ATV

Blog

  • Rreth 85% e votave të numëruara: Këto janë 10-shet më të votuara në VV, PDK, LDK dhe AAK

    Rreth 85% e votave të numëruara: Këto janë 10-shet më të votuara në VV, PDK, LDK dhe AAK

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar 84,75% të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë

    Aktualisht janë numëruar 2,117 vendvotime nga 2,498 sa janë në total.

    10 më të votuarit në VV:

    1.[1] ALBIN KURTI 202,448 Vota
    2.[2] GLAUK KONJUFCA 159,156 Vota
    3.[5] ALBULENA HAXHIU 92,727 Vota
    4.[6] HEKURAN MURATI 80,160 Vota
    5.[3] DONIKA GËRVALLA- SCHWARZ75,476 Vota
    6.[7] XHELAL SVEÇLA 61,136 Vota
    7.[4] AVNI DEHARI 55,785 Vota
    8.[9] HAJRULLA ÇEKU 51,367 Vota
    9.[8] MIMOZA KUSARI LILA 50,279 Vota
    10.[16] EJUP MAQEDONCI 46,552 Vota

    10 më të votuarit në PDK:

    1.[1] BEDRI HAMZA 100,885 Vota
    2.[4] PËRPARIM GRUDA 62,064 Vota
    3.[5] ARIAN TAHIRI 54,089 Vota
    4.[2] URAN ISMAILI 48,533 Vota
    5.[9] SALA JASHARI 33,702 Vota
    6.[3] VLORA ÇITAKU 33,405 Vota
    7.[12] GANIMETE MUSLIU 25,949 Vota
    8.[8] ARBEN MUSTAFA 23,354 Vota
    9.[10] ENVER HOXHAJ 22,996 Vota
    10.[16] MERGIM LUSHTAKU 22,944 Vota

    10 më të votuarit në LDK:

    1.[1] VJOSA OSMANI SADRIU 67,208 Vota
    2.[2] LUMIR ABDIXHIKU 61,058 Vota
    3.[4] DOARSA KICA XHELILI 47,472 Vota
    4.[12] HYKMETE BAJRAMI 37,646 Vota
    5.[11] AVDULLAH HOTI 34,337 Vota
    6.[3] KUJTIM SHALA 29,379 Vota
    7.[8] UKË RUGOVA 28,975 Vota
    8.[10] ANTON QUNI 22,696 Vota
    9.[17] ARMEND ZEMAJ 20,718 Vota
    10.[5] LUTFI HAZIRI 20,459 Vota

    1.[1] ARDIAN GJINI 35,289 Vota
    2.[11] RAMUSH HARADINAJ 31,889 Vota
    3.[50] DAUT HARADINAJ 24,107 Vota
    4.[2] BESNIK TAHIRI 20,733 Vota
    5.[4] BEKË BERISHA 17,327 Vota
    6.[7] BURIM RAMADANI 15,086 Vota
    7.[3] TIME KADRIJAJ 14,654 Vota
    8.[10] AGIM ÇEKU 13,533 Vota
    9.[5] ARBER TOLAJ 12,789 Vota
    10.[6] ALBANA BYTYQI 8,505 Vota

  • Publikohen çmimet e derivateve, nafta një cent më lirë se dje

    Publikohen çmimet e derivateve, nafta një cent më lirë se dje

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës për ditën e enjte.

    Çmimi maksimal për tregtimin e naftës për ditën e sotme do të jetë 1.53 euro për litër, për benzinë 1.40 euro për litër, kurse për gazin 0.68 euro për litër.

    Bazuar në këto të dhëna, sot, çmimi për naftën do të jetë 1 cent më lirë se ditën e djeshme.

  • Netanyahu i përgjigjet ashpër Erdoganit: Diktatori antisemit që kryen gjenocid ndaj kurdëve nuk mund të japë leksione

    Netanyahu i përgjigjet ashpër Erdoganit: Diktatori antisemit që kryen gjenocid ndaj kurdëve nuk mund të japë leksione

    Pasi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i drejtoi kritikat më të ashpra Izraelit dhe e krahasoi Benjamin Netanyahu me Adolf Hitler, erdhi edhe një reagim i menjëhershëm dhe jashtëzakonisht i ashpër nga kryeministri izraelit.

    Netanyahu nuk kurseu fjalët, duke e quajtur liderin turk diktator dhe duke e akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, si dhe për mbështetje të terrorizmit.

    “Diktatori antisemit Erdogan – i cili kryen gjenocid ndaj kurdëve, mbështet organizatën terroriste Hamas, shtyp popullin e tij dhe burgos kundërshtarët politikë – është personi i fundit që mund t’i japë leksione morale Shtetit të Izraelit”, deklaroi Netanyahu, raporton timesofisrael.

    Në vijim të reagimit të tij, kryeministri izraelit hodhi poshtë të gjitha akuzat e Erdoganit për gjenocid në Gaza, duke theksuar se veprimet e vendit të tij janë legjitime.

    “Shteti i Izraelit dhe IDF-ja (Forcat Mbrojtëse të Izraelit), si ushtria më morale në botë, do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime të fuqishme kundër Iranit dhe aleatëve të tij”, shtoi Netanyahu.

    Kjo përplasje e ashpër akuzash shënon një pikë të re të ulët në marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Tel Avivit, të cilat prej muajsh janë në krizë të thellë për shkak të operacioneve ushtarake izraelite në rajon.

    Ndërsa Erdogan bën thirrje për krijimin e një “fronti humanitar” për ndalimin e Izraelit, Netanyahu kundërpërgjigjet duke e zhvendosur fokusin te politika e brendshme turke dhe ndikimi rajonal i Iranit.

  • QKUK publikon rezultatet, këta janë 12 drejtorët e rinj të klinikave

    QKUK publikon rezultatet, këta janë 12 drejtorët e rinj të klinikave

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), ka publikuar rezultatet përfundimtare të konkursit për emërimin e drejtorëve në 12 klinika.

    Sipas njoftimit zyrtar, procesi i përzgjedhjes së drejtorëve në 12 klinikat e QKUK-së është zhvilluar përmes vlerësimit të kandidatëve sipas kritereve të përcaktuara në konkurs, ndërsa rezultatet përfshijnë pikët e fituara nga secili kandidat.

    Sipas rezultateve të shpallura, kandidatët që kanë siguruar numrin më të lartë të pikëve dhe janë përzgjedhur në pozitat drejtuese janë si më poshtë:

    Bajram Ademi – Drejtor i Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim (76.4 pikë);

    Shpëtim Thaçi – Drejtor i Klinikës së Pulmologjisë (81.6 pikë);

    Arsim Gashi – Drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike (82.2 pikë);

    Nazmi Kolgeci – Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Torakale (87.6 pikë);

    Ismet Jusufi – Drejtor i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv (81.6 pikë);

    Fakir Spahiu – Drejtor i Shërbimit Klinik të Mjekësisë Nukleare (85.8 pikë);

    Merita Emini Sadiku – Drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë (90 pikë);

    Afrim Tahiri – Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale (85.4 pikë);

    Avni Kryeziu – Drejtor i Klinikës së Reumatologjisë (81.6 pikë);

    Fatlinda Sadiku – Drejtoreshë e Instituteve Para-klinike (83.4 pikë);

    Zef Ndrejaj – Drejtor i Klinikës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë (82.8 pikë);

    Bardhe Selmanaj Bislimi – Drejtoreshë e Klinikës së Alergologjisë dhe Imunologjisë Klinike (83.2 pikë).

    Sipas njoftimit të QKUK-së, kandidatët e pakënaqur me procesin e rekrutimit kanë të drejtë ankese në Komisionin e Ankesave të QKUK-së brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare.

  • Vrau shokun në zyrë, gjurmët e gjakut dhe kamerat fundosin mikun e Eglant Koçit

    Vrau shokun në zyrë, gjurmët e gjakut dhe kamerat fundosin mikun e Eglant Koçit

    34-vjeçari Eglant Koçi paraditen e 4 qershorit doli nga banesa e tij për të ardhur një pallat në bulevardin “Zhan Dark” për të takuar shokun e tij Armand Shakaj.

    Brenda zyrës Eglanti hyri, por nuk doli më. Në brendësi të të cilës policia gjeti gjurmë gjaku e mbetje biologjike që do t’i vlejnë hetimit.

    Kati i dytë i këtij pallati ka disa njësi tregtare dhe korridoret janë me kamera të cilat kanë kapur 34-vjeçarin duke hyrë, por jo duke dalë. Armand Shakaj duket se ishte gjakftohtë në krim, pasi është kujdesur të fshehë gjurmët duke shkëputur kamerat në korridore.

    Pas shkëputjes së kamerave të brendshme Shakaj urdhëroi kamerierin e lokalit të tij Enea Zyferin të shkëpuste energjinë elektrike, që kamerat të mos kapnin transportimin e 34-vjeçarit nga zyra drejt makinës së tij që qëndronte e parkuar jashtë pallatit.

    Zyferiu u arrestua si bashkëpunëtor dhe këtë të mërkurë Gjykata e Tiranës e la në burg deri në përfundim të hetimeve.

    Para gjykatës ai ka thënë se nuk ka dijeni për fatin e 34-vjeçarit pasi zbatoi vetëm urdhrat e pronarit. Ai i tha se do të transportonte një frigorifer.

    Pas disa ditësh hetimesh intensive Policia e Tiranës arriti të gjente mjetin e autorit të dyshuar ku në bagazhin e tij u gjetën materiale biologjike që janë çuar për inspektim.

    Me vlerë për hetimin është dhe motori i viktimës që sipas hetimeve autori i dyshuar pas krimit e ka çuar fillimisht tek tregu elektrik më pas në zonën e 5 majit ku dhe e sekuestroi policia.

    Provat në zyrë, makinë motor janë çuar në laboratorin shkencor, i cili pritet të nxjerrë një përgjigje zyrtare./TCh

  • Komuna e Prishtinës ndryshon qarkullimin në disa rrugë, apelon për kujdes në trafik

    Komuna e Prishtinës ndryshon qarkullimin në disa rrugë, apelon për kujdes në trafik

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se pas përfundimit të një pjese të punimeve dhe riparimeve infrastrukturore në lagjen “Lakërishtë”, është bërë riorganizimi i qarkullimit të mjeteve motorike në rrugët “Hekurudha” dhe “Vicianum”, duke rikthyer qarkullimin në gjendjen e mëparshme.

    Sipas njoftimit, rruga “Hekurudha” do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën “Magjistralja M-2”, në drejtim të rrugëve “Tirana” dhe “Bekim Fehmiu”.

    “Rruga ‘Vicianum’ do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën ‘Ahmet Krasniqi’, në drejtim të rrugës ‘Magjistralja M-2’. Rrugët ‘Bekim Fehmiu’ dhe ‘Tirana’ do të vazhdojnë të jenë me dy kahje të qarkullimit”, thuhet në njoftim.

    Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama i arsyeton këto ndryshime me synimin për përmirësim të rrjedhës së trafikut, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe pas përfundimit të punimeve infrastrukturore në lagjen “Lakërishtë”.

    Andaj, Komuna u ka bërë lutje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

  • Pacolli: Narrativa për “Delfosin” është e pavërtetë dhe ka ndikuar në vendime të kundërligjshme

    Pacolli: Narrativa për “Delfosin” është e pavërtetë dhe ka ndikuar në vendime të kundërligjshme

    Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër ndaj debatit publik lidhur me çështjen “Delfos”, duke e cilësuar narrativën për këtë rast si “gënjeshtër të turpshme” që, sipas tij, ka krijuar huti në opinion dhe është përdorur si instrument për vendime gjyqësore të kundërligjshme.

    “Delfos” është emër i një rasti/strukture biznesi që lidhet me një konflikt ligjor e komercial, jo një institucion apo koncept i vetëm juridik.

    Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka deklaruar se këto veprime, përveç dëmit që i është shkaktuar kompanisë MABCO dhe interesave të tjera, kanë tentuar të cenojnë edhe rendin juridik dhe kushtetues të vendit.

    Ai ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të hetojnë dhe ndëshkojnë, siç u shpreh, “fenomenet e jashtëligjshme”.

    Në reagimin e tij, Pacolli ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, çështja është trajtuar në diskursin publik dhe institucional, duke theksuar se për muaj me radhë janë qarkulluar pretendime dhe spekulime që më pas janë rikthyer në debat publik edhe pas vendimeve gjyqësore.

    “Faktet ose janë të vërteta që në fillim, ose nuk janë fare”, ka thënë ai, duke shtuar se çështjet nuk mund të ndryshojnë vlerë juridike varësisht nga momenti kur ato artikulohen.

    Pacolli ka ngritur shqetësime edhe për kufijtë e marrëdhënieve koncesionare dhe të drejtave pronësore, duke theksuar se askush nuk mund të disponojë të drejta që, sipas tij, nuk i takojnë ekskluzivisht.

    Ai ka shtuar se gjykatat janë vendi ku faktet duhet të provohen, ndërsa ka paralajmëruar se kur debatet juridike shndërrohen në “alarme publike”, lindin dyshime mbi qëllimet reale pas tyre.

    “Koha zakonisht i jep përgjigjet që politika përpiqet t’i fshehë”, ka deklaruar Pacolli.

  • Casillas përballet me Porton në gjykatë, kërkon milionat pas sulmit në zemër që i dha fund karrierës

    Casillas përballet me Porton në gjykatë, kërkon milionat pas sulmit në zemër që i dha fund karrierës

    Legjenda e futbollit spanjoll, Iker Casillas, ka nisur një betejë ligjore kundër Portos, duke kërkuar kompensim milionësh për problemet shëndetësore që, sipas tij, i dhanë fund para kohe karrierës së tij si futbollist profesionist.

    Ish-portieri i Real Madridit pretendon se sulmi në zemër që pësoi gjatë një seance stërvitore në maj të vitit 2019 ishte pasojë e mbingarkesës fizike dhe duhet të konsiderohet si aksident në vendin e punës. Për këtë arsye, ai ka depozituar padi në gjykatën e Portos, duke kërkuar dëmshpërblim për paaftësinë e përhershme që thotë se e shoqëron edhe sot.

    Shtatë vjet pas incidentit që tronditi botën e futbollit, Casillas ka treguar se jeta e tij ka ndryshuar ndjeshëm dhe se nuk është më në gjendje të kryejë aktivitete fizike si më parë.

    “Mund të ushtrohem në palestër dhe të luaj padel, por nuk mund të vrapoj. Arrij të përballoj vetëm 20 deri në 50 metra dhe më pas duhet të ndalem. Për dikë që ka qenë sportist profesionist në nivelin më të lartë, kjo është një ndryshim i madh”, deklaroi ai gjatë seancës gjyqësore.

    Nga ana tjetër, Porto dhe kompania e sigurimeve kundërshtojnë pretendimet e ish-kapitenit të Spanjës. Mjeku i klubit në atë kohë, Nelson Puga, ka deklaruar se problemi shëndetësor ishte trajtuar me sukses dhe se nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes stërvitjes dhe atakut kardiak që pësoi portieri.

    Sipas klubit portugez, Casillas ka marrë të gjitha pagesat që i takonin gjatë periudhës së rikuperimit, ndërsa kompania e sigurimeve Fidelidade ka paguar tashmë 1.5 milion euro, që konsiderohet shuma maksimale e parashikuar për raste të tilla.

    Megjithatë, ish-portieri spanjoll kërkon kompensim shtesë për paaftësinë e plotë dhe të përhershme për të ushtruar profesionin e tij. Shuma që po shqyrtohet në procesin gjyqësor arrin në rreth 2.5 milionë euro, ekuivalente me 70 për qind të pagës që ai do të kishte përfituar deri në përfundimin e kontratës me Porton në vitin 2021.

    Casillas mbetet një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit. Ai zhvilloi 725 ndeshje me Real Madridin dhe fitoi gjithçka me klubin spanjoll, ndërsa nga viti 2015 deri në vitin 2020 mbrojti portën e Portos në 156 takime.

    Tashmë vendimi i gjykatës portugeze pritet të përcaktojë nëse ish-gardiani legjendar do të përfitojë kompensimin që kërkon apo nëse pretendimet e tij do të refuzohen.

  • NLB Banka shpërblehet nga BERZH si “Banka më aktive në lëshimin e garancioneve” për vitin 2025

    NLB Banka shpërblehet nga BERZH si “Banka më aktive në lëshimin e garancioneve” për vitin 2025

    NLB Banka është shpërblyer me çmimin prestigjioz “Banka më aktive në lëshimin e garancioneve” nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke konfirmuar edhe një herë rolin e saj udhëheqës në zhvillimin e financimit tregtar dhe mbështetjen e bizneseve në Kosovë.

    Çmimi u pranua nga Yll Sejdiu, Anëtar i Bordit Udhëheqës të NLB Bankës, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të mbajtur në Riga, ku BERZH vlerëson bankat partnere për kontributin e tyre në promovimin e tregtisë ndërkombëtare dhe forcimin e ekonomive lokale.

    Si pjesë e programeve të BERZH për lehtësimin e tregtisë, NLB Banka ka luajtur një rol të rëndësishëm në:
    • Mbështetjen e aktiviteteve të importit dhe eksportit;
    • Lehtësimin e qasjes në financim për kompanitë vendore;
    • Fuqizimin e partneriteteve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
    Me rastin e pranimit të çmimit, Yll Sejdiu deklaroi:

    “Ky çmim është një vlerësim i punës dhe përkushtimit tonë për të krijuar mundësi të reja për bizneset në Kosovë. Jemi krenarë që bashkëpunimi ynë me BERZH vazhdon të sjellë rezultate konkrete për klientët tanë dhe të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë së vendit.”

    Ky vlerësim dëshmon angazhimin e NLB Bankës për të mbetur një partner i besueshëm i komunitetit të biznesit, duke ofruar zgjidhje moderne financiare dhe duke mbështetur rritjen e qëndrueshme ekonomike.

  • Tuchel ul entuziazmin: Anglia nuk është favorite për Kupën e Botës 2026

    Tuchel ul entuziazmin: Anglia nuk është favorite për Kupën e Botës 2026

    Pavarësisht se konsiderohet ndër pretendentët kryesorë për triumfin në Kupën e Botës 2026, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, nuk e sheh skuadrën e tij si favorite për të ngritur trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror.

    Turneu që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë po afron, ndërsa shumë analistë e rendisin Anglinë mes skuadrave me shanset më të mëdha për sukses. Megjithatë, tekniku gjerman beson se historia e viteve të fundit nuk e lejon kombëtaren angleze të konsiderohet në të njëjtin nivel me fituesit e provuar.

    “Nuk mund ta quajmë veten favoritë. Për të qenë favorit duhet të kesh fituar trofe të mëdhenj dhe ne nuk e kemi bërë këtë prej shumë kohësh. Favoritë janë skuadrat që kanë treguar se dinë të fitojnë në skenën më të madhe”, deklaroi Tuchel.

    Megjithatë, ai theksoi se Anglia ka cilësinë dhe potencialin për të luftuar deri në fund për titullin botëror.

    “Ne jemi konkurrentë seriozë dhe besojmë se mund të garojmë për trofeun. Ëndërrojmë të fitojmë Kupën e Botës, por për ta arritur këtë duhet disiplinë, punë e madhe dhe përqendrim maksimal në çdo hap”, shtoi ai.

    Sipas parashikimeve të kompanisë së statistikave Opta, kampionia aktuale e Evropës, Spanja, konsiderohet favoritja kryesore për triumfin me 15.9 për qind mundësi. Pas saj renditet Franca me 13.2 për qind, ndërsa Anglia pozicionohet e treta me 10.9 për qind. Kampionia në fuqi e botës, Argjentina, vjen menjëherë pas me 10.5 për qind shanse për ta mbrojtur titullin.

    Tuchel insistoi se skuadra e tij nuk duhet të mendojë për finalen që tani, por të fokusohet te çdo sfidë veç e veç.

    “Nëse dëshiron të ngjitesh në majën e malit, nuk mund të mendosh menjëherë për majën. Duhet të ecësh hap pas hapi. Vetëm kështu mund të ruash qetësinë dhe përqendrimin”, u shpreh ai.

    Trajneri gjerman kujtoi se Anglia ka qenë shumë pranë suksesit në vitet e fundit. “Tre Luanët” arritën në çerekfinale të Kupës së Botës në Katar, ku u eliminuan nga Franca, ndërsa në dy Kampionatet Evropiane të fundit luajtën në finale, por u mposhtën nga Italia dhe Spanja.

    “Kur arrin vazhdimisht në fazat vendimtare, tregon se ke potencial për të fituar. Por futbolli nuk varet vetëm nga cilësia. Duhet edhe pak fat, sidomos sa i përket dëmtimeve dhe momenteve vendimtare të ndeshjeve”, tha Tuchel.

    Në fund, ai dërgoi një mesazh optimist për tifozët anglezë, duke theksuar se skuadra është në rrugën e duhur.

    “Kemi besim te vetja, por ky besim duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe sakrificë. Jemi aty ku duhet të jemi në këtë moment dhe do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë realitet ëndrrën tonë”, përfundoi përzgjedhësi i Anglisë.