Në kuadër të javës së 25, skuadra e inkuadruar në Superligë, Fushë Kosova do të takohet me Kampionin Ballkani.
Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIP A’, Alban Lumi, ka deklaruar që Ballkani do ta këtë shumë të vështirë me Fushë Kosovën.
‘Fushë Kosova ka problem edhe me financa, ka probleme edhe me stadium, pasi nuk i zhvillon ndeshjet si vendas. Unë besoj se edhe Ballkani do ta këtë shumë problem me skuadrën e Fushë Kosovës’ tha Lumi.
Emisionin ‘EKIPI A’ mund të shikoni live më poshtë.
Trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV, ka thënë që ai është i kënaqur me pesë pikët e arritura në tri takimet e fundit.
‘Nuk është lehtë me mposhtë skuadrën e Dritës. Ne kemi treguar që mund te mbesim në Ligë.Ne mund të mposhtim çdo skuadër të Superligës; tha Shala.
Kujtojmë që Fushë Kosova në tri takimet e fundit ka arritur të fitoi 5 pikë. Duke barazuar me Lirinë në Prizren 0:0, pastaj si vendas mposhti Dritën 1:0, dhe në ndeshjen e fundit barazoi 0:0 me Dukagjin e Klinës.
Për më shumë, ndiqeni intervistën e Burim Shalës më poshtë.
Inteligjenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka lansuar raportin vjetor, ku i parashikon kërcënimet që i kanosen vendeve të ndryshme të botës.
Ky raport ka një pjesë të veçantë edhe për Ballkanin Perëndimor.
Aty thuhet se kjo zonë gjatë vitit 2024, mund të përballet me një rrezik të dhunës së lokalizuar ndëretnike.
Sipas këtij raporti, udhëheqësit nacionalistë mund t’i përkeqësojnë tensionet për avantazhet e tyre politike dhe për aktorët e jashtëm.
Ata do ta përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike, për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrim më i madh i Ballkanit në BE ose në institucionet euroatlantike, thuhet në raportin e inteligjencës amerikane.
Aty përmenden edhe agresioni i Banjskës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, si dhe tensionet e muajit maj të 2023-tës, ku pati përleshje mes KFOR-it dhe protestuesve serbë në veri, e ku u lënduan dhjetëra ushtarë të forcave paqeruajtëse në Kosovë.
“Përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë çuar në vdekje dhe plagosje, duke përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s, në vitin 2023”, shkruan në raport.
Gjithsesi, ceket edhe roli destruktiv i udhëheqësit serb të Bosnjë e Hercegovinës.
Raporti thotë se ai po merr hapa provokues për të neutralizuar ndërkombëtarët mbikëqyrjen në Bosnje dhe sigurimin de facto të shkëputjes për Republikën Serbe.
Veprimi i tij mund të nxiti udhëheqësit e popullatës boshnjake (muslimane boshnjake) që të forcojnë kapacitetet e tyre për të mbrojnë interesat e tyre dhe mundësisht të çojnë në konflikte të dhunshme që mund të mposhtin paqeruajtjen forcat.
Deputetja dhe aktorja Adriana Matoshi, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se ka filluar të përballet me një sëmundje të re.
“Sonte po du me i gëzu krejt kto zemra të ligshta për s’vogli, e me i shqetësu shumë zemra të buta prej madhështie njerezore t’u ua dhon lajmin që tash e një kohë po përballna me një sëmundje të re”, tha ajo.
Matoshi thotë se problemi shëndetësor i ka filluar para paraqitjes televizive në Festivalin e Këngës në RTSH.
“Nuk kom leju as vizita mjekësore me zhvillu në ditët kur kemi pas mbledhje në Kuvend e në komisionet ku jom përgjegjëse. Jom kon prezente për krejt, veç për veten jo”, shkroi ajo ndër të tjera në Facebook.
Ajo mes tjerash tha se sonte do të shtrihet në spital, ndërsa shtoi se po shkon që ta largojë nga trupi inatin, urrejtjen që ajo konsideron që bëhet ndaj emrit të saj.
“Unë prapë ju du shumë! Ma shumë se ju që ma doni të keqen e ma uroni vdekjen edhe publikisht. Unë po shkoj, për me u kthy. Ishalla ky muaj i shenjtë, urrejtjen ja ua kthen në Dashni. Po shkoj. Ju lutnu unë me u kthy mirë. Unë po lutna me ju gjetë juve ma mirë se kurrë ma parë!”, shkroi Matoshi.
Në prag të 25 vjetorit të sulmeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, ish-zëdhënësi i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea tha se ishte vendim i duhur bombardimi i forcave serbe në vitin 1999, ndërsa tani situatën në Evropë e konsideron mjaft të rrezikshme.
Shea u shpreh se BE-ja duhet t’i heqë masat ndaj Kosovës kurse anëtarësimi në NATO i Kosovës duhet të ndodhë më shpejt.
Sipas tij, masakra në Rajçak shënoi pikën kthyese në brutalitetin e saj dhe regjimi i Millosheviqit kishte refuzuar paqen e kompromisit.
Ai në një intervistë për RTKlive, thotë se populli i Kosovës gjatë 25 viteve ka qenë në gjendje të jetojë në paqe dhe siguri tregon se ndërhyrja e NATO-s pati sukses.
Në këtë intervistë ai flet për mohimin e krimeve që Serbia i ka kryer ndaj popullit të Kosovës.
“Është përgjegjësi e çdo shteti të pajtohet me historinë e tij, si të keqe ashtu edhe me të mirë. Pra, të përpiqesh të mbulosh fakte të forta me mohime, shtrembërime dhe kundër akuza është një abdikim i përgjegjësisë politike në një kohë kur kaq shumë vende të tjera në Evropë e kanë pranuar publikisht anën e errët të historisë së tyre, pavarësisht nëse ka të bëjë me tregtinë e skllevërve, deportimin e hebrenjve”, tha ai.
Për mundësinë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s, në një të ardhme të afërt, Shea thotë se procesi mund të duket i ngadaltë, por duhet ta zgjidhet shpejt çështja e njohjes së Kosovës nga çdo aleat dhe atëherë gjërat do të shkojnë shumë më shpejt.
Ai tha se Kosova duhet të imitojë shtetet baltike për anëtarësim në NATO. Ai ka folur edhe për buxhetin e mbrojtjes. “Synimi i NATO-s është që të shpenzojë 2% të PBB-së për mbrojtje dhe ky do të ishte një objektiv i mirë për të ecur edhe Kosova”, theksoi ai.
Shea tha se BE-ja duhet të heqë urgjentisht sanksionet që i ka vendosur Kosovës për shkak të situatës në veri të vendit.
Ndërsa sa i përket efektit që mund të kenë zgjedhjet që do të mbahen në SHBA në dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Shea tha se parashikimet janë gjithmonë të rrezikshme, por nuk beson se zgjedhjet në SHBA dhe Evropë këtë vit do të ndryshojnë qasjen ndaj dialogut.
“Kur ishte në Shtëpinë e Bardhë herën e fundit, Donald Trump punoi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe madje i ftoi dy presidentët në një samit në Uashington. Megjithatë, SHBA dhe Evropa duhet të jenë të vendosura me Serbinë kur bëhet fjalë për kontrollin e aktiviteteve të forcave paraushtarake në territorin e saj dhe për të ndaluar ndërhyrjen në veri të Kosovës. Të jesh i arsyeshëm me Beogradin dhe të ofrosh karrota ka kuptim vetëm nëse Beogradi tregon një qasje më pajtuese”, u shpreh Shea.
Ulëset e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje mbetën bosh.
Por edhe ata që ishin prezent në komisionin hetimor për rezerva shtetërore, nuk votuan fare të hënën për kërkesën e opozitës që të sigurojë dokumentacion nga Ministria e Industrisë.
Me këtë rast, dy taborët politikë e akuzuan njëri-tjetrin.
“Të gjithë e dimë se pse ne jemi duke ardhur në këtë moment dhe nuk kemi avancuar fare. Unë jam munduar ta ruaj një korrektësi edhe kur nuk keni pasur fare të drejtë. Edhe pse e kam parë që qëllimisht po e prolongoni punën e këtij komisioni”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
“Para se të bëhet një kërkesë te ministria, kam kërkuar që ta konsultojmë edhe Ligjin për Qasje në Dokumentacion të Klasifikuar. Ne do ta kishim një përgjigje nga Agjencia për Mbrojtjen e Dokumentacionit të Kualifikuar për një ditë ose dy. Nuk e kuptoj pse duhet ne të kemi vendime të tilla për moshedhje në votim të një propozimi të një deputeti të pozitës”, tha deputeti i LV-së, Driton Hyseni.
Sipas opozitës, refuzimet e Vetëvendosjes kanë qëllim ta fshehin të vërtetën.
Hyseni i LV-së përplaset edhe me një ish-kolege të grupit parlamentar, që tash është deputete e Lidhjes Demokratike.
Para se të mbyllet pa rezultat edhe kjo mbledhje, kryesuesi Rashit Qalaj njoftoi se komisionit i skadon mandati më 6 prill, prandaj paralajmëroi se do të kërkojë nga Kuvendi që t’i vazhdohet edhe më tej.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Të zgjedhurit e popullit do të mblidhen vetëm një herë në Kuvend, për seancë plenare të jashtëzakonshme.
Me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, legjislativi do të diskutojë për kontratat njëburimore të dhëna nga qeveria, që për LDK-në nënkuptojnë korrupsion.
“Është thyerje e çdo rekordi. Tenderët njëburimorë konsiderohen si një burim i madh korrupsioni. 350 tenderë njëburimorë janë dhënë deri tash. Ne konsiderojmë që kjo është një çështje që duhet të diskutohet në Kuvend, dhe do të iniciojmë edhe formimin e një komisioni hetimor”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Në linjë me LDK-në dolën dhe partitë tjera opozitare, PDK e AAK, që gjithashtu kritikuan qeverinë, duke thënë se nënshkroi më shumë kontrata njëburimore se të gjitha qeveritë e mëhershme së bashku.
Por, seancë e rregullt veç kësaj nuk u arrit të caktohet.
Andaj, kjo po shihet me shqetësim nga pushteti, meqë opozita pjesërisht shprehet e vendosur që nuk do të votojë asgjë në kuvend, veçanërisht marrëveshjet ndërkombëtare.
Shefat e grupeve parlamentare u pyetën edhe për çështjen e Manastirit të Deçanit, me ç’rast opozita theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të vihen në pikëpyetje.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Në procesin e regjistrimit të popullsisë, që do të fillojë më 5 prill, do të përfshihet edhe diaspora kosovare.
Agjencia e Statistikave, të dhënat për bashkatdhetarët do t’i marrë nga familjarët e tyre të cilët banojnë në Kosovë, përmes një pyetësori të veçantë, i cili nuk është publikuar ende.
“Të gjithë pyetësorët do të bëhen publikë, sipas planit të aktivitete që ka ASK-ja. Për këtë do të njoftoheni me kohë. Regjistrimi i diasporës do të bëhet përmes një Pyetësori të veçantë (S1 – Pyetësori për anëtarët e ekonomisë familjare të cilët jetojnë jashtë vendit)”, thuhet në njoftimin ASK-së.
Mirëpo, Kenan Gashi nga rrjeti i OJQ-ve AVONET, dyshon në efikasitetin e kësaj metode.
“Kjo i jep mundësi të manipulimit, në të njëjtën kohë të mosregjistrimit të mirë dhe të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, e sidomos atyre që nuk jetojnë në Kosovë. Fakti qëndron aty kur nëpër zonat rurale mund të identifikohen më lehtë, por problemi qëndron aty te zonat më urbane”, tha Gashi.
Ndërkohë, Lirim Krasniqi nga organizata GERMIN, nuk e komenton mënyrën e regjistrimit, mirëpo thotë se mbledhja e të dhënave për diasporën, është proces pozitiv.
“Regjistrimi i atyre që janë jashtë vendit do të ndihmojë në procese më të mira politikëbërëse, sepse do të dihet saktë numri i qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës”, tha Krasniqi.
Të hënën, ASK-ja njoftoi se tashmë ka filluar shpërndarja e pajisjeve dhe materialeve për regjistrimin e popullsisë në të gjitha komunat e Kosovës.
Për ta përmbyllur këtë proces, do të angazhohen gjithsej 3400 punonjës, 2500 prej tyre si regjistrues dhe 900 të tjerë si mbikëqyrës.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Serbët e Kosovës do të mund të shërbehen me dinarë, posa të hyjnë në Serbi, nga pikat kufitare Jarinjë, Bërnjak, Dheu i Bardhë dhe Merdar. Banka Postare e Serbisë i ka improvizuar katër degë të saj, bashkë me bankomatë, në këto vende.
Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, këtë e quajti si lehtësim për qytetarët që nuk mund të tërheqin dinarë në Kosovë. Nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore që e njeh vetëm euron si valutë zyrtare.
Nga Banka thonë se në objektin e pazakontë e të përkohshëm, puna do të jetë e zakonshme.
“Në këto katër lokacione do të ketë orar pune nga 9 në 17, gjatë ditëve të javës dhe të shtunën. Dua ta bëj të qartë se këto janë objekte të përkohshme që do të jenë këtu, vetëm derisa të kthehet qarkullimi normal i dinarëve dhe transaksionet të vendosen. Njerëzit këtu mund t’i marrin të gjitha shërbimet bankare, jo vetëm të tërheqin para”, tha Marko Pavloviq nga Banka Postare e Serbisë.
Sipas kësaj banke, vetëm deri në orën 13, të hënën u tërhoqën rreth shtatë milionë dinarë, që i bie rreth 60 mijë euro. Ndërsa, nuk ka kufizime sa para mund të merren.
Serbët që e shfrytëzuan këtë mundësi, thonë se vendosja e re e bankomatëve ua kursen disa kilometra.
“Kemi ardhë këtu për t’i marrë pagat tona, disa kilometra nga Merdari. Shteti serb na ka mundësuar që t’i tërheqim pagat këtu, në mënyrë që të mos shkojmë në ndonjë qytet tjetër të Serbisë. Nuk është e lehtë po nuk kemi çka të bëjmë”, thotë një serb i Kosovës.
“Kjo është më lehtë, sepse nuk kemi nevojë të shkojmë në Rashkë apo edhe në Novi Pazar”, tha një tjetër serb i Kosovës..
Dogana e Kosovës gjatë shkurtit i ktheu prapa dy herë në kufi furgonët me kartëmonedhat serbe.
Meqë prania e cash-it nisi të zvogëlohet në komunat me shumicë serbe në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vucic, paralajmëroi veprime të ndryshme për t’ua mundësuar qytetarëve tërheqjen e parave.
Rregullorja e BQK-së, me fokus në çështjen e dinarit, është bërë temë edhe në procesin e dialogut mes Prishtinës e Beogradit, por edhe çështje kryesore në komunikimet mes autoriteteve kosovare dhe aleatëve ndërkombëtarë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Konsumatorët nga 34 komuna fituan të drejtën e kompensimit për dëmin e shkaktuar nga “faturat e fryra”, në vlerë të përgjithshme 40.8 milionë euro, si mbulim për energjinë elektrike të papaguar, në katër komunat me shumicë serbe në veri, në periudhën 2012-2017.
Të hënën, Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin në të cilin njeh vendimin e Supremes.
“Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të kontestuara para Gjykatës, konstatoi që të njëjtat kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura, përmes përgjigjes në padi, përkatësisht ankesës, si dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe konstatoi që aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në mars të vitit të kaluar, Gjykata Supreme shpalli aktgjykimin i cili e obligon ZRRE-në ta detyrojë KEDS-in të kompensojë konsumatorët për dëmin në fjalë.
Aktgjykimi i Supremes, që tani njihet edhe nga Kushtetuesja, ka klauzolën e zbatimit me detyrim brenda 15 ditësh.
Më 2017, Gjykata e kishte cilësuar të jashtëligjshëm vendimin e vitit 2012 të ZRRE-së, për faturimin shtesë të konsumatorëve në 34 komuna, për të mbuluar
humbjet si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: