ATV

Blog

  • Inspektorët e tregut përplasin Hajdarin me opozitën

    Inspektorët e tregut përplasin Hajdarin me opozitën

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Si zakonisht para anëtarëve të Komisionit për Ekonomi, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, erdhi me 3 përfaqësues. Por, gjatë mbledhjes së të martës, njëri prej tyre u bë i padëshiruar.

    Pa mikrofon, gjatë mbledhjes së komisionit, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, dhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, u panë duke debatuar me këshilltarin e ministres Hajdari, Kushtrim Dakaj, i cili më pas u largua nga salla.

    Për këtë reagoi Hajdari, sipas të cilës këshilltari i saj reagoi ndaj provokimeve që dy deputetët i bënë.

    “A është e lejuar që unë të bullizohem nga deputetët që filluan me sharje më të ulëta, por a more ndonjë masë. Ka qenë bullizim i tërësishëm ndaj personalitetit tim nga deputeti Pal Lekaj dhe deputetja Bunjaku. Ai u indinjua më shumë kur nuk u përdor mikrofoni, por u përdorën fjalët që ky i dëgjoi më afër. Prandaj ishte një reagim i tillë”, tha Hajdari.

    Shkaku i përplasjeve u bë çështja e inspektorëve komunalë që përmes projektligjit të ri, kompetenca për ta do të ketë niveli qendror.

    Në komision, gjithashtu, u fol edhe për Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit.
    Ndërkohë, në rend dite ishte edhe raportimi i ministres lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë, për vitin 2023 dhe planet për 2024-tën.

    Por, në mungesë të raportit, raportimi u shty për një mbledhje tjetër.

    Ndërsa gjatë largimit të ministres nga salla, përplasjet rreth këshilltarit të saj me anëtarët e komisionit vazhduan.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Projektligji për kriptovalutat i dorëzohet Qeverisë

    Projektligji për kriptovalutat i dorëzohet Qeverisë

    Përgatiti: Haris Ademi

    Mbi dy vjet e gjysmë iu desh Komisionit parlamentar për Ekonomi, ta hartojë Projektligjin për Kriptovaluta.

    Nisma që pritet ta rregullojë përdorimin dhe qarkullimin e monedhës digjitale në Kosovë, i është dërguar qeverisë për mendim, javën e kaluar. Nga ekzekutivi thanë për ATV-në se do ta shqyrtojnë draftin në njërën nga mbledhjet e radhës.

    Udhëheqësja e grupit punues për këtë projektligj, Mimoza Kusari-Lila, thotë se vonesat kanë ndodhur për shkak të agjendës së ngjeshur legjislative në Kuvend.

    Ajo thotë se dokumenti tashmë i shkruar, tenton ta shtrijë kontrollin në këtë veprimtari të re, me fokus parandalimin e pastrimit të parasë.

    “Parasheh licencimin dhe autorizimin e agjentëve që veprojnë në emër të klientëve, veprimin e aktivitetit ekonomik të kriptoaseteve, si dhe rregullat shumë strikte të përcaktimit të procesit të gërmimit apo miningut”, tha Kusari-Lila.
    Kosova nuk ka infrastrukturë ligjore për kriptovalutat. Prandaj kryetari i Komisionit, Ferat Shala, nga Partia Demokratike, thotë se nuk ka qenë i thjeshtë hartimi i projektligjit.

    Për këtë, janë angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë.

    “Ka qenë edhe ligj specifik, që e rregullon një fushë për herë të parë, dhe ka pasur mëdyshje si të rregullohet kjo veprimtari”, tha Shala.

    Optimist për këtë nismë nuk është eksperti i kriptovalutave, Granit Kadolli, që ka marrë pjesë në disa prej debateve publike për këtë çështje.

    “Nuk i kanë cekë disa gjëra teknike, kush e merr përgjegjësinë, banka apo kartelat, nuk e kanë cekë tokenizimin”, tha Kadolli.

    Nuk ka shifra të sakta sa persona mihin apo tregtojnë me kriptovaluta në Kosovë. Mirëpo, Kadolli thotë se kjo veprimtari ka trend të rritjes.

    Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë disa herë thirrje që të paguhet tatimi në fitim deri në 10%. Por nuk ktheu përgjigje të martën sa ka mbledhur taksa nga ky sektor.

    Monedha më e famshme digjitale është Bitcoin, që aktualisht i është rritur vlera në rreth 60 mijë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mbi 9 milionë euro për 481 vetura me qira, tenderi i AQP-së

    Mbi 9 milionë euro për 481 vetura me qira, tenderi i AQP-së

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Më shumë se 9 milionë euro pritet t’i shpenzojnë institucionet qendrore, lokale dhe të tjera publike për vetura me qira deri në vitin 2029.

    Gjithsej 34 autoritete kontraktuese kanë kërkuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit të nisë procedurat në mënyrë që për pesë vitet e ardhshme, trupat inspektuese t’i kenë në dispozicion 481 vetura, të 6 modeleve.

    Në mesin e institucioneve që kërkojnë më shumë vetura, prijnë Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Infrastrukturës me 69 automjete, respektivisht 59.
    Prej komunave, kryeson kryeqyteti që ka kërkuar 35 sosh.

    Bazuar në vlerën parashikuar të tenderit i bie që qiraja për secilën veturën të jetë rreth 18 mijë e 800 euro. Për një ish-ministre të Financave është më e drejtë që veturat të blihen në mënyrë që ato të mbesin pronë e përhershme e institucioneve.

    “Kur kam pa karakteristikat e veturave të cilat janë kërkuar dhe duke parë një buxhet mbi 9 milionë euro, unë kam besuar thellë se me ato mjete mund të blihen rreth 400 vetura të reja, të cilat do të mbeteshin pronë e institucionit”, tha kryesuesja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, Hykmete Bajrami.

    Nëse çmimi mesatar i një veture të re llogaritet të jetë 20 mijë euro, atëherë me 9 milionë e 66 mijë, mund të blihen 453 vetura të reja.

    Andaj, për kryesuesen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave, kjo mund të jetë keqpërdorim i parasë publike.

    Sipas specifikave në dosje të tenderit, veturat duhet të jenë të prodhuara në vitin 2023 ose 2024. Katër nga modelet e përshkruara janë vetura të vogla, ndërsa dy të tjera SUV që ndryshe njihen si Xhip.

    Ndërkohë, afati për dorëzimin e ofertave për tenderin 9 milionësh, i paraparë të mbyllet sot, është shtyrë për 12 prill.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Projekti 5000” i Serbisë

    “Projekti 5000” i Serbisë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Rekrutimet ende po vazhdojnë.

    Vetëm 250 kandidatë, në klasën e parë të vitit 2023, kaluan trajnimet për t’u bërë pjesë e Njësisë Speciale ushtarake më të madhe në Ballkan, që fqinji verior i Kosovës synon ta krijojë deri në fund të vitit aktual.

    Kjo njësi pritet të numërojë një personel prej gjithsej pesë mijë anëtarësh. Andaj autoritetet serbe e kanë quajtur këtë nismë “Projekti 5000”.

    “Sipas raportimit, presidenti Vucic po kërkon rritje të numrit të personelit të forcave speciale nga 1500 në 5000, nën të ashtuquajturin emërtim ‘Projekti 5000’’. Arsyeja e kësaj iniciative gjoja qëndron në sfidat dhe kërcënimet e perceptuara nga Qeveria e Serbisë, e cila, sipas saj, thekson nevojën për kapacitete të zgjeruara në kryerjen e operacioneve speciale, në një spektër më të gjerë operativ dhe strategjik. Me një ritëm të tillë, ‘Projekti 5000’ me shumë mundësi nuk do t’i përmbushë objektivat e tij, deri në afatin e caktuar – fundi i vitit 2024”, thuhet në raportin i QKSS-së.

    Referuar raportit të Qendrës Kosovare për Studimet të Sigurisë, që adreson këtë çështje, implementimi i “Projektit 5000”, mund të rezultojë me mobilizim për furnizim me armatim të vendeve fqinje.

    “Këto zhvillime mund të kontribuojnë në një dilemë sigurie në Ballkanin Perëndimor, ku vendet fqinje mund të ndihen të detyruara të forcojnë aftësitë e tyre ushtarake si përgjigje, duke çuar potencialisht në një garë armatimi dhe tensione në rritje. Gara e armatimit midis Serbisë dhe Kroacisë – për shumëkënd – tashmë kjo po ndodh”, thuhet më tej në raportin i QKSS-së.

    Andaj Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në raport ka paraqitur edhe disa rekomandime për Qeverinë e Kosovës.

    “Qeveria duhet të investojë më shumë në institucionet e inteligjencës dhe të zhvillojë aftësi të reja të mbledhjes së informatave për të ofruar paralajmërim të hershëm. Agjencia e Inteligjencës e Kosovës dhe Policia e Kosovës duhet të shtojnë mjetet dhe sensorët për të monitoruar situatën në veri të Kosovës, ndërsa policia kufitare duhet të rrisë prezencën dhe patrullimet e saj përgjatë kufirit me Serbinë. (ZBULIM) Qeveria duhet të rrisë bashkëpunimin me partnerët strategjikë në shkëmbimin e informacionit (ZBULIM)”, thuhet në raportin i QKSS-së.

    Sipas të dhënave të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, në vitin 2023 Forcat e Armatosura të Serbisë përbëheshin nga gjithsej 25 mijë trupa aktive.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE pa progres

    Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE pa progres

    Përgatiti: Armand Hoti

    Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk po shënon progres.

    Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se vazhdimi i aplikimit të Kosovës drejt anëtarësimit në union, po pengohet nga zhvillimet në vend.

    Specifikisht, Komisioneri Varhelyi, përmendi vendimin e Bankës Qendrore, që lejon euron si valutë të vetme për kryerjen e pagesave në territorin e Kosovës.

    “Fatkeqësisht ngjarjet e fundit në Kosovë nuk e bënë fare të lehtë për Këshillin Evropian, që t’ia besojë detyrën te Komisioni që ta vlerësojë aplikimin e Kosovës. Ne kemi thënë shumëherë që kurdo që Këshilli ia beson Komisionit ta japë opinionin e tij në këtë aplikim, ne jemi gati të bëjmë këtë. Por ne po e shohim shumë qartë se në vend të deeskalimit, ne po shohim shfaqjen e elementeve të reja të eskalimit në atë vend. I fundit është vendimi i Bankës Qendrore, që ndalon një valutë të huaj”, tha Varhelyi.

    Vendin në ulësen e vendit anëtar në BE, shumë më shpejt pritet ta sigurojë Shqipëria, meqë sipas Komisionerit Varhelyi, tashmë i ka përmbushur gjithë çka i është kërkuar.

    “Komisioni Evropian ka disa muaj që pret vendimin e shteteve anëtare për hapjen e negociatave. Duhet të hiqet bllokimi nga një shtet anëtar. Ne duhet ta mbajmë premtimin, sepse Shqipëria i ka realizuar të gjitha kushtet. Para zgjedhjeve evropiane duhet të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare. Të nisë shqyrtimi i kapitullit të parë për të drejtat themelore dhe të vijojmë më tej”, tha Varhelyi.

    Ndërkaq, diplomati evropian tha se përparime për hapjen e negociatave për anëtarësim po shënon edhe Serbia, ndonëse pati vërejtje.

    “Megjithatë, gjërat nuk shkuan më lehtë në Serbi kur organizoheshin konferenca të reja ndërqeveritare për anëtarësimin dhe mendoj se kjo është për shkak të ndikimit të agresionit rus në Ukrainë. Por ne vërejmë përparim edhe në terren, prandaj i qëndrojmë propozimit tonë për hapjen e grupit të ardhshëm të negociatave”, tha Varhelyi.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit 2022.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kurti: S’pranohen propozimet që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së

    Kurti: S’pranohen propozimet që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pavarësisht presionit nga ndërkombëtarët dhe propozime që mund t’i marrë, Kryeministri Albin Kurti ka potencuar se nuk do të pranohet asnjë propozim që është në kundërshtim me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës.

    I pari i ekzekutivit për Radio Evropën e Lirë dha një opsion që, sipas tij, mund të zgjidhë këtë çështje.

    “Serbia e ka shansin unik që guvernatori i Bankës Popullore të Serbisë t’i përgjigjet, Ahmet Ismaili – dhe në këtë mënyrë dy bankat qendrore ta rregullojnë çdo paqartësi. Pra, njëra ndër opsionet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, për të cilën janë të njoftuar edhe partnerët ndërkombëtarë, është që më në fund guvernatori Ismaili të marrë letrën e përgjigjes”, tha Kurti.

    Kurti tha se shqetësimi i Beogradit nuk është për qytetarët serbë që jetojnë në komunat veriore, po pamundësia për të futur dinarë në Kosovë.

    Ndërkaq, për dialogun me Serbinë, i pari i Qeverisë tha se procesi ka ngecur te shkeljet që ia bën Serbia marrëveshjes.

    “Së paku tetë nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, Serbia i ka shkelur. Dhe, kjo ka kulmuar me letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, e cila tash do të jetë kryetare e Parlamentit të Serbisë, ku ajo thotë se praktikisht tërhiqen nga Marrëveshja Bazike dhe nga aneksi i zbatimit [i arritur] në Ohër”, tha Kurti.
    Për draft-statutin për asociacionin Kurti tha se janë duke punuar në atë drejtim.

    “Mua po më thuhet që marrëveshjen duhet ta bëjmë me Beogradin zyrtar dhe unë po angazhohem për këtë. Por, ajo që nuk duhet ta bëjë askush, është që draft-statutin e Asociacionit ta nxjerrë nga paketa, sepse në atë mënyrë i bëhet shërbim Serbisë”, tha Kurti.

    Ndërsa, duke folur për çështjen e tokave rreth Manastirit të Deçanit, ai thotë se ka përfunduar gjithçka dhe, sipas tij, Kosova e ka rastin unik që në pranverë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kthim prapa në dialog, një vit pas dakordimit “Nuk ka marrëveshje”

    Kthim prapa në dialog, një vit pas dakordimit “Nuk ka marrëveshje”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Një vit pas dakordimit në Ohër, diskutimi qendror në rundin e ri të bisedimeve në nivel kryenegociatorësh në Bruksel ishte se a ka apo jo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Pas takimeve, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, kuptoi brengën e Kosovës se mungesa e nënshkrimit ndikoi në mos-zbatim dhe tensione në terren.

    Referuar diskutimeve në takim, ai theksoi se kryenegociatori i Serbisë doli haptas kundër marrëveshjes.

    “Në fakt, na u tha që Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë dhe po ashtu na u tha që për Serbinë është e pamundshme të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën. Pastaj, kur pala serbe vetë iu referua marrëveshjes së vitit 2013, të cilën e kanë nënshkruar, Petkovic tha se ne nënshkruajmë vetëm marrëveshje që nuk kanë të bëjnë me statusin dhe se ato që prekin statusin apo njohjen de-fakto ne nuk i nënshkruajmë. U konstatua nga z. Lajcak që Serbia e ka problem të lëvizë në këtë drejtim, rrjedhimisht kjo duhet të diskutohet në një takim të ardhshëm me krerët e shteteve, meqë dukej qartazi që kryeneogciatori i Serbisë nuk kishte kurrfarë mandati të diskutonte për këtë”, tha Bislimi.

    Megjithatë, Bislimi kumtoi se një hap u bë lidhur përudhën kalimtare për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës

    “U dakorduam që deri të premten secila palë të sjell propozimin e saj se si sheh zgjidhjen afat-shkurtër dhe si të fillohet me zgjidhjen afat-gjatë, e pastaj javën tjetër të mblidhemi sërish që të diskutojmë sa a mund të gjejmë një hapësirë ku këto dy propozime mund konvergjojnë drejt një propozimi të vetëm, që do të ishte i pranueshëm për palën kosovare”, tha Bislimi.

    Dokumenti për termat e referencës për çështjen e personave të zhdukur me dhunë, ishte po ashtu një nga temat e takimit.

    Tema ishin edhe mos-zbatimi i plotë nga Serbia i udhërrëfyesit për energjinë si dhe shqetësimet e Kosovës lidhur me telekomunikacionin.

    Zëvendëskryeministri Bislimi tha se i ka kërkuar Lajcakut që të dërgojë një letër në Këshillin e Evropës për të qartësuar se ky dialogu nuk ka lidhje me procesin e anëtarësimit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Futbolli italian në zi, ndahet nga jeta drejtori sportiv i Fiorentinës

    Futbolli italian në zi, ndahet nga jeta drejtori sportiv i Fiorentinës

    Drejtori Sportivi i skuadrës së Fiorentinës, Joe Barone, ka ndërruar jetë.

    Barone vdiq në moshën 57-vjeçare.

    Lajmin për vdekjen e drejtorit sportiv, e ka bërë të ditur vetë klubi italian me anë të një postimi në faqen zyrtare.

    “Me dhimbje të thellë dhe trishtim të jashtëzakonshëm, Fiorentina sot humbet pankinën, një figurë që shënoi historinë e fundit të klubit dhe nuk do të harrohet kurrë. Drejtori i Përgjithshëm Giuseppe Barone, pas sëmundjes së ndodhur të dielën, ka ndërruar jetë sot në spitalin “San Raffaele” të Milanos.”

    Kujtojmë që Barone u dërgua në spital të dielën, duke sjellë dhe shtyrjen e ndeshjes së kampionatit, të cilën Fiorentina e kishte planifikuar ta luante përballë Atalantës. Ai u sëmur në hotelin ku qëndronte ekipi, pak minuta para se sfida të startonte.

    Barone luajti një rol mjaft të rëndësishëm në klubin vjollcë, pasi ishte krahu i djathtë i presidentit të Fiorentinës, Commisso, që kur miliarederi me origjionë italiane e bleu klubin në vitin 2019.

  • Arrestohet një person, dyshohet se përvetësoi mbi 2 milionë euro duke mashtruar qytetarët

    Arrestohet një person, dyshohet se përvetësoi mbi 2 milionë euro duke mashtruar qytetarët

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njoftoi se është arrestuar personi i dyshuar me iniciale J.M., nën dyshimin për mashtrim.

    Sipas prokurorisë, ai dyshohet se në periudha të ndryshme nga viti 2021 e gjer në muajin korrik 2023, ka mashtruar qytetarë të ndryshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, dhe dyshohet se vlera e përfitimit është rreth 2 milionë euro.

    Tutje, u bë e ditur se i dyshuari, me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh dhe në afatin e paraparë ligjor Prokuroria Themelore në Mitrovicë ndaj të dyshuarit do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së sigurisë – masës së paraburgimit.

  • Konjufca takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

    Konjufca takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, takoi kryetarët e komisioneve parlamentare, për të diskutuar për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.

    Pjesë e këtij takimi ishin edhe përfaqësuesit e NDI-it, e cila së bashku me USAID-in e ka mbështetur Kuvendin në hartimin e doracakut për procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

    Kryetari Konjufca tha se përveç miratimit të ligjeve edhe mbikëqyrja e zbatimit të tyre është shumë e rëndësishme për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

    Kryetari i Kuvendit inkurajoi kryetarët e komisioneve parlamentare që të hartojnë edhe miratojnë projektligje sa më përmbajtësore, por njëkohësisht të fokusohen edhe në aktivitetet mbikëqyrëse të Kuvendit.

    Kryetari Konjufca, po ashtu, kërkoi nga kryetarët e komisioneve parlamentare që raportet e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve t’i publikojnë me kohë.

    Kryeu i Kuvendit falëndëroi USAID-in dhe NDI-në për mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar se doracaku për procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve do ta plotësojë boshllëkun sa i përket metodologjisë së procesit mbikëqyrës që ka ekzistuar në Kuvendin e Kosovës.

    Përfaqësuesi i NDI-së, Valon Kurhasani, tha se mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve është sfidë jo vetëm për Kuvendin, por edhe për kuvendet e shteteve të tjera.

    Kur Hasani theksoi se gjatë hartimit të doracakut janë marrë praktikat e disa vendeve evropiane dhe se pas një periudhe kohore të pilotimi së bashku me Kuvendin do të vlerësohet nëse është e nevojshme që të plotësohet apo jo.

    Gjatë diskutimit, kryetarët e komisioneve parlamentare folën për përvojat dhe sfidat e procesit të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve në Kosovë.

    Doracaku i hartuar me mbështetjen USAID-it dhe NDI-së, u vlerësua lartë edhe nga kryetarët e komisioneve parlamentare.

    Ishte konkluzion i përbashkët që Kuvendi duhet të shtojë dinamikën e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve në Kosovë.