ATV

Blog

  • Radoniqi nga QKN: S’mund të jap datë të saktë për shpalljen e rezultateve përfundimtare

    Radoniqi nga QKN: S’mund të jap datë të saktë për shpalljen e rezultateve përfundimtare

    Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka vizituar Qendrën Komunale të Numërimit në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, duke thënë se procesi i numërimit të votave po shkon në rregull.

    “Të gjitha përgatitjet janë bërë që numërimi me shku në rregull edhe në shpresojmë që me këtë tempo numërimi do të përfundojë deri kah fundi i javës eventualisht në mesin e javës tjetër”, ka thënë ai.

    Radoniqi, ka thënë se deri më tani nuk kanë pas probleme në qendrat e numërimit, duke shtuar se vetëm në Vushtrri ka pas problem me lidhje të internetit gjë që është sanuar menjëherë.

    “Deri më tani nuk kemi pas asnjë problem. Në Vushtrri vetëm një problem me lidhjen e internetit dhe është sanuar dhe numri ka vazhduar në rregull. Kontrolli është pak më i lartë. Procesi deri më tani nuk ka probleme dhe nuk kemi ankesa nga asnjëra palë”, ka shtuar Radoniqi.

    Ndërsa, i pyetur se kur pritet të dalin me rezultatet përfundimtare, Radoniqi shtoi se nuk mund të japë ndonjë datë të saktë, por se beson se kjo mund të ndodhë në fund të këtij muaji, raporton EO.

    “Ky është proces dinamik, nuk mund të jap datë të saktë, sipas planit operacional është data 6 korrik, por unë besoj se kah fundi i qershorit do të jemi gati me gjithë rezultatin”, ka thënë ndër të tjera Radoniqi.

  • Koci: Kurti po del armiku më i madh i vetes në politikë mbijeton ai që e mban fjalën

    Koci: Kurti po del armiku më i madh i vetes në politikë mbijeton ai që e mban fjalën

    Avokati Arianti Koci, ka deklaruar se skena politike kosovare është bastarduar, sipas tij, në momentin kur u.d. presidentja Albulena Haxhiu u propozua 54 herë për kryetare të Kuvendit nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Përmes një postimi në Facebook, Koci thotë se nëse do të ishte propozuar dikush tjetër pas herës së dytë, sot, siç thotë ai, me gjasë do ta kishte një qeveri stabile.

    “Kosova është shtet i konsensusit. Sado vota që fiton një parti, herët a vonë i duhen partnerë koalicioni. Tani, pavarësisht votave, VV-ja ua ka hapur rrugën partive opozitare që në çdo zgjedhje t’i rrisin kërkesat”, ka shkruar ai.
    Ndër të tjera, avokati thotë se Kurti po del të jetë armiku më i madh i vetes.

    “Ironikisht, Albini po del armiku më i madh i Albinit. Mos e bën atë që mundesh, vetëm pse mundesh. Kjo është një sintagmë që më së shumti aplikohet në politikë. Albini e ka bërë. Duke insistuar në një emër, aty ku duhej kompromis, e ka dobësuar aftësinë e vet për të krijuar aleanca. Në politikë nuk mjafton me i fitu zgjedhjet. Duhet edhe me i ndërtu partneritetet që ta bëjnë të mundshme qeverisjen”, thotë Koci.

    Po ashtu, ai shtoi se në momentin që kur humbet besimi, çdo fitore shndërrohet në problem, duke theksuar se kryeministri në detyrë po përsërist të njëjtin gabim.

    “Sado që mendohet se në politikë lejohen rrena e mashtrimi, trikat e manovrat, në fund mbijeton ai që e mban fjalën. Në momentin kur humbet besimi, çdo fitore shndërrohet në problem. Gabimi i opozitës, kur ishte në pushtet, ishte se mendoi se mund t’i mashtrojë vazhdimisht votuesit. Albini po e përsërit të njëjtin gabim”, ka shkruar ai.

  • Mbi 3 mijë vota deri tash – Ku renditet brenda VV-së Agim Bahtiri?

    Mbi 3 mijë vota deri tash – Ku renditet brenda VV-së Agim Bahtiri?

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Agim Bahtiri ka marrë 3 mijë e 5 vota.

    Nga numërimi i deritanishëm i votave dhe përditësimi i fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që ka arritur në mbi 24 për qind, ai radhitet i 50-ti brenda partisë.

    Kosova ka votuar të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa po vazhdon procesi i numërimit të votave për ulëse në Kuvend.

  • Donika Gërvalla veç me një deputet të partisë së vet mund të jenë në Kuvend

    Donika Gërvalla veç me një deputet të partisë së vet mund të jenë në Kuvend

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në proces të numërimit të votave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 7 qershor.

    Nga numërimi i deritashëm, nga 10 kandidatët e partisë Guxo, të cilët garuan në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, vetëm dy prej tyre mund të sigurojnë ulëse në Parlament.

    Sipas KQZ-së, Donika Gërvalla deri më tani ka siguruar 18 mijë e 652 vota, ndërsa Blerim Gashi 3 mijë e 496 vota.

    Ndërkohë, kandidatët e tjerë si Fatos Geci, Triera Kasumi-Berisha dhe Haki Huruglica nuk kanë arritur të grumbullojnë vota të mjaftueshme deri në këtë fazë, pasi janë numëruar vetëm rreth 24% e votave.

    Triera Kasumi-Berisha 2.096 vota

    Fatos Geci 1.854 vota

    Haki Huruglica 1.747 vota

    Këtu gjeni linkun ku mund të i përcilleni numërimin nga KQZ – KËTU

  • Plenkoviq uron Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve: Presim formim të shpejtë të institucioneve

    Plenkoviq uron Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve: Presim formim të shpejtë të institucioneve

    Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviw, e ka uruar liderin e LVV-së dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për rezultatin e zgjedhjeve.

    Plenkoviw ka thënë se Kroacia mbetet përkrahëse e fuqishme e Kosovës drejt rrugës evropiane dhe se Zagrebi zyrtar pret formim të shpejtë të institucioneve për të vazhduar bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha fushat.

    “Urime kryeministër Albin Kurti për rezultatet e zgjedhjeve. Kroacia mbetet e përkushtuar fuqimisht në mbështetjen e rrugës evropiane të Kosovës dhe ne presim formimin e shpejtë të institucioneve shtetërore për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit tonë dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, ka shkruar Plenkoviq.

  • “The Special One” rikthehet në skenë, Mourinho mbërrin në Madrid

    “The Special One” rikthehet në skenë, Mourinho mbërrin në Madrid

    Jose Mourinho ka mbërritur në Madrid, duke sinjalizuar fillimin e një aventure të re në stolin e Real Madridit. Sipas raportimeve të gazetarit Abraham P. Romero, portugezi ndodhet në kryeqytetin spanjoll për të finalizuar detajet e fundit para zyrtarizimit të rikthimit të tij në klubin mbretëror.

    Me sezonin e ri që po afrohet, drejtuesit madrilenë kanë hyrë në fazën finale të projektit të tyre sportiv, ndërsa Mourinho pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës në ditët në vijim.

    Strategu portugez, një nga trajnerët më të suksesshëm të epokës moderne, raportohet se ka arritur marrëveshje për një kontratë trevjeçare me Real Madridin. Në kuadër të këtij operacioni, klubi spanjoll do të paguajë rreth 15 milionë euro si kompensim për lirimin e tij nga angazhimet e mëparshme.

    Sipas burimeve pranë klubit, ceremonia e prezantimit të Mourinhos është planifikuar të mbahet në “Santiago Bernabéu”, ku ai do të prezantohet para tifozëve dhe mediave si drejtuesi i ri i skuadrës.

    Menjëherë pas zyrtarizimit, Mourinho pritet të përqendrohet te ndërtimi i ekipit për sezonin e ardhshëm. Analiza e përbërjes aktuale të skuadrës, identifikimi i përforcimeve dhe strategjia për afatin kalimtar do të jenë ndër prioritetet e tij të para.

    Real Madridi synon të rikthehet në krye të futbollit evropian, ndërsa besimi i klubit te përvoja dhe mentaliteti fitues i Mourinhos shihet si një hap i rëndësishëm drejt realizimit të këtij objektivi.

  • Albion Rrahmani drejt një hapi të madh në karrierë, klubi italian vihet pas sulmuesit Kosovar

    Albion Rrahmani drejt një hapi të madh në karrierë, klubi italian vihet pas sulmuesit Kosovar

    Vera e këtij viti mund të sjellë një kthesë të rëndësishme në karrierën e Albion Rrahmanit. Sulmuesi i Kosovës po vazhdon të tërheqë vëmendjen në tregun evropian të transferimeve, ndërsa interesimi për të po rritet nga dita në ditë.

    Pas dy sezoneve të kaluara me Spartën e Pragës, ku regjistroi 26 gola në 83 paraqitje në të gjitha garat, 25-vjeçari është shndërruar në një nga emrat më të kërkuar të futbollistëve kosovarë jashtë vendit.

    Sipas raportimeve nga mediat çeke, Venezia është klubi i fundit që ka hyrë seriozisht në garë për shërbimet e tij. Skuadra italiane, e rikthyer së fundmi në elitën e futbollit italian, po kërkon të forcojë repartin ofensiv dhe e konsideron Rrahmanin si një nga objektivat kryesorë për sezonin e ri.

    Ndërkohë, Sparta e Pragës nuk pritet të heqë dorë lehtë nga sulmuesi kosovar. Klubi çek raportohet se ka vendosur një çmim prej 8 milionë eurosh për kartonin e tij, ndërsa vlera e lojtarit në treg sipas Transfermarkt vlerësohet rreth 7 milionë euro.

    Megjithatë, Venezia nuk është e vetmja skuadër që po monitoron situatën. Emri i Rrahmanit vazhdon të lidhet me disa klube të njohura evropiane, gjë që e bën këtë afat kalimtar një nga më vendimtarët në karrierën e tij.

    Një transferim i mundshëm do të ishte lajm i mirë edhe për Rapidin, ish-klubin e sulmuesit, i cili e transferoi atë te Sparta në vitin 2024 për 5 milionë euro, duke ruajtur një përqindje prej 15 për qind nga shitja e ardhshme.

    Kujtojmë se gjatë afatit kalimtar të janarit, Rrahmani ishte shumë pranë një kalimi te Lyoni, por marrëveshja në fund nuk u finalizua. Tani, me interesimin që po vjen nga Serie A dhe klube të tjera evropiane, e ardhmja e tij duket se do të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos së verës.

  • Zyrtare: Arian Azemi transferohet te Bashkimi

    Zyrtare: Arian Azemi transferohet te Bashkimi

    KB Bashkimi ka vazhduar me përforcimet për sezonin e ri, duke siguruar shërbimet e basketbollistit Arian Azemi, i cili zyrtarisht do të jetë pjesë e skuadrës prizrenase për dy vitet e ardhshme.

    Klubi portokallezi ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me Azemin, i cili ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2027, duke u bërë një nga pjesët e rëndësishme të projektit të Bashkimit për edicionet e ardhshme.

    Lajmi u bë publik përmes kanaleve zyrtare të klubit në rrjetet sociale, ku Bashkimi i uroi mirëseardhje lojtarit më të ri të skuadrës.

    “Mirë se vjen, Arian Azemi! Ariani është zyrtarisht pjesë e KB Bashkimit me kontratë 2-vjeçare”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Me afrimin e Azemit, Bashkimi vazhdon ndërtimin e ekipit për sezonin e ri, me synimin për të qenë sërish në garë për trofetë dhe për të luajtur një rol protagonist në basketbollin kosovar.

    Drejtuesit e klubit po punojnë intensivisht për kompletimin e skuadrës, ndërsa tifozët presin që përforcimet e reja t’i japin ekipit cilësi shtesë në objektivat e sezonit që po afron.

  • Një emër që jeton përtej kohës, tetë vjet pa Fadil Vokrrin

    Një emër që jeton përtej kohës, tetë vjet pa Fadil Vokrrin

    Sot mbushen tetë vjet nga ndarja nga jeta e Fadil Vokrrit, figurës më emblematike të futbollit kosovar dhe njërit prej personaliteteve më të rëndësishme në historinë e sportit të vendit.

    Vokrri mbetet simbol i suksesit, vizionit dhe përkushtimit, duke lënë pas një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë breza të tërë sportistësh. Ai nuk u dallua vetëm si futbollisti më i madh që ka nxjerrë Kosova, por edhe si arkitekti i një prej arritjeve më të mëdha të sportit kosovar – anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

    Përmes punës dhe angazhimit të tij të pandalshëm, futbolli kosovar fitoi vendin që meritonte në arenën ndërkombëtare, duke hapur rrugën për prezantimin e shtetit në skenën më të lartë të futbollit botëror.

    Në përvjetorin e tetë të vdekjes së tij, Federata e Futbollit e Kosovës dhe presidenti Agim Ademi kanë kujtuar me respekt dhe mirënjohje figurën e Vokrrit, duke vlerësuar rolin e tij të pazëvendësueshëm në zhvillimin e futbollit në vend.

    Në mesazhin përkujtimor, theksohet se Fadil Vokrri ishte më shumë se një futbollist apo drejtues sportiv. Ai ishte njeriu që besoi te ëndrra e Kosovës në kohët kur ajo dukej e largët dhe që punoi me vendosmëri për ta kthyer atë në realitet.

    Karriera e tij brilante në fushë dhe kontributi i jashtëzakonshëm jashtë saj e kanë shndërruar atë në një figurë të pavdekshme të sportit kosovar. Fanella me numrin 9, të cilën e mbajti me krenari gjatë viteve të tij më të suksesshme, është bërë pjesë e identitetit të tij, ndërsa data 9 qershor mbetet një ditë kujtimi për njeriun që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

    Edhe pas tetë vitesh, emri i Fadil Vokrrit vazhdon të përmendet me respekt të veçantë. Ai mbetet frymëzim për brezat e rinj, simbol i krenarisë kombëtare dhe një nga shtyllat më të rëndësishme mbi të cilat është ndërtuar futbolli i Kosovës.

    Legjendat nuk harrohen kurrë, dhe Fadil Vokrri mbetet një prej tyre.

  • Si ta rregulloni klimën për të përdorur më pak energji elektrike, truke të thjeshta për të kursyer para

    Si ta rregulloni klimën për të përdorur më pak energji elektrike, truke të thjeshta për të kursyer para

    Gjatë temperaturave të larta të verës, kondicionerët bëhen të domosdoshëm, por shumë njerëz janë të shqetësuar për koston e energjisë elektrike kur ata janë vazhdimisht në punë.

    Megjithatë, me disa zakone të thjeshta, është e mundur të reduktohet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike duke ruajtur një temperaturë të rehatshme në dhomë. Një mënyrë për ta përdorur kondicionerin në mënyrë më efikase është të shmangni ndezjen dhe fikjen e vazhdueshme të pajisjes ose mbajtjen e saj në temperatura të ulëta gjatë gjithë ditës.

    Performancë më e mirë dhe konsum më i ulët i energjisë mund të arrihen me funksionim më të shkurtër të kondicionerit në një modalitet më të fortë, krahasuar me përdorimin e tij të vazhdueshëm ose funksionimin me fuqi më të ulët. Rregullimi i saktë i temperaturës luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në kursimin e energjisë.

    Një temperaturë prej rreth 26 gradësh konsiderohet optimale, pasi arrin një ekuilibër midis ftohjes së rehatshme dhe konsumit më të ulët të energjisë elektrike. Mirëmbajtja e rregullt e kondicionerit gjithashtu kontribuon në konsum më të ulët.

    Pastrimi i filtrit dhe servisimi i pajisjes i mundësojnë asaj të funksionojë në mënyrë më efikase, ndërsa pjesët e ndyra mund të çojnë në konsum më të lartë të energjisë dhe ftohje më të dobët. Kursime shtesë mund të arrihen edhe me izolim të mirë të dhomave, sepse në këtë mënyrë parandalohet hyrja e ajrit të ngrohtë nga jashtë dhe humbja e të ftohtit nga dhoma. Kjo do të thotë që kondicioneri nuk duhet të punojë me kapacitet të plotë për të ruajtur temperaturën e dëshiruar.

    Duke përdorur dhe mirëmbajtur siç duhet kondicionerin, është e mundur të arrihet një temperaturë e rehatshme në një dhomë me konsum dukshëm më të ulët të energjisë elektrike, gjë që në planin afatgjatë e bën edhe buxhetin familjar më të lehtë.