ATV

Blog

  • Një polic lëndohet gjatë intervenimit në një rrahje mes disa personave në Prishtinë

    Një polic lëndohet gjatë intervenimit në një rrahje mes disa personave në Prishtinë

    Një polic është lënduar gjatë një ndërhyrje në një rrahje në Prishtinë.

    Sipas raportit 24 orësh të PK-së, “është raportuar se janë përleshur disa persona mes vete, lidhur me rastin njësitë policore kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë hasur në dy të dyshuarit meshkuj kosovarë, të cilët ishin nën ndikim të alkoolit”

    Të dyshuarit janë arrestuar.

    Raporti i plotë:

    SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR/PJESMARRJE NË RRAHJE

    Prishtinë 27.04.2024-01:25. Është raportuar se janë përleshur disa persona mes vete, lidhur me rastin njësitë policore kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë hasur në dy të dyshuarit meshkuj kosovarë, të cilët ishin nën ndikim të alkoolit. Zyrtarët policor gjatë intervenimit për t’i vënë nën kontroll janë goditur nga njëri prej të dyshuarve me ç’rast njëri nga zyrtarët policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

  • Mustafa: Kosova me rritje të ngadalësuar ekonomike, qeveria të koordinohet me aleatët

    Mustafa: Kosova me rritje të ngadalësuar ekonomike, qeveria të koordinohet me aleatët

    Kosova gjatë viteve të fundit ka shënuar rritje të ngadalësuar ekonomike. Ani, pse sipas Qeverisë aktuale, ekonomia e vendit ka shënuar progres me një rritje mesatare prej 7.9 për qind, ndonëse kjo rritje nuk po konsiderohet reale nga themeluesi i Institutit për Kërkim Zhvillimor “Riinvest”, Muhamet Mustafa. Sipas tij, me rënien e investimeve dhe e eksportit, ka bërë që vendi të ketë rritje të ngadalësuar ekonomike.

    Duke folur për faktorët që kanë goditur ekonominë e vendit, ai vlerëson se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian karshi Kosovës, duhet të hiqen sa më shpejtë, për çfarë thotë se qeveria duhet të koordinohet me aleatet ndërkombëtar sa më shumë.

    Mustafa në një intervistë për KosovaPress kërkon nga qeveria të lehtësojë me masa të ndryshme aktivitetet e bizneseve, e po ashtu në këtë drejtim të përmirësohet imazhi i vendit në mënyrë që të kemi më shumë investime të huaja.

    Sa i përket klimës së të bërit biznes, Mustafa thotë se pavarësisht premtimeve të qeverisë në këtë drejtim, ende nuk shihen rezultate konkrete sa i përket heqjes së barrierave në këtë drejtim.

    Mustafa thotë se ende vendi përballet me probleme në arsim, shëndetësi e të tjera. Sipas tij, ka nevojë që qeveria të bazojë vendimet e veta në një evidencë më të mirë profesionale, shkencore e kërkimore, e po ashtu të krijojë një bashkëpunim me institucionet arsimore.

    Ndërsa, shqetësuese mbeten edhe masat e BE-së ndaj Kosovës tash e një kohë të gjatë. Mustafa derisa thotë se këto masa janë të padrejta, ai vlerëson se nevojitet me shumë koordinim nga qeveria me aleatët ndërkombëtar.

    Kujtojmë se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian janë vendosur vitin e kaluar si pasojë e mos përmbushjes së kërkesave të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

  • Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte

    Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte

    Policia e Kosovës e ka arrestuar një person të shtunën në kufirin verior të vendit me Serbinë, nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër civilëve gjatë luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë, njoftuan autoritetet kosovare.

    Në një komunikatë të përbashkët, Prokuroria Speciale dhe Policia thanë se të dyshuarin me inicialet J.S., e ndaluan në pikën kufitare Bërnjak, pasi ai dyshohet se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

    “Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i njëjti është ndaluar për 48 orë, dhe brenda afateve kohore ligjore ndaj të njëjtit kjo prokurori do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.

    Ai dyshohet për kryerjen e krimeve të luftës në qytetin jugperëndimor të Kosovës, Gjakovë.

  • Sondazhi: Biden në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, vetëm 38.7% mbështetje

    Sondazhi: Biden në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, vetëm 38.7% mbështetje

    Sipas rezultateve të sondazhit më të fundit të opinionit publik, presidenti aktual i SHBA-së, Joseph Biden është presidenti më pak i popullarizuar i SHBA-së në ’70 vitet e fundit me 38.7%, madje edhe nën nivelin e mbështetjes që kishin dikur Richard Nixon dhe Jimmy Carter.

    Në tremujorin e parë të vitit 2024, Biden 81 vjeç mori mbështetjen e 38.7 për qind të të anketuarve, tre për qind më pak se mbështetja që pati presidenti George HW Bush në të njëjtën periudhë të mandatit të tij, sipas një sondazhi të agjencisë Gallup, raporton New York Post.

    “Rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve, Biden qëndron në një pozitë më të dobët se çdo president i mëparshëm”, përfunduan anketuesit e Gallup.

    I njëjti sondazh tregon se ish-presidenti Donald Trump, i cili po konkurron me Biden për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, mori mbështetjen e 46.8 për qind të të anketuarve.

    E përditshmja e Nju Jorkut thekson se të dy presidentët (jopopullorë) Nixon dhe Carter kishin më shumë mbështetje se Biden, përkatësisht me 53.7 për qind dhe 47.7 për qind, ndërsa Presidenti Dwight Eisenhower kishte mbështetjen më të madhe në 70 vitet e fundit me 73.2 për qind.

    Rezultatet e sondazheve të Gallup për mbështetjen publike për presidentët amerikanë, të cilat janë kryer që nga fillimi i mandatit të Eisenhower në 1952, janë një tregues i fortë i suksesit për kandidatët që kërkojnë të fitojnë një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, sipas New York Post.

  • Opozita ankohet se nuk po përkrahet nga shumica rreth formimit të Komisioneve Hetimore

    Opozita ankohet se nuk po përkrahet nga shumica rreth formimit të Komisioneve Hetimore

    Formimi i Komisioneve Hetimore Parlamentare po shihet si trend i ri në legjislaturën aktuale të Kuvendit të Kosovës. Aktualisht janë funksional disa Komisione Hetimore Parlamentare e të cilët në shumë raste nuk po arrijnë të sjellin vendime për shkak të mungesës së kuorumit, raporton Ekonomia Online.

    Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Blera Deliu ka thënë se e kanë të vështirë të veprojnë pasi që shumica parlamentare nuk po shpreh gadishmëri për të mbështetur nismat e opozitës.

    “Vështirë të flitet për gadishmërinë e mazhorancës për të mbështetur nismat e opozitës ju e dini që ne tash e sa kohë kemi kërkesa. Edhe në seancën e rradhës, do të kemi një përpjekje tonën për të adresuar po ashtu një komision të ri hetimor. Është mekanizëm i opozitës në mënyrë që t’ i hapë rrugë zhvillimeve që po ndodhin qoftë atyre me afera korruptive”, ka thënë Deliu – Kodra.

    Ajo ka përmendur aferën, sipas saj të shumëpërfolur, për rezervat shtetërore. Deliu ka theksuar se kjo Qeveri e ka të pamundur ti mbyll sytë para qytetarëve të Kosovës pasi që tashmë insitucionet e drejtësisë e kanë ftuar ministren Rozeta Hajdari në cilësinë e të pandehurës.

    “Unë e kuptoj përpjekjen e Qeverisë për të mbuluar aferën e shumëpërfolur me rezervat shtetërore, me miellin grurin e po ashtu rezervave tjera shtetërore, por po ashtu gjithmonë dua të theksoj faktin që e ka të pamundur kjo qeveri ti mbyll sytë para qytetarëve të Kosovës sepse tashmë po flasim edhe për insitucionet e Drejtësisë të cilat kanë ftuar ministren Rozeta Hajdari në cilësinë e të pandehurës. Ka filluar që të funksionojë sistemi drejtësisë për ti adresuar vërejtet të cilat i kemi thënë tash e sa kohë dhe përkundër përpjekjeve që të bllokohet komisioni për rezerva shtetërore komisioni për rastin Dehari, dhe për zhvillimet e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Do ta kenë të vështirë shumica paralamentare për ta mbyllur në fakt këtë përpjekje që po e bën për të mbyllur korrupsionin krimin por edhe gjithë parregullsitë të cilat po ndodhin në secilin cep të insitucioneve të Kosovës”, ka thënë Deliu – Kodra.

    Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes (VV), Arjeta Fejza, ka thënë për Ekonomia Online se opozita vazhdimisht ka kërkuar zgjedhje të reja dhe njëkohësisht kanë parashtruar nisma për komisione hetimore në kuadër të Kuvendit. Fejza ka theksuar se pozita për shumicën e komisioneve hetimore nuk është kundër.

    “Opozita kohëve të fundit vazhdimisht ka kërkuar zgjedhje ka thënë që ne nuk angazhohemi në asgjë pa shkuar në zgjedhje sepse në konstatimet e tyre asgjë nuk po funksionon. Ndërkohë vazhdimisht ju e keni parë kanë parashtruar nisma për komisione hetimore në kuadër të Kuvendit. Kjo legjislaturë pavarësisht se ka qenë shumë aktive me ligje me draftimin e tyre me mbikëqyrjen e ligjeve dhe me punë të tjera brenda përbrenda Kuvendit, megjithatë në shumë raste kemi pasur telashe edhe me kuorumin edhe me mbarëvajtjen e Kuvendit. Unë konsideroj që është shumë e rëndësishme që Kuvendi të funksionojë plotësisht pra që të kemi edhe miratim edhe mbikëqyrje edhe aspekte të tjera të punës funksionale të tij kurse komisionet hetimore janë vetëm një nga metodat me të cilat Kuvendi mund të realizojë misionin e tij. Për shumicën e komisioneve hetimore nuk kemi qenë kundër mirëpo vetëm kemi kërku që të zgjerohet objekti i hetimit të atyre komisioneve, në këtë drejtim opozita ka qenë jashtëzakonisht shumë destruktive dhe vërtetë konsideroj që nganjëherë këto kërkesat e tyre për komisione janë më shumë për me pengu normalitetin dhe funksionalitetin e Kuvendit se sa për të sjell ndonjë efekt apo dritë në çështjet në të cilat synojnë të krijojnë hetime sepse ju e dini që Kuvendi i Kosovës i ka komisionet funksionale dhe në kuadër të atyre komisioneve ne mund të angazhohemi të diskutojmë edhe të analizojmë të gjitha temat. Aty mund të ftohen ministrat përkatës të linjave aty mund të diskutohet për çështje që ka interes opozita”, ka thënë Fejza.

    Deputetja Fejza ka thënë se opozita nuk po e shfrytëzon mundësinë që përmes komisioneve parlamentare funksionale të ftohen ministrat e të diskutojnë për të gjitha çështjet që duan, por sipas saj të gjitha çështjet i bartin në seanca duke shkaktuar vonesa në agjendën legjislative.

    “Mirëpo pavarësisht kësaj ata nuk e kanë shfrytëzu këtë mekanizëm dhe kanë synuar që të gjitha çështjet ti bartin në seancë duke shkaktuar prap po them, vonesa në agjendën tonë legjislative. Dilema jonë prej fillimit është në themelimin e këtyre komisoneve. Ta zëmë se ne kemi themeluar së fundmi një komision për subvencionimin për tekste shkollore, ai është një proces i tëri publik gjithçka ka qenë publike në atë proces dhe përseri opozita ka insistuar që të ketë një komision hetimor në këtë drejtim, ne e kemi themeluar atë komison ajo çka besojmë që do të shërbej është për të parë si kanë ecur proceset ndër vite ndërkaq sa i përket procesit konkretisht unë nuk mendoj që do të ketë diqka të re sepse i gjithë procesi është tranparent dhe publik”, ka thënë Fejza.

  • Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të zhdukurve do të kenë mundësi padie në Strasburg

    Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të zhdukurve do të kenë mundësi padie në Strasburg

    Presidentja Vjosa Osmani në deklarimin e saj pas nderimeve për të pagjeturit në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, ka thënë se me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, familjarët e personave të zhdukur do të kenë mundësinë për ta paditur Serbinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    “Pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, të gjitha familjet do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për ta paditur Serbinë për shkeljen e të drejtës në jetë për familjarët e tyre, për shkeljen e të drejtës në dinjitet njerëzor dhe shumë të drejta të tjera, të cilat i kanë familjarët”, ka thënë Osmani.

    Tutje presidentja ka thënë se kjo është kauzë e të drejtave të njeriut dhe se nuk ka të bëjë me politikë.

    “Nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfitojnë të gjithë qytetarët, por më së shumti familjet të cilave iu është mohuar drejtësia tash e 25 vjet”, ka thënë ajo.

  • Kusari-Lila: Dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese s’është kusht para votimit në KiE

    Kusari-Lila: Dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese s’është kusht para votimit në KiE

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk është e përcaktuar që Kosova duhet që draft-statutin e Asociacionit ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, para votimit në Këshill të Ministrave për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Ajo ka thënë se Kosova ka gatishmëri për zbatimin e të gjithave marrëveshjeve të arritura deri më tani, por sipas saj, ato marrëveshje duhet që të jenë të zbatueshme dhe të obligueshme për të dyja vendet pa dallime.

    Kusari-Lila ka theksuar se nuk mund të konsiderohet që vetëm formimi i Asociacionit mund të jetë mekanizëm për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është garancia e vetme dhe kryesore për zbatimin e të drejtave të të gjithëve pa dallime.

    “Republika e Kosovës ka treguar gatishmëri për zbatimin e të gjithave marrëveshjeve të arritura deri më tani, përkundrejt faktit që në disa prej tyre ka pasur jo konsistencë të vazhdueshme por që e kemi konsideruar që marrëveshja e Brukselit dhe plani i zbatimit i Ohrit duhet të jenë të zbatueshme dhe të obligueshme për të gjithë pa dallim. Elementin e thirrjes e cila bëhet që vetëm formimi i Asociacionit është mekanizëm për integrimin e komunitetit serb janë rastet dhe është vetë integrimi i komunitetit serb në pjesët tjera të Republikës së Kosovës që e dëshmon të kundërtën. Më e rëndësishme për Republikën e Kosovës në këtë proces por edhe për të gjithë komunitetit përfshirë ato pakicë është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, garancia e vetme dhe kryesore për zbatimin e të drejtave të gjithëve pa dallim në veçanti grupeve të margjinalizuara është anëtarësimi në Këshillin e Evropës apo mekanizmi mbikëqyrës që vjen bashkë me anëtarësimin e Këshillit të Evropës. Asnjë mekanizëm tjetër në veçanti jo ata të kërkuara nga Serbia për arsye se Serbia vet si shtet ka qenë shklesja dhe mbetet kryesore e të drejtave serbe, shteti i cili me mekanizmat e vet indimidon, dhunon dhe dëmton pronën e qytetarëve të vet, luan me procesin e vendimmarrjes për fatin e tyre”, ka thënë ajo për KP.

    Kusari Lila ka thënë se dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese dhe themelimi i saj nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE, por që kjo do të bëhet pas anëtarësimit.

    Ajo ka thënë se nuk do të ishte mirë që kjo çështje të bëhej kushtëzim i mëtutjeshëm për Kosovën.

    “Si procedurë nuk është kërkuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, sic e dini edhe vetë vetë raportuesja Dora Bakojanis, ka treguar që kjo si procedurë nga institucionet e vendit do të bëhet pas anëtarësimit, siç është konfirmuar dhe në letrën e tre krerëve të shtetit si proces i cili ndërlidh zbatimin e tërë marrëveshjeve të arritura apo dy marrëveshjeve të fundit këtë rast Brukseli dhe Ohrit. Prandaj si i tillë nuk do duhej të ishte para kusht ose kushtëzim i mëtutjeshëm, Kosova deri më tani ka treguar vullnet seriozitet dhe përpikmëri, në zbatim të marrëveshjeve por gjithashtu edhe në ruajte të vlerave demokratike dhe ruajte të paqes dhe sigurisë. Ata të cilët e shkaktojnë këtë janë në anën tjetër të kufirit tonë verior dhe kjo është Serbia, domethënë konfliktet problemet, cenimin e të drejtave të pakicave e bën shteti serb në krye me Aleksandër Vuqic”, ka thënë ajo.

    Shefja e deputeteve të VV-së ka thënë se do të ishte mirë që ndërkombëtaret të cilët theksojnë që dërgimi i draftit në Kushtetuese do duhej të bëhej para votimit në Këshillit të Ministrave, të njëjtit do të duhej që të insistonin që votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE të ndodhte sa më parë.

  • Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg

    Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg

    Familjarët të cilëve u janë zhdukur më të dashurit e tyre, po përgatiten ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në momentin që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Presidentja Osmani, Zyra qeveritare për të pagjeturit dhe Instituti për Krime të Luftës, inkurajojnë qytetarët që të bëjnë gati paditë. E familjarët shpresojnë që kjo do të jetë mundësi e mirë që të triumfojë drejtësia.

    Vëllai i Lutfijes, doktor Adem Ademi vazhdon të jetë në mesin e të zhdukurve me dhunë tash e 25 vjet. Familjarët gjatë gjithë kohës kanë kërkuar të dinë për fatin e tij, por as nuk ia gjejnë eshtrat e as nuk ia dinë varrin.
    “Që 25 vite jetojmë me shpresë se do t’i gjejmë familjarët tonë”, tha Lutfije Ademi Vokshi.

    Familjes së Lutfijes u ka mbetur një shpresë që ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg në momentin që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

    “Ne familjarët e presim me padurim rezultatin pozitiv që Kosova të pranohet në KiE dhe besoj që çdo familjar sikur unë, do të bëjnë padinë edhe individualisht, por kisha pas dëshirë që edhe institucionet e Kosovës të bëjnë padi, që të jemi sa më të fuqishëm, të ngrisim zërin sa më lartë që Serbia të marrë dënimin e merituar për krimet që i ka bërë në Kosovë”, shtoi ajo.

    Në këtë çështje familjarët kanë përkrahje edhe nga presidentja Vjosa Osmani. “Nga anëtarësimi në KiE përfitojnë të gjithë qytetarët tanë, por më së shumti përfitojnë familjet të cilave u është mohuar drejtësia tash e 25 vjet”, tha presidentja.

    Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, thotë se si shtet janë edhe disa procedura të tjera që duhet t’i ndjekin deri te padia ndaj Serbisë për gjenocid.

    “I bëj thirrje të gjithë atyre që janë të prekur direkt apo indirekt nga lufta 98-99 në çfarëdo lloj mënyre që të përgatiten dhe të fillojnë të gjejnë mundësinë për paditë e tyre ndaj shtetit serb sepse mendoj që jemi vonë dhe është koha ta bëjmë përgjegjës atë që i ka bërë këto krime, ku dikush patjetër duhet të përballet me drejtësinë. Ata që kanë kryer këto krime patjetër që duhet të jenë në burgje”, tha Hoti.

    Instituti për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë po bëhet gati të mbledhë sa më shumë dëshmi. “Të gjithë ata akterë, individ, institucione që deri më tash kanë arritur të grumbullojnë materialet që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës, duhet të dorëzojnë nga një kopje edhe në institut, të cilat pastaj do të plotësohen nga ana e institutit”, tha Atdhe Hetemi.

    Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, deri tani vetëm 45 persona janë dënuar për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovës. /rtklive

  • Temperatura deri në 25 gradë sot në Kosovë

    Temperatura deri në 25 gradë sot në Kosovë

    ër të dielën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 9-25 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 5 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 23 deri në 25°C.

  • Raporti i DASh-it shihet me shqetësim nga njohësit e çështjeve juridike – Kambanë e alarm për institucionet

    Raporti i DASh-it shihet me shqetësim nga njohësit e çështjeve juridike – Kambanë e alarm për institucionet

    Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) për Kosovën po shihet shqetësues nga njohësit e çështjeve juridike. Sipas tyre, në të njëjtin shpërfaqen ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë, nivelin e korrupsionit, pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të qeverisë, dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, raporton Ekonomia Online.

    Ata thonë se krahas problemeve në sistemin e drejtësisë, politika është ajo e cila po ndikon që organet e drejtësisë të mos jenë të pavarura.

    Avokati Ardian Bajraktari, thotë për Ekonomia Online se niveli i ndërhyrjeve të politikës në gjyqësor është shqetësuese. Sipas tij, raporti duhet të jetë alarm për institucionet kosovare në mënyrë që të mos përsëriten gjetje të njëjta.

    “Raporti i DASh-it është një nga raportet jashtëzakonisht kredibile dhe në bindjen time pasqyron gjendjen reale sa i përket çështjen të cilat trajtohen, me theks të veçantë aspektet të cilat edhe ne vendore në jo pak raste i kemi trajtuar dhe kemi dhënë pikëpamjet tona, me theks të veçantë është le të themi për shqetësim niveli i ndërhyrjeve politike, përmes sulmeve, përmes atakimeve të drejtpërdrejta të eksponentëve politikë duke përmend qoftë edhe emra gjyqtarësh, emra prokurorësh e të cilat natyrisht që duhet sa më parë të ndalen. Vlerësoj që raporti pra është real dhe si i tillë do duhej të merrej me shqetësim dhe në bindjen time është një kambanë është një alarm për të gjithë atyre që iu dedikohet”, thotë Bajraktari.

    Bajraktari ka kërkuar nga eksponentët politikë që sa më parë t’i ndalin sulmet ndaj gjyqësorit. Ndërsa nga këta të fundit, kërkon më shumë efikasitet në punën e tyre.

    “E para institucionet politike, eksponentët politikë, Qeveria dhe të tjerët, duhet sa më parë t’i ndalin këto etiketime, këto sulme në adresë të institucioneve të gjyqësorit, mirëpo edhe këta të fundit natyrisht që duhet ta rrisin efikasitetin me theks të veçantë, Këshilli Gjyqësor dhe KPK-ja duhet të angazhohet jashtëzakonisht shumë në drejtim të forcimit të integritetit të njerëzve brenda për brenda në gjyqësor në drejtim të adresimit të llogaridhënies mirëpo natyrisht edhe në drejtim të rishikimit të politikës ndëshkimore për kategoritë e caktuara të veprave penale të dhunshme përfshirë veprat penale ku viktimat po janë gratë, prandaj ndërmarrja e këtyre veprimeve është imediate është nevojë urgjente me çka natyrisht që do të përmirësohet edhe imazhi i institucioneve të drejtësisë edhe imazhi i vendit tonë në instancë të fundit”, u shpreh Bajraktari.

    Ndërsa avokati tjetër, Yll Zekaj, thotë se raporti i këtij viti është i njëjtë me atë të vitit të kaluar, ku theksohen ndërhyrjet në pavarësinë e sistemit gjyqësor. Këto gjetje, Zekaj i sheh me shqetësim të madh për faktin se nuk ka ndryshuar gjendja nga viti i kaluar.

    Zekaj përmend disa nga gjetjet të cilat i konsideron si më shqetësuese.

    “Edhe raporti i këtij viti të Departamentit Amerikan të Shtetit nuk është që ka ndryshuar shumë nga raporti i vitit të kaluar. Identifikon shumë probleme serioze, sidomos në shkeljen e të drejtave të njeriut, në punën e gjyqësorit, në interferimin e Qeverisë në paanshmërinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, ndaj korrupsionit, dhunën në familje, dhunën në baza gjinore. Këto pak a shumë janë pikat të cilat në aspektin e shkeljes së ligjit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut i identifikon raportet e Departamentit të Shtetit i cili nuk konstaton që ka pasur progres nga ajo e vitit të kaluar”, thotë Zekaj.

    Ndërhyrjet që më së shumti përmenden në raport sipas Zekës janë në momentin kur zyrtarët qeveritar ndiqen nga sistemi i drejtësisë.

    “Prapë ky raport e qet në pah atë që e kemi parë edhe vitin e kaluar edhe në sistemin gjyqësor edhe në aspektin me qeverinë që kemi pasur vazhdimisht interferencë të Qeverisë në sistemin gjyqësor përmes kritikave sidomos në rastet kur sistemi gjyqësor ka pas të bëjë me zyrtarë politik apo me zyrtarë qeveritar, qoftë në fazën e hetimeve apo në fazën e gjykimit të tyre gjithmonë kemi pasur polemika nga ana e gjyqësorit nga ana e qeverisë në drejtim të gjyqësorit dhe kjo kemi thënë dhe atëherë është konfirmuar edhe nga ky raport që është drejtpërdrejt shkelje e pavarësisë së sistemit gjyqësor”, u shpreh Zeka.
    Këto gjetje, Zeka kërkon nga institucionet që ta marrin me seriozitet dhe të reflektojnë. Ai thotë se këto raporte pasqyrojnë realitetin në të cilën gjendet shteti ynë.

    “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit sikurse edhe raporti i progresit apo raporti për Kosovën i BE-së janë skanim i gjendjes në të cilën gjendet shteti ynë në të gjitha sferat, qoftë në cenim të drejtave të njeriut, cenimin e të drejtave individuale. Qeveria e Republikës së Kosovës po edhe të gjitha institucionet tjera në të cilat ka gjete që nuk ka përparim apo nuk ka progres duhet ta marrin si raport real dhe të reflektojnë mbi bazën e këtyre gjetjeve duhet të japin impute më shumë duhet të tentojnë që ta rrisin efikasitetin në drejtim të përmirësimit të gjetjeve për vitin e ardhshëm dhe jo të marrin vetëm pjesët pozitive si të shkëputura nga raporti për interesa personale apo interesa të një institucioni të caktuar duke mos e parë raportin si tërësi”, u shpreh Zekaj.