ATV

Blog

  • Knaus: Raportuesja Bakoyannis ka rekomanduar që Kosova të pranohet në maj në KiE

    Knaus: Raportuesja Bakoyannis ka rekomanduar që Kosova të pranohet në maj në KiE

    Gerald Knaus nga European Stability Initiative ka thënë se Raportuesja Dora Bakoyannis ka rekomanduar në raportin e saj pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

    Ai ka thënë se Kosova e ka hequr edhe një pengesë për pranim në këtë organizatë. Në profilin e tij në X, ai ka publikuar edhe pjesë nga raporti.

    Knaus, thotë se Bakoyannis ka rekomanduar që Kosova aty të pranohet me emrin Kosova, pa u përmendur Republika.

    “Raporti nga ish-Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakoyannis: “17. Prandaj, Asambleja i rekomandon Komitetit të Ministrave: 17.1. Të ftohet Kosova që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës me emrin “Kosova”; 17. Të ndahen 3 ulëse”, ka shkruar Knaus.

    Udhëheqësi i ESI-it, instituti i cili gjatë muajit mars doli me një raport për Manastirin e Deçanit, ku Kosovës i kërkohej të zbatojë vendimin për t’ia regjistruar Manastirit 24 hektarët, nëpërmjet një videoje në nga Athina, ka thënë se sot është një ditë e mirë për Evropën.

    “Kosova e ka hequr edhe një pengesë për t’u bërë në maj të këtij viti, si demokracia e fundit në kontinent që nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, e klubit më të vjetër të demokracive që mbush 75 vjet këtë prill. Pas 12 vjetësh, Kosova ka zbatuar vendimin rreth pronës së Manastirit Ortodoks të Deçanit. Kjo është bërë e qartë nga raportuesja e Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare Dora Bakoyannis, ish-ministrja e Jashtme e Greqisë. Ajo ka rekomanduar anëtarësimin, ka definuar kushtet e pasanëtarësimit, kjo do të jetë e mirë për sundimin e ligjit, për pakicat, për vetë Kosovën. Por, gjëja më e rëndësishme është se do të ketë përkrahje të fuqishme siç duket nga Asambleja Parlamentare dhe pastaj shtetet anëtare në maj mund t’i ndjekin ata, bazuar në të gjitha detajet që janë gjetur dhe ta pranojnë Kosovën. Gjë e mirë për Ballkanin, për Evropën, për Këshillin e Evropës dhe win- win – win për të gjithë”.

  • ​Muzeu Kombëtar i Kosovës tash e disa ditë në terr, vizitorët s’mund të hyjnë brenda

    ​Muzeu Kombëtar i Kosovës tash e disa ditë në terr, vizitorët s’mund të hyjnë brenda

    Tash e disa ditë Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk po mund të pranojë vizitorë, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Dy sallat ekspozuese, në të cilat janë të vendosura shumë artefakte, si pasojë e një defekti në sistemin e rrymës, janë pa ndriçim.

    Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu në një intervistë për KosovaPress thotë se pavarësisht përpjekjeve të personelit teknik të muzeut dhe ekipeve të tjera nga Ministria e Kulturës dhe asaj të Punëve të Brendshme, nuk është arritur të rregullohet problemi i rrymës.

    Ajo potencon se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, katër grupe të paralajmëruara për vizitë në muze, nuk kanë mundur t’i eksplorojnë sallat e ekspozitave.

    “Kjo qëndron, në ndërtesën e muzeut nuk është që nuk ka energji elektrike, por i kemi mbyllur vetëm dy salla të ekspozitave, për faktin që është evidentuar një defekt jo vetëm në sistemin e rrymës. Kur them sistemin e rrymës, flasim për ndriçimin brenda sallave ekspozuese dhe në sistemin e alarmit. Aktualisht jemi në këtë periudhë, fillimisht jemi munduar që të evidentojmë përmes stafit, personelit teknik që e ka Muzeu Kombëtar i Kosovës. Pas disa përpjekjeve kemi vërtetuar që ne nuk është çështje që mund ta rregullojë stafi i Muzeut dhe normalisht i jemi nënshtruar procedurave të tjera. Dhe kjo ka sjellë për pasojë mbylljen e sallave ekspozuese”, thotë Aliu.

    Për KosovaPress, Aliu tregon se në pamundësi për të hyrë brenda sallave të ekspozitave, dy grupe e kanë realizuar vizitën në oborrin e muzeut, duke marrë shpjegime nga ciceroni dhe të njëjtit janë përcjellë në Kompleksin Etnologjik “Emin Gjiku”.

    Ajo thotë se ka pasur edhe kërkesa të tjera për vizitë, porse janë lajmëruar se me rregullimin e defektit, do të mirëpriten.

    “Fatkeqësisht po, kemi pasur katër grupe të paralajmëruara, dy prej tyre kanë ardhur dhe e kanë realizuar vizitën me shpjegime të cilat janë dhënë nga ciceronët në oborrin e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe tutje janë përcjellë në Kompleksin Etnologjik “Emin Gjiku”. Gjithsesi ka pasur edhe kërkesa tjera, dhe i kemi lajmëruar që në momentin që ky defekt të rregullohet, do t’i mirëpresim si herëve të tjera,” thekson Aliu.

    Përveç këtyre, Aliu thotë se ka adresuar çështjen edhe në Ministrinë e Kulturës, e cila ka shtuar angazhimet e saj, porse defekti ende mbetet i pranishëm. Ajo potencon se sipas ekspertizës së bërë, pritet që gjatë javës së ardhshme problemi me ndriçim të rregullohet.

    “Ne kemi adresuar çështjen në Ministrinë e Kulturës pas të gjitha verifikimeve që kemi bërë. Ministria ka shtuar angazhimet e saj dhe ka ardhur një ekip i profesionistëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe raporti apo ekspertiza e tyre dhe ekspertizën që e kemi pasur më herët e kemi integruar në një dhe e kemi dorëzuar. Besoj që deri në fillim të javës së ardhshme mbyllet procedura”, potencon Aliu.

    Gjatë vitit të kaluar, Muzeun Kombëtar të Kosovës e vizituan rreth 12 mijë vizitorë. Ndërkaq, sipas Ministrisë së Kulturës, projekti për renovimin dhe restaurimin e ndërtesës së muzeut ka kaluar edhe fazat e vlerësimit nga komisioni i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe shumë shpejt do të nisë procedura për angazhimin e operatorit që do ta bëjë restaurimin e saj.

  • Ministria e Bujqësisë mbyll përfundimisht pompën e derivateve “Patroni”, asistimi bëhet nga Policia e Kosovës

    Ministria e Bujqësisë mbyll përfundimisht pompën e derivateve “Patroni”, asistimi bëhet nga Policia e Kosovës

    Inspektorë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, të premten kanë shkuar sërish në pompën e derivateve “Patroni”, pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale vendosi në favor të ministrisë së udhëhequr nga Faton Peci, raporton EO.

    Inspektorë të asistuar nga Policia e Kosovës kanë vendosur përfundimisht shiritat në pronën që gjendet përballë objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë në Prishtinë.

    Më 1 shkurt të këtij viti, Ministria e Bujqësisë ndërmori aksion për lirimin e dy pronave në afërsi të objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë.

    Njëra nga pronar shfrytëzohej me qira nga pompa e derivateve ‘Patroni’. Megjithatë, Ministria e Bujqësisë vendosi që kontrata e qirasë për pompën e derivateve të mos vazhdohej.

    Ministri Peci ka paralajmëruar se në të njëjtin lokacion pritet të nisin procedurat për ndërtimin e objektit të ri të Ministrisë së Bujqësisë.

  • Sot Sulltan Nevruzi, dita e shpresës dhe ringjalljes për bektashinjtë

    Sot Sulltan Nevruzi, dita e shpresës dhe ringjalljes për bektashinjtë

    Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

    Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët në këtë ditë feste, ndërsa ka ndarë edhe pamje nga teqja Kuzum Baba në Vlorë.Një urim për më shumë geati e shëndet e pati edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

    “MIRËMËNGJES dhe nga Kurora e Malit Sevaster në Selenicë, ju uroj gëzuar festën e Sulltan Nevruzit”, shkruan Rama.

    Nga ana tjetër, sekretari amerikan Antony Blinken ka uruar besimtarët në gjithë botën, që ky vit të sjellë paqe e shëndet për të gjithë.

    Çfarë është Sulltan Nevruzi

    Fjala “Nevruz“ do të thotë “Dita e re” (nga persishtja) dhe ’Sulltan’, është titull i lartë. Kjo ditë, e ka origjinën që herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Nevruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut.

    Prandaj kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit. Ai ka lindur më 22 mars dhe është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve.

    Si festohet Sulltan Nevruzi?

    Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë.

    Gatimet për festën e Sulltan Nevruzit

    Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh. Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike.

    Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe.

    Festa e Sulltan Nevruzit, uron Blinken: Gëzuar, ky vit sjelltë më shumë paqe e shëndet

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit. Blinken uron që ky vit i ri të sjellë më shumë paqe, shëndet e begati.

    “Gëzuar Nevruzin! Në emër të Departamentit të Shtetit, u uroj Gëzuar Nevruzin të gjithë atyre që festojnë këtë traditë të lashtë dhe ardhjen e pranverës. Për shekuj me radhë, bashkësi përreth botës, përfshirë në Iran, Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe të Jugut, Europë dhe përtej, janë mbledhur për të festuar përtëritjen e natyrës dhe premtimin e një viti të ri. Nevruzi ofron një mundësi për të përtëritur marrëdhënie të rëndësishme, për të vlerësuar bekimet dhe për të parë përpara, drejt asaj që e ardhmja sjell. Teksa reflektojmë mbi këtë vit të shkuar, ne shpresojmë që ky vit i ri të sjellë më shumë paqe në botë, e gjithashtu shëndet, begati dhe gëzim.” – Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony J. Blinken.

    Festa e Sulltan Nevruzit, Veliaj: Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në shtëpitë tuaja

    Kryebashkiaku Veliaj uron për festën e Sulltan Novruzit: Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë tuaja.

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar besimtarët bektashianë për Ditën e Sulltan Novruzit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan: “Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit të gjithë Komunitetit Bektashian! Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë tuaja”, thekson Veliaj.

  • Kosova ia bën ‘’sefte’’ sot me trajnerin Franco Foda ndaj Armenisë

    Kosova ia bën ‘’sefte’’ sot me trajnerin Franco Foda ndaj Armenisë

    Kombëtarja e Kosovës e zhvillon sot ndeshjen e parë për vitin 2024.

    Kosova do të luaj një miqësore në udhëtim te Armenia.

    Dardanët do t’ia bëjnë ‘sefte’ sot me përzgjedhësin e ri, Franco Foda, i cili u emërua muajin e kaluar si pasues i Primoz Gliha.

    Kjo përballje është paraparë të zhvillohet në ‘Vazgen Sargsyan Republican Stadium’ të Yerevanit, me fillim nga ora 17:00.

    Kjo nuk do të jetë përballja e vetme e verdh e kaltërve për muajin mars.

    Katër ditë më vonë, luajnë një tjetër miqësore, kësaj radhe ndaj Hungarisë në Budapest.

  • Këshilli i Sigurimit pritet të votojë për rezolutën për armëpushim në Gazë

    Këshilli i Sigurimit pritet të votojë për rezolutën për armëpushim në Gazë

    Shtetet e Bashkuara, që vazhdimisht kanë bllokuar thirrjet për armëpushim në Gazë, do të dorëzojnë të premten një draft-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i cili bën thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm”, përderisa Rusia po shtyn përpara kërkesa edhe më eksplicite për paqe.

    Që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor, SHBA-ja vazhdimisht ka përdorur veton në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar rezolutat e propozuara që bënin thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze.

    Pas vetos së fundit të vendosur nga Uashingtoni në fund të shkurtit, zyrtarët amerikanë kanë negociuar për një tekst alternativ të një drafti, duke u përqendruar në mbështetjen e përpjekjeve diplomatike që po zhvillohen për arritjen e një armëpushimi gjashtëjavor në këmbim të lirimit të pengjeve.

    Në versionin e fundit, të cilin e ka parë AFP-ja, theksohet “nevoja për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm për të mbrojtur civilët në të gjitha palët, lejimi i dërgimit të ndihmës thelbësore humanitare dhe lehtësimi i vuajtjes”.

    Në tekst po ashtu bëhet thirrje për mbështetjen “e përpjekjeve diplomatike për të arritur një armëpushim në lidhje me lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura”.

    Të mërkurën, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se rezoluta e fundit dërgon “një sinjal të fuqishëm”.

    Rezoluta “bën thirrje për një armëpushim të lidhur me lirimin e të gjitha pengjeve dhe ne shpresojmë shumë që shtetet do ta mbështesin atë”, tha Blinken gjatë vizitës në Arabinë Saudite, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Megjithatë, në tekstin e rezolutës në mënyrë eksplicite nuk përdoret termin “bëjmë thirrje”, por aty thuhet se një armëpushim është imperativ, dhe sipas Rusisë, ky është një formulim i dobët.

    “Ne nuk jemi të kënaqur me asgjë që nuk bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm”, tha zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy.

    Sipas burimeve diplomatike të AFP-së, SHBA-ja ka vota të mjaftueshme për të kaluar draft-rezolutën (të paktën nëntë vota nga 15 anëtarë të Këshillit), por ekziston mundësia që Rusia të vendosë veto.

    Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se është “optimiste” se rezoluta do të miratohet.

    Përveç armëpushimit, në tekst po ashtu “hidhet poshtë çdo përpjekje për ndryshime demografike apo territoriale në Gazë” dhe po ashtu dënohen “të gjitha aktet e terrorizmit, përfshirë sulmet e Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit”.

    Nëse miratohet, kjo do të ishte hera e parë që Këshilli i Sigurimit në mënyrë specifike do të dënonte sulmet e Hamasit, gjatë të cilave u vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë.

    Në kundërpërgjigje të sulmeve të Hamasit, Izraeli po kryen një ofensivë tokësore dhe ajrore në Gazë, ku janë vrarë pothuajse 32.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor të udhëhequr nga Hamasi.

    Dy rezoltua humanitare që janë miratuar në Këshillin e Sigurimit, por edhe ato në Asamblenë e Përgjithshme, nuk kanë përmendur Hamasin, gjë që është kritikuar nga Izraeli. /REL

  • DASH për takimin Daçiq-Lavrov: Të mos i ofrohet Putinit platformë për të nxitur agresion

    DASH për takimin Daçiq-Lavrov: Të mos i ofrohet Putinit platformë për të nxitur agresion

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë të enjten për Radion Evropa e Lirë (REL) se është i vetëdijshëm për një takim mes ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, me homologun e vet rus, Sergei Lavrov, më herët gjatë ditës në Moskë, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Ne nuk besojmë se një vend duhet t’i ofrojë [presidentit rus Vladimir] Putin një platformë për ta promovuar, ose arsyetuar luftën e tij të vazhdueshme agresore kundër Ukrainës,” tha DASH për Radion Evropa e Lirë.

    Daçiqi udhëtoi drejt kryeqytetit rus me ftesë të Lavrovit për ta shikuar një ndeshje miqësore në futboll mes ekipeve kombëtare të Serbisë dhe Rusisë të enjten pasdite.

    Serbia u bë kombëtarja e parë evropiane që luan ndeshje futbolli në Rusi prej se Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

    Beogradi zyrtar nuk ka pranuar të bëhet pjesë e sanksioneve të Bashkimit Evropian – megjithëse synon të anëtarësohet në të – prej kur blloku filloi ta sanksionojë Rusinë dy vjet më parë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Pas takimit me Lavrovin, Daçiq tha se ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën është “interes jetik shtetëror” për Serbinë.

    Daçiq, shefi aktual i diplomacisë në Serbi, e mbron publikisht qëndrimin se Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, megjithëse i kërkohet nga Bashkimi Evropian.

    Beogradi zyrtar llogarit në mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

    Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – e shpallur nga Prishtina zyrtare më 2008 – por nga viti 2011 zhvillon dialog me të, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

    Në Moskë, Daçiqi e falënderoi Rusinë për qëndrimin dhe mbështetjen e vendosur për Serbisë në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, si dhe për çështjen e Kosovës.

    Ministri i Jashtëm rus Lavrov tha para takimit se Rusia është e interesuar të “parandalojë krizat e reja” në Ballkan, sipas agjencisë së lajmeve, Beta.

    Lavrovi thuhet t’i ketë thënë Daçiqit se dëshiron të dëgjojë prej tij një vlerësim për situatën në Ballkan, të cilën e ka vlerësuar si “serioze”. /REL

  • Katër vjet nga viktima e parë nga COVID-19 në Kosovë

    Katër vjet nga viktima e parë nga COVID-19 në Kosovë

    Sot mbushen katër vjet që kur në Kosovë u regjistrua personi i parë që ndërroi jetë si pasojë e sëmundjes infektuese koronavirus.

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kishte njoftuar se bëhej fjalë për një pacient 82-vjeç nga Dumnica e Podujevës.

    “Pacienti i lindur më 1938, fshati Dumnicë, Komuna e Podujevës, është pranuar në Klinikën Infektive më 16.03.2020, në ditën e 6 të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive majtas. Pacienti ka pasur edhe sëmundje shoqëruese kronike: kardiake dhe sëmundje kronike mushkërore”, thuhej në njoftim.

    Ndryshe, dy rastet e para pozitive me koronavirus në Kosovë u regjistruan në mars 2020, ndërsa deri më tash ky numër ka arritur në 82.185, prej tyre 68.083 të shëruar, 12.342 janë raste aktive dhe 1.760 pacientë kanë humbur betejën me sëmundjen infektuese.

    Prania e koronavirusit të ri për herë të parë u konfirmua në fund të dhjetorit 2019 në Kinë dhe më pas u përhap edhe në pjesë të tjera të botës, duke shtyrë kështu Organizatën Botërore të Shëndetësisë që të shpallë gjendjen e pandemisë, e cila më vonë u ul në nivelin endemik.

  • “Pa të s’ka jetë”, Dita Botërore e Ujit

    “Pa të s’ka jetë”, Dita Botërore e Ujit

    Data e sotme shënon Ditën Botërore të Ujit, ajo është përcaktuar me rezolutën e OKB-së në dhjetor të vitit 1992.

    Me shënimin e kësaj dite, OKB-ja ka për qëllim të rrisë rëndësinë e mbrojtjes së ujërave dhe mungesën e ujit të pijshëm në shumë vise të botës.

    Gjithashtu, nga viti 2005 deri 2015 është shënuar decenia e ujërave. Kështu shënimi i kësaj dite ka rëndësi më të madhe gjatë këtyre viteve.

    Dita e parë Botërore e Ujit është shënuar më 22 mars 1993, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin ndaj ujit të pijshëm dhe me qëllim të apelimit te të gjithëve që të ndihmojnë me administrimin dhe menaxhimin e burimeve të ujit të pijshëm.

    Për çdo vit në Ditën Botërore të Ujit theksohen aspektet specifike të ujit të pijshëm siç janë: uji për qytete, kualiteti i ujit, ujerat ndërkufitare, uji dhe kultura etj.

  • Një tërmet i fortë ka goditur ishullin grek, është ndjerë edhe në Shqipëri

    Një tërmet i fortë ka goditur ishullin grek, është ndjerë edhe në Shqipëri

    Një tërmet me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter është regjistruar mëngjesin e sotëm në jug të ishullit grek të Korfuzit.

    Tërmeti është regjistruar në orën 07:20 të mëngjesit, ndërsa epiqendra ka qenë në thellësi 9.2 kilometra.

    Agjencia Greke për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet (OASP) njoftoi se në orët e para të mëngjesit ka ndodhur një tjetër tërmet me magnitudë 3.5 ballë të shkallës Rihter dhe epiqendra ka qenë 20 kilometra në jugperëndim të ishullit Otoni.

    Sipas informacioneve të para, tërmeti është ndjerë edhe në Shqipëri.

    Për momentin nuk ka informacione për dëme dhe viktima.