ATV

Blog

  • Kuvendi të enjten diskuton për raportin e DASH-it

    Kuvendi të enjten diskuton për raportin e DASH-it

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Deputetët e opozitës po kërkojnë shpjegim nga Qeveria, për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

    Andaj thirrën seancë të veçantë për të enjten e 2 majit.

    Krahas kësaj nuk munguan kritikat ndaj pushtetit, duke thënë se po pengon punën e komisioneve hetimore.

    Pa kritika nuk shpëtuan as deputetët opozitarë, të cilët siç tha deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, po ia humbin shtetit rreth 400 milionë euro me mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Votimi i tyre do të tentohet përsëri në seancën e së enjtes, pas debatit për raportin e DASH-it.

    Veçse krejt në fillim, do të mbahet edhe një seancë solemne.

    Opozita kërkoi llogari nga kryeministri Kurti edhe për mosparaqitjen e tij nëpër seancat plenare.

  • Për BE-në, fajin për mungesën e rezultateve në dialog e kanë Kosova dhe Serbia

    Për BE-në, fajin për mungesën e rezultateve në dialog e kanë Kosova dhe Serbia

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për Bashkimin Evropian përfaqësuesi i saj i posaçëm, Miroslav lajcak, nuk është fajtor për mungesën e rezultateve në dialogun Kosovë-Serbi.

    Pavarësisht se blloku 27-anëtarësh nuk do të heqë dorë nga roli në këtë proces, zëdhënësi Peter Stano theksoi se dy shtetet ballkanike do të “ndihmohen vetëm aq sa pranojnë të ndihmohen.”

    “Ka një mësim shumë të qartë që, derisa palët nuk kanë vullnet të lëvizin sigurisht që askush nuk do të jetë në gjendje t’i detyrojë. Roli ynë në dialogun Beograd-Prishtinë është të lehtësojmë procesin, t’i ndihmojmë ata të bëhen evropianë, t’u ndihmojmë të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjejnë zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që ata nuk ishin në gjendje ta bëjnë këtë dhe të lëvizin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të perceptuar ose supozuar të BE-së si lehtësues, është shkak i dështimit të tyre për të përmbushur zotimet”, tha Stano.

    Ai nuk tregoi se kur do të nisë procesi për caktimin e përfaqësuesit të ri special për dialogun e as se kush do të mund ta marrë këtë detyrë.

    Ndërsa, këmbënguli se Lajcaku e ka kryer dhe po kryen detyrën e tij.

    “Nuk është faktikisht korrekte të thuhet se ishte dështim për të arritur diçka, për arsye se palët nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen e Ohrit. Pa numër herë e kemi sqaruar që nënshkrimi nuk ka qenë kurrë çështje për ne. Marrëveshja është ligjërisht obliguese dhe nuk ka shprehje më të mirë të kësaj sesa fakti që ajo u bë pjesë e rrugës së anëtarësimit për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Kështu që nëse ato nuk lëvizin për zbatim dëmtojnë të veten, të ardhmen e tyre evropiane dhe benefitet që qytetarët e tyre do t’i përfitonin nga avancimi”, tha Stano.

    Mandati i Miroslav Lajcakut si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, do të përfundojë në fund të muajit Gusht.

    Në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për ndikimet e zbatimit të rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme te komuniteti serb, përkatësisht çështjen e dinarit, më 13 Maj ai do të presë kryenegociatorët në një rund të ri bisedimesh.

  • Projekt kodi civil, ende nuk dihet kur procedohet në kuvend

    Projekt kodi civil, ende nuk dihet kur procedohet në kuvend

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Të zgjedhurit e popullit nuk po merren vesh mes vete që ta kalojnë projekt-kodin civil. Andaj përgjegjësinë për t’i bërë numrat në Kuvend, e mori kryeministri Albin Kurti, i cili tha se do të angazhohet personalisht që kjo nismë të miratohet. Këtë zotim e bëri gjatë vizitës në Gjermani, javën e kaluar.

    Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të procedohet drafti për votim.

    Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se fillimisht duhet të sigurohen votat.

    “Ka kohë që është duke u punuar në sigurimin e votave, sepse duhet të sigurohet fillimisht kuorumi dhe pastaj dhe votat pro, duhet të ketë minimalisht 61 deputetë që të marrin pjesë në kuvend dhe e dyta që të votohet pro. Është evidente që ka diversitet të vendimeve, por ka nevojë që fillimisht të ketë kuorum”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.

    Kësisoj, projekt-kodi civil zor që mund të miratohet para votimit të Kosovës për në Këshill të Evropës, që pritet të mbahet në javën e tretë të majit.

    Sipas analistit Bekim Kabashi, miratimi i kësaj nisme do ta ndihmonte Kosovën në anëtarësimin e saj në KiE.

    “Dihet që Këshilli i Evropës trajton kryesisht tema të ngjashme dhe është e rëndësishme edhe për Këshillin e Evropës, që shtetet anëtare të saj ta kenë kodin civil me rregullativën e saj. Kosova duke pasur parasysh që nuk e ka të sigurt anëtarësimin në KE shkaku edhe i disa temave tjera, sigurisht që do të ishte pozitive për Kosovën që kur të shkojë për t’u votuar për pranim në KE të paktën ta ketë kodin civil të miratuar”, tha Kabashi.

    Andaj ky thotë se, në tema me interes shtetëror, do të duhej të kishte harmonizim të veprimeve nga pushteti e opozita.

    “Opozita sidomos për kodin civil një pjesë e saj ka qenë e gatshme me votu, por kanë qenë kushtëzimet për tema tjera ku qeveria është dashur të bëjë kompromis me opozitën dhe meqë është një projektligj i rëndësishëm është dashur të bëjë kompromise të caktuara që me e çu përpara këtë proces”, tha Kabashi.

    Projekt-kodi civil ka dështuar të miratohet në kuvend më 2022 dhe që atëherë, nuk ka pajtueshmëri mes deputetëve për rikthimin e tij për votim.

    Një pjesë e deputetëve, përfshirë edhe ata të partisë në pushtet, janë kundër këtij projektligji, specifikisht nenit 1138, i cili lejon regjistrimin e bashkësive të personave të gjinisë së njëjtë.

  • Rigjykimi ndaj Enver Sekiraqës drejt fundit, të premten vendimi

    Rigjykimi ndaj Enver Sekiraqës drejt fundit, të premten vendimi

    Përgatiti: Nora Luta

    Pak para përfundimit të shqyrtimit, Enver Sekiraqa është ballafaquar me disa pyetje nga trupi gjykues, i cili po e gjykon për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës.

    Në seancën e së hënës, Sekiraqa u pyet se cila është e vërteta rreth deklarimeve se kishte pasur konflikt me të ndjerin.

    E në fjalën përfundimtare prej 23 faqesh Prokuroria Speciale ka shpalosur provat, që, sipas saj, e vërtetojnë përgjegjësinë penale të Sekiraqës.

    PSRK-ja, përveç komunikimeve me SMS ndërmjet grupit të Sekiraqës, ka paraqitur edhe ato mes një dëshmitari me Zanfina Ismailin, që, sipas saj, vërtetojnë përgjegjësinë penale të Sekiraqës.

    Megjithatë, mbrojtja duke pretenduar në pafajësinë e të akuzuarit, ka thënë se Sekiraqa nuk ka pasur motiv që ta vrasë Triumf Rizën.

    Kur është thirrur në dëshminë e Adelina Ismajlit dhe familjarëve të saj, ka kërkuar të mos publikohen nga mediat. Edhe seancat kur familja Ismaili dëshmoi në këtë rast ishin krejtësisht të mbyllura për publikun.

    Në fund të këtij rigjykimi u vërejt interes i shtuar i publikut, kur një grup personash ishin prezentë në sallën e gjykimit.

    Ndërkohë, Enver Sekiraqa, i cili aktualisht është në arrest shtëpiak, akuzohet se e nxiti vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Triumf Riza, e për vrasjen u dënua me 35 vjet burgim Arben Berisha.

    Sekiraqa ishte shpallur fajtor dy herë nga Gjykata e Prishtinës, duke u dënuar me 30 vjet burgim, por Apeli e kishte kthyer në rigjykim rastin duke e pranuar ankesën e mbrojtjes, e arsyetuar se kishte shkelje të Kodit të Procedurës Penale.

  • Sulmi fizik i punëtorëve të pastrimit, shkaku i frikës për humbje të punës

    Sulmi fizik i punëtorëve të pastrimit, shkaku i frikës për humbje të punës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Shkuan njëkohësisht për t’i larguar mbeturinat në lagjen Dardania. Kjo bëri që punëtorët e dy kompanive që merren me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, të rrihen të shtunën.

    Komuna thotë se dy punëtorët e ndërmarrjes publike “Pastrimi” i sulmuan dy të tjerët e kompanisë private, të kontraktuar nga pushteti lokal, për të njëjtin qëllim.

    Deri te kjo, drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, thotë se erdhi nga frika e punëtorëve të Pastrimit, se do ta humbasin vendin e punës.

    “Sipas drejtuesve të KRM “Pastrimi” është iniciativë e punës se kanë ndje rrezikshmëri që po e humbin vendin, por nuk është ky qëllimi, ata e kanë territorin e mjaftueshëm ku mund të operojnë”, tha Brestovci.

    Për problemin në fjalë, ATV-ja ka kontaktuar edhe zyrtarë të kompanisë regjionale “Pastrimi”. Ata pa dhënë shumë detaje përmes telefonit i thanë ATV-së, se do të dalin me një komunikatë kurdo që merret vendimi.

    Sido që të jetë, nga komuna thanë se angazhimi edhe i një kompanie, krahas asaj regjionale ishte më se i nevojshëm.

    “Të gjithë këtë punë e kemi bë në bashkëpunim me kompaninë, bile komplet specifikimin teknik për kamionët e kemi marrë nga kompania pastrimi”. Ndërmarrja do të ketë mundësi ta rritë cilësinë e shërbimit dhe do të jemi të kënaqur në të dyja anët”, tha Brestovci.

    Me vendimin e komunës, të kënaqur janë edhe qytetarët.

    “Kryetari Rama i ka sjellë edhe disa kontejnerë edhe po i mirëmbajnë, por vetë qytetarët i kanë fajet, sepse po sjellin edhe orendi shtëpie këtu, e kjo është veç për mbeturina”, tha Shaban Ademi, qytetar.

    Ndërkaq, nga komuna thanë se kompania e kontraktuar ka në dispozicion 10 kamionë, si dhe 30 punëtorë.

  • Rrahmani për Kodin Civil: Kurrë dhe me asnjë çmim nuk do të votoj ligje që cenojnë familjen

    Rrahmani për Kodin Civil: Kurrë dhe me asnjë çmim nuk do të votoj ligje që cenojnë familjen

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani me anë të një shkrimi në Facebook e ka bërë të qartë edhe njëherë se KURRË nuk do ta votoj Projektligjin për Kodin Civil.

    “Përderisa populli është pro familjes ku ka NËNË, BABË, VAJZË, DJALË, ASNJË ligj që cenon familje nuk do të mund të kaloj në Kuvendin e Kosovës!” – ka thënë ndër të tjera ai.

    Postimi i Plotë:

  • Stoltenberg zhvillon vizitë të paparalajmëruar në Kiev

    Stoltenberg zhvillon vizitë të paparalajmëruar në Kiev

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar një vizitë të paparalajmëruar në Kiev më 29 prill.

    Gjatë vizitës, ai tha se armët dhe municionet në Ukrainë do të nisin të arrijnë në shtet, përderisa pranoi se aleatët perëndimorë kanë dështuar të mbajnë premtimet sa i përket mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

    Duke folur në një konferencë për media së bashku me presidentin Volodymyr Zelensky, në kryeqytetin ukrainas, Stoltenberg gjatë vizitës së tretë që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës më 2022, tha se “vonesat serioze në mbështetje kanë shkaktuar pasoja serioze në fushëbetejë, raporton Rel.

    “Për muaj të tërë, Shtetet e Bashkuara nuk ishin në gjendje të pajtoheshin për një paketë të ndihmës dhe aleatët evropianë ishin në gjendje të dërgojnë municione në shkallën që kanë premtuar”, tha ai.

    “Ukraina për muaj të tërë ka numër më të vogël të ushtarëve dhe ka pak municione… Më shumë ndihmë do të vijë së shpejti”.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar paketën e ndihmës më 24 prill, pasi Senati amerikan e miratoi atë. Legjislacioni ishte bllokuar për muaj të tërë në Dhomën e Përfaqësuesve, por udhëheqësit republikanë të Dhomës u pajtuan që masa përfundimisht të hidhej në votim dhe kaloi më 20 prill, duke ia përcjellë Senatit.

    Paketa e re e ndihmës ushtarake për Ukrainën, që SHBA-ja miratoi, është në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.

  • Një fëmijë që nuk respekton prindërit e tij s’do të respektojë askënd

    Një fëmijë që nuk respekton prindërit e tij s’do të respektojë askënd

    Një fëmijë që nuk respekton prindërit dhe gjyshërit e tij nuk do të respektojë kurrë askënd. Dhe sa më shpejt të trajtohet ky problem aq më mirë do të jetë për të gjithë.

    Fëmijët e sotëm jetojnë në një botë krejtësisht të ndryshme nga e kaluara. Thjesht mendoni se çfarë jemi në gjendje të bëjmë me teknologjinë sot për të kuptuar dallimet. Për shkak të stimujve të shumtë me të cilët fëmijët janë në kontakt, është shumë e vështirë për një prind që t’i çojë ata në rrugën e duhur, e cila është shumë e ndryshme nga ajo e të moshuarve.

    Udhëzimet aktuale mbi modelet edukative të prindërve bazohen në respektimin e lirisë së fëmijës, absolutisht për të mos u ngatërruar me mungesën e orientimit.

    Respekti

    Një nga parimet themelore të edukimit të një personi, i cili nuk ka ndryshuar ndër vite, është respekti. Një fëmijë që nuk respekton prindërit dhe gjyshërit e tij nuk do të respektojë kurrë askënd, ai do të bëhet një i rritur egoist, autoritar dhe i vetmuar. Nuk ka fëmijë të vështirë, por prindër që nuk dinë të flasin me fëmijët e tyre.

    Detyra e rritjes së një fëmije nuk është aspak e thjeshtë, por u takon prindërve të inkurajojnë një marrëdhënie të shëndetshme mes fëmijës dhe emocioneve të tij, në mënyrë që ta mësojnë t’i menaxhojë ato në mënyrën e duhur.

    Fëmijëria dhe adoleshenca janë dy periudha plot risi dhe zbulime, dhe pikërisht në këto dy faza fëmijët zhvillojnë karakterin dhe personalitetin e tyre. Detyra e familjes është t’i udhëheqë ata në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme. Për ta bërë këtë, është e rëndësishme të vendosni edukimin mbi dëgjimin, bindjen dhe respektin.

    Një fëmijë mosrespektues është shumë shpesh i kënaqur, është e vështirë t’i thuash jo, ndoshta ndjenjat e fajit nuk ndihmojnë dhe për këtë arsye ne priremi t’i dorëzohemi çdo kërkese. Megjithatë, shumë lejueshmëri nuk është një mjet i mirë negocimi, sepse shumë shpesh çon në rezultate katastrofike.

    Fëmijët frymëzohen nga sjellja jonë, prandaj është e rëndësishme të veprojmë me kujdes kur bëhet fjalë për t’i udhëhequr në rrugën e duhur.

    Mami dhe babi

    Lodhja dhe mungesa e durimit ndikojnë në sjellje. Jemi njerëz dhe jemi shumë shpesh të lodhur, për shkak të punës dhe punëve të përditshme. Lodhja dhe mungesa e durimit, megjithatë, rrezikojnë suksesin e kësaj detyre të rëndësishme. Nëse duam të shmangim rritjen e një fëmije mosrespektues, duhet të shmangim mosrespektimin e vetvetes. Nëse duam të jemi shembull i mirë, duhet të fillojmë të sillemi mirë. Gjithçka fillon me ne.

    I rrituri, që do të bëhet fëmija ynë, është i lidhur ngushtë me mënyrën se si ai u rrit. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të kuptojmë përmasat e përgjegjësisë sonë, me synimin për të bërë më të mirën në baza ditore, për të lënë një trashëgimi të mirë.

  • Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarës për aksidentin në Suharekë ku vdiqën dy persona

    Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarës për aksidentin në Suharekë ku vdiqën dy persona

    Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj M.G., e dyshuar për aksidentin e së dielës në Shirokë të Suharekës, ku vdiqën dy persona.

    Këtë e ka konfirmuar Fitore Mehmeti, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prizren.

    Mehmeti potencoi se M.G dyshohet për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

  • Durmishi: Mbi 14 milionë euro për projekte infrastrukturore për Deçanin

    Durmishi: Mbi 14 milionë euro për projekte infrastrukturore për Deçanin

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se gjatë mandatit të tij deri më sot ka investuar mbi 14 milionë euro për projekte infrastrukturore për komunën e Deçanit.

    Durmishi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se “në kuadër të nënshkrimit të memorandumeve të sotme, tani jemi në Deçan, të cilën komunë po e financojmë shtesë edhe me 400 000 euro”.

    “Projektin të cilin jemi duke e bashkëfinancuar është: Zgjerimi i rrugës, urave dhe strukturave nga Deçani dalja për Pejë, segmenti Lëbush – Qendra e Strellcit”, ka treguar Durmishi.