ATV

Blog

  • KOSTT-i i kërcënuar nga sulmet kibernetike, ME-ja hap tender për E-Cert

    KOSTT-i i kërcënuar nga sulmet kibernetike, ME-ja hap tender për E-Cert

    Përgatiti: Armand Hoti

    Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë – KOSTT, sulmet kibernetike, i vendosi lart në listën e kërcënimeve potenciale për vitin aktual.

    “Sulmet në rrjetin energjetik po ndodhin vazhdimisht dhe raporti i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, tregon se nga viti 2020 në vitin 2022, janë shumëfishuar sulmet kibernetike”, tha profesori i inxhinierisë kompjuterike, Blerim Rexha.

    Me qëllim të mbrojtjes së rrjetit energjetik, Ministria e Ekonomisë synon që në kuadër të KOSTT-it, të aktivizojë Ekipin e Reagimit ndaj Emergjencave Kompjuterike për sektorin e energjisë.

    Tashmë, tenderi me vlerë të parashikuar prej 1 milion e 800 mijë eurosh për formimin e kësaj trupe është hapur.

    “Ministria e Ekonomisë po mbështet Operatorin Kosovar të Transmisionit, Sistemit dhe Tregut të Energjisë Elektrike- KOSTT, për të krijuar Ekipin e Reagimit ndaj Emergjencave Kompjuterike për sektorin e energjisë (E-CERT), për: t’u siguruar që incidentet e sigurisë kibernetike të kenë reputacion negativ minimal, si dhe ndikim operacional dhe financiar sa më të vogël për sektorin e energjisë, përmirësimin e qëndrueshmërisë për digjitalizimin e vazhdueshëm e të shpejtë të sektorit të energjisë”, thuhet në dosjen e tenderit.

    Profesori i inxhinierisë kompjuterike, Blerim Rexha, thotë se proceset e dixhitalizuara brenda ndërmarrjes, krijojnë terren të përshtatshëm kibernetik, për sulme të kësaj natyre.

    “Tani kjo jo vetëm që është e domosdoshme por kjo kërkohet edhe me rregullativën me direktivën e Bashkimit Evropian, e cila i kërkon kompanive të sektorit të energjisë, të kenë të paktën nga një zyrtar për siguri kibernetike, të kenë në strategjinë e tyre masa gjithëpërfshirëse për parandalimin, detektimin, por edhe përgjigjen ndaj sulmeve kibernetike”, tha Rexha.

    Me aktivizimin e Bursës ALPEX, ku KOSTT është bashkaksionar, kësaj ndërmarrjeje publike, i shtohen ndërveprimet energjetike.

    Referuar dosjes së tenderit, afati për fillimin e kontratës është 22 maji i këtij viti, teksa afati për përfundimin e saj është 22 nëntori i 2026-ës.

  • Krerët e shtetit urojnë për paqe, tolerancë e respekt të ndërsjellë

    Krerët e shtetit urojnë për paqe, tolerancë e respekt të ndërsjellë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në kremten e Fitër Bajramit, Bashkësia Islame priti krerët e shtetit, atë partiakë, ambasadorë e përfaqësues të komuniteteve tjera fetare në Kosovë.
    Pas takimit me kreun e BIK-ut, presidentja Vjosa Osmani uroi për paqe, tolerancë e respekt të ndërsjellë.

    “Shpresojmë që lutjet përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë lutje të pranuara dhe për t’i falënderuar për rolin që Bashkësinë Islame e Kosovës në mënyrë që shteti ynë, qytetarët tanë të ecin përpara”, tha Osmani.

    Në urimin e tij, kryeparlamentari Glauk Konjufca dha mesazhe barazie e fisnikërie shpirtërore.

    “Të jemi më së afërmi me ata që kanë nevojë e që nuk kanë atë që dëshirojnë, përkundrazi ne përmes kësaj afrohemi me njëri-tjetrin, me familjet tona, harmoni brenda familjeve tona, harmoni në shoqëri e në popullin tonë, duke dëshiruar më të mirën për të gjithë”, tha Konjufca.

    Pasi foli për solidaritetin dhe sakrificën e besimtarëve në muajit e Ramazanit, kryeministri Albin Kurti vuri theksin te kontributi i hoxhallarëve në çështjen kombëtare.

    “Në këtë pranverë për çdo ditë po përkujtojmë 25 vjetor të masakrave të tmerrshme të kryera mbi popullin tonë, në vendin tonë, por njëkohësisht beteja të lavdishme të UÇK-së. Andaj me këtë rast duhet përkujtuar edhe 37 hoxhallarë, imamë që janë dëshmorë të kombit nga lufta e fundit. Lavdi të gjithë atyre, edhe një herë gëzuar Fitër Bajramin”, tha Kurti.

    Lutjet dhe urimet e tyre në këtë festë i shpalosën edhe krerët e partive opozitare.

    “Nga këtu dëshiroj në mënyre të veçantë urojë edhe miqve tonë, bashkë-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, liderëve të UÇK-së, që ende po mbahen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, duke uruar që sa më parë festat e ardhshme të bajramave të tjerë t’i presin bashkërisht me familjet e tyre dhe me popullin e tyre”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    “Le të shpresojmë se lutjet, sakrifica dhe veprat e mira gjatë muajit të shenjët të Ramazanit të jenë pranuar nga krijuesi, por mbi të gjitha le të punojmë që këto vlera të jenë të përditshme që lidhja me njëri-tjetrin, familjen dhe kontributi për vendin të jenë pjesë normale e jona”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    “Urime, ta gëzojmë të gjithë bashkë në Kosovë, ta gëzojnë shqiptarët të gjithë së bashku. Vërtet gjatë këtij muaji u dëshmua përkushtim, sakrificë, solidaritet dhe njëkohësisht humanizëm. I falënderojmë që gjatë këtij muaji kanë bërë shumë që të jemi bashkë dhe të kalojmë më së miri e në këto ndjenja gëzimi, na përcjell gëzimi gjithnjë”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Urime vëllazërore nga selia e Bashkësisë Islame përcolli ipeshkvi, Dodë Gjergji.

    “Urojmë njëri tjetrin dhe bashkë ndajmë gëzimin e festave si vëllezër sepse këtë zjarr dashurie e kanë ndeshur të parët tanë ndër ne dhe që moti, por nuk është një zjarr që qet tym, as të bardh dhe as të zi por është një zjarr që përhap aromë dashurie, lirie, paqe, mirësie, vëllazërimi dhe uroj që të gjithë shqiptarët kudo që janë të përjetojnë këtë moment të urimit të festave të ndërsjellëta, që të konfirmojnë edhe një herë paqen, lirinë dhe vëllazërinë në mes vete”, tha Dodë Gjergji.

    Krahas shumë mysafirëve, në atë që njihet si Bajrami i Madh, për vizitë në BIK qëndroi edhe ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj.

  • Në një fshat të komunës së Gjakovës, myslimanë e katolikë festojnë bashkë Fitër Bajramin me kombin në mendje

    Në një fshat të komunës së Gjakovës, myslimanë e katolikë festojnë bashkë Fitër Bajramin me kombin në mendje

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Punët i la në gjysmë, e Luan Dedë Marku u bë gati të marrë rrugë brenda fshatit Korenicë të Gjakovës.

    Fqinjët e tij myslimanë kanë festë, andaj 64 vjeçari që është i besimit katolik niset t’i vizitojë.

    Rruga përfundon shpejtë. Ndër të fundit të fisit Marku, ia zë derën njërës nga familjet e fisit Haxhija.

    Kështu, pas urimit për festën e Fitër Bajramit, Luani e Lirimi mes vete fqinj me diferencë në moshë tri dekada, i drejtohen odës për ta vazhduar bisedën.

    “64 vjet I kam tash, kurrë skena pasë asnjë problem. Jemi 12 fise në fshat, po kurrëfarë telashe skena pasë”, tha Luan Dedë Marku.

    “Festat gjithmonë i kemi kalu mirë. Për neve në rend të parë është kombi. Pastaj vjen feja që është një bindje. Po na gjithmonë jena kanë bashkë, si në festa si në të pame”, tha Lirim Haxhija, besimtar mysliman.

    Respekti për njëri tjetrin pavarësisht besimeve, thonë se i mbajti të fortë edhe në kohëra të vështira.

    “Nuk ka sen më të madhe për popullin tonë. Në kohëra të vështira kjo na ka majtë – besimi e dashnia për njani tjetrin. Nuk mund të bëhemi turq e as italianë. Jemi shqiptarë”, tha Luan Dedë Marku.

    “Edhe në kohë të luftës I kemi dalë krah njëri tjetrit. Unë e kam të vrarë babain xhaxhain dhe nipin”, tha Lirim Haxhija, besimtar mysliman.

  • Sot luhen dy ndeshje interesante në Ligën e Kampionëve, vëmendja në Paris

    Sot luhen dy ndeshje interesante në Ligën e Kampionëve, vëmendja në Paris

    Sot do të zhvillohen dy ndeshje në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.

    Kryepërballja kryesore e natës së mërkurës pritet të jetë ajo në mes Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës.

    Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin Parc des Princes, duke filluar nga ora 21:00.

    Një tjetër sfidë interesante do të jetë edhe ballafaqimi në mes Atletico Madridit dhe Borussia Dortmundit.

    Loja do të luhet në stadiumin “Civitas Metropolitano”, duke nisur nga ora 21:00.

    Përndryshe, të martën u zhvilluan dy ndeshjet e para çerekfinale ku pati super paraqitje si në takimin e Real Madridit me Manchester Cityn, që u mbyll me rezultat 3-3.

    Njashtu edhe në takimin në mes Arsenalit dhe Bayernit, që u mbyll gjithashtu në barazim 2-2.

  • Haradinaj kujton heronjtë Beat Coli e Valenton Spahiu: Ishin 17-vjeçarë por të vetëdijshëm se liria nuk do të vinte pa sakrificë

    Haradinaj kujton heronjtë Beat Coli e Valenton Spahiu: Ishin 17-vjeçarë por të vetëdijshëm se liria nuk do të vinte pa sakrificë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar dëshmorët Beat Coli dhe Valenton Spahiu në përvjetorin e rënies.

    Haradinaj ka thënë se ata ranë që bashkëmoshatarët e tyre sot të jetojnë të lirë.

    “Beat Coli e Valenton Spahiu, ishin të rinj në moshë, vetëm 17-vjeçarë, por të pjekur e të vetëdijshëm se liria nuk do të vinte pa sakrificë dhe vetëflijim. Trimat e Dukagjinit fituan përjetësinë në Irzniq të Deçanit, 25 vjet më parë. Ata ranë që bashkëmoshatarët e tyre sot të jetojnë të lirë. Heroizmi i dy heronjve do të kujtohet nder breza”, ka thënë Haradinaj.

  • Dy të vdekur nga aksidenti i mbrëmshëm në Leposaviq, një tjetër në gjendje të rëndë

    Dy të vdekur nga aksidenti i mbrëmshëm në Leposaviq, një tjetër në gjendje të rëndë

    Dy 25-vjeçarë kanë humbur jetën në një përplasje kokë më kokë që ka ndodhur mbrëmë në Leposaviq.

    Të dy drejtonin automjetet që u përplasën dhe në gjendje të rëndë ndodhet edhe një person tjetër.

    Pesë minuta pas mesnate, ky aksident ka ndodhur, siç dyshohet sipas rezultateve paraprake të hetimeve, kur një automjet Audi 6 me targa të Beogradit ka kaluar në shiritin e kundërt të trafikut dhe është përplasur drejtpërdrejt me një automjet Peugeot, i cili po lëvizte në korsinë e tij, ka sqaruar për KoSS, Munish Avdija, shef i njësitit të komunikacionit në rajonin e PK-së Veri.

    Drejtuesit e të dy makinave kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda.

    Bëhet fjalë për personat me iniciale M.B. (1999) dhe Gj.M. (1999), kurse trupat e tyre janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Lëndime të rënda ka pësuar edhe një burrë tjetër, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit të njërës prej makinave.

    Bëhet fjalë për M.L. edhe ai mbrëmë është transferuar me urgjencë në spitalin e Mitrovicës dhe siç thotë sot policia ishte në gjendje të rëndë.

  • Bideni uron Fitër Bajramin, bashkëndjen me myslimanët në zonat e luftës

    Bideni uron Fitër Bajramin, bashkëndjen me myslimanët në zonat e luftës

    Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, në llogarinë e tij në platformën X postoi një fotografi urimi për festën e Fitër Bajramit.

    Aty ai po ashtu shkroi se teksa familjet dhe komunitetet myslimane mblidhen për Fitër Bajram, ata gjithashtu reflektojnë lidhur me dhimbjen e ndjerë nga shumë të tjerë.

    “Mendja ime është me ata në mbarë botën që janë duke e përjetuar konfliktin, urinë dhe zhvendosjen, duke përfshirë vende si Gaza dhe Sudani. Tani është koha për t’iu përkushtuar punës për të ndërtuar paqen dhe për të mbrojtur dinjitetin e të gjithëve”, shkroi Biden.

  • Abdixhiku në BIK, uron Fitër Bajramin

    Abdixhiku në BIK, uron Fitër Bajramin

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e festës së Fitër Bajramit, raporton Ekonomia Online.

    “Atëherë sot me bashkëpunëtor të LDK-së vizituam myftiun Tërnava dhe nëpërmjet tij uruam të gjithë komunitetit mysliman në Kosovë festën e Fitër Bajramit. Le të shpresojmë që lutjet e sakrificat dhe veprat e mira gjatë muajit të Ramazanit të jenë pranuar nga Krijuesi por mbi të gjitha të punojmë që këto vlera të jenë të përditshme, që lidhja me njëri-tjetrin, me familjet dhe kontributin për vendin të jenë pjesë normale”, u shpreh Abdixhiku.

  • Konjufca viziton BIK-un, i falënderon për organizimin e jetës fetare në Kosovë

    Konjufca viziton BIK-un, i falënderon për organizimin e jetës fetare në Kosovë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka zhvilluar një vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është takuar me myftiun Naim Tërrnava dhe ka uruar gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit, raporton Ekonomia Online.

    “Erdhëm edhe kësaj radhe padyshim në Bashkësinë Islame që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës  të ja urojmë festën e Fitër Bajramit edhe myftiut bashkë me kryesin e Bashkësisë Islame. Po e shfrytëzoj rastin të gjithë qytetareve dhe besimtareve mysliman kudo qe jetojnë të ja uroj këtë festë të rëndësishme të cilat përmban brenda mesazhin e qartë dhe shumë të sinqertë dhe mesazhi është për fisnikërimin e shpirtit si një formë falënderimi ndaj krijuesit përmes agjërimit dhe sakrificës  e cila na shtyn në dritën e solidaritet që të jemi të barabartë ta krijojmë një shoqëri më të drejtë dhe barabartë të jem me së afërmi me ata që janë nevojtarë. Ne përmes kësaj afrohemi me njëri-tjetrin”, deklaroi Konjufca.

    Tutje, kryeparlamentari gjithashtu falënderoi BIK që po vazhdojnë të kultivojnë solidaritet e mbarësi.

  • Gjermania i dhuron automjete FSK-së

    Gjermania i dhuron automjete FSK-së

    Republika Federale e Gjermanisë do t’i dhurojë automjete për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve do të mbahet nesër.

    Ceremonia do të organizohet në kazermën e FSK-së, “Adem Jashari” në Prishtinë, me fillim prej orës 10:30.

    “Në kazermën e FSK-së, “Adem Jashari”, në Prishtinë, të enjten, më 11 prill, duke filluar nga ora 10:30, do të mbahet ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve nga Republika Federale e Gjermanisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë: ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë”, thuhet në paralajmërimin e Ministrisë së Mbrojtjes.