ATV

Blog

  • U ndal për të pushuar në autostradën hungareze, kosovari thotë se ia vodhën 8 mijë euro dhe dokumentet

    U ndal për të pushuar në autostradën hungareze, kosovari thotë se ia vodhën 8 mijë euro dhe dokumentet

    Shtetasi kosovar thotë se hajnat i hapën veturën derisa po flinte në një zonë pushimi në autostradën M5. Rasti është raportuar në polici dhe në Ambasadën e Kosovës në Budapest.

    Një shtetas i Kosovës ka rënë pre e një vjedhjeje gjatë udhëtimit të tij në Hungari, në një rast që ka ndodhur në autostradën M5, transmeton albinfo.ch.

    Sipas deklarimit të viktimës me inicialet D.R., ai ishte ndalur në një zonë të dedikuar për pushim përgjatë autostradës për të bërë një gjumë të shkurtër, kur persona të panjohur i kanë hapur veturën dhe i kanë marrë sendet me vlerë.

    Ai ka bërë të ditur se hajnat kanë arritur të marrin çantën e dorës, në të cilën ndodheshin rreth 8 mijë euro para të gatshme, letërnjoftimi, pasaporta dhe kartelat bankare.

    Pas incidentit, D.R. ka njoftuar menjëherë policinë hungareze dhe organet diplomatike të Kosovës në Hungari.

    “Policia hungareze më është përgjigjur menjëherë dhe për këtë i falënderoj. E falënderoj edhe Ambasadën e Kosovës në Budapest, që më është përgjigjur për dokumentin e udhëtimit. Ambasada e Kosovës m’i ka rregulluar dokumentet që unë të kthehem në Kosovë. Policinë e kam lajmëruar, më kanë dhënë dosjen e rastit. Menjëherë kur erdhën, i morën shenjat e gishtërinjve që kanë prekur derën, si dhe pamjet nga kamerat e sigurisë”, ka deklaruar ai.

    Sipas viktimës, autoritetet hungareze kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit, ndërsa janë siguruar edhe provat e para nga vendi i ngjarjes.

    Në fund, ai u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve dhe udhëtarëve që kalojnë nëpër këtë segment të autostradës M5 të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ndalesave për pushim, duke mos lënë sende me vlerë në vende të dukshme dhe duke siguruar automjetet e tyre.

  • PSG synon transferimin e Jules Kounde-Barcelona e hapur për negociata

    PSG synon transferimin e Jules Kounde-Barcelona e hapur për negociata

    Paris Saint-Germain po e konsideron seriozisht transferimin e mbrojtësit francez Jules Kounde gjatë afatit kalimtar të verës, me kërkesë të drejtpërdrejtë të trajnerit Luis Enrique, i cili synon të forcojë repartin defensiv për sezonin e ardhshëm.

     

    Strategu spanjoll i ka kërkuar drejtuesve të klubit, të udhëhequr nga Nasser Al-Khelaifi, që të avancojnë negociatat për afrimin e një mbrojtësi të nivelit të lartë, me qëllim që skuadra të mbetet konkurruese në të gjitha frontet dhe të vazhdojë dominimin në futbollin evropian.

     

    Sipas raportimeve, PSG dëshiron të nisë sa më shpejt bisedimet me Barcelonën për të arritur një marrëveshje para se ngjarjet e verës dhe angazhimet ndërkombëtare të ndikojnë në procesin e negociatave.

     

    Luis Enrique e sheh Kounden si profilin ideal për skemën e tij taktike. Francezi vlerësohet për forcën fizike, aftësinë në duele, leximin e lojës dhe cilësinë në ndërtimin e aksioneve nga prapavija. Për më tepër, fleksibiliteti i tij për të luajtur si mbrojtës i djathtë ose qendërmbrojtës e bën atë një opsion shumë të vlefshëm për kampionët e Francës.

     

    Stafi teknik i PSG-së beson se 26-vjeçari mund të sjellë më shumë balancë në repartin defensiv, duke ofruar njëkohësisht alternativa të rëndësishme për lojtarë si Achraf Hakimi dhe Nuno Mendes gjatë një sezoni të gjatë dhe të ngarkuar.

     

    Në anën tjetër, Barcelona nuk konsiderohet kundër një shitjeje të mundshme, nëse oferta financiare është e kënaqshme. Vlera aktuale e Koundes llogaritet rreth 60 milionë euro, megjithëse klubi katalanas pritet të kërkojë një shumë më të lartë për të lejuar largimin e një prej mbrojtësve më të rëndësishëm të skuadrës.

     

    Me interesimin e PSG-së që po bëhet gjithnjë e më konkret, e ardhmja e Jules Kounde mund të jetë një nga çështjet më të nxehta të merkatos së verës.

  • Gjermania dhe Zvicra dominuan votimin jashtë Kosovës, KQZ nis numërimin

    Gjermania dhe Zvicra dominuan votimin jashtë Kosovës, KQZ nis numërimin

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot pasdite do të fillojë me numërimin e votave që i takojnë votimit në përfaqësitë diplomatike.

    Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, në 30 përfaqësitë diplomatike, nga 27 mijë e 724 votues të regjistruar, kanë votuar 82.46 përqind apo 22 mijë e 860 votues.

    Sa i përket numrit real të votuesve që morën pjesë në votim, përfaqësitë diplomatike në Gjermani dominuan dukshëm procesin.

    Numrin më të madh të votuesve e regjistroi Konsullata e Kosovës në Dyseldorf, ku votuan 2 mijë e 977 qytetarë, duke qenë qendra me pjesëmarrjen më të madhe në diasporë. Pas saj renditen Konsullata në Mynih me 2 mijë e 222 votues dhe Konsullata në Shtutgart me 2 mijë e 200 votues.

    Ndër qendrat e tjera me pjesëmarrje të lartë janë Ambasada/Konsullata në Cyrih me 1 mijë e 758 votues, Frankfurti me 1 mijë e 590 votues, Gjeneva me 1 mijë e 291 votues, Berna me 1 mijë e 270 votues dhe Londra me 1 mijë e 211 votues.

    Këto të dhëna tregojnë se qendrat diplomatike në Gjermani dhe Zvicër mbeten pikat kryesore të votimit të diasporës kosovare, duke përqendruar pjesën dërrmuese të votuesve që morën pjesë në procesin zgjedhor jashtë vendit.

  • Enver Hoxhaj paralajmëron për rrezikun që i kanoset Kosovës pas zgjedhjeve

    Enver Hoxhaj paralajmëron për rrezikun që i kanoset Kosovës pas zgjedhjeve

    Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj ka ngritur shqetësime për drejtimin që mund të marrë Kosova pas zgjedhjeve, duke veçuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjendjen e demokracisë në vend.

    Në një video të publikuar në Facebook, Hoxhaj tha se gjatë numërimit të votave po shfaqen dy çështje që, sipas tij, tregojnë se çfarë Kosove do të ketë vendi në periudhën e ardhshme.

    Duke folur për projektin e gazit amerikan, ai theksoi se bëhet fjalë për një projekt strategjik me rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën dhe rajonin.

    “Një projekt i tillë do ta ridefinojë rolin e Amerikës në Ballkan dhe marrëdhënien e saj me Kosovën. Ky raport duket që është në krizë sepse Qeveria e Kosovës veçse e ka refuzuar një projekt të tillë”, deklaroi Hoxhaj.

    Sipas tij, rëndësia e këtij projekti tejkalon edhe objektiva të tjera strategjike të vendit.

    “Ky projekt ka më shumë përparësi sesa vetë anëtarësimi i Kosovës në NATO apo promovimi i demokracisë, dhe ne mund të arrijmë deri te NATO pikërisht përmes një projekti të tillë”, u shpreh ai.

    Hoxhaj ngriti shqetësime edhe për zhvillimet në Komisionin e Pavarur të Mediave, duke e lidhur këtë me nivelin e demokracisë në vend.

    “Çështja e debatit publik në Komisionin e Pavarur të Mediave, ku mediat e pavarura po kërcënohen nga ky komision, tregon për nivelin e demokracisë”, tha ai.

    Në fund, deputeti i PDK-së u bëri thirrje partive opozitare dhe deputetëve që do të dalin nga këto zgjedhje të mbajnë një qëndrim të qartë në mbrojtje të demokracisë dhe aleancave strategjike të Kosovës.

    “Deputetët që do të dalin nga këto zgjedhje, por edhe partitë politike opozitare, e kanë vendimtare një qëndrim të qartë, që do ta mbrojnë edhe demokracinë, por që do ta mbrojnë edhe aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropën dhe Perëndimin”, deklaroi Hoxhaj.

  • Numërimi drejt fundit, këta janë kandidatët më të votuar nga rreth 90% e votave

    Numërimi drejt fundit, këta janë kandidatët më të votuar nga rreth 90% e votave

    Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë i është afruar fundit. Deri tash, janë numëruar 87.83% e votave.

    Këto të dhëna janë nga 2 mijë e 194 vendvotime të procesuara prej 2 mijë e 498 sa janë gjithsej.

    Kreu i VV’së, njëherit Kryeministri në detyrë, Albin Kurti mbetet më i votuari me mbi 211 mijë vota.

    Më poshtë gjeni dhjetë kandidatët më të votuar nga VV, PDK, LDK dhe AAK.

    VV:

    1.[1] ALBIN KURTI 211,127 Vota

    2.[2] GLAUK KONJUFCA 165,724 Vota

    3.[5] ALBULENA HAXHIU 96,475 Vota

    4.[6] HEKURAN MURATI 83,810 Vota

    5.[3] DONIKA GËRVALLA- SCHËARZ 78,638 Vota

    6.[7] XHELAL SVEÇLA 63,654 Vota

    7.[4] AVNI DEHARI 58,240 Vota

    8.[9] HAJRULLA ÇEKU 53,617 Vota

    9.[8] MIMOZA KUSARI LILA 52,221 Vota

    10.[16] EJUP MAQEDONCI 48,449 Vota

    PDK:

    1.[1] BEDRI HAMZA 104,341 Vota

    2.[4] PËRPARIM GRUDA 63,976 Vota

    3.[5] ARIAN TAHIRI 55,853 Vota

    4.[2] URAN ISMAILI 50,217 Vota

    5.[9] SALA JASHARI 34,584 Vota

    6.[3] VLORA ÇITAKU 34,454 Vota

    7.[12] GANIMETE MUSLIU 26,678 Vota

    8.[8] ARBEN MUSTAFA 24,165 Vota

    9.[7] RRAHMAN RAMA 23,952 Vota

    10.[10] ENVER HOXHAJ 23,810 Vota

    LDK:

    1.[1] VJOSA OSMANI SADRIU 69,847 Vota

    2.[2] LUMIR ABDIXHIKU 63,428 Vota

    3.[4] DOARSA KICA XHELILI 49,418 Vota

    4.[12] HYKMETE BAJRAMI 39,086 Vota

    5.[11] AVDULLAH HOTI 35,710 Vota

    6.[3] KUJTIM SHALA 30,450 Vota

    7.[8] UKË RUGOVA 30,066 Vota

    8.[10] ANTON QUNI 23,726 Vota

    9.[5] LUTFI HAZIRI 21,500 Vota

    10.[17] ARMEND ZEMAJ 21,383 Vota

    AAK:

    1.[1] ARDIAN GJINI 36,680 Vota

    2.[11] RAMUSH HARADINAJ 33,039 Vota

    3.[50] DAUT HARADINAJ 24,908 Vota

    4.[2] BESNIK TAHIRI 21,467 Vota

    5.[4] BEKË BERISHA 17,880 Vota

    6.[7] BURIM RAMADANI 15,658 Vota

    7.[3] TIME KADRIJAJ 15,102 Vota

    8.[10] AGIM ÇEKU 13,918 Vota

    9.[5] ARBER TOLAJ 13,168 Vota

    10.[6] ALBANA BYTYQI 8,827 Vota.

  • Disa lagje të Mitrovicës pritet të mbesin pa ujë shkaku i punimeve në rrjet

    Disa lagje të Mitrovicës pritet të mbesin pa ujë shkaku i punimeve në rrjet

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se ekipet e saj të mirëmbajtjes do të realizojnë punime të planifikuara në disa lokacione të qytetit dhe fshatrave përreth.

    Sipas njoftimit, ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit do të kryhen në rrugët “Mbretëresha Teuta”, “Bajo Topulli”, “Haxhi Qerimi”, “Tish Daija”, si dhe në fshatin Rekë.

    Ndërkohë, punime në rrjetin e kanalizimit do të zhvillohen në rrugën “Mbretëresha Teuta” dhe në fshatin Rekë.

    Nga KRU Mitrovica është bërë e ditur se gjatë realizimit të punimeve në rrjetin e ujësjellësit, furnizimi me ujë të pijshëm në zonat e përfshira mund të ndërpritet përkohësisht.

    Pas rikthimit të furnizimit, si pasojë e ndërhyrjeve teknike, mund të paraqitet turbullirë e përkohshme e ujit.

    “Në rast se uji është i turbullt, ju lutemi që ta lini rubinetin të rrjedhë për disa minuta, derisa uji të kthjellohet plotësisht”, thuhet në njoftimin e KRU Mitrovica.

  • Arijon Ibrahimovic zgjon interesimin e klubeve evropiane

    Arijon Ibrahimovic zgjon interesimin e klubeve evropiane

    Paraqitjet e shkëlqyera të mesfushorit ofensiv Arijon Ibrahimovic kanë zgjuar interesimin e disa klubeve nga Bundesliga, Liga Premier dhe Eredivisie, ndërsa vlera e tij në treg vazhdon të rritet.

    Ibrahimovic po kalon një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij. Talenti kosovar, i cili është në pronësi të Bayern Munichut, ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave evropiane pas paraqitjeve mbresëlënëse gjatë huazimit te Heidenheim në Bundesliga.

    Forma e mirë e 19-vjeçarit ka bërë që vlera e tij në treg të rritet ndjeshëm. Sipas raportimeve, kartoni i tij aktualisht vlerësohet rreth 10 milionë euro, shifër që pritet të rritet edhe më tej nëse ai vazhdon me ritmin e njëjtë të zhvillimit.

    Sipas Transfermarkt, interesim konkret për Ibrahimovicin kanë shfaqur disa klube nga ligat më të forta të Evropës. Nga Liga Premier, situatën e tij po e ndjekin Crystal Palace, Brighton, Brentford dhe Fulham, ndërsa PSV Eindhoven mbetet një nga opsionet më serioze jashtë Gjermanisë.

    Ndërkohë, as në Bundesliga nuk mungojnë admiruesit e tij. Werder Bremen, Augsburg, Hoffenheim dhe Stuttgart janë ndër klubet që po monitorojnë nga afër zhvillimin e talentit kosovar dhe mund të bëjnë lëvizje konkrete gjatë afatit kalimtar të verës.

    Bayern Munich ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e lojtarit. Drejtuesit bavarezë po shqyrtojnë mundësinë e integrimit të tij në skuadrën e parë, por në tavolinë mbeten edhe opsionet e një huazimi të ri ose të një transferimi të përhershëm.

    Me interesimin që po rritet dita-ditës dhe me disa klube të rëndësishme që kanë hyrë në garë për shërbimet e tij, e ardhmja e Arijon Ibrahimovicit pritet të jetë një nga temat më interesante të afatit kalimtar të verës. Talenti kosovar duket se është gati për hapin e radhës në karrierën e tij, ndërsa vendimi final pritet të merret në javët e ardhshme.

  • Specialja e bojkoton raportimin e ekspertëve britanikë në Hagë që ngriti shqetësime për funksionimin e saj

    Specialja e bojkoton raportimin e ekspertëve britanikë në Hagë që ngriti shqetësime për funksionimin e saj

    Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC) i cili javë me parë ka publikuar një raport të iniciuar me kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës është duke i prezantuar sot në Hagë gjetjet e tyre për funksionimin e Dhomave të Specializuara para Korit Diplomatik.

    Ngjarja po fasilitohet nga Ambasada e Kosovës në Hagë dhe është hapur nga Ambasadori i Kosovës Dren Doli. Gazeta Express po e përcjell këtë aktivitet.

    Por, pavarësisht pranisë së diplomatëve, dhe aktoreve të ndryshëm në këtë ngjarje vetë Gjykata Speciale e cila ndodhet në Hagë ku po mbahet ngjarja nuk e ka dërguar dikë aty, Kjo është bërë e ditur nga Avokati i Popullit të Kosovës Naim Qelaj i cili ka thënë se ata janë ftuar.

    “Do të doja që Dhomat e Specializuara të ishin këtu dhe nuk e di pse s’kanë ardhur” u ka thënë të pranishmëve Qelaj.

    Ai ka theksuar se raporti është i pavarur dhe në asnjë mënyrë i influencuar Avokati i Popullit.

    Qelaj në prill të këtij viti kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte numëruar gjetjet e britanikëve sa i përket procesit gjyqsor në Hagës. Ai kishte listuar një varg shqetësimesh të identifikuara nga raporti i britanikëve.

    Si gjetje të parë, Qelaj kishte përmendur kufizimin e të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, ku përfshihet mungesa e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimi i komunikimeve familjare dhe profesionale.

    “Sa i përket paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze për zgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimin e komunikimeve familjare dhe profesionale me mbrojtjen”, kishte thënë ai.

    Gjithashtu raporti kishte ngritur si shqetësim mbikëqyrjen sistematike të komunikimeve. Qelaj tregon se edhe gjatë vizitës që vetë kishte zhvilluar, kishte qenë subjekt i incizimit gjatë gjithë kohës nga kamerat e vendosura.

    “Raporti tregon se mbikëqyrja sistematike e komunikimeve me të cilat jam ballafaquar edhe unë, sepse në vizitën e vitit 2025 jam vëzhguar nga dy kamera që kanë incicuzar gjatë gjithë kohës, pra raporti konstaton se kjo përbën ndërhyrje në nenin 8”, kishte shtuar Qelaj.

    Qelaj thoshte se Raporti ngrit shqetësime serioze edhe për mungesën e mekanizmave efektiv të mbikëqyrjes demokratike dhe kontrollit institucional.

    Raporti, siç tregonte Qelaj, ka përmendur si shqetësim edhe diskrecionin e konsiderueshëm që ka kryetarja e Gjykatës Speciale për të emëruar panele, gjë që mund të ndikojë në perceptimin e paanshmërisë.

    “Sa i përket standardit për gjykim të drejtë, raporti konstaton se kryetarja e Speciales ka diskrecion të konsiderueshëm për të formuar panele, gjë që mund të ndikojë në perceptim për paanshmërinë. Më tej raporti evidenton shqetësime për konsultimet ndër-institucionale të paraparë me rregulloret dhe mungesën e gjyqtarëve nga Kosova”, ka thënë ai tutje.

    Qelaj kishte përmendur edhe disa deklarime problematike që janë bërë nga ish-kryeprokurori Jack Smith lidhur me burgimin e përjetshëm dhe deklarimet nga kryetarja e Gjykatës se nëse ish-krerët e UÇK’së lirohen ata përbëjnë rrezik. Këto deklarime përbejnë shqetësime serioze për prezumimin e pafajësisë, integritetin e procesit dhe për lirimin e parakohshëm.

    “Konstatimi nga kryetarja e Gjykatës se nëse lirohen këta persona paraqesin rrezik dhe duhet të mbahen në paraburgim ngre shqetësime serioze jo vetëm për prezumimin e pafajësisë por edhe për integritetin e procesit dhe lirimin e parakohshëm”, kishte thënë Qelaj.

    Ai kishte treguar se deklarimet e Smith dhe kryetare së Speciales janë bërë në një takim të tyre me disa diplomatë, e ku s’ka qenë e ftuar fare mbrojtja.

    Qelaj kishte përmendur edhe temën e pranimit të provave nga Serbia, duke thënë se raporti ka konstatuar mungesë të transparencës serioze nga ana e Hagës.

    “Lidhur me pranueshmërinë e provave nga Serbia, raporti konstaton mungesë transparence serioze, pasi kërkesat e mbrojtjes për zbulim, qasje për origjinën e materialeve mbeten pa vendim publik. Mungesa e çfarëdo vendimi publik përbën shqetësim për transparencën”, ka thënë ai duke cituar raportin.

    Qelaj kishte shtuar se në raport, rekomandohet krijimi i një mekanizmi të pavarur të monitorimit të procesve gjyqësore./Express/

  • New York Knicks realizojnë një përmbysje historike ndaj San Antonio Spurs duke kaluar në epërsi 3–1 në seri

    New York Knicks realizojnë një përmbysje historike ndaj San Antonio Spurs duke kaluar në epërsi 3–1 në seri

    New York Knicks kanë realizuar një nga përmbysjet më të mëdha të viteve të fundit, duke mposhtur San Antonio Spurs me rezultatin 107–106 dhe duke kaluar në epërsi 3–1 në seri.

    Ndeshja e zhvilluar në “Madison Square Garden” u shndërrua në një spektakël të vërtetë, pasi Knicks përmbysën një disavantazh që arriti deri në 29 pikë, në një rikthim që dukej pothuajse i pamundur deri në minutat e fundit.

    Heroi i mbrëmjes ishte OG Anunoby, i cili realizoi koshin vendimtar në sekondat e fundit, pas një tentative të humbur për tre pikë nga Jalen Brunson, vetëm 1.2 sekonda para përfundimit, duke vulosur një fitore dramatike për skuadrën nga New Yorku.

    Brunson ishte lideri i Knicks me 36 pikë dhe 7 asistime, ndërsa Anunoby kontribuoi me 33 pikë, duke qenë vendimtar në momentet kyçe të takimit.

    Në anën tjetër, Victor Wembanyama zhvilloi një paraqitje solide me 24 pikë dhe 13 ribaunde, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e Spurs. Skuadra nga San Antonio u ndëshkua nga efikasiteti i dobët në gjuajtje gjatë pjesës vendimtare të ndeshjes.

    Spurs kishin kontroll të plotë të takimit për pjesën më të madhe të kohës, madje krijuan epërsi 81–52 në çerekun e tretë, por nuk arritën ta ruanin avantazhin deri në fund.

    Sipas statistikave, kjo përmbysje renditet ndër më të mëdhatë në historinë e finaleve të NBA-së që nga viti 1997, duke kaluar edhe rikthimin e Boston Celtics ndaj Los Angeles Lakers në vitin 2008, kur Celtics përmbysën një disavantazh prej 24 pikësh.

    Ndeshja e pestë e serisë do të luhet në San Antonio, ku Knicks kanë tri mundësi për ta mbyllur serinë dhe për t’iu afruar një titulli historik, të cilin nuk e kanë fituar që nga viti 1973.

  • Peja Outdoor Festival nis sot me aktivitete në natyrë, hapet zyrtarisht në mbrëmje

    Peja Outdoor Festival nis sot me aktivitete në natyrë, hapet zyrtarisht në mbrëmje

    Peja Outdoor Festival nis sot programin e tij me aktivitete të ndryshme në hapësirat publike të qytetit, duke sjellë një ditë të dedikuar sportit, mjedisit dhe atmosferës festive.

    Sipas organizatorëve, aktiviteti i parë fillon në orën 15:00 me mbjelljen e drunjve në qytet, si pjesë e nismave për promovimin e kujdesit ndaj mjedisit dhe hapësirave të gjelbra.

    Më pas, programi vazhdon me vrapimin rekreativ përgjatë lumit Lumbardh, ku qytetarë dhe pjesëmarrës pritet të bashkohen në një aktivitet sportiv dhe komunitar.

    Dita përmbyllet me hapjen zyrtare të festivalit në orën 20:30, ku pritet një program festiv dhe pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve dhe vizitorëve.

    Organizatorët kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në aktivitetet e ditës, duke theksuar se festivali synon të sjellë energji, aventurë dhe atmosferë të gjallë në qytet gjatë gjithë fundjavës.