ATV

Blog

  • Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese, para votimit në maj

    Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese, para votimit në maj

    Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se votimi pro Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, është “sinjali më i fuqishëm i mundshëm” që mori vendi në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë.

    Por, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se qeveritë e shumë shteteve nuk kanë vendosur ende se si do të votojnë në maj – kur pritet vendimi përfundimtar.

    Andaj, Kosova duhet të bëjë disa “befasi pozitive” në javët e ardhshme, thotë ai.

    “Këshilla ime do të ishte ta dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Knaus, ndër të tjera.

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi mbrëmjen e së martës pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Megjithatë, disa deputetë theksuan se vendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përpara votimit përfundimtar në maj.

    Knaus thotë se themelimi i këtij asociacioni “pa pjesëmarrjen e atyre për të cilët bëhet, nuk është i mundur”.

    “Pra, duhet të jemi të drejtë – ka gjëra që Qeveria e Kosovës mund t’i bëjë dhe ka gjëra që nuk mund t’i bëjë”, thotë ai, organizata e të cilit ka publikuar së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës./rel

  • EuroActiv zbulon kërkesën e QUINT-it dhe BE-së për Kosovës para anëtarësimit në KiE

    EuroActiv zbulon kërkesën e QUINT-it dhe BE-së për Kosovës para anëtarësimit në KiE

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës gjatë ditës së martë ka rekomanduar që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate. Në një artikull pas këtij zhvillimi, mediumi “EuroActiv” shkruan në lidhje me përkushtimin e Kosovës që ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

    Aty përmendet që para seancës së Asamblesë, u dorëzuan disa amendamente, shumica nga Serbia, megjithatë, shkruhet edhe për “surprizën” nga Italia.

    Sipas amendamentit të Italisë, aplikimi i Kosovës duhej shtyrë deri në implementimin e të gjitha pikave nga Marrëveshja e Brukselit dhe asaj të Ohrit, duke përfshirë këtu edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Sidoqoftë, opinion i miratuar potencon se Asociacioni duhet të jetë një “përkushtim pas anëtarësimit” dhe se raportuesja Dora Bakoyannis potencoi në fjalimin e saj hapës që Asociacioni “është i paarritshëm për momentin”.

    Sipas mediumit, një burim me dijeni nga diskutimet pas dyerve të mbyllura, ka thënë që ministrat mund të insistojnë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të rreshtohet me shtetet e QUINT-it dhe BE-në për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se “Kurti është shumë krenar për t’u pajtuar”.

    Megjithatë, ky burim ka shtuar se vetëm bisedimet për anëtarësim në KiE gjatë kësaj jave, janë një “fitore simbolike dhe shuplakë në fytyrë për Vuçiqin e Putinin”.

    Me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 mbetën abstenime, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi raportin e Dora Bakoyannis që fton KiE-në të pranojë Kosovën si anëtare të saj, duke shënuar një hap tejet të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    Pas kalimit në Asamble, Kosova tani pret rezultatin e votimit në Këshillin e Ministrave të Jashtëm për t’u bërë anëtare e plotë në KiE.

  • 33 shkolla refuzojnë mbajtjen e votimit në veri

    33 shkolla refuzojnë mbajtjen e votimit në veri

    Drejtorët e tridhjetë e tre shkollave në veri nuk kanë pranuar t’i japin për përdorim objektet shkollore për mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, tha të mërkurën kreu i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Burim Ahmetaj.

    Votimi për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviqit, Zveçan dhe Zubin Potok – do të mbahet më 21 prill, duke u bazuar në një udhëzim administrativ të Qeverisë së Kosovës.

    Duke folur të mërkurën në një mbledhje të KQZ-së në Prishtinë, Ahmetaj tha se në përgjithësi, 33 shkolla kanë refuzuar të ofrojnë qasje në objektet e tyre për procesin e votimit.

    Shkollat në veri të vendit funksionojnë sipas sistemit të dirigjuar nga Beogradi. Në zgjedhjet e prillit 2023, KQZ-ja kishte instaluar kontejnerë, që shërbejnë si qendra votimi, pasi nuk ishte lejuar hapja e shkollave si qendra të rregullta votimi.

    Ai theksoi se vetëm 10 shkolla në të gjitha katër komunat në veri kanë thënë se mund të përdoren për procesin e votimit të muajit të ardhshëm.

    Nga 18 qendra të votimit në Leposaviq, tha ai, vetëm tre prej tyre janë të qasshme, ndërsa “15 të tjera, drejtorët kanë refuzuar t’i japin për përdorim për procesin e votimit”.

    “Në komunën e Zubin Potokut, nga 12 qendra të votimit të miratuara, dy pre tyre janë të qasshme, por 10 të tjerat drejtorët e shkollave kane refuzuar t’i japin për përdorim. Në komunën e Zveçanit, nga gjashtë qendra të votimit të miratuara, dy prej tyre janë të qasshme dhe katër të tjera kanë refuzuar. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut janë shtatë qendra, tri prej tyre janë të qasshme, ndërsa katër të tjera kanë refuzuar”, shtoi ai.

    Ai tha se Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “është duke punuar intensivisht” për gjetjen e lokacioneve të reja alternative që do të shërbejnë si qendra të votimit për ditën e votimit më 21 prill.

    “Ligji i detyron këto komuna dhe drejtorët e shkollave t’i japin për përdorim këto objekte publike për procesin e votimit”, theksoi ai.

    Aktualisht, në këto komuna janë në pushtet kryetarët shqiptarë, të cilat i kanë fituar zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill të vitit 2023.

    Kjo çështje ngriti tensione në vitin 2023, të cilat nxitën bashkësinë ndërkombëtare të insistojë për shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale.

    Megjithatë, tani është e diskutueshme nëse votimi i ardhshëm për zëvendësimin e kryetarëve do të jetë i suksesshëm, për shkak se partia më e madhe e serbëve në Kosovë – Lista Serbe – ka vendosur të tërhiqet nga i gjithë procesi, ndonëse më parë e ka mbështetur atë.

  • Fillon ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të Policisë së Kosovës

    Fillon ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të Policisë së Kosovës

    Me një minutë heshtje për policët e rënë në detyrë, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës, raporton ATV.

    Në këtë ceremoni po marrin pjesë personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

    Pas ceremonisë do të shpërndahen edhe certifikatat për 445 kadetët e diplomuar. /atvlive.tv

  • ​Guardiola: Urime Real Madridit

    ​Guardiola: Urime Real Madridit

    Pep Guardiola ka thënë se ai nuk ka asgjë për t’u penduar pasi Manchester City u eliminua nga Liga e Kampionëve duke u mposhtu nga Real Madridi pas ekzekutimit të penalltive.

    City dominoi lojën, duke barazuar me Kevin De Bruyne në minutën e 76 -të , por nuk mundi ta fitonte në kohën normale dhe në shtesë, duke bërë kështu që penalltitët të kishin rolin vendimtar.

    Reali kalon në një përballje gjysmëfinale me Bayern Munich, me Cityn e mbetur në përpjekje për të siguruar dy dituj, në Premier League dhe FA Cup., transmeton KosovaPress.

    “Unë do të kisha preferuar të fitoja, sigurisht, por urime për Real Madridin , ata u mbrojtën shumë mirë me një solidaritet të tillë. Ne bëmë absolutisht gjithçka – nuk jam penduar. Luajtëm jashtëzakonisht mirë në të gjitha repartet, por fatkeqësisht nuk mundëm të fitonim”, tha Guardiola pas ndeshjes.

    “Më duhet t’u them faleminderit këtyre lojtarëve nga thellësia e zemrës sime për mënyrën se si ata luajtën. Por futbolli ka të bëjë me fitoren dhe ne nuk bëmë mjaftueshëm, por ishim të jashtëzakonshëm. Ndonjëherë mund të fitosh me penallti dhe ndonjëherë nuk mundesh. Por në lojë ne nuk i konvertuam rastet që kishim, edhe pse u mbrojtëm me të vërtetë. Të gjithë performuan në një nivel të lartë. Ne thamë se duhet të jemi në maksimumin tonë”, theksoi Guardiola.

    “Tani duhet të shohim përpara se çfarë do të vijë në sezon. Nuk kemi shumë kohë për të pushuar. Është një pjesë e ngarkuar e sezonit. Tani është koha për të qenë të fortë, veçanërisht në kokë. Jemi ende në dy gara të rëndësishme”, shtoi ai.

  • ​Përkujtohen dëshmorët dhe martirët në Prishtinë

    ​Përkujtohen dëshmorët dhe martirët në Prishtinë

    Ditët e 17,18,19, 20 dhe 21 prillit të vitit 1999, për shumë familje dhe qytetarë të trevave të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugën e shpëtimit përmes fshatrave Koliq, Grashticë, Makoc e Llukar, për shumëkënd u shndërruan në ditë tmerri e krimi të paparë.

    Ushtria policia dhe paramilitarët serb në pritën që u kishin bërë, vranë dhe masakruan më se 124 qytetarë, në mesin e tyre fëmijë, vajza, djem, gra e pleq.

    Për nder të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të bëjë homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe do të marr pjesë në Akademinë Përkujtimore e cila do të mbahet në Pallatin e Rinisë.

  • ​Evropa shënon ditën për të Drejtat e Pacientit

    ​Evropa shënon ditën për të Drejtat e Pacientit

    18 prilli njihet si Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse, që të formulohet dhe miratohet Karta e Pacientit.

    Gjithashtu, të punohet edhe për njohjen dhe zbatimin e saj nga personeli mjekësor.

    Të drejtat bazë të pacientëve të njohura ndërkombëtarisht afirmojnë dhe garantojnë ushtrim efektiv të tyre nga individët për mjekësinë parandaluese, aksesin në shërbime, informacionin, pëlqimin, zgjedhjen e lirë, jetën private dhe konfidencialitetin, respektin për kohën e pacientëve, të drejtën për t’u ankuar dhe për të marrë dëmshpërblim, etj.

  • ​Dita Botërore e Monumenteve dhe Vendbanimeve historike

    ​Dita Botërore e Monumenteve dhe Vendbanimeve historike

    Në vitin 1982 u miratua vendimi që më 18 prill të çdo viti të shënohet Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Vendbanimeve Historike.

    Kjo ditë shihet si mundësi për të gjithë komitetet kombëtare që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta.

    Një vit më vonë, Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të shqyrtojnë mundësinë e deklarimit të kësaj dite.

  • 25 vjet nga beteja e Shkëmbit të Gradinës

    25 vjet nga beteja e Shkëmbit të Gradinës

    Sot bëhen 25 vjet nga beteja e zhvilluar te Shkëmbi i Gradinës, për të mos lejuar depërtimin e forcave armike në rrafshnaltën e Berishës, ku ndodhej SHP i UÇK-së, Spitali Ushtarak, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Agjencia e lajmeve “KosovaPress”, radio “Kosova e lirë” dhe rreth 100 mijë banorë nëpër grykat e maleve.

    Në këtë betejë, pikërisht më 18 prill 1999, ranë heroikisht Islam Kastrati nga Kishnareka, Halim Bajraktari nga Drenasi, Mentor Morina nga Bushati, Ramadan Bytyqi nga Gjergjica dhe Mentor Gashi nga Llapushniku.

    Luftimet e prillit 1999 në këtë anë kanë qenë vendimtare jo vetëm për rrjedhat e luftës çlirimtare, por mbi të gjitha kanë qenë vendimtare për të shpëtuar jetën e njerëzve që kanë qenë në këto gryka.

    Po ashtu, luftëtarët që e bënë betejën e prillit 1999 kanë qenë muri i gjallë që nuk e ka lejuar ushtrinë dhe policinë serbe të depërtojë te popullata./KP

  • Shpërthim në veri, Policia jep detajet e fundit

    Shpërthim në veri, Policia jep detajet e fundit

    Një shpërthim është dëgjuar mëngjesin e hershëm sot në Zveçan.

    Bëhet fjalë për një granatë dore të hedhur në oborrin e një shtëpie.

    Rastin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Elshani deklaroi se nga shpërthimi ka pasur dëme të vogla materiale, por që nuk ka të lënduar.

    “Sot në orët e hershme të mëngjesit në Zvecan, respektivisht Zherovnic është dëgju një shpërthim. Dyshohet se shpërthimi është shkaktu nga një granatë dore e cila është hedh në një oborr të një shtëpie.

    Dëme të vogla materiale janë shkaktu, ndërsa nuk ka të lënduar në njerëz. Njësitë relevante të Policisë kanë dalë në vend të ngjarjes dhe janë duke u marrë me rastin”, pohoi Elshani.