ATV

Blog

  • Duhani në lokale, Ministria e Shëndetësisë paralajmëron gjoba deri në 3 mijë euro

    Duhani në lokale, Ministria e Shëndetësisë paralajmëron gjoba deri në 3 mijë euro

    Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se po vazhdon pa kompromis zbatimi i Ligjit për Kontroll të Duhanit, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas MSH-së nga tani e tutje gjobat për të gjithë ata që shkelin Ligjin për Kontrollin e Duhanit, do të jenë nga 1 mijë deri në 3 mijë euro.

    MSh-ja po ashtu bënë të ditur se nga janari deri me datë 14.03.2024 janë shqiptuar gjithsej 1328 gjoba.

    “Muajin e parë të vitit gjobat kanë qenë minimale, me qëllim që të nxisim bashkëpunim të ndërsjellë pa i ngarkuar bizneset, ndërsa tash e tutje gjobat për ata që thyejnë ligjin do të jenë maksimale, prej 1000 deri në 3000 euro”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

    Ndryshe, duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit në botë, duke përfshirë rreth 1.3 milionë jo-duhanpirës të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit të dorës së dytë;

    Në çdo 6.5 sekonda një njeri vdes në botë nga pasojat e duhanpirjes;

    Duhani vret gjysmën e përdoruesve të tij. Është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë;

    Pirja e duhanit vlerësohet se shkakton: 67% të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive; 34% të vdekjeve nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe 8% të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare.

  • Haradinaj: Qeveria e sotme nuk po e respekton dhe përkrah Deçanin në kërkesat jetike në shërbim të qytetarëve

    Haradinaj: Qeveria e sotme nuk po e respekton dhe përkrah Deçanin në kërkesat jetike në shërbim të qytetarëve

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vizituar sot kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

    Ai ka thënë se shkaku i qeverisë aktuale, shumë projekte kanë mbetur pa buxhetin e domosdoshëm për t’i përfunduar ato.

    Kjo sjellje e tillë e qeverisë ndaj Deçanit sipas Haradinajt, duhet të ndërpritet dhe t’i ofrohet përkrahja e merituar në projektet që kanë mbetur pezull.

    Postimi i plotë:

    “Sot qëndrova në Deçan ku zhvillova një diskutim me kryetarin, z. Bashkim Ramosaj dhe autoritetet tjera lokale për të gjitha zhvillimet e fundit në Deçan e më gjerë. Deçani, si çdoherë ka nderuar Kosovën e gjithë kombin në të gjitha çështjet e ndjeshme, dhe do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për t’i respektuar vendimet e institucioneve qendrore të Kosovës, sepse është shteti ynë dhe shtet tjetër nuk kemi.
    Por, qeveria e sotme e Kosovës nuk po e respekton dhe nuk po e përkrah Deçanin në kërkesat jetike në shërbim të qytetarëve. Shumë projekte kanë mbetur pa buxhetin e domosdoshëm për t’i përfunduar ato. Kjo sjellje e tillë e qeverisë ndaj Deçanit duhet të ndërpritet dhe t’i ofrohet përkrahja e merituar në projektet që kanë mbetur pezull”.

  • Navalnaya i bën thirrje botës të mos e njohë Putinin si lider legjitim

    Navalnaya i bën thirrje botës të mos e njohë Putinin si lider legjitim

    Yulia Navalnaya, e veja e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të refuzojë njohjen e presidentit Vladimir Putin si lider “legjitim” të shtetit, pas zgjedhjeve të fundjavës që “nuk kanë asnjë rëndësi”.

    Duke folur për mbështetësit e saj, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, më 19 mars, Navalnaya ka bërë thirrje që të mos ketë dorëzim në të bërit opozitë ndaj Putinit, i cili lehtësisht i ka fituar më shumë se 87 për qind të votave në mungesë të rivalëve pasi ata janë burgosur, ose u është ndaluar gara.

    “Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk kanë asnjë kuptim. Putini dëshiron t’i tregojë botës se ka shumë mbështetje”, ka thënë Navalnaya.

    “Këto zgjedhje janë kryer, por asgjë nuk është përfunduar. E kundërta, ne duhet të mbledhim forcën dhe të punojmë më fortë sesa më parë”, ka shtuar ajo.

    Putin e ka shpallur fitoren për mandatin e pestë presidencial, pas zgjedhjeve të mbajtura më 15-17 mars, të cilat janë dënuar prej Perëndimit, duke u cilësuar si as të drejta, as të lira.

    Besohet që përmes këtyre zgjedhjeve, Putin ka tentuar të fitojë përkrahje për luftën e nisur në Ukrainë dhe politikat e tij gjithnjë e më shtypëse.

    Putin, 71-vjeçar, i cili ka udhëhequr në Rusi, qoftë si president, apo si kryeministër, prej vitit 2000 – pritet të tejkalojë udhëheqësinë 30-vjeçare të Josef Stalinit, nëse do ta përfundojë këtë mandat të ri.

    Kështu, ai do të mund të bëhet lideri rus që ka shërbyer më së gjati në dy shekujt e fundit.

    Vëzhguesve të pavarur u është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje, për herë të parë në historinë post-sovjetike të Rusisë, kanë thënë ekspertët.

    Në video, Navalnaya i ka lavdëruar rusët që kanë marrë pjesë në protestën e 17 marsit, që është organizuar nga ndihmësit e Navalnyt në Rusi dhe vende tjera.

    Ajo aktualisht është duke jetuar jashtë Rusisë, mirëpo është zotuar se do ta vazhdojë luftën e burrit të saj “për një Rusi të mrekullueshme në të ardhmen”.

    Burri i saj, Aleksei, ka vdekur më 16 shkurt, në një prej burgjeve më famëkeqe të Rusisë, në rrethana të dyshimta.

    Navalnaya dhe shumë qeveri perëndimore e fajësojnë Putinin për vdekjen e kritikut të Kremlinit./REL/

  • Fillon takimi trepalësh në Bruksel

    Fillon takimi trepalësh në Bruksel

    Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë ndodhen sot në Bruksel për takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Aktualisht, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, të kryesuara nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë në takim të përbashkët, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

    Paraprakisht, Lajçak priti veç e veç Bislimin dhe Petkoviqin.

    Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve. Bisedimet, megjithatë, mund të mbeten nën hijen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë – temë kjo, po ashtu, e paralajmëruar nga BE-ja. Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova e ndaloi përdorimin e kësaj valute më 1 shkurt, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese. Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re./REL/

    Rundi i ri i dialogut Kosovë – Serbi: Kryengociatorët sot në Bruksel diskutojnë edhe për dinarin

  • Banka Botërore i ndan Kosovës 90 milionë euro mbështetje për reformat ekonomike

    Banka Botërore i ndan Kosovës 90 milionë euro mbështetje për reformat ekonomike

    Bordi i Bankës Botërore dje ka miratuar Marrëveshjen për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore, me një vlerë prej 90 milionë euro.

    Kjo marrëveshje në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave thuhet se vjen si rezultat i veprimeve të realizuara të Republikës së Kosovës në forcimin e stabilitetit fiskal dhe makroekonomik, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime dhe fillimin e tranzicionit drejt një ekonomie të gjelbër.

    Përmes marrëveshjes së re, e cila do të nënshkruhet muajin që vjen gjatë Takimeve Pranverore në Washington DC, janë realizuar një varg veprimesh siç janë reforma ligjore në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme, përmirësimi i efiçiencës së energjisë, zvogëlimi i barrës administrative, rritja e investimeve të huaja direkte, dixhitalizimi dhe lehtësimi i të bërit tregti.

  • Presidentja Osmani priti në takim presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons

    Presidentja Osmani priti në takim presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andreew Parsons, të shoqëruar nga presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.

    Kosova do të përfaqësohet për herë të parë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, ndaj Presidentja Osmani e ka cilësuar këtë moment historik, duke shpresuar në përfaqësim të denjë të sportistëve tanë në këto gara ndërkombëtare.

    Presidentja Osmani ka falënderuar për mbështetjen e deritashme presidentin Parsons dhe ka shtuar nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit në funksion të krijimit të kushteve sa më të mira për parasportistët.

    Kurse presidenti Parsons e ka ftuar zyrtarisht Presidenten Osmani që të jetë prezente në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike “Paris 2024”, më 28 gusht.

  • Pas Bislimit, Lajçak takohet me Petkoviqin

    Pas Bislimit, Lajçak takohet me Petkoviqin

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviq në Bruksel.

    Takimi i përbashkët trepalësh nuk është ende e sigurt se do të ndodhë, ndërsa pak kohë më parë Lajçak e ka takuar edhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

  • (VIDEO) Edi Rama shtyn gazetaren, refuzon të përgjigjet

    (VIDEO) Edi Rama shtyn gazetaren, refuzon të përgjigjet

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po raportohet se ka shtyrë me duar një gazetare pasi doli para mediave.

    Sipas raportimeve në media, Rama përdori kontakt fizik ndaj gazetares, e cila po bënte një pyetje lidhur me financimin e portit të ri të Durrësit.

    “Ju lutem mos më prekni më,” iu drejtua gazetarja, ndërsa Rama u largua pas incidentit fizik.

  • KMDLNj: ZRrE-ja do ta vazhdojë keqbërjen ndaj qytetarëve të Kosovës

    KMDLNj: ZRrE-ja do ta vazhdojë keqbërjen ndaj qytetarëve të Kosovës

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka deklaruar se Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të Kosovës është duke i dëmtuar dhe vjedhur qytetarët e vendit me mbi 40 milionë euro.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vërtetuar vendimet e gjykatave tjera duke i kërkuar ZRrE-së t’ua kompensojë qytetarëve të Kosovës shumën prej 40 milionë eurove.

    Sipas KMDLNj-së, ZRrE-ja në mënyrë të kundërligjshme ka vjedhur në periudhën 2012 – 2017 për t’ua paguar rrymën qytetarëve të katër komunave në veri të Kosovës të cilët asnjëherë nuk e kanë paguar rrymën, që nga përfundimi i luftës, deri më sot.

    “ZRrE e ka pranuar këtë vendim por se nuk është deklaruar për mënyrën e kompensimit. Fillimisht bëhej fjalë për 100 milionë të vjedhura e që me alkiminë e këtij rregullatori zhvatës u zvogëlua në 40 milionë. Qeveria aktuale e Kosovës për këtë vendim e ka zgjedhur gjuhën e peshkut – të heshtjes ndonëse nuk ka lënë pa kritikuar vendimet tjera”.

    “Pas hetimeve, KMDLNj mendon se kjo shifër do të dali shumë më e lartë. Me një qeveri që është aleate e ZRrE, me nje Prokurori jovepruese, me një opozitë të rraskapitur fare dhe e ngarkuar me mëkate nga e kaluara për çështjen e vjedhjes përmes faturave të fryera, qytetarët e Kosovës jo që nuk do të zhdëmtohen për dëmet që u janë bërë dhe po ua bënë ky Rregullator i kriminalizuar dhe i veshur me përkrahje politike por këtë keqbërje do ta vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

  • Disa arsye përse duhet konsumuar sa më shumë kungull

    Disa arsye përse duhet konsumuar sa më shumë kungull

    Ashtu si perimet dhe frutat e tjera në ngjyrë portokalli, si qitrot, karotat dhe patatet e ëmbla, edhe kungujt janë të pasur me beta karotene. Trupi e ndryshon këtë antioksidues në vitaminë A.

    Kjo vitaminë i nevojitet trupit për shikim më të mirë, për të luftuar bakteret dhe për të ndihmuar sistemin riprodhues të funksionojë siç duhet. Ajo ndihmon gjithashtu me zemrën, mushkëritë, veshkat dhe organet e tjera që të jenë të shëndetshme.

    Forcon shikimin: Një kupë me kungull mund t’ju sigurojë 200% të sasisë së rekomanduar çdo ditë për vitaminën A. Nëse e merrni atë, sytë do t’ju falënderojnë.

    Ul rrezikun për kancer: Vitamina A nga kungulli siguron një tjetër përfitim shëndetësor: një rrezik më të ulët për të zhvilluar disa lloje kanceri, si ai i mushkërisë dhe prostatës. Studimet tregojnë se ky përfitim vjen vetëm kur konsumoni ushqime me vitaminë A. Nuk mund të merrni të njëjtën mbrojtje vetëm nga suplementet e vitaminës A.

    Forcon imunitetin: Përveç beta karotenes, kungujt janë të pasur edhe në vitaminë C, E, hekur dhe folate – lëndë ushqyese këto që forcojnë sistemin imunitar. Përfshirja e kungullit në dietë ndihmon në mirëfunksionimin e qelizave, luftimin e baktereve dhe shërimin më të shpejtë të plagëve.

    Parandalon tensionin e lartë të gjakut: Ngjyra portokalli e kungullit tregon gjithashtu se kjo perime është e pasur në kalium. Kjo është shumë e rëndësishme për uljen e tensionit të gjakut. Farat e kungullit janë gjithashtu të pasura në minerale dhe sterolë bimorë që rrisin nivelet e kolesterolit të mirë (LDL) dhe mbajnë nën kontroll tensionin e gjakut.

    Ndihmon rënien nga pesha: Kungujt janë të pasur me sasi të larta fibrash. Kjo do të thotë që ju mbajnë të ngopur për një kohë të gjatë. Fibrat në dietë ndihmojnë edhe shëndetin digjestiv, kështu nuk do të keni probleme me kapsllëkun.