitetet e tjera edhe Nata e Zjarreve edhe Koncerti po bëhen edhe do të bëhen në mënyrë më të mirë të mundshme”.

    “Për fat të keq dhe kundër vullnetit tonë, Komunën e Skenderajt nuk e kemi të përfshirë sepse nuk kanë pranuar për t’u përfshirë, dëshmitë e kërkesave dhe shkresave që i kemi dërguar do t’i publikojmë”, ka thënë Çeku.

  • Abdixhiku, mësimdhënësve: Me ne në pushtet do të rritet koeficienti në 135

    Abdixhiku, mësimdhënësve: Me ne në pushtet do të rritet koeficienti në 135

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar mësimdhënësit në ditën e tyre, 7 Marsin.

    Përveç urimit, Abdixhiku ka premtuar rritje të koeficientit që nga viti i parë nëse vjen në qeverisje.

    Sipas tij në vitin e parë, koeficienti do të jetë 125, ndërsa në vitin e fundit të mandatit, 135.

    “LDK e ka prioritet trajtimin dinjitoz të mësimdhënësve. Në programin politik “Rruga e Re”, parasheh ngritje të koeficientit për mësimdhënësit, nga 125 në vitin e parë, në 135 në vitin e fundit të mandatit”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Urime Dita e Mësuesit!

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku për nder të Ditës së Mësuesit, 7 marsit, uron dhe falënderon të gjithë mësimdhënësit për kontributin e tyre të çmuar, ndër breza.

    Kjo ditë është e një rëndësie të veçantë, sepse kujtohet roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm i mësimdhënësve, të cilët detyrën e tyre fisnike; edukimin e arsimimin, nuk e ndalën as në momentet më të rënda të vendit.

    LDK e ka prioritet trajtimin dinjitoz të mësimdhënësve. Në programin politik “Rruga e Re”, parasheh ngritje të koeficientit për mësimdhënësit, nga 125 në vitin e parë, në 135 në vitin e fundit të mandatit.

    Puna e juaj fisnike, duhet të trajtohet me dinjitet edhe në aspektin financiar!

  • ​Haradinaj: Pushteti po punon prapa shpinës së mësimdhënësve

    ​Haradinaj: Pushteti po punon prapa shpinës së mësimdhënësve

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qeveria do të duhej që sot të njoftonte një lajm të mirë për mësimdhënësit. Sipas tij, pushteti me arrogancën e numrave po punon prapa shpinës, duke cenuar të drejtat e punëtorëve të arsimit.

    Në seancë plenare ai u shpreh se numër i madh i të rinjve janë duke u larguar nga Kosova, ku shtoi se duhet të përkrahen sipërmarrësit e rinj që një gjë e tillë të parandalohet. Në fillim të seancës plenare janë përshëndetur veteranët e arsimit, të cilët janë të pranishëm në Kuvendin e Kosovës, për çka Haradinaj tha se është hipokrizi.

    “Në këtë ditë ka qenë e udhës me dhënë ndonjë lajm të mirë për mësuesit, mësimdhënësit. Nuk ka ditë më të duhur se kjo që me ardh pjesëtari i qeverisë për të njoftuar takimin e sotëm të qeverisë edhe me tregu se çka ka ndërmarrë për të përmirësuar pozitën e mësimdhënësve. Nuk ka ndodhur kjo, normal që nuk ka ndodhur. Jo vetëm kaq, jemi hipokritë ne që rrahim shuplaka të gjithë për veteranët e arsimit, a në të njëjtën kohë përkrahim ndryshimet ligjore me ua heq vitet kontributdhënëse. Imagjinoni sa hipokrit jemi. Nuk po i përdori fjalët tjera, por jemi hipokritë. Kjo po ndodhë në Parlamentin e Kosovës, të dashur mësues po ju rrejmë me këto shuplaka”, deklaroi ai.

    Veç kësaj, kreu i AAK-së shtoi se qeveria po punon me arrogancën e numrave prapa shpinës së mësimdhënësve.

    “Po ashtu po punohet prapa shpinës me arrogancën e numrave, për ta ndryshuar kontratën individuale. Pra, për të ju cenuar të drejtat që i kanë të njohura me ligj mësimdhënësit. Nuk është në rregull kjo pafytyrësi e jona në këtë ditë”, shtoi Haradinaj.

  • Bie çmimi i naftës

    Bie çmimi i naftës

    Çmimet e naftës kanë ndryshuar pak të enjten. Të dhënat tregojnë një rënie të kërkesës në SHBA të kompensuar nga tensionet e vazhdueshme gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

    Standardi ndërkombëtar i papërpunuar Brent tregtohej me 82.92 dollarë për fuçi në orën 10:26 të mëngjesit me orën lokale, me një rënie prej 0.05% nga çmimi i mbylljes prej 82.96 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u tregtua me 79.14 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, një rritje prej 0.01% nga sesioni i mëparshëm i cili u mbyll me 79.13 dollarë për fuçi.

    Inventarët komercial të naftës së papërpunuar në SHBA u rritën me 1.4 milionë fuçi javën e kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Administrata e Informacionit të Energjisë të mërkurën.

    Vlerësimi i fundit i Institutit Amerikan të Naftës i publikuar të martën zbuloi se inventarët e naftës së papërpunuar u rritën me 423.000 fuçi javën e kaluar, duke shënuar javën e pestë radhazi të rritjes.

    Rritja e inventarit sugjeron një rënie të kërkesës në SHBA, konsumatori më i madh i naftës në botë, dhe kjo ushtron presion në rënie të çmimeve.

    Ndërkohë, shqetësimet për ofertën globale të rritura nga tensioni i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rrisin çmimet e naftës.

    Rritjen e çmimeve e mbështet edhe dobësimi i dollarit amerikan ndaj monedhave të tjera./AA

  • Zëvendëskryeministri Bislimi priti ambasadoren e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo

    Zëvendëskryeministri Bislimi priti ambasadoren e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

    Palët biseduan mbi thellimin e fuqizimin e bashkëpunimit, si vende mike e partnere, në fusha e sektorë me interes të përbashkët, si dhe mundësitë për shkëmbimet e përvojave.

    Më tej, fokus i bisedës ishte dhe rrugëtimi drejt integrimit evropian të Republikës së Kosovës, si aspiratë, vizion, por edhe si përkushtim e angazhim i vazhdueshëm, përmes punës rreth agjendës evropiane, përmbushjes së reformave dhe arritjes së standardeve evropiane, në kuadër të së cilës u diskutua mbi Planin e Rritjes dhe përgatitjet e vendit tonë në përputhje me këtë instrument, si dhe u cek më tej dhe rrugëtimi i Kosovës drejt Këshillit të Evropës.

    Gjithashtu, zëvendëskryeministri e informoi ambasadoren dhe mbi zhvillimet e fundit dhe procesin e dialogut. Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e përgjithshme e të vazhdueshme të Holandës ndaj Kosovës, zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadoren për takimin, bisedën e pikëpamjet e shkëmbyera.

  • ​Zemaj: Ka mungesë të barnave në spitale, po tentohet të fshihen keqpërdorimet

    ​Zemaj: Ka mungesë të barnave në spitale, po tentohet të fshihen keqpërdorimet

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave. Ai paralajmëroi se do të ndjek të gjitha rrugët institucionale që të dalin në pah, siç tha ai, të gjitha keqpërdorimet e abuzimet. Megjithatë, Zemaj u shpreh se këto po tentohen të fshihen nga pushteti.

    Në seancë plenare, ai shtoi se në spitalet e Kosovës çdo ditë e më tepër ka mungesë të barnave.

    “Ka qenë dhe mbetet shumë zhgënjyese dhe shqetësuese kur po kuptojmë çdo ditë që në spitalet tona ka barna më pak se çdo herë. E sot na duhet të ndalemi dhe të pyesim, ashtu siç pyetëm paraprakisht para disa ditëve ‘Pse po ndodh kjo, pse ka barna më pak’. A ka mundësi të përgjigjen ata të cilët janë përgjegjës në këtë pyetje, apo ne duhet ta gjejmë faktin tek keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet të cilat janë të barabarta me hajni dhe abuzime me çmime të barnave”, deklaroi Zemaj.

    Ai shtoi se ka kërkuar analizimin dhe mbikëqyrjen e listës esenciale të barnave, për çka tha se pushteti nuk e ka pranuar.

    “Qytetarët dhe pacientët duhet ta dinë se kush janë hartuesit e listës esenciale. Cilët individë apo grupe brenda Ministrisë së Shëndetësisë kanë lobuar dhe kanë punuar në këtë listë dhe në favor të cilës kompani. Cilat janë përfitimet ekstreme brenda vitit të këtyre kompanive dhe këtyre individëve? Kush i kontrollon ata e kush qëndron prapa tyre. Këto dhe shumë pyetje të tjera do i adresojmë në rrugë institucionale dhe ta dini ju dhe të tjerët se nuk do të lejojmë që kjo të fshihet. Ani pse po tentohet të fshihet me gjithë fuqinë që kanë, por këtu do të dështoni. Është duke na dëgjuar edhe prokuroria, pacienti edhe qytetari i Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

  • Klinaku për aksionin e sotëm të Speciales: Vetëm një spektakël i radhës

    Klinaku për aksionin e sotëm të Speciales: Vetëm një spektakël i radhës

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka folur rreth aksionit të sotëm të Gjykatës Speciale.

    Klinaku aksionin e quajti veç një “spektakël të radhës nga ana e tyre”.

    “Siç po raportohet në media, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke kryer bastisje në Kosovë. Njëra prej tyre është në shtëpinë e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi”, shkroi Klinaku në Facebook.