ATV

Blog

  • 32 pikë dhe një bllokim vendimtar, Wembanyama mban gjallë ëndrrën e Spurs

    32 pikë dhe një bllokim vendimtar, Wembanyama mban gjallë ëndrrën e Spurs

    Victor Wembanyama dha një përgjigje të fuqishme pas zhgënjimit në ndeshjen e kaluar, duke udhëhequr San Antonio Spurs drejt një fitoreje të rëndësishme 115-111 ndaj New York Knicks në përballjen e tretë të finales së NBA-së.

    Ylli francez e nisi sfidën në mënyrë spektakolare, duke realizuar nëntë pikë brenda pesë minutave të para dhe duke vendosur ritmin e lojës për skuadrën e tij. Në fund të mbrëmjes, ai regjistroi 32 pikë, tetë ribaunde, gjashtë asistime dhe tre bllokime, duke qenë figura kryesore e Spurs në momentet vendimtare të takimit.

    San Antonio krijoi epërsi të hershme, por si në ndeshjet e mëparshme, lejoi kundërshtarin të rikthehej në lojë. Megjithatë, në çerekun e tretë, mysafirët rifituan kontrollin. Pasi rezultati u barazua në 76-76, Wembanyama ndezi ndeshjen me një treshe spektakolare nga distancë e largët, duke rikthyer avantazhin për Spurs.

    Në periudhën e fundit, francezi tregoi qetësi të jashtëzakonshme nga vija e gjuajtjeve të lira, duke realizuar pikë të rëndësishme që ndihmuan ekipin të ruante epërsinë deri në fund.

    Kur Knicks tentuan të përmbysnin gjithçka në minutat e fundit, Wembanyama u shfaq sërish vendimtar në mbrojtje. Ai bllokoi një depërtim të rrezikshëm të Landry Shamet, duke ndalur një nga sulmet më të rëndësishme të vendasve dhe duke vulosur fitoren e ekipit të tij.

    Me këtë triumf, Spurs shmangën disavantazhin e frikshëm 0-3 në seri, një situatë nga e cila asnjë skuadër në historinë e finaleve të NBA-së nuk ka arritur të rikthehet për të fituar titullin.

    Tashmë vëmendja zhvendoset te ndeshja e katërt, e cila do të zhvillohet të mërkurën mbrëma. San Antonio do të synojë një tjetër fitore për të barazuar serinë në 2-2 dhe për ta mbajtur plotësisht të hapur garën për kampion.

  • Çorapet e bardha mund të bëhen më të ndritshme pa kimikate dhe pa zierje

    Çorapet e bardha mund të bëhen më të ndritshme pa kimikate dhe pa zierje

    Një mënyrë e vjetër, por efektive, ndihmon që çorapet e bardha të ruajnë bardhësinë dhe freskinë gjatë sezonit të ngrohtë

    Gjatë muajve të ngrohtë, çorapet e bardha janë ndër pjesët më të përdorura të veshjes. Ato janë të rehatshme, të lehta dhe përshtaten mirë me këpucë sportive apo veshje të përditshme. Megjithatë, mirëmbajtja e tyre shpesh bëhet sfidë.

    Për shkak të ngjyrës, çorapet e bardha njollosen lehtë, marrin shpejt nuancë gri dhe humbin pamjen fillestare pas vetëm disa përdorimesh. Për këtë arsye, shumë njerëz kërkojnë mënyra të shpejta për t’ua rikthyer bardhësinë.

    Pse zbardhuesi nuk është gjithmonë zgjidhje e mirë

    Në përpjekje për t’i bërë sërish të bardha, shumë persona përdorin zbardhues. Megjithatë, kjo metodë shpesh mund të jetë e dëmshme për pëlhurën.

    Edhe pse zbardhuesi mund ta ndriçojë përkohësisht materialin dhe vepron si dezinfektues, ai nuk është gjithmonë efektiv ndaj mbetjeve të yndyrshme nga djersa dhe vajrat natyralë të lëkurës, të cilat janë ndër shkaktarët kryesorë të zverdhjes dhe humbjes së bardhësisë.

    Përdorimi i shpeshtë i zbardhuesit mund t’i dobësojë fibrat e pambukut, të ulë elasticitetin dhe t’i bëjë çorapet më të prirura për t’u grisur. Në disa raste, klori mund të reagojë me djersën dhe yndyrat trupore, duke krijuar njolla të verdha që mbeten gjatë në pëlhurë.

    Zgjidhja natyrale dhe falas

    Si alternativë, ekziston një metodë shumë e thjeshtë, falas dhe më miqësore me mjedisin: tharja e çorapeve në dritën e drejtpërdrejtë të diellit.

    Ekspertja Marilee Nelson nga Branch Basics rikujton këtë teknikë tradicionale, e cila përdoret prej kohësh për zbardhjen natyrale të rrobave. Sipas saj, mjafton që rrobat, çarçafët apo çorapet e bardha të ekspozohen në diell për disa orë, që njollat të zbehen ose të bëhen më pak të dukshme.

    Drita e diellit përmban rreze ultravjollcë, të cilat veprojnë si zbardhues natyral. Ato ndihmojnë në shpërbërjen e njollave organike, si ato nga djersa, yndyrat trupore, bari apo ushqimi. Ky proces bën që njollat të humbin ngjyrën dhe pëlhura të duket më e pastër.

    Dielli ka edhe efekt freskues, sepse rrezet ultravjollcë mund të ndihmojnë në uljen e baktereve dhe kërpudhave që shkaktojnë aromë të pakëndshme. Megjithatë, kjo metodë nuk e zëvendëson larjen e zakonshme, por shërben si hap përfundimtar pas larjes.

    Si duhet vepruar

    Pas larjes, çorapet e bardha duhet të varen jashtë, në një vend ku i kap dielli drejtpërdrejt. Për rezultat më të mirë, këshillohet që ato të ekspozohen gjatë kohës kur dielli është më i fortë, zakonisht nga mesdita deri rreth orës 15:00.

    Pas një ose dy orësh, çorapet mund të kthehen nga ana tjetër, që të dyja anët të marrin dritë në mënyrë të barabartë. Nuk rekomandohet të lihen jashtë gjatë gjithë ditës, sidomos në vapë të madhe, sepse ekspozimi i gjatë mund t’i dobësojë fibrat e pëlhurës.

    Nëse njollat janë më të forta, para tharjes në diell çorapet mund të lihen në ujë me pak lëng limoni. Mund të përdoret edhe pastë me sodë bikarbone dhe ujë, e cila vendoset mbi njolla para larjes.

    Edhe uthulla e bardhë mund të ndihmojë në largimin e papastërtive dhe aromave. Megjithatë, kjo metodë duhet përdorur vetëm për rroba të bardha ose shumë të çelura, sepse dielli mund t’i zbehë pëlhurat me ngjyra të errëta.

  • Dogana e Kosovës zbulon mbi 30 mijë euro të padeklaruara në Bërnjak, konfiskon një pjesë të shumës

    Dogana e Kosovës zbulon mbi 30 mijë euro të padeklaruara në Bërnjak, konfiskon një pjesë të shumës

    Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej 30,328 eurosh gjatë kontrolleve të kryera në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Bërnjak.

    Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë ndaluar për kontroll të detajuar një automjet me targa të huaja, i cili po largohej nga territori i Kosovës dhe drejtohej nga shtetas të huaj.

    Gjatë intervistimit fillestar, personat në automjet kanë deklaruar se nuk posedonin mallra apo mjete monetare për deklarim. Megjithatë, pas kontrollit të hollësishëm të automjetit, bagazhit dhe një çante personale, autoritetet kanë gjetur para të padeklaruara.

    “Gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare të padeklaruara. Pas numërimit dhe verifikimit, është konstatuar se shuma totale e mjeteve monetare tejkalonte kufirin ligjor prej 10,000 euro, i cili obligon deklarimin pranë autoriteteve doganore. Në çantën personale janë gjetur mjete monetare në dy valuta: • 25,515 euro (EUR) • 565,060 dinarë serbë (RSD), me vlerë të përafërt prej 4,813 euro. Vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara: 30,328 euro”, thuhet në komunikatën e Doganës.

    Në përputhje me legjislacionin në fuqi, autoritetet kanë konfiskuar 25 për qind të shumës së përgjithshme, ndërsa 75 për qind e saj është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së prejardhjes së mjeteve monetare.

    “Në përputhje me legjislacionin në fuqi, personi është njoftuar për masat administrative të ndërmarra. Me këtë rast, është konfiskuar 25% e shumës totale, ndërsa 75% e shumës është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së prejardhjes së mjeteve monetare. Rasti do të trajtohet nga sektori kompetent i hetimeve për procedurat e mëtejshme ligjore”, thuhet në komunikatë.

    Dogana e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në zbatimin e legjislacionit doganor dhe financiar, si dhe në luftimin e aktiviteteve të paligjshme, përfshirë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

  • Me ftesë të Infantinos, Ademi do të ndjekë nga afër Botërorin 2026

    Me ftesë të Infantinos, Ademi do të ndjekë nga afër Botërorin 2026

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka udhëtuar drejt Mexico City, një destinacion me simbolikë të veçantë për futbollin kosovar, pasi pikërisht aty, dhjetë vjet më parë, Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në FIFA gjatë Kongresit të organizatës më të madhe të futbollit botëror.

    Me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, kreu i FFK-së do të jetë pjesë e ceremonisë dhe ndeshjes hapëse të Kupës së Botës 2026, ku do të përballen Meksika dhe Afrika e Jugut. Në këtë ngjarje madhore do të marrin pjesë drejtuesit e federatave kombëtare nga e gjithë bota.

    Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ademi do të marrë pjesë edhe në Samitin e FIFA-s që organizohet në Miami, ku pritet të diskutohen tema të rëndësishme për zhvillimin e futbollit global. Po ashtu, ai do të ndjekë nga afër disa prej ndeshjeve të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror.

    Pas përfundimit të këtyre aktiviteteve, presidenti i FFK-së do të kthehet në Kosovë, ndërsa me një ftesë të veçantë nga presidenti Infantino, do të rikthehet sërish për të qenë i pranishëm në ndeshjet gjysmëfinale dhe në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026.

  • Të mërkurën, “Muharrem Fejza” dhe Bregu i Diellit do mbesin pa ujë

    Të mërkurën, “Muharrem Fejza” dhe Bregu i Diellit do mbesin pa ujë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se nesër, 10/06/2026, do të zhvillohen punime në rrugën “Muharrem Fejza”, të cilat do të ndikojnë në furnizimin me ujë të pijes në një pjesë të kryeqytetit.

    Sipas njoftimit zyrtar, për shkak të sanimit të një gypi, e gjithë lagjja Bregu i Diellit do të mbetet pa ujë nga ora 08:00 e mëngjesit deri në përfundimin e punimeve.

    “Ju njoftojmë se nesër do të intervenojmë në rrugën ‘Muharrem Fejza’”, thuhet në njoftimin e KRU Prishtina.

    Nga kompania është bërë e ditur se ndërprerja është e domosdoshme për realizimin e punimeve teknike në rrjetin e ujësjellësit.

    “Për shkak të sanimit të gypit, e gjithë lagjja Bregu i Diellit do të mbetet pa furnizim me ujë nga ora 08:00 e mëngjesit deri në përfundimin e punimeve”, thuhet më tej në njoftim.

  • Përfundon numërimi në pesë Qendra Komunale të Numërimit

    Përfundon numërimi në pesë Qendra Komunale të Numërimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se deri të hënën në mesnatë është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve, në pesë Qendra Komunale të Numërimit.

    Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë përfunduar këto aktivitete janë: Junik (6/6); Shtërpcë (17/17); Hani i Elezit (11/11); Partesh (7/7); Mamushë (5/5).

    “Procesi i numërimit dhe verifikimit është duke vazhduar në 32 QKN-të tjera: Deçan, Dragash, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Drenas (Gllogoc), Graçanicë, Istog, Kaçanik, Kamenicë, Klinë, Kllokot, Leposaviq, Lipjan, Malishevë, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Rahovec, Ranillug, Skenderaj, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, në Qendrën Komunale të Numërimit në Vushtrri është zhvilluar procesi i numërimit nga 10 vendvotime, mirëpo rezultatet e numëruara nuk kanë mundur të procesohen sipas procedurave të QKN-së për shkak të disa problemeve teknike me rrjetin e internetit.

    Për rrjedhojë, kutitë e votimit janë mbyllur dhe siguruar sipas procedurave përkatëse, ndërsa procesi do të vazhdojë gjatë ditës. Këto vendvotime do të numërohen sërish për procedim të rregullt të rezultateve.

    Sipas të dhënave deri të hënën në mesnatë (8 qershor 2026, ora 23:59) numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që i takojnë 37 QKN-ve, është: 486 nga 2,498 vendvotime apo 19.46%.

    Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/

  • Fitore Pacolli as në top 20-she të VV-së, ky është rezultati aktual

    Fitore Pacolli as në top 20-she të VV-së, ky është rezultati aktual

    Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, e cila ishte kandidate e VV-së në zgjedhjet e 7 qershorit, nuk është as në top 20-shen më të votuar të kësaj partie, bazuar në përditësimet e mbi 20% të votave.

    Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Pacolli ka aktualisht 3 mijë e 199 vota në nivel vendi, duke u renditur e 30-ta.

    Para saj, ka emra që janë futur për herë të parë në garë dhe kanë arritur numër të madh të votave.

    Rezultatet preliminare të KQZ-së e kanë vendosur VV-në të parën me 42.91 për qind, PDK e dyta me 21.08 për qind, LDK me 17.60 për qind, Aleanca me 7.17 për qind.

  • Osmani në CNN: Qytetarët thanë se duhet kompromis mes partive, s’ka vend për “one man show”

    Osmani në CNN: Qytetarët thanë se duhet kompromis mes partive, s’ka vend për “one man show”

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për CNN ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për bllokadën politike.

    Osmani ka thënë se qytetarët përmes vullnetit të tyre të shprehur në zgjedhje kanë kërkuar që partitë politike të bëjnë kompromis dhe sipas saj s’ka vend për “shou të një njeriu”.

    “Mendoj se zëri i qytetarëve këtë herë është edhe më i qartë se ata duan kompromis mes forcave politike dhe s’ka vend për “onë man shoë””, ka thënë Osmani.

    Sipas saj, Kosova gjithmonë ka treguar shembull se si kur është e nevojshme forcat politike janë bashkuar për të ecur përpara dhe për të tejkaluar bllokadat.

  • KQZ nis sot verifikimin e​ votave me postë nga diaspora

    KQZ nis sot verifikimin e​ votave me postë nga diaspora

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot, më 9 qershor, do të fillojë procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës.

    Sipas njoftimit, aktiviteti do të nisë në orën 17:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

    “Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do të fillojë procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës, të cilat deri më tani janë tërhequr dhe sjellur në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    Komisioni ka bërë të ditur se gjatë këtij aktiviteti mediat do të informohen edhe për ecurinë e proceseve që po zhvillohen në Qendrat Komunale të Numërimit.

    “Gjithashtu, mediat do të informohen për ecurinë e zhvillimit të aktiviteteve në Qendrat Komunale të Numërimit”, njofton KQZ.

    KQZ ka ftuar mediat që të përcjellin nga afër këtë aktivitet.

  • Të enjten nis edicioni i tretë i “Peja Outdoor Festival”, mbi 40 aktivitete në Pejë dhe Rugovë

    Të enjten nis edicioni i tretë i “Peja Outdoor Festival”, mbi 40 aktivitete në Pejë dhe Rugovë

    Nga 11 deri më 14 qershor 2026 do të mbahet edicioni i tretë i “Peja Outdoor Festival”, një ngjarje që konsiderohet si festivali i parë i këtij lloji në Kosovë i dedikuar aktiviteteve outdoor, rekreacionit, mirëqenies dhe turizmit aktiv.

    Gjatë katër ditëve të festivalit në Pejë dhe në Rugovë do të organizohen mbi 40 aktivitete sportive, rekreative, edukative dhe kulturore, duke përfshirë ecje malore, çiklizëm, vrapim, ngjitje, paragliding, speleologji, aktivitete për fëmijë, punëtori tradicionale dhe programe edukative për grupmosha të ndryshme.

    Organizatorët kanë bërë të ditur se festivali synon promovimin e Pejës dhe rajonit të Rugovës si destinacion për turizëm aktiv, duke ofruar mundësi që qytetarët dhe vizitorët të përjetojnë natyrën, aktivitetin fizik dhe kulturën lokale në mënyrë gjithëpërfshirëse.

    “Festivali është krijuar me qëllim të promovimit të Pejës dhe rajonit të Rugovës si destinacion i turizmit aktiv, duke ofruar mundësi që qytetarët dhe vizitorët të përjetojnë natyrën, aktivitetin fizik dhe kulturën lokale në një mënyrë të qasshme dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

    Sipas tyre, shumica e aktiviteteve ofrohen pa pagesë ose me tarifa simbolike, si rezultat i angazhimit të komunitetit lokal, partnerëve, organizatave dhe dhjetëra vullnetarëve.

    “Kjo është bërë e mundur falë angazhimit të komunitetit lokal, partnerëve, organizatave dhe dhjetëra vullnetarëve, me qëllim që aktivitetet outdoor të jenë të qasshme për sa më shumë njerëz, veçanërisht për të rinjtë, familjet dhe ata që për herë të parë dëshirojnë të provojnë një aktivitet në natyrë”, thuhet më tej.

    Organizatorët theksojnë se festivali është ndërtuar mbi bashkëpunimin e komunitetit lokal, përfshirë shoqatat sportive, guidat malore, bizneset dhe vullnetarët, të cilët kanë kontribuar në krijimin e një programi të hapur dhe të larmishëm.

    Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është organizimi i garës së parë “Peja Trail Run”, e cila do të mbahet më 14 qershor dhe pritet të mbledhë rreth 300 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, në dy kategori: 10 dhe 23 kilometra.

    “Përveç aspektit sportiv, kjo garë synon të promovojë potencialin e Bjeshkëve të Nemuna dhe Pejës si destinacion për turizëm sportiv dhe aktiv”, thuhet në njoftim.

    Hapja zyrtare e festivalit do të mbahet më 11 qershor nga ora 20:30 në Mullirin e Haxhi Zekës në Pejë, ku do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, Komunës së Pejës, shoqatave sportive, guidave malore, bizneseve lokale dhe vullnetarëve.

    Organizatorët kanë bërë të ditur se agjenda e plotë e festivalit dhe broshura me të dhëna nga edicioni i kaluar janë bashkëngjitur për publikun.