ATV

Blog

  • Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit

    Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit

    Katër raste të dhunës në familje kanë ndodhur brenda 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Kështu bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, teksa njoftohet se rastet kanë ndodhur në Podujevë, Fushë Kosovë, Klinë dhe Gjakovë.

    Në katër rastet, tre nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje kurse i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

    Në Podujevë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë, teksa e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Podujevë / 10.04.2024 – 02:00. Ankuesja femër shtetase e huaj ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

    Ngjashëm ka ndodhur edhe në Fushë-Kosovë, teksa rastet raportohet të kenë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së martës.

    “Fushë Kosovë / 10.04.2024 – 04:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

    Ngjashëm “Dhunë në familje” raportohet edhe në Klinë teksa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    “Klinë / 10.04.2024 – 20:30. Viktima femer kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në raport.

    Ndërkaq në Gjakovë, një burrë ka fyer verbalisht një grua dhe të njëjtën ka tentuar ta sulmojë fizikisht.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Gjakovë / 10.04.2024 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për arsye se e kishte fyer verbalisht si dhe kishte tentuar ta sulmojë fizikisht viktimen femer kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

  • Osmani në 25-vjetorin e rënies së Agim Ramadanit: I dha jetë ëndrrave të popullit për të qenë të lirë

    Osmani në 25-vjetorin e rënies së Agim Ramadanit: I dha jetë ëndrrave të popullit për të qenë të lirë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kujtoi 25-vjetorin e rënies së heroit, Agim Ramadani.

    E para e shtetit, tha se Agim Ramadani u dha jetë ëndrrave dhe aspiratave të popullit të Kosovës për të qenë të lirë.

    “Agim Ramadani nuk ishte thjesht vetëm ushtarak, por një gërshetim i luftëtarit, poetit e piktorit, respektivisht një personalitet poliedrik i shndërruar në hero”, shkroi Osmani në Facebook.

    “Ai është njeriu i mërgatës, patrioti e guximtari që ëndrrën për lirinë e bëri realitet duke iu bashkuar UÇK-së dhe duke u përjetësuar në heroin emblematik të shembjes së kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë”.

    “Ai dhe bashkëluftëtarët i dhanë jetë ëndrrave dhe aspiratave të popullit tonë për të qenë i lirë”.

    “Heroizmi dhe trashëgimia e Agimit do të vazhdojnë t`i frymëzojë brezat që do të vijnë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Agim Ramadanin!”.

  • Sot mbahet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu

    Sot mbahet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu

    Sot do të mbahet seanca gjyqësore për 18-vjeçarin, Lulzim Fejzullahu i cili u rrah për vdekje nga dy të mitur më 14 janar.

    Më 1 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Fejzullahut.

    Dy të dyshuarve u është ngarkuar vepra penale “Vrasje e Rëndë” në aktakuzë.

    Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e kishin konfirmuar se më 25 mars është paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 25.03.2024, ka paraqitur Propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit, ndaj dy personave (të mitur), për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” në bashkëkryerje, pranë gjykatës kompetente”, kështu ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Deri më tani, dy të akuzuarit janë duke qëndruar në paraburgim deri në një vendim tjetër të Gjykatës.

    18-vjeçari kishte vdekur në Emergjencën e QKUK-së disa ditë pasi ishte rrahur.

    Policia fillimisht e raportoi vrasje në tentativë dhe therje me thikë, e në Emergjencë konstatuan vdekjen e tij nga lëndimet në kokën e viktimës, të marra nga shkopi i bejsbollit.

    Për këtë raportim Inspektorati Policor i Kosovës kishte iniciuar hetim.

  • Gjermania sot dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Gjermania sot dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Në kazermën “Adem Jashari”, sot nga ora 10:30 do të mbahet ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve nga Gjermania për FSK-në.

    Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

     

  • Presidentja Osmani pret në takim kryesuesin e OSBE-së

    Presidentja Osmani pret në takim kryesuesin e OSBE-së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot pret në takim ministrin për Punët e Jashtme, Evropë dhe për Tregtinë të Maltës, njëherësh kryesues i OSBE-së, Ian Borg.

    Takimi pritet të zhvillohet në ora 10:00.

    Ai gjithashtu do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schëarz.

    Po ashtu Borg do të mbajë takime me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, dhe stafin e misionit, dhe do të takojë pjesëmarrëse nga Akademia e Dialogut e OSBE-së.

    Sipas njoftimit, kryesuesi Borg do të udhëtojë në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan për t’u takuar me organizatat lokale të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e komuniteteve nga komuna të ndryshme për të diskutuar rreth të drejtave të komuniteteve, angazhimin e të rinjve dhe fuqizimin e grave.

    Ai do të takohet edhe me kryetarët e komunave që përfaqësojnë komunitete të ndryshme për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndër-komunal të mbështetur nga OSBE.

    Ministri Borg do të takohet edhe me Peshkopin Teodosije nga Kisha Ortodokse Serbe.

  • 25 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

    25 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

    Sot bëhen 25 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

    Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën e bëri bashkë me shokët.

    Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

    Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci ai braktisi ish-armatën jugosllave ku punonte si oficer.

    Në vitin 1998 pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

    Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998 iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.

    Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht duke mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ-Katana.

    Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare.

    Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit – Katanës.

    Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000.

  • Përkujtohet 25 vjetori i dëbimit të shqiptarëve për në Maqedoninë e Veriut

    Përkujtohet 25 vjetori i dëbimit të shqiptarëve për në Maqedoninë e Veriut

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Vite më parë karriget e këtij treni u mbushën plot me shqiptarë të cilët me forcë dëboheshin nga tokat e tyre. Pos frikës e trishtimit sigurimi i një vendi brenda trenit ishte sfide tjetër.

    25 vjet më parë pikërisht në të, një vend arriti ta zë, Sabit Jaha, i cili thotë se kujtimet e tmerrshme i kthehen së bashku me prillin.

    “Kam hipur në Prishtinë në stacionin e trenit mezi kemi arritë me u kacavirr ne tren. Aty s’ka pas as këmba ku të vendoset, disa herë në ditë ka ardhë nga fushë Kosova Kaçaniku deri këtu. Ka pas njerëz që kanë pritur edhe dy ditë të plota po s’kanë pas mundësi me zënë një vend se me mijëra e mijëra njerëz kanë kërkuar që sa më herët të gjejnë një vend”, tha Jaha.

    Në trenin që i çoi drejt Bllacës ishte edhe Ruzhdi Berisha në atë kohë vetëm 15 vjeçar, së bashku me nënën.

    “Isha adoleshent kur na qitën me dhunë forcat serbe, deri në Fushë Kosovë kemi ardhë në kam e kemi hip në tren. Kemi pas shumë vështirësi sepse ne shumë vende u ndalke treni, e forcat serbe na thonin se kemi me iu vra”, tha Berisha.

    Rrëfime si këto u përmblodhën të gjitha në librin e titulluar Bllaca 99, të shkruar nga Jahja Lluka.

    “Ne po e shënojmë sikur vite rresht nga dita kur e kemi sjellë trenin këtu e kur e kemi kriju edhe murin e kujtesës. Sakrifica e nënës shqiptarët na ka mundësua që të jemi këtu e sakrifica e UÇK-së, na mundësoi që ta shijojmë lirinë”, tha Lluka.

    Në kujtim të kësaj ngjarje i pranishëm ishte edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    “Një ngjarje e shënuar në historinë kombëtare shqiptare, dhe pa asnjë dyshim subjekt i hulumtimeve akademikë për qëndresën e shqiptarëve. Kjo është një ngjarje e cila duhet të vazhdohet të trajtohet me ndjen më të madh”, tha Tahiri.

    25 vjet më parë rreth gjysmë milioni shqiptarë u dëbuan nga Kosova.
    Gjatë luftës së viteve 98-99, ata u detyruan nga forcat serbe të shpërngulen gjetiu.

    Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

  • Kundërshtimi i Projektkodit Civil dhe Projektligjit për Fertizilimin e Asistuar

    Kundërshtimi i Projektkodit Civil dhe Projektligjit për Fertizilimin e Asistuar

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Familja ishte në qendër të lutjeve dhe ligjëratës së myftiut Naim Tërnava, në faljen e Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe, në kryeqytet.

    Pa i përmendur me emër, Tërnava iu referua si kërcënime Projekt-kodit Civil dhe Projekt-ligjit për Fertizilimin e Asistuar, nisma këto të mbetura pezull në Kuvend, si pasojë e kundërshtimit nga një grup deputetësh.

    “Kushdo prej nesh që sjellë diskutimet por edhe debatet e shumta që po zhvillohen kohëve të fundit në vendin tonë për aprovimin e disa ligjeve rreth familjes, sheh që këto përpjekje bien ndesh me identitetin, fenë dhe vlerat morale që posedon shoqëria jonë. Përpjekjet në këtë drejtim janë për shkak të shkatërrimin e familjes, zhdukjen apo dobësimin e moralit të lartë që bart ky popull”, tha Tërnava.

    Neni 8 i Kushtetutës saktëson se “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”, derisa rregullimi i legjislacionit për të drejtat të njeriut dhe shëndetin riprodhues vlerësohen si kyçe për proceset euro-integruese.

    Krahas lutjeve për solidaritet e mirëqenie, në festën që pason agjërimin një mujor, në përputhje me rregullat e fesë islame, myftiu bëri thirrje për angazhim shtetëror e shoqëror kundër dukurive shqetësuese.

    “Nga viti 2002 deri më 2023, fatkeqësisht kemi 1230 vetëvrasje në Kosovë, 151 vëllavrasje, 2933 raste humbje jetë në komunikacion. Vërtet shifra rrëqethëse , andaj kërkohet nga ne si shoqëri të mobilizohemi duke përfshirë të gjitha mekanizmat në parandalimin e këtyre dukurive ngase nëse qëndrojmë pasiv vetëvrasjet pro edhe vrasjet do të jenë fatale për ardhmërinë tonë”, tha Tërnava.

    Krahas agjërimit, shpërndarja e lëmoshës dhe solidarizimi me të varfrit gjatë muajit të Ramazanit, i paraprijnë kremtes së Fitër Bajramit, e cila zgjatë tri ditë.

  • Korporata Energjetike e Kosovës i ka borxh asaj të Shqipërisë edhe mbi 44 mijë megavatë energji

    Korporata Energjetike e Kosovës i ka borxh asaj të Shqipërisë edhe mbi 44 mijë megavatë energji

    Përgatiti: Haris Ademi

    Afër nëntë mijë e 500 megavatë energji elektrike, i ka marrë Korporata Energjetike e Kosovës, nga ajo e Shqipërisë, në periudhën shtator-shkurt. Ndërsa, i ka dërguar matanë kufirit mbi 25 mijë megavatë.

    Por, pavarësisht këtij bilanci nga shkëmbimi energjetik, KEK-u ende i mbetet borxh KESH-it. Sipas të dhënave dërguar ATV-së, prodhuesit kosovar të rrymës i duhet t’i kthejë edhe mbi 44 mijë megavatë, që i ka marrë nga Shqipëria kur ka pasur nevojë për energji shtesë.

    Sipas KEK-ut, borxhi ndaj KESH-it do të kthehet në muajt vijues, varësisht nga mundësitë.

    Njohësi i energjisë nga Shqipëria, Azmer Duleviç, thotë se ky borxh do të ishte ideal të kthehej gjatë verës, kur atje bie prodhimi.

    “Shqipëria ka specifikë, duke qenë se prodhimin e energjisë e ka hidro. Në periudhën e verës, që vjen pas disa javësh, të fillojë marrja mbrapshtë e energjisë që i ka dhënë KEK-ut”, tha Duleviç.

    Në anën tjetër, njohësit kosovarë nuk i shohin problem shifrat e borxhit. Vetëm se Lulzim Syla thotë se varet sa do të ketë mbulim të konsumit vendor, gjatë muajve të nxehtë.

    “Shumë çon peshë kapaciteti konsumues, sepse gjatë verës, me ardhjen e diasporës, rritet konsumi i energjisë, industria punon më tepër. Varësisht nga këto parashikime, unë besoj se do të ketë mundësi të kthimit të një pjese që të zvogëlohet ky disbalanc i shkëmbimit energjetik”, tha Syla.

    Këmbimi i rrymës ka efekt pozitiv financiar, sipas Naim Bujupit, meqë nuk ka nevojë për shpenzime.

    “Varësisht nga marrëveshja, kur na nevojitet, ata na e kthejnë, megavatë për megavatë. Nuk kemi të bëjmë me çmim të energjisë, por një megavat na japin, një e kthejmë”, tha Bujupi.

    Korporatat e Kosovës dhe Shqipërisë kanë marrëveshje që ta huazojnë energjinë, kur njëra ka mungesë, e tjetra tepricë. Ky bashkëpunim, e kishte ndihmuar Kosovën gjatë krizës energjetike, për t’i shmangur reduktimet.

  • Falja e Fitër Bajramit në Gjakovë, nga xhamia e Hadumit thirrje të mos braktiset vendi

    Falja e Fitër Bajramit në Gjakovë, nga xhamia e Hadumit thirrje të mos braktiset vendi

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Me lindjen e diellit, gjakovarët myslimanë iu drejtuan xhamisë së Hadumit për faljen e namazit të Fitër Bajramit.

    Me kalimin e minutave raftet mbusheshin me këpucë, e brenda objektit të ndërtuar në vitin 1595, nuk mbeti vend i lirë.

    Derisa të tjerë u rehatuan jashtë, në orën 06:30, imami nisi faljen.

    Pas ritualit fetar që zgjati 20 minuta, erdhi momenti që besimtarët t’ia urojnë festën njëri-tjetrit, pasi shumica prej tyre kishin agjëruar për 30 ditë.

    Krahas lutjeve për paqe e harmoni, imami e besimtarët bënë thirrje kundër migrimit.

    “Të qëndrojmë në vendin tonë. Të punojmë këtu. Siç e kryem faljen e agjërimin, e mira e përgjithshme është të gëzohesh në vendin tënd. Aty është bereqeti. Veni ynë ka nevojë për ne e ne kemi nevojë për të”, tha Safet Hoxha, imam në xhaminë e Hadumit.

    Sipas vlerësimit të popullsisë, në vitin 2022, më shumë se 2300 gjakovarë u larguan nga vendi.