ATV

Blog

  • Krasniqi: Uroj që festat e ardhshme liderët e UÇK-së t’i presin me popullin e tyre

    Krasniqi: Uroj që festat e ardhshme liderët e UÇK-së t’i presin me popullin e tyre

    Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, kanë vizituar Bashkësinë Islame, ku nga aty kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë, por njëkohësisht kanë uruar edhe liderët e UÇK-së, që ende po mbahen në Hagë.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se ka përgëzuar edhe myftiun Tërnava për ndihmën që ka bërë BIK për nevojtarët.

    “E përgëzova dhe urova myftiun për punën e jashtëzakonshëm që Bashkësia Islame ka bërë edhe ndihmën ndaj nevojtareve, ndaj familjeve skamnore, ndaj gjithë atyre që kanë nevojë se këto festa marrin edhe një dimension më të rëndësishëm, dhe po ashtu ne shfrytëzojmë rastin t’ia urojmë të gjithë atyre që kanë agjëruar muajin e Ramazanit, përfundimin me sukses të këtij muaji me urimin që krejt ato adhurime dhe ky agjërim t’iu jetë pranuar dhe t’iu shpërblehet dhe po ashtu, nga këtu dëshiroj në mënyre të veçantë urojë edhe miqve tonë, bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, liderëve të UÇK-së, që ende po mbahen në Hagë, Hashin Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, duke uruar që sa më parë festat e ardhshme të bajramave të tjerë t’i presin bashkërisht me familjet e tyre dhe me popullin e tyre” ka thënë Krasniqi.

    Pas vizitës së PDK-së, Bashkësinë Islame e kanë vizituar edhe drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

  • Osmani falënderon BIK-un për rolin dhe kontributin në shoqëri

    Osmani falënderon BIK-un për rolin dhe kontributin në shoqëri

    Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar Bashkësinë Islame të Kosovës për rolin dhe kontributin në shoqëri.

    Gjatë vizitës në BIK për nder të Fitër Bajramit, Osmani ka thënë se BIK-u ka qenë gjithmonë bashkëpunues për sfidat me të cilat është përballur vendi.

    “Ishim këtu për të nderuar kryemyftiun dhe bashkëpunëtorët e tij, dhe nëpërmjet tyre, edhe shumë qytetarë për këtë festë të bekuar. Lutjet përgjatë Ramazanit të jenë të pranuara. Faleminderit për rolin që luan BIK-u në mënyrë që qytetarët tanë të ecin përpara. Dua t’i falënderoj për bashkëpunimin për sfidat me të cilat përballet vendi ynë. Për kontributin e dhënë gjatë Ramazanit. Të punojmë së bashku për qytetarët dhe shtetin tonë”, ka thënë Osmani.

  • ​Dodë Gjergji uron besimtarët myslimanë por ia huq me festën

    ​Dodë Gjergji uron besimtarët myslimanë por ia huq me festën

    Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, si tradicionalisht ka organizuar pritje përurimi në selinë e kryesisë, ku i pari që i vizitoi ishte ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

    Gjergji iu uron të gjithë besimtarëve myslimanë duke thënë se të dy fetë bashkëndajnë gëzimin e festave si vëllezër. Megjithatë, ai gaboi duke uruar myslimanëve festën e Pashkëve.

    Uroj që të gjithë shqiptarët të përjetojnë këtë moment të urimit të festave të ndërsjellëta

    “Jam këtu për të uruar kryetarin e Bashkësisë Islame, Bashkësinë Islame dhe të gjithë besimtarët myslimanë për Festën e Pashkëve sepse dalim pas një agjërimi që është një përpjekje e jona për të mbizotëruar shpirti në të gjitha sferat e jetës dhe mbi trupin. Ne urojmë njëri tjetrin dhe bashkëndajmë gëzimin e festave si vëllezër sepse këtë zjarr dashurie e kanë ndeshur të parët tanë ndër ne dhe që moti, por nuk është një zjarr që qet tym, as të bardh dhe as të zi por është një zjarr që përhap aromë dashurie, lirie, paqe, mirësie, vëllazërimi dhe uroj që të gjithë shqiptarët kudo që janë të përjetojnë këtë moment të urimit të festave të ndërsjellëta, që të konfirmojnë edhe një herë paqen, lirinë dhe vëllazërinë në mes vete”, tha ai.

    BIK-un e ka vizituar edhe kryeministri Albin Kurti. Ndërkohë, pritet ta vizitojnë edhe liderët e partive politike dhe përfaqësues të tjerë t ëinstitucioneve.

  • Kurti pas vizitës në BIK: Në këtë ditë të përkujtojmë edhe 37 imamë që janë dëshmorë të kombit

    Kurti pas vizitës në BIK: Në këtë ditë të përkujtojmë edhe 37 imamë që janë dëshmorë të kombit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti me rastin e festës së Fitër Bajramit ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, gjersa ka uruar qytetarët për një ditë të gëzuar e në paqe.

    Kurti pas takimit me myftiun Naim Tërnava në një deklaratë për media tha se muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës dhe solidaritetit, që sjellin mbarësi.

    “Të gjithë qytetarëve ju uroj paqe, begati shëndet e dashuri… Muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës dhe solidaritetit dhe të gjithë e dimë se solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi.

    Në këtë pranverë për çdo ditë po përkujtojmë 25 vjetorë të masakrave të tmerrshme të kryera mbi popullin tonë në vendin tonë, por njëkohësisht edhe beteja të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës andaj me këtë rast duhet përkujtuar edhe 37 hoxhallarë, imamë që janë dëshmorë të kombit nga lufta e fundit”, tha kryeministri Kurti.

  • Mijëra besimtarë falin namazin në sheshin “Skënderbej” në Tiranë

    Mijëra besimtarë falin namazin në sheshin “Skënderbej” në Tiranë

    Mijëra besimtarë myslimanë në Shqipëri kryen faljen e namazit sot në festën e Fitër Bajramit.

    Falja nisi në orën 06:55 në të gjitha qytetet nëpër xhami e sheshe kryesore.

    Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit.

    Në Tiranë, besimtarët kryen faljen e namazit në “Sheshin Skënderbej”, nën drejtimin e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu.

    Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë./tch

  • Myslimanët falin namazin e Fitër Bajramit në Jerusalem

    Myslimanët falin namazin e Fitër Bajramit në Jerusalem

    Myslimanët kanë falur namazin e Fitër Bajramit në Jerusalem për të shënuar fundin e muajit të agjërimit të Ramazanit.

    Qindra besimtarë ndoqën lutjet në kompleksin e xhamisë Al Aksa, vendi i tretë më i shenjtë në Islam, shkruan Skynews.

  • Ambasada e ShBA-së uron Fitër Bajramin

    Ambasada e ShBA-së uron Fitër Bajramin

    Ambasada amerikane në Prishtinë ka uruar të gjithë besimtarët që festojnë Fitër Bajramin në Kosovë dhe në mbarë botën.

    Ambasada, mes gjuhëve që ka uruar, ka shkruar edhe në gjuhën shqipe.

    “Urimet më të përzemërta për të gjithë ata që festojnë Bajramin në Kosovë dhe në mbarë botën: Me Fat Fitër Bajrami, Bajram Šerif Mubarek Olsun, Bayramınız Kutlu Olsun, Eid Mubarak!”, shkroi ambasada amerikane në X.

  • Osmani: Urime dhe me fat Fitër Bajramin, lutjet dhe sakrifica juaj përgjatë muajit të Ramazanit u pranofshin

    Osmani: Urime dhe me fat Fitër Bajramin, lutjet dhe sakrifica juaj përgjatë muajit të Ramazanit u pranofshin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Fitër Bajramit, ka uruar besimtarët që e festojnë këtë ditë.

    Osmani mes tjerash theksoi se festa e Fitër Bajramit është përkushtim ndaj besimit, sakrificës dhe vetëmohimit.

    “Solidariteti ndërnjerëzor, i cili e shoqëron muajin e bekuar të Ramazanit është trashëgimi e jona e çmuar”, ka thënë Osmani.

    “Lutjet dhe sakrifica juaj përgjatë muajit të Ramazanit u pranofshin. Ju përcjelltë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja!”.

    “Në këtë ditë feste, të gjithë duhet ta hapin zemrën, ta shtrijnë dorën e mirësisë dhe bujarisë për ata që kanë nevojë. Qoftë kjo ditë e mbushur me gëzim të pakufishëm, paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë! Urime dhe me fat Fitër Bajramin!”.

  • Kurti uron myslimanët: Për hajr Fitër Bajrami!

    Kurti uron myslimanët: Për hajr Fitër Bajrami!

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.

    Kurti mes tjerash theksoi se mëshira dhe mirësia, le të mbeten normë e përditshme për të gjithë, ndaj të gjithëve

    “Për hajr Fitër Bajrami! Lutjet gjatë muajit të Ramazanit, le të bëhen urimet më të përzemërta për familjet, miqtë dhe të dashurit tuaj në këtë ditë të Bajramit”, shkroi Kurti.

    “Kufizimet e përjetuara, le të bëhen ndërgjegjësim shtesë gjatë gjithë vitit për të mirat që kemi dhe të tjerët që kanë më pak. E mëshira dhe mirësia, le të mbeten normë e përditshme për të gjithë, ndaj të gjithëve”.

    “Me urimin që agjërimi dhe lutjet t’ju jenë pranuar, ju dëshiroj të gjithëve një ditë gëzimi dhe mbarësi përherë!”.

  • Kryeministri priti në takim ish të burgosurit politikë

    Kryeministri priti në takim ish të burgosurit politikë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur mbrëmë në takim ish të burgosurit politikë të Kosovës, të cilët ishin mbajtur në burgjet serbe edhe gjatë luftës në Kosovë.

    Duke kthyer në kujtesë periudhën e përbashkët të kaluar si të burgosur politik, në këtë bashkëbisedim, sipas njoftimit të Kryeministrisë. u fol në veҫanti për torturat e tmerrshme dhe dhunën sistematike që ushtrohej në burgjet serbe ndaj të burgosurve politikë shqiptarë.

    “Rikujtuan ngjarjet e qershorit 1999, kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, dhe kur mbi dy mijë shqiptarë u transferuan në burgjet në Serbi. Biseduan për këtë periudhë ndërmjet qershorit e korrikut 1999, kur konsideroheshin të zhdukur, pasi familjet e tyre nuk kishin asnjë informatë për vendndodhjen apo fatin e tyre. Ish të burgosurit politikë evokuan edhe kujtimet për shokët e burgut të cilët nuk jetojnë më dhe për ata që nuk ishin në takimin e sotëm”, thuhet në njoftim.

    Në takimin e përbashkët me Drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës, u diskutua edhe për përgjegjësinë institucionale e shoqërore për ruajtjen e memories kolektive dhe dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës 1998-99, si dhe domosdoshmërinë e angazhimit të sistemit të drejtësisë.