ATV

Blog

  • 233 mijë euro për procesin e votimit, për shkarkimin e kryetarëve në veri

    233 mijë euro për procesin e votimit, për shkarkimin e kryetarëve në veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    233 mijë euro ndau të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

    Datën po, por qytetarët e komunave veriore ende nuk e dinë se në çfarë vende do të mund ta realizojnë këtë proces.

    Për këtë, KQZ-ja vendosi që më së largu më 16 mars ta publikojë listën me vendvotime.

    Megjithatë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut do të informohen edhe nga afër, meqë nga 19 deri 21 prill do të ketë fushatë informuese.

    Qytetarët e regjistruar si votues në komunat veriore por që jetojnë jashtë vendit, do të mund të votojmë përmes postës nga 12 prilli deri më 20 prill.

    KQZ-ja, gjithashtu, do të caktojë edhe anëtarët e komisioneve komunale, jo më larg se 17 mars.

    Megjithatë, në këtë pjesë pati kritika nga anëtarët e KQZ-së që të mos caktohen gjithmonë të njëjtit.

    Sidoqoftë, sipas KQZ-së, lista e votuese duhet të certifikohet më së largu deri më 9 mars.

    Në votimin për shkarkimin e kryetarëve, duhet që 50 për qind plus një e votuesve të regjistruar që votojnë të jenë pro shkarkimit, në të kundërtën nisma nuk ka sukses.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Djuriq-Radoiçiq, BE: Nëse takoni të dyshuar për krime, ju pasqyron juve

    Djuriq-Radoiçiq, BE: Nëse takoni të dyshuar për krime, ju pasqyron juve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Çështje “pasqyrimi” e vlerësoi Bashkimi Evropian takimin e ambasadorit të Serbisë në SHBA, Marko Djuriq, me të kërkuarin nga Interpol-i, Milan Radojiçiq.

    BE-ja nuk pati qëndrim të ri kur u pyet për mbrojtjen nga Serbia të njeriut që mori përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e sulmit terrorist-paramilitar në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    “Nuk na takon ta komentojmë secilin takim që anëtarë të administratës serbe kanë me njerëz të ndryshëm. Mendoj se, para së gjithash, kë takoni, ju pasqyron juve, veçanërisht nëse është një i dyshuar për veprime kriminale. Por, lidhur me sulmin në Banjskë, qëndrimi i BE-së mbetet i njëjtë. Ne po presim raportin hetimor zyrtar, përfundimtar, dhe pastaj do të shohim se si të sigurohet llogaridhënia. Deri tani, nuk e kemi parë një raport të tillë këtu në Bruksel”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Kur u pyet për takimin Djuriq-Radoiçiq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sulmoi publikuesin e fotografisë.

    “E keni parë Duricin atje e këtu. Nuk e pyeta kur, ku ose pse? Ose nëse je ngritur nga tavolina për ta përshëndetur Milan Radoicicin, të ulesh me të për një a dy minuta, ose nëse ishte me të. Nuk e kam pyetur asgjë. Vetëm i kam shikuar të gjithë denoncuesit dhe injorantët tjerë se si e raportojnë dikë diku. Thonë – imagjinojeni u takua me horrin serb – vërtet! Ndërsa lavdërojnë atë që shkojnë te varri i Adem Jasharit”, ka deklaruar Vuçiq.

    Vetë Duriqi, për mediat në Serbi, tha se i pëlqen të takohet me Radoiçiqin, teksa iu referua si përfaqësues i serbëve në Kosovë.

    Në një reagim, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffery Hovenier, tha se “Radoiçiq është kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Zjarri në Parkun e Biznesit në Drenas ende nuk është shuar, gazetari i ATV-së tregon detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Zjarri në Parkun e Biznesit në Drenas ende nuk është shuar, gazetari i ATV-së tregon detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Zjarri i madh që ka përfshirë Fabrikën e Plastikës në Drenas, ende nuk është shuar, raporton gazetari i ATV-së, Armand Hoti direkt nga vendi i ngjarjes.

    “Është bërë mbi 8 orë që pavarësisht kushteve të këqija atmosferike, pra ditës më shi dhe intervenimit të pandalshëm të zjarrfikësve, zjarri këtu në Parkun e Biznesit në Korroticë të Epërme të Drenasit, ende nuk është fikur”.

    Ai tregon se edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës ka vënë në shërbim të asistimit të fikjes së zjarrit autoblindat, të cilat i përdor për shpërndarjen e protestuesve.

    “Aktualisht në vendin e ngjarjes janë njësitet e zjarrfikësve që vijnë nga komuna të ndryshme të Kosovës, gjë që nuk ndodhi gjatë ditës, por kanë ardhur më vonë edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës, të cilët po përdorin pajisjet që i kanë të montuara në automjetet, të cilat i përdorin për largim të protestuesve dhe kështu po asistojnë në fikjen e zjarrit”, raporton gazetari Armand Hoti.

    Më shumë detaje nga vendi i ngjarjes i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve të ATV-së në videon më poshtë:

  • Një 13-vjeçare dyshohet se u dhunua në Drenas, arrestohet dy të dyshuar

    Një 13-vjeçare dyshohet se u dhunua në Drenas, arrestohet dy të dyshuar

    Një vajzë 13-vjeçe, dyshohet se është dhunuar nga dy persona të moshës madhore.

    Të dyshuarit janë arrestuar nga policia dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale të Pejës, Fadil Gashi.

    “Dje me datën 10 mars, viktima (fëmijë), është raportuar si person i zhdukur në stacionin policor në Malishevë. Policia ka identifiku lokacionin ku gjendet, ku dyshohet se është dhunuar viktima, janë arrestuar të dyshuarit janë intervistu dhe pas intervistimit me urdhër të janë ndaluar për 48 orë, rasti është duke u hetuar”, tha Gashi.

    Rasti po hetohet si “Dhunim”.

  • Haradinaj uron ambasadorin e ri britanik, e pret në takim njoftues

    Haradinaj uron ambasadorin e ri britanik, e pret në takim njoftues

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në takim njoftues Ambasadorin e Mbretësisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Haradinaj ka vlerësuar rolin e Mbretërisë së Bashkuar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

    “Pata kënaqësinë ta pres në takim njoftues Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves. Duke e uruar për detyrën e re, Ambasadorin Hargreaves e falënderova për kontributin e vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm që e ka dhënë Mbretëria e Bashkuar për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka kërkuar nga ambasadori Hargreaves mbështetjen e tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

    “Vlerësova rolin jetik të Mbretërisë së Bashkuar në sigurinë e Kosovës. Kërkova mbështetjen e tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar në përkushtimin tonë për të qenë pjesë NATO-s”, është shprehur Haradinaj.

  • Hovenier për Donjeta Sadikun: Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës

    Hovenier për Donjeta Sadikun: Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka përgëzuar boksieren Donjeta Sadiku. Ai ka thënë se ajo është shembull për t’u ndjekur në sport për vajzat dhe gratë kosovare

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka përgëzuar boksieren Donjeta Sadiku pasi kjo e fundit javën e kaluar siguroi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Parisit më 2024, pasi mposhti në gjysmëfinalen e turneut kualifikues italianen, Alessia Mesiano.

    Hovenier ka shkruar në rrjetin X për përkushtimin dhe punën e sportistes Sadiku, duke thënë se ajo është shembull për t’u ndjekur dhe dëshmi e arritjeve të grave në sport.

    “Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës! Përgëzime Donjetës për këtë arritje të jashtëzakonshme. Puna e jote e palodhshme dhe përkushtimi shërbejnë si frymëzim për vajzat dhe gratë kosovare sportiste”, ka shkruar Hovenier.

  • ​Takimi i Gjuriqit me kriminelin serb, këshilltarja e BE-së çuditet pse Radoiçiq nuk është në burg

    ​Takimi i Gjuriqit me kriminelin serb, këshilltarja e BE-së çuditet pse Radoiçiq nuk është në burg

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar pas pamjeve të publikuara ku shihen ambasadori në detyrë serb në ShBA, Marko Gjuriq dhe organizatori të sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq,

    Në llogarinë e saj në platformën X, ajo pyeti se pse Radoiçiq nuk është në burg dhe për çfarë duhen të flasin ata.

    Shkrimi i plotë:

    Milan Radoiçiq – i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjska në shtator të vitit 2023 – dhe Marko Gjuriq – ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – janë ulur së bashku në një restorant.

    Pse Radoiçiq nuk shkon në burg? Për çfarë duhet të flasin ata?

  • Stano thotë se nuk u punua shumë për marrëveshjet në dialog, përmend edhe Banjskën e Radoiçiqin

    Stano thotë se nuk u punua shumë për marrëveshjet në dialog, përmend edhe Banjskën e Radoiçiqin

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se nuk është punuar shumë për zbatimin e marrëveshjes në dialogun Kosovë-Serbi.

    Në konferencën e mbajtur këtë të hënë, ai tha se kjo po ndodh për shkak të qëndrimeve të të dyja shteteve.

    “Unë mund të them vetëm një gjë. Fatkeqësisht nuk është punuar shumë për zbatimin për shkak të qëndrimeve të palëve. Prioriteti ynë është që të fillohet zbatimi në mënyrën më të mirë, prioriteti më urgjent është të sigurohemi që zbatimi të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. E kemi thënë disa herë se procesi i përgatitjes së dialogut në hapa individual dhe në faza individuale është diçka që supozohet të trajtohet pikërisht në procesin e punës dhe në nivelin e punës dhe jo të zhvillohet e të komentohet çdo ditë në publik”, ka thënë ai.

    Gjatë kësaj konference, Stano është pyetur edhe lidhur me takimin e ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq në një restorant me Milan Radoiçiq, njeriu që qëndron prapa sulmit në Banjksë.

    Stano tha se nuk i takon BE-së të flasë rreth çdo takimi të anëtarëve të administratës serbe.

    “Nuk i komentojmë të gjitha takimet që anëtarët e administratës serbe kanë me njerëz të ndryshëm. Por kur je duke aluduar në Banjskë, qëndrimi i Bashkimit Evropian mbetet i njëjtë, ne jemi duke e pritur raportin final zyrtar nga hetimi. Deri më tani nuk kemi parë një raport të tillë këtu në Bruksel”, u shpreh Stano.

  • Orban thotë se Trump synon ta ndërpresë mbështetjen financiare për Ukrainën

    Orban thotë se Trump synon ta ndërpresë mbështetjen financiare për Ukrainën

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha pas një takimi privat me Donald Trumpin në Shtetet e Bashkuara se ish-presidenti amerikan ka “plane goxha të hollësishme” për mënyrën se si t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe se ai nuk do t’i japë Kievit fonde të tjera për ta shpejtuar përfundimin e konfliktit.

    Duke folur në një intervistë pasi u kthye në Hungari për televizionin shtetëror M1 më 10 mars, Orbani se “është shumë e qartë se Ukraina e vetme nuk mund të qëndrojë në këmbët e veta”.

    Qeveria e Orbanit nuk ka pranuar t’i dërgojë armë Kievit, derisa i ka ruajtur marrëdhëniet me Moskën.

    Lideri hungarez e kreu vizitën në SHBA në një kohë kur një paketë prej 60 miliardë dollarë është duke u bllokuar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA, të cilët po ngulin këmbë që masat për sigurinë kufitare të futën në këtë paketë, në këmbim të mbështetjes së tyre për dërgimin e parave në Kiev.

    Presidenti amerikan Joe Biden, një demokrat i cili pritet të jetë kandidat i parisë për zgjedhjet presidenciale në nëntor, e ka mbështetur këtë paketim, por Trumpi, i cili e ka kritikuar atë.

    “Ai nuk do ta derdhë asnjë cent në luftën Ukrainë-Rusi dhe kështu lufta do të përfundojë”, tha Orbani në intervistë duke iu referuar Trumpit, i cili pothuajse është bërë kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet e nëntorit.

    “Nëse amerikanët nuk japin para dhe armë, e as evropianët po ashtu, atëherë kjo luftë do të marrë fund. Dhe, nëse amerikanët nuk japin para, evropianët nuk janë në gjendje ta financojnë këtë luftë vetëm, dhe kështu kjo luftë do të merrte fund”, shtoi ai.

    Orbani është veçuar në Bashkim Evropian nga shumica e liderëve të bllokut duke i ruajtur marrëdhëniet me liderët autokratikë, siç është presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

    Orbani udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, ku foli në Fondacionin konservator të Trashëgimisë dhe më pas u takua me Trumpin në resortin e tij luksoz, Mar-a-Lago në Florida, ndërsa nuk pati asnjë takim në Shtëpinë e Bardhë gjatë këtij udhëtimi.

    Fushata e Trumpit tha në një komunikatë më 8 mars se gjatë takimit ata biseduan “për një sërë çështjes në lidhje m Hungarinë dhe Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe rëndësinë parësore të kufijve të fuqishëm dhe të sigurt për ta mbrojtur sovranitetin e secilit komb”.

    Në komunikatë nuk u përmend Ukraina, apo ndonjë temë tjetër.

    Orbani tha se paqja në Ukrainë duhet patjetër të arrihet së pari përmes një armëpushimi dhe pastaj përmes një marrëveshjeje për paqe, të cilën Trumpi “i ka mjetet” për ta arritur. Ai nuk dha hollësi të tjera.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 11 mars se Kremlini është i vetëdijshëm për komentet e Orbanit, por nuk deshi të komentojë.

    “Ne e kemi parë atë, por nuk kemi çfarë të themi, meqë nuk ka hollësi dhe është e paqartë se cfrë plani mund të jetë ky”, tha Peskov./rel

  • ​KQZ-ja miraton mbi 233 mijë euro buxhet për organizimin e votimit më 21 prill në komunat veriore

    ​KQZ-ja miraton mbi 233 mijë euro buxhet për organizimin e votimit më 21 prill në komunat veriore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar buxhetin për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

    Buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën 233 mijë e 204 euro.

    Poashtu KQZ-ja ka marr vendim edhe për shkurtimin e kohëzgjatjes së afateve dhe miratoi Planin e Aktiviteteve për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në katër komunat veriore.

    Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Alban Krasniqi, ka njoftuar se kanë trajtuar një sërë dokumentesh. Ai kërkoi poashtu që të miratohen afatet e reja.

    “Këshilli për Operacione Zgjedhore ka trajtuar sot një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë me përgatitjen e procesit të ri të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave nga funksionet e tyre në katër komunat dhe një prej tyre ka qenë edhe vendimi për caktimin e afateve dhe aktiviteteve për këtë proces të votimit dhe bashkangjitur gjeni dokumentet me afate ju e dini që është praktikë tashmë që kur ka qoftë zgjedhje të jashtëzakonshme por edhe të rregullta por sidomos kur ka organizime në këtë rast votim që shkon në procedura të zgjedhjeve të jashtëzakonshme atë herë KQZ sipas ligjit e ka të përcaktuar që t’i hartoj afatet e reja me kohën që e ka në dispozicion”, ka theksuar Krasniqi.

    Derisa Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nuk mund të votoj pro pa i parë dokumentet.

    Këto afate do të duhej me rrjedh nga sot e tutje po fakti që këto 5 pika janë trajtu në Këshill të Operacioneve Zgjedhore dhe prej këshillit futemi drejt në mbledhje ka qenë e pamundshme me i pa këto dokumente duke fillu prej planit operacional që e kanë hartuar deri tek çështje të tjera të cilat janë pika të rendit të ditës. E kam të pamundshme për dokumentet që si kam pa të votoj pro”, ka thënë ai.

    Ndryshe, sipas vendimit të KQZ-së afatet kryesore për organizimin e këtij procesi i referohen afatit prej 44 ditësh.