ATV

Blog

  • Moti sot me diell, temperatura deri në 25 gradë Celsius

    Moti sot me diell, temperatura deri në 25 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të ketë mot kryesisht me diell.

    Sipas njoftimit të këtij instituti, temperaturat do të arrijnë deri në 25 gradë Celsius.

    “Mot kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-25 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare”, thuhet tutje në njoftimin e IHMK-së.

  • Sot vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Gjykatën Speciale në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i njohur si rasti “Thaçi dhe të tjerët”.

    Seanca është paraparë të nis me fillim nga ora 09:00 dhe të zgjasë nga 16:30.

  • Kosovari vret pronarin e një restoranti në Gjermani, pamje nga vendi i ngjarjes

    Kosovari vret pronarin e një restoranti në Gjermani, pamje nga vendi i ngjarjes

    Një kosovar ka qëlluar për vdekje pronarin e një restoranti në Gjermani.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur para një restoranti në qendër të qytetit në Duseldorf.

    Sipas mediave vendase, pronari 38-vjeçar i një lokali në Herzogstraße në lagjen Friedrichstadt ka debatuar me një shqiptar 52-vjeçar me origjinë nga Kosova.

    Ata dolën jashtë restorantit për të zgjidhur debatin me tyre, por sherri u përshkallëzua dhe 52-vjeçari ka nxjerrë papritur armën dhe ka qëlluar disa herë viktimën.

    Pak më vonë, policia ka mundur të arrestojë pa rezistencë një person të armatosur me armë zjarri para lokalit. Sipas policisë, personi i arrestuar është një kosovar 52 vjeçar me banim në Gjermani.

    Aktualisht është e paqartë nëse autori dhe viktima njiheshin me njëri-tjetrin, ndërsa hetimet vazhdojnë.

  • Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-kryetarit të Pejës Ali Lajçi

    Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-kryetarit të Pejës Ali Lajçi

    Ka vdekur ish-kryetari i Pejës dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi.

    Për vdekjen e tij ka shprehur ngushëllime kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar për biografinë e Lajçit, tashmë të ndjerë

    “I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Bacës Ali, politikanit Ali Lajçi! I lindur më 3 janar të vitit 1955 në Malaj të Rugovës, Ali Lajçi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij. Emri i Ali Lajçit haset herët, qysh mes emrave të organizatorëve të demonstratave studentore e popullore të vitit 1981, për çka ai u dënua nga regjimi i Jugosllavisë me 15 vite burgim. U lirua nga burgu në vitin 1991, por u arrestua sërish më 1993 për përfshirjen e tij në organizime të rezistencës së armatosur”.

    “Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007. Pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura, ku ishte edhe një nga nëshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008. Me Ali Lajçin më ka rënë të njihem dhe të punojmë së bashku sidomos në kohën sa ishte deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës. Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik të shtrirë gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare, si nga ata që e njohën dhe punuan me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës. Ngushëllime familjes Lajçi, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Ali Lajçit për vdekjen e tij”, ka shkruar Kurti.

  • Vdes ish-kryetari i Pejës, Ali Lajçi

    Vdes ish-kryetari i Pejës, Ali Lajçi

    Ka vdekur Ali Lajçi, ish-kryetari i Pejës dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

    Për këtë përmes një postimi në Facebook ka njoftuar dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, të dielën.

    Ku subjekt politik ka shprehur nguhsëllime për familjen e tij dhe gjithë ata që e njohën.

    “Me dhembje të thellë mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të Ali Lajçit. Ai ishte një figurë e rëndësishme në historinë e Kosovës, një figurë e shquar në rrugën për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij. Ali Lajçi ishte një zë i fortë dhe i vendosur për të mbrojtur interesat e Kosovës. Angazhimi i tij për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit prej Demarkacionit të Murat Mehës ishte i shquar dhe i pamohueshëm. Ai ngriti zërin dhe u bë zëdhënësi i popullit, duke paraqitur argumente të forta kundër kësaj marrëveshje të dëmshme për vendin tonë”.

    “Kontributi i tij si kryetar i Komunës së Pejës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës do të kujtohet gjithmonë. Ngushëllime për familjen e tij dhe të gjithë ata që e njohën dhe e respektuan. Qofsh i qetë në paqe, Ali Lajçi”, thuhet në njoftimin e LVV-së në Pejë.

  • Një gruaje në Prishtinë i grabitet çanta e krahut në lokalin e saj, kishte para në të

    Një gruaje në Prishtinë i grabitet çanta e krahut në lokalin e saj, kishte para në të

    Një grua ka raportuar në polici se një person i panjohur ka hyrë në lokalin e saj dhe ia ka marrë çantën e krahut në të cilën kishte para të gatshme.

    I dyshuari është larguar në drejtim të panjohur, dhe rasti po hetohet.

    GRABITJE

    Rajoni i Prishtinës 27.04.2024 -19:15. Ankuesja femër kosovare ka njoftuar se në lokalin e saj ka hyrë personi i panjohur i cili i ka marrë çantën e krahut në të cilën kishte para të gatshme. I dyshuari është larguar në drejtim të panjohur. Rasti nën hetime.

  • Lista Serbe kërkon arrestimin e Vokrrit, Hetemit e Radomiroviqit

    Lista Serbe kërkon arrestimin e Vokrrit, Hetemit e Radomiroviqit

    Lista Serbe në një njoftim të fundit ka bërë thirrje për arrestimin e zëvendësministrit, Arbër Vokrrit, Radoica Radomiroviqit dhe kryetarit të Leposaviqit Lulzim Hetemit.

    Kjo parti ka drejtuar akuza ndaj zyrtarëve të lartpërmendur për siç thotë “vjedhje të pronave”.

    “Postimi i fundit në rrjetet sociale në të cilin tregohen deklaratat e Radoica Radomiroviqit, zëvendësit të ministrit ilegal Nenad Rashiq dhe Arbër Vokrrit, zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, është dëshmi e qartë e ekzistencës dhe veprimtarisë së një grupi kriminal të organizuar të zyrtarëve qeveritarë të Albin Kurtit me qëllim të veprimit të kundërligjshëm dhe vjedhjes së pronës”, ka shkruar Lista Serbe në një postim në Facebook të publikuar të premten.

    “Kjo video dëshmon ekzistencën e një grupi kriminal të organizuar anëtarë të të cilit janë, përveç zyrtarit qeveritar Albin Kurti dhe kryetarit ilegal dhe jolegjitim të komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, se në këtë grup të organizuar kriminal ka hierarki me ndarje të qartë të detyrave për kryerjen e veprave penale, duke plotësuar kështu bazën ligjore për identifikimin e këtij grupi si një grup i krimit të organizuar”, pretendon mes tjerash Lista Serbe në postimin e saj.

  • Meloni reagon ndaj dokumentarit RAI3, i del në mbrojtje Ramës

    Meloni reagon ndaj dokumentarit RAI3, i del në mbrojtje Ramës

    Kryeministria italiane, Giorgia Meloni ka reaguar lidhur me emisionin “Report” të Rai3 në të cilën u kritikua marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.

    “Shqipëria dhe Rama u linçuan për përpjekjet për të na ndihmuar me emigrantët”, tha Meloni në Pescara gjatë konventës në të cilën shpalli kandidaturën e saj në zgjedhjet evropiane të 8 dhe 9 qershorit, sipas medias italiane, shkruan topchannel.

    Meloni gjatë fjalës së saj nuk i kurseu as kritikat dhe ironitë ndaj RAI 3.

    “E majta propozoi ta përjashtonte nga socialistët evropianë, në vend që ta falënderonin që kishte vepruar në emër të solidaritetit evropian, ata e linçuan. Aq më tepër që e prezantuat si Telemoni, apo jo, Telemeloni? Përpiloi një raport për Shqipërinë në të cilin e portretizonte si një narko-shtet. Më ndihmoni t’i dërgojmë solidaritetin tonë Edi Ramës i cili u linçua vetëm se tentoi të ndihmonte kombin tonë”, theksoi Meloni.

    Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si “Emision të nveritshëm” reportazhin e “Report”të transmetuar në RAI 3, ku trajtohet marrëveshja e arritur mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.

    Për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë, kundër dokumentarit të emisionit “Report” në “RAI3 Rama nisi një fushatë sqarimi në të gjitha mediat italiane.

    “Nuk ka se si të mos më lëndojë”, është shprehur Rama në intervistat e tij, “kur e shoh Shqipërinë të sulmuar në atë mënyrë të neveritshme nga Rai, sikur të ishte rihapur një faqe e zezë në historinë e shtypit italian, kur fjala shqiptar përdorej si sinonim për kriminelë, trafikantë, hajdutë dhe prostituta dhe vetë Shqipëria trajtohej si burim i së keqes”.

    Ndërkohë në një tjetër reagim të publikuar në X drejtuar Sigfrido Ranucci drejtuesit të emisionit “Report” të cilit i thotë se në të njëjtin televizion shqiptar të njëanshëm, vijoi në përhapjen e së njëjtave shpifje të importuara më pas në Itali nga “Report”.

  • Shaip Kamberi me koalicion me PD e LPD në Bujanoc

    Shaip Kamberi me koalicion me PD e LPD në Bujanoc

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar për nënshkrimin e koalicionit paszgjedhor me Partinë Demokratike e Lëvizjen e Progresit Demokratik në Bujanoc.

    “Marrëveshja jonë synon luftën kundër diskriminimit, zhvillimin shoqëror, barazinë dhe zhvillimin ekonomik, social e kulturor të komunës së Bujanocit”, ka shkruar Kamberi.

    Kamberi e ka cilësuar këtë koalicion si hap të rëndësishëm drejtë një bashkëpunimi të fortë dhe të përbashkët për të siguruar një qeverisje të mirë në këtë qytet.

    “Besimi në historinë tonë kombëtare, rëndësia e bashkëpunimit ndërpartiak dhe angazhimi për stabilitetin dhe zhvillimin e komunës sonë janë qëndrime që na udhëheqin në këtë rrugë drejt frontit shqiptar për Bujanocin”, ka shkruar Shaip Kamberi.

  • SHBA, tornado kalon mes makinave/ Pamjet dramatike bëjnë xhiron e rrjetit, disa struktura shkatërrohen plotësisht

    SHBA, tornado kalon mes makinave/ Pamjet dramatike bëjnë xhiron e rrjetit, disa struktura shkatërrohen plotësisht

    Tornado të fuqishme kaluan në Nebraska e Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke lënë pas një vazhdë shkatërrimesh, të lënduar dhe shumë panik mes banorëve lokalë.

    Zona më e goditur e Nebraskës ishte Omaha, ku zyrtarët i kërkuan banorëve të kërkonin menjëherë strehim e të mos dilnin prej andej deri sa tromba e ajrit të ishte larguar. Pamje dramatike të një tornadoje që zbret në rrugë ku ndodheshin disa makina, bëri shumë shpejt xhiron e rrjetit.

    Në Iowa-n fqinjë, një tornado gjigante u përplas mbi qytetin e vogël Minden, ku ka shpërbërë disa struktura e mbetjet e tre u përhapën në ajër. Të paktën tre tornado të tjerë janë raportuar që nga e enjtja, duke përfshirë një pranë Bird City, Kansas, një në Yoder, Wyoming dhe një tjetër pranë Akron, Kolorado, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.

    Guvernatorja e Kansasit, Laura Kelly, shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të motit të keq. Shërbimi kombëtar amerikan i metereologjisë thotë se kushtet e rënduara atmosferike mund të vazhdojnë përgjatë gjithë fundjavës, dhe tornado të forta priten tashmë edhe në Teksas. /tch